Showing posts with label Psikologji. Show all posts
Showing posts with label Psikologji. Show all posts

Studimi: A mund të kenë kafshët ndjenja?

Çfarë i bën qentë të shkojnë për vite me radhë te varri i padronit të tyre? A është kjo dashuri apo instinkti i mbijetesës?
Psychology Today

Nëse kafshët mund ta përjetojnë dashurinë apo jo, kjo është e panjohur. Por ka disa prova që tregojnë se kafshët janë në gjendje të përjetojnë disa emocione të ngjashme me njeriun. Truri i disa mamalëve është çuditërisht i ngjashëm me trurin e njeriut.
Për shembull, truri i një maceje është më i vogël krahasuar me atë të njeriut, pasi zë vetëm një për qind të masës së tyre trupore, ndërsa te njeriu zë dy për qind. Por masa nuk ka gjithnjë rëndësi.
Neandertalët, hominidët që u zhdukën rreth 200 mijë vjet më parë, kishin masë truri më të madhe se homosapiensët, por kjo nuk i bën më të zgjuar.
Struktura dhe rrudhat kanë më shumë rëndësi tek truri dhe macet i kanë këto cilësi të ngjashme  90 për qind me njeriun.
Kjo tregon se macet mund të jenë në fakt në gjendje të përjetojnë dashurinë romantike. Një gjë është e rëndësishme të qartësohet, që macja apo qeni juaj nuk ju sheh vetëm si dhënës ushqimi.
Kafshët shtëpiake dhe ato të kopshteve zoologjike krijojnë lidhje të forta me personat që kujdesen për ta. Meqë afeksioni është një formë dashurie, kafshët janë në gjendje të duan edhe ata që përkujdesen për to.

Qentë kanë treguar se e kanë dashur aq shumë padronin e tyre saqë kanë vajtuar për vdekjen e tij për vite me radhë. Lidhja e qenve me pronarët e tyre është konfirmuar prej një studimi të bërë nga Daniel Mills,  specialist britanik në klinikën e sjelljes së kafshëve.
Studiuesi vëzhgoi sjelljen e qenve dhe maceve kundrejt pronarëve dhe të huajve. Ai zbuloi se qeni i përkushtuar pas të zotit sillej njëlloj si fëmijët e sapolindur kur ai largohej nga shtëpia, ndërsa kjo sjellje nuk u pa te macet. Në fakt, macet mund të bëjnë të kundërtën, ato shpesh injorojnë pronarët dhe u kushtojnë vëmendje të huajve.
Ndonëse është e qartë se qentë mund të afeksionohen pas pronarëve, sepse ata përkujdesen për mikun e tyre katërkëmbësh, ndodh që nderi t’u kthehet, pasi është vërtetuar që edhe qentë mund të marrin rol përkujdesës.
Në një studim të Universitetit të Londrës, u zbulua se qentë kanë më shumë gjasa t’i afrohen një njeriu që qan, sesa një tjetri që po flet apo bën zhurmë.
Mënyra e sjelljes së qenve ndaj atyre që qajnë nuk ndikohet vetëm prej kuriozitetit, por për shkak të keqardhjes që ndien. Ndryshe nga të sapolindurit ose fëmijët e vegjël, qeni mund të marrë rolin e përkujdesësit, që i bën ata më të sofistikuar nga ana emocionale sesa njeriu në fazat e para të jetës.
Këto përfundime janë konfirmuar nga skanerët e trurit. Aktiviteti i trurit të një qeni rritej kur përjetonte afërsi dhe ndjeshmëri ndaj pronarit. Një teori beson se qentë mendojnë për gjërat që mund të jenë duke i shkuar në mendje padronit të tyre.
Kafshët duket se janë në gjendje të përjetojnë dashuri edhe për njëra-tjetrën. Po ashtu kafshët mund të krijojnë ndonjëherë marrëdhënie afërsie me specie të tjera jonjerëzore.
Dashuria romantike nuk është e kufizuar te kafshët. Në librin e tij Mind of the Raven(Mendja e Korbit), biologu Bernd Heinrich argumenton se meqë korbat kanë partnerë afatgjatë, ata duhet të ndiejnë një lidhje të fortë për njëri-tjetrin.
Ndryshe është e vështirë të shpjegohet se çfarë i mban çiftet së bashku për të gjithë jetën. Pavarësisht se jo të gjithë shpendët çiftëzohen përjetësisht, shumë prej tyre e bëjnë këtë gjë.
Patat e egra nuk bëjnë përjashtim. Një dokumentar i BBC tregon për një patë të egër mashkull që kishte zgjedhur një breshkë femër 45 vjeçe, si shpirtin e tij binjak.
Ai i kundërvihej kujtdo që përpiqej t’i afrohej asaj, duke u siguruar që ajo të ushqehej pa u shqetësuar prej njeriu.
Shkencëtarët besojnë se ekzistojnë ndjesi të ngjashme me dashurinë që përjeton njeriu, edhe te kafshët. Ndonëse jo të gjitha dyshimet janë të vërtetuara, misteri i ndjenjave të kafshëve zbulohet çdo ditë e nga pak.

Fëmijëria juaj nuk ka të bëjë me problemet që keni tani


 Të gjithë e dinë se çdo individ reagon në mënyrë krejt të ndryshme ndaj të njëjtave ngjarje. Aq shumë e pati mbërthyer Xhenin frika nga provimi i radhës që afronte, sa nuk vuri gjumë në sy tërë natën e kaluar dhe tani po çapit drejt sallës së provimit, duke u dridhur nga tmerri. Shoqja e saj, Barbara, e cila po ashtu do të japë të njëjtin provim, as e ka prishur fare terezinë.
Është krejt e qartë se reagimi i një personi ndaj ngjarjeve nuk shpjegohet tërësisht me vetë ngjarjen, por i detyrohet diçka edhe vetë personit. Megjithatë, në vend që të ndalojnë e të shohin te bindjet e vetëdijshme të personit (p.sh. bindjet e Xhenit për provimin), terapistët shpesh përpiqen që këto ndjenja dhe veprime të personit t’i shpjegojnë me anë të gjendjes “së pavetëdijshme” të mendjes së tij.
Zigmund Frojdi e zhvilloi këtë mënyrë shpjegimi të sjelljeve njerëzore qysh në fillim të shekullit XX, një metodë kjo e trumbetuar nga shumë filma hollivudianë që nga viti 1930 e këtej. Frojdi besonte se ndjenjat dhe veprimet tona shkaktohen nga impulset “e pavetëdijshme” – gjëra që ekzistojnë në mendjen tonë – por rreth të cilave ne nuk jemi në dijeni. Mendjet tona janë plot e përplot me forca të errëta e të kamufluara, për ekzistencën e të cilave ne jemi zakonisht të pavetëdijshëm. Si kanë hyrë atje këto forca misterioze? Ato, gjoja e kanë zanafillën qysh nga përvojat dhe përjetimet e fëmijërisë sonë.
Frika e Xhenit ndaj provimit mund të shpjegohet me rastësitë që i kanë ndodhur në fëmijërinë e hershme. Frojdi besonte se mënyra për ta kuruar Xhenin do të ishte që të rrëmoje nëpër kujtimet e varrosura të këtyre rastësive, ta bëje Xhenin që t’i nxirrte ato e me këtë t’i tregonte asaj se si ia kishin shkaktuar ankthin e tanishëm për provimin. Ky rrëmim nëpër “mendjen e pavetëdijshme” të Xhenit mund të jetë një proces i gjatë dhe i kushtueshëm. Terapisti e nxit klientin që të rindërtojë disa nga rastësitë e fëmijërisë, por, duke pranuar njëkohësisht edhe teorinë e terapistit se si e qysh qenkëshin të lidhura ato rastësi me problemet e tanishme të tij.
Kjo metodë e zgjidhjes së problemeve njerëzore është bërë tepër e njohur dhe mjaft individë presin që terapisti të shfaqë interes ndaj hollësive të fëmijërisë së tyre. Por në fakt, nuk kemi as mbeturinat e ndonjë dëshmie të fortë e të qëndrueshme, e cila do të mund të na rrëfente se kujtimet e anktheve të fëmijërisë së hershme paskëshin ndopak lidhje me vështirësitë e vazhdueshme emocionale të personit. Edhe nëse arrijmë t’ia zbulojmë ato ankthe, nuk është se kjo gjë do ta ndihmonte tani personin. Madje, edhe në ato raste, kur problemet e tij aktuale kanë vërtet një lloj lidhje me përvojat e pakëndshme të së shkuarës, është pikërisht mënyra e tanishme e të menduarit të këtij personi rreth atyre përvojave, e cila ia shkakton dëmin dhe jo vetë përvoja.
Teoria se ndjenjat dhe sjelljet tona u komanduakan nga forca “të pavetëdijshme”, jo vetëm është e pathemeltë, por mund të jetë e dëmshme. Nëse njerëzit me probleme do ta besonin këtë teori, ato do të demoralizoheshin. Kjo teori u sugjeron njerëzve me probleme emocionale se ata nuk janë gjë tjetër veçse marioneta në duart e ca forcave të errëta, të cilat jo vetëm nuk mund t’i komandojnë, por madje as t’i njohin dot. Në vend që t’i inkurajojë klientët me idenë e ndjesisë se janë ata vetë përgjegjës të problemeve të tyre dhe se prandaj e kanë mundësinë që të bëjnë drejtpërsëdrejti diçka, kjo teori i ngulit individit në mendje sikur ai qenkësh krejt i pashpresë e madje i çmendur. Në fakt, kjo teori e shtyn individin që ta braktisë luftën për të qenë efikas dhe racional.

Miqësia: Pesë gabimet më të mëdha të femrave në miqësi

Miqësia është e panevojshme, ashtu sikurse filozofia dhe arti… Nuk ka asnjë vlerë mbijetese, por është një nga ato gjërat që i jep vlerë mbijetesës

SHASTA NELSON, “Huffington Post”


Të gjithë duam miqësi praktike, me kuptim dhe të rehatshme, e cila t’i shmangë sa më shumë reagimet e tepruara ndaj problemeve të caktuara. Ndonëse kjo tingëllon fantastike, shumë prej nesh kanë ngecur në vetmi, për shkak të miqësive që shkojnë keq. Ja cilat janë pesë gabimet më të mëdha të femrave në miqësi.
1. Femrat mendojnë se miqësitë zbulohen. Ky mendim mbetet akoma gabimi numër një i femrave. Ideja që miqësia thjesht ndodh dhe zbulohet vetë papritur është një besim që e dëmton gjithnjë e më shumë jetën tonë. Nga njëra anë mund të ndodhë të takoni një shoqe që është shumë fantastike, por thjesht takimi dhe pëlqimi i njëra-tjetrës nuk do të çojë në miqësi. Nga ana tjetër, shembulli më i mirë i miqësisë mund të jetë një kolege pune, me të cilën e zhvillon miqësinë më ngadalë. Pra, miqësia nuk është të gjesh dikë, por të zhvillosh sjellje pozitive dhe të vazhdueshme ndaj dikujt.
2. Femrat nuk bëjnë më mikesha të reja. Mund të tingëllojë çuditshëm, por ne humbim gjysmën e miqve tanë çdo shtatë vjet. Kjo, për shkak të ndryshimit të karrierës, lëvizjeve nga një qytet në tjetrin dhe mënyrës tjetër të jetesës. Duke pasur parasysh që duhen afërsisht një deri në dy vjet për të kaluar fazën nga të panjohura në mikesha, nuk duhet pritur sa të mbeteni plotësisht vetëm përpara se të bëni mikesha të reja. Nëse ndiheni plotësisht të kompletuara me mikeshat tuaja tani, nga ta dini se nuk do t’i humbisni ato pas një ose dy vjetësh? Miqësia është e nevojshme në çdo kohë.
3. Femrat ruajnë radhën në ftesa. Shumë miqësi nuk zhvillohen kurrë vetëm prej frikës që na pëshpërit “unë e ftova atë herën e shkuar, tani i takon asaj të më ftojë”. Kjo nuk është e vërtetë. Ne duhet t’u japim miqësive fuqinë tonë, këtu futet iniciativa dhe planifikimi i kohës së bashku. Nëse keni kohë të lirë dhe do të donit ta kalonit me mikeshat tuaja, atëherë mos mendoni se kush e bëri ftesën e fundit, thjesht ftojini dhe kaloni një kohë të mrekullueshme. Reciprocitetin në miqësi, mikeshat tuaja do ta tregojnë në shumë mënyra të tjera. Mos u kapni pas gjërave të vogla, pasi do të mbesni vetëm.
4. Krahasimi i mikeshave të reja me ato të ngushta. Të gjitha e bëjnë këtë shpesh! Kalimi i kohës me miqtë e rinj nuk tregon se çfarë do të bëhen ata për ne, por thjesht çfarë janë tani në të tashmen. Për këtë arsye, nëse takimet tuaja me njerëz të rinj mund të kenë pak nota çuditërie, nuk është faji i personave, por i mungesës së marrëdhënies shoqërore që do të vijë me kalimin e kohës. Natyrisht që edhe mikeshat e ngushta të dikujt e kanë kaluar një herë e një kohë një periudhë të tillë, ku bisedat janë shtrëngime të pavetëdijshme për të gjetur tema dhe gjuhën e përbashkët. Gabimi më i madh është krahasimi, jepuni mikeshave të reja kohë të tregojnë se cilat janë. Deri atëherë, qëndroni larg krahasimeve.
5. Femrat gjykojnë veprimet e mikeshave. Ky është gabimi më i hasur në sferën e shoqërisë femërore. Mjaftojnë pak veprime nga njëra anë, për ta bërë anën tjetër të arrijë në përfundime të padiskutueshme. Nëse i çoni mesazhe një mikeshe dhe ajo nuk ju përgjigjet, mos mendoni menjëherë se nuk do të flasë me ju, përkundrazi provoni ta merrni në telefon dhe ta pyesni për problemet që mund të ketë. Krijimi i skenarëve nënvlerësues ndaj vetes dhe miqësisë, mund t’ju dëmtojë shumë. Është më mirë të kërkoni të vërtetën sesa të ndiqni gjykimin tuaj që mund të jetë i nxituar. Mos ushtroni presion ndaj mikeshave tuaja, jepuni atyre mirëkuptim dhe dashuri, askush nuk e ka jetën të thjeshtë.


