Luan Starova: Letërsia më ktheu në vendlindje

Gjatë promovimit të kolanës letrare të Luan Starovës

Atë çka njeriu nuk mund ta zhbëjë dot, me gjasë që mund ta bëjë arti! Me këtë filozofi e stil të të jetuarit, shkrimtari që është larguar vetëm tre vjeç nga Shqipëria, ritakohet me kolegët dhe të afërmit e tij pikërisht përmes letërsisë. Luan Starova promovoi pasditen e djeshme në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës, kolanën e botimeve të tij, dhe i ka quajtur “Saga Ballkanike”, e në të cilën përfshihen katër nga veprat më të zëshme të autorit si: “Librat e babait”, “Koha e dhive”, “Kurbani Ballkanik”, “Kështjella prej hiri” etj. Edhe pse tashmë Starova është vazhdimisht i pranishëm në Shqipëri, takimi i djeshëm dukej sikur ishte i pari me vendlindjen. Në fjalën e mbajtur, akademiku Starova nuk i fshehu emocionet mbi faktin që ritakimi i djeshëm kulturor ishte edhe një ribashkim me fisin dhe të afërmit e tij, me të cilit ishte shkëputur herët, qysh në vitin 1943, për shkak të pabesive të atij regjimi. Ndaj, thuajse 60 vitet e jetës në Maqedoni e gjetkë e kanë ndihmuar të vërë në udhë të mbarë çështjen e krijimtarisë letrare. “Ekzili im dhe familjes nuk është demonstruar në vuajtje fizike, por gjurmët i ka lënë, natyrisht.

Luan Starova

Ndaj, me bindje them se vetëm fenomeni i letërsisë më mundësoi këtë ritakim mes dy degëve të fisit tim. Nuk kanë qenë vite të lehta, por përfshirja në procesin e të shkruarit ka qenë konfirmim i identitetit dhe përpjekje për të ruajtur doket dhe zakonet e familjes”, u shpreh kështu autori Starova. Ndërkohë që moderatori i promovimit të djeshëm, botuesi dhe poeti Arjan Leka, tha në fjalën e tij të hapjes se: “Çdo rikthim në gjuhën amtare, si në një vendlindje për shkrimtarin, është një mbledhje e copëzave të një mozaiku, që ndofta edhe vetë shkrimtari nuk i zotëron dot, se si vijnë dhe krijojnë atë skemë të jetës, e cila përfundoi si një dhuratë e bukur, për ta pasur edhe fizikisht një shkrimtar të këtij kalibri europian, i cili na bën nder me praninë e tij mes nesh. Një sagë që në fund tregon historinë e familjes, për të përfunduar në një simbol të etnisë, kombit e më pas të rajonit”. Mbyllja e promovimit i takoi ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila refuzoi të lexonte recensën e përgatitur për “Sagën Ballkanike”, sidomos pas ligjërimeve studimore të historianit Shaban Sinani e botuesit Fatmir Sulejmani, profesor në Universitetin e Tetovës dhe njohës i mirë i veprave të autorit Starova. Ndër të tjera, ministrja veçoi faktin se si mundet kultura të jetë një terren fantastik, ku humbet sensi i kufijve, r jo vetëm ata administrativë që ndajnë vendet, pasi ata janë të përkohshëm. “Mendoj që kufijtë i kemi brenda vetes dhe ditën që ato i zhbëjmë, kemi bërë diçka të madhe dhe Luani ka ditur ta bëjë këtë. Ndaj, autori, duke qenë prova e gjallë e këtij transformimi, na jep një produkt sa letrar aq edhe intelektual”, përfundoi Kumbaro. Të pranishëm në promovimin e mbrëmshëm të “Sagës Ballkanike” ishin gjithashtu Besnik Mustafaj, Visar Zhiti, Meri Lalaj, kryetari i Akademisë së Shkencave, etj.

E. Isufaj /panorama