Varshavë, tentativa për të vrarë ambasadorin shqiptar

Letra e panjohur që zbardh skandalin diplomatik të vitit 1960, teksa një funksionar i Ministrisë së Jashtme të Polonisë nxori pistoletën për të vrarë ambasadorin shqiptar. Incidentet që u mbajtën të fshehta për të mos dëmtuar imazhin e bllokut komunist



Nga Thanas Mustaqi


l


                             Në foto: Selia aktuale e ambasadës shqiptare në Varshavë





Më 29 qershor 1960, një funksionar në ministrinë e jashtme të Polonisë, u paraqit dhe hyri në ambasadën shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë pistoletën, u orvat të vriste ambasadorin. “Investigim”-i zbulon faktin e jashtëzakonshëm, që nuk u bë publik atë kohë (mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët, do të shkruante Enver Hoxha). Sherret në bllokun komunist në vitet 1960 çuan deri në incidente diplomatike, që nuk u bënë publike atëherë, por që më vonë informacionet rrodhën në mediet ndërkombëtare. Ato njoftuan se ambasadori shqiptar në Poloni “Musin Kroi u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për shkak se personalisht goditi me grusht një punonjës polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi”. Ndërkaq “Investigim”-i ka zbuluar në arkiv edhe dy dokumente interesante që hedhin dritë mbi incidentet në Varshavë, por edhe në Tiranë nga ana e ambasadës sovjetike.

“EVROPA E LIRË”

Disa numra më parë gazeta “Investigim” ka botuar një shënim analitik të emitentit amerikan të CIA-s “Radio Evropa e Lirë / Radio Liria” të 19 korrikut 1961, ku shkruhej se marrëdhëniet polake-shqiptare kishin qenë në një pikë shumë të ulët për disa kohë. “Evropa e Lirë” vëren se “me sa duket diku nga vera e vitit 1960 ambasadori shqiptar në Varshavë, Musin Kroi, u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për shkak se personalisht goditi me grusht një punonjës polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi”. Por kjo ka ndodhur pas 6 muajsh. “Investigim”-i i referohet një shënimi të 22 janarit 1961 në “Ditarin” e Enver Hoxhës, kur Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Behar Shtylla i raportoi “se qeveria polake e ka deklaruar person të padëshirueshëm ambasadorin tonë në Poloni, Musin Kroin”. Po ashtu “Evropa e Lirë” thotë: “Agjencitë e lajmeve UPI dhe “Reuter” njoftonin më 12 tetor 1960 se Kroi nuk do të kthehej në Varshavë nga Tirana, ku kishte shkuar për “pushime” tre muaj më parë”.

SIKUR…

Në vazhdim”Investigim”-i ka zbuluar dhe dy dokumente të reja. Më 21 korrik 1960 Enver Hoxha i dërgon letër KQ të PKBS në përgjigje të një letre të një javë më parë,13 korrik, që Moska i kishte çuar pas ankesës së polakëve për të ndërhyrë lidhur me incidentin e kryer në ambasadën e RP të Shqipërisë në Poloni. Sipas Hoxhës, më 29 qershor 1960, një ish-funksionar i Ambasadës Polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në Ambasadën Shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë pistoletën, u orvat të vriste ambasadorin Musin Kroi. Funksionarët e ambasadës e kapën, e çarmatosën dhe ua dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë. “Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët”, thotë Hoxha.

29 NËNTOR 1959

Në këtë dokument kreu i regjimit të Tiranës përmend dhe një fakt tjetër të panjohur. Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori shqiptar në Varshavë në 29 nëntor 1959, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetente polake u orvat të grabiste dokumentet shtetërore dhe t’i vinte zjarrin ambasadës shqiptare, por funksionarët e ambasadës ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën autorin dhe ua dorëzuan organeve kompetente polake. Hoxha ankohet se autori, i cili kaloi në gjyq, sa për formalitet, u dënua për aktin e tij të shëmtuar me dy muaj kondicionel dhe u la i lirë gjoja si “i çmendur” ose “i pirë”.

LEKËT E XHEPIT

Madje, puna arrin deri dhe në një moment kureshtar. Zëvendësministri polak i punëve të jashtme, Marian Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë iu plotësua, la pushimet dhe u largua, duke i kthyer Komitetit Qendror, nëpërmjet të ambasadorit të Republikës Popullore të Polonisë në Tiranë, edhe të hollat e xhepit që i kishte dhënë Komiteti Qendror i PPSH, sipas zakonit që praktikohej me miqtë kur vinin të pushonin, për të blerë disa kujtime nga Shqipëria. Por pas 22 vjetësh Nashkovski ngre në qiell në shtypin polak Enver Hoxhën për performancën në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946.

“KUJT I QËNDRON BESNIKE USHTRIA?”.

Dy javë më vonë, më 6 gusht 1960 Enver Hoxha ankohet në një letër në emër të KQ të PPSH drejtuar KQ PKBS, tani për disa funksionarë të ambasadës së BS në Tiranë. Sipas Hoxhës, kohët e fundit, pas Mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore, konstatonte një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e disa personave që ishin funksionarë të ambasadës sovjetike në Tiranë. Dhe ai numëron disa raste. Këshilltari K. I. Novikov ishte orvatur shumë herë të mblidhte informata nga kuadrot dhe funksionarët e PPSH si në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe gjetkë mbi ato që shqyrton Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë. Sekretari i parë i ambasadës F. P. Bespallov, bashkë me ambasadorin V. I. Ivanov dhe këshilltarin e ambasadës, K. I. Novikov, kishin mundur të influenconin negativisht mbi Koço Tashkon, kryetar i Komisionit të Revizionimit në PPSH, duke e tërhequr atë në pozita të hapura kundër vijës së përgjithshme të partisë. Kurse kryediplomati Ivanov u bëri gjeneralëve dhe oficerëve shqiptarë, publikisht, në aerodromin e Tiranës, pyetjen: “Kujt i qëndron besnike ushtria?”.











Nga “Letër e KQ të PPSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur me incidentin e kryer në ambasadën e RP të Shqipërisë në Poloni”





21 korrik 1960

Morëm letrën tuaj të datës 13 korrik të vitit 1960, që bën fjalë për incidentin e padëshirueshëm që ka ndodhur në ambasadën tonë në Varshavë, si rezultat i orvatjes së një funksionari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vrarë ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi.

Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj dhe dëshirojmë me këtë rast t’ju falënderojmë për kujdesin shoqëror dhe internacionalist që tregoni për rregullimin e mosmarrëveshjes që ka lindur midis nesh dhe shokëve polakë në lidhje me incidentin e mësipërm, në mënyrë që marrëdhëniet midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Polonisë të mos cenohen, po të forcohen në interes të të dy vendeve tona socialiste dhe të të gjithë kampit socialist në përgjithësi.

Neve na vjen shumë keq që ndodhi një incident i tillë dhe kuptohet se nuk jemi ne fajtorë për këtë incident dhe për konsekuencat që rrjedhin prej tij, por përgjegjësinë e kanë shokët polakë, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të mos e lejuar një incident të tillë.

Për të qenë në korrent të çështjes dëshirojmë t’ju themi se kanë ngjarë dy incidente të rënda në ambasadën tonë në Varshavë.

1) Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori ynë në Varshavë në 29 nëntor 1959, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupacioni nazifashist, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetente polake tentoi të grabiste dokumentet shtetërore dhe t’i vinte zjarrin Ambasadës Shqiptare, por funksionarët e ambasadës sonë ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën kriminelin dhe ua dorëzuan organeve kompetente polake. Këtë akt diversionist, duke marrë parasysh lidhjet miqësore që ekzistojnë në mes të dy vendeve tona, në frymë shoqërore dhe internacionaliste ia vumë në dukje verbalisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, duke kërkuar që të merreshin masa për mospërsëritjen e gjesteve të tilla armiqësore karshi vendit tonë. Pas kësaj ndërhyrjeje në frymë miqësore nga ana jonë, ambasadës sonë në Varshavë iu dhanë “sigurime” formale nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë “se do të merreshin të gjitha masat për të mos lejuar që të përsëriteshin në të ardhshmen të tilla veprime diversioniste”. Megjithatë ne konstatuam se autori i krimit të përmendur, i cili kaloi në gjyq, sa për formalitet, u dënua për aktin e tij të shëmtuar me dy muaj kondicionel dhe u la i lirë gjoja si “i çmendur” ose “i pirë”.

