Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
ELIDA BUÇPAPAJ
Hyrje
Elida Buçpapaj është poeteshë, publiciste dhe përkthyese. Ka lindur në Tiranë, ku aty ka ndjekur arsimin tetëvjeçar dhe gjimnazin. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Vokacionin për të shkuar e pati që fëmijë, por si e bija e vetme e poetit dhe publicistit Vehbi Skënderi, persekutuar nga regjimi, edhe Elida nuk u lejua të botojë krijimtari. Shkrimet e para fillon t‘i botojë duke nisur prej vitit 1991, në shtypin e postdiktaturës, tek gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Në prag të rrëzimit të diktaturës është korrespondetja e parë grua nga Tirana tek Radioja Zëri i Amerikës. Në vitin 1992 fillon të kontribuojë si redaktore-opinioniste tek gazeta Zëri i Rinisë; Ndërkohë është gazetare e lirë tek gazeta Republika, me një rubrikë fikse në faqen e parë; Më 1994-1995 është editore tek Revista RTSH, së bashku me shkrimtarin Fatos Kongoli që ishte kryeredaktor i kësaj reviste. Prej 1998, për dhjetë vjet jep kontributin e saj tek Bota Sot si redaktore-kolumniste, duke mbuluar rubrikën e politikës, aktualitetin dhe kulturën.
Për dhjetë vite rresht, gati për çdo ditë, ka botuar me qindra kolumna, duke qenë një nga të paktat femrat e para shqiptare me aktivitet kaq të dendur. Aktualisht është botuese dhe kontribuese e gazetarisë elektronike, ku bashkë me bashkëshortin e saj, shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur Skënder Buçpapaj janë editorë të portalit elektronik Zëri i Shqiptarëve www.voal-online.ch.
Elida Buçpapaj ka lëvruar me sukses pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga kronika, reprotazhi, përshkrimi e deri tek analizat, komenet, replikat etj. Si përkthyese nga katër gjuhë të huaja, anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja, po ashtu ka një aktivitet shumë të dendur, duke përkthyer e botuar në shtypin shqiptar majat e poezisë botërore, si Thomas Stearns Eliot, Carl Sandburg, Rabindranath Tagore, Wislawa Szymborska, William Blake, Edgar A.Poe, Guillaume Apollinaire, Arthur Schnitzler, Jorge Luis Borges, Cesare Pavese, Jacques Prévert, Marquèz etj etj.
Nga viti 1991 është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Është po ashtu anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, si dhe e Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Elida Buçpapaj është anëtare e Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe e Këshillit strategjik të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Prej vitit 1996 jetojn në Zvicër.
Libra të botuar:
"Vij"
"Nuk jam e përjetëshme"
"Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit"
"Hiperbola dhe paralelizmi figurativ tek Cikli i Kreshnikëve , studim monografik"
"Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit"
"Unë jam e përjetshme, SB OMSCA-1"
"Tirania e Tranzicionit, publicistikë"
"Traumat e Tranzicionit, publicistikë"
Autorja ka edhe dy libra në proces botimi, një vëllim me poezi dhe një eseistikë.
MIRËMËNGJES PARIS!
Sot
Jemi
gdhirë
të dy
në një shtrat
Të dy të përgjumur
nga mosfjetja.
Unë bëj sikur
të jem
një pariziane e thekur,
ndërsa ti bën sikur të jesh
pjesë monotone
e përditshërisë
time…
Dal në rrugë
Si të jetë diçka
Rutinë
Marr taksinë
Sheshi Konkor 1)
Sheshi Vandom 2)
Harku i Triumfit
Del Etual 3)
Palé Ruajal 4)
Në një Kafé
buzë Senës
porosis kafe me qumësht,
si në poezinë
e Zhak Preverit
dhe pastaj
filloj të llogaris
një dhe një bëjnë dy
unë dhe ti Paris –
Por llogaritë s’më dalin
Dhe filloj nga a para
Një dhe dy
bëjnë dy Paris,
unë banorja jote efemer
ndërsa ti dhe Sena eternel,
Paris...!
1)La Place de la Concorde – Sheshi Konkord
2)La Place Vandôme – Sheshi Vandom
3)L’Arc de Triomfe de L’Etoile – Harku i Triumfit të Yllit
TROKU I KALIT TË TROJËS NË VERI
Prej lënde ujore
E shkitëshme
U enda
E harlisur
Marmarasë
Mesdheut
Sepse
Qëllova bijë
E Perëndisë së Ujit
Që gjallon
Dhe frymon gjithçka
Myshqet,
algat,
mbretërinë e peshqve,
breshkat,
meduzat,
sirenat,
bimësinë
dhe frutat e detit,
që gjallon
trupin tim
prej lënde ujore
notuese
që më shtynte
drejt ujërave
të Egjeut
Që më lypte
Me kumtin
E ujërave të ngrohta
Ngashnjyese,
thithëse,
manjetike
duke e bërë rrymën të më tërhiqte
e çonte drejt Smirnës,
ku poeti i verbër,
Homeri gabimisht më mori
Për Helenën
Megjithëse iu betova
se nuk isha Helena,
se isha ilire
prej fillimit tim
fisit ilir të Enkelejve,
Por Homeri
Ngulmonte
Trillak
Të kthehesha në Trojën
e rrënuar
ku zgjuar si kukudh
rri vetëm Kali i mallkuar dhe
i nëmur
nga e gjithë
fara e njerëzve
brez pas brezi
sepse nga pabesia e tij
të gjithë u vranë
ose u shitën
si skllevër lirihumbur
Por Kali i kobtë mbeti
për të mashtruar rishtas
edhe Homerin
se Troja ishte
se Helena isha unë
e gatshme kësaj radhe
për të ndalur rrënimin
për t’i besuar
ëndrrës lemeritëse
të Kasandrës
dhe për të mos e pranuar
dhuratën dinake
të Ulisit…
Poeti i verbër, ishte i bindur
Se do t’ja risillja
Dritën
E syve që i iku atëhere
Kur u shkrumbua Troja
Unë isha e gatëshme t’i besoja
Fuqive të mija
si magjistare
mjafton
që Homerit
t’i rikthehej
shikimi
për të parë
se nuk isha Helena
por një grua e re ilire,
që nuk kishte bërë
asnjë tradhëti njerëzore
ndërsa tani po bënte
gjithçka
për të ndalur trokun
e Kalit të Trojës
drejt Veriut
në tokat ilire,
duke ia ndryshuar
drejtimin
si dhe duke iu lutur Zotave të Olimpit
vetë Zeusit
të dërgonte një stuhi
përpirëse
e Kali i Drunjtë,
që ka pjellë pas Trojës sa e sa pabesi,
të fshihej përfundimisht
nga faqja e dheut…
E MBYTUR ORANZH
Jam zhytur
Në oranzhin
E vjeshtës Berneze
Jam mbytur
Në oranzhin
E vjeshtës
Berneze
Oranzh kam flokët
Mollëzat e gishtave
Fjalët, ahmat,
gjithçka oranzh
Asgjë nuk mund të ndaj
nga kallja në oranzh
as frymën, as gjakun
Trajtat
lakimet
notojnë në oranzh
mbyten në oranzh
askush
nuk e dallon dot
pikëllimin tim oranzh
as gjymtyrët e mi
as mbytjen time
sepse plluskat
e fundit
të frymës time
janë përsëri oranzh
Vetëm djali im
i vogël – foshnje,
se i madh
jo nuk mundet
vetëm djalka-bébé
më shquan gjirin
tim oranzh
me qumështin e
gjirit oranzh
jo sepse gjiri duket
por sepse ai e ndjen
aromën e tamblit
megjithëkëtë foshnja ime
nuk ia tregon dot
askujt
shtjellën time
oranzh
sepse
ai është vetëm disa muajsh
dhe artikulon vetëm tinguj
e tingujt
e tij
i kuptoj
vetëm unë oranzh
me pikëllimin oranzh
e mbytur në oranzh
në detin e gjetheve oranzh
MË HUMBI QIELLI
Më humbi qielli
E kaltra
Bluja
E rimta
Violeti
Atje ku lind dielli
E çel dita
Më humbi qielli
Mori shtegtimin
Për në Jug
I mori me vete
Yjtë,
Hënën,
Kashtën e Kumtrit,
që ne e njohim si
Rrugën e Qumështit
Më iku qielli
Iu arratis
Helmetave
Heshtave
Të shigjetarëve
Prej resh
Të murrëta
Si nëntoka
Më iku qielli
E përpiu
Mjegulla
E ngërdheshur
E ngërçosur
Me flokë
Të kreshpëruara
Si gjëmbaçë Ferri
Më humbi qielli
Me orë
Me ditë
Me javë
me net
me muaj
Më humbi qielli
bashkë me thesaret e tij
personalë
me diellin
hënën
me të gjitha konstelacionet
me Arushën e Madhe
me Arushën e Vogël
me meteoritët,
me kometat
ylberet
avionët
Më humbi qielli
I humba qiellit
I humbëm njëri-tjetrit
Ai bashkë
me thesaret e tij
iu arratis
Prangave
Të reve dhe mjegullës
Për në Jug….
Bernë 1998 – Reinach, Qershor 2007
KUR TI MUNGON
Ia kushtoj S.B.
Mbas disa ditësh ti do të vish
Kjo ditë është e paralajmëruar
Sipas profecisë së fatit
Është e saktë, e prerë,
Është e parathënë, e parabërë,
Deri në rrahjen e sekondës
Deri në rrahjen e pulsit
Që gati sa nuk e shpërthen venën e gjakut…
Mbas disa ditësh ti do të vish !
Duhet të isha pak Penelopë
Që ta përballoja këtë ndarje
Kaq reale
Që matet me kilometra
Që unë e mata, e peshova
E mata përsëri e përsëri
Duke përmbysur e ripërmbysur
Mijëra herë klepsidrën
Sepse të gjitha sekondat,
Orët, ditët,
të gjithë kohën, hapësirat, distancat,
Të gjithë këtë relief gjeografik
midis nesh
I cili nuk na lejon assesi të shihemi
Assesi të prekemi
E shndërrova në kokrriza rëre
Dhe pastaj e përmbysa dhe ripërmbysa
Si barka në det
Mijëra herë klepsidrën..
Sepse unë të dua më shumë se Penelopa Ulisin –
E ti mua më do më tepër se Ulisi Penelopën…
Mbas disa ditësh ti do të vish
Kjo ditë është e paralajmëruar
Sipas profecisë së fatit
Është e saktë, e prerë,
Është e parathënë, e parabërë,
Deri në rrahjen e sekondës
Deri në rrahjen e pulsit
Që gati sa nuk e shpërthen venën e gjakut…
Mbas disa ditësh ti do të vish !
Duhet të isha pak Penelopë
Që ta përballoja këtë ndarje
Kaq reale
Që matet me kilometra
Që unë e mata, e peshova
E mata përsëri e përsëri
Duke përmbysur e ripërmbysur
Mijëra herë klepsidrën
Sepse të gjitha sekondat,
Orët, ditët,
të gjithë kohën, hapësirat, distancat,
Të gjithë këtë relief gjeografik
midis nesh
I cili nuk na lejon assesi të shihemi
Assesi të prekemi
E shndërrova në kokrriza rëre
Dhe pastaj e përmbysa dhe ripërmbysa
Si barka në det
Mijëra herë klepsidrën..
Sepse unë të dua më shumë se Penelopa Ulisin –
E ti mua më do më tepër se Ulisi Penelopën…