Të gjithë e dinë se çdo individ reagon në mënyrë krejt të ndryshme ndaj të njëjtave ngjarje. Aq shumë e pati mbërthyer Xhenin frika nga provimi i radhës që afronte, sa nuk vuri gjumë në sy tërë natën e kaluar dhe tani po çapit drejt sallës së provimit, duke u dridhur nga tmerri. Shoqja e saj, Barbara, e cila po ashtu do të japë të njëjtin provim, as e ka prishur fare terezinë.
Është krejt e qartë se reagimi i një personi ndaj ngjarjeve nuk shpjegohet tërësisht me vetë ngjarjen, por i detyrohet diçka edhe vetë personit. Megjithatë, në vend që të ndalojnë e të shohin te bindjet e vetëdijshme të personit (p.sh. bindjet e Xhenit për provimin), terapistët shpesh përpiqen që këto ndjenja dhe veprime të personit t’i shpjegojnë me anë të gjendjes “së pavetëdijshme” të mendjes së tij.
Zigmund Frojdi e zhvilloi këtë mënyrë shpjegimi të sjelljeve njerëzore qysh në fillim të shekullit XX, një metodë kjo e trumbetuar nga shumë filma hollivudianë që nga viti 1930 e këtej. Frojdi besonte se ndjenjat dhe veprimet tona shkaktohen nga impulset “e pavetëdijshme” – gjëra që ekzistojnë në mendjen tonë – por rreth të cilave ne nuk jemi në dijeni. Mendjet tona janë plot e përplot me forca të errëta e të kamufluara, për ekzistencën e të cilave ne jemi zakonisht të pavetëdijshëm. Si kanë hyrë atje këto forca misterioze? Ato, gjoja e kanë zanafillën qysh nga përvojat dhe përjetimet e fëmijërisë sonë.
Frika e Xhenit ndaj provimit mund të shpjegohet me rastësitë që i kanë ndodhur në fëmijërinë e hershme. Frojdi besonte se mënyra për ta kuruar Xhenin do të ishte që të rrëmoje nëpër kujtimet e varrosura të këtyre rastësive, ta bëje Xhenin që t’i nxirrte ato e me këtë t’i tregonte asaj se si ia kishin shkaktuar ankthin e tanishëm për provimin. Ky rrëmim nëpër “mendjen e pavetëdijshme” të Xhenit mund të jetë një proces i gjatë dhe i kushtueshëm. Terapisti e nxit klientin që të rindërtojë disa nga rastësitë e fëmijërisë, por, duke pranuar njëkohësisht edhe teorinë e terapistit se si e qysh qenkëshin të lidhura ato rastësi me problemet e tanishme të tij.
Kjo metodë e zgjidhjes së problemeve njerëzore është bërë tepër e njohur dhe mjaft individë presin që terapisti të shfaqë interes ndaj hollësive të fëmijërisë së tyre. Por në fakt, nuk kemi as mbeturinat e ndonjë dëshmie të fortë e të qëndrueshme, e cila do të mund të na rrëfente se kujtimet e anktheve të fëmijërisë së hershme paskëshin ndopak lidhje me vështirësitë e vazhdueshme emocionale të personit. Edhe nëse arrijmë t’ia zbulojmë ato ankthe, nuk është se kjo gjë do ta ndihmonte tani personin. Madje, edhe në ato raste, kur problemet e tij aktuale kanë vërtet një lloj lidhje me përvojat e pakëndshme të së shkuarës, është pikërisht mënyra e tanishme e të menduarit të këtij personi rreth atyre përvojave, e cila ia shkakton dëmin dhe jo vetë përvoja.
Teoria se ndjenjat dhe sjelljet tona u komanduakan nga forca “të pavetëdijshme”, jo vetëm është e pathemeltë, por mund të jetë e dëmshme. Nëse njerëzit me probleme do ta besonin këtë teori, ato do të demoralizoheshin. Kjo teori u sugjeron njerëzve me probleme emocionale se ata nuk janë gjë tjetër veçse marioneta në duart e ca forcave të errëta, të cilat jo vetëm nuk mund t’i komandojnë, por madje as t’i njohin dot. Në vend që t’i inkurajojë klientët me idenë e ndjesisë se janë ata vetë përgjegjës të problemeve të tyre dhe se prandaj e kanë mundësinë që të bëjnë drejtpërsëdrejti diçka, kjo teori i ngulit individit në mendje sikur ai qenkësh krejt i pashpresë e madje i çmendur. Në fakt, kjo teori e shtyn individin që ta braktisë luftën për të qenë efikas dhe racional.