Ambasada jonë në Varshavë i është drejtuar pas këtij incidenti të rëndë tri herë me notë zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vënë një rojë të armatosur te porta e ambasadës sonë në Varshavë, sikurse kemi vepruar edhe ne në Tiranë për sigurimin e Ambasadës Polake dhe të të gjitha ambasadave të tjera. Por Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë nuk denjoi të merrte asnjë masë për të vënë rojë pranë ambasadës sonë në Varshavë duke ia lënë kujdesin e ambasadës sonë një milici, i cili ruan në të njëjtën kohë edhe shumë ambasada të tjera të huaja. Të gjitha këto tregonin për ne se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë të lehtë.

2) Në 29 qershor të këtij viti [1960], një ish-funksionar i Ambasadës Polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në Ambasadën Shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë koburen, tentoi të vriste ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi. Funksionarët e ambasadës sonë e kapën kriminelin, e çarmatosën dhe ua dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë.

Nga këto dy incidente të rënda njëri pas tjetrit kuptohet se Qeveria e Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, jo vetëm që nuk e ka marrë seriozisht sigurimin e ambasadës sonë në Varshavë dhe të personelit të saj, po e ka trajtuar këtë çështje me një mungesë konsekuence të rëndë dhe me një përbuzje të palejueshme, që nuk pajtohet jo vetëm me frymën miqësore dhe internacionaliste që lidh të dy vendet tona, po as edhe me normat formale diplomatike. Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët. Ne mendojmë se këto provokacione që ngjanë nuk janë gjëra të rastit dhe janë bërë nga elementë armiq, të cilët përpiqen për të prishur marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Përgjegjësia e organeve qeveritare të Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, konsiston në atë që nuk kanë marrë deri më sot asnjë masë serioze për të ndaluar akte të tilla provokimi kundër ambasadës sonë dhe personelit të saj.

Nota e qeverisë sonë drejtuar qeverisë polake është plotësisht me vend dhe karakterizohet nga një durim i madh në vështrim të zhvillimit të ngjarjeve.

Por, siç duket, shokëve polakë nuk u pëlqen kur u thuhet e vërteta në sy dhe u kërkohet gjëja më elementare, të marrin masa për ruajtjen e ambasadës sonë dhe të personelit të saj. Ishte e arsyeshme dhe e domosdoshme për çka ngjau që ne të largonim përkohësisht ambasadorin tonë nga Varshava, deri sa qeveria polake të kërkonte ndjesë dhe të merrte masat e përshtatshme karshi këtyre incidenteve, që po bëheshin një vijë e rrezikshme dhe plot konsekuenca të rënda.

Qeveria polake nuk iu përmbajt jo vetëm normave diplomatike, po as edhe frymës miqësore dhe internacionaliste, pas këtyre dy incidenteve shumë të rënda që jo për fajin tonë i ndodhën ambasadës dhe ambasadorit tonë në Varshavë. Përveç kësaj, notëpërgjigjja e qeverisë polakedrejtuar qeverisë sonë është hartuar me një ton përbuzës dhe në një mënyrë të tillë që le qartë të kuptohet se qeveria polake jo vetëm nuk ka ndër mend të njohë gabimin e vet, por as edhe të marrë masa në të ardhmen. Notës polake ne do t’i përgjigjemi.

Është shumë e arsyeshme ajo që thoni Ju, se kjo çështje, deri sa nuk u rregullua në vijën diplomatike, të rregullohet në vijë partie, sido që për ne çdo veprim i qeverisë përputhet me vijën dhe vendimet e Komitetit Qendror të Partisë. Ne Ju themi se edhe këtë vijë e tentuam. Kur ndodhi incidenti në fjalë, ndodhej në Shqipëri për pushime zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski Marian*, i cili kërkoi të bisedonte për këtë çështje në rrugë partie, si anëtar i Komitetit Qendror. Ne e pranuam një gjë të tillë dhe ai bisedoi me anëtarin e Byrosë Politike dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë sonë, shokun Rita Marko. Megjithëse kjo çështje u shtrua nga ana jonë me ton dhe frymë partie, zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski, u soll jo si njeri partie, po si një diplomat. Toni i tij ishte toni notës polake dhe nuk u arrit asnjë rezultat.

Përveç kësaj ne duhet të theksojmë se shokët polakë, në vazhdim të këtyre incidenteve të rënda, morën edhe një masë tjetër, që nuk i përshtatet frymës miqësore dhe internacionaliste që duhet të ekzistojë në mes të dy vendeve dhe partive tona. Zëvendësministri polak i punëve të jashtme, shoku Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë iu plotësua, la pushimet dhe u largua, duke i kthyer Komitetit Qendror, nëpërmjet të ambasadorit të Republikës Popullore të Polonisë në Tiranë, edhe të hollat e xhepit që i kishte dhënë Komiteti Qendror i Partisë sonë, sipas zakonit që praktikohet me miqtë kur vijnë të pushojnë, për të blerë disa kujtime nga Shqipëria. Edhe këtë akt ne nuk kemi si të mos e konsiderojmë si përbuzje të miqësisë vëllazërore që tregon Partia jonë karshi shokëve polakë.

Ne mendojmë se incidentet e rënda dhe aktet jomiqësore në drejtim të vendit tonë tregojnë se shokët polakë jo vetëm janë larg të njohin gabimet e tyre, por dëshirojnë gjithashtu të lozin ndaj Shqipërisë socialiste motër kartën e një shteti të madh ndaj një shteti të vogël. Sigurisht ata gabojnë adresë dhe harrojnë se populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë as nuk kanë lindur dhe as nuk rrojnë me mëshirën e shokëve polakë.

Ne kurdoherë kemi dashur dhe dëshirojmë që me popullin, partinë dhe qeverinë polake të kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shumë të ngushta, në frymën marksiste-leniniste, në frymën e barazisë dhe të internacionalizmit proletar dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë me këmbëngulje deri në fund. Ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që çështja të zgjidhet midis komiteteve qendrore të të dyja partive, sikurse rekomandoni ju me plot të drejtë, por mendojmë se i takon udhëheqjes polake, qoftë në rrugë partie, qoftë në rrugë shtetërore që të marrë iniciativën për të ndrequr këto gabime të rënda të saj dhe të japë garanci që në të ardhshmen të mos ndodhin.

Ne do të jemi të lumtur që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në interes të marrëdhënieve midis Republikës Popullore të Polonisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, në interes të unitetit të kampit të socializmit, të përdorë autoritetin e vet për të influencuar brenda mundësive të tij pranë shokëve polakë që t’i shikojnë marrëdhëniet me ne në bazë të barazisë, në mënyrë shoqërore, marksiste-leniniste dhe ne jemi kurdoherë gati të bisedojmë me ta për incidentin e Varshavës, sikurse rekomandoni Ju, veçse çdo gjë varet nga shokët polakë.

Me përshëndetje komuniste.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë

Enver Hoxha



Shënim i “Investigim”-it

* Sipas Liljana Hoxhës, gazeta “Argumenti” e Varshavës, datë 4.09.1983, boton artikullin me titull “Konferenca e Paqes, kujtimet e polakut Marian Nashkovskit, ish-përfaqësuesi i Polonisë në Konferencën e Paqes në Paris [1946]”: “Ndërmjet kujtimeve në Pallatin Luksemburg sjell ndërmend fjalimin e përfaqësuesit të Shqipërisë, Enver Hoxha. Shqipëria nuk mori pjesë me të drejtat e anëtarit, megjithëse këtë e meritonte moralisht. Siç dihet ky vend luftoi me heroizëm pa ndihmë nga jashtë kundër nazifashistëve. Por konferenca u kufizua vetëm me ftesën e Shqipërisë, jo për të folur nga tribuna e saj. Enver Hoxha atëherë ishte i ri, i pashëm, me uniformë ushtarake të thjeshtë, pa dekorata. Megjithatë foli me një patos të madh dhe gjallëri, me temperamentin e një jugori të vërtetë. Foli në mënyrë të zjarrtë, gjë që me siguri ishte tipar i karakterit të tij, sepse në mënyrë retorike foli drejt, dënoi krimin e fashistëve italianë dhe kërkoi miratimin e klauzolave, të cilat nuk do t’i jepnin mundësi ringjalljes së nazifashizmit”.















