INSAJDERI: “Shënoi një supergol, lëndohet Granit Xhaka [video]” plus 19 more |
- Shënoi një supergol, lëndohet Granit Xhaka [video]
- Besnik Sahatçiu, babai i Rita Orës falënderon Dren Abazin
- Sekretari i VV-së akuzon Kadri Veselin për “përgatitje të kërcënimeve” ndaj tij
- Xhaka “bombardon” portën e Manchester United [video]
- Opozita ia përgatit rrëzimin, Mustafa jep premtime për përmirësimin e jetesës
- Brenda trenit më luksoz në botë [foto]
- Fuqitë ekzekutive të Presidentit të Francës
- NISMA: Kryeministri është në panik sepse e di që do të rrëzohet qeveria
- Zaev premton zgjidhje të rasteve “Kumanova” dhe “Mostra”
- Meçi i madh i boksit që mund t’ia kalojë atij Joshua – Klitschko
- Skuadra e Atdhe Nuhiut, një hap larg Premier Ligës
- Një person vdes në qendrën e votimit në Francë
- Alarmohet Franca, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj Macron
- Izraeli me projektligj për ta hequr arabishten si gjuhë zyrtare
- Martesat e zviceranëve me kosovaret “qëndrojnë” vetëm 4 vjet
- Formacionet zyrtare: Xhaka nga fillimi ndaj Manchester United
- Tre herë kampioni i Premier Ligës, bie në ligën e tretë
- Dështon ceremonia e Vulinit për shkak të flamurit të Kosovës
- Romani i Kadaresë, një projekt i madh filmik ruso-shqiptar
- Luftë në rrjetet sociale mes Griezmannit dhe Neymarit
| Shënoi një supergol, lëndohet Granit Xhaka [video] Posted: 07 May 2017 09:41 AM PDT Pasi shënoi një supergol nga distanca, Granit Xhaka i lënduar e ka lëshuar fushën në takimin që Arsenali po e zhvillon momentalisht ndaj Manchester United në Londër. Mesfushori me origjinë nga Kosova e lëshou fushën në minutën e 75-të të takimit pas një lëndimi që e pësoi, raporton Insajderi. Arsenali po avancon me rezultat 2 me 0 ndaj Manchester United. Xhaka kishte qenë në dyshim për këtë ndeshje, mirëpo në momentet e fundit trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger kishte vendosur për aktivizimin e tij. /Insajderi.com The post Shënoi një supergol, lëndohet Granit Xhaka [video] appeared first on INSAJDERI. |
| Besnik Sahatçiu, babai i Rita Orës falënderon Dren Abazin Posted: 07 May 2017 09:35 AM PDT Besnik Sahatçiu, babai i këngëtares Rita Ora ka postuar një fotografi me këngëtarin shqiptar Dren Abazi. Këngëtari Dren Abazi këtë vikend ka performuar në lokalin e babait të Rita Orës, Besnik Sahtçiut, në "The Queen’s Arms" bashkë me Fatos Dergutin dhe Faton Prokuplën. Në fotografi ku të dy janë shumë të buzëqeshur, Besniku ka falënderuar Drenin për mbrëmjen e mrekullueshme që ka ofruar ai në lokalin e tij. Në këtë lokal performojnë artistë të ndryshëm, madje ky është vendi ku edhe Rita Ora ka nisur të këndojë pa filluar ende karrierën e saj të bujshme. The post Besnik Sahatçiu, babai i Rita Orës falënderon Dren Abazin appeared first on INSAJDERI. |
| Sekretari i VV-së akuzon Kadri Veselin për “përgatitje të kërcënimeve” ndaj tij Posted: 07 May 2017 09:30 AM PDT Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj e ka drejtuar gishtin kah Kadri Veseli si fajtor për kërcënimet që kanë ardhur në adresë të tij. Molliqaj e ka akuzuar Veselin edhe për një sulm që kishte ndodhur ndaj aktivistit të VV-së, Agron Kabashi, në të cilin ishte i përfshirë edhe vet Molliqaj. Sekretari Organizativ i VV-së e kishte shoqëruar me makinë Kabashin para se të ndodhte ky sulm. “Është e qartë se prapa këtyre kërcënimeve janë grupe kriminale në Kosovë, të cilat në masë të madhe udhëhiqen nga strukturat e SHIK-ut dhe nga drejtuesi i saj, Kadri Veseli”, deklaroi Molliqaj. Molliqaj tha se Vetëvendosje ka indikacione të qarta se kreu i Parlamentit të Kosovës ka organizuar kërcënimet ndaj tij. "Ne kemi indikacione të forta se ndaj sulmit të parë, që ka ndodhur ndaj Agron Kabashit, ku kam qenë edhe unë, edhe zoti Veseli ka qenë i përfshirë dhe ka ndikuar në këtë rast. Megjithatë po presim që Policia me ec tutje. Ne kemi ofru shumë dëshmi, por edhe vet zoti Veseli ka komunikuar me persona të tjerë për këtë rast, rastin tim pra dhe sigurisht që është ai përgjegjësi, sepse jo rastësisht sa herë që unë personalisht kam folur për strukturat e SHIK-ut, qoftë ato në politikën e Kosovës apo nëpër ministri që e zhvatin buxhetin e shtetit, kanë ndodhur ose kërcënime përmes postës elektronike apo përcjellje fizike, siç ishte rasti i fundit e deri te sulmet të drejtpërdrejta fizike", tha Molliqaj për Periskopin. Vetëvendosje ka mbajtur sot konferencë për medie dhe ka prezantuar kërcënimet e fundit që po merr Sekretari Organizativ i kësaj lëvizjeje nga persona ende të paidentifikuar nga Policia. Në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt sot në zyrat e VV-së, para gazetarëve folën deputetët Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu, të cilët prezantuan përmes video-materialeve e fotografive detaje nga përcjellja e parë e Molliqajt para dy muajsh dhe kërcënimin e fundit që i është bërë mbrëmë. /Insajderi.com The post Sekretari i VV-së akuzon Kadri Veselin për “përgatitje të kërcënimeve” ndaj tij appeared first on INSAJDERI. |
| Xhaka “bombardon” portën e Manchester United [video] Posted: 07 May 2017 09:18 AM PDT Mesfushori me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka realizoi gol në minutën e 54-të të ndeshjes për t’i dhënë epërsinë me rezultat 1 me 0 Arsenalit ndaj Manchester United, raporton Insajderi. Me një goditje nga rreth 30 metra distancë, topi i goditur nga Xhaka fillimisht u devijua nga një futbollist kundërshtar para se të përfundonte në rrjetë, prapa shpinës së David De Geas. Me fitore të mundshme në këtë takim, Arsenali e kalon në renditje skuadrën e Manchester United nlë renditje.
The post Xhaka “bombardon” portën e Manchester United [video] appeared first on INSAJDERI. |
| Opozita ia përgatit rrëzimin, Mustafa jep premtime për përmirësimin e jetesës Posted: 07 May 2017 09:03 AM PDT Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka dhënë sot premtime për përmirësimin e jetesës në Kosovë në vazhdimësi të mandatit të tij që pritet të përfundojë një vit më vonë, edhe pse opozita ka përgatitur një mocion për rrëzimin e tij. Një mocion mosbesimi i iniciuar në Kuvendin e Kosovës nga partia opozitare Nisma për Kosovën, është proceduar në Kuvendin për ditën e mërkurë. E këtij mocioni përkrahje kanë deklaruar se do t’i japin edhe partitë e tjera opozitare, dhe disa deputet të PDK-së. Por, kryeministri Mustafa duket të jetë i bindur se mocioni do të dështojë. Gjatë shënimit të 27-vjetorit të themelimit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj, Mustafa ka dhënë premtime për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Kosovës, raporton Insajderi. "Ky vend do të përfitojë sepse do ta zhvillojmë në mënyrë ekonomike. Nuk do të lemë që paratë publike të shkojnë në xhepat private, do ta përmirësojmë pozitën e pensionistëve, do ta përmirësojmë pozitën e nxënësve, do ta përmirësojmë pozitën e gruas, do ta përmirësojmë pozitën e të rinjve", deklaroi kryeministri Mustafa. Mustafa foli edhe për progresin e arritur në zhvillimin ekonomik, duke theksuar se në këtë qeverisje është arritur norma më e lartë të zhvillimit ekonomik në rajon dhe se këto të arritura, janë rezultat dhe përgjegjësi e të gjithë Qeverisë. "Kemi ndërmarrë reformat më të mëdha fiskale dhe më të suksesshme që ka marrë ky vend. Kemi siguruar buxhetin më të madh në histori. Kemi krijuar marrëdhëniet më të mira me institucionet financiare ndërkombëtare. Kemi luftuar dhe po luftojmë pakompromis krimin dhe korrupsionin në vend dhe dikujt po i vjen mërzi, por ne nuk do të ndalemi dhe nuk frikësohemi në asnjë rast", tha kryetari Mustafa. /Insajderi.com The post Opozita ia përgatit rrëzimin, Mustafa jep premtime për përmirësimin e jetesës appeared first on INSAJDERI. |
| Brenda trenit më luksoz në botë [foto] Posted: 07 May 2017 08:49 AM PDT Kompania hekurudhore japoneze East Japan Railway vuri në funksion trenin e ri luksoz, në të cilin mund të flihet. Mjeti në fjalë i udhëtimit quhet "Shiki-Shima" dhe përbëhet nga 10 vagonë, për 34 pasagjerë, shkruan Tch. Çmimi për një suitë të klasit më të lartë për një udhëtim 4-ditor nga Tokio në Hokaido është 10 mijë dollarë. Por, pavarësisht çmimit të lartë, të gjithë vendet janë rezervuar deri në mars të vitit 2018. Gjatë qëndrimit në këtë tren udhëtarët mund të konsumojnë vakte të lehta të përgatitura nga kuzhinierë profesionistë, si dhe të shijojnë muzikë live.
The post Brenda trenit më luksoz në botë [foto] appeared first on INSAJDERI. |
| Fuqitë ekzekutive të Presidentit të Francës Posted: 07 May 2017 08:41 AM PDT Sot qytetarët francezë u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Në balotazhin e sotëm janë duke garuar kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, i cili është pro-Bashkimit Evropian, dhe liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Por, cili është pushteti që do ta ketë Macron apo Le Pen nëse fitojnë sot në zgjedhjet presidenciale. Agjencia franceze e lajmeve, AFP e ka bërë një listë me pushtetin që do ta ketë presidenti i ri i Francës, shkruan Express. Pushtetet e përgjithshme Zgjidhet drejtpërdrejt Është shef i forcave të armatosura Ka pushtet për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore Në maksimum ka të drejt për dy mandate pesëvjeçare. E ka fjalën e fundit në gjithë politikën e jashtme. Merr kontroll të plotë nëse vendi është nën kërcënim serioz dhe të pashmangshëm. Mund të propozojë referendume pa aprovimin e Parlamentit. Për ta hedhur atë në gjyq nevojiten dy të tretat e votave në dy dhomat e Parlamentit. Ekzekutivi E zgjedh kryeministrin dhe nëse partia e tij e kontrollon Parlamentin, presidenti është de fakto shef i ekzekutivit. Mund ta zëvendësojë kryeministrin E drejton kabinetin Gjyqësori Është imun ndaj përndjekjes Ka pushtet për t'i falur kriminelët e dënuar. Parlamenti Mund ta shpërbëjë Parlamentin (një herë në vit) Mund të propozojë ligje Me kryeministrin, ai mund të detyrojë kalimin e ligjeve nëse Parlamentin nuk voton mocionin e mosbesimit The post Fuqitë ekzekutive të Presidentit të Francës appeared first on INSAJDERI. |
| NISMA: Kryeministri është në panik sepse e di që do të rrëzohet qeveria Posted: 07 May 2017 08:34 AM PDT Isa Mustafa ka deklaruar sot se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i frikësohet mocionit për rrëzimin e qeverisë. Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk ia ka frikën as këtij mocioni, por asnjë mocioni tjetër të mundshëm. Por, ndryshe mendon Valdete Bajrami, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, partisë që e ka iniciuar këtë mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë. Bajrami ka theksuar se vetë paralajmërimi i Mustafës për sjelljen e demarkacionit në Kuvend, tregon atë se a i frikësohet apo jo Mocionit. "Sa i përket kësaj çështje Kryeministri pasi nuk po i frikësohet mocionit, pse nuk e solli më parë marrëveshjen në kuvend? Por, ai e dinë fort mirë se të mërkurën kuvendi konkretisht deputetët do të votojnë pro rrëzimit të qeverisë Mustafa dhe kjo është ajo që do të ndodhë me ose pa procedim të demarkacionit", ka thënë Bajrami, për “Indeksonline”. Sipas Bajramit kjo qeveri tashmë ka rënë dhe se deklaratat e Mustafës nuk mund të merren serioze . "Kjo qeveri tash më ka rënë dhe deklaratat e tija nuk mund të merren serioze pasi që është në gjendje paniku për të ardhmen e tij", ka përfunduar Bajrami. Ndryshe duhet përkujtuar që mocioni i nisur nga Nisma për Kosovën ka arritur t'i mbledhë votat e nevojshme përderisa kryeministri Mustafa ka paralajmëruar vënien në Kuvend të demarkacioni me Malin e Zi, marrëveshje kjo që vazhdon të kundërshtohet nga opozita dhe nga disa deputetë të pozitës. /Insajderi.com The post NISMA: Kryeministri është në panik sepse e di që do të rrëzohet qeveria appeared first on INSAJDERI. |
| Zaev premton zgjidhje të rasteve “Kumanova” dhe “Mostra” Posted: 07 May 2017 08:22 AM PDT Qeveri të re do të ketë deri në fund të muajit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili pret t'ia ndajë mandatin presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov për të formuar Qeverinë e Maqedonisë. Zaev zotohet se Qeveria e re do të angazhohet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të Kumanovës, rastin Monstra, Brodecin etj, ku, siç thotë, në hetimin e këtyre rasteve do të përfshihet dhe faktori ndërkombëtar. Radio Evropa e Lirë: Zoti Zaev, jeni në pritje të marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë e re të Maqedonisë. Cilët do të jenë hapat tuaj të parë si kryeministër dhe detyrimet apo prioritetet që do t`i vendosni? Zoran Zaev: Interesi i qytetarëve, kuptohet. Ne paralajmëruam masa shumë të rëndësishme, disa prej të cilave, madje, janë të lidhura me afat. Shumë prindër, shumë mësimdhënës, shumë fëmijë, presin që ta ndërpresim testimin ekstern, për shkak se testimi është në fund të muajit maj, apo në fillim të qershorit, që ta kenë të qartë, për shkak se besoj që ndikon edhe nga aspekti psikologjik, edhe në tërë procesin arsimor në mbyllje të vitit shkollor. Këtu është edhe ndërprerja e taksës radiodifuzive, kthimi i tarifës së lirë; nxjerrja e menjëhershme e Ligjit për media është shumë me rëndësi; masa të caktuara sociale, të cilat i premtuam e të cilat janë të mundshme pa kurrfarë ndryshimi në buxhet që të realizohen si zgjidhje ligjore; shumë zgjidhje të këtilla janë të përgatitura, ndërsa unë besoj se në fillim të qershorit, në fund të majit, do të merren vendimet e para. Gjithsesi, një nga zgjidhjet e para ligjore, që duhet sjellë në Parlament është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për shkak të prolongimit të zgjedhjeve lokale, besoj për në vjeshtë, por këtë e planifikojmë në pajtim me të gjitha partitë parlamentare. Radio Evropa e Lirë: Nuk përmendni çështje që janë me interes për shqiptarët siç është zbardhja e ngjarjeve në Kumanovë, apo rastin Monstra… paralelisht do të punoni në këtë drejtim? Mund t'ua premtoni këtë qytetarëve? Zoran Zaev: Unë premtova zgjidhje të shpejtë me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në hetime të ngjarjeve të Kumanovës, Monstrën, Brodecin, rastin e Nikolla Mlladenovit, atë të Martin Neshkovskit dhe disa raste të tjera. Pse? Sepse nevoja për të vërtetën dhe drejtësinë, paraqet vërtetim për atë se jemi apo nuk jemi shtet. Nëse mbetemi pa iu përgjigjur këtyre çështjeve, ato mbeten tabu në shoqërinë tonë, në atë rast në esencë ne konfirmojmë se nuk jemi shtet normal. Qytetarët kanë nevoja të ndryshme, familjet duan të dinë të vërtetën, familjarët e të vrarëve po edhe familjarët e të burgosurve, por e di se edhe familjet e përgjegjësve, etnitetet nuk duan të kenë mbi vete ndjesinë e keqe. Të shumënduarshme janë nevojat rreh këtyre çështjeve. Prandaj, shteti i së drejtës duhet të garantojë pavarësinë gjatë vendimeve (gjyqësore), por edhe të vërtetën e përgjithshme për qytetarët. Vetëm në atë mënyrë do të përçojmë porosi për një pajtim të plotë, barazi dhe bashkarish të angazhohemi për perspektivat e këtij vendi të përbashkët, Republikën e Maqedonisë. Radio Evropa e Lirë: Kur mund të pritet një zbardhje e tërësishme e këtyre rasteve, që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë? Zoran Zaev: Paralelisht, do të angazhohemi për të gjitha këto çështje? Pse? Sepse duhet të mundësojmë të sundojë shteti i së drejtës. Ashtu siç do të kthehet shteti i së drejtës, Maqedonia e ka patjetër të ecë rrugës së integrimeve në BE dhe NATO. Por, njëkohësisht duhet të angazhohemi dhe në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Radio Evropa e Lirë: Skenat e përgjakshme nga e enjtja e kaluar, sollën shqetësim te qytetarët. Pas këtyre ngjarjeve, nëse bëheni kryeministër, si do të jeni për të gjithë qytetarët? A është i mundur pajtimi në shoqëri? Zoran Zaev: Gjithsesi se duhet të ndodhë pajtimi politik, pajtimi nacional, pajtimi ndëretnik, pajtim partiak, si të doni kuptojeni. Përmbi kokë na kanë dalë ndarjet e përçarjet. Shumë gjak i keq u lëshua në mesin e popullit tonë dhe nuk mund të presim perspektivë dhe të ardhme të mirë për Maqedoninë nëse kjo mbetet kështu. Unë jam i krishterë ortodoks, besimtar dhe, ja, kështu do ta them – falja më e madhe në fenë time, e besoj se kjo kështu është edhe te feja islame, edhe tek ajo katolike, edhe te të gjitha fetë, është që t'ia falësh armikut. Ne kundërshtar kemi kundërshtarin politik, të tjerë nuk kemi. Kjo do të thotë se, absolutisht, secili do të shkojë në gjykatë dhe secili do të bartë përgjegjësi. Por, duhet mes nesh ta përcjellim porosinë e faljes, nëse duam të bashkëpunojmë. Unë jam i vetëdijshëm se mandati im, duke e udhëhequr Qeverinë e re të Maqedonisë, do të jetë i suksesshëm nëse nuk lejoj që asnjëri të ketë shkak për bllokada të reja, për antagonizma të rinj. Sinqerisht, çdoherë përcjell porosi se do të na nevojitet bashkëpunim me opozitën – ne në shtëpi mund t'i duam fëmijët dhe familjen, por duhet të bashkëpunojmë për reformat, për jetën dhe bashkëjetesën, për shkak të qytetarëve, për shkak të Maqedonisë tonë të përbashkët. Shpresoj për reforma në VMRO-DPMNE, për shkak se i tërë ky krim që ka dalë në pah dhe të cilin e panë qytetarët e Maqedonisë, është krim i dëshmuar – gjithçka çka ndodhi është me paramendim – për shkak se i nevojitet opozitë e fuqishme pushtetit të ri. Jemi të bindur se vetëm nëpërmjet opozitës së fortë, pushteti i ri do të jetë i përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent dhe krejtësisht i orientuar kah interesi i qytetarëve. Në rrethana të tilla, pajtimi është i domosdoshëm. Unë jam i gatshëm që t'ia zgjas dorën secilit, të ecim bashkë, të përbashkuar, se kështu do të na respektojnë edhe fqinjët, kështu do të na respektojë edhe bota. Radio Evropa e Lirë: Kërkohen ndryshime drastike në institucione, për shkak se vlerësohet se ato janë të partizuara, por, nga ana tjetër, shumica kanë frikë nga 'pastrimet'. Si do të silleni si pushtet? Zoran Zaev: Kjo do të jetë një nga çështjet më të rënda, para së gjithash flas nga aspekti ekonomik. Edhe ashtu është rëndë, familjet… trokasin përmbarues, bankat paraqiten për çdo ditë, çdo kund… Vallë, a është e logjikshme dhe etike të pushojmë nga puna njerëz? Nuk do të pushojmë njerëz nga puna! Me atë që kemi