Kojshia Leonorë

Karriera si këngëtare dhe marrëdhënia me familjen. Humbja e të atit në luftë, varrimi i tij në Shqipëri, kujtimet dhe jeta mes Durrësit dhe Prishtinës. Lidhjet me politikën, lloji i përfshirjes së saj në politikë dhe disa përgjigje për thashethemet mbi Leonora Jakupin
ALIDA CENAJ

Nuk është në stilin e saj hedhja shpesh e më shpesh e klipeve në ekranet muzikore. Si rregull të pashkruar Leonora Jakupi ka që një herë në vit, ose diçka më rrallë, të shfaqet me një këngë të re e klip që për hir të së vërtetës nuk kalojnë kurrë pa vënë re. I mendon mirë tekstet që zgjedh, bashkëpunëtorët muzikorë dhe nuk tradhëton asnjëherë as llojin e muzikës që këndon. Trendet nuk kanë shumë rëndësi. Pastaj është radha e videos që e shoqëron. Domosdoshmërisht duhet të ketë një fabul, një film i shkurtër me fillim e mbarim që në fund, në mos të fustë të mendime, të lerë shije të mirë. Nuk ka qenë ndryshe as kësaj here. “Vajza e kojshisë” e kishte një mesazh që Leonora e përçoi tek fansët e vet dhe jo vetëm. Është historia e një vajze të famshme, shumë e njohur dhe e suksesshme, por tek e fundit gjithnjë e njëjta vajzë, ajo e portës përballë. Klipi, i lançuar javë të shkuara, bëri bujë, njësoj si të tjerë pararendës. Leonora është nga ato këngëtare të famshme shqiptare që pavarësisht se nuk provokon kurrë me pamjen (siç ndodh rëndom dhe me shumë këngëtare të tjera), i kushton aq rëndësi imazhit sa përbën lajm. Klasi në veshje i vjen fort mirë për shtat asaj që Zoti ia ka dhënë me bollëk: bukurisë dhe fizikut prej modeleje. Asnjëra prej këtyre nuk mungoi as në këtë klip që doli i pari ndër katër nominimet e mbrëmjes së të hënës në Shkup, ku u zhvillua edicioni i 13 i “Netëve të klipit Shqiptar”, me Vali Kuqin, Vesa Lumën dhe Big Mamën. Votat e jurisë kishin shumicë absolute: Leonora e meritonte trofenë e Klipit më të mirë. Çka u duk se nuk ishte edhe aq surprizë. Ndoshta prej numrit të madh të klikimeve, qysh ditën e hedhjes në treg të klipit, komenteve pozitive që e shoqëronin, tekstit e muzikës, Leonora priti e përcolli njësoj fansa e adhurues, si para ashtu edhe pas festivalit. “Zakonisht unë dhe stafi që e menaxhon karrierën time nuk preferojmë të editojmë klipe shpesh, siç po ndodh kohët e fundit”, thotë këngëtarja. “Ndihem me fat që pikërisht publiku që më adhuron mua e di shumë mirë se një herë në vit apo ndonjëherë edhe me më shume se një vit editoj videoklip, gjë e cila e bën ndoshta këngën më të dëgjuar e më të shikuar”. Do të thotë pra që “Vajza e kojshisë” edhe për shumë muaj të tjerë do të jetë ajo që Leonora i ofron fansëve të saj. Deri kur të vendosë për një të re, - pasi të ketë refuzuar ndoshta me dhjetra propozime deri kur të gjejë këngën që i pëlqen më shumë e që i vjen për shtat stilit të saj, - impenjimi i Leonorës do të jenë koncertet dhe familja. Axhendën e ka të mbushur me data sepse, siç thotë, për artistë si ajo që vetëfinancohen, koncertet janë i vetmi burim të ardhurash. 

Ndërsa familja është e para në radhë, qoftë edhe në stinën në të cilën jemi, në verë. Disa ditë pushimi me motrën, vëllanë dhe të ëmën, në shtëpinë e tyre në Durrës nuk zëvendësohen me asgjë tjetër në botë. Sepse përveç të tjerash Leonora ka edhe një tjetër dashuri të madhe: Shqipërinë. Këtu e shtatë vjet të shkuara bleu një shtëpi në bregdet, të cilën e përdor jo vetëm gjatë stinës së nxehtë. “Arratiset” edhe në mesdimri kur ndjen nevojë të shkëputet nga bota e të shijojë qetësinë. Vjen këtej sepse e do këtë vend dhe sepse këtu prehen eshtrat e të atit të humbur në luftë. Për të gjitha së bashku, Leonora Jakupi është pothuaj gjysmën e vitit në Shqipëri e gjysmën tjetër në Kosovë. Sidoqoftë gjithnjë e rezervuar sa i takon jetës së vet. I takon asaj kategorie artistësh që shfaqet rrallë nëpër rrugët e Prishtinës apo dhe Tiranës. Përzgjedh ftesat dhe vendet ku pranon të këndojë dhe mjaftohet vetëm me “po, jam beqare” kur vjen puna për jetën e vet personale. 



“Cili shqiptar jashtë kufijve zyrtarë nuk është i lidhur me Shqipërinë”, thotë duke ngritur supet përballë pyetjet se ç’ne kjo lidhje kaq e fortë këtej kufirit. “Shqipërinë e duam të gjithë, Shqipërisë i këndojmë të gjithë, e mbrojmë të gjithë…. Shqipëria është nëna jonë dhe kudo që shkojmë nëpër botë, prapë kthemi aty. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe jo vetëm unë po cilido shqiptar që do të kishte mundësi do të blinte një shtëpi në Shqipëri. Unë gjysmë viti e kaloj në Shqipëri dhe gjysmën tjetër në Kosovë dhe ndjehem shumë mirë së bashku me familjen time kur jam aty”, përfundon duke buzëqeshur. Një ritual që me shumë gjasë ka nisur në kohën kur Kosova u përfshi nga lufta. Ka qenë e re asokohe dhe pasi lanë të atin ushtar në radhët e UÇK-së, pjesa tjetër e familjes u zhvendos në Tiranë. Leonora është vajzë Drenice, nga ato që ka humbur shumë nga lufta, e që nëse ia përmend ato kohë, drithërohet ende. “Kur më bëhet kjo pyetje më rrënqethet trupi dhe më duket sikur e gjithë ajo ka ndodhur dje. Ka qenë kohë vuajtesh, lotësh dhe lutje Zotit të madh që e gjitha të përfundonte sa më shpejt”. Një përfundim me një fund të hidhur sepse Leonora humbi të atin, eshtrat e të cilit prehen në Shqipëri. “Si shumë burra shqiptarë që humbën jetën për çlirimin e Kosovës ashtu edhe babi im humbi jetën tragjikisht gjatë kësaj kohe. Kanë qenë momentet më të vështira për mua dhe familjen time e kur merr një lajm të tillë, në një kohë kur gjithkund bëhet luftë, e vetmja mundësi për varrosjen e babait ishte Shqipëria. Meqë ideali i tij gjithmonë ka qenë Shqipëria, atëherë le të prehet aty për çka ai dhe shumë të tjerë kanë ëndërruar gjithë jetën e tyre”. Kështu mbetën vetëm, pa shtyllën e shtëpisë, në ato kohë të vështira, me një nënë që iu desh të bëhej edhe burrë edhe grua, edhe shoqe, edhe nënë për Leonorën dhe mortat e vëllait, të gjithë më të vegjël se këngëtarja. Për këtë arsye ndoshta e ëma është sot e gjithë ditën idhulli i Leonora Jakupit. Imazhit i gruas së fortë, që jo vetëm mbijetoi për e ushqeu edhe bijën më të madhe me guximin të kthehej sërish në Kosovë edhe në kohë të vështira, kur jeta varej në fije të perit e fati i askujt nuk mund të parashikohej. Me të në krah Leonora në ato vite ofroi edhe imazhin e luftëtares, ashtu siç dinte dhe mundej. 

“Unë çdo herë them se jam drenicake pavarësisht se jetoj në Prishtinë. Drenica ka qenë vatra më e madhe e luftës, andaj unë, si të gjithë të tjerët kemi kryer misionet tona: dikush me pushkë, dikush me penë e dikush me këngë. Mbaj mend në atë kohë një sërë koncertesh humanitare me një staf të madh nga Kosova e Shqipëria ku të gjitha mjetet e atyre koncerteve i janë dedikuar pikërisht ushtrisë tonë të lavdishme dhe popullit tim të përvuajtur. Është shumë vështirë të këndosh dhe njëherit edhe të qash në kësi rastesh, sepse për çdo ditë ne merrnin lajme se një mik, një kushëri, një fqinj ishte vrarë, ishte masakruar nëj fshat i tërë, burra, gra e femijë. Kemi humbur shumë, jo vetëm unë, por i gjith populli shqiptar në Kosove prej asaj lufte. Kanë humbur më të dashurite e tyre, gjaku i të cilëve na solli lirinë dhe pavarësinë e ëndërruar me shekuj”.

Kohë të shkuara gjithsesi tashmë. Ato çfarë erdhi pas asaj lufte e ngushëlluan atë dhe të njohur e saj. Humbi të atin e të afërm, por tanimë përjeton të tjera ndjesi, të ëmbla kësaj radhe, kur viziton anë e kënd Kosovën nëpërmjet koncerteve të saj ose kur kalon kufirin për të ardhur këtej. Gjithmonë me të ëmën në krah, që ende vazhdon të jetë këshilltarja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë, Leonora ia kushtua përfundimisht këngës. Asaj që ëndërronte qysh kur ishte fëmijë e duhej të hipte në karrige për të parë pa pengesa televiziorin dhe artistët e saj të preferuar. Kështu mban mend ta ketë nisur dhe ndjerë këtë lidhje Leonora Jakupi. Me një karrierë të zënë fill që në moshën 15 vjeçare, me të parën herë në skenë në festivalin “ Zëri i Drenicës”, me këngën “Dallëndyshe bukuroshe” dhe vite më vonë, më shumë se 12 vjet të shkuara, në Festivalin e Këngës në Shqipëri. Qysh atëherë Leonora është e njohur andej dhe këtej kufirit, me rregullin e artë - pak e saktë këngë - shumë kërkesa për koncerte dhe imazhin e pandryshuar të një vajze të mirë. 



Që megjithatë tërheq vëmendje e, jo rrallë edhe thashetheme. Fjala vjen thonë se Leonora është nga ato artiste fort e lidhur me politikën e Kosovës dhe emra të përveçëm të saj. Thonë se është artisja e preferuar e kryeministrit Hashim Thaçi çka ndodhta mund të paralajmërojë edhe nëj përfshirje aktive të sajën në politikë. “Unë çdo herë kam kënduar për UÇK-në, për dëshmorët, për ushtarët dhe kudo ku ka qenë nevoja unë kam pranuar me kënaqësi të këndoj. Edhe tani lidhja ime me politikën është vetëm kjo”, përgjigjet këngëtarja. Unë jam artiste dhe politika është kënga ime. Nuk pretendoj asgjë tjetër në politikë sepse atë e bëjnë më së miri ata që meren me të”. Nuk ka në plan asgjë konkrete, siç është përfolur me pak fjalë. Përfshirjen në politikë Leonora e kupton vetëm me muzikën e saj dhe asgjë më tepër. Sa për preferencat e kryeministrit? E njeh, siç edhe shumë të tjerë personalitete të tjera të politikës në Kosovë dhe Shqipëri. Por për çështje preferencash “unë di të them kush është artisiti im i preferuar, ndërsa kush është e Hashim Thaçit, sigurisht ai do tu përgjigjej”, shton duke buzëqeshur. Ndërsa sa i takon jetës personale nuk asgjë më shumë nga ajo që thuhet: është një artiste 36 vjeçare, beqare. Në pritje të dashurisë së madhe të jetës, njeriut me të cilin do të lidhet, martohet e do të krijojë familje. Me lutjen te Zoti që të jetë një familje si ajo e saja: e shëndoshë, me fëmijë të edukuar mirë, siç nëna e Leonorës ka edukuar atë dhe fëmijët e tjerë. Çfarë do të thuhet tjetër është vetëm një thashethemnajë që përhapet e shuhet vetë, siç kanë fatin të kenë fjalët e sajuara të njerëzve. “Kam një familje të mirë, lidhjen me të cilën e kam si çdo familje tjetër shqiptare”, thotë Leonora. “Lidhjen me më të afërmit e kemi si traditë të gjithë ne, kësaj nuk i iki dot as unë. Jam më e madhja nga motra dhe vëllau im, andaj kam edhe shumë përgjegjësi. Pastaj është edhe nëna ime, e cila gjithë jetën e saj ia ka kushtuar karrierës time. Asnjëherë nuk tha “u lodha apo nuk mundem”. Ajo dhe unë jemi një”. E ndjek në këtë rrëfim duke buzëqeshur motra më e vogël e Leonorës. Tani është rritur edhe ajo dhe të dyja bashkë udhëtojnë me kilometra të tëra: më e madhe për të kënduar ose marrë trofe si ai i Shkupit dhe me e vogla për të shijuar sukseset e së motrës. /klan