LIDHJET E NAIM FRASHËRIT ME KOLONINË SHQIPTARE TË SOFJES


Thoma KACORRI


Kolonia shqiptare e Sofjes, e cila themeloi më 1893 shoqërinë "Dëshira" ishte lidhur drejtpërdrejt me "Shoqërinë e Stambollit". Menjëherë pas themelimit të saj, më 1894, ajo dërgoi atje një nga anëtarët e saj më të shquar Spiro Garon për t'i njoftuar për themelimin e Shoqërisë, për programin e saj dhe për t'u lidhur drejtpërdrejt me ta e për të marrë udhëzime.
Spiro Garoja u kthye e entusiazmuar prej andej nga takimet që kishte bërë më Samiun, Naimin, Jani Vreton e të tjerë. Që andej ai solli edhe libra, gazeta e revista, të cilat edhe më tepër u ndezën shpirtrat të gjithëve anëtarëve të Shoqërisë.
Naim Frashëri ka patur lidhje të ngushta me Shoqërinë "Dëshira" dhe me shumë anëtarë të saj, ka patur dhe letërkëmbim personal. Ja se ç'shkruan Kostë Jani Trebicka në kujtimet e tij. "Kam patur letërkëmbim personal me udheheqësit e luftës kombëtare sidomos me Naim Frashërin në Stamboll, me shqiptarët e Bukureshtit, me Faik Konicën në Bruksel, ku ay botonte të përkohëshmen "Albania" në gjuhën shqipe etj. Kostë Jani Trebicka kishte qenë shumë herë kryetar i Shoqërisë "Dëshira", një nga botuesit e parë të Ditërrëfenjësit (Kalendarit) kombiar, bashkë me Kristo Luarasin, i cili u botua më 1897. Nga fjalët e së shoqes së tij, plakës Baba Donka, e cila ishte e gjallë aty nga vitet 1949-1950, një fletore me korrespondencën e kopjuar të xha Kostë Jani Trebickës, ia pat dhënë Dhimo Dhimës, një studenti shqiptar, i cili banonte te plaka. Ky student mbaroi drejtësi dhe për një farë kohe punoi si jurist në kryeministri, por fatkeqësisht vdiq i ri. Duke ditur këtë informacion kam pyetur të shoqen e tij Donika Dhima, e cila qe nënpunëse në Bibliotekën Kombëtare, përmbi këtë çështje, por ajo m'u përgjigj se nuk di gjë. Prandaj besoj se fletorja ekziston gjëkundi ose në Bibliotekën Kombëtare ose në Arkivin e Shtetit. Po të gjindet kjo fletore, do t'i hidhet edhe më tepër dritë Rilindjes sonë Kombëtare.
Stambolli qe në atë kohë si Meka e të gjithë shqiptarëve. Më 1898 vete atje dhe shkrimtari Josif Bageri, për t'u takuar posaçërisht me Naim Frashërin. Siç e dini Josif Bageri, ish nga Nistrova e Dibrës, i cili më 1909, botoi në Sofje gazetën "Shqypeja e Shqypnis" dhe më 1910 po aty përmbledhjen me vjersha "Kopësht Malësori". Takimin tronditës dhe të mallëngjyer që ai pati me Naim Frashërin na e përshkruan te "Shqypeja e Shqypnis" në Nr. 16 të vitit 1910.
Ja si na e kumton vetë Jofi Bageri:
"Në vitin 1898 më 12 të Vjeshtës par, patëm fatin e mir të ndeshemi me shpirt ndriturin e pa harruet kurri, Naim bejë Frashërin, cili at'kohë ishte shumë i sëmun, po na priti si fëmin e vet dhe u muerrm vesh fort shum mir tuj u marr vetëm për çështjen kombëtare d.m.th. kuvendi yn ishte vetëm për çështje kombëtare.
Mbasi si erdhi ora për me marr një lug bar (ilaç), cilën s'desht ta pinte, se ishtë shum i idhun, - po e piu dhe u drodh kur e pi - dhe tha "Ja, kështu o bir kungohemi përdit me idhërimet e me helmet, si për shëndetin ton, ashtu dhe për shpëtimin e vëllezërvet ton, shqyptarët, të cilët s'po mirren vesht ndërvedi prej fanatizmit, për shpëtimin e tyrej.
Shum na ka kënda, tha vjershëtori i degjuet Naim beu, të dalin shkronjës e të shkruen gjuhë shqype, shqyptar, cilët kuvëndojnë kështu si ti, o bir dhe na kthej kujdesën, tuj na ngarkue në detyrën të shkruejm e kurri të mos përtojm për të mirën e kombit shqyptar. Ne kemi shkrue sa kemi mund, tha shpirt ndrituni Naim bejë por kemi shkrue vetëm në atë dialekt, cili nuk asht i njohur gjithkund në Shqypni, përveç se në nahiet Korçës, përande lypen të dalën në fushë botojsvet shqyptar përme e pasurue gjuhën dhe me e shumue literarurën, cilën mjerisht e kemi fort pak. Librat që kemi shtypun numërohen me gishtat, e këta mundën me i lëçit një lëçits, për dy a tri dit, përveç ksaj gjithkush s'i pëlqen, si jan të shkrueta thash në një dialekt, cilën fort pak shqyptar e marrën vesht.
Si fundoj së folmi shpirti ndrituni Naim Bejë, Ju përgjigjem dhe i tham se librat që ka aftorue aji vet, jon ë mira, dhe këta libra na shqyptaruen dhenderuan kombin shqyptar, cili kurri s'ka me i harrue emrin edhe t'mirin e tij. Nxuerm librin "Lulet e Verës" prej xhepit dhe lëçitëm në faqen 43 vjershën "Gjuha jon", për të cilën na pyeti a e marrëm vesh mirë? Ju përgjigjëm se kuptojm çdomethën aftori i vjershës, por me kjon se ne kishim edhe një shok me ne, ky s'i kuptoj mir dhe pyeti për disa fjal cilat ja çkoqitëm. Atëherë u përgjigj shpirt ndrituni Naim bejë dhe tha këto fjal: "A shihni se kemi nevojë për shkronjës, prej cilëvet dalën në shesht fjal, cilat na duhen.Ja un tani mësova dy fjal prej jush, cilat do t'i shkruaj në fjalorin e im dhe dot'i përdori n'qofsha i gjall".
Naim bejë Frashëri nuk ishte egoist, as monopolist, por ishte burrë me vend dhe dëshironte me pa shkronjës, cilët t'i vinin në ndihmë se shum u kishte lodh tuj punue për kombin shqiptar, Naim beu i bindej se vërtetës dhe ipte dorën atij që e mundte, po shkronjësit e sotshëm as "pak s'dom me ma ja dit, kur u u tretgonin udhën e drejt, në të cilën të çojn kombin dhe t'a stërvitin në lëçitje tuj u shkruan drejt gjuhën e bukur".
Këto janë disa nga mendimet e Josif Bagerit nga takimi që ka patur me Naim Frashërin. Nga këto mendime mund të nxjerrim si përfundim se sa shpirtmadh dhe shpirtgjerë ka qenë Naim Frashëri dhe në fjalët e tij ndihet një humanizëm i thellë dhe një dashuri e madhe për gjuhën dhe për shkrimtarët e atëhershëm dhe të ardhshëm. Aty ndihet dhe një, gjë, kujdesi, për gjuhën, në do të thoshim tani pse gjuhën e përbashkët kombëtare, për gjuhën letrare të njësuar.
Në përfundim do t'ju japim dhe një poezi të Josif Bagerit që ai ka shkruar, ndofta kur ka marrë vesh për vdekjen e Naim Frashërit. Vjersha është botuar te "Shqypeja e Shqypnisë", në numrin 4, 1 korrik 1908.
Parë fëtyrës Naim Frashërit
Fëtyr, o fëtyr, hie gjeniu!
Ti s'kei mish, as kie gjak...
As që je mvesh në korp njeriu,
përme hap gojën e me m'fol pak.

Unë të kjemi ma, ah! Nuk gjallon;
Oh! Keq të ndrypi mordja e zezë!
Po Shqypënia kurri s'të harron.
Se me t'vërtet Ti e ki ndezë...

Kush mund me msheh shërbimin Tënd?
Librate vjersha, Ty predykojn:
Ton Shqypënia me kta u trond!...
Dhe Ty gjithnja kënk dot këndojn...

Ka me u hup, doba tradhtor;
Po emni yt, kurri s'harrohet;
Vjershat ç'ke shkru, ti, o vjershtor!
Dhe trathtori sot pendohet...

Në këtë kumtesë duam të përmendim dhe "Kalendarin Kombiar" që filloi të dalë në Sofje që nga viti 1987 dhe që e drejtonte Midhat Frashëri, që mbante dhe pseudonimin Lumo Skendo, një nga vepritmarët më të shquar të gjuhës shqipe. Në numrin e kalendarit të vitit 1901, që i kushtoj kryesisht Naim Frashërit, me rastin e vdekjes së tij një vit më parë, gjejmë analiza të ndryshme të trashëgimisë së tij letrare dhe iluministe. Po këtu hasim dhe një artikull shumë interesant që i ka dërguar kalendarit mësuesi i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Nuçi Naçi. Në këtë artikull, Nuçi Naçi jep përshtypjet e tij nga një udhëtim që ka bërë në Opar. Dimë që Nuçi Naçi është i pari që ka përshkruar Korçën dhe fshatrat që e rrethojnë në librin "Korça dhe fshatrat përqark". Në këtë artikull që do t'jua lexojmë shkurtimisht, del dhe vepritmaria patriotike e bektashizmit, puna për ruajtjen e gjuhës shqipe, puna mirëbërëse e tij, si dhe përpjekjet për ruajtjen e zakoneve shqiptare. Tek artikulli del dhe toleranca e madhe shqiptare që ka ekzistuar qysh ahere, aq sa një besimtar i një feje tjetër ndeshet shumë shumë rrallë që të lëvdojë fenë e kundërt. Por më mirë le të dëgjojmë se ç'thotë vetë Nuçi Naçi për ta dhe për Naimin.
Në Opar pashë një teqe fort të mirë, të madhe e të bukur, që quhet e Vrepckës; Babaj na priti me të madhe nder, me fjalë fort t'ëmbla; çudi e madhe m'u duk kur e pyeta në dijpak dituri, më tha se nuk di? Po ku e gjet gjith atë urtësi ky njeri? Është çudi që me të vërtetë që Bektashinjtë shqiptarë, janë më të lartë shumë nga ne të krishterëtë. U lutem shumë kllogjerëvet të marrin ca mësim nga këta njerëz, të cilët pa parë shkollë me sy bahen kaq të urtë, e të butë, e të dashur, sa dhe egërsirat xbuten në duart e tyre. nëpër malet e nepër pyjet, e nëpër stanet e Oparit pashë të vërtetë në vjershë të z. N.H.F. (Bagëti e Bujqësinë) të gjallë me sy, pa shkronja, po më sy duke parë e këndonja sikundër është shkruar nga ay Frymë larti Vjershëtor i Shqipërisë. U thashë cave Bagëti e Bujqësinë, dhe tepër barinjtë (çobenjtë) kur e dëgjonin habiteshin për ç'u thosha edhe shumë nga ata muarë zell të madh të mësojnë gjuhën shqipe. Opari qenka një lule e vërtetë e po fishkur pak nga dimëri q'e ka mbuluarë. Mesonjës i shkollës shqipe në Korçë - Nuçi Naçi.
- - - - - -

Related Posts: