A ka fituar Asadi?

I blinduar në një cep të Damaskut, Bashar Asad po fuqizohet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë kryeqyteti i revolucionit sirian, Homsi, është katandisur në gërmadhë. Kurse sirianët janë të përçarë
NGA ARYN BAKER

Në Siri, fitorja shkruhet me rrënoja. Një kryengritje antiqeveritare, e pasuar nga një luftë trevjeçare dhe kërcënimi i goditjeve ajrore amerikane, pothuajse e ka rrafshuar këtë vend të Lindjes së Mesme. Por presidenti Bashar Al Asad dhe qeveria e tij u kundërpërgjigjën egërsisht me një fushatë të ashpër ushtarake me avionë, artileri dhe përdorim strategjik të rrethimeve mbi zonat e zotëruara nga rebelët. 

Asgjëkundi nuk është më e qartë kjo, sesa në ish bastionin kryengritës të Homsit, dikur i mbiquajtur “Kryeqyteti i Revolucionit”. Për dy vjet rresht, grupet rebele në disa zona të njohura si qyteti i vjetër, qëndruan fort kundër një operacioni të vazhdueshëm bombardimesh ajrore dhe tokësore, që e shndërruan lagjen dikur të lulëzuar të shtresës së mesme, plot me dyqane dhe ëmbëltore, në një fantazmë rrënojash të ish spitaleve dhe qendrave tregtare. Me mijëra vetë vdiqën këtu.

Më 7 maj, rebelët e dërrmuar nga luftimet dhe të rraskapitur nga rrethimi i gjatë, ranë dakord për një armëpushim në këmbim të një daljeje të sigurtë jashtë qytetit. Tre ditë më pas, ish banorët e zonës u lejuan të ktheheshin për të shpëtuar çfarë kishte mbetur në shtëpitë e tyre, prej nga u larguan me fillimin e luftimeve. Çudi e madhe nëse do kishte mbetur diçka. Banorët e shastisur, çanin rrugën përmes një panorame apokaliptike. Xhamitë e dikurshme ishin shndërruar në kratere. Pallatet e banimit ishin mbushur me vrima e të çara nga predhat, ndërsa mbeturinat e gurëve dhe suvasë mbushnin rrugët, bashkë me copa xhamash e orendish shtëpiake. “Kjo është rrugica jonë?”, pyesnin njëri-tjetrin fqinjë të çorientuar, duke u mbajtur me kujdes mbi atë që dikur ishte çatia e një pallati gjashtëkatësh. 

Dy mesogra që mbanin njëra-tjetrën përkrahu, sa për ekuilibër aq dhe për t’u ngushëlluar, nuk po i mbanin dot lotët. Ishin punonjëse të administratës qeveritare, dhe dhanë vetëm moshën e tyre 40 dhe 50 vjeçare, nga frika e ndonjë pasoje nëse flisnin haptaz. Qeveria e ka përshëndetur marrëveshjen e Homsit si një pikë kthese – një format paqëtimi edhe për zonat e tjera të trazuara. Edhe pse shumë sirianë e mirëpresin atë që e shohin si hapi i parë drejt përfundimit të një lufte që ka marrë mbi 160 mijë jetë njerëzore, të tjerë e komentojnë si dorëzim ndaj forcës mbizotëruese të qeverisë. ‘Kjo nuk është paqe”, thotë 40 vjeçarja, “madje as fillimi i paqes, por vetëm fillimi i një shkatërrimi të ri”. 

Ndërsa ajo fliste, shpërthime të largëta predhash të artilerisë dëgjoheshin nga një lagje periferike. Aty rebelët e kishin hedhur poshtë armëpushimin. “Është shumë e hidhur që Asadi këtë e quan fitore, kur bombat që ai hodhi ishin kundër popullit të vet”. 



Diktatori i ringritur

Duke refuzuar të bëhej dominoja e rradhës që do të binte në zinxhirin e rrëzimit të diktatorëve të Pranverës Arabe, Asad qëndron më i fortë se kurrë. Ushtria e tij, e përforcuar nga luftëtarë të milicisë shiite libaneze fqinje Hizbollah, e financuar pjesërisht nga Irani dhe furnizuar nga armë e municione ruse, e ka përforcuar kontrollin mbi një korridor strategjik që lidh kryeqytetin Damask me bregdetin. Tani që Homsi, qyteti i tretë i vendit, është në dorë të tij, ai është përqëndruar në kryeqytetin tregtar dhe industrial, Alep, që mbetet i ndarë mes luftëtarëve rebelë dhe atyre pro-qeveritarë. Para zgjedhjeve të paracaktuara presidenciale, Asad shpalli se operacionet ushtarake do të përmbyllen brenda fundit të këtij viti. 

Perëndimi e ka refuzuar procesin zgjedhor si farsë, duke theksuar se në një vend me 3 milion refugjatë, 6.5 milionë njerëz të zhvendosur dhe pjesë të mëdha të territorit jashtë kontrollit qeveritar, rezultatet e zgjedhjeve janë të paligjshme. Për më tepër, pa kundërshtarë realë – dy kandidatët e tjerë janë gati të panjohur – “Asadi do të fitonte edhe me zgjedhje tërësisht transparente”, thotë Uadah Abd Rabo, kryeredaktor i gazetës së vetëquajtur të pavarur, por proqeveritare Al Vatan. Koalicioni Kombëtar i Forcave Revolucionare dhe Opozitare Siriane me bazë në Stamboll, një organizatë ombrellë në mërgim që komandon disa prej grupeve luftëtare në vend, është përjashtuar nga gara. Por edhe sikur ajo të kishte nxjerrë një kandidat, kjo organizatë ka mbështetje të kufizuar mes sirianëve. Ndaj fitorja e parathënë e Asadit ka një emër, një slogan që e gjen kudo nëpër Damask, sa edhe përgjatë rrugës për në Homs: Së bashku ne do të rindërtojmë! Nuk mungon dhe firma e vetë Asadit, si një kontratë e shpallur e presidentit me popullin e tij. 

Ndërkaq, grupet e armatosura rebele që luftojnë Asadin janë të paorganizuara, të keqfinancuara dhe të përçara. Liderët e Koalicionit Kombëtar kanë kërkuar me këmbëngulje sisteme të sofistikuara armatimesh nga aleatët në Perëndim dhe në vendet e Gjirit, përfshirë dhe raketa kundërajrore, por mbështetja ka qenë e kufizuar. Në Uashington, opinionet janë të ndara nëse rebelëve u duhen besuar raketat. Siria lindore është shndërruar në parajsë për grupet ekstremiste dhe luftëtarët e huaj të atashuar me Al Kaedën, qëllimi kryesor i të cilëve është themelimi i një shteti islamik – dhe, siç druajnë shërbimet perëndimore, i një baze të re për përhapjen e xhihadit ndërkombëtar. Edhe lufta mes dy krahëve të opozitës së armatosur, ka sjellë mijra viktima të tjera. Një largim domethënës vëmendjeje nga Asadi, i cili akuzohet për krime të përbindshme kundër njerëzimit. 

Ushtria e Asadit ka hedhur bomba thërrmuese mbi shënjestra civile nga helikopterët dhe ka përdorur urinë si armë lufte, (qeveria pretendon se nuk lufton civilët, por “terroristët”, një term për këdo që është kundër Asadit). Por pa një fushatë të fuqishme ushtarake, një rritje domethënëse të furnizimit me armë për rebelët, apo ndryshimin e qëndrimit nga Rusia – vetoja e saj në Këshillin e Sigurimit ka bllokuar katër rezoluta mbi krizën siriane – gjasat janë që regjimi i Asadit të qëndrojë në fuqi edhe për mjaft kohë, edhe sikur të ruhet status kuoja e tanishme ushtarake. 

Gati 10 muaj pasi një sulm me gaz sarin në rrethinat e Damaskut vrau rreth 1400 vetë, pas një marrëveshjeje ndërkombëtare që u firmos nën kërcënimin ushtarak amerikan, qeveria i ka dërguar jashtë vendit ose shkatërruar gati të gjitha rezervat e armëve dhe arsenalit kimik luftarak dhe mjetet e prodhimit të tyre, përveç një sasie 7%. Pjesa e mbetur është paketuar në kontejnerë dhe është gati për t’u transportuar në bregdet. Kundërshtarët e Asadit dyshojnë se ai po e vonon qëllimisht këtë proces, dhe akuzojnë ushtrinë e tij se po përdor bombat me klorin, më pak vdekjeprurëse por njësoj të paligjshme, kundër objektivave ushtarake dhe civile. Qeveria i mohon këto pretendime dhe për të gjitha këto lloj sulmesh fajëson forcat rebele. 

Ndërkaq, për fuqitë perëndimore që kanë investuar në rrëzimin e Asadit dhe janë të shqetësuara për destabilizimin e rajonit, ringjallja e Asadit kërkon një “axhustim” të zorshëm. “Mbase do na duhet të lëpijmë atë që kemi pështyrë”, tha para Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme në Uashington Rajan Kroker, ish ambasador amerikan në Siri dhe Irak. “Sado i keq të jetë regjimi, ka diçka akoma më të papranueshme: Disa elementë e grupime të opozitës së Asadit”. 

Megjithë përpjekjet për t’u paraqitur si një alternativë legjitime ndaj Asadit, opozita në mërgim ka dështuar të bindë pakicat siriane apo elitën e arsimuar vendase që anon nga shteti laik, se nuk ka për të ndjekur ndonjë axhendë islamike në qeverisje. Forcat e Koalicionit Kombëtar në terren pretendojnë se janë të moderuara, por në shumë raste ato kanë luftuar përkrah grupeve radikale islamike që synojnë krijimin e një shteti sirian të drejtuar nga ligjet fetare. 

Nga ana e saj, qeveria siriane ka bërë një punë të efektshme duke trumbetuar qëllimet e islamikëve për të fituar mbështetje. Regjimi ka përdorur median shtetërore për të theksuar abuzimet e ekstremistëve, nga prerjet e kokave deri tek rrëfimet e detajuara sesi “shteti islamik i Irakut dhe Sirisë” – një produkt kaq ekstrem i Al Kaedës, sa edhe vetë liderët e kësaj të fundit në Pakistan janë distancuar – detyron të krishterët e rajoneve që kontrollon, të paguajnë një “taksë mbrojtjeje”. 

Asad dhe shumë drejtues të tjerë të regjimit i përkasin sektit minoritar alavit, një degëzim i Islamit shiit. Edhe pse ai mbështet të gjitha fetë e Sirisë, ligji fetar ndërhyn shumë rrallë në politikën qeverisëse.



Revolucion i devijuar

Në fakt, nuk ishte feja faktor kryesor në fillimet e kryengritjes kundër Asadit. Kur protestuesit sirianë mbushën rrugët në mars 2011, të frymëzuar edhe nga suksesi i revolucionarëve në Tunizi dhe Egjipt, ata kërkonin zbatimin e parimeve demokratike dhe dhënien fund të korrupsionit galopant. Të paktë ishin ata që kërkuan rrëzimin e presidentit. Por kur protestuesit u përballën me një seri raprezaljesh të egra, reaguan duke marrë armët. Edhe elementë të pakënaqur në ushtri u larguan bashkë me armët dhe mjetet e tyre, duke formuar brigada kryengritëse. Filluan të hyjnë në vend ekstremistë nga Iraku, Pakistani e Çeçenia.

Për brigadat rebele dhe liderët e opozitës në mërgim, përfshirja e grupeve ekstremiste ishte një njollë fatkeqe në një kryengritje që deri atëherë ishte reagim i sinqertë kundër tiranisë. Regjimit i erdhi në dorë prova se kishte një komplot të huaj për të destabilizuar vendin. Dhe ndërsa gjaku i derdhur u shtua dramatikisht, gjithnjë e më shumë sirianë detyrohen të kthejnë sytë qoftë dhe me hezitim nga Asadi, jo sepse e mbështesin atë, por se janë të dëshpëruar për të rigjetur atë që dikur quhej jetë normale. 

E mbështjellë me velin e zi të myslimanëve sunitë, të cilët anojnë nga opozita, vejusha 65 vjeçare nga Qyteti i Vjetër në Homs, Um Hamed, fajëson të dyja palët për rrënimin e qytetit të saj. Ajo shtyn një çantë pazaresh me rrota, ku ka futur një jastëk të pupurtë kadifeje dhe një palë perde, gjithçka mundi të shpëtojë nga shtëpia e vjetër që për breza të tërë ka qenë banesa e familjes së bashkëshortit. Jep vetëm emrin “honorifik”, që domethënë “nëna e Hamedit”, dhe thotë se ndihet e tradhëtuar nga revolucionarët që nisën luftën: “Bërtisnin se kërkonin liri, ndërsa tani po kërkojnë vetëm bukë”. 

Një prej skulptorëve të njohur sirianë, Mustafa Ali, thotë se atdheu i tij ishte një vend unikal për një artist të punojë në liri, krahasuar me rajonin ku kufizimet e mëdha fetare e limitojnë lirinë artistike. Disa muaj më parë, studioja e tij në periferitë lindore të Damaskut të kontrolluara nga rebelët, ishte plaçkitur. Lëndë të para me vlerë dhjetra mijë dollarë dhe pajisje, u zhdukën sa hap e mbyll sytë. Aliu shqetësohet për fatin e skulpturave, sidomos kokat e gdhendura nga trungje masive druri që ngjajnë si toteme. Nuk është i sigurtë nëse i kanë përdorur si dru zjarri, apo i kanë shkatërruar sepse binin ndesh me kufizimet konservatore islamike kundër imazheve me potencial idolatrik. “Në fillim, të gjithë besonim tek revolucioni”, thotë ai, “sepse donim një të ardhme më të mirë. Kërkonim ndryshim. Por unë nuk mund të besoj dot tek një revolucion që vjen nga xhamia”. 



Një komb i ndarë

Megjithë shpalljet bujëmëdha të fitores, Asad drejton një vend në gjendje të vajtueshme rrënimi dhe dëshpërimi. Agjencitë e ndihmave të OKB-së vlerësojnë se edhe sikur lufta të mbaronte tani, do të duheshin 30 vjet që ekonomia të arrinte në nivelet e para 2010-ës, dhe vetëm nëse GDP rritet çdo vit me 5%. Sipas statistikave qeveritare, çmimet e lëndëve bazë si ushqimet dhe karburanti, janë trefishuar. Gjysma e forcës punëtore është e papunë, dhe mbi gjysma e popullsisë jeton në varfëri. Së fundi, kryeministri Uael al Halqi e vlerësoi koston e dëmeve në 31 miliardë dollarë, por biznesmenë privatë thonë se shifra reale është akoma më e madhe. “Fitorja është një fjalë e ëmbël që duan ta përdorin shumë njerëz; por çfarë beteje ke fituar kur 60% e industrisë është shfarosur, 40% e shtëpive po ashtu, ndërsa 9 milionë sirianë janë zhvendosur. Kriza nuk ka fund”,thotë Feraz Shehabi, kryetari i Dhomave Siriane të Industrisë. 

Sidoqoftë, në enklavën Malki të Damaskut, një zonë e bukur e shtresës së mesme dy orë larg nga Homsi, gjen fare pak shenja shkatërrimi. Edhe pse lagjia i ka provuar predhat e mortajave (me gjasë një tentativë për të goditur shtëpinë e presidentit), rezidentët e këtushëm kanë mësuar ta heqin mendjen nga rreziku. Vendimi i Asadit për të jetuar “modestisht” në një lagje të ngjeshur me banorë synon fiksimin e imazhit të tij si njeri i popullit. Por është gjithashtu një mënyrë e djallëzuar mbrojtjeje: I rrethuar nga mijëra civilë, ai është një shënjestër e vështirë. 

Çdo mbrëmje trotuaret janë plot me blerës dhe dyqanxhinj. Gra kokëzbuluara dalin nga palestrat, të tjera me vel shumëngjyrësh presin për taksinë në cep të rrugës. Lufta mund të duket psikologjikisht e largët, por po ndodh vetëm pak kilometra më tej, në lagjet periferike. Avionët luftarakë herë pas here oshëtijnë mbi krye, ndërsa dridhja e tokës nga shpërthimi i predhave jo vetëm dëgjohet, por edhe ndihet. Shpërthimet janë kaq rutinë saqë askush nuk trazohet. 

“Mbase ditët e para rrinim mbyllur në shtëpi”, thotë Mohamadi, student i anglishtes në universitetin e Damaskut, “por duhet të jetosh. Nuk mund të fshihesh gjithë kohës”. Ky 23 vjeçar dhe katër shokë të tij, një nga këto të shtuna ishin ulur në Cafe Lafayette për të tymosur nargjile, duke parë Barcelonën kundër Atletiko Madridit në ekranet e mëdha. Pas ndeshjes biseda kaloi në politikë dhe në zgjedhjet presidenciale. Nga të pestët, katër thanë se do votonin Asadin. Alma, një studente ekonomie, tha se ia kishte borxh një votë njeriut që dekadën e fundit e bëri Sirinë një vend të mirë për të jetuar. 

Duket një jetë larg, por kur Asadi mori presidencën pas vdekjes së të atit Hafez në vitin 2000, ai kreu një sërë reformash që e ndryshuan ndjeshmë cilësinë e jetës urbane për shumë sirianë. Solli internetin dhe telefoninë mobile, hapi rrugën për bankat dhe universitetet private, ndërsa mediat private konkurronin me ato shtetërore. Sirianët e rinj si Alma, mendojnë se gjërat po ndryshonin për mirë. “Para këtij farë ‘revolucioni’”, thotë ajo duke imituar thonjëzat me duar, “Siria ishte vendi më i mirë i Lindjes së Mesme”.

Por këto reforma nuk arritën aspak në zonat rurale. Hapja e ekonomisë i detyroi fermerët vendas të përballeshin me konkurrencën e jashtme. Me rritjen e varfërisë u shtua dhe pakënaqësia, dhe reagimet e para u shtypën egërsisht nga aparati represiv shtetëror, që kishte mbetur i paprekur nga epoka e Hafezit. Kur protestuesit urbanë si Mohamadi iu bashkuan protestave, ata kërkonin të drejta civile, demokraci dhe fund korrupsionit. Ndërsa fshatarët dhe të varfrit kërkonin drejtësi, punë dhe fund tiranisë. 

Sot Mohamadi pranon se ishte treguar shumë i paduruar për ndryshime. “Menduam se do të funksiononte, se do të ishte diçka e shpejtë dhe radikale si në Tunizi e Egjipt. Por revolucionin tonë na e vodhën. Nga një luftë për liri, e kthyen në një revolucion islamik”. Kjo nuk do të thotë se ai e ka braktisur kauzën e vet. Votën time, thotë ai, do ta hedh të bardhë, si shenjë proteste. “Nuk dua të zgjedh mes qeverisë dhe ekstremistëve. Të dyja palët janë vrasës”. 

Këto fjalë janë në fakt, ndjesitë e shumë sirianëve sot. Të zënë në kurth mes një revolucioni të devijuar dhe një regjimi të çmendur, ata janë të dëshpëruar që kjo histori të mbarojë, sa më shpejt të jetë e mundur. 

Time