AGIM BAÇI
A duhet dikush të na e mbarojë historinë tonë apo duhet të jemi vetë ne? Kjo nuk është thjesht një pyetje që kërkon përgjigje me disa fjalë e aq më pak një përgjigje të shpejtë. Shpesh është një pyetje që e le përgjigjen e hapur deri sa kapaku i syve nuk arrin të ngrihet më për ta parë sërish dritën e diellit. E një çast i tillë mund të vijë në mes të buzëqeshjes apo zemërimit, në mes të ditës a natës, ëndrrës apo zgjimit. Por kur vjen nuk është shqetësimi ynë. Shqetësimi ynë i vetëm duhet të jetë se si duhet ta presim, si mund të shkojmë drejt saj. Shkrimtari amerikan, John Green, ka zgjedhur dy të rinj për të përballur këtë pyetje. Janë dy adoleshentë që vdekja i ka përzgjedhur për t’i takuar shpejt. I ka futur në hartën e Republikës Pa Kthim. Por ja që të dy kanë në dorë kohën e tyre, atë të minutë pas minute, pa e ditur se deri ku, por ama duke vendosur se si.
Green ka mbivendosur një komunikim lexues-autor, duke i futur dy heronjtë e tij në kërkim të përfundimit të një libri që kanë lexuar bashkërisht. Është një lojë e bukur, që ndërfut këdo për t’i dhënë përgjigje një historie, ashtu siç kërkon edhe Hejzëll dhe Gus përfundimin e librit “një pikëllim therës”. Dhe ajo çfarë vendosin, ajo që diskutojnë, ajo që kërkojnë të dinë, në fakt është vijimi vetë. Por, për ta kuptuar se sa e rëndësishme është ta përfundosh vetë një histori, u duhet të udhëtojnë nga Indianapolis drejt Amsterdamit, të zhgënjehen me Peter Van Houtenin, që ka shkruar “një pikëllim therës”, por që është njëkohësisht edhe divorci me historinë, të cilët Hejzëll dhe Gus do të duhet ta përfundojnë vetë. Shkrimtari i famshëm amerikan, Marku Tuein, thoshte se çdo njeri në një vepër arti merr atë që ka brenda vetes. Dhe Hezëll, dhe Gus duhet të udhëtojnë, duhet të përballen me sekondë-minutat e tyre të kërcënuara nga sëmundja, për të kuptuar se fundi është i tyre, se duhet t’i japin atë optimizëm, nga ku vijojnë të pinë deri në pamundësi, për të furnizuar Mushkërinë e Dëshirës që t’i japë kuptim çdo çasti.
Në fakt, udhëtimi i tyre është udhëtimi i sfidës ndaj të pashmangshmes. Një udhëtim, që herët a vonë do duhet ta bëjmë të tërë. Veçse ata me minuta të numëruara janë në sfidën e gjithçkaje – të dashurisë për veten, të dashurisë për të tjerët, të nevojës për të mos u mëshiruar, të nevojës për t’u kuptuar. Por kjo Republikë Pa Kthim ka një rival që mund ta zvogëlojë kufirin e saj, edhe pse në fund Ligjërimi i së Pashmangshmes do të vendoset- atë mund ta mundë vetëm Dashuria. Se, fundja, siç thuhet në një varg të këngëve të Selin Dion, “të dashurosh deri në pamundësi është e mundur!”.
Por çfarë na bën Njeri?- pyet Green. Dhe dy adoleshentët Hejzëll dhe Gus, me minuta të numëruara për t’iu përgjigjur botës, vendosin të japin një version të kësaj përgjigjeje. Janë dy të rinj që flenë në krevatin pranë vdekjes, por që nuk pranojnë të mbulohen me atë mbështjellje deri sa qerpiku të vendosë të shohë dritën. Është një marrëdhënie delikate, ku ata që janë drejt Qerpikut të Mbyllur Përgjithmonë kërkojnë vetëm të mirëkuptohen nga prindërit, të afërmit, miqtë. Është një betejë që më shumë se Republikën e Moskthimit ka frikë Hijen e Mëshirës. Dhe ajo që mund t’u bëjmë ne të gjithë, nëse njohim të tillë, është që këtë Hije t’ua largojmë përmes Dritës së Dashurisë Njerëzore, sepse askush nga ne nuk mund të thotë se sekondë-minutat e tyre janë më pak të rëndësishme dhe të vlefshme se dhjetëra vite të të tjerëve për të arritur Republikën e Moskthimit. Green ka zgjedhur t’ua bëjë në këtë rast lexuesve edhe autorin të parëndësishëm. Ka zgjedhur rrugën që autori t’i kërkojë lexuesit të shkruajë fundin e librit – se fundja jemi ne që duhet t’i japim kuptim asaj që kemi përballë. Dhe Green, kur u jep mundësinë dy personazheve të tij që të mendojnë vetë atë që u duhet, në fakt fton lexuesit në këtë rrugëtim, sepse gjithçka që mund të na ndihmojë në betejën tonë, është ajo që duam ne t’i japim kuptim. Dhe refuzimi i shkrimtarit imagjinar, Peter Van Houten, për t’u treguar dy të rinjve fundin e personazhit, nuk është veçse sugjerimi i Green për t’i kërkuar çdo lexuesi që të shkruajë notat e jetës së tij, udhëtimin e tij, duke parë brenda pasqyrës së vet, brenda dëshirës. E, nëse mundemi, nëse vendosim ta ndërtojmë ne historinë tonë, pak rëndësi ka se kur vjen Pika…
…Green shkruan atë që mundemi, jo duke u bazuar te koha, por te dashuria – jo te të tjerët, por te vetja… Është një letër dashurie për Njeriun!