si kapacitet, do të përpiqemi që financiarisht t'i menaxhojmë gjërat, por absolutisht do të udhëhiqemi nga profesionalizmi – vendin e punës do ta humbë ndokush vetëm nëse nuk e kryen punën në mënyrë profesionale –nuk më intereson se cilës parti politike i takon. Partia ime politike dhe unë, si individ, kemi për qëllim që të bartim përgjegjësi para qytetarëve dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëpërmjet profesionalizmit, kryerjes së autorizimeve publike në mënyrë serioze dhe të ndershme, apo të punës së zyrtarëve publik në administratën publike. Ndonjëherë ndoshta do të ndodhë zvogëlimi i administratës publike, por kjo do të jetë e mundur vetëm atëherë kur do të forcohet sektori privat. Ndoshta do ta absorbojë atë pjesë, të ofrojë rroga më të larta, motivim më të madh për përparim në jetë dhe karrierë, e të ngjashme. Kjo pres të ndodhë vetëm nëpërmjet rrugës natyrore. Por, njëkohësisht, kjo është e mundur nëse shteti, atë që e ka si kapacitet, e angazhon. Kjo është ajo që shoh vazhdimisht si ekonomist – 400 milionë eurot që vidhen për çdo vit në Maqedoni, nëse drejtohen në mënyrë kualitative për mbështetje të biznesit, për zhvillim të infrastrukturës, për aspekte ekonomike, që do të thonë rritje ekonomike, e me këtë rritje mbarështuese dhe zhvillim të shtetit. Radio Evropa e Lirë: A keni tashmë ndonjë pasqyrë për vendet e ministrave, si do t'i kishit ndarë me partnerët e ardhshëm të koalicionit? Zoran Zaev: Ne nuk kemi biseduar për atë temë. Unë qe disa herë pohoj se folëm për pozicionet tona fillestare ndaj premtimeve të partive politike shqiptare para qytetarëve dhe dikastereve, dhe për pozicionet e tyre ndaj premtimeve tona. Ky është plani "Për jetë në Maqedoni". Rendi është që ta presim mandatin. Gjatë tërë kohës e përsëris këtë fjali – pres që të marrim mandatin nga z.Gjorge Ivanov, që të hyjmë e të bisedojmë për dikasteret, në vetë ministrinë. Unë di një gjë – më duhen njerëz kualitativ, njerëz te të cilët do të kenë besim qytetarët dhe të cilët janë të gatshëm që t'i përveshin mëngët dhe të punojnë në një mandat katërvjeçar për interesin e qytetarëve. Pres njerëz pozitivë edhe nga partia ime, edhe nga ky koalicion që jemi, por dhe nga partnerët e ardhshëm, nga partitë politike shqiptare, të cilët me të vërtetë janë të gatshëm që t'i hyjnë punës dhe të punojnë si trima për interesat e të gjithë qytetarëve dhe të Maqedonisë sonë. Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ende nuk keni arritur të bisedoni për emra, për pozicione të ministrave? Zoran Zaev: Jemi larg. Ne nuk kemi biseduar as për dikasteret se kush ku do të marrë përgjegjësinë në ndarjen e dikastereve, e më pas, kuptohet, në mënyrë gjegjëse vijnë emrat ndaj kërkesave për dikasteret nga të gjitha anët, të cilat do të bisedohen, për shkak se nuk mund të kërkoni një dikaster e për të cilin të mos jepni asnjë emër serioz. Kështu që, njëra me tjetrën janë të ndërlidhura dhe kjo vijon pas marrjes së mandatit. Kjo nuk do të thotë se Zaevi do të bisedojë 20 ditë që të kompozohet kabineti qeveritar. Unë pres që për 10, madje edhe më pak se 10 ditë, t'ia dalim që ta formojmë Qeverinë, të cilën do t'ia propozojmë Parlamentit. Radio Evropa e Lirë: Nëse departizohet gjykata, a do të ketë nevojë për Prokurorinë Publike Speciale? Zoran Zaev: Prokuroria Publike Speciale është formuar me konsensusin e të gjitha partive dhe të gjithë deputetëve në Parlament dhe ajo e ka qëllimin dhe nevojën e vet për funksionim, për ekzistim dhe për të mbaruar atë (punë) për të cilën është formuar. Unë jam i bindur dhe dua që ajo ta kryejë punën për të cilën është formuar, që do të thotë të hulumtojë gjithçka çka është e lidhur dhe e cila del nga përgjimet jolegale. Nëse ka dëshmi, le të procedojë hetime dhe akuza; nëse nuk ka, atëherë hetimet këtu mbarojnë. Kjo është ajo që pres, dhe njëkohësisht dhe në mënyrë paralele, patjetër do të duhet t'i hapim proceset rreth departizimit të gjyqësisë. Ne vërtetuam se nuk ka shtet juridik në Maqedoni. Gjithçka është e lidhur mes trupit ekzekutiv, me pushtetin ekzekutiv dhe forcat politike në shtet. Premtuam dhe gjendjen e kemi të pastër në lidhje me këtë çështje – pezullim të gjyqësisë dhe të organeve të jurisprudencës dhe rizgjedhje të tyre, ku politikanët do t'i heqin duart e veta dhe ndikimin e tyre, që të sigurohen ekspertë në pajtim me praktikën më të mirë evropiane, ashtu siç është bërë në shumë vende, të cilat janë afër Bashkimit Evropian apo të cilat tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian. Vetëm në këtë mënyrë politikanët do të shqiten (nga drejtësia), qytetarët do ta dinë se ka drejtësi, se do të punohet me të drejtë dhe se më askush nuk do të përgjigjet nëse është i pafajshëm. Secili që do ta shkelë ligjin, do të përgjigjet. Ligji do të vlejë për të gjithë njëlloj. E drejta dhe shteti juridik duhet të jenë imperativ, nëse duam të jemi vend me aspirata të plota për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Radio Evropa e Lirë: Shkurtimisht, kur mund ta presim numëratoren te Porta Maqedonia, ashtu siç premtuat, ku, siç thatë, do të rrotullohen paratë e vjedhura? Zoran Zaev: Kjo është e ndërlidhur me pyetjen e kaluar – sa më shpejt që organet e ligjshme të marrin vendime të plotfuqishme, aq më shpejt do të vijë edhe numëratorja, për shkak se ligjet në Maqedoni ekzistojnë – konfiskimi i pasurisë është i lidhur me vërtetimin e fitimit të parave në mënyrë kriminele. Ligjet në Maqedoni edhe sot janë ashtu. Unë pres vendime gjyqësore efikase, të ndershme dhe të pavarura, që kanë të bëjnë me mua, me LSDM-në, për të gjithë në Maqedoni, në pajtim me atë kur do të dëshmohet se ndokush ka vjedhur para, se në mënyrë joligjore ka arritur në kapital apo para, me ligj kjo konfiskohet. Në çastin kur do të bëhet kthimi në buxhet, do të paraqitet numëratorja te Porta triumfale. Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se nuk ka marrëveshje për amnisti? Zoran Zaev: Këtë e dinë edhe fëmijët e vegjël në Maqedoni se amnisti në Maqedoni nuk do të ketë për askënd për një shkak të thjeshtë – se këtë askush nuk mund ta garantojë. Gjithçka dihet. Nuk ka më fshehtësi në Maqedoni. Po të kishte qenë për amnisti, bisedime të fshehta, deri më tani do të harronim edhe për kriza politike, do të ndërronte edhe pushteti dhe do të ishte më ndryshe, por nuk do ta kishim drejtësinë dhe shtetin juridik. Radio Evropa e Lirë: Kundërshtarët tuaj ju akuzojnë se qëllimi i fundit për ardhjen tuaj në pushtet praktikisht është ndryshimi i emrit. A jeni të përgatitur për bisedime për çështjen e emrit, me qëllim që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s? Zoran Zaev: Unë jam i përgatitur që të flas me fqinjin tonë jugor, i cili ka problem me emrin tonë, e ky është raport shumë jo i drejtë i një fqinji ndaj Maqedonisë, por qëndrimi ynë është i qartë – vendimet do t'i marrim së bashku me opozitën, ndërsa do të jenë përfundimtare në referendum, ku do të votojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Radio Evropa e Lirë: A keni frikë për ndërhyrje më të madhe ruse në Maqedoni, që të pengohet integrimi maqedonas në strukturat euro-atlantike? Zoran Zaev: Gjithmonë kam përcjellë porosi dhe sërish do t'i përsëris – unë dua bashkëpunim me të gjithë, përfshirë këtu edhe Federatën Ruse. Por, alternativë tjetër për Maqedoninë, përveç anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Evropian, nuk ka. Kjo është perspektiva e Maqedonisë. Por, dua të shoh më shumë prodhime bujqësore nga Maqedonia në Moskë, në Petersburg dhe gjithandej, ashtu siç dua të shoh gaz e naftë ruse këtu në Maqedoni. Nuk kemi problem me këtë gjë. Të bashkëpunojmë në sferën e kulturës, arsimit, sportit e të ngjashme, ashtu siç duhet të bashkëpunojnë dy vende mike, por edhe miqtë nga Rusia e dinë se gjithë Ballkani, ashtu edhe Maqedonia, vendin e ka – anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. The post Zaev premton zgjidhje të rasteve “Kumanova” dhe “Mostra” appeared first on INSAJDERI. |
| Meçi i madh i boksit që mund t’ia kalojë atij Joshua – Klitschko Posted: 07 May 2017 08:16 AM PDT Boksieri më i njohur i Meksikës, Saul Cancelo Alvarez, fitoi me vendim unanim ndaj Julio Chavez të shtunën. E pas fitores ndaj Chavez, boksieri meksikan bëri të ditur se do të ndeshet me kampionin e kategorisë së mesme, Gennady Golokvin. Golokvin nga Kazakistani nuk ka asnjë humbje në karrierën e tij. Ka fituar 37 ndeshjet në të cilat ka boksuar, derisa 34 prej tyre i ka mbyllur para kohe, me nokaut. "Golokvin, ti je në radhë shoku im. Ku je ti? Jam gati", deklaroi Alvarez pas meçit të së shtunës. Meçi ndërmjet Golokvin dhe Alvarez është vendosur të zhvillohet më 16 shtator të këtij viti, raporton Insajderi. Kategoria e mesme e boksit profesionist është njëra nga kategoritë më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndeshja ndërmjet Alvarez dhe Golokvin është pritur prej shumë kohësh, dhe ky meç pritet të gjenerojë miliona të ardhura, deri aty sa t'ia kalojë meçit të kategorisë super të rëndë Joshua-Klitschko që u zhvillua të shtunën e kaluar. /Insajderi.com The post Meçi i madh i boksit që mund t'ia kalojë atij Joshua – Klitschko appeared first on INSAJDERI. |
| Skuadra e Atdhe Nuhiut, një hap larg Premier Ligës Posted: 07 May 2017 08:03 AM PDT Atdhe Nuhiu ka luajtur 13 minuta lojë në humbjen e skuadrës së tij Sheffield Wednesday ndaj Fulham në kategorinë e dytë angleze, Championship. Edhe pse humbi me rezultat 2 me 1 ndaj Fulhamit, Wednesday e ka mbyllur stinorin në vendin e katërt në renditje me 81 pikë. Me këtë renditje, skuadra ku aktivizohet sulmuesi i Kosovës Atdhe Nuhiu, do të luajë në plejof për ngjitje në Premier Ligë. Plejofi i kategorisë së parë angleze do të fillojë javën e ardhshme, derisa vetëm një nga katër skuadra do të mund t'i bashkohet Brightonit dhe Newcastlet për në elitën e futbollit anglez, raporton Insajderi. Ndeshjen gjysmë-finale të plejofit, skuadra e Atdhe Nuhiut do ta luajë ndaj Huddersfield, e cila ka përfunduar në pozitën e pestë këtë edicion. /Insajderi.com The post Skuadra e Atdhe Nuhiut, një hap larg Premier Ligës appeared first on INSAJDERI. |
