PANTEIZMI DHE BEKTASHIZMI NAIMIAN NË SHËRBIM TË KOMBIT


Dr. Vehbi BEXHETI



Figura më e shquar dhe më e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare është poeti, mendimtari dhe atdhetari i madh, Naim Frashëri. Ai me tërë qenien dhe fuqinë kreative intelektuale u vu nëshërbim të kombit. Vepra e tij ishte dhe është udhërrëfyese për popullin shqiptar. Kjo fuqi krijuese luajti rol të madh historik e kulturor sepse është kuptimplote, e gjallë dhe e fuqishme. Krijimtaria e tij që u shqua gjatë kohës së Rilindjes, e që mbeti e freskët dhe frytdhënëse edhe sot, është nxitëse dhe burim i pashtershëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Vepra e tij në radhë të parë i kushtohet atdheut dhe popullit të vet, por ajo ndonjëherë i kalon kornizat kombëtare dhe i takon njerëzimit në tërësi. Naimi është para së gjithash humanist, që për të mirën e popullit flijon dhe digjet si qiriri për t’i bërë dritë tjetrit. Edhe bindja fetare e Naimit është në shërbim të njeriut dhe njerëzimit. Si njeri që ka fituar dije bashkëkohore nën ndikimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të racionalizmit dhe iluminizmit në njërën anë, dhe atyre të Lindjes me besim islam të sektës bektashiane.Naimi ka qëndrimin e vet edhe ndaj fesë, sidomos kur ajo mund të ndikojë në përçarjen midis njerëzve. Te Naimi qëndron edhe vetëdija për vëllazërinë e njerëzinë pa dallim feje,prandaj edhe thotë:

“Çdo njeri vëlla e kemi,
gjithë nga një balë jemi,
kemi një shpirt një vetijë,
jemi gjithë një fëmijë,
një mëmë e një atë kemi,
me një fytyrë po jemi”.

Pas bejtexhinjve, Naimi qe poeti i parë mysliman që e ngriti zërin aq ashpër ndaj sunduesve osmanë. Një vjershë e Naimit i tronditi dhe i magjepsi zemrat e shumë shkrimtarëve shqiptarë të krishterë që atë kohë gjendeshin në Bukuresht. Për Naimin çështja kombëtare ishte mbi të gjitha. Ndasia fetare për të ishte e papranueshme, prandaj për të më fatlum ishte besimi panteist që do të ndikonte në unitetin e shqiptarëve që ishin me tre besime ( ).
Në shumëllojshmërinë e veprës së Naimit ndikoi ambienti familjar, besimi bektashian, letërsia antike greke e romake dhe idetë e iluminizmit dhe të romantizmit evropian. Kur i kemi parasysh të gjitha këto, e kemi lehtë të konstatojmë pse Naimi u gjend në një udhëkryq midis civilizimeve e kulturave, në atë të Perëndimit dhe të Lindjes. Mendimi iluminist rrezatoi dukshëm te një pjesë e madhe e mendimtarëve shqiptarë, madje u bë sundues edhe në botëkuptimin e tyre. Këto ndikime që vijnë nga Perëndimi depërtuan edhe në botën shpirtërore nëpërmjet veprave të Naim Frashërit. Aspektet filozofike mbi jetën dhe vdekjen, të bazuara gjithashtu në filozofitë pozitiviste evropiane, edhe për Naimin ishin mësime se si njerëzimi duhej të shpëtojë nga kotësitë e filozofive të vjetra. Nga ana tjetër, Naimi nuk mundi e as që deshi të shkëputet nga botëkuptimi fetar islam pa besimin monoteist duke e përkrahur bektashizmin. Këtë e dëshmon me poemën “Qerbelaja” dhe përmbledhjen poetike “Fletore e baktashinjët”, apo ndonjë krijim tjetër.
Deri më tani shumë studiues të veprës së Naimit u angazhuan të vijnë në një përfundim lidhur me atë se a ishte Naimi nën ndikimin e filozofisë materialiste, a kishte pikëpamje ateiste, monoteiste apo panteiste. Pati edhe të atillë që dhanë vlerësime se Naimi në disa vepra të tij prezenton vetëm pikëpamjet fetare islame të bazuara në ajetet kuranore. Lidhur me këto, mendojmë se për Naimin vlen vetëm një e vërtetë kryesore. Të gjitha angazhimet e tij për të prezentuar frymën romantike, që padyshim u ndikua nga ai evropian, dhe pikëpamjet iluministe e racionaliste që nëpërmjet panteizmit të tij të kalojnë te një besim qoftë edhe thjesht islam, ishin në interes të kombit dhe të atdheut të tij. Vetëm duke u nisur nga kjo e vërtetë më lehtë mund t’i kuptojmë edhe pikëpamjet racionaliste, iluministe e panteiste që vijnë nga Perëndimi dhe ato të ngjashme me parimet fetare islame të sektës bektashiane dhe të filozofisë së Lindjes në përgjithësi. Elementi fetar bektashian dhe ai panteist ishin në shërbim të formimit moral e shpirtëror të shqiptarëve. Kjo është me rëndësi për Naimin dhe veprën e tij. Edhe vlerësimet se Naimi ishte një besimtar që u bazua në parimet kuranore, por që qenka infektuar nga pikëpamjet racionaliste e iluministe të Dekartit, të Volterit e të Rusoit, deri te ekstremi tjetër se ai qenka bile edhe ateist. Këto dilema, që edhe sot janë ndonjëherë aktuale, nuk e luhasin të vërtetën për të konstatuar se Naimi ishte dhe mbetet me rëndësi historike për kombin. S’ka dyshim se Naimi është religjioz, është deist, por feja në kuptimin e tij nuk është kurrfarë veçantie e kombit dhe kërkon me ngulm zhdukjen e ndasisë fetare ndër shqiptarët,thotë Rexhep Qosja.
(Naim Frashëri – Vepra l, Prishtinë, 1978, fq.18).
Duke u nisur nga ky konstatim lehtë vijmë në përfundim se panteizmi naimian si mishërim i natyrës me zotin është aq i pranishëm në veprën e këtij poeti. Vetëm një prezentim i këtillë i natyrës do të mjaftonte për të shprehur edhe kultin fetar mysliman, edhe atë të krishterë nga njëra anë, dhe dashurinë e shqiptarit për trojet e veta që për të janë të dashura ashtu siç është edhe vetë zoti, ai zot që gjendet edhe në malet e Shqipërisë:

“Nat’ atje është tjatër natë dhe dita tjatër ditë,
Në pyjet e gjelbëruar, atje rrijnë Perënditë”
(N.F., Vepra 1, 1978, Prishtinë, fq.146).

Naimi edhe kur shpreh besimin në një zot, ai zot për të nuk është allahu që e krijoi njeriun dhe gjithësinë, ai që do t’i gjykojë gjynahçarët në botën e amshueshme. Ai është herë perëndi, e herë zot. Dashuria e tij ndaj asaj perëndie nuk është më e fuqishme se ndaj pyjeve, shkëmbinjve dhe lumenjve të Shqipërisë. Edhe njeriun, edhe bagëtinë ai i do njëlloj sikurse perëndinë.

“Dhe njerinë dhe bagëtinë,
Dhe gjithë ç’është në jetë
I dua si perëndinë
Se nga do që këthejnë sytë
Shoh atje zotin e vërtetë
Ç’është një e s’ka të dytë”
(N.F,. Vepra 1, “Jeta”, Prishtinë 1978, fq.76).

Naimi herë e konsideron zotin si krijues i çdo gjëje, e herë atë e paraqet me fizionominë e çdo gjëje të bukur të natyrës.

“Emrin e atij çdo lule e ka në ballë,
Gjithë gjërat që nuk numërohen dot
Shqipërojnë emrin e Krijuesit Zot”
(N.F. Vepra l, “Zoti”, Prishtinë 1978, fq.179).

“Çdo gjë që shohim është zoti i vërtetë, e çdo gjë që dëgjohet është zëri i tij”, thotë Naimi në poezinë “Perëndia”, ndërsa në poezinë “Besojmë”, poeti këtë e dëshmon me vargjet:

“Besojmë Zotnë ç’ësht i vërtetë,
Se gjith ç’shohim është ay vetë”.

Siç shihet, e vërteta për zotin për Naimin nuk është asnjëherë e dyshimtë, sepse atë poeti e konkretizon me diçka që duket, a ajo është çdo gjë që e rrethon njeriun.
Aspektin fetar naimian duhet shikuar gjithanshëm duke i analizuar të gjitha pikëpamjet e tij që kanë të bëjnë me fenë dhe kombin. Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto, edhe çështja e besimit në veprën e tij, si çështje më e ndieshme e më komplekse, do të mund të kuptohet shumë lehtë nga lexuesit, e sidomos nga studiuesit e kësaj vepre. Ky konstatim aspak nuk e përjashton edhe ndikimin e librit të shenjtë – Kuranit në disa vepra të poetit, e sidomos në atë “Mësime”. Edhe në këtë vepër, ku elementi fetar është më islam është më i dukshëm, Naimi nuk paraqitet një fetar aq i disiplinuar. Ai e porosit popullin ta duan dhe t’i luten zotit të madh e të vërtetë, por ai gjithashtu e porosit shqiptarin ta dojë më tepër atdheun dhe gjuhën amtare:
“Duaj zotn’ e madh e të vërtetë dhe falju duke i bërë mirë njerëzisë.
Duaj më shumë nga gjithë Mëmëdhenë, mëmëdhetarët dhe gjuhën tënde”
(N.Frashëri Vepra 5, “Mësime”, Prishtinë, 1978, fq.39).

