Home »
» KONTEKSTI I NAIMOLOGJISË
KONTEKSTI I NAIMOLOGJISË
Ahmet SELMANI
Sa më shumë që kalon koha, disa shëmbëlltyra të mëdha që i përkasin letërsisë dhe kulturës, bëhen aq më të pranishme në jetën e një kombi, ngaqë ndikimin i tyre rritet gjithnjë e më tepër, qoftë duke rrezatuar me idetë e nduarnduarshme, qoftë duke trazuar ndërdijen në situata të veçanta. Pa dyshim kjo do të thotë se ato në secilën kohë luajnë një rol të pazëvendësueshëm, frymëzojnë brezni të shumta për të ecur më tej me një vetëdije të lakmueshme, për të menduar dhe gjykuar lidhur me çështjet thelbësore, për t’i përcaktuar drejt ato në kontekstin kohor dhe hapësinor, për t’i përkufizuar sipas bindjes dhe arsyes së shëndoshë etj. Në këtë aspekt, sidomos po të merren parasysh kthesat e mëdha shoqërore dhe historike, atëherë kur shumë gjëra përmbysen në mënyrë të përdhunshme ose të natyrshme, është shumë e qartë se edhe riaktivizimi i tyre ose rikërkimi i tyre është edhe më i madh, mbase për shkak të sigurisë së ngulitur, jetëgjatësisë së ideve, udhërrëfimit të drejtë, tejpamësisë së plotë. Duke mos gjetur asnjë zhgënjim, por largpamësi të vërtetë, veprat e tyre vazhdojnë t’i hapin shtigjet e mëvetësimit individual të njeriut, për të besuar në të drejtën e tij jetësore e ekzistenciale si një parakusht themelor, që pastaj të ngjitet edhe nëpër shkallët e tjera të ndërtimit të subjektivitetit të tij individual e kolektiv. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se emrat e mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës shfaqen e rishfaqen me një dinamikë të çuditshme, jo vetëm kur njëmendësia është e ashpër dhe kur të ballafaqon gati si me trysni, por edhe atëherë kur mbretëron një qetësi relative në rrafshin shoqëror e politik, si dhe kur raktivizohen rastësisht.
Prandaj, figurat e këtilla sado që i nënshtrohen një trajtimi e studimi të vazhdueshëm, gjithnjë duke u folur e shkruar për to, njëherësh bëhen gjithnjë e më të pashtershme, sepse shqyrtohen në një rrafsh jashtëzakonisht të gjerë e shumëpërmasor, ku kapen të gjitha veçoritë dhe tiparet ndërtimore, tematike, artistike, kulturore, gjuhësore, filozofike, edukative, iluministe etj., domethënë edhe në rrafshin horizontal, edhe në atë vertikal, me tërë ndërlikueshmërinë e tyre. Kjo është një përpjekje e pafund, madje edhe shumë tërheqëse për studiuesit e ndryshëm, të cilët janë nxitur nga të tjerët për të hyrë aty, ose nga interesimi vetjak për t’i ripërkufizuar estetikisht fenomenet që i ndeshin, duke u futur kështu thellë e më thellë, përmes metodologjive të ndryshme bashkëkohore. Madje, pikërisht në këtë drejtim, ata pothuajse edhe specializohen me studimin e gjithanshëm të ndonjërës nga shëmbëlltyrat e tilla, thjesht duke e bërë atë si ekskluzivitet shkencor, si orientim i vetëm gjatë karrierës hulumtuese e shkencore. Sigurisht që rastet e këtilla nuk janë të panjohura, për arsye se deri tani janë botuar mijëra e mijëra studime të ndryshme lidhur me figurat e veçanta kulturore e letrare, të cilat vazhdojnë ta ndërlidhen me hallka të tjera zinxhirore në fushën e studimeve.
Në qoftë se këtu për një çast e kujtojmë figurën e madhe të Homerit që i përket letërsisë antike, me siguri do të na bien ndër mend ato mijëra studime që janë bërë për të, si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Dhe, është shumë e qartë se nëpër periudha të ndryshme kohore interesimi për të është rritur tej mundësive të pritshme. Prandaj, edhe përkundër atyre studimeve të shumta, sot prapëseprapë asnjëri nga ata që janë marrë me këtë nuk mëton se e ka shteruar veprën e tij, por vetëm që ka hedhur pak dritë në gjithnajën e gjerë dhe të thellë të çështjes homerike.
Nisur nga kjo, në bazë të traditës studimore që është krijuar deri më sot për veprën e këtij gjeniu të letërsisë së lashtë, është krijuar një shkencë e tërë, e cila tanimë është quajtur homerologji. Dhe rrjedhimisht sot mund të thuhet se çdo popull i qytetëruar, që ka krijuar një standard shkencor e kulturor, i ka edhe homerologët e vet, të cilët e kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim, qoftë përmes studimeve historike, letrare, sociologjike, gjuhësore, mitologjike, krahasimtare, qoftë edhe përkthimeve të veprës së tij në gjuhë të ndryshme të botës. Studiuesit që janë marrë me këtë çështje, siç janë: G. M. Bolling, C. R. Gordon, G. S. Kirg, A. B. Lord, J. V. Luce, J. L. Myers, M. P. Nilson, D. L. Page, L. G. Pocock, Ch. Vellay, T. B. L. VVebster, C. H. Vvhitman, R. S. Price etj., sot zënë një vend të rëndësishëm në panteonin e studimeve homerologjike botërore. Natyrisht, këtu nuk mund t'i harrojmë as homerologët shqiptarë të cilët po ashtu dhanë një ndihmesë të rëndësishme, duke filluar që nga Naim Frashëri i cili i pari nisi ta përkthente një pjesë të "Iliadës", si dhe duke shkruar rreth saj, e deri te Engjëll Mashi, Gjon Skiroi, Spiro Çomora, Gjon Shllaku, Engjëll Sedaj, Zef Krispi, Aristidh Kola, Spiro N. Konda, Muzafer Korkuti, Andrea Varfi, Xhavit Aliçkaj etj.
Një rast tjetër, që po ashtu mori përmasa të gjera në botë, pa dyshim është edhe ai që lidhet me figurën e madhe të U. Shekspirit. Edhe për këtë janë shkruar mijëra e mijëra studime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato të përgjithshmet ku flitet për jetën dhe veprën e tij, e deri te ato të veçantat ku flitet për ndonjë aspekt që ka të bëjë me të. Sipas disa të dhënave, vetëm për kryepersonazhin e tij, Hamletin, janë bërë 25 mijë studime të ndryshme. Në mesin e tyre ndodhen edhe mjaft emra të njohur siç janë. K. L. Barber, J. V. Gëte, A. V. Shlegel, A. C. Bradli, S. T. Kolrixh, F. Niçe, L. N. Tolstoj, B. Shou, Volter etj. Prandaj është krejt afër mendsh që kjo traditë studimore që lidhet me shëmbëlltyrën e U. Shekspirit të quhet shekspirologji, ku janë radhitur qindra e mijëra emra studiuesish nga mbarë bota, gjithsesi edhe nga shqiptarët, siç janë: Faik Konica, Fan Noli, Skënder Luarasi, Alfred Uçi etj.
Kur i marrim parasysh këto gjëra, gjithsesi na shkon mendja edhe te figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë shqiptare, të cilat po ashtu zënë një vend të theksuar në jetën e përgjithshme kombëtare, sepse kurdoherë kanë luajtur rol mbizotërues në vijën e ndikimit shpirtëror, në ringjalljen e vlerave të larmishme, lartësimin e idealeve etj. Pavarësisht nga rrethanat dhe kushtet historike shumë të pavolitshme, figurat e tilla nuk kanë munguar asnjëherë, por janë shfaqur me tërë energjinë e madhe të tyre, duke shkruar deri në vetëflijim shpirtëror dhe fizik njëkohësisht. Bie fjala, emrat e njohur, siç janë: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica etj., kurdoherë e kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të historianëve të ndryshëm, kuptohet duke ndriçuar aspekte të shumta nga veprat e tyre, kuptohet si një botë e ndërlikuar dhe e ngjeshur, e cila ngërthen çështje të mëdha që kanë të bëjnë me qenien njerëzore.
Këndej, në qoftë se e veçojmë Naim Frashërin, pa dyshim duhet thënë se ka qenë preokupim i përhershëm i një numri të madh studiuesish, të cilët kanë prekur çështje të larmishme që kanë të bëjnë me jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e tij në përgjithësi. Si i tillë, N. Frashëri sot është bërë një simbol i veçantë kombëtar, që vazhdon të jetojë në kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, në vetëdijen e shumë breznive të lexuesve, studiuesve, kritikëve, jetëshkruesve, historianëve, estetëve etj. Edhe një qind vjet pas vdekjes së tij, ai jeton shpirtërisht, ashtu siç thoshte edhe vetë: "Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur". Madje, tani ndikimin e tij shpirtëror e bën më mirë sesa kur ishte i gjallë fizikisht.
Pra, për sa i përket emrit të tij, këndej duhet theksuar faktin se sa më shumë që ecën koha, ai aq më i pashtershëm bëhet; përtërihet në kohë dhe hapësirë, rrezaton me idetë e tij, me fuqinë e madhe artistike, kthjellon bindjen dhe arsyen e shqiptarëve, ushqen ndërgjegjen e tyre. Kështu vepra e tij të lë përshtypjen sikur ringjallet me tërë magjinë e vet të veçantë, e cila është e kapshme për të gjithë shqiptarët, sepse është e urtë dhe e butë, e qartë dhe e fuqishme, shpresëdhënse dhe e paluhatshme.
Studimet e gjertanishme që janë bërë për jetën dhe veprën e tij tashmë dëshmojnë qartë se është krijuar një traditë e lakmueshme, aq më tepër kur të merret parasysh edhe fakti se krahas shumë emrave të studiuesve shqiptarë siç janë: Mali Kokojka, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, Sali Bashota etj., aty ndodhen edhe mjaft emra të studiuesve të huaj, siç janë: Norbert Jokli, Nexhip Alpan, Agnia Desnickaja, Robert Elsie etj.
Gjykuar sipas kësaj, këndej mund të marrim guximin e të themi se në këtë mënyrë në kulturën dhe letërsinë shqiptare është krijuar një traditë e veçantë e studimeve për N. Frashërin. Ndaj pak nga pak në këtë mënyrë po hidhet guri themeltar i naimologjisë, ngjashmërisht si me popujt e tjerë, të cilët kanë krijuar tradita të veçanta studimore lidhur me shëmbëlltyrat e mëdha të tyre. Rrjedhimisht, të gjithë ata studiues të jetës dhe të veprës së N. Frashërit, mbase këndej do të kemi të drejtë t'i quajmë naimologë ngaqë, në fund të fundit, disa janë marrë me të në mënyrë të veçantë, kryekëput duke ia kushtuar tërë jetën atij, si një temë a objekt i vazhdueshëm i trajtimit dhe shqyrtimit shkencor.
Në këtë rast qëllimi im nuk është të përuroj një shkencë të re, sepse do të ishte një naivitet i madh dhe një veprim qesharak, kur dihet se ato nuk lindin me akte pagëzuese a emërtuese, siç mund t'i duket ndokujt, por në bazë të traditës që krijohet lidhur me një çështje të caktuar, megjithatë dëshiroj të ritheksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka figura e Naim Frashërit për letërsinë dhe kulturën shqiptare, ngase tanimë është shndërruar në një simbol të gjithëkohshëm, madje ka arritur të bëhet figura qendrore në rrafshin e preokupimit të studiuesve. Vetë fakti se për të edhe pas njëqind vjetësh flitet e shkruhet në mënyrë të pandërprerë, madje me intensitet edhe më të madh se kurdoherë tjetër, flet qartë se ai është një galeri e pashtershme, në të cilën do të futen edhe shumë emra të tjerë studiuesish të sotëm dhe të ardhshëm.
Disa aspekte që lidhen me veprën e Naim Frashërit, siç janë krijimtaria poetike e tij, veprimtaria pedagogjike, botëkuptimi panteist, filozofik, fetar, kombëtar, ndihmesa në fushën e gjuhës, në fushën e përkthimit, lidhjet ndërkulturore, përmasat humaniste, iluministe, ndikimi i krijimtarisë gojore etj., janë vetëm disa shtylla kyç për të cilat vazhdimisht sillen studiuesit e ndryshëm. Dhe sado që rreth tyre janë shkruar dhjetëra e qindra studime, përsëri nuk janë ndriçuar në tërësi. Pra vepra e Naim Frashërit vazhdon të trajtohet e ritrajtohet edhe më tej, kuptohet nga emrat e studiuesve të rinj, të cilët përdorin edhe metodologji të reja shkencore, duke e kundruar shëmbëlltyrën e N. Frashërit edhe si një fenomen bashkëkohor, që bashkëjeton me kohën dhe njeriun e sotëm. Kështu kjo figurë e kulturës shqiptare gjithnjë e më tepër madhërohet, bëhet gjithëkohore dhe gjithëjetësore.
Në çdo përvjetor që lidhet me Naim Frashërit çështjet e këtilla aq më tepër hapen, madje në mënyrë institucionale dhe të organizuar, për t'u shqyrtuar apo rishqyrtuar, jo për shkaqe formaliste, por për shkaqe shkencore. Dhe, kështu ndihmesat e këtilla krijojnë një traditë edhe më të qëndrueshme, e cila gjithsesi na shpie drejt konceptimit dhe konsolidimit të studimeve naimiane. Thënë thjesht, tani besoj se ka ardhur koha që të gjitha këto t'i shohim në kontestin e naimologjisë, ngaqë vërtet paraqesin një ekskluzivitet të rëndësishëm në letërsinë shqiptare në përgjithësi. Në qoftë se jo diçka më tepër, atëherë të paktën këtë çështje duhet parë si një kontekst të naimologjisë.