Aforizma mbi miqësinë
“Shoku është një dhuratë që ti i bën vetvetes.” Robert Louis Stevenson

“Unë kurrë nuk e kam marrë si shkak për t’u ndarë nga një mik dallimin e opinionit mbi politikën, fenë apo filozofinë.” Tomas Xheferson
“Mos ec pas meje, mund të mos udhëheq. Mos ec përpara meje, mund të mos të ndjek. Ec krah meje dhe bëhu miku im.” Albert Kamy
“Një nga cilësitë më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.” Seneka

“Një mik i vërtetë të plagos përballë.” Oskar Uajld

“E vetmja mënyrë për të bërë një mik, është të jesh një i tillë.” Ralf Ualdo Emerson

“E vërteta është se të gjithë do t’ju lëndojnë. Thjesht duhet të gjeni personat për të cilët ia vlen të vuash.” Bob Marlej

“Nuk kam nevojë për një mik që ndryshon kur ndryshoj unë, që tund kokën kur e tund edhe unë. Hija ime e bën këtë më mirë.” Plutarku

“Ji i vërtetë me punën, fjalët dhe miqtë.” Henri David Thoreau

“Disa njerëz shkojnë te prifti, të tjerë shkruajnë poezi, unë kam miqtë e mi.” Virxhinia Ulf

“Gjuha e miqësisë nuk janë fjalët, por kuptimet.” Henri David Thoreau

“Miqësia konsiston në harresën e atyre që jep dhe mbajtjen mend të atyre që merr.” Aleksandër Dyma

“Të gjithë mund të solidarizohen me vuajtjen e një miku, por pak mund të durojnë suksesin e tij.” Oskar Uajld

Muzika të shëron, zhurma të sëmur

Efektet negative të zhurmës ndikojnë shumë mbi presionin e gjakut



Studimet mbi efektet e tingujve në sistemin e qarkullimit të gjakut konfirmojnë vetitë terapeutike nëse dëgjojmë çdo ditë muzikë




Nëse dëshironi të ndiheni në formë çdo ditë, dëgjoni 12 minuta muzikë. Kjo është terapia që u këshillon profesor Predrag Mitrovic nga Universiteti i Beogradit pacientëve të sëmurë nga zemra. Një studim i gjatë, i filluar që në vitin 1990, ka konfirmuar efektet mirëbërëse mbi sistemin e qarkullimit të gjakut. Pas 19 vitesh studime, rezultatet janë paraqitur në kongresin e përvitshëm të Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë. 370 pacientët e sëmurë me zemër, që gjatë viteve të fundit kanë dëgjuar të paktën 12 minuta muzikë në ditë, janë më pak të sëmurë nga hipertensioni, numri i rrahjeve të zemrës është ulur dhe sëmundja nuk u është përsëritur më, në krahasim me 370 pacientët e tjerë që nuk iu nënshtruan terapisë për të dëgjuar muzikë në darkë.



Efekte mbi tensionin



Ideja e muzikës si kurë, profesor Mitrovic-it i erdhi në vitin 1985, kur gjatë shërbimit në repartin e onkologjisë pediatrike i bëri një operacion të vështirë një vajze, e cila gjatë kohës së ndërhyrjes dëgjonte muzikë dhe ndryshe nga të gjithë bashkëmoshatarët e saj, nuk dha asnjë shenjë dhimbjeje. Që atëherë, Mitrovic, edhe duke u ballafaquar me studime analoge mbi vetitë terapeutike të muzikës, iu dedikua totalisht për të parë ndikimin që kishte mbi presionin e gjakut. Sipas përshkrimeve të profesorit, muzika që duhet dëgjuar, duhet të jetë klasike, por disa pacientë kanë treguar se e kanë zëvendësuar atë me muzikë pop. Profesor Mitrovic ka thënë se shijet janë subjektive dhe se më e rëndësishmja është që muzika të perceptohet si pushim. Por ndryshe nga ky pohim, Mitrovic është shprehur për revistën e specializuar "Heart Wire", se jo të gjitha rrymat e muzikës mund të kenë veti terapeutike mbi shëndetin e njeriut.



Kurimi



Pse muzika mund të na shqetësojë, apo në të kundërt të na qetësojë; mund të na shtyjë drejt një agresiviteti, apo të na nxisë drejt një dashurie? Në ç‘mënyrë muzika mund të ketë efekte terapeutike dhe të qëndrojë përkrah terapive psikiatrike të suksesshme? Vetëm prej pak vitesh shkenca, veçanërisht neuroshkenca, i është dedikuar kuptimit të fenomeneve që lidhen me dëgjimin e muzikës. Pikërisht zbulimet e fundit tregojnë se muzika dhe shkenca kanë lidhje me njëra-tjetrën. Lidhja racionale mendim-muzikë nuk ekziston vetëm te fëmijët. Është provuar se muzika nuk është e bezdisshme, por që zgjidhet me dëshirë nga të gjithë, veçanërisht nga dëgjuesit e rinj. Ka efekt mbi vigjilencën, humorin dhe arsyen për të kryer punë të ndryshme, të cilat kërkojnë një përqendrim të veçantë. Veç të tjerash, nëse eksplorojmë në natyrë dhe etnologji raportin muzikë-mendim, do të zbulojmë lidhje të vjetra dhe shumë të thella. Në botën e kafshëve, muzika mund të ketë funksion preciz komunikimi: të bërtitura alarmi, ndjenjë rreziku, gëzim fitoreje ose tërheqje seksuale. Në popullsinë e lashtë, këngët shpesh herë shoqëroheshin me vallëzime, ishin "vegla" pothuajse hipnotizuese kolektive, që krijonin një sugjerim të tillë, të nxitur nga dhuna e gjuetisë ose e përleshjeve. Por nuk është shumë e nevojshme të kthehemi pas në kohë dhe qytetërim për të gjetur se si marshimet ushtarake i ndihmonin ushtarët të luftonin me më shumë kurajë. Muzika i ofron të sëmurit një mundësi ndryshe për të ndjerë veten dhe për të transmetuar ndjenjat e tij, duke përdorur një gjuhë ndryshe nga ajo e folur prej botës së të shëndetshmëve.



Dëmet e zhurmave



Ndoshta muzika rok mund të mos bëjë pjesë në standardet e profesorit serb, nëse konfirmohet një studim tjetër që në këtë rast është kryer nga studiuesit e Universitetit të Lundit në Suedi, që "ndotja" akustike nga trafiku urban ndikon negativisht në shëndetin e njerëzve. Studimi, i publikuar tek "Environmental Health Journal", ka analizuar të dhënat klinike të 24 mijë personave, duke i krahasuar me nivelin mesatar të zhurmës së trafikut në zonën e tyre të banimit. Të jetosh në rrugët ku prodhohen zhurma mbi 60 decibel, përkeqësohet me 25 për qind hipertensioni. Nëse niveli i zhurmave i kalon 64 decibel, përqindja arrin në 90. Edhe pse janë të pakët personat që i përkasin kësaj kategorie, në studim paraqiten me hipertension të lartë. Pra, të jetoni në heshtje dhe të dëgjoni muzikë çdo ditë, është terapia më e keqe që keni zgjedhur për veten.



20 arsyet për të mos pasur ankth nga puna

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile


Shqetësimet e Tonit
Toni, ishte një djalosh i gjatë dhe i hollë njëzet e pesë vjeçar, me kaçurrela të errëta dhe fytyrë zeshkane. Problemi i tij po shkallëzohej, ndërsa vazhdonte ende të bënte shaka me sarkazëm rreth kësaj, duke më folur me një variant standard mendjemprehtësie, të cilin e kisha dëgjuar edhe më parë nga plot e plot klientë të tjerë.
- Pas vite e vite fillesash të rreme dhe përpjekjesh të papjekura, – u shpreh ai me seriozitet tallës, – tashmë them se e kam përvetësuar krejtësisht artin e shqetësimit! (Toni pati kaluar gjashtë muaj terapi tradicionale).
- Ajo më ndihmoi ta kuptoj veten më mirë, ose, kështu pandehja me naivitet asokohe. Përpiqesha ta shpërfill faktin që gjatë tërë kohës vetëm se përkeqësohesha edhe më shumë.
Ai e pati braktisur terapinë, kur një ditë qe kujtuar se mund të përfundonte krejt fillikat, ngaqë e pati ndihmuar të birin e psikoanalistit të tij të ndiqte së shpejti një kolegj. Kur e dashura e Tonit zuri punë në një firmë të njohur juridike të San Franciskos, ata e lanë Nju Jorkun. Tani Toni e ndjente se kishte ardhur koha të përballej sërish me problemin e tij, kështu që iu kthye terapisë.
Toni më bëri shkurtimisht një përmbledhje të shqetësimeve të tij.
- Më kujtohet që shqetësohesha se mos bëj gabime, kur luaja bejsboll me skuadrën e të rinjve të Ligës. Më pas ishin shqetësimet që ndjeja përpara provimeve, por edhe gjatë tyre, kur vazhdoja shkollën e mesme. Veç ta mendosh! I ndjeja ato edhe pas diplomimit. Përherë më dukej se shqetësohesha më shumë se çdokush tjetër. Shqetësohesha edhe për ca gjëra fare të kota dhe këtë problem e trajtoja më keq se shumica e njerëzve. Madje shqetësohesha edhe për faktin se përse isha një njeri që shqetësohej kaq shumë.
Toni shërbente si nëpunës krediti në një bankë, punë të cilën e konsideronte si diçka stresuese. Çdo mëngjes, dita në vazhdim i fanepste si një torturë që ishte gati të shpalosej.
- Në punë, kur nis ndonjë projekt të ri ose merrem me ndonjë problem të vështirë, apo edhe kur kam një mori punësh për të kryer, shqetësohem. Shqetësohem edhe nga ideja për të mësuar ndonjë profesion të ri, ose, kur nuk e bëj punën ashtu si duhet, kam frikë se mos më pushojnë nga puna. Në përgjithësi, sa më tepër u ngjitem lart shkallëve të karrierës në punë, aq më shumë ndihem i shqetësuar.
Ka raste që puna s’është aq e rëndë, p.sh., kur kam diçka që s’do shumë mund, apo, që nuk më ngutin për kohën. Por në përgjithësi, shqetësimet po më shpien drejt asaj që të më mërzitet puna. Nganjëherë rri zgjuar tërë natën i shqetësuar dhe të nesërmen ndihem i drobitur në punë dhe e shtyj kohën duke parë ëndrra me sy hapur. Ndjej vështirësi përqendrimi. Kur fle, bëj gjumë të trazuar dhe për shkak të këtyre shqetësimeve po ia shpie keq edhe në punë.
- Rrënjët e problemit tënd, Toni, – i sugjerova unë, – nuk qëndrojnë te përvojat e Ligës të të rinjve, as te ngjitja e shkallëve të karrierës në punë dhe as te situata jote e lëkundur financiare po humbe punën. Më tepër ato shtrihen te kërkesat e tua ndaj qëllimeve që synon – te DUHET e tua: të bëj patjetër këtë, të bëj patjetër atë…
I shpjegova Tonit sesi e menduara me DUHET prodhon shqetësime. I përshkrova të tri tipat e kërkesave: kërkesat ndaj vetes, kërkesat ndaj të tjerëve, kërkesat ndaj universit.
- Për mua është e qartë se cilat janë DUHET e tua kryesore. A do të ishe kundër sikur të provoje e të hamendësosh, se cilat mund të jenë ato?
- Lërmë ta provoj. Mbase mendësia “DUHET” numër tre: kërkesa ndaj situatës sime – kërkesa ndaj universit. “Koncentrimi nuk DUHET të jetë aq i vështirë”. “Gjumi duhet patjetër të më zërë kollaj”. “Puna ime DUHET të zgjatë përjetësisht?”
- Pikërisht! Dhe, përse DUHET të zgjatë puna jote përjetësisht?
- Sepse po e humba, mora fund fare. Nuk do të gjej dot kurrë një punë aq të mirë. Kam derdhur shumë djersë për të arritur deri këtu. Do më duhej ta rinisja sërish gjithçka nga zeroja!
Vini re që frika e Tonit se mos e humbiste punën, nuk qe një frikë e kotë si ato që radhitëm në krye të këtij kapitulli. Nëpunësit e të gjitha niveleve, madje edhe kur janë punonjës të palodhur, e humbasin nganjëherë punën e tyre. Por, kur e pyesje përse i dukej kjo kaq e tmerrshme, Toni përgjigjej me terma te ekzagjeruara e melodramatike rreth pasojave që mund të kishte po ta humbiste punën.
- Le të supozojmë se ky është rasti – ndonëse nuk ka gjasa se do t’ia nisësh nga niveli zero me përvojën që ke ti. Sigurisht, ne mund të hartojmë një listë me pesëmbëdhjetë apo njëzet disavantazhe që mund të sjellë pushimi yt nga puna. Por, meqenëse çdo njeri ndeshet me pengesa në jetë, përse ti nuk DUHET t’i hasësh ato?
- Kur juve e shtroni çështjen në këtë mënyrë, e pranoj se nuk do të përmbysej bota po ta humbisja unë punën. Mund të jetë diçka e pakëndshme, por jo fatkeqësi. Them se bëj mirë të mos e veçoj veten nga raca njerëzore dhe njëlloj si kushdo tjetër të përballem me faktin e trishtë, se edhe mua mund të më nxjerrë pengesa jeta.
Për ta riforcuar këtë shprehje, Toni dhe unë bëmë një listë me arsyet përse qe e rremë bindja e tij se puna e tanishme do t’i zgjaste përjetësisht. Ja se çfarë shkroi ai:

Arsyet përse bindja: “Puna ime DUHET të zgjatë përjetësisht” është e rremë

1.         Po e humba punën, e humba! Realiteti është realitet dhe ashtu si e mendoj unë se DUHET të jetë.
2.         Megjithëse dua me gjithë shpirt që të mos e humbas punën, preferenca nuk është e barabartë me: “DUHET TË”.
3.         Ndonëse po e humba punën do të kem më shumë probleme financiare e punësimi, por kjo është gjithçka që mund të kem – thjesht probleme, jo tmerre.
4.         Mund të jetë kënaqësi kjo ndërprerje e punës, e cila mbase më mundëson pushimin e shumëpritur për t’i bërë një vizitë tim vëllai në Itali.
5.         Unë kam ca kursime me të cilat do të shtyj ca kohë. Do ta kem zotësinë që ta shfrytëzoj kohën e lirë dhe të bëj përpjekje vërtet të shkëlqyera për të gjetur punën më të mirë të mundshme.
6.         Humbja e punës mund të më japë pikërisht shtysën që më mungonte për të provuar ëndrrën time – hapjen e një biznesi privat si konsulent kompjuterash.
7.         Humbja e punës mund të më japë një rast të artë për të praktikuar pranimin e fatkeqësive, në vend që të merakosem pa qenë nevoja për to.
8.         Unë mund ta shikoj mjaft konkretisht se madje edhe skenarët e rasteve më të këqija nuk janë aq të tmerrshme sa i kisha pandehur.
9.         Po e humba punën, do të ishte vërtet një situatë e keqe, por kjo s’më bën mua një person të keq apo të pavlerë.
10.       Unë mund të tregohem më i kujdesshëm me paratë, p. sh.: mund të zhvendosem në një apartament më të vogël, mund të ha më shpesh në shtëpi, makinën e re mund ta blej pas pesë vitesh e jo menjëherë. Kjo do të thotë disa privime nga jeta, por unë u kam mbijetuar edhe më parë privimeve dhe do tu mbijetoj edhe në të ardhmen.
11.       Thjesht fakti i humbjes së punës sime në vetvete nuk mund të më shqetësojë kurrë. Kjo mund të ndodhë veçse po më dhembi barku prej kësaj.
12.       Madje edhe po nuk gjeta ndonjë punë të paguar po aq mirë sa e tanishmja, unë do ta pranoj këtë fakt dhe do të vijoj ta shijoj jetën sa më shumë, megjithëse me një rrogë të majme do të arrija ta shijoja akoma më mirë.
13.       Humbja e kësaj pune mund të më pajisë me shansin që të gjej rastësisht ndonjë punë tjetër, e cila ka ca avantazhe më të mira se kjo: pronar më ndihmues, bashkëpunëtorë më miqësorë, stres më të pakët, punë më tërheqëse, ec e jake më të shkurtra, hapësirë më të gjerë pune, ose pagë më të mirë.
14.       Stresimi që i bëj vetes se mos më pushojnë, nuk do më ndihmojë që ta ruaj punën. Për më tepër, mund të kthehet në profeci vetëpërmbushëse: sa më shumë ta kërkoj këtë, aq më i stresuar dhe i shpërqendruar bëhem dhe aq më keq punoj.
15.       Në një kuptim më të gjerë, të gjitha punët janë të përkohshme. Ndryshimet e karrierës, papunësia dhe humbja e punës, janë pjesë e jetës.
16.       Nëse e nis nga zeroja një punë të re, unë mund t’i ngjit shkallaret e karrierës sikurse kam bërë edhe më parë.
17.       Çdonjëri ka andralla, pengesa e telashe të dukshme në jetë. Kjo është pjesë e konditave njerëzore. Nuk ka asnjë arsye përse unë DUHET të bëj përjashtim.
18.       Në fakt, mund të jetë një lloj ndjesie çliruese mospërqendrimi te rritja e rangut dhe ngjitjes së shkallëve të karrierës në korporatë.

Toni e lexoi listën përpara mikrofonit të magnetofonit dhe më pas e dëgjoi shiritin e incizuar në shtëpi e në makinën e tij. Efikasitetin e këtij riforcimi ai e vlerësoi si diçka vërtet mahnitëse për mënyrën sesi po ia spastronte “DUHET” dhe si po ia pakësonte në mënyrë drastike shqetësimet që kishte përjetuar më parë./standard

Studimi: A mund të kenë kafshët ndjenja?

Çfarë i bën qentë të shkojnë për vite me radhë te varri i padronit të tyre? A është kjo dashuri apo instinkti i mbijetesës?
Psychology Today

Nëse kafshët mund ta përjetojnë dashurinë apo jo, kjo është e panjohur. Por ka disa prova që tregojnë se kafshët janë në gjendje të përjetojnë disa emocione të ngjashme me njeriun. Truri i disa mamalëve është çuditërisht i ngjashëm me trurin e njeriut.
Për shembull, truri i një maceje është më i vogël krahasuar me atë të njeriut, pasi zë vetëm një për qind të masës së tyre trupore, ndërsa te njeriu zë dy për qind. Por masa nuk ka gjithnjë rëndësi.
Neandertalët, hominidët që u zhdukën rreth 200 mijë vjet më parë, kishin masë truri më të madhe se homosapiensët, por kjo nuk i bën më të zgjuar.
Struktura dhe rrudhat kanë më shumë rëndësi tek truri dhe macet i kanë këto cilësi të ngjashme  90 për qind me njeriun.
Kjo tregon se macet mund të jenë në fakt në gjendje të përjetojnë dashurinë romantike. Një gjë është e rëndësishme të qartësohet, që macja apo qeni juaj nuk ju sheh vetëm si dhënës ushqimi.
Kafshët shtëpiake dhe ato të kopshteve zoologjike krijojnë lidhje të forta me personat që kujdesen për ta. Meqë afeksioni është një formë dashurie, kafshët janë në gjendje të duan edhe ata që përkujdesen për to.

Qentë kanë treguar se e kanë dashur aq shumë padronin e tyre saqë kanë vajtuar për vdekjen e tij për vite me radhë. Lidhja e qenve me pronarët e tyre është konfirmuar prej një studimi të bërë nga Daniel Mills,  specialist britanik në klinikën e sjelljes së kafshëve.
Studiuesi vëzhgoi sjelljen e qenve dhe maceve kundrejt pronarëve dhe të huajve. Ai zbuloi se qeni i përkushtuar pas të zotit sillej njëlloj si fëmijët e sapolindur kur ai largohej nga shtëpia, ndërsa kjo sjellje nuk u pa te macet. Në fakt, macet mund të bëjnë të kundërtën, ato shpesh injorojnë pronarët dhe u kushtojnë vëmendje të huajve.
Ndonëse është e qartë se qentë mund të afeksionohen pas pronarëve, sepse ata përkujdesen për mikun e tyre katërkëmbësh, ndodh që nderi t’u kthehet, pasi është vërtetuar që edhe qentë mund të marrin rol përkujdesës.
Në një studim të Universitetit të Londrës, u zbulua se qentë kanë më shumë gjasa t’i afrohen një njeriu që qan, sesa një tjetri që po flet apo bën zhurmë.
Mënyra e sjelljes së qenve ndaj atyre që qajnë nuk ndikohet vetëm prej kuriozitetit, por për shkak të keqardhjes që ndien. Ndryshe nga të sapolindurit ose fëmijët e vegjël, qeni mund të marrë rolin e përkujdesësit, që i bën ata më të sofistikuar nga ana emocionale sesa njeriu në fazat e para të jetës.
Këto përfundime janë konfirmuar nga skanerët e trurit. Aktiviteti i trurit të një qeni rritej kur përjetonte afërsi dhe ndjeshmëri ndaj pronarit. Një teori beson se qentë mendojnë për gjërat që mund të jenë duke i shkuar në mendje padronit të tyre.
Kafshët duket se janë në gjendje të përjetojnë dashuri edhe për njëra-tjetrën. Po ashtu kafshët mund të krijojnë ndonjëherë marrëdhënie afërsie me specie të tjera jonjerëzore.
Dashuria romantike nuk është e kufizuar te kafshët. Në librin e tij Mind of the Raven(Mendja e Korbit), biologu Bernd Heinrich argumenton se meqë korbat kanë partnerë afatgjatë, ata duhet të ndiejnë një lidhje të fortë për njëri-tjetrin.
Ndryshe është e vështirë të shpjegohet se çfarë i mban çiftet së bashku për të gjithë jetën. Pavarësisht se jo të gjithë shpendët çiftëzohen përjetësisht, shumë prej tyre e bëjnë këtë gjë.
Patat e egra nuk bëjnë përjashtim. Një dokumentar i BBC tregon për një patë të egër mashkull që kishte zgjedhur një breshkë femër 45 vjeçe, si shpirtin e tij binjak.
Ai i kundërvihej kujtdo që përpiqej t’i afrohej asaj, duke u siguruar që ajo të ushqehej pa u shqetësuar prej njeriu.
Shkencëtarët besojnë se ekzistojnë ndjesi të ngjashme me dashurinë që përjeton njeriu, edhe te kafshët. Ndonëse jo të gjitha dyshimet janë të vërtetuara, misteri i ndjenjave të kafshëve zbulohet çdo ditë e nga pak.

8 mënyra për të kursyer kohë


Nuk mund të ndryshoni numrin e orëve të ditës, por ju mund t’i plotësoni ato në mënyrë më efikase, me më pak stres dhe përpjekje mendore. Ndoshta e keni ndëgjuar edhe më herët por nuk keni arritur të organizoni më mirë kohën tuaj. Përmes këtyre tetë truqeve do të arrini të organizoheni më mirë.

1) KRYENI DETYRAT E THJESHTA NJË NGA NJË

Gjithmonë kryeni detyrat e lehta një nga një.

- Truri kujton më së shumti shtatë informacione në një moment. Nëse kaloni në një tjetër detyrë, përderisa kryeni të parën, ato informacione do të zhduken dhe do të ju duhet t’i mësoni ato përsëri. Kjo është një humbje kohe – thotë psikologu David Kresvel.

2) ZBËRRTHENI DETYRAT E KOMPLIKUARA NË MË SHUMË TË THJESHTA

Detyrat e komplikuara duhet të trajtohen ndryshe nga ato të thjeshta. Më mirë dhe më shpejtë do t’i kryeni nëse i zbërrtheni. Kresvel ka zbuluar se njerëzit që kryejnë detyra serioze punojnë më me efikasitet kur pauzojnë një minutë apo dy.

- Truri pandërgjegjshëm përpunon informacionet përgjatë veprimeve që nuk kanë të bëjnë me detyrën, ashtuqë pastaj vazhdojnë të punojnë më mirë. Edhe një pushim prej dy minutash ka efekt – thotë ai.

Këtu nuk bëhet fjalë për ‘multitasking’ – gjithmonë vëzhgoni problemin nga larg përderisa punoni diçka tjetër. Dhe kjo diçka tjetër duhet të jetë krejtësisht e ndryshme nga ajo që bëni.

3) NDËRTONI FORCËN E VULLNETIT

Forca e vullnetit është çelësi i efikasitetit – nëse punoni për të, ajo do të përmirësohet. Roj Baumejster, psikolog në Universitetin e Floridës, ka zbuluar se njerëzit mund të ushtrojnë forcën e vullnetit, që të përqëndrohen në rrjedhën e detyrave të rëndësishme.

Ushtroni forcën e vullnetit në mënyrë që vehtes i premtoni se nuk do të hani ushqim të shpejtë një javë apo nuk do të shkoni në shtrat pas mesnate.

Vendimet më të vështira i merrni kur forca e vullnetit është në kulmin e saj – për shumicën e njerëzve kjo është në mëngjes.

4) ZHVILLONI NJË ‘GOOGLE’ DISIPLINË

Kur njerëzit kërkojnë diçka në internet, hapin një mijë dritare për të hetuar atë, kurse janë më se të mjaftueshme vetëm dy. Kufizoni kërkimin tuaj në internet kur jeni duke punuar në një projekt. Sa herë që është e mundur, fikni të gjitha pajisjet e tjera teknologjike që ju rrethojnë.

5) MBANI NJË KALENDAR, E JO LISTËN E OBLIGIMEVE

Listat e obligimeve janë joefikase sepse ju mungon konteksti: hulumtimet tregojnë se njerëzit lënë detyrat më të vështira të papërfunduara në fund të ditës. Në vend të listës së obligimeve, njerëzit duhet t’i kushtojnë vëmendje kalendarëve të tyre. Si mundet ndryshe të dini se çfarë janë prioritetet tuaja, nëse nuk jeni gjithmonë i vetëdijshëm se sa kohë ju duhet për to? Lini disa vende bosh për krizat e papritura dhe ndërprerjet që të bëni vend për detyrimet të cilat mund të zgjasin.

6) PËRCAKTONI SE ÇFARË ËSHTË URGJENTE

Shumica prej nesh janë të mbuluar me e-maile, thirrje dhe kërkesa që nuk janë urgjente dhe për të cilat nuk keni nevojë të kushtoni vëmendje në momentin e caktuar. Nuk kemi nevojë për çdo informacion menjëherë. Informatat e reja pranoni vetëm kur keni nevojë, dhe jo në vazhdimësi. Nëse projekti është i komplikuar dhe kërkon më shumë njerëz, flisni për të në vend që të shkruani. Mos i kontrolloni vazhdimisht e-mailet dhe t’i përgjigjeni. Krijoni një shkrim në e-mail në të cilën do të theksoni se nuk keni kohë për t’iu përgjigjur të gjithëve dhe të ju thrrasin vetëm në qoftë se është urgjente. E njëjta gjë vlenë edhe për takimet. A duhet të jeni prezent? Nëse jo, atëherë mos shkoni.

7) KUFIZONI ZGJEDHJET E JUAJA

Nuk mund të kufizoni numrin e vendimeve që bëni në punë, por mund të kufizoni numrin e zgjedhjeve në nivel ditor. Për shembull, presidenti Obama vishet vetëm me kostume të kaltërt dhe gri që të duhet të zgjedhë sa më pak. Gjithashtu, përdorë shenja  për pyetje të caktuara: ” pajtohem”, “nuk pajtohem” dhe “flasim për këtë”. Zgjedhje të tepruara paralizojnë. Mos i komplikoni jetën vehtes.

8) PËRGATITUNI PËR DITËN E ARDHSHME

Edhe pse është me rëndësi të bëni gjumë të mirë, më së miri është pak para se të shtriheni të përgatiteni për të nesërmen. Skanerat e trurit të njerëzve që flenë tregojnë se truri ynë punon në zgjidhjen e problemeve edhe gjatë fjetjes, ashtuqë mendimi për ditën e nesërme para gjumit ka një ndikim të mirë në zgjidhjen e problemit gjatë gjumit. Në mëngjes do të befasoheni me zgjidhjen që do ta vëreni. Por, shmangni projekte të vështira para se të shkoni në krevat, sepse për shkak të tyre nuk mund të bëni gjumë të rehatshëm. Duhet të shmangni edhe ndriçimin e ekranit të telefonit, televizorit apo kompjuterit, sepse drita e tyre pengon fjetjen./femra

Foto: profimedia

Misteri i Librit të Kuq të Karl Jungut


Karl Jungu ishte një psikiatër me shumë influencë që konsiderohet si themeluesi i psikologjisë analitike.  Jungu bashkëpunoi me Zigmund Frojdin për vite të tërë dhe u bë i famshëm për punën e tij me pacientët skizofrenë. Në vitin 1913, marrëdhënia profesionale e Jungut me Frojdin përsoi një krisje dhe ai filloi të ketë probleme seriozë të shëndetit mendor për veten e tij, duke pranuar se ka patur halucinacione dëgjimi dhe shikimi në atë që e quante “përballja me të pandërgjegjshmen”.   Gjatë kësaj periudhe, Jungu shkruajti një libër që e quajtu Liber Novus, nga latinishtja “Libri i Ri”, por që në fakt që nga ajo kohë është pagëzuar me emrin “Libri i Kuq”. i mbushur me djaj të vizatuar me dorë, bashkëbisedime me perëndi, përshkrime incesti, dhe udhëtime në botën e nëntokës, ai është quajtur edhe një vepër e një “dije të pafund”, apo edhe hallakatjet e një psikopati. Ai punoi 16 vjet për këtë libër, të cilin e kyci deri kur vdiq në vitin 1961. Kur përshkruante librin, ai zbuloi në mënyrë kriptike: “Këta vite, kur unë ndoqa pamjet e brendshme, kanë qenë më të rëndësishmit e jetës sime. Cdo gjë tjetër duhet të burojë prej kësaj.  Filloi që në atë kohë dhe hollësitë e mëvonshme zor se kanë më rëndësi. E gjithë jeta ime ka konsistuar në përpunimin e asaj që më vinte nga e pandërgjegjshmja dhe më përmbyti si një lumë enigmatik dhe rrezikoi të më thyejë. Ishte material për më shumë se një jetë. Cdo gjë më vonë ishte thjeshtë një klasifikim i jashtëm, elaborim shkencor, dhe integrim me jetën. Por fillimi spiritual që përmbante gjithcka, ishte atëherë”. Pas vdekjes së tij, familja Jung e kyci librin e kuq për pothuajse 50 vite. Vetëm pak njerëz e kishin parë deri kur u botua në tetor të 2009-ës. Origjinali ishte ekspozuar në Muzeun e Artit Rubin, në Manhatan. Mbetet mister se cilët djaj e kishin shtyrë dorën e Jungut, cfarë po përpiqej të shprehte ai tek “Libri i Kuq”, dhe përse familja e tij u përpoq ta mbajë veprën të fshehur për kaq shumë dekada.

Mos fshih interesat vetjake, as epërsinë


“Shqetësimi ynë është drejtësia”
Tërnbulli - Ne duam të dimë nëse kemi paguar më tepër se ç’duhet apo jo. Kur të jemi të bindur se qiraja e paguar është në masën e duhur për sa kohë qëndruam në apartament, atëherë ne do ta quajmë këtë çështje të mbyllur dhe do të largohemi.
 Analizë. Tërnbulli merr një qëndrim parimor dhe bën të ditur synimin e tij për ta mbrojtur atë. Ai duhet të bindet mbi bazën e parimit. Në të njëjtën kohë, duke përdorur këtë parim, ai ia bën të ditur zonjës Xhons se është i hapur për të diskutuar. Kështu që ajo nuk ka ndonjë alternativë tjetër veçse të gjykojë me të në përpjekje për të arritur interesat e saj.
Tërnbulli nuk merr një qëndrim të drejtë parimor të mbështetur nga çfarëdo fuqie që ai zotëron. Jo vetëm interesat e tij janë parimore, por edhe mjetet që synon të përdorë. Ai pohon se interesi i tij është një balancë e drejtë ndërmjet qirasë së paguar dhe kohës së qëndrimit. Nëse bindet se qiraja e paguar është e drejtë për kohën që ka qëndruar në apartament, ai do të largohet. Nëse qiraja e paguar është më e madhe, ai nuk duhet të ikë derisa qiraja dhe koha e qëndrimit të jenë në balancë.

“Ne duam ta zgjidhim këtë çështje mbi bazën e standardeve të pavaruara e jo duke u nisur nga ajo çka mund t’i bëjmë njëri-tjetrit.”
 Zonja Xhons – Është qesharake që ju na flitni për drejtësi, sepse ajo që në të vërtetë po thoni, është se ju dhe Poli thjesht doni para dhe po përfitoni nga fakti që jeni ende në apartament për të na i marrë ato. Kjo vërtet më zemëron! Nëse do të veproja siç duhet, ju dhe Poli do të dilnit që sot nga apartamenti.
Tërnbulli (mezi po e përmbante zemërimin) – Mbase nuk isha i qartë. Kuptohet që do të ishte mirë nëse unë dhe Poli do të merrnim ca para. Natyrisht, ne mund të përpiqeshim edhe të qëndronim këtu në apartament derisa ju të na dëbonit. Por s’është ashtu, zonja Xhons.
Më e rëndësishme sesa të marrim disa dollarë, për ne është të ndiejmë se po na trajtojnë në mënyrë të drejtë. Askujt nuk i pëlqen të ndihet i mashtruar. Nëse do ta kthenim këtë në një çështje se kush do të dilte më i forti dhe do të kundërshtonim të largoheshim, do të na duhej të shkonim në gjykatë, të humbisnim shumë kohë dhe para e të përfundonim me një dhembje të madhe koke. Edhe ju po ashtu. Kush e dëshiron këtë?
Jo, zonja Xhons, ne duam ta zgjidhim problemin në mënyrë të drejtë mbi bazën e disa standardeve të pavarura e jo të mendojmë se çfarë mund t’i bëjmë njëri-tjetrit.
 Analizë. Zonja Xhons e vë në dyshim idenë e negocimit mbi bazën e parimit, duke e quajtur atë një pretendim qesharak. Është çështje dëshire, dhe dëshira e saj është t’i flakë jashtë Tërnbullin dhe shokun e tij të dhomës që sot.
Në këtë pikë Tërnbulli pothuajse e humbi gjakftohtësinë – dhe së bashku me të edhe kontrollin mbi negocimin. Atij i vjen të kundërsulmojë: “Do të doja të shihja se si do të na nxirrnit jashtë! Ne do të shkojmë në gjykatë. Do t’ua heqim licensën!” Dhe këtu negocimi do të ndërpritej e Tërnbulli do të humbiste mjaft kohë, përpjekje si dhe qetësinë. Por, në vend që të kundërveprojë, Tërnbulli ruan gjakftohtësinë dhe e kthen negocimin përsëri te meritat. Ky është një shembull i mirë i negocimit të tipit “xhuxhicu”. Ai e shmang sulmin e zonjës Xhons, duke pranuar përgjegjësi për perceptimet e saj të gabuara dhe përpiqet ta bindë lidhur me interesin e tij të sinqertë te parimi. Ai nuk i fsheh as interesat e tij vetjake e as epërsinë e tij mbi të; përkundrazi, ai i shpreh qartë. Sapo ato të pranohen, ai mund t’i ndajë nga meritat dhe atonuk do të përbëjnë më një problem.
Tërnbulli gjithashtu përpiqet t’i japë lojës së negocimit parimor njëfarë rëndësie, duke i thënë zonjës Xhons se kjo është rregulla e tij bazë – mënyra se si ai luan gjithmonë. Ai nuk ua atribuon këtë motiveve të larta – të cilat gjithnjë vihen në pikëpyetje – por interesave të tij të thjeshta.

“Besimi është një çështje tjetër”
 Zonja Xhons – Nuk keni besim tek unë? Pas gjithçkaje që kam bërë për ju?!
Tërnbulli – Zonja Xhons, e vlerësojmë gjithçka që keni bërë për ne. Por kjo nuk është çështje besimi. Është çështje parimi. A paguam ne më shumë se ç’duhej? Cilët faktorë duhet të marrim parasysh për ta zgjidhur këtë?
 Analizë. Zonja Xhons përpiqet ta vendosë Tërnbullin në një situatë të vështirë. Ai ose do të vazhdojë argumentin dhe do të duket se nuk ka besim, ose do të duket se ka besim dhe do të dorëzohet. Por Tërnbulli del me kujdes nga situata, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e më pas duke e përcaktuar çështjen e besimit si të pavend. Ai menjëherë ripohon vlerësimin e tij për zonjën Xhons, ndonëse mbetet i prerë ndaj parimit. Për më tepër, ai jo vetëm e kalon çështjen e besimit, por në mënyrë aktive e drejton diskutimin nga parimi, duke e pyetur zonjën Xhons se cilët faktorë kanë të bëjnë me çështjen.
Tërnbulli i përmbahet parimit, pa e fajësuar zonjën Xhons. Ai kurrë nuk e quan atë të pandershme. Ai nuk pyet: “A përfituat nga ne?”, por në një mënyrë më të papërcaktuar: “A paguam më shumë se ç’duhej?” Edhe pse nuk ka besim tek ajo, do të ishte një strategji e dobët t’ia thoshte këtë. Ndoshta ajo do të vihej në pozita mbrojtëse e do të zemërohej dhe, ose do të tërhiqej në një pozicion të ngurtë, ose do ta ndërpriste fare bashkëbisedimin.
Ju ndihmon të përdorni shprehje standarde, si për shembull: “Nuk është çështje besimi”, për të shmangur marifete të tilla si kërkesa e zonjës Xjons për besim.

Vetëbesimi!


