Ndriçim Kulla, enciklopedi për mendimin shqiptar në 150 vjet




Studiuesi dhe botuesi Ndriçim Kulla

Doli në qarkullim nga “Plejad”, vepra voluminoze

Një punë 30-vjeçare e studiuesit Ndriçim Kulla, i cili hulumton nga viti 1807 në 1957.

Në një vend diktatorial, ku edhe liria e të lexuarit ishte e cunguar, Ndriçim Kulla e gjeti diku udhën e tij të lirisë, që do ta çonte deri në kurorëzimin e një vepre voluminoze nën titullin “Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807-1957”.
Një vepër që do t’i hynte në punë çdo shqiptari, për të njohur më mirë vetveten dhe patriarkët e mendimit shqiptar. Në këtë vepër Kulla ofron një panoramë të plotë të këtij mendimi, duke u futur thellë në kohë, qysh në vitin 1807 me esenë e studiuesit dhe juristit, Engjëll Mashi, e duke e sjellë deri në vitin 1957, ku edhe pse nën diktaturë, mendimi shqiptar arriti të mbijetonte me vështirësi. “Rreth 10-vjeçarit të viteve ’80, punoja në minierën e Valiasit në Tiranë dhe si shumë të rinj të tjerë të cilët ishin kuriozë të zbulonin atë botë të panjohur të letërsisë dhe mendimit të ndaluar për arsye ideologjike, për të cilin kishte filluar të flitej nën zë, fillova të lexoja me ato mundësi që unë kisha literaturë, që për kohën figuronte ndaluar. Duke qenë një lexues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, fillova që ta shtrija kuriozitetin tim në leximin e disa gazetave të viteve ‘30 të shekullit të kaluar”, tregon autori i veprës, botuar nga shtëpia botuese “Plejad”. Pikërisht aty, në ato faqe të zverdhura nga koha, qëndronte dhe zbulimi. Një botë tërësisht e panjohur, e mbajtur fshehur, ku gëlonte debati, mendimi i lirë. U njoh me emra mendimtarësh, që askush nuk i përmendte më. Aty ishte Merxhani, Koça, Koliqi, Valentini, Zavalani, Pipa, Luzaj, Dema, e shumë e shumë të tjerë. “Ishte po ky pasion, e ndoshta ndjeshmëria se kishim të bënim me shumë vepra që duhej të dilnin në dritë, që në tërësinë e vet shumëvëllimshme përbënin një kryevepër, ajo që më dha forcë të kapërceja dhe barriera të natyrës së mosnjohjes nga institucionet, por edhe me refuzime tendecioze, këmbëngulëse dhe shumë penguese. Kam përjetuar momente të vështira në përpjekjet e mia për ta nxjerrë nga arkivat këtë mendim me autorë të ndryshëm, por edhe nëpërmjet librave antologjikë, ku skeptikët, ziliqarët, por edhe nënçmuesit e vlerave shqiptare nuk hezituan të më rezervonin në mënyra konspirative etiketime si një njeri që dëshiron të krijojë legjenda”, tregon Ndriçim Kulla mbi rrugëtimin e librit të tij, rezultat i një aventure gati 30-vjeçare.  
Pse na duhet

Ernest Koliqi, Krist Maloki dhe Martin Camaj

Ndërsa në Shqipëri flitet ende për çështjen e identitetit të shqiptarëve, duket se më shumë se kurrë është e nevojshme të njohësh ata të parët që hodhën idetë e vetëdijesimit të shqiptarëve. Kulla e ka nisur prej vitesh këtë mision, duke botuar kolana të tëra me vepra të mendimtarëve të tillë të rëndësishëm si Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Dom Ndoc Nikaj, Jorgji Meksi, Ambroz Malaska, Ismet Toto, Eqrem bej Vlora, Gjergj Fishta, Lazër Shantoja, Faik Konica, Fan Noli, Mustafa Kruja etj. Por vepra 3-vëllimshme e sapodalë në qarkullim, na jep një njohje më të gjerë rreth këtij procesi vetëdijesimi. “Ne vërtet nuk kemi pasur filozofë të mirëfilltë, siç kanë pasur popujt e tjerë më të mëdhenj, por shembulli tipik i Branko Merxhanit, Anton Harapit, Zef Valentinit, Mit’hat Frashërit, Mehdi Frashërit etj. tregon se ne e kemi përdorur filozofinë, psikologjinë dhe sociologjinë në mënyrë krijuese, duke krijuar mendimin tonë karakteristik në këto fusha. Mirëpo, dihet nga të gjithë se pasojat e tmerrshme të qëndrimit politik ndaj mendimit të lirë shqiptar kanë bërë që ky mendim të mos njihet nga brezat e sotëm. Ne nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqesin të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me konceptet dhe filozofinë tonë karakteristike kombëtare, me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para, kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike, ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptar, sytë i kishin drejt Europës dhe modeleve të përparuara të Perëndimit. Këtë është e rëndësishme ta dimë mirë të gjithë ne dhe pasardhësit tanë, sidomos në kushtet e integrimit europian dhe të globalizmit botëror”, thotë Kulla, i cili në pozitat e pedagogut, publicistit e prindit shton se është e pafalshme që studentët dhe nxënësit e shkollave nuk njohin thuajse asnjë prej këtyre mendimtarëve. Sipas tij, ata duhen përfshirë në mënyrë urgjente në kurrikulat shkollore. “Ne kemi trashëgiminë tonë mendore, e cila duhet të programohet me urgjencë për t’u njohur në mënyrë të organizuar në procesin e mësimdhënies ashtu siç janë të programuara edhe letërsia e historia jonë. Ky është një projekt që duhet bërë. Ky është një problem që ne e kemi, i cili edhe pse nuk provokon krizë, e mban krizën tonë kulturore dhe shpirtërore brenda në paditurinë tonë kombëtare”.

Projektet e ardhshme

Edhe pse një punë që i ka marrë rreth 30 vite, studiuesi Ndriçim Kulla, shpreson që ky libër të mos jetë “vepra e jetës së tij”. “Kam vite që po mendoj dhe punoj për realizimin e një libri me një titull të tillë të përafërt “Cilët jemi ne shqiptarët”. Një vështrim historik, psikologjik dhe sociologjik mbi kombin tonë. Gjithashtu, albanologu i madh me famë qartësisht ndërkombëtare, jezuiti At Giuseppe Zef Valentini ka ende shume vepra tepër të rëndësishme për t’i botuar. Dhe sigurisht që këto vepra, mbi 37, përveç përkthimit dhe punës së tyre tekstologjike aktualisht do kenë edhe një vështirësi tjetër të shtuar, ku institucionet aktuale, sidomos Ministria e Kulturës, e kanë hequr fare vëmendjen nga mbështetja e detyrueshme ndaj kësaj literature, dhe janë përqendruar te djathi dhe hanet, por sidoqoftë unë kam besim, sepse këto politika të gabuara të ministres Kumbaro, Kryeministri Edi Rama do t’i rivlerësojë dhe do kthehet për të ndihmuar në mënyrë institucionale që të bëhet e mundur dhe pushtohet edhe ‘kështjella’ e veprave e tjera të këtij promovuesi të pashembullt të kulturës dhe historisë shqiptare në Europë”, thotë studiuesi Ndriçim kulla, teksa shton se është duke punuar për monografinë e plotë të patriotit Hasan Prishtina dhe librin në formë albumi “Gjeografia e veprës” të shkrimtarit Ismail Kadare”, ku një pjesë të rëndësishme të tij vjen në formë studimi.


ALMA MILE/panorama