Histori dhe histeri nacionalizmi në të dy vendet. Pse erdhi memoja nga SHBA për të ulur tonet në Shqipëri dhe protestat e së majtës greke për “amerikanizimin” e vendit. Vizita e Rubin në Athinë për të frenuar interesat ruse në rajon dhe fitorja e madhe me nënshkrimin trepalësh të TAP-it
Nga Durim Sula
Ballkani prodhon krejt papritmas histori dhe histeri fiktive nacionaliste. Ndërsa SHBA po punonte me Greqinë për të mos shkuar në “prehrin” e Rusisë bashkë-ortodokse, shefi i Tiranës Sali Berisha shpall në fund të nëntorit një pasion nacionalist, gjë që zemëroi Athinën dhe Shkupin, që anuluan pjesëmarrjen në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Beogradit i del gjumi një ditë të bukur dhe prish një memorial luftëtarësh shqiptarë në Preshevë. Dy-tre parti të vogla midis dy anëve të kufirit filluan të ngrenë tonet e “trimërisë”. Brukseli vihet në alarm.
MESAZHE NEGATIVE
Prandaj, administrata e Presidentit Barak Obama ngarkoi ambasadorin Aleksandër Arvizu të deklaronte në Konferencën e 15-të Ndërkombëtare mbi Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, më 14 dhjetor 2012: “Propozime të tilla si Gazsjellësi Trans-Adriatik, njohur ndryshe si TAP, sikurse dhe rrugë e rrjete hekurudhore të përmirësuara, të tilla si Korridori 8, lidhin më mirë popujt dhe ekonomitë e rajonit, duke çuar drejt një integrimi më të plotë… Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme… Për shkak të deklaratave dhe pohimeve të ndryshme të debatueshme, të bëra në prag të festimeve të 100-vjetorit, dy vende fqinje anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike. Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj”.
PRESHEVA
Por Tirana vazhdoi të njëjtin avaz. Atëherë, më 24 janar 2013, SHBA lëshoi një deklaratë tjetër të fortë zyrtare për mosmarrëveshjen lidhur me monumentin në Preshevë, Serbi: “Nxisim të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin deklarata apo veprime që do të rrisnin tensionet. Nxisim njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri që të ushtrojnë përmbajtje në protestat e tyre dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje. Çështje të tilla nuk duhet të ngrihen në nivelin e përgjigjeve që po shohim aktualisht. Ato shmangin më tej vëmendjen prej çështjeve të mirëfillta shqetësuese që duhen zgjidhur në Ballkan, çështje që kërkojnë përpjekje, kompromise, dhe dialog të përbashkët”.
MUNIH
Berisha ua përplas në Munih më 3 shkurt 2013 në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë se “këmbëngul në… refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe, sepse nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar”. Madje, arrihet deri atje saqë në sajtin e Këshillit të Ministrave guxohet të shënohet se “deputeti gjerman Rainer Stinner pyeti, se cili është mesazhi i kryeministrit Berisha për ta?”. Dhe z. Stinner nuk është dosido: një nga figurat më me ndikim në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme në Gjermani dhe NATO. Është një rastësi tejet e çuditshme: më 10 shkurt 2013 njoftohet se Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervele (Westerwelle), anuloi vizitën e parashikuar për në Tiranë më 14 shkurt. Kryediplomati gjerman i anuloi të gjitha takimet e tij për një javë, pasi i ka vdekur babai.
SEKRETI
Parë në këtë kontekst, burime diplomatike thonë se, me “mahisjen” e retorikës nacionaliste, zëvendës-ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike Eric Rubin, i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe për gazsjellësin TAP, më 13 prill ka biseduar me zëvendëskryeministrin shqiptar Haxhinasto, të cilit i ka dorëzuar Memon e famshme për zotin Berisha. Në fakt, z. Panariti pati të drejtë kur deklaroi se Memoja nuk i kishte ardhur atij. Por të vërtetën e dinte nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili pasi u informua nga Haxhinasto dhe nxori kështu të zbuluar paturpësisht ministrin e Jashtëm. Sekreti i Memos mund të ketë dalë nga selia e partisë së aleatit të majtë të Berishës.