(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
SEJDI B BERISHA
Hyrje
Sejdi (Bajram) Berisha u lind me 10 qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studen.ore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi Berisha, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lartë, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë. Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës. Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi Berisha është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
KËNGË E RE APO ELEGJI…!
Nënë…
Këta djem të ri
Sërish po shkojnë
Do burgje janë mbushur
Atje nëpër Evropë
E ekzil po i thonë
Nënë...
Do djem e vajza
Kah po shkojnë
Po pse tash kështu
Këto dhimbje
Kush po i shkakton
Zbrazjen e dheut
Edhe të atdheut
Nënë...
Shtëpitë sërish
Po mbesin nën dry
Edhe bari në oborr
Ka nisë rritën me hidhërim
Nënë...
Po pse tërë kjo ikje
Kjo pa rrugëdalje
E shpirti po zihet
Me kurbetin-ilet
Nënë...
Sot dhjetë autobusë
Nuk kanë bartur turistë
As nxënës as studentë
Për në ekskursion
Por zemra të thyera
Që nuk e dinë cakun
As vendin ku do ndalen...
Nuk e dinë lumturinë
As buzëqeshjen e tyre
Nënë...
Sot Ty a ta këndoj
Një këngë kurbeti
Por një këngë të re
Dhembjeje e hidhërimi
Dhe le të na plasë zemra
Ty dhe mua
Le të na digjet shpirti
Mua dhe Ty
Ndoshta kështu
Gjejmë ngushëllim
Apo rrugë të reja
Për lindjen diellit
Për agun e patrembur
Nënë moj...
Kah po shkojnë
Këta djem të ri
Medet apet
Nënë...
Si t’i pagëzoj këto vargje
Këngë e re
Apo elegji
Medet.
BALADË ILIRIANE...
Në Zürich, Kapeshnicë e Jarinë
Në Stuttgard, Lagje të Trimave
Edhe në Tamnik e në Bernë
Mahallë t’Hadumit e n’Çarshi të Vogël
Kudo Peja, Prishtina
Gjilani, Ferizaji e Gjakova
Në Sent Galent përfundova
Kudo që shkova
Vetveten e takova
Ec më tej
Bruxel, Amsterdam, Paris
Shqiptarë të Kosovës
Shqipërisë e të Maqedonisë
Në mbarim e në nismë
Në Oslo, Malme edhe në Helsinki
Tash e më parë
Njerëz me derte e për mall
Kërceva
Bëra hop deri n’Angli
Gjithkund shqiptarë
Edhe në Australi
Shqiptarë në Egjipt, Turqi e Itali
Në Amerikë e Kanada
Baladë lotësh pa ia ndarë
Kudo që shkova u përvëlova
Shqiptarë pleq e të rinj pashë
Por tokën e tyre nuk e takova
U ndala...
Mendova si fëmijë
Athua tërë bota qenka Iliri
Por
Edhe pse me rraqe e jetë në thes
Njeriu nuk vdes
Duke biseduar me vetveten
Si me një tjetër njeri
Me një grusht dhe të Ballkanit
Mbulova dhe globin përvëlova
E tash unë me vetveten
Në Berlin, Londër e në Gjakovë
Në Diseldorf e në Gjenevë
Sërish vendi im
Në kthim
E putha vajzën time
E cila ujitë kopshtin me lule në Kosovë
DIELL NË SOFËR...
(Edhe sot duke kujtuar MIGJENIN!)
Ju rreze dielli
Që kotheret e bukës m’i ngrohni
Në sofrën me dërrasat e çara
Që duart e babait m’i kujtojnë
Së pari ma sillni
Bukën për zogjtë e mi...
Por ma sillni edhe lumturinë
Në darkë
Me ne rri në sofër
Se na trimëron
Me dritë për gjumin e ëmbël
Për ëndrrat e bukura
Për mëngjesin e ri
O, diell
Që kotheret e bukës
Në sofër m’i ngrohë
DHE NË SHTRATIN TËND...
Pse nxiton ujë
Nga bukuria e ujëvarës rrëshqet
Lumit të qetë i bashkohesh
Si loti faqeve të kujtimit
Rrëmbyeshëm ikën
Duke lënë gjurmë heshtjeje
Shkëmbinjve me shikim shekujsh
E mbi ta shkruan fjalën fjalës
Dhe në shtratin e lumit
Bëhesh spektator i brigjeve
Pastaj
Kush e di sa kah ikën
Ndoshta
Në lot shndërrohesh
E syri në burim ëndrrash
Të gurgullimës sate
NGA DRITARJA IME...
(Elegji e pashkruar por e plasur...)
Nga dritarja ime
Sa shikimet më janë përvjedhur
Dëshirat në ëndrra më janë shndërruar
Zëri më është shpërndarë si plasje zemre
Nga kjo dritare
Zogun e lumturisë e kam thirr
Bukurisë së tokës lutur iu kam
Për bimën e shëndetshme
Nga dritarja ime
Në fllad vere jam shndërruar
Qershizat për t’i pjekur
Nga kjo dritare
Për çdo ditë babanë e kam përcjellë
Për në fushat e blerta kur nisej
Nënën kur i milte bardhoket
Nga dritarja ime
Me përrallat e gjyshes
Rritën e shtatit e kam mashtruar
Nga kjo dritare
Në vapë vere kur mbyste vetmia
Me zukatjen e mizave bëja histori
Deri në dritare mbillja lule e selvi
Nga dritarja ime
Krenohesha me bereqetin e arave
Që nganjëherë përcëllohej nga kripa e syrit
Qengjat i kam parë duke lozur padjallëzisht
Nga kjo dritare
Parë e kam tretjen e gjetheve në vjeshtë
Dëshmitar i ngjyrës së tyre jam
I kam pikturuar edhe gjurmët e rrotave
Të karrocës së drunjtë
Që e tërhiqnin baloja e murroja
Edhe fërkemet e thundrave të tyre në baltë
Nga dritarja ime
Gjithçka kam parë
Tinëz e kam parë
Edhe përcjelljen e gjyshit për në varr
Edhe qyqen duke kënduar
Nga kjo dritare
Krisma pushkësh kam dëgjuar
Edhe gjurmë gjaku kam parë
E kam parë lindjen e foshnjës
Në ditën e parë të pranverës
Nga dritarja ime
E kam parë përmendoren
E lartë deri në qiell
E kam përjetuar edhe lamtumirën
E sime motër
Nga kjo dritare
Kam parë rrjedhën e lumit të dhembjeve të mia
I kam kërkuar gjurmët e jetës
Që askund nuk i gjeta
E, në tërë këtë ankth
Pashë se si kapakët e dritares
Ishin afruar për t’u mbyllur
Vetëm shikimi dhe trupi
Më kishin ngelur puthitur me ta
Dritarja ende qëndronte hapur
Kapakët e saj i ngjanin çerenëve
Të një dyqani këpucëtarësh në mbrëmje
Në sokakun e ngushtë të që qytetit të Krujës...
Nga dritarja ime
Me vite e vite
Muzat si fëmijën më kanë ushqyer
Këngën ma kanë praruar
Nga kjo dritare
Me sytë dhe zemrën time
E kam parë vdekjen e poetit
Që kullonte plagë atdheu
Në këtë dritare
Tash ka ngelur vetëm hija
Nuk di e kujt
Të cilin kudo e kërkoj por dot nuk e takoj
Këtë shëtitës të çmendur dhe të llastuar
Që assesi nuk rri në mua
Nga dritarja ime
Ndoshta Ju do ta shihni atë djall
Dhe atë që unë ende e kërkoj..