| Një person vdes në qendrën e votimit në Francë Posted: 07 May 2017 07:48 AM PDT Një 89-vjeçar francez ka vdekur në një vendvotim në Paris të Francës, pasi kishte shkuar të kryente detyrimin e tij qytetar për të votuar në zgjedhjet presidenciale. Le Parisein raporton se viktima ishte mashkull 89-vjeçar dhe ndërroi jetë pasi që hodhi votën në Draveil, rrethinën jugore të Parisit. Besohet se ai ka pasur dhimbje në gjoks. Vend votimi ishte mbyllur për një orë pas kësaj fatkeqësie, raporton Le Parisien. /Insajderi.com The post Një person vdes në qendrën e votimit në Francë appeared first on INSAJDERI. |
| Alarmohet Franca, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj Macron Posted: 07 May 2017 07:47 AM PDT Në sheshin e muzeut të Louvrit në Paris, ku kandidati presidencial Emanuel Macron po planifikonte të mbante fjalimin e fitores së mundshme të dielën, është evakuuar për kontrolle të sigurisë pasi është gjetur një çantë e dyshimtë, kanë thënë policia dhe kampanja. "Pas gjetjes së një çante të dyshimtë, 300 gazetarëve (të cilët po prisnin për akreditim), u kërkua të lirojnë vendin për shkaqe sigurie dhe janë zhvendosur në një vend tjetër", ka thënë një zyrtar nga kampanja e Macronit, shrkuan The Independent. Masa paraprake është marrë për të bërë kontrollimin e sigurisë, sipas policisë. Fusha përballë muzeut ishte vendi ku Macron kishte planifikuar të festonte fitoren e mundshme, kishte konfirmuar ekipi i tij të enjtën. Ky alarm vjen përderisa votuesit janë duke votuar për raundin final të zgjedhjeve presidenciale. Kandidati nga qendra, Emanuel Macron, është kundër kandidates së djathë, Marine Le Pen, rezultatet pritet të shpallen më vonë këtë mbrëmje. Franca është ende në gjendje emergjente që nga sulmet e nëntorit të vitit 2015./Insajderi.com The post Alarmohet Franca, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj Macron appeared first on INSAJDERI. |
| Izraeli me projektligj për ta hequr arabishten si gjuhë zyrtare Posted: 07 May 2017 07:39 AM PDT Komiteti Ministror për Legjislacion i Izraelit është duke e çuar përpara një projektligj që e degradon arabishten si gjuhë zyrtare të vendit, duke e lënë vetëm gjuhën hebraike gjuhë nacionale. Ky Komitet votoi të dielën për ta prezantuar projektligjin kontrovers për një shtet izraelit i cili thekson se "e drejta për të realizuar vetëvendosje në Shtetin e Izraelit i takon vetëm popullit hebre" shkruan mediumi izraelit Haaretz. Ky projektligj duhet t'i kalojë disa runde të legjislacionit në Parlament në mënyrë që të bëhet ligj. Kritikët thonë se nëse aprovohet, atëherë do ta dobësojë Izraelin si shtet hebre edhe demokratik duke cenuar të drejtat e minoriteteve të vendit. Momentalisht, edhe gjuha hebraike edhe arabishtja janë gjuhë nacionale të Izraelit. Por, projektligji thekson se gjuha hebraike do të jetë gjuha e vetme nacionale dhe se arabishtja do të degradohen edhe pse do t'i jepet një status special. The post Izraeli me projektligj për ta hequr arabishten si gjuhë zyrtare appeared first on INSAJDERI. |
| Martesat e zviceranëve me kosovaret “qëndrojnë” vetëm 4 vjet Posted: 07 May 2017 07:27 AM PDT Rastet kur zvicerani martohet me një kosovare (që edhe nuk janë shumë të shpeshta) kanë shansin minimal për të mbijetuar: mesatarisht ato shuhen pas katër vitesh, tregon një statistikë të cilës i është referuar gazeta "SonntagsZeitung" në botimin e saj të sotëm. Në përgjithësi, sipas statistikës në fjalë martesat e zviceranëve ose zviceraneve me persona nga Ballkani përfundojnë me dështim, më shpejt se mesatarja, transmeton albinfo.ch. Vetëm pak më gjatë qëndrojnë martesat e kosovarëve me gra zvicerane: edhe ato prishen mesatarisht pas 5 vitesh. Sigurisht, gjëja e parë që të shkon ndërmend duke i parë këto statistika është fenomeni i martesave fiktive. Këtë e konstaton edhe gazeta, duke përkujtuar se një të huaji/të huaje i duhen gjithsej 3 vjet martese për të fituar lejen e qëndrimit në Zvicër. Dhe mesatarja e prishjes së këtyre martesave nuk është shumë më e gjatë se ky afat! Por, të dëshmosh se një martesë është fiktive është një gjë e vështirë, pothuaj e pamundur, thotë avokati i divorceve Yves Amberg. "Kur dështon një kurorë binacionale, partnerit zviceran i shkon mendja se është "abuzuar" nga partneri i huaj dhe se ka jetuar në një martesë fiktive. Edhe martesat e burrave zviceranë me gra të vendeve tjera të Evropës Lindore përfundojnë shpejt: me ruset, ukrainaset dhe serbet, ato zgjasin mesatarisht 7 vjet, e me kroatet, 8 vjet. Sa për krahasim: martesat në mes zviceranëve kanë një "afat qëndrueshmërie" mesatarisht 16 vjeçar. Avokati Amberg problemin e sheh para së gjithash te meshkujt zviceranë që martohen me gra nga Evropa Lindore ose nga Azia., përcjell albinfo.ch. "Këta burra kanë pjesërisht pikëpamje konservative për familjen dhe nuk dëshirojnë të kenë grua të emancipuar". Dhe kur shpresa që me gruan nga jashtë të realizojë ndarjen klasike të roleve në familje dështon, vjen edhe shkurorëzimi". "Martesat e përziera, në fillim janë plot shpresë, seks dhe mall". E më vonë, kur fillojnë hallet e përditshmërisë, punës dhe parave, ndodh shpesh edhe dëshpërimi dhe ndarja. Realitetin e qëndrueshmërisë së shkurtër të martesave mes zviceraneve dhe zviceranëve nga njëra anë dhe një të huaji ose të huaje e tregon edhe statistika e publikuar verën e kaluar nga Zyra Federale e Statistikës. Sipas saj, shanset që një martesë ku të dy partnerët janë zviceranë/e të mbijetojë edhe pas 20 vitesh janë 82 për qind, transmeton albinfo.ch. Ndërsa kur njëri partner është i/e huaj, ky shans bie në 75%. Ndërsa te rastet e partnerëve nga Turqia ose nga Ballkani, rënia është shumë më e madhe: 28 për qind. The post Martesat e zviceranëve me kosovaret "qëndrojnë" vetëm 4 vjet appeared first on INSAJDERI. |
| Formacionet zyrtare: Xhaka nga fillimi ndaj Manchester United Posted: 07 May 2017 07:20 AM PDT Edhe pse ishte në dyshim për ndeshjen ndaj Manchester United për shkak të një lëndimi, Granit Xhaka është përfshirë në formacionin bazë të Arsenalit. Mesfushori me origjinë nga Kosova do të luajë përkrah Aaron Ramseyt në mesfushën e Arsenalit, raporton Insajderi. Në anën tjetër, për Manchester United, Jose Mourinho ka preferuar Wayne Rooney përpara Marcus Rashford. /Insajderi.com The post Formacionet zyrtare: Xhaka nga fillimi ndaj Manchester United appeared first on INSAJDERI. |
| Tre herë kampioni i Premier Ligës, bie në ligën e tretë Posted: 07 May 2017 07:07 AM PDT Blackburn Rovers, ish-kampioni i Anglisë në vitet 1912, 1914 dhe 1995, tanimë është një klub i ligës së tretë angleze. Edhe pse fitoi sot ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Brentfordit me rezultat 3 me 1, skuadra e njohur angleze ka rënë në ligën e tretë të futbollit anglez, që njihet si League One. Me 51 pikë, Blackburn e ka përfunduar stinorin në vendin e 20 në Championship. /Insajderi.com
The post Tre herë kampioni i Premier Ligës, bie në ligën e tretë appeared first on INSAJDERI. |
| Dështon ceremonia e Vulinit për shkak të flamurit të Kosovës Posted: 07 May 2017 06:45 AM PDT Ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin, ka lëshuar ngjarjen komemorative në Mathauzen të Austrisë në shenjë proteste për praninë e delegacionit të Kosovës në mbledhjen. Vulin ka thënë se "delegacioni ynë nuk ka mundur të lejojë që në heshtje të shikojë se si flamuri i shtetit të rremë të Kosovës të paraqitet këtu si shtet i vërtet dhe të cilët thirren sikur kanë qenë pjesë e koalicionit anti-fashist", shkruan Tanjug. The post Dështon ceremonia e Vulinit për shkak të flamurit të Kosovës appeared first on INSAJDERI. |
| Romani i Kadaresë, një projekt i madh filmik ruso-shqiptar Posted: 07 May 2017 06:12 AM PDT Regjisori i famshëm rus Aleksandër Sokurov promovoi në Tiranën projektin e filmit ruso-shqiptar mbështetur në skenarin e shkrimtarit Ismail Kadare. Ylli i kinematografisë botërore, regjisori i famshëm rus Aleksandër Sokurov, i cili ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Luanin e Artë në Festivalin e Venecias për filmin "Faust", vizitoi këtë javë Filmi, do të flasë për fatin e dhimbshëm të grave ruse në Shqipëri në periudhën e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Sokurovi mbajti një leksion me studentët e Universitetit të Arteve, si dhe u takua me Kryeministrin, Edi Rama dhe Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, shkruan Pasqyra.al Shumë shpejt duhet të nisë procesi i përzgjedhjes së aktorëve shqiptarë që do të luajnë në këtë film, ndërsa vetë xhirimi pritet të fillojë gjatë muajve në vijim./KultPlus.com The post Romani i Kadaresë, një projekt i madh filmik ruso-shqiptar appeared first on INSAJDERI. |
| Luftë në rrjetet sociale mes Griezmannit dhe Neymarit Posted: 07 May 2017 06:07 AM PDT 'MSN' dëshmoi se është shumë e fuqishme për Villareal, përderisa Barcelona fitoi 4-1 në ndeshjen e djeshme. Neymar shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 21-të – dhe këtë gol ai e shënoi me një festim të njohur. Antonie Griezmann i Atletico Madrid është bërë sinonim me vallëzimin "Hotline Bling" që e përdorë për të festuar golat e tij, transmeton Gazeta Express. Dhe natën e kaluar, Neymar bëri vallëzimin e njëjtë të Griezmann pasi shënoi për Barcelonën. Pas ndeshjes, francezi iu kthye Instagramit për të postuar një foto të dyshes në mes të festimit të golit. The post Luftë në rrjetet sociale mes Griezmannit dhe Neymarit appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |















