Të paktën 14 ushtarë të vrarë pas rrëzimit të një helikopteri nga separatistët prorusë


Separatistët prorusë në lindje të Ukrainës rrëzuan një helikopter të ushtrisë ukrainase pranë bastionit të tyre në Slaviansk duke vrarë 14 ushtare, njoftoi sot presidenti i përkohshëm ukrainas Oleksandre Turçinov.
“Sapo më informuan se terroristët rrëzuan, pranë Slavianskut, një helikopter që transportonte ushtarakë për të mundësuar ndërrimin e tyre, me ndihmën e një raketahedhësi tokë-ajër, model rus”, deklaroi Turçinov para parlamentit.
“Të paktën 14 ushtarë kanë vdekur, mes të cilëve edhe gjenerali Kulçitski”, shtoi ai.
Kjo ngjarje vjen pas përplasjeve në aeroportin e Donetskut mes ushtrisë ukrainase dhe kryengritësve prorusë ku humbën jetën të paktën 40 persona, 38 prej të cilëve luftëtarë dhe dy civilë.