Nexhip P. ALPAN
Para 100 vjetësh, më 19 tetor të vitit 1900, Naim Frashëri kishte mbyllur sytë dhe na kishte lënë shëndetin. Nuk them dot se “vdiq”, sepse njerëzit e mëdhenj nuk vdesin; shpirti i tyre dhe trutë jetojnë brez pas brezi. Bashkëkohësi i tij, poeti turk Tevfik Fikret (1867¬1915) ka thënë: “Vdekja do të thotë rilindje”. Gjithashtu edhe francezët thonë: “Ne po jetojmë në saje të burrave të mëdhenj që pushojnë në Panteon” (Nous vivons grace a Grandes Hommes qui se reposent dans le Pantheon).
Prandaj, edhe Naim Frashëri (i lindur më 23 maj të vitit 1846), nga pikëpamja shpirtërore nuk ka vdekur, po vazhdon të na riedukojë dhe të na e kalitë vullnetin atdhetar.
Naim Frashëri është poet lirik, ka thurur vjersha epike, por ai ka hartuar edhe vjersha e proza me karakter moral, didaktik, kulturor, shkencor. Naimi nuk ka kënduar vetëm si bilbil për të na e gëzuar zemrën. “Fyelli” bile na jep dijeni!
Pa dëgjoje Fyellin ç’thotë,
Tregon mërgimet e shkretë,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalëza të vërtetë!...
Prandaj, s’ka poezi që mos të na japë dituri, edhe poemat, edhe prozat na ndriçojnë trutë. Vjersha dhe proza letrare nuk janë synime, por janë mjete për të realizuar idealet njerëzore.
Naim Frashëri që njihet si poet patriot, përgjithësisht është trajtuar vetëm në letërsi. Mirëpo ai nga pikëpamja mendore është një nga pedagogët e shquar të Rilindjes Shqiptare. Një pjesë të madhe të veprave të tij i takon problemet shkollore, mësimet arsimore dhe temat socio¬morale kombëtare. Por në fakt edhe poemat e tij lirike synojnë edukimin atdhetar.
Naim Frashëri që ka filluar të merret me botime dhe me letërsi në moshën e pjekurisë 25¬30 vjeçare, vjershat dhe shkrimet i ka hartuar me një ideal të lartë.
Siç dihet botërisht shek. XIX kalonte periudhën e nacionalizmit. Po edhe Perandoria kozmopolite Otomane kishte zënë rrugën fatale, ecte tatëpjetë. Popujt e Ballkanit të sunduar prej Portës së Lartë me qendër në stamboll, si grekët, bullgarët, rumunët etj., kishin nisur fushatat e pavërësisë. Ndërsa shqiptarët, megjithëse këtë fushatë e kishin nisur që në Pashallëkun e Shkodrës (1775¬1830) dhe Pashallëkut të Janinës (1787¬1822), vonuan sepse pengoheshin nga osmanllinjtë dhe prej Kishës Ortodokse të Fanarit me qendër në Stamboll. Patrikana Bizantine shqiptarët i përçante duke pretenduar se “shqiptarët ortodoksë qenkëshin grekë; shqiptarët katolikë qenkëshin latinë (italianë); shqiptarët myslimanë qenkëshin turq...”
Prandaj, rreth viteve ‘70 kishte ardhur koha që edhe shqiptarët të thonin: “Ne jemi shqiptarë!”, duke themeluar organizata ose vatra gjuhësore.
Intelektualët shqiptarë si Ismail Qemal Vlora, Ferit Vlora, Hoxhë H. Tahsin Filati, Kostandin Kristoforidhi Elbasanasi qysh nga vitet ‘60 të shekullit XIX qenë mbledhur në Stamboll dhe shqyrtonin çëshjten shqiptare. Për shembull cila rrugë do të jetë më e mira që do ta çonte popullin shqiptar te Pavarësia. U preferua shkolla, shtypi dhe kultura që do ta zgjonte nga gjumi popullin shqiptar.
Shpallja e Kushtetutës parlamentare e shtetit osman në vitin 1876, rilindësve shqiptarë u dha zemër. Vëllai i madh, Abdyl Frashëri që kishte mundur të hynte me disa shokë shqiptarë në Domën e Deputetëve, Asamblesë së Pëgjithshme më 15 janar të vitit 1878, kishte paraqitur një Projekt¬reformë për arsimin, ku thoshte: “... shteti dhe kombi mbahet në këmbë dhe zhvillohet prej arsimit të plotë, nga lidhjet e drejta dhe na nëpunësit që do të zbatojnë kanunet.. Tek ne nuk ekziston asnjë! Jam i bindur se edhe Anadolli gjendet i mjerë sa Rumelia (Viset e Ballkanit). Në Shqipëri s’ka asnjë fshat që të ketë shkollë. Për këtë populli derëzi, nëse do, të kërkohet një shenjë identiteti, vetëm emrat myslimanë kanë. Ju lutem, mëshirë! Me këtë inkorancë, si do të bëhemi populli i qytetëruar?! Kur do të zgjohemi nga gjumi i thellë? Në Stamboll kemi vetëm një shkollë për vajza, por vetëm një nxënëse vazhdon mësimet. Jashtë stambollit nuk ka asnjë shkollë për vajza. Edukimi i meshkujve varet tek edukimi me anë të nënave... Kur nëna është xhahile, ç’kemi të presim nga edukata familjare? Mendoni sesa do prishtet morali dhe karakteri i njeriut?.. (Lidhja e Prizrenit dhe shqiptarët, Prof. Nexhip P. Alpan, Ankara, 1978). Po edhe Naimi e Samiu këto vëzhgime, mbresa dhe pikëpamje kishin.
Naim Frashëri që shërbeu edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bashkëpunoi edhe me Shoqatën Kulturore “Vatra për të shtypur libra shqip”, të themeluar në Stamboll më 12 tetor 1879 nën kryesi të Sami Frashërit. Shoqëria e të Shtypur Libra Shqip vendos të hartohej edhe alfabetin latin i gjuhës shqipe. Në këtë komision vetash, në radhë të parë punuan Samiu dhe Naimi.
Alfabeti është një mjet për të mësuar shqipen e shkruar në shkolla. Mirëpo ku qenë ato shkolla? Nuk kishte as një! Ndërsa grekët, bullgarët dhe serbosllavët, kishin hapur shkolla edhe në katundet shqiptare... Meqenëse Kushtetuta e vitit 1876 lejonte të hapeshin shkolla për çdo komb të Ballkanit, edhe shqiptarët filluan përçapje për të hapur shkolla shqip, laik. Mirëpo edhe shkolla ka nevojë për gramatika, abetare, fjalorë, libra leximi etj.
Këto mjete shkollore qenë hartuar nga Kostandin Kristoforidhi Elbasanasi, që në vitin 1870 kishte filluar të hartonte “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe “dramatikën shqip të dialektit jugor”, që u botua më 1882 dhe më 1895¬1904. Vaso Pashë Shkodrani, më 1887 botoi frëngjisht në Londër “Gramatikën e gjuhës shqipe për ata që duan ta mësojnë këtë gjuhë”. Sami Frashëri, më 1886 botoi “Shkronjtëoren e gjuhës shqip” dhe “Gjuha shqipe dhe gjeografia” në alfabetin e Stambollit (1880). Në këtë alfabet (Abetare) Vaso Pashë Shkodrani kishte punuar dhe temën “Histori e Shqipërisë”, që nga pellazgët deri te Skënderbeu. Jani M. Postenuni kishte shkruar temën “Disa çështje gjuhësore, pedagogjike dhe morale”.
Krahas këtyre veprimtarive të lartpërmendura, edhe naimi botonte vepra letrare dhe pedagogjike si:
a) “Vjershat për mësonjëtoret e para” (për shkollat fillore) së pari u botua në revistën “Drita”, 1884, pastaj më 1886 ¬ Bukuresht.
b) “Dituritë për mësonjëtoret e para” (në prozë, tekste shkollash, 1886) së pari u botua më 1885 në revistën “Dituria”.
c) “Histori e përgjithshme për mësonjëtoret e para”, Bukuresht ¬ 1886, në prozë.
ç) “Histori e Shqipërisë” në prozë, 1888¬1898
d) “Katër stinat”, prozë, përkthim nga frëngjishtja, 1864.
dh) “Bagëtij dhe Bujqësija”, vjershë lirike, 1886, Bukuresht.
e) “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”, poemë shkruar greqisht me qëllim patriotik për shqiptarët që jetojnë në Greqi, Bukuresht ¬ 1886... etj.
Vlen të theksohet se gjithë veprat e Naimit kanë cilësi mësimore, didaktike, pedagogjike dhe kanë kryer një shërbim për nxënësit dhe për popullin që s’ka patur shkollim sistemor.
Naim frashëri që u meritua nga populli shqiptar si “Mësues i popullit” është një pedagog demokrat dhe intelektual përparimtar, laik, humanitar dhe atdhetar i shquar, Jo vetëm me botime, por edhe si nëpunës shteti, i ka shërbyer kauzës kombëtare shqiptare.
Siç po dihet, Naimi që kishte mbetur pa punë, duke u përkrahur nga vëllai i tij, Samiu, nga poeti përparimtar me origjinë shqiptare Na Kemali dhe nga Gazi Osman Pasha ¬ hero i Betejës Pilevne (Plovdiv), u emërua kryetar i Këshillit të lartë pranë Ministrisë së Arsimit, dhe kjo detyrë qysh nga viti 1882 vazhdoi derisa ndërroi jetën. Naimi në këtë periudhë kritike, duke ndjekur një taktikë dhe politikë fisnike që drejtonte punimet e botimeve dhe të censurës, luajti një rol të rëndësishëm për veprimtari kulturore, arsimore shqiptare. Mesa kuptohet, po të mos gjendej Naim frashëri në arsimin e shtetit osman, më vështirë do të lejoheshin librat, revistat dhe shkollat shqipe. Naimi është nga të parët që pajisi me libra mësimi edhe shkollën e parë shqipe, të përuruar më 7 maras 1887 në Korçë, dhe për shkollën e parë për vajza, hapur më 1892, po në atë qytet.
Shkurtimisht: Naim frashëri që e donte dhe e mallëngjente aq shumë atdheun dhe bashkatdhetarët e tij, gjysmën e jetës e kaloi në mërgim dhe u tret si qiriu i ndezur. Ja se si këndon:
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bëj dritë!
Do të tretem, do kullohem
Do digjem, do përvëlohem,
Që t’u ndrinj mirë të shihni
Njëri¬tjatrinë të njihni!
Për ju do të rri të tretem
Asnjë çikë të mos mbetem!
Të digjem të qaj me lot,
Se mallin s’e duroj dot!
Kur më shihni se jam tretur
Mos quani se kam vdekur!
Jam i gjallë, jam në jetë
Jam në dritë të vërtetë!