Pikërisht nga këto qëndrime të Naimit mbi fenë dhe besimin, që nuk paraqiten vetëm bardhezi, e kuptojmë më lehtë edhe praninë e panteizmit që paraqitet aq dendur në disa vepra të tij. Adhurimi i natyrës, por edhe bukuria e hënës, e diellit dhe e yjeve për Naimin janë vetë zoti, sepse pa to nuk ka jetë, që do të thotë se zoti i Naimit është padyshim krijues edhe i gjithësisë por njëkohësisht ajo gjithësi është edhe vetë zoti.

“Është në shesh Perëndia,
I verbëri s’mund ta shoh,
Ajo është gjithësia,
I dituri mund ta njohë” (………

Në panteizmin naimian, qoftë ai i mishërimit të zotit me natyrën apo me gjithësinë, është i pranishëm edhe elementi i krishterë, dukuri kjo që është normale edhe për një poet të përkatësisë fetare myslimane siç ishte Naimi, për të cilin mbi të gjitha ishte atdheu dhe kombi e në atë atdhe jetonin edhe shqiptarët e krishterë. Ky prezentim i një realiteti me gjuhën e një romantiku bie ndesh me konstatimet se panteizmi i Naimit paska shërbyer si paravan për të mos u thelluar në çështjen e besimit të tij, që do të thotë ky panteizëm nuk qenka i pranishëm fare në vargjet:
“Kish’ e vërtetë e Zotit math është hapsir’ e paanë
E shenjtëruar libr’ e tij e Gjithësia e tërë ç’janë
Shkronjët e saj të bukura, lëmshet e qiellit lartë
Ç’do na sheh syri që lëvrin ç’do yll që ndrin i zjarrtë”
(N.Frashëri, Vepra 2 “, Dëshirë e vërtetëe shqiptarëve”, Prishtinë 1978, fq. 161).

Naimi edhe një herë pikëpamjet panteiste i shpreh nëpërmjet elementit të krishterë sepse në këtë rast hapësira e paanë nuk është vetë zoti por është kisha e vërtetë e tij dhe se libri i shenjtë është gjithësia, e shkrimet e atij libri janë yjet dhe trupat tjerë qiellorë.
Nga këto vargje dhe shumë të tjera kësisoj të veprave të Naimit shohim se panteizmi si bindje intime është edhe nevojë e ndjenjës romantike të tij. Me të drejtë akademik Rexhep Qosja, lidhur me pikëpamjet panteiste të Naimit, konstaton: “Mbasi perëndia ishte një trajtë e shfaqjes së bukurisë së ligjeve të natyrës, s’është për t’u çuditur pse Naimi në vend që të thotë se njeriu duke u ngritur e arsimuar njeh botën e natyrën, thotë se njeriu duke u ngritur e arsimuar, i afrohet zotit.
(N.Frashëri, Vepra 1, Prishtinë, 1987, fq. 20).

Ky konstatim bazohet gjithsesi në njësimin e gjithësisë dhe natyrës, e nga kjo del se nuk është me rëndësi se cilit i beson njeriu zotit, natyrës, gjithësisë apo edhe vetë njeriut, por është me rëndësi se për të besuar duhet të jesh i arsimuar, i edukuar sepse i verbëti, siç e quan Naimi të paditurin, nuk është në gjendje ta njohë edhe zotin:

“Është në shesh Perëndija,
Sicili do mund ta njoh
Po se mbuloi padija
Njeri tek do mund ta shoh”
(Naim Frashëri, Vepra 1 “Perëndia”, Prishtinë, 1978, fq.117).

