Showing posts with label Libri. Show all posts
Showing posts with label Libri. Show all posts

Viti i gjuhëve botërore, në shqip vijnë persët

VITI I GJUHËVE BOTËRORE, NË SHQIP VIJNË PERSËT

Gjylistani dhe Bostani
Viti 2009 është shpallur nga UNESCO viti i gjuhëve botërore dhe në këtë kuadër nga puna ka nisur Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, duke përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe librin “Historia e letërsisë perse”, të autorit iranian Ahmed Tamimdari. “Duke pasur parasysh kapacitetet e pranisë dhe të kaluarës të letërsisë perse në trojet shqiptare, ky libër do të shërbejë si një burim i përshtatshëm për të interesuarit dhe hulumtuesit shqipfolës të rajonit”, – thuhet në njoftimin për shtyp të këtij fondacioni.
Libri në fjalë u përkthye nga Abdullah Rexhepi, student shqiptar që vazhdon studimet për doktoraturë në gjuhë dhe letërsinë perse në Iran. Redaktimi i librit është bërë nga prof. dr Jorgo Bulo, një nga figurat e njohura të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në parathënie të këtij libri të drejtorit të fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh, shkruan: “…Letërsia perse është një thesar i madh dijesh dhe njohurish. Kjo letërsi ka mundur më së miri që të ruajë mësimet e saj dhe t’i përcjellë ato te popujt, te kulturat dhe qytetërimet e tjera botërore. Kudo që ka depërtuar kjo letërsi, opinioni publik kulturor i atij vendi jo vetëm që e ka përqafuar vullnetarisht dhe me dëshirë këtë letërsi, por më së miri e ka shfrytëzuar, duke pasuruar thesarin e njohurive të letërsisë së vet. Në shumë vende të botës edhe pse s’ka pasur ndonjë institucion kulturor iranian, që të përkthente, të botonte dhe të promovonte vepra nga letërsia perse, u vu re se shumë prej veprave të letërsisë iraniane ishin përkthyer dhe botuar, në mënyrë të vullnetshme dhe të vetvetishme, nga intelektualët dhe nga elita kulturore së shoqërisë së vendeve përkatëse. Letërsia perse është e njohur edhe në Shqipëri; shoqëria dhe kultura shqiptare e kanë njohur këtë letërsi para më shumë se gjysmëshekulli.
Vepra të letërsisë perse si “Gjylistani dhe Bostani” i Sadiut, pjesë të zgjedhura nga “Shah Nameja” e Firdeusit, “Rubairat” e Omar Khajamit në këtë vend janë përkthyer dhe botuar në mënyrë të vetvetishme”.

Misteri i Librit të Kuq të Karl Jungut


Karl Jungu ishte një psikiatër me shumë influencë që konsiderohet si themeluesi i psikologjisë analitike.  Jungu bashkëpunoi me Zigmund Frojdin për vite të tërë dhe u bë i famshëm për punën e tij me pacientët skizofrenë. Në vitin 1913, marrëdhënia profesionale e Jungut me Frojdin përsoi një krisje dhe ai filloi të ketë probleme seriozë të shëndetit mendor për veten e tij, duke pranuar se ka patur halucinacione dëgjimi dhe shikimi në atë që e quante “përballja me të pandërgjegjshmen”.   Gjatë kësaj periudhe, Jungu shkruajti një libër që e quajtu Liber Novus, nga latinishtja “Libri i Ri”, por që në fakt që nga ajo kohë është pagëzuar me emrin “Libri i Kuq”. i mbushur me djaj të vizatuar me dorë, bashkëbisedime me perëndi, përshkrime incesti, dhe udhëtime në botën e nëntokës, ai është quajtur edhe një vepër e një “dije të pafund”, apo edhe hallakatjet e një psikopati. Ai punoi 16 vjet për këtë libër, të cilin e kyci deri kur vdiq në vitin 1961. Kur përshkruante librin, ai zbuloi në mënyrë kriptike: “Këta vite, kur unë ndoqa pamjet e brendshme, kanë qenë më të rëndësishmit e jetës sime. Cdo gjë tjetër duhet të burojë prej kësaj.  Filloi që në atë kohë dhe hollësitë e mëvonshme zor se kanë më rëndësi. E gjithë jeta ime ka konsistuar në përpunimin e asaj që më vinte nga e pandërgjegjshmja dhe më përmbyti si një lumë enigmatik dhe rrezikoi të më thyejë. Ishte material për më shumë se një jetë. Cdo gjë më vonë ishte thjeshtë një klasifikim i jashtëm, elaborim shkencor, dhe integrim me jetën. Por fillimi spiritual që përmbante gjithcka, ishte atëherë”. Pas vdekjes së tij, familja Jung e kyci librin e kuq për pothuajse 50 vite. Vetëm pak njerëz e kishin parë deri kur u botua në tetor të 2009-ës. Origjinali ishte ekspozuar në Muzeun e Artit Rubin, në Manhatan. Mbetet mister se cilët djaj e kishin shtyrë dorën e Jungut, cfarë po përpiqej të shprehte ai tek “Libri i Kuq”, dhe përse familja e tij u përpoq ta mbajë veprën të fshehur për kaq shumë dekada.

Testamenti i një shkrimtari fantastiko-shkencor

Nga Nga Natasha Lako


 Një roman për lirinë njerëzore. Botohet postmortum, nga shtëpia botuese OMSCA-1, romani fantastiko – shkencor i Kostandin M. Lekës “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”

Shtëpia Botuese OMSCA-1 ka hedhur në treg romanin fantastiko-shekncor “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, me autor Kostandin M. Leka. Doreshkrimi u gjet në kompjuterin e Kostandin M. Lekës nga familja, pas shuarjes se tij një vit më parë. Gjithashtu kopertina e këtij romani është krijuar nga Dorina Leka, mbesa e autorit, në sondin e një prej pikturave dixhitale të krijuara nga vetë  Kostandin M. Leka.
Konflikti me të pamundurën dhe kapërximin e saj duket se do të mbajë gjithnjë të ri edhe romanin “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”. Autori i tij Kostandin Leka e shkroi plot zhdërvjelltësi në fund të jetës së tij në trajtën hokatare të kujtesës dhe lojës së bukur letrare, thua të ishte për një kohë të papërcaktuar xhongler i ideve, që të nguliten në mendje. Ai na thotë me këtë libër, se konflikti më i thellë i njeriut është ai me këto të pamundshme, që jetojnë të thyera në copëza të vogla. Në këtë lojë dramatike ai le pas të pamundshmen në dashuri, të pamundshmen për të jetuar jetën sipas dëshirës, të pamundshmen për të fituar ujin e pijshëm në shkretëtirë, ose edhe më të pamundurën e  kapërximit të vdekjes, të trajtuar aq shumë në letërsi. Ai zgjedh llogoren e vet dhe flet përtej limiteve reale, për çmontimin e ndërgjegjes nga shtrëngesat. Dhe përvoja e tij e çon në kohën kur çdo liri vetjake ishte e pamundur. Në këtë mozaik të madh shfaqet përsëri e pamundshmja, që mund letërsia fantastikoshkencore, e krijuar kësaj here brenda lumit të mbresave dhe kujtimeve reale. Libri mund të quhet ndryshe libri i ëndërrës dhe manovrimit të hapave drejt lirisë, me dëshirën për të zbuluar thellësitë e pashfaqura të koshiencës dhe subkoshiencës njerëzore, si i vetmi çlirim njerëzor. Në një atmosferë të tillë pengimesh të pafundme dhe të shkallëzuara, që nga tentakulat e shtetit deri te karakteret njerëzore, rrjedh historia e një njeriu me emrin Lirian, të cilin e kemi njohur edhe në romanin e parë të Kostandin Lekës, “Si u bëra i padukshëm”. Ndodhemi kështu përpara një romani ciklik, ku fantashkenca jep mundësitë më të mëdha ndaj të pamundshmes.
Hero apo antihero, kësaj here Liriani i Kostandin Lekës, në shenjë shpagimi të ligësisë, shërbesës, ambicjeve dhe diktatit të njerëzve, që ka rreth e rrotull, merr përsipër të zhbllokojë ndërgjegjen e tyre të shtypur. Kostandin Leka hyn kështu në një lojë të këndshme për të zbuluar një realitet njerëzor, ku ndërgjegja zgjohet gjithandej dhe sjell situata dhe ndërlikime, të cilat na ofrojnë jo vetëm buzëqeshje, na kujtojnë jo vetëm realitetin e një diktati të shfrenuar, por na zgjojnë në çdo çast edhe thellësitë e vehtes. Me gojën e një personazhi të tillë autori na thotë, se po vepron nën shëmbullin e samurajëve, që kërkojnë të vendosin personalisht drejtësira, apo nxitet nën shëmbullin e filmave të ngulitur në zemër, ku individi lufton të shpëtojë inoçencën dhe drejtësinë e vetes me rengje nga më të bukurat. Hyjmë kështu në botën e aventurës pa cak. Themi, se është antihero, pasi loja dhe shpagimi vazhdojnë pa fund, në formën e sarkazmës dhe provokimit të ndërlikuar, i cili e bën lexuesin të bëhet mik jo vetëm me personazhin, por edhe me shkrimtarin, i cili ka marrë përsipër të trajtojë një nga tabutë e shoqërisë njerëzore. Pengesat e njeriut për të shpallur vehten. Ky përqendrim në një kohë të caktuar dhe në një përvojë të caktuar, brenda një kabineti shkencor universitar, i jep dritë të veçantë të gjithë ngjarjeve dhe situatave, ku është Liriani, që ve në lëvizje një mori personazhesh, me ndodhi dhe situata, që arrijnë gjithashtu ta kapërxejnë edhe një etapë të vetme. Pasi beteja për të njohur ndërgjegjen njerëzore dhe për ta zhbllokuar nga pengesat nuk është shteruar kurrë.
Të gjitha këto thuhen në roman me një thjeshtësi sublime, të cilën e përmban jeta e përditëshme, ku askush nuk sforcohet dhe askush nuk ngrys dot vetulla për të gjetur kuptimet.
Në çdo çast lexuesit i krijohet ndjesia sikur Kostandin Leka gjendet në një dhomë prej të cilës po ia hedh faqet një pas një për t’i lexuar. Distanca me atë, që merr fletët në duar është shkurtuar së tepërmi. Kështu edhe njëherë i shkruar me dorën e Kostandin Lekës, lexuesi zbulon po aq shkujdeshëm, si çdo gjë e kohës së internetit, një libër që shpalos gati jetën e tij, megjithë zbritjet në kohë.
Ka shkrimtarë që e dërgojnë veprën e tyre te lexuesi, nga distanca të cilën herë e shkakton koha dhe herë mjeshtëria, e cila e kthen gjuhën në stalakdid dhe stalagtmit të ngurtësuar për të gdhendur në sipërfaqe shpirtin njerëzor.
Kostandin Leka nuk e quajti asnjëherë vehten një mjeshtër të tillë. Para se të jetë shkrimtar, ai pranoi të jetë qytetar i vendit të tij dhe i kësaj bote. Me librin që kemi përpara edhe njëherë ai e sjell letërsinë pranë nesh, njësoj si të të hedhë krahun në sup. Letërsia, subjekti i përzgjedhur është vetë trupi i tij. Dhe misteri i sekretit të tij është, se ai di të tregojë rreth nesh, rreth të vërtetave tona, ndonëse thërret në ndihmë fantazinë më të skajshme, të cilën mësohemi të besojmë.
Liria e fantashkencës krijon në këtë roman metafora të mëdha. Lexuesi që ndjek shtjellimin e ngjarjeve, ndjek më së shumti rrëfimin e një miku të afërt, që jep të gjalla dëshira dhe karaktere. Fantazia dhe imagjinata e një njeriu si Kostandin Leka, krijojnë në mënyrë të plotë një mekanizëm lirie. Dhe ky mekanizëm ka të bëje me çlirimin e vullnetit njerëzor. Zona e fantashkencës i jep për këtë qëllim mjete të mëdha. Ajo e çliron gjithëcilin edhe nga realiteti dhe mundësitë e tij të kufizuara.
Kur e lexon këtë libër ndjen gjithashtu, se nuk po të tregon një shkrimtar, por një mik. Aq të befta, por njëkohësisht brenda vehtes dhe psiqikës njerëzore janë ngjarjet, aq të njohura, por njëkohësisht aq të reja, aq të kumbueshëm dhe pjestarë të jetës së secilit janë personazhet, sa është e pamundur të mos ndjesh realitetin ku merr frymë. Liria e fantazisë në veprën e Kostandin Lekës, ze vend në një shtrat të thjeshtë dhe të përditshëm, me situata që autori i ndjell dhe ia paraqet secilit me zhdërvjelltësi të madhe. Rrallë mund të gjesh në letërsinë e ditëve tona një shtjellje kaq spontane dhe pa pretendime të sforcuara të rrjedhës së një jete ku fitilat e furnelës së vajgurit janë a s’janë i vetmi monument. Mos u mërzisni, që pranë këtyre furnelave do të gjeni edhe celularët e mileniumit të ri. Jemi përsëri dhe përsëri në fantashkencë, ku kërkimi i një ëndërre njerëzore, përzjehet me realitetin. Etapa e zgjedhur dhe e përjetuar prej Lekës vetëm sa e ushqen dhe e furnizon edhe më tepër këtë ëndërr. Autori e bën lexuesin të ndërgjegjshëm se po udhëton nga bota e diktatit në botën e empatisë. Ajo që beson se ka marrë fund, fillon të shfaqet përsëri. Liriani nuk e ka të lehtë të shpëtojë nga Ideali dhe Qendra eMbikqyrjes. Kështu Kostandin Leka, mbetet konseguent i zhbllokimit të ndërgjegjes njerëzore. Hakmarrja ndaj së keqes, që i shfaqet përpara, me botën e çimkave dhe të përgjuesve dhe kontrolluesve të gjithçkaje, kthehet në një katapulkt artistik brenda një bote, ku diktati ishte mbizotërues, deri në masën e fantashkencës, ku ka qenë pothuaj fantashkencë dhe e pabesueshme vetë koha e diktatit të madh, ku kanë jetuar shqiptarët. Ne nuk e kuptojmë mirë nëse është Liriani apo vetë Kostandin Leka, që kërkon të hakmerret me botën “e çimkave” ose të përgjimit. Por, ne e ndjejmë, se ata së bashku janë gati të zhbllokojnë ndërgjegjen, që njeriu fsheh nga të tjerët. Për një shoqëri a një rend, ose rregulli të caktuar, ky mund të jetë skandali më i madh njerëzor. Por, ja që qytetari Kostandin e ka marrë përsipër në mënyrë aventuroze së bashku me Lirianin e vet. Jo më kot pranë nesh ndjejmë autorin qytetar, që në këtë shtjellë veprimi dhe kundërveprimi njerëzor pranë Shemshedimit e lirisë së shfrenuar të erotizmit përfshin edhe tipa si Sigmundi, që të kujtojnë rregullat dhe statuset  hitleriane. Liriani i fantazisë njerëzore, në lojën e tij të hakmarrjes dhe sarkazmës pasi zbulon kristalin, që i bën njerëzit të thonë atë që ndjejnë dhe mendojnë, ka përballë prapë së prapë  kundërshtarët simpatikë, të skalitur nga autori, njerëz që komplikojnë njëri tjetrin në një  kompaktësi artistike, përfshi këtu edhe rolet erotike kundërvepruese të vajzës së ish gjeneralit të Qendrës sëMbikqyrjes së Shtetit apo një nëndrejtoreshe bibliotelke, që na duket sikur e kemi hasur edhe në jetën tonë reale. Dhe kjo kompaktësi rrjedhëse i bën të kapërxejnë të gjithë bashkarisht nga periudha e diktatit drejt kohës së empatisë. Autori ngulmon te një Lirian, që nuk dorëzohet, duke e shoqëruar gjithnjë atë me një buzëqeshje njerëzore. Nëpërmjet tij lexuesi mund të kuptojë lehtë se si nuk është dorëzuar gjatë punës dhe krijimtarisë së tij edhe vetë Kostandin Leka. Rrallë mund të gjesh në letërsinë tonë të re, një unison midis shprehjes dhe krijimit artistik dhe purgatorit të sfiduar real të vetë autorit. Është vetë Kostandin Leka që di të hakmerret në mënyrë kaq fine, kaq njerëzore me një realitet, që i ka marrë shpirtin gjithë jetës. Lexuesi ka mundësi ta ndjejë praninë e frymëmarrjes së tij në çdo faqe të këtij libri kaq të freskët. Autori e bën krijimin kaq të gjallë dhe të besueshëm, kaq të kuptueshëm.
Po, e kuptojmë shpirtin tënd të shqetësuar, mënyrën se si ti ke ditur dhe di t’i përballosh jetën dhe gjërat, qoftë me këtë fantazi të zhdërvjellë.
Në romanin tënd të parë “Si u bëra i padukshëm”, ti u përpoqe të krijosh një Lirian, që zbulon se si mund të bëhet i padukshëm, në një shoqëri, ku vrojtohesh nga të gjitha anët, pra merresh me egistencën dhe shfaqjen apo zhdukjen e saj si vizion. Në romanin tënd të dytë, po shohim se si  ti merresh me të thënën, me fjalën dhe me dëgjimin, ëndërrën e njerëzimit dhe agjensive të kontrolleve të specializuara, pse jo, për të zbërthyer deri në fund atë që fsheh edhe ndërgjegja më e fshehtë. Dhe të gjitha këto t’i japësh aq thjesht, pa pretendime të mëdha, për ta zbritur letërsinë me këmbë në tokë edhe kur fluturon me fantashkencën, e trajtuar ndonjëherë edhe nga shkrimtarë si Gor Vidal, për të mos folur për Zhyl Vern. E kuptojmë se si interesohesh ti, o Liriani ynë Kostandin, për lirinë njerëzore. Pasi ti ke qenë organizëm, njeri, shpirt, ëndërr e kësaj lirie.
Kur me një tekst letrar  fillon një bisedë e tillë, më në fund e kupton, se ky libër është i gjallë. Dhe kur e kupton, se je përpara një libri që jeton dhe merr frymë, e kupton, se libri është shpikur si pjesë e gjallë e jetës.
Për këtë duhet ta falenderojmë Kostandinin tonë dhe librin  “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, që ka lënë si testament.
Për të përshëndetur librin “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, le të shtoj edhe disa fjalë të Hanif Kureishit, për mjeshtërinë e të shkruarit: “Në pjesën më të madhe të saj, puna e të shkruarit, është metoda, që gjen rrugëtimin e fjalëve.”
Në rastin e librit “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes” fjalët bëhen peshëlehta, të përdorshme, zhbiruese dhe udhëtuese, që nga fletët deri në mendjet tona, për të na dhënë një jetë pothuajse të prekshme deri në pamundësitë e saj. Brenda letërsisë sonë të sotme ky mund të quhet thjesht një konfort i ri.
Të dhëna teknike:
Titulli: Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes
Autori: Kostandin M. Leka
Redaktore: Zhuliana G. Jorganxhi
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 192
Çmimi: 600 lekë

Ndriçim Kulla, enciklopedi për mendimin shqiptar në 150 vjet




Studiuesi dhe botuesi Ndriçim Kulla

Doli në qarkullim nga “Plejad”, vepra voluminoze

Një punë 30-vjeçare e studiuesit Ndriçim Kulla, i cili hulumton nga viti 1807 në 1957.

Në një vend diktatorial, ku edhe liria e të lexuarit ishte e cunguar, Ndriçim Kulla e gjeti diku udhën e tij të lirisë, që do ta çonte deri në kurorëzimin e një vepre voluminoze nën titullin “Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807-1957”.
Një vepër që do t’i hynte në punë çdo shqiptari, për të njohur më mirë vetveten dhe patriarkët e mendimit shqiptar. Në këtë vepër Kulla ofron një panoramë të plotë të këtij mendimi, duke u futur thellë në kohë, qysh në vitin 1807 me esenë e studiuesit dhe juristit, Engjëll Mashi, e duke e sjellë deri në vitin 1957, ku edhe pse nën diktaturë, mendimi shqiptar arriti të mbijetonte me vështirësi. “Rreth 10-vjeçarit të viteve ’80, punoja në minierën e Valiasit në Tiranë dhe si shumë të rinj të tjerë të cilët ishin kuriozë të zbulonin atë botë të panjohur të letërsisë dhe mendimit të ndaluar për arsye ideologjike, për të cilin kishte filluar të flitej nën zë, fillova të lexoja me ato mundësi që unë kisha literaturë, që për kohën figuronte ndaluar. Duke qenë një lexues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, fillova që ta shtrija kuriozitetin tim në leximin e disa gazetave të viteve ‘30 të shekullit të kaluar”, tregon autori i veprës, botuar nga shtëpia botuese “Plejad”. Pikërisht aty, në ato faqe të zverdhura nga koha, qëndronte dhe zbulimi. Një botë tërësisht e panjohur, e mbajtur fshehur, ku gëlonte debati, mendimi i lirë. U njoh me emra mendimtarësh, që askush nuk i përmendte më. Aty ishte Merxhani, Koça, Koliqi, Valentini, Zavalani, Pipa, Luzaj, Dema, e shumë e shumë të tjerë. “Ishte po ky pasion, e ndoshta ndjeshmëria se kishim të bënim me shumë vepra që duhej të dilnin në dritë, që në tërësinë e vet shumëvëllimshme përbënin një kryevepër, ajo që më dha forcë të kapërceja dhe barriera të natyrës së mosnjohjes nga institucionet, por edhe me refuzime tendecioze, këmbëngulëse dhe shumë penguese. Kam përjetuar momente të vështira në përpjekjet e mia për ta nxjerrë nga arkivat këtë mendim me autorë të ndryshëm, por edhe nëpërmjet librave antologjikë, ku skeptikët, ziliqarët, por edhe nënçmuesit e vlerave shqiptare nuk hezituan të më rezervonin në mënyra konspirative etiketime si një njeri që dëshiron të krijojë legjenda”, tregon Ndriçim Kulla mbi rrugëtimin e librit të tij, rezultat i një aventure gati 30-vjeçare.  
Pse na duhet

Ernest Koliqi, Krist Maloki dhe Martin Camaj

Ndërsa në Shqipëri flitet ende për çështjen e identitetit të shqiptarëve, duket se më shumë se kurrë është e nevojshme të njohësh ata të parët që hodhën idetë e vetëdijesimit të shqiptarëve. Kulla e ka nisur prej vitesh këtë mision, duke botuar kolana të tëra me vepra të mendimtarëve të tillë të rëndësishëm si Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Dom Ndoc Nikaj, Jorgji Meksi, Ambroz Malaska, Ismet Toto, Eqrem bej Vlora, Gjergj Fishta, Lazër Shantoja, Faik Konica, Fan Noli, Mustafa Kruja etj. Por vepra 3-vëllimshme e sapodalë në qarkullim, na jep një njohje më të gjerë rreth këtij procesi vetëdijesimi. “Ne vërtet nuk kemi pasur filozofë të mirëfilltë, siç kanë pasur popujt e tjerë më të mëdhenj, por shembulli tipik i Branko Merxhanit, Anton Harapit, Zef Valentinit, Mit’hat Frashërit, Mehdi Frashërit etj. tregon se ne e kemi përdorur filozofinë, psikologjinë dhe sociologjinë në mënyrë krijuese, duke krijuar mendimin tonë karakteristik në këto fusha. Mirëpo, dihet nga të gjithë se pasojat e tmerrshme të qëndrimit politik ndaj mendimit të lirë shqiptar kanë bërë që ky mendim të mos njihet nga brezat e sotëm. Ne nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqesin të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me konceptet dhe filozofinë tonë karakteristike kombëtare, me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para, kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike, ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptar, sytë i kishin drejt Europës dhe modeleve të përparuara të Perëndimit. Këtë është e rëndësishme ta dimë mirë të gjithë ne dhe pasardhësit tanë, sidomos në kushtet e integrimit europian dhe të globalizmit botëror”, thotë Kulla, i cili në pozitat e pedagogut, publicistit e prindit shton se është e pafalshme që studentët dhe nxënësit e shkollave nuk njohin thuajse asnjë prej këtyre mendimtarëve. Sipas tij, ata duhen përfshirë në mënyrë urgjente në kurrikulat shkollore. “Ne kemi trashëgiminë tonë mendore, e cila duhet të programohet me urgjencë për t’u njohur në mënyrë të organizuar në procesin e mësimdhënies ashtu siç janë të programuara edhe letërsia e historia jonë. Ky është një projekt që duhet bërë. Ky është një problem që ne e kemi, i cili edhe pse nuk provokon krizë, e mban krizën tonë kulturore dhe shpirtërore brenda në paditurinë tonë kombëtare”.

Projektet e ardhshme

Edhe pse një punë që i ka marrë rreth 30 vite, studiuesi Ndriçim Kulla, shpreson që ky libër të mos jetë “vepra e jetës së tij”. “Kam vite që po mendoj dhe punoj për realizimin e një libri me një titull të tillë të përafërt “Cilët jemi ne shqiptarët”. Një vështrim historik, psikologjik dhe sociologjik mbi kombin tonë. Gjithashtu, albanologu i madh me famë qartësisht ndërkombëtare, jezuiti At Giuseppe Zef Valentini ka ende shume vepra tepër të rëndësishme për t’i botuar. Dhe sigurisht që këto vepra, mbi 37, përveç përkthimit dhe punës së tyre tekstologjike aktualisht do kenë edhe një vështirësi tjetër të shtuar, ku institucionet aktuale, sidomos Ministria e Kulturës, e kanë hequr fare vëmendjen nga mbështetja e detyrueshme ndaj kësaj literature, dhe janë përqendruar te djathi dhe hanet, por sidoqoftë unë kam besim, sepse këto politika të gabuara të ministres Kumbaro, Kryeministri Edi Rama do t’i rivlerësojë dhe do kthehet për të ndihmuar në mënyrë institucionale që të bëhet e mundur dhe pushtohet edhe ‘kështjella’ e veprave e tjera të këtij promovuesi të pashembullt të kulturës dhe historisë shqiptare në Europë”, thotë studiuesi Ndriçim kulla, teksa shton se është duke punuar për monografinë e plotë të patriotit Hasan Prishtina dhe librin në formë albumi “Gjeografia e veprës” të shkrimtarit Ismail Kadare”, ku një pjesë të rëndësishme të tij vjen në formë studimi.


ALMA MILE/panorama

Muzikologu Ferid Bala, promovon monografinë, “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”

Gaspër Marku
Muzikologu shkodran, Ferid Bala, promovon monografinë, “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”

Pasi ka lënë një karrierë shumë të pasur artistike, muzikologu dhe studiuesi i njohur shkodran, Ferid N. Bala, ka ardhur përpara lexuesve shkodranë e më gjërë me një libër kushtuar këngës dhe këngëtarëve shkodranë.
Promovimin e këtij libri, i cili vjen në formën e një monografie, e ka marrë përsipër Konsullata Austriake e Nderit në Shkodër, e cila përmes Konsullit të saj, Gjergj Leqejza, ka kontribuar funanciarisht në botimin e tij.
Në aktivitetin e organizuar në sallen e leksioneve të Rektoratit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në promovimin e botimit të kësaj vepre të rëndësishme, ku prezantohet historia e muzikes, dhe sidomos “zaneve” të Shkodrës që fatmirësisht ishin me shumicë, krahas përfaqësuesve të fushës së muzikes, merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe të Mjedisit, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Thomas Schnöll, drejtues të qeverisjes vendore, miq dhe dashamirës të vetë autorit, etj.
I monitoruar nga kompozitori, Gjon Shllaku, ish nxënës i profesor Ferid Bales, sot, kryetar i shoqatës artistike Kombëtare” Prenkë Jakova, i cili ishte edhe i pari që mori fjalën në këtë promovim, për jeten dhe karrieren e pasur artistike të profesor bales kanë folur me radhë, kompozitori dhe studiuesi i muzikës Zhani Ciko, Frano Kulli administrator i Entit Botues “Gjergj Fishta” që ka nxjerrë në treg librin në fjalë, studiues gjakovar, Behar Arllati, Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, z. Thomas Schnöll, Zv.ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Nora Malaj, Zv.ministri i Kulturës, Zef Çuni, etj.
Muzikologu shkodran, Ferid Bala, promovon monografinë, “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”,

Referuesit në fjalë e cilësuan punën dhe vepren e muzikantit dhe studiuesit Bala, si një vlerë të çmuar, në lëmin e këngës popullore shkodrane, jo vetem për Shkodrën, por edhe gjërë në shkallë kombëtare, përfshirë edhe ato të trevave shqiptare jashtë vendit.
Sipas tyre, kjo veper, një monografi enciklopedike e këngës dhe këngëtarëve shkodranë, harku kohor i së cilës rrok tre shekuj krijimtari dhe interpretim muzikor, evidenton këngë dhe këngëtarë, të cilët për nga kualiteti dhe mjeshtria ndjekin vërsnikët e tyre në vendet përreth e në Europë.
Risjellja në kujtesen tonë e këtij thesari të trashëgimisë kulturore shqiptare, sidomos për gjeneratat që vijnë, është shërbimi më i mrekullueshëm që i bëhet identitetit tonë kombëtar.
“Në këtë studim jam munduar të sjëll në vemendjen e lexuesit figurat më legjendare të së kaluarës, por edhe të ditëve tona. Figura të tilla artistike, si profesor Ramadan Sokoli, Marije Kraja, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, etj, që kontribuan dhe punuan për zhvillimin, përhapjen, përpunimin, harmonizimin dhe orkestracionin e këtyre këngëve, si edhe shumë e shumë të tjera që në Shkodër nuk mungojnë të jenë të tillë, janë personazhe të këtij libri monografik të historisë së këngës dhe këngëtarëve shkodranë”, tha studiusi, Bala.
Më tej, ai shtoi se, në vështrimin e tij shkencor, librin e ka konsideruar ai një enciklopedi të vogël monografike të zhvillimit të artit interpretativ vokal në tre kategori vokale këngëtarësh, popullore të mirëfilltë, lirike dhe të këngëtarëve të muzikës së lehte.
“Këngëtarët popullor kanë kontributin e madh që e interpretuan dhe e ruajtën me besnikëri atë në shekuj deri në ditët tona, ndërsa këgëtarët lirik, me kulturen e tyre muzikore dhe vokale, duke filluar që nga Artistja e Popullit, Marije Kraja, e më tej, dhanë kontributin e tyre të madh, që jo vetem e ruajten, por edhe e prpunuan në stilin e tyre duke e nxjerrë atë nga dhomat e ndryme të shtëpive shkodrane në skenen e amdhe dhe të gjërë të artit kontemporan skenik e duke i dhënë asaj vlera të reja volake, përpunuese dhe interpretuese. Këngëtarët e muzikës së lehtë, e pasuruan atë duke e afruar ritmikisht më afër kërkesave të kohëve moderne, duke i dhënë asaj freski e ngjyra më të ndezuara harmonike, ritmike dhe përpunuese të kohës.”, tha ndër të tjera, studiuesi i njohur i muzikës, Ferid Bala. /atsh

“Shansi gjerman dhe shqiptarët”


Gazetarja Mimoza Cika Kelmendi prezanton në Tiranë përmbledhjen me mbi 40 intervista me protagonistë të politikës në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Prishtinë në raportet me Bonin dhe me protagonistë të diplomacisë evropiane
 Prej 23 vitesh jeton në Gjermani, ndërkohë që 21 prej tyre i ka kaluar duke kontribuar për “Deutsche Welle”-n. Mimoza Cika Kelmendi, e emocionuar duke prezantuar librin e saj në Tiranë, në shoqërinë e kolegëve gazetarë, politikanëve, studiuesve, shkrimtarëve, botuesve dhe studentëve thotë: “Ndihem mirë që kam shlyer një borxh për Shqipërinë”, por edhe nuk e fsheh mirënjohjen për qëndrimin në Gjermani: “Ku mësova standardet e profesionit dhe u kultivova si një qytetare evropiane”. Libri i saj më i fundit “Shansi gjerman dhe shqiptarët” është një përmbledhje e intervistave më të mira që ajo ka zhvilluar për mikrofonin e “DW”-së, ku të ftuar të saj kanë qenë personalitete prominente nga Shqipëria dhe rajoni, por dhe nga kancelaritë evropiane.



Libër me vlerë referenciale për komunitetin e gazetarëve
Ky botim ka një vlerë të dyfishtë për lexuesin shqipfolës, thotë për “DW” Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, bashkorganizator i ceremonisë së prezantimit të librit. “Një vlerë e shtuar e bibliografisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dinamikës politike. Por nga ana tjetër duke pasur përmbajtje vetëm në një zhanër, në intervistë, mendoj se ky botim ka vlerë referenciale për komunitetin tonë, veçanërisht për gazetarët më të rinj”.
Zëvendësdrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, përmendi fluksin e temave dhe këndvështrimeve që trajtohen në libër, një larmi që e bën interesant dhe të dobishëm për lexuesin e gjerë. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, Bashkim Zeneli, kujtoi bashkëpunimin me autoren e librit që nga koha kur kanë punuar në Televizionin Shqiptar, si dhe vijimin e këtij bashkëpunimi në kohën kur Mimoza Cika Kelmendi ka punuar për redaksinë shqipe të “Deutsche Welle”-s.
“Dua të veçoj periudhën e Luftës së Kosovës, kontributin e jashtëzakonshëm të Mimozës dhe përkushtimin profesional në mbulimin e zhvillimeve shumë të vrullshme. Libri që kemi sot në duar evokon dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Gjithmonë kam menduar se Gjermania e ka mbështetur në mënyrë sistematike Shqipërinë, por në këtë partneritet të saj, ajo nuk na ka ‘llastuar’, ose ‘përkëdhelur’, siç mund të ketë bërë ndonjë partner tjetër. Miqtë gjermanë gjithmonë na kanë thënë në sy dhe të vërteta, na kanë kritikuar dhe sugjeruar për probleme të ndryshme të tranzicionit. Dhe kjo duhet vlerësuar në këtë bashkëpunim që mes nesh.”
Botuesi i librit, Naim Zoto, u shpreh se ky është bashkëpunimi i tretë me autoren. “Më herët kemi bashkëpunuar për librin “Kadare ndryshe” në vitin 2009, një botim që është rishtypur sërish këtë vit, si dhe për librin “Kosova si çështje evropiane” që ka dale në qarkullim para dy viteve. Më pëlqen vullneti dhe ambicia që shfaq për cilësi në punimet e saj”.
Gjatë ceremonisë promovuese të librit të ri “Shansi gjerman dhe shqiptarët” në mënyrë të pashmangshme diskutimi përfshiu dhe rolin e ndikimin në audiencën shqipfolëse të “Deutsche Welle”-s, mbulimit profesional të zhvillimeve nga Shqipëria, rajoni, Gjermania dhe bota, si dhe mbështetjen që është dhënë për kualifikimin e stafeve të mediave lokale. Siç dhe e ka cilësuar shkrimtari i madh Ismail Kadare, “Deutsche Welle” për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ka shërbyer dhe shërben si një media që sjell standardet e një vendi të zhvilluar demokratik, siç është Gjermania. “DW” ka dhënë një kontribut të madh në vetëdijesimin e qytetarëve për demokraci. Ajo mbetet për shqiptarët zëri i së vërtetës dhe zëri i së ardhmes së tyre në familjen e madhe evropiane”.

RESHIDA ÇOBA: NGA KALIFORNIA, PËRURON LIBRIN E PARË NË ATDHE…

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


1.
Tashmë është e   ditur, sidomos për autorët e krijimeve letrare, në poezi dhe në prozë, se prurimi i librit të parë mbetet një ndër ngjarjet më të shënuara e më të bukura të jetës. Këtë ndiesi përjetoi edhe poetja Reshida Çoba, korçare dhe me banim në Los Angeles të Kalifornisë (SHBA). Atë nuk e pengoi largësia e madhe nga vendlindja, që t’i tubonte krijimet e zgjdheura poetike të saj dhe t’i bënte gati për një libër. Pak kohë më parë, ajo erdhi në Tiranë e u paraqit në Shtëpinë Botuese “Dudaj”, me të cilën nisi procedurën e lvëllimit poetik, me titullin domethënës,  “Unë, gruaja R”. Meqenëse kishte disa ditë që ishte “zhdukur”,  i dërgova një mesazh. Ajo m’u përgigj menjëherë dhe me këto fjalë të sinqerta:” Pëshëndetje, z.Murat! E di që kam “humbur”, por kam qenë plot nxitime…Më shumë kam ndenjur në Korçë e Tushemisht. Sot ka qenë dita, kur e dorëzova librin për botim,  në shtypshkronjë. Kështu, më duket se jam njeri tjetër, pa atë stres, netët pa gjumë! Pra, tani mund të takohemi për një kafe…Tiranë, 21 maj 2014”.
Nuk do të flas gjatë për takimin dhe bisedën tonë, që sigurisht ishin prapë për librine saj të parë, por dhe për disa libra të mi, që ia dhurova Reshides, me nënshkrim. Ndërsa dëshiroj të tregoj se këto ditë ajo më dërgoi, po përmes Internetit, njoftimin e gëzueshëm se vëllimi i saj me poezi kishte dalë nga shtypi. Ai do të përurohej më datën 12 qershor 2014, në librarinë “Tirana Times” (jo larg nga shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” e kryeqytetit).
Në vendin dhe orën e caktuar, siç dëshirojnë të shprehen disa, u ndodha në mjediset e asaj librarie, e cila gjallonte nga të ftuarit, muzika etj. Kam marrë pjesë në shumë ngjarje të tilla dhe në vende të ndryshme. Por ishte hera e parë që shkoja në një përurim, i cili organizohej pranë ndonjë librarie. Sigurisht, kjo kishte kureshtjen time, ndoshta dhe të kolegëve  e miqëve tjerë pjesëmarrës, që ishin ftuar nga autorja dhe ta ndante gëzimin, bashkë me ta.
Ballina e parë e librit të ri…

2.
Pasi zumë vendet në sallën e bukur të librarisë, që përmenda më lart, fjalën e mori Arlinda Dudaj. Ajo nënvizoi se është ngjarje e veçantë për shtëpinë e tyre botuese, që paraqesin para poetëve, shkrimtarëve e artistëve dhe familjarëve të poetes Reshida Çoba, vëllimin e parë poetik të saj. Më tej, për përmbajtjen dhe veçoritë kryesore të 50 poezive dhe vargjeve hajku, në 33 faqe, foli më imtësisht redaktori, prof. Nasho Jorgaqi. Ndër të tjera, ai tha se është mjaft pozitive që prurjet në letërsinë e sotme, nga bota e madhe femërore, po shtohen dita-ditës, si me numrin dhe cilësinë e krijmtarisë. Ndërmjet tyre, vjen tani edhe Reshida, e cila dallohet për individualitetin krijues, me zë të veçantë e original etj. Në këtë linjë foli edhe poeti Petrit Ruka, i cili e ka shkruar hyrjen e këtij libri të ri. Aty, janë edhe këto radhë: “Vetëm sinqeritete të tilla, kaq shkundëlluese në vargjet e një gruaje, mund të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike…Në librin e saj të parë ka më shumë se ç’duhet prova për ta brohoritur, pa pikë droje dhe për t’i thënë:-Mirë se erdhe, Reshida, në këtë mundim të bukur shpirti për të kënduar!”
Me interes u ndoqën nga të paranishmit mendimet e paraqitura para tyre nga prof.dr. Klara Kodra, krijuesit e njohur Kozeta Zavalani e Agim Bajrami, artistja Aurela Gaçe etj.
Në fund të këtij takimi, që u shoqëruan me recitime të poezive të kësaj autoreje, si nga Agim Xheka etj., me filmime dhe me tingujt melodiozë të një violine, mjaft e emocionuar, e nderuar dhe e vlerësuar, si nga folësit e gjithë pjesëmarrësit, Reshida Çoba i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata. Veçanërisht, shprehu mirënjohjen për dy vajzat e saj, Edën e Valbonën, të cilat tashmë janë të rritura dhe ua ka kushtuar këtë  libër. Pastaj, në koktejin e përbashkët, përveç bisedave të këndshme e fotografimeve me ta, ajo ua dhuroi të ftuarëve, me nënshkrim, librin e saj.
Sigurisht, ky shkrim mund të shoqërohej edhe me një koment më të zgjeruar rreth përmbajtjes dhe vlerave kryesore të librit të poetes Reshida Çoba, “Unë, gruaja R.”, gjë që ia vlen dhe mund të bëhet, në një rast tjetër. Sidoqoftë, atë e përshëndesim, e përgëzojmë dhe i urojmë çdo të mirë në jetë e udhë të mbarë në krijimtarinë poetike, burim i shpirtit të saj të butë dhe dashamirës.

Tiranë, 12 qershor 2014









Luan Starova: Letërsia më ktheu në vendlindje

Gjatë promovimit të kolanës letrare të Luan Starovës

Atë çka njeriu nuk mund ta zhbëjë dot, me gjasë që mund ta bëjë arti! Me këtë filozofi e stil të të jetuarit, shkrimtari që është larguar vetëm tre vjeç nga Shqipëria, ritakohet me kolegët dhe të afërmit e tij pikërisht përmes letërsisë. Luan Starova promovoi pasditen e djeshme në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës, kolanën e botimeve të tij, dhe i ka quajtur “Saga Ballkanike”, e në të cilën përfshihen katër nga veprat më të zëshme të autorit si: “Librat e babait”, “Koha e dhive”, “Kurbani Ballkanik”, “Kështjella prej hiri” etj. Edhe pse tashmë Starova është vazhdimisht i pranishëm në Shqipëri, takimi i djeshëm dukej sikur ishte i pari me vendlindjen. Në fjalën e mbajtur, akademiku Starova nuk i fshehu emocionet mbi faktin që ritakimi i djeshëm kulturor ishte edhe një ribashkim me fisin dhe të afërmit e tij, me të cilit ishte shkëputur herët, qysh në vitin 1943, për shkak të pabesive të atij regjimi. Ndaj, thuajse 60 vitet e jetës në Maqedoni e gjetkë e kanë ndihmuar të vërë në udhë të mbarë çështjen e krijimtarisë letrare. “Ekzili im dhe familjes nuk është demonstruar në vuajtje fizike, por gjurmët i ka lënë, natyrisht.

Luan Starova

Ndaj, me bindje them se vetëm fenomeni i letërsisë më mundësoi këtë ritakim mes dy degëve të fisit tim. Nuk kanë qenë vite të lehta, por përfshirja në procesin e të shkruarit ka qenë konfirmim i identitetit dhe përpjekje për të ruajtur doket dhe zakonet e familjes”, u shpreh kështu autori Starova. Ndërkohë që moderatori i promovimit të djeshëm, botuesi dhe poeti Arjan Leka, tha në fjalën e tij të hapjes se: “Çdo rikthim në gjuhën amtare, si në një vendlindje për shkrimtarin, është një mbledhje e copëzave të një mozaiku, që ndofta edhe vetë shkrimtari nuk i zotëron dot, se si vijnë dhe krijojnë atë skemë të jetës, e cila përfundoi si një dhuratë e bukur, për ta pasur edhe fizikisht një shkrimtar të këtij kalibri europian, i cili na bën nder me praninë e tij mes nesh. Një sagë që në fund tregon historinë e familjes, për të përfunduar në një simbol të etnisë, kombit e më pas të rajonit”. Mbyllja e promovimit i takoi ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila refuzoi të lexonte recensën e përgatitur për “Sagën Ballkanike”, sidomos pas ligjërimeve studimore të historianit Shaban Sinani e botuesit Fatmir Sulejmani, profesor në Universitetin e Tetovës dhe njohës i mirë i veprave të autorit Starova. Ndër të tjera, ministrja veçoi faktin se si mundet kultura të jetë një terren fantastik, ku humbet sensi i kufijve, r jo vetëm ata administrativë që ndajnë vendet, pasi ata janë të përkohshëm. “Mendoj që kufijtë i kemi brenda vetes dhe ditën që ato i zhbëjmë, kemi bërë diçka të madhe dhe Luani ka ditur ta bëjë këtë. Ndaj, autori, duke qenë prova e gjallë e këtij transformimi, na jep një produkt sa letrar aq edhe intelektual”, përfundoi Kumbaro. Të pranishëm në promovimin e mbrëmshëm të “Sagës Ballkanike” ishin gjithashtu Besnik Mustafaj, Visar Zhiti, Meri Lalaj, kryetari i Akademisë së Shkencave, etj.

E. Isufaj /panorama

Një libër me përralla nga Çamëria

Nga Enver Kushi

Kujtesa çame, nga më të çuditshmet dhe befasueset në tërësinë e kujtesës shqiptare dhe si pjesë e saj, e zhvendosur nga shtrati i Epirit, na mrekullon me larminë, ngjyrat, bukurinë e fjalës, lirizmin, dramacitetin e skajshëm…. Ajo vazhdon ende të gjallojë, duke na sjellë nëpërmjet këngës, valles, rrëfimit, ritit, mitit, një botë sa të largët, aq edhe të afërt që quhet Çamëri… Atë na e kanë sjellë dhe risjellë me një larmi të habitshme brezi që la “si ëndërr”, tokën e të parëve. Gjyshet dhe gjyshërit tanë, nënat dhe baballarët, krahas imazheve të tmerrshme të krimeve të bandave zerviste apo imazheve e detit dhe qiellit, fushave pjellore, kodrave me ullinj, shtëpi në flakë, morën mbi supet e tyre, si ca baule të mëdha, me një peshë të veçantë, siç ishin këngët, vallet, mitet përrallat…. Ato u bënë pjesë e mbijetesës dhe urë lidhëse me Çamërinë. Ato vinin dhe iknin në truallin e Çamërisë, shfaqeshin dhe rishfaqeshin në ditët dhe netët e mallit të madh, tregoheshin dhe ritregoheshin papushim, duke u bërë shtrat i një mbijetese mitike, të veçantë dhe të rrallë në llojin e vet…
Hekuran Halili në librin “Përrallat e Nazusë”, kujtesën na e sjell nëpërmjet një prej llojeve më të vjetra të rrëfimit: përrallës. Një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, nobelisti latino-amerikan Markez në një nga intervistat e tij, flet për “kodin letrar”, për çelësin magjik të shkrimtarit, që lidhet me mënyrën e rrëfimit, strukturën dhe stilin e të shkruarit.
Populli, me mençurinë, nuhatjen dhe pse jo, edhe gjenialitetin e tij, veçanërisht në përralla, ka gjetur” kodin letrar”, ose thënë ndryshe kodin e perceptimit të realitetit dhe atë të rrëfyerit.
Është ky kod që e bën rrëfimin në përralla të veçantë apo që i lëviz personazhet në një realitet sa real, aq dhe ireal, që krijon situata të jashtëzakonshme dhe nga më befasueset. Është ky kod që e mban dëgjuesin (nëse përrallën e dëgjon), të mbërthyer sy e vesh e që ndjek situata nga më të çuditshmet, ku irealja të duket e besueshme dhe personazhet lëvizin në ca realitete sa të ngjashme, aq dhe të pangjashme me realitetin tonë dhe ku koha është tjetër kohë ose një realitet në kohë pa kohë.
I tillë është dhe “kodi letrar”(nëse i referohemi Markesit) i përrallave të rrëfyera nga Nazuja.
Nazuja është nëna e Hekuran Halilit. Ajo ja ka treguar ose më saktë ja ka rrëfyer përrallat të birit. Në ç’moshë ka qenë autori i këtij libri kur ka dëgjuar përrallat?
Cilat janë motrrëfimet, stinërrëfimet apo netërrëfimet e nënë Nazusë? Në ç’mjedis janë rrëfyer këto përralla?
Janë pyetje që më lindën papritur, teksa mbylla faqen e fundit të këtij libri, nga më interesantët në korpusin e botimeve për historinë dhe kulturën çame. Dhe po të rikthehemi përgjigjes së gatshme të pyetjes së parë, se Nazuja është nëna e autorit të librit e se ajo është rrëfyesja e përrallave të përmbledhura në këtë libër, unë do të shtoja se nuk është vetëm ajo. Sepse para Nazuzë, do të gjenim një tjetër emër e para këtij emri një tjetër…. E kështu do të zhyteshim në thellësi të shekujve, ndoshta në epokat e fillesave të miteve dhe kur hapësirave të Thesprotisë, do të shfaqeshin ndoshta hijet e Homerit ose ndoshta vetë Homeri i verbër, duke mbledhur rrëfime për hirin e Trojës, klithmat e Hekubës dhe fatet e trojanëve të mbetur gjallë nga llahtara që kishin parë sytë e tyre… Dhe po të shprehemi figurativisht, rrugëtim i përrallave, për të arritur te ato të Nazusë, është i gjatë, shumëi gjatë. Ato kanë kaluar nga goja në gojë , nga brezi në brez, nga stina në stinë për të sjellë në kohërat moderne të globalizmit dhe mjedisin shqiptar të shekullit XXI, një realitet arkaik magjepsës dhe herë- herë shumë më të çuditshëm, sesa shpejtësitë e kohës sonë dhe mundësitë që jep ajo për komunikimin njerëzor. Lexoni me vëmendje “Përrallat e Nazusë” dhe do të ndjeni e prekni një kohë ndryshe.
Në këto përralla edhe dita, edhe nata, edhe stinët, edhe dielli, hëna, yjet, lumenjtë, detet, lindja dhe vdekja e njeriut apo ringjallja e tij, e mira dhe e keqja, lëvizin në ca hapësira të çuditshme. Mendoj se e veçanta e këtyre përrallave që vinë nga Çamëria, është shtrati arkaik shumë i lashtë i tyre, që lidhet me një nga zonat më të begata në fushën e mitologjisë (dhe jo vetëm) siç është Thesprotia ose Çamëria e sotme. Thesprotia është trualli i begatë i një qytetërimi të lashtë dhe vendi i monumenteve të rralla, siç është Dodona. Në hapësirat e saj rrjedhin dy lumenj mitikë: Thiami(Kalamai i sotëm) dhe Aheroni. Atje kanë lindur disa figura rrezatuese të njerëzimit, si Olimpia (nëna e Aleksandrit të Madh apo Pirro i Epirit. Nuk është aspak e rastit që studiuesit, që janë marrë me kulturën çame, kanë vënë re se ajo trashëgon ca shtresëzime arkaike, që shkojnë përtej kohërave të quajtura pellazgjike… Në “përrallat e Nazusë’ ndjehen dhe herë – herë janë të prekshme këto shtresëzime, si ca ndriçime të befta dhe të largëta, që sjellin jehonat e mijëvjeçarëve…
Nga ana tjetër, veçanësia e këtyre përrallave, lidhet edhe me realitetin konkret, ku vendosen ngjarjet dhe lëvizin personazhet. Janë ca hapësira etno-kulturore dhe gjeografike të njohura, siç është treva e Konispolit dhe rrethinave të saj dhe e Çamërisë në tërësi. Kjo konkretësi, si dhe gërshetimi i saj me hapësira ireale u japin këtyre rrëfimeve jo vetëm një ngjyrim të veçantë, por edhe vlera origjinale të spikatura.
Mendoj se një nga vlerat e “Përrallave të Nazusë” dhe çelësi i suksesit të librit të Hekuran Halilit, është mënyra e të rrëfyerit, ku ndihet dhe është e prekshme eleganca në të. Mendoj që kjo lidhet pazgjithmërisht  me elegancën e të rrëfyerit në Çamëri, si dhe me të folurën e Çamërisë. Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri e quan “gluhë perëndie” të folurën e Çamërisë.
Do të duhej ndoshta një studim i veçantë p.sh. për elegancën e të rrëfyerit në këtë libër, sintaksën, bukurinë apo butësinë e fjalës, aromën e dialektit çam, fjalorin e veçantë apo ngarkesën emocionale që ka fjala në këto rrëfime.
Libri “Përrallat e Nazusë” i Hekuran Halilit plotëson edhe një boshllëk që ndihet në botimet shqiptare për Çamërinë dhe pasurinë e rrallë të saj dhe në fushën e prozës popullore.
Sa ishte gjallë Fatos M. Rrapaj, nuk arriti të botonte mbi 1000 faqe me përralla nga Çamëria.
Mungon një botim i veçantë me përralla nga krahina e Çamërisë, ku mund të përfshiheshin 15 përrallat e botuara në vëllimin e gjashtë të kolanës “Trashëgimia kulturore i popullit Shqiptar “ (Seria I) “Proza popullore” (vëllimi VI, Tiranë 1988), të treguara nga çame me origjinë nga Arpica, Grikohori, Konispoli, Spatari, Margëlliçi, Filati.
Gjithashtu pak të njohura janë përrallat e mbledhura nga albanologu i shquar danez Pedersen dhe të botuara në veprën “Albanesische Tekste mit glossar” 1885 (Lepzig).
Sipas të dhënave që jep autori, materiali është mbledhur më 1883 në Korfuz dhe Shqipëri. Në librin e Pedersenit janë përfshirë 12 përralla, 18 gjëegjëza, 12 këngë dashurie, një këngë historike dhe disa besime popullore. Përrallat janë dëgjuar prej një fshatari nga katundi Mursi i Konispolit. Gjuha e tyre është e dialektit të Çamërisë. Është me interes, që materiali folklorik i Holger Perdersenit, është botuar edhe në Gjermani në veprën “Zur Albansische Volkskunde”, Copenhague 1898 dhe disa përralla në anglisht, në veprën “Triscks of Ëomen and other Albanian Tekxts” Nju Jork 1928.
… Në një nga dorëshkrimet e Pedersenit, që gjenden në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit (Danimarkë), gjendet e shkruar me dorën e tij, në një fletë më vete, edhe kjo thënie e mbledhur në Çamëri:
O shokë, aman, aman,
Arritëm këtë zeman
Si e gjem, ashtu e lam….
Libri më i ri i Hekuran Halilit “Përrallat e Nazusë” risjell një nga kujtesat më befasuese të Çamërisë, atë që vjen nëpërmjet prozës popullore, përrallës. Lexoni me vëmendje këto përralla dhe Nazuja do t’u çojë në kohërat dhe hapësirat mitike të Çamërisë, në ca “zemane” që një ditë do t’i gjejmë, siç i kemi lënë po të perifrazonim albanologun e madh Pedersen.

“Fjalor i Fotografisë” – Një fjalor drite

Nga Astrit Lulushi

Jo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, një aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografisë, shqipes i duhej.
Ky Fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografisë shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj; me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”. Synimi e fjalorit. i çdo fjalori, është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse; kalon nëpër një udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik; dhe nëse lexohet faqe –pas-faqe mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend; “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi në shqip.
“Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin , bëhet brenda natës, i ri a student.
Fjalori (176 fq) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera dixhitale për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.
Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është here-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur, tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Evropë e Shqipëri.
Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet më parë nga Kongresi i Manastirit; historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është thuajse e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster. Në vitin 1806, Noa botoi një Fjalor të përmbledhur të gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje, dhe vazhdon të botohet me të njëjtin emër, Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes, të njëjtin fat urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit.

Albania Veneta, një vështrim italian për historinë shqiptare


“Albania veneta” libri me studime nga B. Crevato – Selvaggi, J. J. Martinoviq, D. Sferra, C. Schiavo, P. Xhufi mbyll të enjten letrare të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Libri, kuruar nga Marco Polo System, përshkon historinë e Shqipërisë Venedikase, shprehje që i referohet kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku katër shekujt e pushtimit të Serisimas Republikës së San Markos kanë lënë një trashëgimi të pasur historike, shpirtërore dhe kulturore. Është epërsia, fillimisht, e territoreve të Shqipërisë së Veriut që bëhen pjesë e Republikës së Venedikut (Durrës 1392, Shkodër në 1405) për t’i dhënë emrin “Albania veneta” në qytete, porte dhe pjesë territoresh që në fakt, pas 1501, rënies së Durrësit në duart e turqve, janë, sot, të gjitha, pjesë e Malit të Zi. Të vendosura në kufijtë jugorë të sundimit venecian në Adriatik dhe në kontrast me turqit, shumë nga këto qytete do të mbeteshin veneciane deri në rënien e Republikës së San Markos në 1797, duke ndarë ekonominë dhe aktivitetet e lidhura me detin dhe tregtinë, duke u bërë madje një “enklavë” në tokën turke, kur më 1699, Republika e Raguzës, me territoret e saj kufizuese, do t’u lejonte osmanëve një dalje të vogël në det pranë Sutorinës, vetëm për të krijuar një mburojë mes territoreve të saj dhe atyre të venedikasve në jug. Të premten, libri do të prezantohet edhe në Shkodër, ku do të shoqërohet me përurimin e një ekspozite me të njëjtën temë në pedonalen e qytetit.

Romani “Kryqi i harresës” i Flutura Açka përkthehet në gjuhën holandeze


Këto ditë në Holandë doli në qarkullim në gjuhën holandeze romani i dytë i shkrimtares Flutura Açka, “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), i botuar në shqip në vitin 2004, dhe i përkthyer nga shqipja në holandisht nga përkthyesi Roel Schuyt, i cili ka përkthyer nga  gjuha shqipe në holandisht edhe vepra dhe pjesë nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë si: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiu, Helena Kadare, Eqrem Basha e Ardian Klosi.
Pak ditë pas botimit të “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), njëra prej dy gazetave më të rëndësishme holandeze, “De Volkskrant”, në suplementin e saj letrar të datës 31 maj 2014, boton një vështrim kritik mbi këtë roman të njërit prej kritikëve më me zë, që drejtojnë sot opinionin letrar në Holandë , ku e vlerëson me nota të larta romanin e autores shqiptare.
Në shkallën e saj të klasifikimit, gazeta në fjalë e vlerëson veprën e Flutura Açkës me katër yje nga pesë të mundshmet në klasifikim.
Për shkak të një fluturimi ajror të mbyllur, një shkrimtare e re gjendet në mes të një historie tronditëse që ngjet mes Shqipërisë dhe Holandës. Rikthimi i një gjaku gjashtëdhjetëvjeçar, një fëmijë dëshmitar dhe peng i tij, një djalë i ri me dilemat e emigrimit, një dashuri e fuqishme, por e dyzuar, një tjetër burrë fatkeq nën hije paranojash, një e huaj në udhëkryqet shqiptare, një familje, një qytet e më gjerë në “grackën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si njerëz me fatin e varur te befasia – plazmojnë bashkë jetën në një libër të vetëm.
Fatalitet, rikthimi përmbysës i së shkuarës, kërcënimi nga barbaria, shpresë diabolike, marrëzi dashurore, seks, udhëtime të prera, besë, mosbesim, gjak që përzjen personazhe të tërë, dy botë që përplasen herë pa u pajtuar, herë duke u tretur në një. Autorja sjell në këtë roman një kryq harrese, me qëllimin për të trokitur dhe zgjuar kujtesën kolektive shqiptare.

Botohet në Spanjë “Ëndrra e Damokleut” e Fatos Kongolit


Është botuar në Spanjë romani “Ëndrra e Damokleut” i shkrimtarit Fatos Kongolit. Libri, i përkthyer nga Maria Roces, mban siglën e Shtëpisë Botuese “Siruela” në Madrid. Ky është romani i pestë i Kongolit që botohet në Spanjë, nga e njëjta shtëpi botuese “Siruela”, pas librave “Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh, “Bolero në vilën e pleqve” dhe “I humburi”, me jehonë në shtypin spanjoll si në gazetat “El Pays”, “El Publiko” etj. Botimi në Spanjë i romanit “Ëndrra e Damokleut”, fitues i çmimit “Balkanika 2002”, vjen pas botimeve te tij ne gjuhët frëngjisht, italisht, greqisht dhe bullgarisht.