Cili është sekreti i psikologjisë së vetëbesimit – një nga rrugët më të mundshme për të pasur sukses. Vetëbesimi i madh ndihmon për të ndërmarrë rreziqe pozitive, për të komunikuar, për të përballuar stresin, për të caktuar qëllimet dhe për të marrë vendimet e duhura. Ata që kanë vetëbesim të madh ndihen mirë me vetveten dhe mburren me aftësitë, shkathtësitë dhe arritjet e tyre
 Vetëbesimi në thelb nuk është një veti e përgjithshme apo një tipar që përshkon të gjitha aspektet e jetës së një personi. Zakonisht, njerëzit kanë disa aspekte të jetës së tyre ku mendojnë se kanë mjaft vetëbesim siç janë synimet e shumta, ndërsa në të njëjtën kohë nuk ndihen fare të sigurt në fusha të tjera, edhe pse ato mund të duken fare pa rëndësi për pasjen apo mospasjen e vetëbesimit.
Hipotezohet se kur njeriu karakterizohet nga vetëbesimi, ai jeton më i qetë, më i sigurt dhe zakonisht i arrin qëllimet më lehtësisht se një person, i cili ka mungesa besimi.
Vetë mungesa e besimit në vetvete krijon frikë dhe çdo gjë që duket e paarritshme.
Mbi të gjitha, është vetëbesimi ai që mundëson hapjen e rrugëve të gjithanshme në jetë.
Njëra nga kërkesat kryesore për sukses, lumturi dhe për të arritur qëllimet është besimi. Vetëbesimi i madh përgjithësisht është i dobishëm në çfarëdo fushe të jetës edhe pse duke u ekzagjeruar jep rezultate jo të kënaqshme.
Sipas shumicës së psikologëve, njeriu nuk e ka të trashëguar vetëbesimin, pra ai nuk ka lindur me vetëbesim dhe rrjedhimisht ky virtyt nuk është i falur nga natyra, por mund të mësohet, ushqehet dhe ndërtohet me kalimin e kohës, në çdo fazë të jetës.
Si rezultat, del që besimi nuk është prona private e askujt; personi që e ka, e mëson dhe vazhdon ta mësojë.
Shkalla e besimit është në të vërtetë rezultati nga si e percepton veten, gjë që nënkupton se si njerëzit do të të perceptojnë ty.
Prandaj, nëse nuk ke një shkallë të madhe vetëbesimi ose një respekt të madh për vetveten, kjo zakonisht ndodh sepse përqendrohesh në vetitë e tua negative dhe në atë që e bën gabim.
Sekreti për të pasur vetëbesim apo për ta përforcuar atë është përpjekja e vetë njeriut në mënyrë të pandërprerë që të ndërtojë besimin në talentet e tij, duke nisur nga themeli i besimit dhe diturisë. Forma do të jetë e ndryshme nga personi në person, por puna e nevojshme është e ngjashme.
Vetëbesimi është një rrugë që bën që individët të kenë pikëpamje pozitive, por të arsyeshme për vetveten dhe rrethanat e tyre.
Njerëzit e sigurt në vetvete kanë besim në aftësitë dhe mjeshtëritë e tyre, kanë një ndjenjë të përgjithshme ndikimi në jetën e tyre dhe besojnë, brenda së arsyeshmes, që do të jenë të aftë për të bërë atë që dëshirojnë, planifikojnë dhe parashikojnë.
Vetëbesimi është komponent vendimtar për mirëqenien mendore dhe emocionale.
Individët me vetëbesim të madh kanë ndjenjën e një kënaqësie, e cila vjen nga njoha e burimeve të tij të brendshme. Vetëbesimi i madh ndihmon për të ndërmarrë rreziqe pozitive, për të komunikuar, për të përballuar stresin, për të caktuar qëllimet dhe për të marrë vendimet e duhura.
Ata që kanë vetëbesim të madh, ndihen mirë me vetveten dhe mburren me aftësitë, shkathtësitë dhe arritjet e tyre.
Individët që e kanë të shprehur vetëbesimin në një shkallë jo të duhur, kanë vështirësi në përmbushjen e detyrave jetësore. Individët që kanë vetëbesim, veprojnë në mënyrë të pavarur, i marrin përgjegjësitë lehtësisht, arrijnë qëllimet e tyre, kolegët e vetë i trajtojnë me respekt etj.
Ndërsa individët me një vetëbesim të ulët, u shmangen situatave që shkaktojnë frikë ose ankth, përulin vetveten, ndihen të padëshirueshëm dhe akuzojnë të tjerët për dështimet e veta, ndihen të pafuqishëm dhe zhgënjehen lehtë.
Janë disa kushte kryesore të vetëbesimit të cilat individët apo njerëzit duhet të përjetojnë që të kenë vetëbesim dhe për të pasur suksesin e dëshiruar.
E para është ndjenja e të qenit unik, e cila nënkupton një person i cili i ka cilësitë specifike dhe të ndryshme nga tjetri.
Ndjenja e lidhshmërisë është një tjetër ndjenjë, e cila ka të bëjë me aftësinë për t’u ndier i kënaqur me njerëzit, me rrethanat etj. Kjo lidhshmëri bëhet me individë dhe njerëz të posaçëm, pra bën fjalë për lidhshmërinë e individit për të qenë një person, grup ose institucion.
Ndjenja e fuqisë që përligj një person ka kompetenca për t’i bërë gjërat që duhet t’i bëjë patjetër. Po ashtu, ka burimet për të shprehur në mënyrë më efektive dhe mundësi për të ndikuar te njerëzit e tjerë, në rrethin ku jeton. Në sajë të kësaj, individët me ndjenjën e fuqisë kanë nevojë për t’i kontrolluar dhe me manipuluar të tjerët. Po ashtu, edhe te ata që nuk e kanë këtë ndjenjë të fuqisë, vërehet shmangia nga sfidat, papërgjegjshmëria dhe shfaqet frika paralizuese.
Për sa u përket modeleve njerëzore ato janë reale ose te imagjinuara me të cilin një person dëshiron të krahasohet ndërkohë që modelet filozofike janë idealet, vlerat ose besimet që mund të ndikojnë në zgjedhjen dhe sjelljen e një individi.
Kjo ndjenjë pozitive krijohet nëpërmjet veçorive ose aftësive, të cilat ne i posedojmë dhe u përkasin më shumë vlerave të përgjithshme. Vetëbesimi më i lartë mund të shfaqet te personat shumë të bukur, te ata që mbizotërojnë më shumë gjuhë, te ata që ushtrojnë ndonjë sport luftarak, te ata që kanë njohuri të shumta e te shumë të tjerë.
Nga ana tjetër, humbja e menjëhershme e vetëbesimit është dukuri e zakonshme tek të gjithë njerëzit, por ajo çka e zhduk këtë ndjenjë të kundërt, është fakti për të ditur se ç’mund të bëjmë që sërish të rifitonim besimin e humbur tek vetja, kur çështjet shkojnë keq dhe kur e humbin besimin në vetvete.
E megjithatë, të kesh vetëbesim nuk do të thotë domosdo që njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka.
Njerëzit që nuk janë të sigurt në vetvete, mbështeten në mënyrë ekstreme mbi njerëz të tjerë për t’u ndier mirë me vetveten. Ata kanë një tendencë t’u shmangen rreziqeve, sepse kanë frikë se do të dështojnë. Zakonisht nuk presin nga vetja që do të kenë sukses.
Shpeshherë e ulin vetveten dhe kanë tendencë të mospërfillin lavdërimet që u drejtohen.
Nga ana tjetër, njerëzit e sigurt në vetvete janë të gatshëm të kalojnë rrezikun e mospranimit nga të tjerët, sepse zakonisht besojnë në aftësitë dhe mjeshtëritë e tyre.
Ata kanë prirje ta pranojnë vetveten; nuk ndiejnë që duhet të përshtaten për t’u pranuar.