Siç vërehet në shumë vargje të Naimit ku shprehet besimi panteist, krahas ideve racionaliste, ku duhet kërkuar arsyen e të qenit të botës, të njerëzimit e të gjithësisë, paraqiten edhe idetë iluministe që për Naimin ishin më të fuqishme dhe më të pranueshme.
Krahas panteizmit, që është aq i shprehur në veprën e Naimit e që buronte nga romantizmi, racionalizmi evropian dhe iluminizmi, një element tjetër shumë karakteristik i veprës së tij është edhe filozofia bektashiane që ndërlidhet me panteizmin, sepse edhe kjo sektë e besimit islam është e lidhur me zotin, natyrën dhe njeriun. Këtë sekt të drejtimit shiit, si më të përparuar të besimit islam, Naimi e përkrahu nga dy arsye, se i takonte familjarisht e tradicionalisht këtij besimi dhe pse u ndikua nga filozofia e kultura e Lindjes, sidomos nga ajo persiane. Edhe këto ndikime, që me vullnet u përqafuan nga Naimi, veprës së tij i sollën një freski dhe baraspeshë që ajo të jetë në shërbim të kombit dhe atdheut.
Në epin heroik fetar “Qerbelaja”, shkrimtari, përveç dëshirës për të paraqitur një faqe të historisë së islamizmit dhe bektashizmit, deshi të tregojë se si luftohet e keqja e të ngadhënjejë e mira dhe e vërteta. Naimi duke e njohur mirë këtë filozofi bektashiane që karakterizohej me tolerancën ndaj feve dhe sekteve tjera fetare, e që në plan të parë e ka humanizmin, tolerancën dhe dashurinë njerëzore e hyjnore, u përcaktua edhe në krijimtarinë me këtë temë. Ashtu si “Historia e Skënderbeut” edhe “Qerbelaja” por edhe një varg poezishë tjera lirike shprehen me zjarrin e fjalës kundër të keqes, kundër pushtuesit si shkaktar i të gjitha të këqijave, (Naim Frashëri, Vepra 1, Prishtinë, 1978, fq. 25), e kjo gjë gjithsesi ishte në interes të shqiptarëve që luftonin kundër robërisë osmane.
Në këngën e XV dhe të fundit të “Qerbelasë”, Naimi flet për shqiptarin trim me fletë, për dashurinë e tij që ka ndaj Shqipërisë dhe për gatishmërinë që të flijojë jetën ashtu si shumë personazhe tjerë pozitivë të kësaj vepre që ranë dëshmorë në betejën e Qerbelasë:

“Shqipëtari trim me fletë,
Si ka qenë le të jetë,
Të ketë gjithë urtësinë,
E të dojë Shqipërinë,
Të vdes për Mëmëdhenë,
Si myhtarë për hysenë,
Të ngjajë me ibrahimnë,
Dhe me Eba Myslimnë”
(N.Frashëri, Vepra 4, “Qerbelaja”, Prishtinë, 1978, fq. 49).

Në veprën “Fletore e Bektashinjët”, ashtu si te “Qerbeleja”, idetë përparimtare të bektashizmit shprehen nëpërmjet panteizmit. Në shumë poezi të kësaj përmbledhjeje poeti me theks të posaçëm flet për mirësinë, bujarinë, vëllezërinë, miqësinë dhe tolerancën ndërnjerëzore e ndërfetare:

“Pa një gjë nukë mohojmë,
Gjithë besët i nderojmë,
Pse kemi vëllazërinë,
Me të gjithë njerëzinë”
(N.Frashëri, Vepra 2, “Besa”, Prishtinë,1978, fq.26).

Se bektashizmi filozofik është më përparimtare në krahasim me synimin , tregojnë edhe këto vargje të poezisë “Njeriu”:

“Parajsa edhe Skëterra
E gjithë ç’janë të tjera,
Edhe engjëlli edhe djalli,
Janë gjithë tek i gjalli,
Kush njohi vethen e tija
E di ç’është Perëndia”.

Siç shihet, Naimi konceptin mbi mëkatin për mosbesimin nuk e sheh te dënimi i njeriut pas vdekjes, i cili për këtë duhet të vuaj në ferr e kjo vuajtje do të jetë e përhershme në botën tjetër. Këtu edhe qëndron rëndësia e filozofisë bektashiane që nuk do të ishte e pranueshme për ndonjë tjetër sekt të besimit islam. Ky njeri i Naimit dhe i konceptit të tij që bazohet në bektashizëm s’ka pse të brengoset aq shumë për fatin e vet në botën tjetër. Ai e ka me vete parajsën ose ferrin, në brendinë e shpirtit të tij, të shpirtit që ende nuk është shkëputur nga trupi, ai e ka me vete engjëllin ose djallin, që do të thotë ai e njeh vetveten, e nëse atë e njeh mirë, e di ç’është edhe perëndia.
Elementi bektashian shtrihet edhe në vepra tjera të Naimit sepse botëkuptimi i tij mëton gjithmonë më përparimtaren, duke e dënuar çdo gjë që nuk i siguron njeriut, e në këtë rast shqiptarit, perspektivë e lumturi në këtë botë se me tjetrën as që do të merret. Në poezinë “Abaz Aliu”, në variantin shumë më të shkurtër e paraqet gjithashtu fushën e Qerbelasë dhe ngjarjen tragjike që ndodhi aty, këtë ngjarje që të përkujton krahas trimërisë edhe viktimizimin. Vargjet:

