Poroshenko kërkon aleancë mbrojtëse me SHBA-në dhe BE-në


Presidenti i zgjedhur ukrainas, Petro Poroshenko kërkon të hapë menjëherë negociata me BE-në dhe SHBA-në për një aleancë mbrojtëse për Ukrainën, sipas një interviste të dhënë për të përditshmen gjermane “Bild”.

“Nuk ka një maxhorancë në vend për një hyrje në NATO”, sipas Poroshenkos, që ka dalë fitimtar në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën të dielën.
“Por, përgjithësisht ne kemi nevojë për një aleancë të re mbrojtëse me SHBA-në dhe BE-në, për të mbrojtur Ukrainën ushtarakisht”, tha ai.
“Si president do të angazhohem për një aleancë të tillë dhe do të hap menjëherë bisedimet”, shtoi Poroshenko.
“Dikur në hoqëm dorë nga arma bërthamorë dhe morëm garanci sigurie nga rusët, por tashmë po e shohim se ato garanci nuk vlejnë asgjë, ja përse na duhet një aleancë e re”, vazhdoi Poroshenko.
Në të njëjtën kohë, ai u shpreh shumë optimist mbi perspektivat për të sjellë qetësi në vendin e tij të kërcënuar nga përçarja.
“Besoj se mund të sjellim qetësinë në vend brenda disa muajsh, nëse Rusia është gati të bashkëpunojë”, shtoi presidenti ukrainas i sapozgjedhur.
“Nuk kam asnjë dyshim që duke ushtruar influencën e tij, Putin mund t’i japë fund luftimeve që kanë tronditur një pjesë të lindjes së vendit”, theksoi Poroshenko.