Romani “Kryqi i harresës” i Flutura Açka përkthehet në gjuhën holandeze


Këto ditë në Holandë doli në qarkullim në gjuhën holandeze romani i dytë i shkrimtares Flutura Açka, “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), i botuar në shqip në vitin 2004, dhe i përkthyer nga shqipja në holandisht nga përkthyesi Roel Schuyt, i cili ka përkthyer nga  gjuha shqipe në holandisht edhe vepra dhe pjesë nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë si: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiu, Helena Kadare, Eqrem Basha e Ardian Klosi.
Pak ditë pas botimit të “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), njëra prej dy gazetave më të rëndësishme holandeze, “De Volkskrant”, në suplementin e saj letrar të datës 31 maj 2014, boton një vështrim kritik mbi këtë roman të njërit prej kritikëve më me zë, që drejtojnë sot opinionin letrar në Holandë , ku e vlerëson me nota të larta romanin e autores shqiptare.
Në shkallën e saj të klasifikimit, gazeta në fjalë e vlerëson veprën e Flutura Açkës me katër yje nga pesë të mundshmet në klasifikim.
Për shkak të një fluturimi ajror të mbyllur, një shkrimtare e re gjendet në mes të një historie tronditëse që ngjet mes Shqipërisë dhe Holandës. Rikthimi i një gjaku gjashtëdhjetëvjeçar, një fëmijë dëshmitar dhe peng i tij, një djalë i ri me dilemat e emigrimit, një dashuri e fuqishme, por e dyzuar, një tjetër burrë fatkeq nën hije paranojash, një e huaj në udhëkryqet shqiptare, një familje, një qytet e më gjerë në “grackën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si njerëz me fatin e varur te befasia – plazmojnë bashkë jetën në një libër të vetëm.
Fatalitet, rikthimi përmbysës i së shkuarës, kërcënimi nga barbaria, shpresë diabolike, marrëzi dashurore, seks, udhëtime të prera, besë, mosbesim, gjak që përzjen personazhe të tërë, dy botë që përplasen herë pa u pajtuar, herë duke u tretur në një. Autorja sjell në këtë roman një kryq harrese, me qëllimin për të trokitur dhe zgjuar kujtesën kolektive shqiptare.