Nga “Letër e KQ të PPSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur me ndërhyrjen e hapur në punët e brendshme të PPSH dhe të shtetit shqiptar nga disa funksionarë të Ambasadës së BS në Tiranë”



6 gusht 1960

… me keqardhjen më të madhe Ju vëmë në dijeni se këto kohët e fundit, pas Mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore, konstatojmë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e disa personave që janë funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, qëndrim i cili nuk mund të sjellë veçse dëm në marrëdhëniet miqësore midis të dy vendeve tona dhe të të dy partive tona, sepse ka të bëjë me ndërhyrjen e hapët të këtyre personave në punët e brendshme të Partisë dhe të shtetit tonë, në kundërshtim me qëndrimin marksist-leninist që është mbajtur kurdoherë nga njerëzit sovjetikë ndaj çështjeve tona të brendshme.

Ne konstatojmë me hidhërim të madh se shoku K. I. Novikov, këshilltar i Ambasadës Sovjetike në Tiranë, jashtë çdo rregulli partie dhe normash që përcaktojnë marrëdhëniet tona vëllazërore, është orvatur shumë herë për të mbledhur informata nga kuadrot dhe funksionarët e Partisë sonë si në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe gjetkë, mbi çështje kaq të rëndësishme mbi Partinë tonë, siç janë ato që shqyrton Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, të cilat kanë të bëjnë me vijën e përgjithshme politike të Partisë së Punës të Shqipërisë. Ai u ka folur kuadrove tanë të Partisë haptas kundër vijës së përgjithshme të Partisë dhe u ka atyre agjitacion për t’i vënë në pozita të gabuara kundër Komitetit Qendror të Partisë sonë.

Sekretari i parë i Ambasadës Sovjetike shoku F. P. Bespallov, bashkë me ambasadorin, shokun V.I. Ivanov, dhe këshilltarin e ambasadës, shokun K. I. Novikov, me anën e metodave të palejueshme në marrëdhëniet midis partive marksiste-leniniste, kanë mundur të influencojnë negativisht në shokun Koço Tashko, kryetar i Komisionit të Revizionimit në Partinë tonë, duke e tërhequr atë në pozita të hapura kundër vijës së përgjithshme të Partisë sonë.

Një veprimtari e këtillë është ndërhyrje flagrante dhe e palejueshme në punët e brendshme të Partisë sonë marksiste-leniniste nga ana e këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike, është veprimtari e hapët kundër unitetit të Partisë sonë dhe kundër vijës së saj të përgjithshme.

Ne jemi shumë të prekur sidomos nga qëndrimi i ambasadorit sovjetik, shokut Ivanov, këto kohët e fundit, i cili shkoi aq larg në veprimtarinë e tij jomiqësore ndaj Partisë sonë, sa që pati guximin që t’u bëjë gjeneralëve dhe oficerëve tanë, publikisht, në aerodromin e Tiranës, pyetjen e çuditshme dhe të dyshimtë: “Kujt i qëndron besnike ushtria?”. Gjeneralët tanë i dhanë atij përgjigjen e duhur aty për aty dhe kanë ardhur me lot ndër sy në Komitetin Qendror të Partisë, të revoltuar nga një pyetje e këtillë tendencioze e shokut Ivanov dhe duke bërë pyetjen e logjikshme se përse shoku Ivanov bën një pyetje të këtillë, përse ai të vejë në dyshim besnikërinë e ushtrisë sonë ndaj Partisë, atdheut, popullit dhe kampit të socializmit? Për të gjithë ne është krejtësisht i pakuptueshëm ky qëndrim i shokut Ivanov.

Këto fakte (dhe ka edhe shumë të tjera si këto) ne na kanë dëshpëruar pa masë. Deri më sot ne kemi bërë veshin të shurdhër dhe kemi mbyllur një sy ndaj këtyre veprimeve të këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike, dhe këtë e kemi bërë vetëm për hir të miqësisë së madhe që ekziston midis dy vendeve tona. Por tani që veprimet e disa funksionarëve të Ambasadës Sovjetike kundër vijës së përgjithshme dhe unitetit të Partisë sonë po marrin përpjesëtime të padurueshme, ne e ndjejmë për detyrë t’Ju informojmë shoqërisht, me shpresë se Ju do të merrni masat përkatëse. Këto veprime të disa funksionarëve të Ambasadës Sovjetike nuk ndihmojnë në forcimin e miqësisë që ekziston midis të dy vendeve tona, ato dëmtojnë marrëdhëniet internacionaliste që ekzistojnë midis të dy partive tona marksiste-leniniste.

Ne e ndjejmë për detyrë që t’Ju informojmë mbi këto gjëra, të flasim me Ju haptas dhe drejt, siç kemi bërë kurdoherë, siç na mëson vetë Partia-mëmë e Leninit të madh. Ne nuk kuptojmë se përse të ndodhë një ndryshim i këtillë në qëndrimin e këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike. Ata flasin me kuadrot tanë haptas kundër qëndrimit që mbajti Partia jonë në Mbledhjen e Bukureshtit të partive komuniste dhe punëtore dhe përpiqen intensivisht që të përçajnë unitetin e Partisë sonë dhe të udhëheqjes së saj.

Qëndrimi i Partisë sonë në Mbledhjen e Bukureshtit është i qartë si drita e diellit. Partia jonë në atë mbledhje shprehu haptas dhe qartë pikëpamjet e veta dhe askujt nuk i lejohet që të shtrembërojë realitetin mbi qëndrimet e Partisë sonë. Ashtu sikundër në Mbledhjen e Bukureshtit ne folëm haptas dhe qartë mbi çështjet që u shtruan në atë mbledhje, ashtu do të flasim haptas dhe qartë edhe në mbledhjen e ardhshme që do të bëhet në Moskë, sikurse është vendosur nga të gjitha partitë që morën pjesë në Mbledhjen e Bukureshtit. Nuk i lejohet askujt, për asnjë arsye, që të ndërhyjë në punët tona të brendshme për të ndryshuar qëndrimin e drejtë marksist-leninist të Partisë sonë, sikundër po orvaten që të bëjnë disa funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë.

Partia jonë, sikurse të gjitha partitë e tjera marksiste-leniniste, ka të drejtë të ketë pikëpamjen e vet dhe t’i shfaqë pikëpamjet e veta lirisht, ashtu siç i mendon, siç na mëson Lenini i madh. Këtë të drejtë për të thënë pikëpamjet e veta lirisht Partisë sonë ia ka dhënë marksizëm-leninizmi, dhe është krejtësisht e palejueshme që të bëhen orvatje për ta paraqitur Partinë tonë sikur gjoja ajo këto kohët e fundit qenka futur në rrugë të shtrembra, siç përpiqen “të vërtetojnë” disa funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Kushdo që përpiqet të shtrembërojë realitetin mbi qëndrimin e Partisë sonë gabon rëndë. Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë gjithë jetën besnike e marksizëm-leninizmit, për këtë dëshmon më së miri e gjithë rruga e lavdishme që ka përshkuar Partia jonë, që nga krijimi i saj dhe deri më sot…

Komiteti Qendror i Partisë sonë konsideron se ndryshimi në qëndrimin e mbajtur nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Partia e Punës e Shqipërisë në Mbledhjen e Bukureshtit nuk duhet të bëhet shkak për të ndërhyrë në punët e brendshme të njëri-tjetrit nga asnjë person, sepse kjo nuk do t’i ndihmonte çështjes dhe do të cenonte interesat e përbashkëta midis të dy partive tona.

Ne kemi bindje se Ju do të na kuptoni drejt dhe do të merrni masat e nevojshme për të mos u përsëritur më raste të tilla në veprimtarinë e funksionarëve të Ambasadës Sovjetike në Tiranë.

Përshëndetje komuniste

Në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë

Sekretari i Parë

Enver Hoxha