Bashkim Hoxha: Gjithmonë ka një moment kur thuhet mjaft

Nga Entela Resuli

Ishte bërë si i shtëpisë për shumë familje shqiptare, bashkë me kafen e mëngjesit, dëgjonin titujt e faqeve të para të gazetave dhe ndanin me të problemet e tyre nëpërmjet telefonatave që ai priste në studio. Bashkim Hoxha (1954) nuk del më në ekran. Ishin të shumtë ata që u mërzitën, kur dy javë më parë, zëri dhe figura e njohur e mëngjesit i tha “stop” prezencës së tij në televizionin News 24, ku drejtonte programin “Koha për t’u zgjuar”. Vetë Hoxha pohoi se ishte lodhur nga 17 vite punë dhe se do të merrej me drejtimin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa nuk munguan zërat që thanë se atij i ishte ofruar posti i një Konsulli në një nga vendet e huaja.
Megjithë përpjekjet për të qëndruar në qetësi, ne arritëm që të realizonim një bisedë më shkrimtarin dhe gazetarin Bashkim Hoxha. Kjo është intervista e tij e parë pas largimit nga ekrani. Duke folur për Ditën ai ka treguar angazhimin e momentit, planet për të ardhmen dhe çfarë ka marrë nga vitet në televizion.
Ai i qëndron parimit që nga një punë duhet të largohesh kur të tjerët ndihen mirë me ty. Largimin e tij e shpjegon kështu: “I thashë “jo” edhe televizionit, sepse mendoj se gjithmonë duhet të jetë një moment kur thuhet mjaft. Dhe është normale ta bësh këtë jo atëherë kur ta thonë të tjerët, kur je keq. Kam bindjen se çdokush duhet ta kuptojë në kohë se në skenën publike duhet të vijnë formate të reja apo njerëz të rinj”. Më poshtë një rrëfim mëngjesi i Bashkim Hoxhës.

Z. Bashkim, shumë vite që zgjoheshit çdo mëngjes duke bërë të njëjtën punë, si ndiheni tani që nuk jeni më në ekran?
Jam duke u ambientuar me oraret e reja. Nuk zgjohem më në orën katër e gjysmë të mëngjesit për të qenë para ekranit në orën 7.00.

Ju mungon apo ndiheni më i qetë?
Jam në një periudhë të ndërmjetme dhe nuk e di se cila ndjesi do ta përshkruante më mirë, mungesa apo qetësia. Peshorja ka filluar të anojë nga qetësia.

Por, një njëri që është mësuar me punën nuk ndalet, ju me çfarë po merreni aktualisht?
Një nga arsyet qe thashë “mjaft” për ekranin, është edhe sepse në një farë mënyre po më pengonte për dëshirat e mia krijuese. Zgjohesh në mëngjes me një entuziazëm të ulesh të shkruash, pastaj vjen ngarkesa e mëngjesit, entuziazmi fashitet, dhe duhet të presësh sërish të rigjesh gjendjen e humbur. Këto kohë, edhe për të vendosur një ekuilibër të ri me situatën që zgjodha, u përqendrova në përfundimin e një drame të re, për të cilën kisha punuar në një mënyrë fragmentare e të pamjaftueshme prej ngarkesës që kisha. Arrita të mbyll variantin pothuajse përfundimtar. Drama titullohet “Këtu vallëzohet me hijet” dhe është një këndvështrim mbi shoqërinë e sotme shqiptare, së cilës ende i ngatërrohet nëpër këmbë e kaluara, dhe e pengon. Dramën ia kam shpërndarë miqve aktorë dhe regjisorë, është në fazën kur po marr mendimet e tyre, për të vazhduar më tej me mundësinë e vënies në skenë, në se gjykohet e realizuar.

Sipas jush, cilat janë problematikat e Teatrit të Durrësit?

Bashkim Hoxha dhe Artur Zheji në rininë e tyre

Ka mjaft problematika dhe për fat të keq askush nuk flet për teatrot vendore siç është edhe Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit. Ligji është i cunguar për mënyrën se si duhet të funksionojnë ato, thuhet vetëm se funksionojnë vetëm sipas vullnetit të njësisë së pushtetit vendor dhe kaq. Mungojnë aktet nënligjore, mungon pavarësia e institucioneve, imagjino edhe një numër llogarie më vete nuk kanë këto teatro dhe në qoftë se do të gjesh ndonjë sponsor, nuk mund të përdorësh sponsorizimin sepse paratë shkojnë menjëherë në thesar në llogarinë e Bashkisë. Mungojnë financimet. Prej katër vjetësh ne si teatër kemi pasur zero lekë për projektet dhe kjo krijon shumë vështirësi për pagesat e krijimtarisë, për shpërblimet artistike si dhe për krijimin e skenografive, kostumeve e aksesorëve të tjerë të një shfaqje. Na është premtuar që këtë vit do të financohemi në mënyrë modeste, por të paktën nuk do të jemi më i vetmi teatër në Shqipëri që merr zero lekë për projekte. E keqja është se edhe tani që flitet për reformën, askush nuk ka pyetur qoftë edhe një herë të vetme, flas për teatrin 60 vjeçar “A.Moisiu” për të marrë një mendim apo për të evidentuar problematikat. Megjithatë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, që unë drejtoj, është një trupë shumë e talentuar aktorësh, veçanërisht të rinj, të cilët kanë sjellë falë pasionit të tyre tre deri në katër premiera çdo vit, premiera të rëndësishme me pjesë të repertorit botëror si nga Shekspir, Uajld, Goldoni, Marivo, si dhe pjesë bashkëkohore nga Vardar, Kunej, Simon, etj.

Sa vëmendje ka arti sot?
Shumë pak. Si edhe mjaft problematika të tjera të shoqërisë sonë, vëmendjen ua rrëmben politika që tek ne është shumë bërtitëse.

Ju thoni qe tani po merreni me drejtimin e Teatrit, domethënë fjalët se ju mund të merrnit një detyrë si Konsull paskan qenë thashetheme?
Nuk e di. Ndoshta kanë qenë edhe dëshira dashamirëse të miqve. Aktualisht unë jam tërësisht i angazhuar me drejtimin e teatrit, me të njëjtin përkushtim si katër vite më parë kur mora drejtimin e tij.

Nga ana tjetër ju jeni një shkrimtar shumë i njohur, tani që latë televizionin, po shkruani më shumë apo nuk ka lidhje?
Dalëngadalë po kap ritmin që kam dëshiruar për krijimtarinë time artistike.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?
Mund të them që edhe emisioni i mëngjesit në vite më ka vlejtur për të komunikuar me problematika dhe personazhe interesantë edhe për letërsinë.

Keni ndonjë material konkret në dorë?
Pasi mbarova dramën, për të cilën ju fola po riorganizoj një roman të ri, kapituj të shumtë të cilit i kam shkruar në mënyrë të rrëmujshme kur nuk e kisha siç duhej këtë qetësi krijuese. Romani do të jetë një këndvështrim për mënyrën se si e bëjmë ne historinë, e cila shpesh rishkruhet sipas interesave të ditës apo mbështetur në legjenda e poezi.

A ndiheni i vlerësuar deri më sot z. Bashkim. Keni marrë disa tituj, nga bashkia e Durrësit, po ashtu edhe nga ish- Presidenti… Sa ia keni marrë frytet punës që keni bërë ndër vite?
Ndihem i vlerësuar maksimalisht. Ndoshta edhe ka pasur më shumë dashamirësi se sa e kam merituar.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për qeverinë “Rama”?
Si qytetar, pres që të mos shoh remake-un e një filmi të vjetër me aktorë të rinj. Është vet z. Rama që ka premtuar se nuk e sheh postin e kryeministrit thjesht si një zëvendësim emrash në këtë post, por si një ndryshim të mënyrës se bërjes politikë dhe të qeverisjes.


Sipas jush, çfarë i mungon medies sot?
Do desha që media të ishte më pranë qytetarit. Problemi më i madh që ka media sot sipas mendimit im është rendja pas politikës, shpesh herë duke u bërë edhe palë në lojën politike dhe mungesa e vëmendjes ndaj problemeve sociale dhe jetës së përditshme. Për fat të keq në fshat, në shtëpitë e thjeshta të njeriut të thjeshtë në shumicën e rasteve shkohet vetëm kur aty ka ndodhur ndonjë krim. Falë përkushtimit të ndonjë gazetari si Fatos Baxhaku, Marin Mema apo ndonjë tjetër ende ka shpresë për të plotësuar këtë boshllëk të rëndësishëm. Mungon ndjeshëm reportazhi, të vërteta e thjeshta të jetës. Mendoj se mungon sa duhet edhe këndvështrimi i politikës nga pozicioni i qytetarit në analizat që bëhen, gjë që do ta bënte median edhe më të dobishme.

Çfarë mendimi keni për gazetën “Dita”?
E lexoj përditë. Edhe pse këtë muaj kisha vendosur të bëja një shkëputje dhe pushim absolut nga gazetat, prapë nuk i kam rezistuar tundimit për ta lexuar gazetën DITA. Ka profilin e vet të pangjashëm me rutinën e përgjithshme dhe kjo e bën të rëndësishme.

Ju thatë që e lexon gazetën “Dita”, po gjatë emisionit pse nuk e lexonit faqen e parë të saj?
Titujt e gazetave, kur unë drejtoja emisionin, sipas kontratës që kisha, përcaktoheshin nga redaksia e televizionit privat. Ishte një kusht kontrate që unë duhej ta respektoja, pavarësisht nga leximet individuale të mijat.

Largimi juaj nga televizioni do të jetë një largim përfundimtar?
Besoj se po.

* * *
Politika? Vallëzim absurd me hijet e së shkuarës
Ai është një qytetar durrsak. Jeton buzë detit, i cili është një nga frymëzimet e tij. Momentin e tij më produktiv në punë ka mëngjesin kur edhe shkruan. Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë një radhë veprash si :”Heronjtë e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero” (“Dëshmitari i Shkretëtirës”), “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Fjalë të ndyra dashurie”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri” etj. Në këtë pjesë të intervistës na ka treguar se është një baba krenar për dy vajzat e tij. Po ashtu ka ndarë me ne dhe arsyetimin se përse nuk ka menduar ndonjëherë t’i futet politikës.

Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga qyteti i Durrësit, po nga Shqipëria?
Kam provuar të largohem, kam jetuar shumë vite larg Durrësit dhe që nga viti 1995 jam rikthyer sërish. Durrësi është një qytet që ofron të gjithë hapësirën qytetare që do donte një krijues.

Cila është lagja në të cilën jetoni, ambienti…?
Jetoj buzë detit. Sigurisht, qyteti i Durrësit ka një veçori nga Tirana, njerëzit e njohin në shumicën e tyre njëri-tjetrin dhe jeta është më pak dinamike, por shumë e njerëzishme.

Çfarë ju shqetëson më shumë nga qyteti tuaj?
Mjaft problematika që nuk janë vetëm për Durrësin. Por ajo që shqetëson çdo durrsak është edhe humbja e një farë identiteti që duhet të bartëte vet qyteti. Këto vite të tranzicionit ka pasur një kaos të vrullshëm urban prej të cilit e kanë pësuar vlerat historike dhe arkeologjike të këtij qyteti, mungon ndjeshëm edhe gjelbërimi.

Cila është familja juaj?
Bashkëshortja ime, Mimoza, është financiere në Universitetin “A. Moisiu” në Durrës, dy vajzat Ana dhe Keti kanë mbaruar për arkitekturë në një Universitetin privat në Tiranë.

A jeni ju një baba krenar për fëmijët tuaj?
Sigurisht. Kanë përfunduar studimet me rezultate të mira, janë të impenjuara në profesionin e tyre, bëjnë jetën e tyre në shoqëri të mirë dhe kjo e bën një prind të ndjehet i realizuar.

Keni menduar ndonjëherë të përfshiheni në politikë?
Unë i përkas atij brezi, prania e të cilit në politikë, për mendimin tim, justifikohej deri diku në fazën fillestare të tranzicionit, por tani në përfundim të këtij tranzicioni duhet të tërhiqet në jetën private e profesionale dhe t’ia lërë politikën këndvështrimeve të reja të më të rinjve. Unë e besoj këtë gjë. I thashë “jo” edhe televizionit, që ka lidhje me profesionin tim si gazetar, sepse mendoj se gjithmonë duhet të jetë një moment kur thuhet mjaft. Dhe është normale ta bësh këtë jo atëherë kur ta thonë të tjerët, kur je keq. Kam bindjen se çdokush duhet ta kuptojë në kohë se në skenën publike duhet të vijnë formate të reja apo njerëz të rinj. Me politikën nuk kam asnjë afeksion apo dëshirë të jem i pranishëm.

Ka diçka që e ka penguar afrimin me të?
Asgjë përveç besimit tim se brezi ynë vjen nga një e kaluar e cila në një mënyrë apo tjetër ka lënë gjurmë në formimin tonë, me gjithë vullnetin për të ndryshuar veten e për të kontribuar ndjeshëm për të tjerët në gjithë këto vite tranzicioni. Pikërisht për vallëzimin absurd me hijet e të shkuarës, flet edhe drama ime e re që besoj se do të shpjegojë me gjuhën e skenës edhe këtë bindje.