1 Or (ë) për të thënë gjërat s’shkojnë që prej vitesh


Emisioni më i ri në Radio NRG, të mërkurave dhe të enjteve, i dy vajzave me emrin Ori, flet për ato që nuk përtypen nga realiteti ynë, historitë absurde të së përditshmes urbane. Por me elegancë dhe tinguj jazz
Ngado të shkosh, do përplasesh me diçka apo dikë, që do ta kthejë kokëposhtë humorin me të cilin keni dalë nga shtëpia. Dhe nuk ke shumë mundësi për t’i shmangur këto situata, që duket sikur të kërkojnë: në rrugë, në supermarket, në bankë e madje dhe në kinema, teatër apo opera. Hapësira që ngelet për të shfryrë gjithë stresin e grumbulluar, është një tavolinë e vogël me miqtë, apo një bisedë përgjumësh nëpër shtëpi. “Po pse mos të bëjmë një emision në radio, për t’i thënë të gjitha këto?” Kjo ishte ideja-pyetje-përgjigje që i lindi Ori Kuçi-t dhe duke qenë në tavolinë me mikeshën e saj gazetare Orin tjetër dhe Julkën e Radio NRG, mjaftoi një çast për ta shndërruar atë në entuziazëm-këmbëngulje-fakt të kryer.
Vajza e njohur në qarqet e jetës së ëmbël të Tiranës, Ori e “Jardin de Paris” apo e “La vie en rose”, më në fund e kish gjetur temën e emisionit, për të cilin e kish pasur gjithmonë derën e hapur në NRG Radio, një familje e dytë e saj për shkak të miqësive të vjetra. Kish dhe një bashkëpunëtore entuziaste, siç është Ori i vogël. Duheshin përcaktuar vetëm detaje si orari, shpeshtia, muzika, ritmi, tematikat, por dhe ato nuk iu morën shumë kohë. Ori Kuçi, ose Ori i madh, do vendoste shpejt e shpejt gjithçka: muzikën, kryesisht jazz dhe bluz, “muzikë të mirë” thënë ndryshe, kohën, dy herë në javë për të mos u konsumuar dhe nga ora 5 deri 6 pasdite, kur njerëzit janë në makinë duke u kthyer nga puna, ritmin: do e merrnin pak shtruar, për t’iu përgjigjur humorit “pas pune”, por pa vënë kënd në gjumë.
Do thoshin ato çfarë me shumë gjasa dëgjuesin e kishte mërzitur atë ditë, ose një ditë tjetër më parë, ç’rëndësi ka! Me siguri ama, askujt nuk i duket se ato flasin për hënën e yjet, sepse temat janë të frymëzuara nga e përditshmja jonë e përbashkët. Ndërsa iu deshën vetëm një orë për të ndërtuar një listë të gjatë temash që do të trajtonin (“Ka aq shumë ndodhi kudo që të vesh, sa vështirë të ngelesh pa tema”), nga ajo biseda e parë, deri në fillimin e emisionit në 10 korrik, kaloi më se një muaj. Arsyeja e vonesës?? Fotoja e posterit të emisionit. Sepse sot jetojmë në epokën e imazhit dhe medias sociale dhe as një emision në radio nuk mund të mos e ketë një poster. Por pasi mbaroi dhe kjo punë, erdhi koha për të dalë “on air”. Emisioni i parë frymëzuar nga një episod në Opera, ku si në gjithë rastet e tjerë, është dikush që do ta shijojë dhe dikush tjetër që nuk të lë ta bësh këtë.
Mos këpusni lulet në kopsht (jo thjesht në atë të Parisit)
Ori, e madhja, ishte nisur në TOB, për të ndjekur një opera ku interpretonte miku i saj i vjetër Gëzim Myshketa. Ishte e emocionuar që një natë më parë siç do ishte çdo ish-nxënëse liceu e tek afrohej zhytur në solemnitetin që hija e Operas krijon, të paktën ajo që kish në mendje që nga koha e universitetit në Firence (ka studiuar Shkenca Politike dhe Gazetari Komunikim) nuk e dinte që do dilte që aty më shumë e nervozuar se e kënaqur. Dhe kjo jo për cilësinë e veprës apo interpretimit, por për mungesën e saj në gjithçka tjetër, kulmuar me një zile telefoni, pas së cilës erdhi dhe përgjigja e spektatores. “Unë nuk kam asgjë me ty e dashur që nuk të pëlqen Opera, kam vetëm një lutje: nëse nuk të pëlqen, mos shko.” E thotë me zë të qetë, me atë zë që u përgjigjet edhe njerëzve në situatat e jetës reale dhe pse nga brenda sensi i saj për rregullat, për atë që duhet të ishte mësuar “që në klasë të dytë” është duke ulëritur.
Ajo, dhe pse e kthyer nga Italia pas shtatë vitesh (përveç studimeve ka punuar si kryeredaktore e revistës në shqip dhe italisht “Ora”, si dhe në Bashkinë e Firences), që ia bën më të dallueshme gjërat që nuk shkojnë në Tiranë, nuk është nga ata që thonë“nuk rrihet në Shqipëri”, apo që “Shqipëria nuk bëhet”. Ori Kuçi ka një tezë tjetër, më pak të skajshme, të thjeshtë sa më s’ka: “Thjesht duhet të kuptojmë sensin e të jetuarit në komunitet. Të mos harrojmë ato fjalët magjike që i kemi mësuar në fillore: Më fal e Të lutem. Nëse dikush nuk është rehat me pozicionin e tij të punës, me rregullat e radhës në bankë, me qetësinë dhe seriozitetin dhe Opera, të mos vazhdojë të shkojë nëpër këto vende dhe të lërë të tjerët të jetojnë siç duhet”. KAQ! Ah sikur historia të niste e të mbaronte me kaq!
Mirëpo gjithsesi, historia nga diku duhet t’ia nisë. Dhe Ori ka vendosur t’ia nisë me një emision në radio. Ku askush nuk sulmohet, thjesht kujtohen dhe njëherë rregullat e qytetarisë, nga ato elementaret fare. Shumë fyese? Jo, sepse shumë nuk i respektojnë. “Gjithashtu ne duhet të kuptojmë që të gjithë jemi në shërbim të njëri-tjetrit. Unë kur hyj në bankë dua që sportelistja të më flasë me mirësjellje, pavarësisht që në mëngjes mund të jetë grindur me bashkëshortin. Ashtu si unë kur hyjnë klientët e mi në “Jardin de Paris”, kushdo qofshin, gjithmonë u jap respektin maksimal.” Dhe në të vërtetë, që brenda “Jardin de Paris” do gjesh një klimë ndryshe e kupton që nga vitrina. Është një oaz brenda të cilit çdo detaj respekton rregullin e atmosferës së përgjithshme, pak a shumë siç bën Ori me jetën e saj.
Brenda dhe jashtë sferës së xhamit
Për një çast të duket sikur mjafton të kalosh derën e qelqtë të mjediseve që ajo ka krijuar në Tiranë që  jeta të bëhet rozë. Ose që të gjendesh në mes të një kopshti Parisi edhe pse përkthyer në emra tregtarë, nga bizneset e saj tani është vetëm “Jardin de Paris” (Luxury Boutique dhe Luxury Parfumerie).  Brenda atyre mureve ka ndërtuar gjithçka sipas shijes së saj: atmosferë mondane, plot çikërrima femërore, një sallon luksi me detaje vintage, ku cilësia, klasi, ashtu si muzika e mirë, ndihen në ajër…Ajo aty është si në shtëpi edhe për faktin që kalon pjesën më të madhe të kohës që kur hyn pasi ka çuar binjakët e saj në kopsht e deri në mbrëmje kur fik dritat një e nga një.
Mirëpo Ori nuk jeton vetëm aty. Si kushdo tjetër, asaj i duhet të ecë nëpër rrugë, të ulet nëpër bare e restorante, të bëj pazar në supermarket, të shkoj në bankë, në teatër e në Opera… Aty ku si gjithë të tjerët e ndjen t’i përplaset në fytyrë ajo që nuk shkon. “Prindërit investojnë që fëmijët e tyre të rriten, të shkollohen, që të kenë një vend pune të mirë, të jetojnë mirë dhe nuk mundesh ta bësh këtë. Pse? Sepse dikush, i pamësuar me rregullat e jetës së komunitetit, nuk të lë”. Kjo është logjika-refren që e ka çuar te ky emision, i cili sapo ka nisur dhe pritet të vazhdojë gjatë për dy arsye të thjeshta: autoret e kanë me shumë qejf “mezi presim sa të vijë ora e transmetimit” dhe temat duket sikur nuk do mbarojnë kurrë. Dhe pse shpresa është që diçka të lëvizë për mirë. Fundja dhe objektivat nuk janë të larta: si fillim mjaftojnë ato fjalët magjike.
 Zbërthimi i formulës së emisionit 2OR=1 Or
Janë dy vajza me emrin Ori: e madhja dhe e vogla, Ori që ka jetuar jashtë dhe është kthyer dhe Ori që ka jetuar gjithë kohës në Shqipëri, Ori e qetë dhe Ori çapkëne, që në fund të ditës dhe emisionit janë vetëm një person që thotë me zë të lartë atë që i shqetëson nga jeta e përditshme. Në një emision që zgjat 1 orë./ mapo