Xhelal Zejneli
NATO-ja është aleancë ushtarake, ndaj hyrja e Maqedonisë në të, nuk ka të bëjë me rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike, shqiptare dhe sllavo-maqedonase. Me një fjalë, Aleanca Veri-Atlantike nuk është organizëm që merret me rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike të një vendi apo me zgjidhjen e kontesteve ndërmjet dy shteteve – anëtare të saj.
Ka shtete që janë anëtare të Aleancës, por që kanë probleme me bashkësitë etnike, sikundër që ka edhe shtete, të cilat, ndonëse anëtare të saj, kanë mosmarrëveshje me fqinjët e vet.
Turqia dhe Greqiapër shembull, kanë luftuar ndër vete katër herë: në luftën greko-turke (1897), në Luftën I Ballkanike (1912-13), në Luftën I Botërore (1914-18 ) dhe në luftën turke të viteve 1919-23.
Edhe pse të dyja janë anëtare të NATO-s, ato kanë mosmarrëveshje rreth Qipros. Në vitet ’70 të shekullit XX, midis këtyre dy shteteve u shfaqën mosmarrëveshje edhe rreth disa ishujve në detin Egje. Ankaraja del me arsyetimin se ishujt janë pranë territorit turk. Si të tillë, ata nuk mund të jenë nën sovranitetin grek, siç janë tani. Mosmarrëveshjet greko-turke ndërlidhen edhe me interesat ekonomikë të të dy vendeve në Egje, përfshi edhe rezervat e naftës në det. Marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve u tensionuan edhe në vitin 1999, kur agjentët e shërbimit turk të inteligjencës, e zunë udhëheqësin kurd të PKK-së - Abdullah Oxhallanin, duke u larguar nga Ambasada e Greqisë në Najrobi të Kenisë. Me këtë rast, tre ministra grekë dhanë dorëheqje.
Greqia, edhe pse anëtare e strukturave euro-atlantike, është një vend që në territorin e vet, përpos grekëve, nuk njeh asnjë bashkësi etnike, ndonëse në të jetojnë shqiptarë, sllavofonë, vlleh, hebrenj, turq. Përpos kësaj, bazuar në Ligjin e gjendjes së luftës, të nënshkruar nga sovrani grek më 10.XI.1940, Greqia dhe Shqipëria, formalisht ende ndodhen në gjendje lufte. Formalisht, ky akt juridik ende nuk është abroguar.
Greqia, ndonëse anëtare e BE-së që nga viti 1981, sot e gjithë ditën nuk pranon ta zgjidhë çështjen çame, ndërsa në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, për të ashtuquajturin Vorio Epir, i ringjalli edhe ëndrrat e Megali Idesë.
Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952. Sipas burimeve anglo-amerikane, ajo ka në vete 14 milionë kurdë, të cilët përbëjnë 18% të popullsisë së përgjithshme të saj dhe janë të privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare themelore. Kurdët për t’i arritur të drejtat kombëtare, që nga viti 1984 ndërmarrin veprime guerile të armatosura. Për qëndrimin refuzues të Brukselit ndaj integrimit të Turqisë, Ankaraja e quajtur BE-në klub krishterësh.
Anëtare e strukturave euro-atlantike është edhe Bullgaria. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në të ka mbi 588.000 turq, të cilët përbëjnë 8% të popullsisë së përgjithshme. Numri real i tyre është shumë më i madh. Edhe pse përbëjnë minoritetin më të madh të këtij vendi, ata janë të privuar nga të gjitha të drejtat e tyre kombëtare.
Probleme me një numër të madh të bashkësisë etnike hungareze që banojnë në Transilvani, ka edhe Rumania, edhe kjo anëtare e strukturave euro-atlantike. Sipas regjistrimit të vitit 2011, në këtë vend jetojnë mbi 1 milion e 200 mijë hungarezë, të cilët përbëjnë 6.5% të popullsisë së përgjithshme. Numri i tyre, mbase është më i madh. Bukureshti, si në kohën e diktaturës së Nilollae Çausheskut, ashtu edhe sot në demokraci dhe pluralizëm, hungarezëve ua mohon të drejtat kombëtare që u takojnë natyrshëm. Hungarezët janë të privuar nga të drejtat e tyre kombëtare, jo vetëm në Rumani, por edhe në Sllovaki, si dhe në Vojvodinën e zotëruar nga Serbia. Një e treta e popullit hungarez jeton jashtë vendit amë – Hungarisë.
Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në organizmat euro-atlantikë pa i plotësuar kushtet, kriteret dhe standardet integruese. Duhet thënë se këto dy vende, gjatë historisë së kohës më të re kanë qenë në anën e Gjermanisë. Në rrethana të reja, sot këto dy vende janë nën përkujdesjen e lokomotivës së BE-së – Berlinit. Nën përkujdesjen e përhershme të Berlinit është edhe aleatja e devotshme gjermane – Kroacia.
Integrimi në strukturat euro-atlantikë ka edhe dimension gjeopolitik. Për shembull, vendet e Evropës Lindore që kufizohen me Rusinë, duke qenë se paraqesin interes gjeopolitik për SHBA-në, shumë më lehtë mund të pranohen në Aleancë. Investimi ekonomik, financiar dhe ushtarak i NATO-s në një vend me peshë gjeopolitike të madhe është shumë më i mdh se investimi në shtetin, me vlerë strategjike relative.
Kroacia është edhe në NATO edhe në BE, ndërsa Beogradi synon anëtarësimin vetëm në BE. Serbia, duke qenë satelite e përhershme e Rusisë, nuk pretendon në NATO. Që nga themelimi i Jugosllavisë së Versajës më 1918, e deri në ditët tona, midis Serbisë dhe Kroacisë mbizotërojnë marrëdhënie historikisht armiqësore. Armiqësia serbo-kroate vazhdon edhe sot, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it.
Serbia aspiron BE-në edhe pse ballafaqohet me probleme të brendshme dhe të jashtme. Në të jetojnë tri bashkësi etnike të mëdha: shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), myslimanët në Sanxhak dhe hungarezët në Vojvodinë. Ata janë të privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare themelore. Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku janë rajonet më të pazhvilluara të Serbisë, ndërsa Vojvodina është rajoni më i shfrytëzuar i saj.
Duhet theksuar se kreu më i lartë i shtetit serb, në çdo takim me diplomatët dhe me politikanët perëndimorë, nuk e lë pa e përsëritur refrenin se Beogradi kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës, se Kosova padrejtësisht i është marrë Serbisë, se Kosova është Jeruzalem i Serbisë, ajo është djep i Serbisë etj. Beogradi, përkundër bisedimeve në Bruksel me Prishtinën, sot e kësaj dite nuk ka hequr dorë nga ideja e ndarjes së Kosovë. Politika serbe ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse. Shtrohet pyetja: Si mund të hyjë në BE një Serbi, pa e njohur realitetin e ri në rajon. Të drejtat e shqiptarëve nëpërkëmben edhe në Mal të Zi, vend ky që po ashtu aspiron integrimin euro-atlantik. Duhet thënë se në Mal të Zi ekziston një rrymë e fortë proserbe, e cila vazhdimisht i ka sytë nga Beogradi dhe është kundër integrimit të vendit në NATO. Bosnja dheHercegovina, e ndarë në dy entitete: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Serbe dhe e përbërë prej tre popujve shtetformues: myslimanët, serbët dhe kroatët - paraqet rast të veçantë. Ndërmjet dy entiteteve të saj, nuk ka pothuajse kurrfarë komunikimi. Megjithatë, edhe BH-ja aspiron integrimin në BE. Federata Myslimano-Kroate synon edhe NATO-n, për dallim nga Republika Serbe, e cila nën ndikimin e Beogradit, është kundër integrimit në Aleancë.
Probleme me bashkësitë etnike kanë edhe vendet perëndimore, të cilat me dekada janë anëtare të strukturave euro-atlantike. Në Britani të Madhe, sot e kësaj dite ekziston çështja e Irlandës veriore. Skociandërkaq, synon të mbajë referendum për t’u pavarësuar nga Mbretëria e Bashkuar. Probleme ka edhe në Spanjë, ku baskët me dekada aspirojnë të themelojnë shtetin e tyre të pavarur. Në krahinën e Baskisë, sipas regjistrimit të vitit 2008, jetojnë rreth 2 milionë e 200 mijë baskë, ndërsa të shpërndarë në Spanjë, janë edhe 500 mijë baskë të tjerë. Duhet thënë se baskët, ndonëse në Evropë, nuk janë popull indoevropian dhe me spanjollët, në aspektin e gjuhës, nuk i lidh asgjë. Për të krijuar një Katalonjë të mëvetësishme, edhe katalonasitdëshirojnë të shkëputen nga Spanja. Krahina e Katalonjës ka 7 milionë e 500 mijë banorë. Një pjesë e tyre flasin spanjisht, një pjesë tjetër – katalonisht, ndërsa pjesa e tretë, i flasin që të dyja gjuhët. Në viset rurale të kësaj krahine, mbizotëron bashkësia etnike katalonase. Pa probleme nuk ka qenë as Francame çështjen korsikane. Duhet cekur edhe çështjen valonenë federatën belge. Valonët, ndonëse popull shtetformues i Belgjikës, kohë pas kohe i aktualizojnë aspiratat e tyre secesioniste.
Për problemet etnike në vendet e Evropës lindore as që vlen të flitet. Pothuajse s’ka vend në lindje të kontinentit i cili nuk ka mosmarrëveshje me etnikumet, ndonëse ato vende janë si në NATO, ashtu dhe në BE. Çështja e romëvetë margjinalizuar dhe të getoizuar figuron në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshi dhe ca vende të Evropës Lindore.
Rasti i Ukrainës është specifik. Kievi pretendon integrimin në strukturat euro-atlantike, ndërsa faktori prorusnë lindje të vendit, nën ndikimin e Moskës, manifeston tendenca separatiste. Për t’i parandaluar tendencat separatiste proruse në lindje të vendit, Kievi ndërmerr edhe veprime luftarake. Qëllimi i Moskës është të krijojë në Ukrainë një “Republikë Serbe” siç krijoi Beogradi një të tillë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
* * *
Nga sa më sipër del se, NATO-ja dhe BE-ja janë të hapura për integrim, por ato nuk kanë për detyrë t’i zgjidhin problemet ndëretnike të një vendi. Për t’u anëtarësuar në strukturat e sipërthëna, Uashingtoni dhe Brukseli kërkojnë prej vendeve pretenduese që mosmarrëveshjet e brendshme apo ato ndërfqinjësore t’i zgjidhin vetë, duke përfshirë edhe respektimin e të drejtave qytetare. Me shprehjen “respektimi i të drejtave qytetare”, perëndimorët jo gjithmonë nënkuptojnë zgjidhjen e të drejtave kombëtare të një bashkësie etnike, në një vend të caktuar.
Vendi që synon të bëhet anëtar i strukturave euro-atlantike duhet t’i plotësojë kushtet, si: të ketë sistem demokratik dhe pluralist, të zhvillojë ekonomi tregu, të ndërtojë shtet ligjor, të ndërtojë shtet të së drejtës, të respektojë liritë dhe të drejtat qytetare, të ndërtojë shoqëri civile, të zbatojë ligjin, të luftojë korrupsionin, të parandalojë trafikimin e lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore dhe të armëve, të respektojë mediumet e pavarura dhe shtypin e pavarur si dhe lirinë e fjalës.
Çështjet etnike, ndëretnike dhe kontestet midis dy shteteve fqinje, nuk janë preokupim parësor i Uashingtonit dhe Brukselit. Po të merreshin ata me zgjidhjen e problemeve ndëretnike apo ndërshtetërore, kurrë s’do të mund të arrinin këtë shkallë të zgjerimit.
* * *
Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të dijë: se zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë, varet nga VMRO-ja, nga Athina dhe nga Uashingtoni; se integrimin në strukturat euro-atlantike e synon edhe VMRO-ja e Gruevskit; se integrimi në organizmat euro-atlantikë nuk është përcaktim vetëm i një partie politike, por i tërë kombit shqiptar në rajon dhe në diasporë.
Rrjedhimisht, prononcimi i BDI-së: “…do të hyjmë në qeveri, me kusht që vendi brenda gjashtë muajve të anëtarësohet në NATO…” është i pavlerë. Kjo parti ka mundur të caktojë një kusht tjetër: “Do të bëhemi pjesë e qeverisë së VMRO-së, vetëm pasi Gruevski të ketë pranuar zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë “. Pa e zgjidhur çështjen e emrit, Maqedonia s’ka për ta parë me sy Brukselin. Në kontestin me Greqinë, me përjashtim të Turqisë, asnjë shtet evropian, nuk e mbështet Shkupin.
Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nuk do të rregullohen automatikisht me hyrjen e saj në NATO. Rasti i Maqedonisë është i veçantë. Në të jetojnë dy popuj shtetformues, njërit prej të cilëve ky status i mohohet. Faktori politik shqiptar, për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, duhet të veprojë vetë, këtu në Maqedoni. Pikëpamja se me hyrjen e Maqedonisë në NATO do të zgjidheshin njëherazi edhe kërkesat e shqiptarëve, tregon se: faktori politik është i paaftë për ta zgjidhur statusin e shqiptarëve. Atë që s’e kanë bërë shqiptarët që nga viti 1991 e deri më sot, presin t’ua bëjë NATO-ja. Duke u mbuluar pas Aleancës faktori politik shqiptar synon t’i fshehë dështimet e veta politike. Nuk duhet pritur çdo të bëjnë të tjerët për ne, por duhet parë se ç’bëjmë ne për vete. Në vitin 2022 të gjitha vendet e rajonit do të jenë në Bruksel.