“Engjëll që m’u qase pranë
Nga i madhi Ziot,
Pse më rrëfen Qerbelanë?
A do të derdh lotë?”

Janë shumë të ngjashme me ato të fillimit të poemës “Kënga e sprasme e Balës” të Gavril Darës të Riut, ku poeti nëpërmjet personazhit të vet nuk do të kthejë e ta përkujtojë kohën e shkuar, atë kohë të lavdishme të luftëtarëve të Skënderbeut, por në ndonjë moment edhe të kobshëm për luftëtarët që vdesin në fushën e betejës. Të përkujtohemi në këto vargje që janë aq të ngjashme me ato që i shënuam më lart për të konstatuar aforinë e historisë së Qerbelasë dhe të betejës së saj me betejën e Beratit:

“Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur e trishtuar,
Pse më kthen në monë e shkuar?”

Motivi që e nxiti krijimin e poezisë “Abaz Aliu” dhe atë të epit “Qerbelaja” përveç dëshirës për të shënuar këtë faqe të historisë bektashiane vjen edhe nga ndjenja humane liridashëse për t’u kënduar trimave që flijojnë për të mirën e njeriut dhe të njerëzimit:

“Hysejni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Për të shpëtuar njerëzinë
Ra ndë Qerbela”
(N.F.Vepra 1, “Abaz-Aliu”, Prishtinë, 1978, fq.94).

Përveç frymëzimit që në vete përmban edhe elemente që vijnë nga fati i kombit dhe atdheut, Naimi ndonjëherë e afron këtë ngjarje heroike dhe heronjtë e saj me malet e Shqipërisë për t’i ndihmuar që të fitojë liri. Kjo ndihmesë Shqipërisë më tepër është e karakterit moral e hyjnor:

“Abaz Aliu zu’Tomorë,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbetet e gjorë,
Se Zoti e desh”
(N.F. Vepra 1, “A.Aliu”, Prishtinë, 1978, fq.94).

Festat e motmotit, si festa pagane që edhe sot e kësaj dite festohen ndër shqiptarët, siç janë Dita e pranverës, Dita e shëngjergjit etj., e që nuk preferohen të festohen bile edhe ndalohet nga besimi islam, në atë bektashian respektohen duke me manifestime fetare ku është i pranishëm edhe elementi panteist. Kështu e fillon poeti poezinë “Edhe dit e re”:

“Sot është një ditë e rezë që përsëritet moti,
Lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, vetë Zoti”.

Nga e tërë ajo që u tha mund të konkludojmë se Naimi është një figurë komplekse për të cilin edhe pas 100 vjetësh nga vdekja ka për t’u thënë edhe shumëçka që s’është thënë, ose në ndonjëfarë mënyre të korrigjohet ajo që është thënë duke u bazuar në përpunimin e veprës së tij që dalin si rezultat i seleksionimit të saj varësisht nga pozitat dhe rrethanat kohore historike si rezultat i të cilave viktimizohet ndonjëherë edhe shkenca. Se është kështu mund të citojmë një mendim të njërit nga autorët e Historisë së Letërsisë Shqiptare të botuar në Prishtinë, më 1989 që gjendet në faqen 185.

“Naimi humanist e identifikonte fenë me njerëzinë, ishte kundër obskurantizmit, paragjykimeve, absurditeteve fetare duke dhënë kështu një tjetër ndihmesë me vlerë që më vonë do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar. Një pjesë e këtij mendimi jep vlerësime reale por që rezulton me një konstatim joshkencor kur thuhet se Naimi do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar, që do të thotë se një mendim sado të jetë përparimtar do të vareshka me atë se sa do të jetë antifetar. Naimi nuk e çeli rrugën e përparimit të kombit pse ishte antifetar, sepse i këtillë as që ishte, ashtu si nuk ishte edhe një fetar i shkëlqyeshëm i besimit mysliman.

Related Posts: