(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
SADIK PËRVETICA
Hyrje
Sadik Përvetica lindi në fshatin Breznicë, rrethi i Prishtinës.
Disa vjet punoi si mësues në vendlindje, kurse pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në një shkollë të mesme, për të vazhduar punën, më vonë, edhe si gazetar, lektor e redaktor në Radio-Prishtinë, më vonë edhe në Radio Kosovë, si dhe në disa gazeta e revista të kohës.
Është fitues i disa çmimeve letrare për tregime dhe për pjesë teatrale.
Shkruan prozë, poezi, drama, vështrime letrare, ese dhe publicistikë. Deri më tani ka botuar 14 vepra letrare.
Jeton në Prishtinë.
IMAZHI I ATDHEUT 2015
Është nata e Vitit të Ri 2015
Jemi ulur rreth sofrave
Sofrat plot e zemrat bosh
Qirinj të ndezur për ata që na mungojnë
Për lypësit e kontejnerëve
Për fëmijët që na i hëngrën qentë
Për qentë me maska njerëzish
Për njerëzit që u shndërruan në qenë
Për të pagjeturit e luftës
Për Atdheun e copëtuar e të nëpërkëmbur
Për ata që po ikin nga ... vetvetja
Për fëmijët e ndarë nga bankat shkollore
Për lumin e lotëve të ndarjeve
Për dhembjet që s’po kanë fund
Për...
Për gjokset plot me medalje për merita
Për shkeljen e Atdheut në njëmijë mënyra
Për barkaçokët pa fytyra
Është nata e Vitit të Ri 2015
Gëzuar për ata që sonte
Mund të mos mendojnë për asgjë
ATDHE I CUNGUAR DHE I MUNGUAR
Zbrazëti e mohuar
Gjëmon e lëngon
Dënes e loton
Dhembjeve të Atdheut
Diçka më djeg nga brenda
Diçka më gërryen nga jashtë
Frymë e brymë ndrydhen e ndizen
Gjoksit të Mërgatës
Shqiptari dje dhe sot
Këndon e qan
Atdheut tim dje dhe sot
Dikush po ia lëndon zemrën
Dikush po ia rrjep lëkurën
IKJE NGA ATDHEU
Kur peshku i madh e ha të voglin
E të voglit nuk i mbetet vend në det
Ai detyrohet të ik edhe nëpër male
Të ik e të dalë në kurbet
NJË MINUTË HESHTJE
Në emër të të gjithë popujve të robëruar
Një minutë heshtje
Për drejtësinë që shtiret
Në emër të humanizmit
Në emër të paanësisë
Kur vonesat janë vendimtare
Për jetën e njerëzve dhe
Për përfitim në kohë
Nga keqbërësit e të gjitha ngjyrave
Nga përfituesit e luftërave
Kur në emër të paçes
Bëhen luftërat më të pista
E nën maskën e humanizmit
Në kurriz të të robëruarve
Bëhen intervenime “humanitare”
Për pazare bizare
KUSH THA
Kushtuar të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit
Kush tha se ju keni vdekur?!
Ju tashmë jeni shkrirë aq natyrshëm
Në të gjitha buzëqeshjet e fëmijëve të Kosovës
Në tingujt e bukur të violinave
Në çerdhe vogëlushësh ku vlon gëzimi e hareja
Në lule pranverash të livadheve të gjelbëruara
Në fytyrat e gëzuara të mërgimtarëve
Në bukën e përditshme në sofrat e vendlindjes
Në imazhe solemne të qyteteve tona
Në ditë festash e gëzimesh
Në fjalët më të bukura artistike
Në piktura e peizazhe mahnitëse diellore
Në dashurinë dhe lirinë e të rinjve
Në imazhin e bukur të shtetit
Në të drejtën e çdo njeriu
Për frymëmarrje të lirë e pa ofshama
Në gjumin e qetë pa ëndrra trishtues
Në barin shërues të të sëmurëve
Në secilin shesh e kënd të Atdheut
Kurmet tuaja roje nderi
Lapidarë krenarë e kufimbrojtës
Ku nuk do guxojë të shkelë kurrë më
Këmbë e barbarëve
Gjaku Juaj gjerdan i lirisë
Hartë bashkimi e gjithë Shqipërisë





