Të shkruash për ‘Panorama’-n italiane. Të mendosh në një gjuhë tjetër e madje dhe botën ta shohësh pak ndryshe. Kjo i ka ndodhur Eni Vasilit. E cila po bëhet gati për një konkurs doktorature në Milano, që ia ka lënë planet për rikthim në një vijë të dytë dhe mundësinë për të tentuar median italiane, të hapur
Nëse do pyesnim rreth e rrotull ku është Eni Vasili, përgjigjja mund të ishte: është parë herën e fundit te ‘AS’. Dhe pse në fakt, artikuj aty-këtu e kanë bërë të njohur faktin që është në Milano, që po ndjek një master atje dhe së fundmi, që po shkruan për ‘Panorama’-n italiane. Mirëpo në Shqipëri nuk e kemi parë. Çfarë planesh ka gazetarja televizive? A parashikon një rikthim në ekranet shqiptare? Apo ka vendosur të vazhdojë rrugën e nisur në median italiane? Për të gjitha këto e veçanërisht për përvojën në revistën e shtëpisë më të madhe botuese të Italisë “Mondadori”, kemi zhvilluar një intervistë. Gjatë së cilës Eni tregon aventurën në Milano, qytetin që të kujton më shumë se gjithë të tjerët e vendit fqinj “tokën e premtuar” , ku ligjet i vendos konkurrenca, ritmi i shfrenuar i aktivitetit dhe sfida për t’ia dalë që ndihet në çdo hap. Me gjithë vështirësitë e fillimit, Eni duket se ka arritur të shkrihet në sfondin e qytetit, të fitojë vetëbesim dhe më shumë, e të ndjejë ngrohtësinë që grija e tij di të emetojë: si në rastet kur mëngjesin e së enjtes, ulur në një nga pastiçeritë mitike të qytetit, pi kapuçinon dhe merr në duar ‘Panorama’-n, ku një nga shkrimet mban emrin e saj.
Si filloi bashkëpunimi me ‘Panorama’-n italiane? Bëhet fjalë për disa artikuj, apo keni vendosur kushtet e një bashkëpunimi afatgjatë?
Bashkëpunimi im me ‘Panorama’-n daton shumë herët, rreth viteve ‘98-‘99. Në atë kohë kam bashkëpunuar me revistën si korrespondente nga Tirana për ngjarjet e atyre viteve, ngjarjet e 14 shtatorit, lufta e Kosovës etj. Pas kësaj periudhe impenjimet e mia mediatike ishin të tilla që nuk më lejuan të vazhdoj më këtë marrëdhënie.
Studimet për Menaxhim të Komunikimit në Milano më krijuan mundësinë të rikthehem në Mondadori, në ndërtesën e famshme të shumë harqeve ku merr frymë një nga institucionet mediatike më të rëndësishme të Italisë, për të realizuar kërkime për temën time të masterit e cila u fokusua në komunikimin politiko-mediatik mes Shqipërisë dhe Italisë në 20 vitet e fundit. Bashkëpunimi ka nisur kështu, me një propozim të shefes së sektorit ndërkombëtar për të qenë pjesë e network-ut të tyre.
Dhe çfarë zbuluat për komunikimin politiko-mediatik mes dy vendeve tona?
Gjatë punës kërkimore në arkivat e revistës (variantin e botuar, jo online) rezultoi se viti 2005 datonte si i fundit kur ‘Panorama’ kish përmendur Shqipërinë. Ky fakt më bëri të mendoj që një vend i vogël si i yni humb shumë nga moskomunikimi. Italianët kanë për ne një gjykim të stereotipizuar që u takon shumë viteve më parë dhe nuk përkon aspak me realitetin.
Sot, biznesi italian është në kërkim të hapësirave të reja të investimit si në Azi, Brazil apo vende të tjera në zhvillim, ku krahu i punës kushton më pak apo ka lehtësira të tjera. Shqipëria që është vetëm një orë larg në vijë ajrore, që ka një popull me afinitet të veçante me ta dhe që flet në shumicë gjuhën, nuk njihet asfare prej tyre.
U mundova ta ndaj me kolegët e ‘Panorama’-s këtë shqetësim dhe bindjen se nga mosnjohja reciproke humbim të dyja palët. Vendosëm të ngremë kështu një bashkëpunim të qëndrueshëm me premtimin se Shqipëria do të gjejë hapësirë në faqet e kësaj reviste.
Jo gjithmonë është e lehtë t’i bind, pasi për ta tashmë konsiderohemi një realitet i largët.
Nuk ekziston më ajo marrëdhënia e privilegjuar e post ’90-ës, çka deri diku ka të bëjë me dialektikën e zhvillimit tonë dhe është e kuptueshme, por nuk justifikon thuajse një humbje të interesit reciprok.
Çfarë doni të arrini me këtë këmbëngulje?
Qëllimi im është të tregoj për Shqipërinë ndryshe, për Shqipërinë që vlen, Shqipërinë që punon, Shqipërinë e biznesmenëve të ndershëm, punëtorëve të apasionuar, intelektualëve të mençur, grave të zonja. Dua të jem një lloj diplomate e komunikimit për sa kohë llojet e tjera të diplomacisë, si ajo ekonomike e trumbetuar kohë më parë kanë dështuar. Sigurisht i imi është vetëm një kontribut modest. Duhen shumë të tillë.
Kam ndarë të njëjtën temë diskutimi edhe me ambasadorin italian në Tiranë, Gaiani, i cili dha gjithashtu një ndihmë të rëndësishme për finalizimin e tezës sime të masterit. Ishim të një mendjeje se Shqipëria nuk bën asgjë nga pikëpamja e komunikimit të territorit. Përfaqësitë tona diplomatike nuk bëjnë asnjë lloj PR apo lobimi mediatik dhe vetëm disa spote sezonale në CNN nuk mjaftojnë për të icentivuar interesin për vendin.
S’do shumë për ta kuptuar që masteri ju ka lënë shumë gjurmë. Tashmë e keni përfunduar këtë cikël studimesh, apo jo? Çfarë ju mban në Itali?
I kam përfunduar dhe me shumë sukses. Nuk e dija që do t’i rikthehesha zellshmërisht studimit dhe që notat e mira do ma përkëdhelnin sedrën si në bankat e gjimnazit. Rezultatet maksimale më dhanë një bonus për konkursin e doktoraturës që mbahet në tetor. Ndodhem ende në Milano, ku po përgatitem për garën e kandidatëve për doktorantë në disa kurse të specializuara që ofron universiteti për këtë qëllim.
Që do të thotë se nuk do pushoni dhe nuk do vini në Shqipëri?
Gjysma e dytë e gushtit do të më gjejë në Shqipëri për të shijuar bukenvilet e Sarandës. Kam ftuar edhe kolegë të ‘Panorama’-s për t’u treguar mrekullitë e Jonit, të fshehtat e Butrintit, kalatë e Jugut, Krujën, Beratin e Shkodrën.
Doktoratura është një cikël studimesh që të lejon të lëvizësh nga një vend në tjetrin. Ke plane për t’iu kthyer Tiranës dhe televizionit këtu? Nëse po, do prezantohesh me një projekt tëndin, qoftë të ri, apo qoftë vazhdim i “Studios së hapur”, apo po pret propozimet nga Shqipëria? Ndonjë ofertë në ajër?
Përfundimi i ciklit të plotë të studimeve të mia është një prioritet tashmë. Jam në tratativa me një televizion në këtë moment mbi një produkt, i cili të lejojë një menaxhim të së ardhmes së afërt midis Tiranës dhe Milanos. Por ende nuk kam marrë vendime përfundimtare mbi këtë çështje.
Po ndërkohë, shkrimet në mediat italiane ç’duan të thonë: një proces që po nis, një tentim për të qenë pjesë e saj, ndoshta duke synuar më pas televizionin?
Nuk është një qëllim në vetvete. Jeta ka rrjedhën e saj dhe unë nuk bëj asgjë për ta modifikuar, por më pëlqen të surprizohem çdo herë që ndodh diçka e re.
U kthehemi shkrimeve tuaja në revistën italiane. Si është të shkruash një artikull në gjuhë të huaj? Kur e kuptuat që ishit gati për këtë?
Është sfiduese të shkruash me vetëdijen se çdo sfumaturë që ti i jep frazës, çdo ngjyrë që i mvesh intonacionit mund të vijë nga identiteti yt dhe gjuha mëmë dhe jo nga njohja sado e thellë e gjuhës, historisë, letërsisë, mënyrës së të menduarit e jetuarit të popullit të cilit po i përdor gjuhën.
Nuk mund të them se jam ndjerë gati ndonjëherë. Ndjehem njëlloj e pasigurt përballë çdo faqeje word-i kur nis të shkruaj. Por pastaj gjithçka rrjedh natyrshëm. Kur më konfirmuan se artikulli im i parë ishte miratuar dhe do të botohej, ka qenë një kënaqësi e veçantë. Të firmosësh shkrimet përkrah emrave të rëndësishëm të gazetarisë që ndodhen aty, mbetet një privilegj. Rituali i të enjteve në mëngjes ku kënaqësisë së kapuçinos dhe leximit të gazetave në pastiçerinë e famshme ‘Cova’ i shtohet shkrimi i botuar në ‘Panorama’ është një nga momentet më të mira të jetës në Milano.
Sigurisht fillimi ka qenë shumë i vështirë, pasi përveç aftësive gramatikore vihen në provë dhe mjaft aftësi të tjera si stili, zotësia për të qenë konciz dhe mbi të gjitha përshtatja me kontekstin për të cilin po shkruan.
Revista ka një profil të vetin, ka një staturë të caktuar të gjuhës së shkruar, i drejtohet një blerësi të mirëtargetuar dhe ka një nivel të lartë të publicistikës. Punoj gjithashtu edhe për versionin online të revistës, pasi janë dy entitete të veçanta, Jo çdo gjë që botohet në variantin letër të revistës e gjen online, dhe anasjelltas. Publikimet e variantit online kanë krejtësisht kërkesa të tjera, duke filluar që nga moslimitimi i rreshtave që në versionin e botuar janë taksative e deri tek standarde të ndryshme të stilistikës. Avantazhi im është se unë mendoj në italisht kur shkruaj. Do ta kisha të pamundur të përktheja shkrimet e mia.
Po nga ana e stilit të të shkruarit, kanë ndikuar shkolla dhe modeli italian? Është një ndikim që ka ndodhur natyrshëm apo një përshtatje e vullnetshme nga ana juaj?
Janë të dyja bashkë. Televizioni italian ka qenë e para dritare nga ku perceptonim idenë e Perëndimit përgjatë dhe pas diktaturës e për pasojë kjo pati një ndikim shumë të fortë në formimin e shumë prej nesh. Gazetarët e brezit tim fillimisht u ndikuan shumë nga stili italian i të bërit gazetari që është krejt tjetër nga ai anglo-sakson. Nuk mund të jetë ndryshe, pasi të tillë janë vetë njerëzit, temperamenti i tyre, karakteri, botëkuptimi, sistemi i vlerave.
Janë dy gjëra të ndryshme, me të mirat e të këqijat respektive.
Unë kam pasur fatin të jem pranë të dyja këtyre shkollave, në trajnimet e BBC dhe ato të RAI-t e Mediaset-it. Masteri më pajisi me instrumente të tjera të lëmit të gazetarisë dhe komunikimit në përgjithësi duke hapur për mua horizonte të pahulumtuara më parë. Por kjo sigurisht nuk mjafton. Më është dashur përpara se të ulem e të shkruaj, të studioj mirë revistën, stilin e saj, preferencat e gazetarëve, ekzigjencat e publikut, mënyrën e raportimit, të komentit të gërshetimit të së tashmes me të shkuarën dhe të ardhmen për të kuptuar peshat specifike që kanë kohët për kolegët e mi. Kam ndalur të bisedoj me gazetarët me përvojë të ‘Panorama’-s, reporteret e terrenit, të dërguarit e luftës, redaktorët e faqeve të modës. Sigurisht eksperienca e tyre është një pasurim pa çmim që marr si dhuratë e faktit që jam pjesë e kësaj bote.
Parë nga brenda, cilat janë ndryshimet dhe ngjashmëritë mes medias në Shqipëri dhe asaj italiane? Thuhet rëndom që jemi të ndikuar nga gazetaria italiane…
Ka një lloj tjetër përgjegjësie dhe profesionalizmi në median italiane që vjen nga tradita. Gazetaria jonë është shumë e re në moshë, sidomos raportimi bazohet mbi punën e të rinjve pa shumë përvojë dhe studentëve. Dëshira e këtyre të fundit për t’u integruar është shumë e fortë dhe i bën të brishtë ndaj presioneve, të cilat ekzistojnë kudo, por në vende me shoqëri të pareformuara dhe demokraci me probleme si Shqipëria janë edhe më agresive dhe cenojnë misionin e profesionit të gazetarit. Bota e medias italiane ka caqe shumë të forta të etikës njerëzore dhe profesionale përtej të cilave nuk shkelet pasi dënohesh me ligj. Sigurisht ka edhe arbitraritet apo anë të papëlqyeshme, të cilat ne dimë t’i kopjojmë përpara anëve pozitive siç janë p.sh marrëdhëniet e dyshimta mes politikës dhe medias. Vetë historia e Berluskonit dhe mediave të tij, një prej të cilave është edhe ‘Panorama’, mbetet një çështje ende e pazgjidhur ligjërisht dhe moralisht në Itali. Pyetja nëse një pronar mediash apo një biznesmen që bën politikanin e bën më të shëndetshme shoqërinë apo e dëmton atë, duket akoma pa përgjigje dhe opinioni është i ndarë.
Mendoni se ju ka ndryshuar jeta në Milano, kontaktet me njerëzit e medias atje dhe përvoja e të jetuarit jashtë Shqipërisë?
Më ka dhënë shumë vetëbesim, pavarësi dhe një identitet gati i ri, sepse për herë të parë pas shumë vitesh gjendem jashtë kutisë magjike të televizorit. Një lloj rilindjeje për t’u rilidhur në mënyre metaforike me kontekstin shqiptar. Milano është një qytet i çuditshëm. Ndryshe nga të gjitha qytetet e tjera të Italisë. Larg kaosit të Romës dhe thuajse i zhveshur përballë bukurive dhe historisë së saj, por megjithatë një lloj kryeqyteti moral i Italisë moderne. Aspak i ngrohtë, por në grinë e tij rigoroze nuk lë vend për ekuivoke: është qyteti ëndërr për të gjithë banorët e ‘çizmes’. Qyteti i oportuniteteve, meritokracisë, qyteti ku të gjithë mendojnë se mund të gjejnë një të ardhme.
Përballja me Milanon nuk ka qenë e lehtë, fillimisht e kisha zët për borën e gjatë dhe të ftohtin që nuk isha mësuar të përballoja, për ritmin vrapues të njerëzve dhe eficencën e tepruar të çdo gjëje. Me kohën u mësova ta njoh dhe çka me dukeshin limitet e saj sot i konsideroj vlera të padiskutueshme. Sigurisht që qyteti është atje ku janë njerëzit dhe unë kam qenë me fat sepse kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm. Nuk e kam fjalën vetëm për kolegë gazetarë apo njerëz të medias, profesorë të universitetit apo shkrimtarë të famshëm. E kam fjalën edhe për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë atje. Një komunitet i mirintegruar që jeton me dinjitet. Shpresoj të gjej mundësinë për të treguar historitë e rralla të jetëve të tyre. Histori emocionuese sakrificash dhe sfidash njerëzore./mapo