ÇKA TË BËJË ME LIRINË

       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




SABILE KEÇMEZI - BASHA




          
             Hyrje

            Lindi në Koretin të Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Dardanë. Është femra e parë nga Kosova  që mbaroi Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd  më 1977. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Degën e Historisë. Magjistroi më 1980 dhe doktoroi më 1984 (ishte femra më e re që u bë doktore e shkencave në Kosovë).
            Botoi mbi 200 njësi bibliografike zhanresh të ndryshme, nga ato shkencore, publicistike, trajtesa, vështrime, shqyrtime, fejtone, poezi për të rritur dhe fëmijë, tregime, drama, romane, ese etj., për të cilat mori shumë  mirënjohje, shpërblime dhe çmime letrare. Mori pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë. Ishte redaktore përgjegjëse për hapësirën etnike shqiptare në territorin e ish-Jugosllavisë  në revistën “Bota shqiptare”, që botohej në Tiranë (1991-1993).
            Qysh nga fëmijëria shkruan poezi e prozë për të rritur dhe për fëmijë. Më 1987, në “Akordet e Kosovës”, u shpërblye me “Pendën e artë” për tekstin më të mirë të Akordeve.
            Është anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve  të Kosovës. Në vitin 2001-2004 ishte deputete e Parlamentit të Kosovës. Aktualisht merret me probleme të historiko-politike të kohës më të re. Sabile Keçmezi-Basha është anëtare e Akademisë Evropiane të Arteve e cila është themeluar në vitin 2002, me seli në Luksemburg.
            Që nga viti 1978 punon në Institutin e Historisë të Kosovës dhe ka titullin e këshilltarit shkencor.


            Gjer më tani ka botuar këta libra:

            Botime shkencore:

            1. Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013.  
            2. Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1968, I. Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013,
            3. Vlerësime politiko-historike, Brezi’81, Prishtinë, 2012,
            4. Sulejman Krasniqi-Veprimtaria atdhetare, Shoqata e të Burgosurve politik,
    Prishtinë, 2012
            5. Monografia "Gjilani me rrethin" (bashkautorë), Gjilan 2012
            6. Ekspozitë “Shtypi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (945-1999), 26 nëntor,
    2012. Kuvendi Komunal-Gjilan
            7. Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës”, Libri Shkollor, Prishtinë  2011.
            8. Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1990), III , (Qindresa
    Shqiptare; Krahu i Shqiponjës; Kosovarja e Re )”,   Libri Shkollor, 
    Prishtinë   2011.
            9. Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1990) II (Lajmëtari i
     Lirisë; Përpjekja Kosovare)”, Libri Shkollor, Prishtinë 2011.
            10. Të burgosurit politikë shqiptar në Kosovë  1945-1990”, Logos-A,  
     Shkup, Prishtinë , Tiranë , 2010.
            11. Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë  (1945-1999), I ”, Prishtinë , 2009,
            12. Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë  1981-1989”, Prishtinë  2003.
            13. Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë  1945-1947”, (ribotim) , Shkodër
      1999.
            14.  Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë  më 1945-1948”, Prishtinë
       1998.
            15. Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë   më 1945-1966” (nga viti
      1945 deri te Plenumi i Brioneve), Instituti i Historisë, Prishtinë , 1987.

            Botime letrare:

            1. Këmisha e atdheut, (poezi), MKRS, Prishtinë, 2013
            2. Metaforë iberike, (poezi), Prishtinë, LSHK, 2011
            3. Kujtesën e ka kapur skleroza (poezi), LSHK, 2011
            4. Kodi i pritjes (poezi), LSHK, Prishtinë, 2010
            5. Anatomia Iubirii (poezi), Bukuresht, 2009
            6. Nata pa kornizë (roman), Prishtinë,  LSHK, 2008
            7. Malli për Itakën (poezi), Prishtinë, LSHK, 2008
            8. Hadi (dramë), Prishtinë, LSHK, 2005
            9. Ëndrrat e trishta (poezi), Prishtinë, “Rilindja”, 2000
            10. Kohë epileptike (poezi),  Prishtinë, “Jeta e Re” , 1996
            11. Dy lule ka mami (poezi), Prishtinë, “Pionieri”,1993
            12. Nusja e gurtë (poezi), Prishtinë “Rilindja”, 1989





NUSJA E GURTË
(Ura e Fshejtë)

 TË MË GJEJË NË NJË PËRRALLË

Në urë duvaku i nusërisë
Ç’kumbon e trazon botën
Shekujt sfiduan njëri-tjetrin
Në urë duvaku i nusërisë
Fëmija qumësht kërkon në vaj
Urata e ktheu prapë në legjendë
Të na gjejë prapë në një përrallë
Zogu thirri tri herë emrin e nuses
Ajo prapë në urë mur
E nuhati si lulen në legjendë
Ku mbeti duvaku i nusërisë


ZOGU I ZI

Duke u fshehur nga shenjtëria
Çdo gjë këtu ishte si dikur
Ajo shqeu lëkurën e legjendës
Dhe doli mbi Urën e Fshejtë
Vëllai i vogël pa një ëndërr
Në urë u shikua me sytë e lodhur
Asgjë nuk pa më, as mua, as urën
Duvaku i nusërisë valëvitej
Ura merrte oshtimë të vdekurish
Zogjtë këndonin ninullën e zjarrtë
Për fëmijën që s’diti ç’është çudia
U rrokullisë nëpër djep e zbriti
Në qemerin e urës e pa të ëmën
Dhe tha :”Lëreni  aty ku është
Ajo prej aty më jep gji amshimi”

Zogu i zi doli nga guri akull
U fal tri herë dhe fluturoi pastaj
Të gjitha unë i pash, vaj-
Ura e Fshejtë më lulëzoi në dorë.


MOS E PREK

Çdo gjë ndodhi pastaj
Mos e prek se të ngrihen duart
Në shikimin tim zgjohet murimi
Gur më gur më ndërtojnë trupin
Mbi trup rrëzon Ura e Fshenjtë
Të emërtoj edhe ty si vëllain e vogël
Ç’të bëjë unë në këtë ligësi
Merri flokët e mi e thur një urë
Në të mund të shkelësh vetë i treti
Legjenda do të falë prapë kokën
Për tu kthyer njëherë në konak
Fëmijës gji për t’i dhënë e bekuar
Mbylle këtë ditë se nuk po më zë.


Ç’MURANË E BUKUR

Sonte mos qaj, sonte
Për çudi aq shumë i ngjason asaj ure
Veli i nusërisë e mbulon të tërën
Ç’muranë e bukur në themel të urës
Sonte je krejt akull
Mblidhi fëmijët të mos qajnë pas meje
Unë ende nuk dola nga legjenda
Çdo gjë mund të ndodhë sa të mos kthehem
Duvakun tim në themel të urës mos e kërko

Brigjet duan edhe viktima
Shikohu në sytë e mi e vdis edhe ti
Ura e Fshenjtë do të na ringjallë sërish
Ndoshta në ndonjë legjendë tjetër
Siç e gjetëm në këtë urë Nusen e Gurt


KALON EDHE KJO

Kalon edhe kjo

Unë do të jem unë
Ti nuk do të jesh ti
Ai nuk do të na njohë fare

Kalon edhe kjo

Horizontet do të jenë të ndritshme
Arat do të bëjnë bukë
Nënat fëmijë më shumë

Kalon edhe kjo

Dhe çdo gjë do të ketë peshën e vet.


ÇKA TË BËJË ME LIRINË

Të kërkoja gjerë në fund të trupit
E në tërë gjeografin e vatanit
në stinët  kallkan
nuk të njoha...

Kur erdhe
Të pash me sytë e mi
Të kuqe
Të blertë
Linde me thermë

Të prita nuse me bajrak
Unë, ti e liria
Ende nuk jemi njohur
Me huqet tona

Më thuaj imzot
Çfarë të bëjë me lirinë
Në këtë ditë të madhe
Unë e ajo
Dashuri të panjohur


ËSHTË  PLAKUR PRITJA

Një ditë, koha noprane
Ma vodhi edhe pritjen
E unë me gjymtyrë të shqepulta
vrapova pas saj

Më thanë lëre të iki
Unë qava si stinë apokaliptike

Më thanë, imzot
Më thanë
Është e plakur pritja
Nga pritja
duke pritur
në pritje

Nuset, grisën duvakët
Dhe thanë
Merrni të gjitha
Por... pritjen...hëm...
Jo
Se do të thyhet
Në miliona copëza
Ëndrrat stramastik
Thanë nuset
Në natën bojë alli

Related Posts: