Showing posts with label Kultura. Show all posts
Showing posts with label Kultura. Show all posts

“Summer Fest” ndez Prishtinën


“Summer Fest”, spektakli më i madh veror, për herë të parë udhëtoi në Prishtinë. Nën prezantimin e Ledion Liços dhe Luana Vjollcës, interpretimet e jashtëzakonshme të rock grupit Troja, Adelina Ismajlit, Gent Bushpepës, Florent Abrashit, Ana Kabashit, humoristëve të trupës së “Portokalli”-së, balerinëve të trupës së “Top Channel” e artistëve të cirkut ndezën sheshin “Ibrahim Rugova” para qindra të rinjëve kosovarë. 

Summer Fest kulmoi me rikthimin në skenë të këngëtares së njohur prishtinase, Adelina Ismaili me interpretime të këngëve hit të saj si “Sajzeza” në bashkëpunim me Gent Bushpepën dhe këngën kushtuar Skënderbeut.

Për artistët pjesëmarrës, bashkimi i artistëve nga të gjitha trevat shqiptare, për c’ka edhe njihet “Summer Fest” jo vetëm është i rëndësishëm, por e plotëson imazhin kulturor mbarëshqiptar.

Bujar Berisha, grupi Troja: Bashkimin kombëtar që e përmendin kjo është rruga dhe mënyra me të cilën bëhet. Ka kohë që nuk jemi bashkë, jemi zhvilluar ndryshe dhe mendoj që kemi nevojë të komunikojmë me njëri-tjetrin dhe kultura është mjeti i duhur.

Gent Bushpepa, këngëtar: Nëse territoret dhe kufijtë janë hapur për fat të mirë, shpresojmë që edhe nga ana artistike rruga të jetë sa më e shkurtër dhe për artin.

Adelina Ismaili, këngëtare: Jam shumë e lumtur sonte sepse në një eveniment të tillë i Digitalb dhe Top Channel që mundëson bashkimin e shqiptarëve.

“Summer Fest” solli në Prishtinë për herë të parë edhe interpretime live me aktorë që publiku kosovar i ka parë çdo të dielë mbrëma nëpërmjet ekranit në Portokalli.

Romir Zalla, aktor Portokalli: Bashkëpunime të tilla janë jashtëzakonisht të nevojshme. E them me bindje duke patur parasysh profesionin tim në fushën e teatrit dhe kinematografisë

Erdid Asllani, aktor Portokalli: Padyshim që të tilla aktivitete kulturore na bëjnë më të bashkuar dhe mbajnë gjallë kulturën dhe traditën tonë.

Rezart Veleshnja, aktor Portokalli: Është hera e parë dhe publiku është pak i ndrojtur. Nëse do të ketë bashkëpunime të tjera edhe më të mira, pse të mos bëhen.

Bashkimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe vlerat artistike të “SummerFest” bënë që ky projekt të përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

“Padyshim që sa më shumë që të ketë aktivitete me vlera, aq më tepër në këtë kohë që është kohë pushimesh dhe njerëzit kanë nevojë që të kenë aktivitetet artistike. Me kalimin e kohës këto po shtohen dhe në vazhdimësi e shohim si një detyrë kryesore të punës tonë”, thotë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i Ministrit të Kulturës.

Pas Tiranës dhe Prishtinës, “Sumer Fest” me autore Ledia Likun do të udhëtojë në Strugë, Vlorë,  Sarandë për ta përmbyllur këtë edicion në qytetin e Durrësit.

“Summer Fest” mundësohet nga Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha, me mbështetje mediatike të “Top Channel”, “Digitalb” dhe “Top Albania Radio”. / Top Channel



Davidi, gjeniu i ikonografisë shqiptare i 1000 afreskeve

MOIKOM ZEQO

MOIKOM ZEQO


  Është momenti kur dijetarë shqiptarë dhe të huaj po lartësojnë vizionin shkencor, traditën 30-vjeçare të një qyteti kaq të habitshëm si Voskopoja. Voskopoja është një Kostandinopojë e vogël në mes të Ballkanit, një kryeqytet i vogël kulturor, pa një të dytë në Shqipëri, shkatërrimi i së cilës u vajtua sipas një kënge psalmike, që ende ruhet në një kodik njësoj si vajtimi për Jerusalemin apo Kostandinopojën nga kronistët. Voskopoja është një nga mrekullitë më të mëdha të Shqipërisë, një dimension origjinal dhe shumëkulturor për Ballkanin dhe Europën. Tashmë Voskopoja është si një qytet gati i vdekur, ose vetëm turistik, por me përjetshmërinë e pamohueshme dot të monumenteve. Në Voskopojë janë gërshetuar kulturat ballkanike, por thelbi dhe substanca e hapësirës dhe e mjedisit etnik ka qenë Shqipëria. Voskopoja lindi në mjedisin shqiptar, por nëse do të përdornim një përcaktim të filozofit Karl Poper, Voskopoja qe një “shoqëri e hapur”. Kjo ide është tepër moderne dhe ndoshta ideja kryesore për bashkësinë e popujve në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Tezat e skajshme dhe metafizike që i mohojnë shqiptarësinë Voskopojës, që mbivlerësojnë elementet greke apo vllahe janë të papranueshme, ashtu siç është absolutisht e papranueshëm edhe mohimi i ndikimeve të grekëve apo vllahëve në historinë kulturore të Voskopojës. Një optikë ekuilibruese, një logjikë pranuese dhe jo përjashtuese do të bënte të mundur dhe do të shpjegonte enigmën kolosale të Voskopojës si një qytet apo një qendër kulturore e shumëfishtë. Pyetja pse ndodhi që dukuria e Voskopojës të sendërtohej pikërisht në Voskopojë dhe jo në Greqi apo në Serbi, apo dhe në Azinë e Vogël etj., është një pyetje që nuk mund të anashkalohet me përgjigje të thjeshta dhe aq më tepër të politizuara. Unë nuk besoj që Shqipëria është Greqi, madje as Vllahi (një shtet vllah nuk u arrit të bëhej kurrë). Është fakt i pamohueshëm se Voskopoja është një sintezë e kulturave, ku paraprin një iluminizëm i vërtetë jo vetëm filozofik me ndikim të qartë nga Perëndimi dhe sidomos nga Franca dhe nga protestantizmi gjerman apo anglosakson, si dhe nga një humanizëm i krishterë, i cili duhet kuptuar jo aq në rrafshin e dogmës, sesa si një metaforë e ringjalljes kundër pushtimit shekullor islamik otoman. Një mjedis jetëdhënës për këtë sintezë kulturore ishte pikërisht Shqipëria dhe çuditërisht një zonë e thellë malore si Voskopoja. Voskopoja u bë kështu një qytet i klasit të parë dhe një thesar i njerëzimit. Voskopoja të kujton deri diku kryeqytetet kozmopolite të ndërfutjes së kulturave të popujve te njëra-tjetra, por jo në boshllëk dhe në hava, por në një kronologji të saktë, të vijueshme të mjedisit kulturor shqiptar, në një kontekst të qartë ballkanik dhe europian. Vetëm ky dyshim është objektiv dhe nuk na lejon që ta shikojmë në mënyrë të njëanshme apo të absolutizojmë të veçantat kur studiojmë historinë kulturore të Voskopojës së Shqipërisë. Dy gjenitë e mëdhenj të Voskopojës janë pa dyshim Teodor Kavalioti, filozof dhe mendimtar i madh shqiptar dhe piktori i shkëlqyer, David Selenica. Duke mos dashur të bëj tablonë enciklopedike të Voskopojës, dua të ndalem te figura opusi madhështor i piktor Davidit. Davidi në 1721-shin pikturon kryeveprat e tij, afreske dhe ikona të pazakonta në Voskopojë. Në 1720, në Voskopojë qe ngritur dhe një shtypshkronjë, e dyta në gjithë territorin e Perandorisë Osmane. Davidi në Voskopojë dekoron kishën e Shën Kollit. Ai, së bashku me dy bashkëpunëtorë, të shkëlqyer, piktorët Konstandini dhe Kristo, punoi për pikturimin e bazilikës për gati 5 vjet. Punën e përfundoi më 18 tetor 1756, siç shënohet edhe në mbishkrim. Mbishkrimi na jep edhe një vlerësim estetik. Aty thuhet se këto piktura janë bërë “nga peneli i hollë dhe shumë elegant i piktor Davidit”. Kjo bazilikë e Voskopojës mund të quhet si një kapelë Sistine e pikturës sonë mesjetare. Deri vonë studiuesit kanë menduar se Davidi është nga fshati Selenicë në afërsi të Korçës. Është meritë e padiskutueshme e studiuesit M.B.Sakellorion, i cili në një libër të tij të botuar më 1983-shin bën një zbulim të madh dhe unikal. Ky studiues shënon se narteksi i kapelës me emrin Virgjëresha kukuzelike në Manastirin Laura e Madhe, në malin Athos, është plot piktura me cilësi shumë të larta, ku ka dhe një mbishkrim që thotë se autori është “Davidi nga Vlora”. Mbishkrimi mban datën 1715. Është pikërisht M.B.Sakellarioni, që bën identifikimin stilistik dhe morfologjik të piktorit David nga Vlora me piktorin David të Shën Kollit të Voskopojës. Enigma e origjinës së Davidit u zgjidh kështu përfundimisht. Dihet se në Vlorë është fshati i Selenicës, ku është edhe miniera e famshme e bitumit, përmendur nga autorët antikë edhe si një minierë nga më të vjetrat e Europës, por edhe si qendër e Orakullit të kultit pagan të zjarrit. Pra, Davidi ynë ka lindur në Selenicë të Vlorës dhe talenti i tij i fuqishëm e bëri atë që të linte kryeveprat e tij në Athos dhe në Voskopojë. Është dhe një pikë e tretë e gjeografisë, pikërisht në një kishë të Kosturit, ku ka pikturuar Onufri ynë i madh dy shekuj më parë, se Davidi nuk ka lindur në Voskopojë dhe as nuk është nga Voskopoja. As shumë intelektualë të tjerë që u shquan në rrafshin kulturor të Voskopojës nuk kanë qenë me origjinë nga Voskopoja, ashtu siç ka dhe të tjerë që janë me origjinë nga Voskopoja. Davidi është një piktor i përmasave të mëdha. Ai ka pikturuar afro 1000 afreske me një fuqi artistike të jashtëzakonshme. Nëse Onufri është një gjeni dhe patriark i artit ikonografik shqiptar, që zë kreun e vendit në artin e vendit tonë, Davidi është gjithashtu një gjeni dhe një kryemjeshtër i dytë i madh i ikonografisë. Davidi e theksoi konvencionalitetin e ikonografisë bizantine, duke e formalizuar skajshmërisht sistemin dogmatik. Davidi krijon një pikturë të ngjashme me stilin rilindës europian, por pa humbur veskun e artit bizantin lindor, gjë që përbën një ekzotikë të posaçme dhe një sinkretizëm kulturor shqiptaro-ballkanik. Arti i Davidit është kënga e fundit e mjellmës së ikonografisë shqiptare në shekuj.

Viti i gjuhëve botërore, në shqip vijnë persët

VITI I GJUHËVE BOTËRORE, NË SHQIP VIJNË PERSËT

Gjylistani dhe Bostani
Viti 2009 është shpallur nga UNESCO viti i gjuhëve botërore dhe në këtë kuadër nga puna ka nisur Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, duke përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe librin “Historia e letërsisë perse”, të autorit iranian Ahmed Tamimdari. “Duke pasur parasysh kapacitetet e pranisë dhe të kaluarës të letërsisë perse në trojet shqiptare, ky libër do të shërbejë si një burim i përshtatshëm për të interesuarit dhe hulumtuesit shqipfolës të rajonit”, – thuhet në njoftimin për shtyp të këtij fondacioni.
Libri në fjalë u përkthye nga Abdullah Rexhepi, student shqiptar që vazhdon studimet për doktoraturë në gjuhë dhe letërsinë perse në Iran. Redaktimi i librit është bërë nga prof. dr Jorgo Bulo, një nga figurat e njohura të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në parathënie të këtij libri të drejtorit të fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh, shkruan: “…Letërsia perse është një thesar i madh dijesh dhe njohurish. Kjo letërsi ka mundur më së miri që të ruajë mësimet e saj dhe t’i përcjellë ato te popujt, te kulturat dhe qytetërimet e tjera botërore. Kudo që ka depërtuar kjo letërsi, opinioni publik kulturor i atij vendi jo vetëm që e ka përqafuar vullnetarisht dhe me dëshirë këtë letërsi, por më së miri e ka shfrytëzuar, duke pasuruar thesarin e njohurive të letërsisë së vet. Në shumë vende të botës edhe pse s’ka pasur ndonjë institucion kulturor iranian, që të përkthente, të botonte dhe të promovonte vepra nga letërsia perse, u vu re se shumë prej veprave të letërsisë iraniane ishin përkthyer dhe botuar, në mënyrë të vullnetshme dhe të vetvetishme, nga intelektualët dhe nga elita kulturore së shoqërisë së vendeve përkatëse. Letërsia perse është e njohur edhe në Shqipëri; shoqëria dhe kultura shqiptare e kanë njohur këtë letërsi para më shumë se gjysmëshekulli.
Vepra të letërsisë perse si “Gjylistani dhe Bostani” i Sadiut, pjesë të zgjedhura nga “Shah Nameja” e Firdeusit, “Rubairat” e Omar Khajamit në këtë vend janë përkthyer dhe botuar në mënyrë të vetvetishme”.

Ali Pashë Tepelena, shqiptari që frymëzon letërsi

 Shtëpia Botuese “Saras” ka hedhur në treg pjesën e tretë të triologjisë me personazh detektivin Jashim, shkruar nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez, Jason Goodwin. Pas “Pema e Jeniçerëve” dhe “Guri i gjarprit” tashmë aventurat e Jashimit zhvendosen në Venecia. Një udhëtim magjepsës në kryeqendrën bri Adriatikut, përmes gjurmëve të një libri që shkrimtari i njohur francez, Aleksandër Duma, kishte shkruar për Pashain e Janinës, Ali Pashë Tepelenën…

Alda Bardhyli

Ajo quhej Karla. Kontesha që ndante jetën e vetme në Pallatin d’Aspi, prej vitesh fshihte përtej perdeve të atllasta të dhomës së gjumit një pikturë. Burrat që flinin në shtratin e saj, nuk mund ta mendonin shqetësimin që ajo ndiente, sa herë vështrimi i tyre prekte perdet. Teksa qirinjtë ndriçonin dhomën e errët, kur ajo ishte vetëm Karla mendonte…Një ditë me siguri, një burrë do t’i rrëmbente zemrën vetëm për t’i rrëmbyer atë pikturë. Por a do të ishte e aftë ta kuptonte? Vetëm dashuria ti vesh sytë, dhe Kontesha me sy të bojëqielltë si ujërat e Adriatikut që lëviznin qetë-qetë bri Kanalit të madh, nuk donte të binte në dashuri. Kur Jashimi mbërriti në sallonin e saj, ajo e kuptoi se përballë këtij eunuku osman, sekreti i saj nuk ishte më i tillë… Ajo mund t’i gëzohej fuqisë së tij mashkullore, do t’i besonte sekrete që nuk ia kishte thënë kurrë një burri, e në fund do të qante për humbjen e një thesari që nuk ishte më në dhomë. Historia e pikturës së famshme të Mehmet Pushtuesit, realizuar nga piktori i njohur italian, Gentile Bellini, është fabula e librit të tretë të serisë me detektivin osman, Jashim, që shtëpia Botuese “Saras” sapo ka nxjerrë në treg. “Portreti i Bellinit”, vjen në shqip nën përkthimin e Fari Laçkës, pas suksesit të dy librave të tjerë me autor shkrimtarin dhe historianin e njohur anglez, Jason Goodwin, “Pema e Jeniçerëve” dhe “Guri i Gjarprit”, i konsideruar nga kritika si një trillim i jashtëzakonshëm e tepër joshës, libri na shpie pas në kohë pikërisht në Venecian e shekullit XIX. Misioni i Jashimit është të gjejë një pikturë të Mehmet Pushtuesit, e cila gjendet në Venecia. Në udhëtimin e tij plot mistere, lexuesi njihet me një botë gati-gati magjike të Venecias së atyre viteve, ku shpalosen bukur dy botë, Lindja dhe Perëndimi. Goodwin është një mjeshtër në ndërthurjen e historisë me thrillerin. Shkrimtari vetë e pranon se si njohës i mirë i historisë, ngjizja për një libër i vjen gjithnjë nga një ngjarje historike. Dhe “Portreti i Belinit” është bazuar në një ngjarje të vërtetë. Piktura e Mehmet Pushtuesit ekziston dhe është një prej tablove më të mira në gjininë e portretit realizuar në Stamboll në vitin 1480 dhe sot ndodhet në Galerinë Kombëtare në Londër. Sulltan Mehmeti ishte i pasionuar pas artit dhe prej kohësh kërkonte një artist i cili t’i realizonte një portret. Ai zgjodhi Belinin, pasi ai e njihte qytetin. Kishte qenë atje bashkë me familjen që në kohën e bizantëve. I ati Xhakobo kishte pikturuar portrete të familjeve perandorake para se të binte Kostandinopoja. Ai nuk ishte as politikan, as diplomat, dhe as tregtar, por kishte thjesht një dhunti. Një aftësi pothuajse magjike për të ndalur, atë që nuk ndalet kurrë, kohën. Pikërisht këtë aftësi që Mehmeti pa te Belini, shkrimtari Goodwin e rimori për të ndërtuar një rrëfim letrar kaq shekuj më vonë, për të depërtuar në dy kryeqendrat e shekullit XIX siç ishte Venecia dhe Stambolli. Piktura e Mehmet Pushtuesit, e cila në libër ruhet nga një Konteshë e cila vinte prej një familjeve të vjetra të Venecias kishte brenda saj diagramin, si simbol i sovranitetit të dikurshëm osman. Bizantinët e kishin futur këtë diagram në ritualet e tyre kishtare. Për ta përfaqësonte bashkimin mes të fundmes dhe të pafundmes. Botën e Zotit me atë të njerëzve. Për venecianët, ai simbolizonte edhe ciklin e përhershëm të tregtisë, ose një kujtesë që gjithsecili ka hise në bujarinë e pafundme të botës. Mehmedi e shihte atë si një simbol të zotërimit duke besuar në thënien “një botë, një sundues, një Zot”. “Portreti i Belinit” të kujton se historia vijon të mbetet bota e mistershme e cila gjithnjë të josh me sekretet që mbart. Gjithnjë ka diçka përtej, qoftë edhe përtej një pikture. Por ajo çfarë e bën grishës botimin e këtij libri në gjuhën shqipe është fakti që një personazh i famshëm i historisë sonë, udhëton gjatë gjithë kohës me Jashimin, në ecejaket e tij për të zbuluar të vërtetën. Ai është Ali Pashë Tepelena. I pasionuar pas figurës së Ali Pashës, Goodwin e risjell Sirish si një personazh letrar te “Portreti i Belinit”, por këtë herë nuk do të flasë vetë për bëmat e Pashait sa mizor aq edhe romantik. Goodwin, përmes personazhit të Validesë, nënës së Sulltan Mahmutit II, i dhuron Jashimit një prej librave më të mirë të shkruar për figurën e pashait shqiptar, “Ali Pashë Tepelena”, shkruar nga shkrimtari i njohur francez, Aleksandër Dyma. Vetëm një libër i tillë kaq frymëzues do ta çonte Jashimin drejt së vërtetës. Ali Pasha kishte aftësinë të gjente nga larg zgjedhjen e një problemi. Në historinë e Perandorisë Otomane ai vijon të jetë si nga personazhet, që do të spikasë gjithnjë sa herë të flitet për atë periudhë. Aleksandër Dyma ishte i tërhequr nga Ali Pasha dhe diplomacia e tij, sa i kushtoi atij jo vetëm biografinë që shkëmbehej si dhuratë në Perandorinë Otomane, por shkroi dhe Konti i Monte Kristos, i pasionuar pas kësaj figure. Dyma e bazoi historinë e tij në ngjarjet e Ali Pashës dhe së bijës së tij, duke pasur parasysh poemën e hershme të Bajronit, “Don Zhuani”, ku i riu Don Zhuan është në prag të vdekjes pasi anija e tij mbytet, por Don Zhuani shpëtohet nga një vajzë shumë e bukur me emrin Haidee. Sigurisht, çdokush në Europë, duke përfshirë edhe Dyma dinte mbi takimin e Bajronit me Ali Pashë Tepelenën dhe mbi miqësinë e vazhdueshme mes tyre, por edhe për antagonizmin e madh të Bajronit ndaj turqve. Ky takim dhe poemat e shkruara më pas nga pena e Bajronit, kanë krijuar një valë shokuese në të gjithë Europën dhe kanë revolucionarizuar letërsinë europiane. Madje, edhe poetët e mëdhenj gjermanë si Gëte, kanë thënë se Bajroni ishte i vetmi pasardhës i vërtetë i tij. Ishte vizita e Bajronit tek Ali Pasha në Shqipëri, ajo që krijoi gjithë atë revolucion. Ja cila ishte arsyeja pse u frymëzua Dyma të shkruante mbi Ali Pashën. Pashai i Janinës, ka pasur një karakter të veçantë, përderisa Dyma e më vonë dhe Viktor Hygo kanë shkruar libra mbi jetën e tij. Aleksandër Dyma  përzien në mënyrë tepër kurioze Ali Pashën me dramën e romanit të tij të falshëm, Konti i Monte – Kristos. Duhet patjetër që Pashai i Janinës të ketë luajtur një rol tepër të madh që dy poetët më të mëdhenj si edhe romancieri më i madh i kohës të jenë impresionuar nga kjo figurë e egër. Te “Portreti i Belinit”, Valideja e quan atë një politikan të zotin, dhe një njeri me një energji të jashtëzakonshme që ka sfiduar dhe Napoleonin… “Aq sa është një roman letrar dhe trillim historik, aq edhe një mister. Hetimi i shpie këta detektivë mendjemprehtë, guximtarë dhe tërheqës në Venecia, ku lexuesi fatlum  përjetojnë një periudhë të magjishme të historisë së Venecias”, shkruan Usa Today, për këtë libër. Ashtu si të dy librat e mëparshëm të botuar në shqip, Goodwin arrin të na befasojë. Ai është i aftë të nxjerrë personazhe nga historia, apo arkivat ku flenë prej shekujsh dhe t’u japë një jetë të dytë, duke i vendosur në një libër… Ashtu si Ali Pasha, që duket sikur e risjell në shekullin XXI i bindur se energjia e tij është e aftë të ndryshojë kahun e së tashmes. Libri është një leksion i madh historik, duke na treguar se përgjigjet e shumë pikëpyetjeve mbi atë çfarë shoqërojnë sot konfliktet apo marrëdhëniet mes vendeve në rajon, është pikërisht i fshehur diku në histori.
E vërteta e pikturës së Mehmed Pushtuesit
Katër dhjetëvjeçarë pas ngjarjeve të përshkruara në librin “Portreti i Belinit”, Sir Henri Lajard, eksplorator dhe arkeolog i shkëlqyer dhe ambasador i Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, në Portën e Lartë në Stamboll, u pezullua nga detyra pas ndryshimeve të bëra në qeverinë angleze. Qeveria e ardhshme propozonte të mbahej një qëndrim i rreptë me Turqinë në pjesën europiane. Sir Henri Lajard njihej si njeri shumë dashamirës ndaj orientalëve.
I dëshpëruar, në vend që të kthehej në shtëpinë e të parëve të tij (mbase është e tepërt të themi që u josh nga pikturat e Kanaletos, pa përmendur këtu rrënojat dhe kornizat e kolonave të lashta), Sir Henri dhe bashkëshortja e tij e re shkuan në Venecia. Blenë një pallat që quhej Ca’ Cappello, jo larg pallatit Ca’ d’Aspi.
Në janar të vitit 1884, ndërsa hipte në gondolën e vet, i afrohet një plak i varfër, i cili i kërkoi që t’i shiste një pikturë të vjetër për pesë paund.
Pa i hedhur pikturës as sytë dhe në nxitim e sipër, sepse ishte me vonesë, Sir Henri nuk pranoi. Hipi në varkë dhe u largua menjëherë.
Kur mbërri në shtëpi e gjeti pikturën mbështetur pas derës dhe e vari në një dhomë të veçantë. Zonja Lajard jetoi edhe njëzetetre vjet pas tij. Ajo ndenji në Venecia, e denjë si vejusha e tij, por shumë e dhënë pas jetës në shoqëri. Banorët më të rinj të pallatit si Henri Xhejm, e njihnin pallatin Lajard me emrin Frigoriferi.
Në testamentin e saj, portretin e Sulltanit Mehmed II pikturuar nga Belini, zonja Lajard ia linte muzeut National Gallery në Londër.
Hollësitë për dëmtimin e pikturës, që me sa dukej kishte ndodhur kur ishte hequr nga dërrasa dhe ishte hedhur në kanavacë dhe për restaurimin e bërë në shekullin XIX, mund të merren nga galeria. Edhe dëmtimi, edhe restaurimi u quajtën aq të rënda, sa kuratorët me shumë kujdes e kanë etiketuar pikturën si atribuuar dhe jo pikturuar nga Gentile Belini.
Piktura vazhdon udhëtimin nëpër botë. Pak kohë më parë ishte në Venecia dhe para saj, në mbarim të shekullit të kaluar tërhoqi jashtëzakonisht shumë njerëz kur u paraqit në Stamboll. Vërtet për t’u çuditur, që teksa shkruaja këtë libër, Sotheby’s në Londër shiti në shumën prej gjysmë milion paund, një portret të njëjtë, por më të vogël të Mehmedit II, pothuajse me po ato përmasa si ai që Palevski pa në pallatin d’Istria. Me sa duket ishte ndonjë kopje e vonë e pikturës së Belinit.
Për sa i përket albumit me vizatime nga i ati, të cilin Gentile Belini ia kishte dhuruar Sulltan Mehmedit në vitin 1480, në të vërtetë ishin dy albume. Njëri në letër, blerë në një treg në Smirna në vitin 1823 dhe gjendet në British Museum, tjetri, punuar më imët, në pergamenë, ruhet në muzeun e Luvrit.
Ai u zbulua në papafingon e një shtëpie në Guenne të Francës, në vitin 1886.
Hani i Turqve mbeti rrënojë pa vënë dorë njeri deri në vitin 1860, kur u ble nga bashkia dhe u kthye në gjendjen e tanishme. Në vijim të motos së restauruesve, com’era, dov’era, u bë çdo përpjekje e mundshme për të rimodeluar ndërtesën si pallat bizantin i shekullit të dymbëdhjetë. Rrjedhimisht, të gjitha gjurmët e madhështisë së parë, si dhe të rrënimit të saj u fshinë krejt.
E veshur me mermer ngjyrë gri dhe e ristrukturuar nga brenda, tani ajo është ndoshta ndërtesa më e shëmtuar në Kanalin e Madh.

Stefan Gaspëri, Epirot Durrsaku - poet shqiptar i shekullit XVII

Nga MOIKOM ZEQO


Stefan Gaspëri, i mbiquajtur më vonë si Epirot Durrsaku, ka lindur në qytetin e Durrësit në fi llim të shekullit XVII. Ai ishte biri i Nikollës  dhe i Marisë, prindër që më vonë u konvertuan në fenë islame.
Që në fëmijëri, tek ai spikati një zgjuarsi e pazakontë, prirje për kulturë, dhe janë të njohura tri letra të Frang Bardhit që ai ua rekomandon eprorëve të tij Stefan Gaspërin për të studiuar në kolegjin “Loreto” të Italisë.
Këtu, në këtë kolegj, ka studiuar vetë, përpara Stefanit, Frang Bardhi, i cili në fakt ishte vetëm dy vjet më i madh sesa shoku i tij.
Miqësia midis Stefanit dhe Frangut qe e madhe, me një vlerësim të ndërsjellë intelektual dhe vazhdoi derisa rrojtën që të dy.
Pas mbarimit të kolegjit Loreto, po me anë të ndihmës që i dha Frang Bardhit Stefani, pas vitit 1637 shkoi në Romë, ku studioi filozofi, vetëkuptohet dhe teologji, duke fituar gradën e doktorit.
Në një libër të shkollës në Romë, për Stefan Gaspërin shënohen këto të dhëna: “Zotëron gjuhën shqipe, latine e italiane, është me shtat të shkurtër dhe me sy ngjyrë ulliri, ka shumë talent dhe një inteligjencë të mirë. Për sa i përket moralit, është i përshtatshëm për të qenë një punonjës i mirë i fesë në qytetin e Durrësit, në Shqipëri. Moshën e ka rreth 27 vjeç”.
Këto shënime mbajnë datën e vitit 1635, vit kur Stefani duhet të ketë mbaruar në fakt kolegjin “Loreto”.
Vetëkuptohet që vlerësimi është tepër pozitiv dhe e tregon 27-vjeçarin shqiptar si një shpresë intelektuale për të ardhmen.
Për shumë kohë Stefan Gaspëri jetoi në Itali.
Në vitin 1644, siç na njofton Arqipeshkvi i Durrësit, Mark Skura, Stefani ndodhej në fshatin e Luzit, pranë Durrësit dhe Kavajës, dhe akuzohet në Selinë e Shenjtë, për faktin që prindërit e tij janë kthyer në ritin muhamedan, ndërsa i biri ishte kuadër i kishës katolike.
Ky fakt flet për atë që Stefan Gaspëri shihej me dyshim nga eprorët e tij, dyshim që patjetër binte edhe mbi vetë Frang Bardhin, si të thuash tutori, propozuesi dhe inkurajuesi i Stefanit.
Më 18 korrik të vitit 1671 e deri në fillim të vitit 1672, Stefan Gaspëri ndërmerr një udhëtim të gjatë nëpër Shqipëri, me mision nga Propaganda Fide.
Përshtypjet e udhëtimit, vëzhgimet e tij ai i sendërton në një relacion të gjatë, ku ka shumë të dhëna ekskluzive me karakter historik, gjuhësor dhe shoqëror, relacion ky gati 150 faqe, që përbën në thelb një libër të tërë. Ky libër është shkruar në italisht dhe pjesërisht është botuar në vitet ’30-të te “Hylli i Dritës” në Shkodër.
Ka ardhur koha që ky libër të përkthehet në gjuhën shqipe dhe të botohet si një nga librat më interesantë dhe më substancialë të një autori shqiptar në krejt kulturën e shekullit.
Më 28 maj 1637 Stefan Gaspëri vendoset në Zadrimë, si titullari i lartë fetar, ku edhe vdes, në vitin 1680, në moshën 72-vjeçare.
Për fat të keq, nuk dimë asgjë për reliket dhe varrin e tij, si dhe për dorëshkrimet dhe librat e mbetur të pabotuar.
Stefan Gaspëri përmendet në kulturën shqiptare edhe për dy poezi, që i ka botuar në vitin 1635 për nder të shokut të tij të ditur Frang Bardhi, brenda botimit prej këtij të fundit të “Fjalorit latinisht-shqip”.
Fakti që Bardhi e quan për nder të veçantë vlerësimin e Stefan Gaspërit, duke i përfshirë poezitë e Stefanit në këtë fjalor, ky fakt, përtej njohjes intime dhe shoqërore në rrafshin kulturor dhe shkencor, merr një peshë të posaçme antologjike.
Të dyja poezitë, poeti ynë nga Durrësi i nënshkruan me emrin katërgjymtyrësh Stefan Gaspër Epirot Durrsaku, që do të thotë se emri i tij familjar, Stefan Gaspëri, është përcaktuar qëllimisht nga autori me emrin Epirot, që në këtë shekull përkthehet “shqiptari”, dhe Durrsaku, për të shpallur botërisht vetëshqiptarinë e qytetit të Durrësit. 


Po botojmë të dyja poezitë 


Poezia e parë:


Porsa lindi Titani i ri, gëzime të reja iu dhanë tokës

Me dritë të artë pikturoi ujrat gjenia jote

Frang, i dhe shumë të mira dheut

Fara e zgjedhur që hodhe meriton lëvdata

Kuptohet se lëvdatat e pavdekshme thurin krenarinë

Duke patur të pavdekshëm emrin tone


Poezia e dytë:


Ashtu si Virgjili, Augusti dhe Homeri, që përjetësoi Akilin,

Po të mund të shkruanim prapë për ty do të ishte pak ose asgjë.


Të dyja poezitë janë shkruar në latinishten humaniste të shkëlqyer të kohës dhe kanë karakter të mirëfilltë laik.
Poezitë reflektojnë kulturën shumë të lartë të Stefanit dhe njohjen nga ai përsosmërisht të kulturës së dyfishtë greko-romake.
Stefan Gaspëri e quan Frang Bardhin një titan të ri, dhe kjo figurë mitologjike i përshtatet shkëlqyeshëm epokës së titanëve të Rilindjes Italiane dhe Evropiane.
Kështu Stefani citon dy kryepoetë të njerëzimit, Homerin dhe Virgjilin.
Është gati një fatalitet dhe profeci e çuditshme që Stefan Gaspëri i drejtohet Frang Bardhit, duke bërë një paralele të Akilit, “kryepersonazh i Iliadës”, lartësuar nga Homeri, i cili dihet që pati një jetë tepër të shkurtër, po me lavdi shumë të madhe.
Edhe Frang Bardhi, si Akili, pati një jetë të shkurtër, vdiq 36 vjeç, por e pasoi pasvdekjen e tij një lavdi e madhe.
Siç shihet, Stefani në mënyrë apologjike e ngre lart rolin e Frang Bardhit në kulturën kombëtare shqiptare.
Nuk dimë nëse ka shkruar poezi të tjera poeti ynë nga Durrësi.
Sidoqoftë, dy poezitë e tij janë nga më të spikaturat në shekullin XVII në krejt kulturën e vendit tonë, por të denja për t’u futur në çdo antologji të poezive latinisht, më saktë të epigrameve të latinitetit mesjetar, latinitet i cili lëvrohet deri në ditët tona.




Piktori Agron Saliu hap një ekspozitë në Berlin (FOTO)


Në Galerinë Prima Zenter në Berlin hapet këtë të premte (27.06.2014) ekspozita e piktorit Agron Saliu me titull “Prelude”. Në këtë ekspozitë do të prezantohen portrete nga cikli “Në Pritje”.
Tematika e ekspozitës ka të bëjë me shtresat sociale në shoqëri, ndërsa portretet janë ekspresive. Në portretet asociative të bëra nga piktori Agron Saliu shihen njerëz të vuajtur, shihet dyfytyrësia, por edhe njerëz shpirtmirë dhe të dashur. Saliu thotë për Deutsche Wellen se “atë që e sheh në jetë, atë edhe e pikturon”, do të thotë reflektimin pozitiv, por edhe negativ tek njerëzit.
“Nga realiteti nuk mund të ikim. Ndaj as arti nuk mund t’u ikë dhe t’i përjashtojë njerëzit e vuajtur, dyfytyrësinë”, pohon Saliu, i cili përpiqet “që përmes artit, në mënyrë asociative, t’u japë rol portreteve edhe virtyteve dhe mangësive, siç janë sinqeriteti, gënjeshtra, maska e njerëzve dhe dashuria”.
Përmes krijimtarisë sime, të cilën e bëj me sinqeritet dhe dashuri, shton ai, jam në pritje të një “Preludi të ri”. Ekspozita e pestë e piktorit Saliu me titull “Prelude” mbështetet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë.
Agron Saliu ka lindur në vitin 1984 në Tetovë. Ai ka diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve, drejtimi pikturë. Deri tani ka organizuar katër ekspozita personale: në Paris në vitin 2013, Shkup dy herë brenda vitit 2012 dhe një në Tetovë. Ka qenë edhe pjesë e ekspozitave grupore në Sarajevë, Ohër, Gostivar, Tetovë dhe Shkup.

Testamenti i një shkrimtari fantastiko-shkencor

Nga Nga Natasha Lako


 Një roman për lirinë njerëzore. Botohet postmortum, nga shtëpia botuese OMSCA-1, romani fantastiko – shkencor i Kostandin M. Lekës “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”

Shtëpia Botuese OMSCA-1 ka hedhur në treg romanin fantastiko-shekncor “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, me autor Kostandin M. Leka. Doreshkrimi u gjet në kompjuterin e Kostandin M. Lekës nga familja, pas shuarjes se tij një vit më parë. Gjithashtu kopertina e këtij romani është krijuar nga Dorina Leka, mbesa e autorit, në sondin e një prej pikturave dixhitale të krijuara nga vetë  Kostandin M. Leka.
Konflikti me të pamundurën dhe kapërximin e saj duket se do të mbajë gjithnjë të ri edhe romanin “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”. Autori i tij Kostandin Leka e shkroi plot zhdërvjelltësi në fund të jetës së tij në trajtën hokatare të kujtesës dhe lojës së bukur letrare, thua të ishte për një kohë të papërcaktuar xhongler i ideve, që të nguliten në mendje. Ai na thotë me këtë libër, se konflikti më i thellë i njeriut është ai me këto të pamundshme, që jetojnë të thyera në copëza të vogla. Në këtë lojë dramatike ai le pas të pamundshmen në dashuri, të pamundshmen për të jetuar jetën sipas dëshirës, të pamundshmen për të fituar ujin e pijshëm në shkretëtirë, ose edhe më të pamundurën e  kapërximit të vdekjes, të trajtuar aq shumë në letërsi. Ai zgjedh llogoren e vet dhe flet përtej limiteve reale, për çmontimin e ndërgjegjes nga shtrëngesat. Dhe përvoja e tij e çon në kohën kur çdo liri vetjake ishte e pamundur. Në këtë mozaik të madh shfaqet përsëri e pamundshmja, që mund letërsia fantastikoshkencore, e krijuar kësaj here brenda lumit të mbresave dhe kujtimeve reale. Libri mund të quhet ndryshe libri i ëndërrës dhe manovrimit të hapave drejt lirisë, me dëshirën për të zbuluar thellësitë e pashfaqura të koshiencës dhe subkoshiencës njerëzore, si i vetmi çlirim njerëzor. Në një atmosferë të tillë pengimesh të pafundme dhe të shkallëzuara, që nga tentakulat e shtetit deri te karakteret njerëzore, rrjedh historia e një njeriu me emrin Lirian, të cilin e kemi njohur edhe në romanin e parë të Kostandin Lekës, “Si u bëra i padukshëm”. Ndodhemi kështu përpara një romani ciklik, ku fantashkenca jep mundësitë më të mëdha ndaj të pamundshmes.
Hero apo antihero, kësaj here Liriani i Kostandin Lekës, në shenjë shpagimi të ligësisë, shërbesës, ambicjeve dhe diktatit të njerëzve, që ka rreth e rrotull, merr përsipër të zhbllokojë ndërgjegjen e tyre të shtypur. Kostandin Leka hyn kështu në një lojë të këndshme për të zbuluar një realitet njerëzor, ku ndërgjegja zgjohet gjithandej dhe sjell situata dhe ndërlikime, të cilat na ofrojnë jo vetëm buzëqeshje, na kujtojnë jo vetëm realitetin e një diktati të shfrenuar, por na zgjojnë në çdo çast edhe thellësitë e vehtes. Me gojën e një personazhi të tillë autori na thotë, se po vepron nën shëmbullin e samurajëve, që kërkojnë të vendosin personalisht drejtësira, apo nxitet nën shëmbullin e filmave të ngulitur në zemër, ku individi lufton të shpëtojë inoçencën dhe drejtësinë e vetes me rengje nga më të bukurat. Hyjmë kështu në botën e aventurës pa cak. Themi, se është antihero, pasi loja dhe shpagimi vazhdojnë pa fund, në formën e sarkazmës dhe provokimit të ndërlikuar, i cili e bën lexuesin të bëhet mik jo vetëm me personazhin, por edhe me shkrimtarin, i cili ka marrë përsipër të trajtojë një nga tabutë e shoqërisë njerëzore. Pengesat e njeriut për të shpallur vehten. Ky përqendrim në një kohë të caktuar dhe në një përvojë të caktuar, brenda një kabineti shkencor universitar, i jep dritë të veçantë të gjithë ngjarjeve dhe situatave, ku është Liriani, që ve në lëvizje një mori personazhesh, me ndodhi dhe situata, që arrijnë gjithashtu ta kapërxejnë edhe një etapë të vetme. Pasi beteja për të njohur ndërgjegjen njerëzore dhe për ta zhbllokuar nga pengesat nuk është shteruar kurrë.
Të gjitha këto thuhen në roman me një thjeshtësi sublime, të cilën e përmban jeta e përditëshme, ku askush nuk sforcohet dhe askush nuk ngrys dot vetulla për të gjetur kuptimet.
Në çdo çast lexuesit i krijohet ndjesia sikur Kostandin Leka gjendet në një dhomë prej të cilës po ia hedh faqet një pas një për t’i lexuar. Distanca me atë, që merr fletët në duar është shkurtuar së tepërmi. Kështu edhe njëherë i shkruar me dorën e Kostandin Lekës, lexuesi zbulon po aq shkujdeshëm, si çdo gjë e kohës së internetit, një libër që shpalos gati jetën e tij, megjithë zbritjet në kohë.
Ka shkrimtarë që e dërgojnë veprën e tyre te lexuesi, nga distanca të cilën herë e shkakton koha dhe herë mjeshtëria, e cila e kthen gjuhën në stalakdid dhe stalagtmit të ngurtësuar për të gdhendur në sipërfaqe shpirtin njerëzor.
Kostandin Leka nuk e quajti asnjëherë vehten një mjeshtër të tillë. Para se të jetë shkrimtar, ai pranoi të jetë qytetar i vendit të tij dhe i kësaj bote. Me librin që kemi përpara edhe njëherë ai e sjell letërsinë pranë nesh, njësoj si të të hedhë krahun në sup. Letërsia, subjekti i përzgjedhur është vetë trupi i tij. Dhe misteri i sekretit të tij është, se ai di të tregojë rreth nesh, rreth të vërtetave tona, ndonëse thërret në ndihmë fantazinë më të skajshme, të cilën mësohemi të besojmë.
Liria e fantashkencës krijon në këtë roman metafora të mëdha. Lexuesi që ndjek shtjellimin e ngjarjeve, ndjek më së shumti rrëfimin e një miku të afërt, që jep të gjalla dëshira dhe karaktere. Fantazia dhe imagjinata e një njeriu si Kostandin Leka, krijojnë në mënyrë të plotë një mekanizëm lirie. Dhe ky mekanizëm ka të bëje me çlirimin e vullnetit njerëzor. Zona e fantashkencës i jep për këtë qëllim mjete të mëdha. Ajo e çliron gjithëcilin edhe nga realiteti dhe mundësitë e tij të kufizuara.
Kur e lexon këtë libër ndjen gjithashtu, se nuk po të tregon një shkrimtar, por një mik. Aq të befta, por njëkohësisht brenda vehtes dhe psiqikës njerëzore janë ngjarjet, aq të njohura, por njëkohësisht aq të reja, aq të kumbueshëm dhe pjestarë të jetës së secilit janë personazhet, sa është e pamundur të mos ndjesh realitetin ku merr frymë. Liria e fantazisë në veprën e Kostandin Lekës, ze vend në një shtrat të thjeshtë dhe të përditshëm, me situata që autori i ndjell dhe ia paraqet secilit me zhdërvjelltësi të madhe. Rrallë mund të gjesh në letërsinë e ditëve tona një shtjellje kaq spontane dhe pa pretendime të sforcuara të rrjedhës së një jete ku fitilat e furnelës së vajgurit janë a s’janë i vetmi monument. Mos u mërzisni, që pranë këtyre furnelave do të gjeni edhe celularët e mileniumit të ri. Jemi përsëri dhe përsëri në fantashkencë, ku kërkimi i një ëndërre njerëzore, përzjehet me realitetin. Etapa e zgjedhur dhe e përjetuar prej Lekës vetëm sa e ushqen dhe e furnizon edhe më tepër këtë ëndërr. Autori e bën lexuesin të ndërgjegjshëm se po udhëton nga bota e diktatit në botën e empatisë. Ajo që beson se ka marrë fund, fillon të shfaqet përsëri. Liriani nuk e ka të lehtë të shpëtojë nga Ideali dhe Qendra eMbikqyrjes. Kështu Kostandin Leka, mbetet konseguent i zhbllokimit të ndërgjegjes njerëzore. Hakmarrja ndaj së keqes, që i shfaqet përpara, me botën e çimkave dhe të përgjuesve dhe kontrolluesve të gjithçkaje, kthehet në një katapulkt artistik brenda një bote, ku diktati ishte mbizotërues, deri në masën e fantashkencës, ku ka qenë pothuaj fantashkencë dhe e pabesueshme vetë koha e diktatit të madh, ku kanë jetuar shqiptarët. Ne nuk e kuptojmë mirë nëse është Liriani apo vetë Kostandin Leka, që kërkon të hakmerret me botën “e çimkave” ose të përgjimit. Por, ne e ndjejmë, se ata së bashku janë gati të zhbllokojnë ndërgjegjen, që njeriu fsheh nga të tjerët. Për një shoqëri a një rend, ose rregulli të caktuar, ky mund të jetë skandali më i madh njerëzor. Por, ja që qytetari Kostandin e ka marrë përsipër në mënyrë aventuroze së bashku me Lirianin e vet. Jo më kot pranë nesh ndjejmë autorin qytetar, që në këtë shtjellë veprimi dhe kundërveprimi njerëzor pranë Shemshedimit e lirisë së shfrenuar të erotizmit përfshin edhe tipa si Sigmundi, që të kujtojnë rregullat dhe statuset  hitleriane. Liriani i fantazisë njerëzore, në lojën e tij të hakmarrjes dhe sarkazmës pasi zbulon kristalin, që i bën njerëzit të thonë atë që ndjejnë dhe mendojnë, ka përballë prapë së prapë  kundërshtarët simpatikë, të skalitur nga autori, njerëz që komplikojnë njëri tjetrin në një  kompaktësi artistike, përfshi këtu edhe rolet erotike kundërvepruese të vajzës së ish gjeneralit të Qendrës sëMbikqyrjes së Shtetit apo një nëndrejtoreshe bibliotelke, që na duket sikur e kemi hasur edhe në jetën tonë reale. Dhe kjo kompaktësi rrjedhëse i bën të kapërxejnë të gjithë bashkarisht nga periudha e diktatit drejt kohës së empatisë. Autori ngulmon te një Lirian, që nuk dorëzohet, duke e shoqëruar gjithnjë atë me një buzëqeshje njerëzore. Nëpërmjet tij lexuesi mund të kuptojë lehtë se si nuk është dorëzuar gjatë punës dhe krijimtarisë së tij edhe vetë Kostandin Leka. Rrallë mund të gjesh në letërsinë tonë të re, një unison midis shprehjes dhe krijimit artistik dhe purgatorit të sfiduar real të vetë autorit. Është vetë Kostandin Leka që di të hakmerret në mënyrë kaq fine, kaq njerëzore me një realitet, që i ka marrë shpirtin gjithë jetës. Lexuesi ka mundësi ta ndjejë praninë e frymëmarrjes së tij në çdo faqe të këtij libri kaq të freskët. Autori e bën krijimin kaq të gjallë dhe të besueshëm, kaq të kuptueshëm.
Po, e kuptojmë shpirtin tënd të shqetësuar, mënyrën se si ti ke ditur dhe di t’i përballosh jetën dhe gjërat, qoftë me këtë fantazi të zhdërvjellë.
Në romanin tënd të parë “Si u bëra i padukshëm”, ti u përpoqe të krijosh një Lirian, që zbulon se si mund të bëhet i padukshëm, në një shoqëri, ku vrojtohesh nga të gjitha anët, pra merresh me egistencën dhe shfaqjen apo zhdukjen e saj si vizion. Në romanin tënd të dytë, po shohim se si  ti merresh me të thënën, me fjalën dhe me dëgjimin, ëndërrën e njerëzimit dhe agjensive të kontrolleve të specializuara, pse jo, për të zbërthyer deri në fund atë që fsheh edhe ndërgjegja më e fshehtë. Dhe të gjitha këto t’i japësh aq thjesht, pa pretendime të mëdha, për ta zbritur letërsinë me këmbë në tokë edhe kur fluturon me fantashkencën, e trajtuar ndonjëherë edhe nga shkrimtarë si Gor Vidal, për të mos folur për Zhyl Vern. E kuptojmë se si interesohesh ti, o Liriani ynë Kostandin, për lirinë njerëzore. Pasi ti ke qenë organizëm, njeri, shpirt, ëndërr e kësaj lirie.
Kur me një tekst letrar  fillon një bisedë e tillë, më në fund e kupton, se ky libër është i gjallë. Dhe kur e kupton, se je përpara një libri që jeton dhe merr frymë, e kupton, se libri është shpikur si pjesë e gjallë e jetës.
Për këtë duhet ta falenderojmë Kostandinin tonë dhe librin  “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, që ka lënë si testament.
Për të përshëndetur librin “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes”, le të shtoj edhe disa fjalë të Hanif Kureishit, për mjeshtërinë e të shkruarit: “Në pjesën më të madhe të saj, puna e të shkruarit, është metoda, që gjen rrugëtimin e fjalëve.”
Në rastin e librit “Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes” fjalët bëhen peshëlehta, të përdorshme, zhbiruese dhe udhëtuese, që nga fletët deri në mendjet tona, për të na dhënë një jetë pothuajse të prekshme deri në pamundësitë e saj. Brenda letërsisë sonë të sotme ky mund të quhet thjesht një konfort i ri.
Të dhëna teknike:
Titulli: Rrezatimi zhbllokues i ndërgjegjes
Autori: Kostandin M. Leka
Redaktore: Zhuliana G. Jorganxhi
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 192
Çmimi: 600 lekë

Prof. Dr. Agim Deva – studiues i shquar i letërsisë shqipe për fëmijë

Nga Prof. As. Dr. Astrit BISHQEMI



 I. Agim Deva qe jo vetëm një krijues i shquar në letërsinë shqipe për fëmijë, por edhe studiues i palodhur i kësaj fushe me botimet: Romani ynë për fëmijë (1977); Poezia shqipe për fëmijë, 1872-1980 (1982); Fjala e përjetimi (1983) etj.
Te studimi për romanin ai u përqëndrua dhe mori në analizë njëzet romanet e para për fëmijë të shkruara deri në atë kohë në Kosovë. Më tej, në punimin për poezinë, përmasat zmadhohen si në anën sasiore, ashtu edhe në atë cilësore. Për herë të parë aty kryhen studime ku letërsia shqipe për fëmijë merr në konsideratë veprat letrare të prodhuara si komb, pra e unifikuar, e njësuar. Kjo përbënte një vlerë dhe një shembull për t’u ndjekur në kohët që do të vinin. Në vëllimin e tretë janë përmbledhur recensione e vlerësime me të cilat janë përcjellur vepra bashkëkohore të LPF, të botuara gjatë atyre viteve në Kosovë, në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoni e në Mal të Zi.
Rëndësia e analizave serioze e të vëllimshme që përmendëm, rezultat i një pune të përkushtuar, mund të ravijëzohet në disa anë. Por më kryesorja është fakti se Agim Deva u hyri këtyre studimeve fundamentale në një kohë kur mungonin përvoja monografish të tilla. Si përmbledhje studimesh në botime të veçanta deri atëhere numëroheshin vetëm B. Dedja Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë (1971), si dhe dy përmbledhjet me kumtesat e simpoziumeve kombëtare për LPF, mbajtur në Tiranë, më 1974 dhe ’75.

II. 1. Vlera e parë e analizave të Devës, për mendimin tonë, qëndron te metoda e studimit, te mënyra e qasjes ndaj veprave artistike për fëmijë. Vëmendja nuk përqëndrohet te autori i veprës, te shkrimtari, por te produkti i tij, te teksti letrar.
Veprat artistike që merren si objekt analize, qofshin këto romane në monografinë e parë apo përmbledhje poetike në të dytën, nuk studiohen një nga një në formë reçensionale, por sipas problemeve që ngërthejnë. Edhe te “Fjala dhe përjetimi” çdo vepër letrare studiohet duke pasur si strumbullar një problem të veçantë që është më evident në të. Dhe kjo shentilon qysh në titullin e punimit, për shembull: Kur gjallesat rrojnë jetën e fëmijëve (G. Bushaka “Përralla të zgjedhura”) etj. Veç kësaj, studimet hartohen duke e ndarë problemin kryesor me dy-tri a më shumë nënçështje:a) Motivacioni i personazheve, b) Takti i matur pedagogjik, c) Fluksi i porosive, d) Humori, e) Funksioni njohës.
2. Gjatë shtjellimit të dukurive artistike, studiuesi jep edhe njohuri teorike të fushës së letërsisë. Për këtë qëllim Deva ka shfrytëzuar literaturë ndihmëse bashkëkohore, Perëndimore. Kjo duket jo vetëm te bibliografia e shënuar në fund, po edhe gjatë trajtimit të materialit. Gjithashtu, ai ka pasur njohje të gjerë të krijimtarisë botërore për fëmijë.
a) Kështu, te romani studiuesi zbërthen dy llojet e strukturave kompozicionale: atë në vijë të drejtë dhe atë të gërshetuar. Ngul këmbë për një arkitekturë të rregullt e funksionale. Heton deformime të tilla si hyrje të zgjatura. Psh, Marta Naraçin te novela “Zemër ilire” e qorton për shpërpjesëtime kompozicionale: … udhëtimi i plakut Kliton me nipin e tij zgjat aq shumë sa kap gati gjysmën e novelës…[…] Edhe konflikti (intriga) nuk e ka forcën e duhur dhe zgjat shkurt…(Fja.120).
Te poezia shënon se vargu i gjatë është torturë për lexuesin e vogël. Në sipërfaqen e madhe mendimi sikur e humbet lartësinë e vet (Poe.481);
b) Si kreu II i “Romanit…”, ashtu edhe kreu X i “Poezisë…” mbajnë tituj të njëjtë: Kriteret pedagogjike-letrare. Në to efektet e letërsisë artistike Deva i kategorizon në tri aspekte: I – edukativ; II – njohës-arsimor dhe III – zbavitës.
Karakteri edukativ përfshin edukatën e punës, atdhetarizmin, edukimin estetik dhe moralin që transmetohet nëpërmjet një krijimi letrar. Kur trajton edukimin estetik përmes letërsisë për fëmijë, Deva fut një dukuri të re, një koncept të ri, atë të simetrisë, e cila sipas tij shprehet në dy forma: A – në trajtën e peizazhit (te “Rrasa e zogut” e Kukajt rrjedh një lumë dhe ngjarja zhvillohet në të dy anët e tij; lumi këtu është një bosht material veprimi) dhe B – të simetrisë së veprimit (te “Pas kthimit” e Kadriut një pjesë e fatit fëminor të Fidanit reflektohet në të njëjtën mënyrë në një pjesë të fëminisë së Cenit: ata të dy braktisin shtëpitë e tyre dhe gjenden në mjedise të huaja…)
Si dukurinë e tragjikes ashtu edhe gjuhën e veprës studiuesi i vështron sipas kritereve pedagogjike. Për tragjiken kërkon që ajo të jetë e kuptimësuar. Vdekjet dhe llojet e tjera tragjike, siç është p.sh. tortura, te fëmijët nxisin një qëndresë të brendshme. Duke lexuar libra me ngjarje të tilla, të vegjlit forcojnë botën e tyre emocionale. Veç, si në prozë, ashtu edhe në poezi, studiuesi këshillon që ngjarjet tmerruese të Luftës të trajtohen me kujdes.
Deva ndalet gjatë për gjuhën në veprat letrare. Ai shprehet: …gjuha e shkrimtarit duhet të jetë letrare, sepse përfaqëson kulturën e tij intelektuale e shpirtërore, gjuha e personazheve është e kthyer kah një liri më e madhe e shprehjes, kah origjinaliteti i të shprehurit të saj, dhe vetëm në këtë mënyrë ajo mund të dalë gjuhë e tipizuar. Mirëpo në letërsinë për fëmijë preferohet që edhe gjuha e personazheve të jetë gjuhë e kulluar, e pastër, gjuhë letrare. Pse? Sepse fëmijët janë në formim e sipër jo vetëm të karakterit të tyre, por edhe të vetë pasurimit leksikor të gjuhës të cilën e kultivojnë (Fja.62).
Karakterin zbavitës në letërsinë për fëmijë e synon nëpërmjet dy faktorëve: lojës dhe humorit.Humori, vlerëson studiuesi, i jep artit elasticitet e ngrohtësi. Atë mund ta klasifikojmë në disa mënyra: duke marrë parasysh masën me të cilën paraqitet (mbulon gjithë sipëfaqen e krijimit letrar apo është i pjesëshëm), nga motivi që e nxit (naiviteti fëminor, shpërpjestimet logjike të realitetit) etj. Studiuesi përbuz humorin artificial.
c) Te gdhendja e personazheve sqaron dukurinë e idealizimit të tyre, duke kritikuar Gjergjin te romani “Agimi” i Maksut Shehut, Gazmendin te “Agimet e kaltra” i Qamil Batallit, Mirushen te “Sarajet e bardha” i Vehbi Kikajt etj.
d) Analizon një për një përdorimin e figurave stilistike, si në poezi ashtu edhe në prozën e gjatë. Jep jo vetëm dallimin e tyre në krijimet për fëmijë nga letërsia për të rritur, po bën edhe njëfarë klasifikimi. Madje, kritikon tropet e konceptuara jodrejt nga poetët tanë. Psh. Vehbi Kikaj dëshmorin Ferit Grezda e pajis me epitetet bilbil dhe zog i qiellit. Epiteti i parë, vëren studiuesi, do të ishte më i qëlluar për një këngëtar të mirë, ndërsa i dyti nuk është karakteristikë e një akti heroik! (Poe.430).
Vëren se …metafora shfaqet më rrallë në poezinë tonë për fëmijë, sepse fëmijët e kanë më lehtë të thonë p.sh ‘Ishte trim porsi luan’ sesa ‘Ishte trim luan’ (Poe.431);
…personifikimi është tropi më i dashur i fëmijëve (Poe.435);
Onomatopeja është njëra ndër figurat më të pranueshme stilistike jo vetëm në poezinë tonë për fëmijë, por në mbarë botën (Poe.444).
Deva vlerëson befasinë dhe enigmën në krijimet letrare për të vegjlit. Po kështu, konstaton se nën ndikimin e gjëegjëzave, në letërsinë tonë për fëmijë ka lindur edhe një zhanër tjetër i poezisë së kultivuar, vjersha enigmë. Shembull për të sjell krijimin e Kikajt “Vajza me fustan të bardhë”, ku tregohet për një çupë shumë të përkëdhelur e kryeneçe dhe lexuesi vetëm në fund të vjershës merr vesh se bëhet fjalë për një… manekin vitrine.
e) Analizon kujdesin e shkrimtarëve për titullin e krijimit letrar, qoftë ky për një vjershë apo tregim, qoftë poemë, novelë a roman, sepse ai është kontakti i parë me lexuesin. Parashtron disa kërkesa për të (të jetë intrigues, të paralajmërojë për temën, për përmbajtjen e veprës, për fabulën reale apo fantastike, për vendin, kohën, për florën a faunën etj.) dhe kërkon që ai t’i përkasë botës fëminore.
f) Përdor metoda matematikore në ilustrimin e shumë dukurive artistike. Kësisoj, kur bëhet fjalë për dukurinë e tragjikes, merret si shembull poema e Alqi Kristos Shpendi me temë nga Lufta Antifashiste. Një fragment i saj, me tortura që armiqtë i bëjnë djaloshit në burg, përcillet në grafik interesant për emocionet që përjeton lexuesi i vogël gjatë leximit.
3. Deva ndjek me vëmendje dinamikën e procesit tonë letrar. Është vëzhgues i mirë i zhvillimeve që përjeton në rrjedhë të kohës poezia jonë për fëmijë, duke nuhatur e hulumtuar dukuritë e reja bashkëkohore. Në këtë mënyrë jep ndihmesë për historinë e LPF.
a) Ai bën vëzhgime për trajtimin sasior e cilësor të temave të veçanta:
- Tema e Luftës Antifashiste zë vend të rëndësishëm, si në prozën e gjatë, ashtu edhe në shumë krijime poetike.
- Fëmijët dhe familja është një tjetër fushë e parapëlqyer. Motive të tilla zënë vend te romanet “Sarajet e bardha” i Vehbi Kikajt, “Pas kthimit” i Ibrahim Kadriut apo “Agimet e kaltra” i Qamil Batallit, po edhe në krijime të shumta poetike për nënën, babain, gjyshen (“Në familjen tonë” të B. Dedjes, etj.)
- Flora e fauna zënë vend të dukshëm si në prozën e gjatë për fëmijë, ashtu edhe në krijimtarinë poetike adresuar atyre. Madje, Ymer Elshani edhe miun e bën një krijesë sharmante e simpatike…
Apo edhe më në imtësi:
Numri i atyre që i kushtuan vargje Skënderbeut është shumë i madh e për fat të keq është i vogël numri i vjershave kualitative (Poe.169);
Vjershat për nënën janë numerikisht të shumta… Veç… mos ndoshta na del ngapak e idealizuar figura e saj? (Poe.291);
Me vjershën e Vehbi Kikajt “Ti dëborë ke mbuluar shtigjet” tematika e mërgmit në poezinë tonë për fëmijë nga aspekti artistik shënon një ngritje rapide (Poe.77).
Këto hulumtime zhvillohen jo vetëm te poezia, por edhe te proza.
b) Bën vëzhgime për dinamikën artistike e estetike të tekstit:
Guranjaku është njëri prej të rrallëve që sadopak do të bëjë përpjekje të reja për ta bërë skemën tonë rimore sa më heterogjene (Poe.469);
Poezia e Hilë Mosit për fëmijë në vitet ’20 krijoi një akord specifik, i cili bëri kthesë të madhe në jehonën poetike të kohës (Poe.493);
Poezia jonë për fëmijë e viteve ’30 nuk shfaq interesim të veçantë për edukimin estetik të të vegjëlve,…(Poe. 263);
Hapin vendimtar drejt pasurimit leksikor të poezisë sonë për fëmijë e bëjnë krijuesit e viteve ’50 e ’60,…(Poe.450).
- Për lojën vlerëson: …me manifestimin e lojës poezia jonë për fëmijë hyn në një etapë të re të autonomisë kreative,…(Poe.388).
c) Pozitiv është fakti që shpesh studiuesi jep udhëzime e këshilla me vlerë për ta përmirësuar poezinë tonë për fëmijë në të ardhmen, sugjerime që konsistojnë si për tematikën, trajtimin e saj, për përdorimin teknik të strofës etj. Psh:
Në përgjithësi, babai në poezinë tonë për fëmijë ka portretin e vet të qartë, që është shumë më real se portreti i nënës, por fitohet përshtypja që në këtë portret ka mjaft vend që të punojnë “piktorët” e rinj. Mbetet të thellohet në të sidomos momenti psikik. (f. 295);
Del detyrë të krijohet gjyshi social i kohës (Poe.299);
Strofa safike meriton të kultivohet edhe më tej (Poe.458) etj.
Sugjerimet mund të jenë edhe më specifike, për një autor të caktuar. Fjalavjen, për Abdyl Bunjakun, kur analizon pjesët teatrore të vëllimit “Ndarja e roleve” (Fja.53), thekson se autori duhet t’i largohet dialogut banal, të zakonshëm, të rëndomtë e të synojë atë poetik, me bukuri fjale, mendimi e kumbim.
4. Studiuesi në vazhdë të punimeve të tij portretizon poetët e shkrimtarët për fëmijë. Në këtë mënyrë vendos edhe një hierarki.
a) Midis krijuesve vlerëson ata që sjellin të renë. Heton karakteristikën më të fortë në krijimtarinë e një autori, qoftë kjo në tematikë apo në artin e tij, në moshën së cilës i adresohet: Anton Berisha: … i këndon botës përmes një intonacioni popullor (Fja.123);
Mark Krasniqi: bota florike-faunale, koncepti personifikues;
Rifat Kukaj: do të botojë romanin “Minaku i përhimtë” duke dëshmuar se ky autor përfaqëson vendin më kryesor në romanin shqip për fëmijë (Rom.20).
Vehbi Kikaj gjithësesi mbetet njëri prej poetëve më të fuqishëm (Fja. 35);
Gani Xhafolli angazhohet haptas për një shprehje moderne (Fja.220) etj.
Devën e entuziazmonte çdo botim i ri që pasuronte radhët e krijuesve tanë. Ndaj autorin mundohej ta mirëpriste, t’i uronte mirëseardhjen, t’i vinte në dukje anët pozitive të krijimit, ta orientonte për të gjetur veten, zhanrin e llojin letrar ku duhej t’i derdhte energjitë në të ardhmen. Botimet e radhës studiuesi i vështron dhe i vlerëson në dy plane: si për vendin që zinte vepra në krijimtarinë e vetë autorit, ashtu edhe në kuadër më të gjerë, në letërsinë për fëmijë. Ai njeh mirë potencialin e secilit krijues dhe kërkon nga çdonjëri maksimumin e shprehjes e të përpjekjes në krijimtari. Kështu, fjalavjen, te B. Dedja: poemthi “Tregim për lepurushkat trime…” përkah niveli artistik dhe estetik nuk qëndron në nivelin e poemave të tjera të këtij krijuesi…(Poe.354).
Studuesi heton edhe ndikimet e njërit krijues nga një tjetër, brenda vendit apo edhe i letërsisë botërore për fëmijë.
b) Hierarki për tema, zhanre e gjini të veçanta, duke evidentuar arritjet më cilësore:
Në poezi: Vjersha e Vehbi Kikajt “Ecjen e mësoi prej lumit” është njëra ndër poezitë më të bukura kushtuar dëshmorëve, (Poe.200); “Në familjen tonë”e B. Dedjes është ndër krijimet tona më të sukseshmet, ku këngëtohet puna (Poe.258);
Te poemat: “Posta e porositur” e Mark Krasniqit ka karakterin e një përralle moderne (Poe.156);Njëra ndër poemat më të fuqishme me temë të Luftës NCL është ajo e Rexhep Hoxhës “Krahë zjarri mbi tokë nartirësh” (Poe.222);
Te romanet apo përmbledhjet e tjera në prozë a poezi: Vëllimi “Përralla të zgjedhura” i Gaqo Bushakës mbetet njëra ndër veprat më të rëndësishme të prozës sonë për fëmijët e moshës më të ulët (Fja.139); “Klasa e çapkënëve” e Bunjakut është njëra nga realizimet më të mira të dramaturgjisë sonë për fëmijë (Fja.59).
5. Deva ka gjykimin e vet autoritar, të pavarur nga ai i të tjerëve. Gjithashtu, kritikon me guxim qytetar qoftë lajthitjet e krijuesve, qoftë edhe nivelin e ulët artistik të krijimtarisë, pa marrë parasysh hatërmbetjet. Por ai është edhe polemik. Ka patur raste që një vepër është kritikuar në Republikën e Shqipërisë, por mendimi i Devës është i painfluencuar nga ai vlerësim socrealist. Bie fjala, novela “Pranvera e madhe” e Sotir Andonit u kritikua rëndë, kurse në analizën e Devës vlerësohet mjaft: Pa dyshim, novela e Sotir Andonit “Pranvera e madhe”, është njëra ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë për fëmijë (Fja. 99).
Madje, Deva kritikon jo vetëm krijime, po edhe ndonjë studim kur konstaton lajthitje gjykimi. Psh: Muzafer Xhaxhiu e hedh poshtë funksionin e onomatopesë… Ai s’do mend se ka hyrë në një terren të cilin nuk e njeh sa duhet… Gjithë ata që mohojnë onomatopenë, gabojnë (Poe.444).
Akademiku Bedri Dedja pati bërë një periodizim të përgjithshëm për letërsinë shqipe për fëmijë. Por Deva polemizoi duke gjykuar se ai periodizim nuk merrte parasysh krijimet letrare për fëmijë të shkrimtarëve shqiptarë jashtë territorit të RPSH, në ish-Jugosllavi (Poe.25). Atëherë Dedja, duke iu larguar edhe kriterit politik, pas rrëzimit të Diktaturës bëri korigjimet e nevojshme në Periodizimin e vet.
Objekt i kritikave të Devës bëhen aspekte të ndryshme të krijimtarisë, si:
a) Realizimi artistik i krijimeve: Në poemën “Gaveta partizane”, Grilloja sikur kënaqet vetëm me skicimin e veprimit e nuk ka ambicje më serioze që poemës së vet t’i japë intensitet përmes gdhendjes së personazheve, përmes thellimit të botës shpirtërore. (Poe.211)
b) Gjuha me të cilën shkruhen krijimet, gjuhën e autorit, si dhe të personazheve veprues. Ai e kritikon Abdyl Bunjakun që në pjesët e tij teatrore nuk i kushton vëmendjen e duhur këtij aspekti:…gjuha në to na del plot dialektalizma, provincializma, arkaizma e ç’është më e rrezikshme shumë shpesh Bunjaku përdor vulgarizma të ndryshme si psh. budalla, hutaq, i çmendur, pështjellaq etj.(Fja. 62-63)
c) Ana ideore e pedagogjike e krijimeve: Në përrallën e Gjergj Zhejit “Çupa e trëndafilave” ka shumë momente të diskutueshme: …b) fejesa e foshnjes nuk akuzohet;… ç) a nuk është e trishtueshme skena kur motra e keqe ia nxjerr vogëlushit të dy sytë… (Poe.153).
d) Informacioni i gabuar shkencor që sjellin: Vehbi Kikaj te vjersha “Leka i Madh kishte një hall të madh” në një varg thotë: “I erdhi dita e pleqërisë…”, e Leka i Madh ka vdekur i ri (Poe.271).
e) Titujt e pagoditur të krijimeve: Titulli “Pleshti” i Dritëro Agollit më shumë e dëbon sesa e afron lexuesin kah libri… (Poe.359)
6. Duhet vlerësuar te Agim Deva ligjërimi shkencor, poetika e shprehjes me diamante metorash, psh:
Ndër të parët që pas Lufte do ta ngrejë gishtin për lojë është Josip V. Rela, i cili…(Fja. 384);
…një numër i madh krahasimesh merr frymë me mushkëritë e etnosit tonë (Poe.423);
Pa konflikt tregimi nuk mund të dallgëzohet… (Fja. 195) etj.
Shpesh studiuesi e njom shprehjen e vet edhe me ndonjë fjalë të urtë latine, si: Betohem me fjalën e mësuesit; Prej secilit dru nuk mbarohet statuja e Mërkurit; etj.

III. Profesorin Agim Deva nuk e idealizojmë.
1. Si gjithë krijuesit e studiuesit e kurajës së tij, edhe ai i paguan haraç socrealizmit. Kjo dëshmohet në qëndrimet që mban aty-këtu ndaj religjionit apo në karakterin edukues të letërsisë për fëmijë, që shikohet strikt e parësor. Kësisoj, për shembull, nocionin shkrimtar Deva e lidh ngushtë me nocionet edukator, mësues, udhërrëfyes. Dhe efektet, funksionet e letërsisë, të cilat ai i studion në kapituj të veçantë, siç thamë, i karakterizon në tri aspekte. Vërejtja jonë është që këto kritere duheshin klasifikuar në rend të përmbysur: në vend të parë duhej vënë karakteri zbavitës, pastaj ai njohës dhe, së treti, karakteri edukativ.
2. Mund të hetojmë ndonjë pasaktësi. Psh:
Te titulli i librit të dytë, Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), piketa fillestare e harkut kohor duhej të ishte paksa më e hershme. Studiuesi sqaron se viti 1872 është marrë si fillim i poezisë shqipe për fëmijë, sepse në atë vit Kristoforidhi ka botuar “Abetaren” e vet, ku ndodhet vjersha “Ylli i vogël lart në qiell”. (Nën shëmbullin e Devës arsyeton e vepron 15 vjet më vonë edhe prof. Grilloja në lexikonin e vet, kur e titullon “Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë, 1872-1995”). Por abetarja e Kristoforidhit gjendet e botuar në tri variante, ndër të cilat vetëm njëra ka në ballinën e saj vitin e botimit, 1872. Dhe, siç është vërtetuar nga studiuesit tanë, dy tekstet e tjera, të cilat gjithashtu e përmbajnë vjershën në fjalë, janë më të hershme, të vitit 1866 apo 1867. Nuk është puna këtu se e zmadhuam domenin e poezisë shqipe për fëmijë duke e shtyrë gardhin edhe 5-6 vite më tutje, por, siç sqarojmë edhe në shkrimet tona të tjera për këtë problem, hedhim dritë në disa aspekte me interes studimor.
Pasaktësi tjetër? Që të kërkosh ndihmën e matematikës për të interpretuar dukuri të teorisë së letërsisë, është gjë e mirë, veç atë duhet ta zotërosh e ta zbatosh siç duhet, ndryshe “mbretëresha e shkencave” është ca nazike të të pranojë paraqitje grafike të prerjes së bashkësive për atë të planeve (Poe.184).
3. Konstatojmë se studiuesi sikur nuk operon me konceptet “letërsi për fëmijë” dhe “lexim për fëmijë”. Duam të themi se në ndonjë rast Deva inkuadron në domenet e LPF vepra që nuk i përkasin posaçërisht kësaj fushe: Ll. Siliqi, poema “Mësuesi”; I. Kadare “Shpjegim për librat Besianës së vogël” dhe poema “Sekretari”; D. Agolli “Balada e Rrush Rushitit” apo edhe poema “Pleshti”; “Këngët e maleve” dhe “Kënga e maliherit” e Fatmir Gjatës…
4. Thamë fjalë të mira për gjuhën dhe stilin e studiuesit. Megjithatë, mund të bënim ndonjë qortim për përdorimin e shumë fjalëve të huaja nga Deva, të tilla si: delikuent, akcentruar, definim,labilizon, enterierit, absorbuese, hiperproduksion, rapideetj.

IV. Përfundim: Agim Deva pati jetë të vrullshme si studiues, krijues e veprimtar. Veprës së vet i dha jetëgjatësi. Studimet e kritikat e tij dëshmojnë për kulturë të lartë letrare, lidhjen ngushtë me procesin e krijimit letrar, kanë ngjyresa kritike e polemike dhe i lagohen ca metodës socrealiste. Ndaj edhe sot e kësaj dite, ato e ruajnë freskinë dhe ne ende kemi se ç’të mësojmë. Ato janë një kontribut me vlerë e një ndihmesë për krijuesit, për studiuesit e fushës së teorizë e të historisë së LPF, për mësuesit e më gjerë dhe e vendosin Devën në piedestal, si njërin ndër studiuesit më të talentuar të letërsisë shqipe për fëmijë.
Neve na del detyrë që të përqokim nga periodiku (1983-2009) shkrimet e tjera të Devës dhe t’i botojmë në një përmbledhje postume.
——————————–
Kumtesë e mbajtur më 6 qershor 2014 në Prishtinë, në veprimtarinë shkencore të organizuar nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”