Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup
Ku ndodhet maja “Tabahon”? Po maja “Taul”? Sa është e lartë maja e parë? Po e dyta? Nëse këto pyetje u bien ndonjëherë në lojën televizive “Kush dëshiron të bëhet milioner?”, dhe nëse bën vaki që të jenë në grupin e katër pyetjeve të fundit, ku nëse përgjigjesh saktë fiton 500.000, 1.000.000, 2.000.000 ose 4.000.000, atëherë lexoje këtë tekst dhe mbaji mend përgjigjet:
Majat Tabahon dhe Taul ndodhen në Republikën e Maqedonisë, në Malin e Thatë, dhe janë të larta 1748 dhe 1853 m mbi nivelin e detit.
Edhe nëse nuk merr pjesë në spektaklin e sipërpërmendur, prapëseprapë nuk humb asgjë nëse i mban mend këto të dhëna.
Nuk duhet të ta them se pse, por mbase asnjë erudit me formim enciklopedik në Maqedoni, madje edhe nëpër botë, nuk do dinte të jepte një përgjigje të saktë në këtë seri prej katër pyetjesh. Mjafton t’i dëgjosh emrat e majave që asociacionet t’ju çojnë në kohën e lashtë mitologjike, diku mes zinxhirëve të pafund të Azisë së Hidhët, si, për shembull, në Kaukaz, para se të mbërthehej Prometeu në shkëmbinjtë e majës Elbrus; ose në kohën kur personazhi mitologjik i shndërruar në kult, Konani, barbari primordial, të vendoste me shpatën e tij drejtësinë para vetë Zeusit.
Si u gjendën emrat “Tabahon” dhe “Taul” në Maqedoni? Ato nuk përshtaten me fondin semantik të asnjë populli që jeton në Ballkan, dhe vërtet paraqesin një enigmë onomastike të shkallës së parë. Për fat të mirë, tashmë është e sigurt se nuk kanë asnjë lidhje me helenët. Në të kundërt, unë nuk do e botoja këtë tekst, që të mos u krijoj mundësi grekëve që të ankohen te faktorët e NATO-s dhe BE-së, për t’i bërë presion Republikës së Maqedonisë që t’i ndryshojë këto dy toponime, kjo si kusht për pranimin e saj në të njëjtin klub në të cilin është anëtare edhe vetë Greqia, kurse ne jo. Aq më tepër që, në pajtim me rregullat e këtij klubi, ai që është anëtar ka të drejtë të kërkojë çfarë të dojë nga ai që nuk është akoma anëtar, nëse ai dëshiron të bëhet anëtar! “Përmbushi dëshirën që të fitosh të mirën!” – me sa duket u bë rregulli numër një.
Nejse, le ta lëmë perspektivën astmatike të aktualitetit ditor të politikës efemere, e cila që të nesërmen do konsiderohet bajate, dhe të flasim në akord me kohën që është më e vjetër se bota njerëzore, siç u ka hije maleve.
Kur ika për herë të parë në Malin e Thatë dhe kur iu ngjita Tabahonit dhe Taulit (ndërkohë që ato ekzistonin qysh prej kohës kur së paku 6 nga 7 miliardë njerëzit e këtij planeti nuk kishin lindur akoma), kuptova qartë se të gjithë shtretërit e kësaj bote lidhen pas tokës, kurse qielli është i pranishëm që t’i lidhë ata me njëri-tjetrin.
Ishte fillimi i fundit të muajit të pestë, në pikë të verës, në kohën më të mirë për dashuri dhe për lulëzimin e livadheve malore. U nisa nga Matka, para pendës, përpjetë nëpër shpatin e mbuluar me tufa të egra shimshirësh. Kisha vendosur t’i ngjitesha kurrizit të Osojit, e pastaj përmes Malit të Thatë të zbrisja në Gostivar. E dija se kjo kuturisje merrte nja 60-70 km rrugë dhe, praktikisht, asgjë më shumë. Unë nuk përdor asnjëherë hartë gjeografike kur i futem për herë të parë një shqetësimi të pafund, që më thëthin gjithnjë në takim me malin në ndonjë terren të panjohur. Jo se nuk mund të informohem me kohë, se tashmë kjo është e lehtë. Dhe as sepse dua t’ia vështirësoj vetes rrugën.
Motivi im për këtë qasje është thjesht autentik filozofik. Takimet e vërteta janë ato kur ndeshesh me atë që e ke krejt të panjohur: njeriu ose mali, përbën të njëjtën gjë për ty! Nëse ke pyetur paraprakisht për një vajzë, ose për dikë, nga i cili prisni një ndihmë, ndonjë shërbim, ose parashikoni se ai mund t’ju shkaktojë vështirësi në planet tuaja, takimi me të nuk është një takim i vërtetë, por një lloj surrogati i takimit. Duke mbledhur informacione para se të nisesh, në fakt ke arritur në pozicion më të volitshëm, por me siguri që e ke humbur mundësinë për një përjetim autentik të takimit në të cilin do t’i testosh aftësitë e tua për vlerësimin e psikologjisë së personalitetit që ke përballë, siç është rasti me sprovimin e inteligjencës tënde komunikuese, zhvillimin e aftësive për improvizim dhe reagim të shpejtë e kështu me radhë. Kështu, pra, ti ke asgjësuar çastin më të rëndësishëm: efektin e hapjes maksimale të mundësive, duke e reduktuar kështu takimin në kornizat tashmë të planifikuara. Në vend të përjetimit të vërtetë, je paracaktuar për një përsëritje rutine formalitetesh gjatë takimit, takimit për herë të parë. Kështu humbet shansi për t’u njohur përnjëmend, ndërsa i porsanjohuri përmbytet shpejt në detin e harresës, në të cilin tashmë nuk mund t’i shquajmë personazhet dhe as të mbajmë mend se si i kemi njohur.
E thënë shkurt, nuk ka udhëzime të sakta udhëtimi për t’iu ngjitur malit me të cilin hasemi për herë të parë, sikundërse nuk ka udhëzime as për shpirtin dhe personalitetin e atij njeriu me të cilin takohemi për herë të parë. Atëherë pra, si të mbështetesh te udhëzimet e udhëtimit drejt malit nga i cili je nisur për herë të parë!? Aq më tepër kur bëhet fjalë për informacione të sakta dhe udhëzime precize... Sepse, një gjë është e sigurt: nuk ekziston asnjë mënyrë më efikase që të humbasësh shansin për një përjetim vetjak dhe për një përvojë autentike, sesa të pranosh paraprakisht të dhëna të sakta dhe këshilla të mençura! Çdo gjë që do bësh në një situatë të tillë bazohet te orientimi që të ka dhënë ai i cili të ka këshilluar, të cilit, sidoqoftë, konfirmimi yt se kishte të drejtë, objektivisht nuk i vlen! Nga ana tjetër, për rrjedhojë, do privosh veten nga një mundësi për një përvojë autentike jetësore, që është bash gjëja më e çmuar në jetë.
Pasi lashë pas shpine pjerrinën e hollë të Osojit, e prerë në mëngjesin e kaltër me tri orë të plota ecje, e mbuluar me jargavan të egër, mu si shpata e një xhindi shpirtmirë që shtrihet në hapësirën e gjerë ndërmjet Malit Sharr dhe Karaxhicës, që pa dyshim është një nga shpatet më mahnitëse në Ballkan, u lëshova teposhtë në Llukojcë, që është e vendosur nën majë, që para kushedi sa shekujsh, nëpër kushedi ç’rrugë është sjellë këtu nga Andet. Pasi lashë përfundimisht pas Sallarevën, pashë atë Ishull Qiellor të paimagjinueshëm. Pashë me të vërtetë Malin e Thatë!
Kur ecën në këmbë nëpër shpatin e Osojit, kur të dalësh te Mali i Thatë, para së gjithash nuk do dish se ku je! Dhe, jo vetëm që nuk do dish se ku je, por as që mund ta përcaktosh me kurrfarë orientimi. I gjithë horizonti yt është i ngjitur me qiellin... Ai Ishull Qiellor lundron nëpër kaltërsinë e pafund, si një anije e jashtëzakonshme, ndërsa kuverta e saj stërpik vetëm atë shkëlqim të kaltër e ndonjë re të bardhë, që duket si shkuma e derdhur prej boshteve e gjemisë se madhe, e lartësuar mbi botën që ka mbetur pas teje. Në shumë vende nuk mund të shihni asnjë gjurmë vendbanimi, asnjë njeri – vetëm ai Ishull-Anije, i zhytur në qiell. Ndjenjën se medoemos je në një anije, ta falin pikërisht majat e ngritura jo shumë lart, por qartësisht të lartësuara: në pjesën e përparme harku ose “Tauli” pak i pjerrët; ndërsa në pjesën e pasme të anijes timoni, ose “Tabahoni” i lakuar si një gjemi e lashtë, madje më e moçme se anija e Noes/Nuhut.
Nëse hyjnitë e antikitetit kanë pasur diku një shtrat në këtë botë, në të cilin kanë bërë dashuri, atëherë me siguri që ky shtrat ka qenë Mali i Thatë, ky ishull qiellor mes pranverës. Mbulesa e praruar me mëndafsh të gjelbër e të artë, e qëndisur me galaktikën e miliona luleve, e shpërndarë dhe e kulluar, e hedhur diku midis kuvertës së këtij Ishulli Qiellor, jo vetëm që i ruan akoma format e trupave të tyre, por kundërmon e gjitha nga përqafimet e tyre hyjnore. A thua se vetëm para pak kohësh aty kanë qenë të shtrirë në përqafim... të duket sikur sapo janë ngritur, ndërsa nga pas kanë lënë atë mrekulli, atë vend për takime sekrete, atë Ishull Qiellor që lundron nëpër qiell, por jashtë kohës.
Pyetja se si u gjenda unë këtu ngrihet si valë që kanoset të shlyejë gjithë mbamendjen tuaj për botën, nga e cila keni ardhur, ndërkohë që jeta e mëparshme ju shpërndahet dhe ju shkrihet me retë e buta të mbjella aty-këtu në qiellin e pafund, nëpër të cilin lundroni si në një oqean pa brigje. Nuk ka ndonjë mënyrë që t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje... sepse ndjen që edhe ti lundron përnjëherë bashkë me atë ishull të mrekullueshëm qiellor, larg të gjitha vendeve që ke njohur, larg edhe nga vetvetja, siç e ke njohur gjer më tash, dhe je shumë pranë vendit që ke dashur ta njohësh përherë, dhe aty të jetosh jetën, siç të është shfaqur vetëm në çastet më të bukura të ëndrrës... e pastaj, me habi e mahnitje, të kundrosh veten bash ashtu siç ke dashur të jesh gjatë gjithë jetës.
Duke mos e ditur se çfarë ka lart, në Malin e Thatë, më erdhi një fuqi e pazakontë, madje një mendim imponues: Mos ndoshta Herakliti ka pasur parasysh pikërisht këtë ishull të quajtur “Mali i Thatë” kur shpalli se “Shpirti i thatë është më i mirë dhe më i mençur”!? (fragmenti 118). A nuk është drita kuintesenca e të gjitha gjërave, mbase edhe elementi i parë i universit, absolutisht e thatë dhe, a nuk ndodhet në të edhe e gjithë urtësia e botës dhe e gjithë mendja që është mbledhur në të, pikërisht sepse ajo është gjëja e fundit që mbetet kur digjen të gjitha gjërat!?
Në fshatin Koritë, i vendosur nën majën Taul, ku mbërrita herët pasdite, nga hija e një panje u ngrit dhe m’u afrua një njeri. Mund të ishte njëqind vjeç, madje edhe njëqindepesëdhjetë. Ishte aq i thatë, i pjekur, i fortë, si shkopi i thanës që mbante në dorë. Nga fytyra dallohej se ishte i ditur; nga shikimi se ka parë shumë gjëra; nga çdo gjest i tij, nga i gjithë qëndrimi dhe shtati i tij të provokohej mendimi se në çdo çast mund të shndërrohej i gjithi në dritë. I kallëzova se prej nga vi e ku shkoj.
– E di, të prisja – u gjegj ai. Më dha një qese:
– Brenda është një likurë qengji, e larë në ujin e burimit tonë. Uji i burimit tonë të çliron nga ajo sëmundje! Në të është mbështjellë ilaçi për një fëmijë. Do të tregoj si t’ia gjesh shtëpinë. Ëndërroja se ilaçi duhej të dërgohej nga një jabanxhi, nga një njeri që do vijë vetë dhe po vetë do shkojë nga fshati jonë, Korita. Atij tregon se kush je, mua mos më thuaj gjë. Kur të vijë koha ai do të të gjejë dhe do të ftojë t’i shkosh në dasmë!
Zbrita në fshatin Ç., afër Gostivarit. Gjeta shtëpinë dhe ia dhashë porosinë. Nikoqiri – babai i djaloshit – më ndaloi. Ndezëm nga një cigare (ai i mbështolli të dyja dhe ma dha mua, që cigaren time ta ngjisja vetë me gjuhë), pimë kafe dhe hëngrëm drekë. Për dërgesën nuk thamë asnjë fjalë. Kur më ofroi të ulesha mbi një lëkurë të bukur qengji, vura re se e theksoi fjalën likurë. Në dasmë më ftoi verën e ardhshme. Natyrisht, shkova. Dhëndri më dhuroi dhjetë likura të regjura, të bardha borë.
Jeta kalon. Ishulli “Mali i Thatë”, ai Ishull i vërtetë Qiellor, i zhytur në qiell, lundron në të njëjtin vend, kushedi prej kur dhe deri kur! Ai ngrihet lart mbi Pollog, si të jetë ngritur nga një valë e padukshme, ndërsa fillimi dhe fundi i tij, si harku dhe timoni i çdo anije që ka lundruar edhe para Përmbytjes, janë lartësuar me “Taulin” dhe “Tabahonin”, që hyjnitë e pavdekshme ta njohin dhe të gjejnë shtratin e dashurisë, se ndoshta ndonjëherë do duan të bëjnë dashuri në botën e vdekatarëve. Që pas kësaj ngjarjeje, në kujtesë më bëjnë dritë këto dy emra misteriozë, mbase të krijuar nga vetë ata.






