Viti i gjuhëve botërore, në shqip vijnë persët

VITI I GJUHËVE BOTËRORE, NË SHQIP VIJNË PERSËT

Gjylistani dhe Bostani
Viti 2009 është shpallur nga UNESCO viti i gjuhëve botërore dhe në këtë kuadër nga puna ka nisur Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, duke përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe librin “Historia e letërsisë perse”, të autorit iranian Ahmed Tamimdari. “Duke pasur parasysh kapacitetet e pranisë dhe të kaluarës të letërsisë perse në trojet shqiptare, ky libër do të shërbejë si një burim i përshtatshëm për të interesuarit dhe hulumtuesit shqipfolës të rajonit”, – thuhet në njoftimin për shtyp të këtij fondacioni.
Libri në fjalë u përkthye nga Abdullah Rexhepi, student shqiptar që vazhdon studimet për doktoraturë në gjuhë dhe letërsinë perse në Iran. Redaktimi i librit është bërë nga prof. dr Jorgo Bulo, një nga figurat e njohura të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në parathënie të këtij libri të drejtorit të fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh, shkruan: “…Letërsia perse është një thesar i madh dijesh dhe njohurish. Kjo letërsi ka mundur më së miri që të ruajë mësimet e saj dhe t’i përcjellë ato te popujt, te kulturat dhe qytetërimet e tjera botërore. Kudo që ka depërtuar kjo letërsi, opinioni publik kulturor i atij vendi jo vetëm që e ka përqafuar vullnetarisht dhe me dëshirë këtë letërsi, por më së miri e ka shfrytëzuar, duke pasuruar thesarin e njohurive të letërsisë së vet. Në shumë vende të botës edhe pse s’ka pasur ndonjë institucion kulturor iranian, që të përkthente, të botonte dhe të promovonte vepra nga letërsia perse, u vu re se shumë prej veprave të letërsisë iraniane ishin përkthyer dhe botuar, në mënyrë të vullnetshme dhe të vetvetishme, nga intelektualët dhe nga elita kulturore së shoqërisë së vendeve përkatëse. Letërsia perse është e njohur edhe në Shqipëri; shoqëria dhe kultura shqiptare e kanë njohur këtë letërsi para më shumë se gjysmëshekulli.
Vepra të letërsisë perse si “Gjylistani dhe Bostani” i Sadiut, pjesë të zgjedhura nga “Shah Nameja” e Firdeusit, “Rubairat” e Omar Khajamit në këtë vend janë përkthyer dhe botuar në mënyrë të vetvetishme”.

Related Posts: