Me dhe pa kostumin e politikanes. Deputetja e re rrëfen në pak radhë jetën dhe detaje të çdo dite që nis me nxitim duke mos gjetur rrobat në gardërobë e mbaron me friends
Diçka më shumë se një muaj para martesës me të fejuarin e saj me të cilin është e dashuruar prej 15 vitesh, dhe pas një fushate të gjatë zgjedhore, nënkryetarja e LSI-së dhe tashmë deputetja e kësaj force në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, ka pak kohë për të pushuar. Por angazhimet dhe udhëtimet nuk rreshtin. Aq sa dhe këtij pyetësori i është përgjigjur në orët e para pas mesnate. Gjithçka bën pjesë në nismën që ajo ka marrë përsipër dhe e bën të lumtur, por jo me kushtin e braktisjes së Klajdës dhe kënaqësive të jetës së mëparshme, që mbeten të njëjtat: që nga koha e kaluar me të fejuarin, te gatimi i drekës për të dhe vete, gjithmonë në shtëpinë e tyre, deri te mbrëmjet e qeta me miqtë në të njëjtin lokal. Klajda është nga të paktat që kur përmend miqtë e vjetër nuk bëhet nostalgjike, duke thënë që nuk ka kohë të takohet për shkak të angazhimeve: sado e ngarkuar të jetë axhenda e një dite, fundi i saj gjithmonë u takon miqve. Deputetja e re, me pak fjalë, është nga ato vajza që nuk i lënë t’u ikin gjërat e mira të së shkuarës.
Cili është mëngjesi yt rutinë?
Mëngjesi im është gjithmonë tepër i shpejtë, me limitet e kohës për të vazhduar më tej me angazhimet e ditës.
Cili do ishte mëngjesi yt ideal?
Qëndrimi sa më i gjatë në krevat
Ku dëshiron ta pish kafen e parë të mëngjesit jashtë shtëpisë?
Në një ambient jashtë me diell.
Me kë dëshiron të jesh në ato çaste?
Me bashkëshortin tim.
Të pëlqen puna që bën apo profesioni që ke?
Më pëlqen shumë.
A u devijon shpesh afateve të punës së përditshme?
Asnjëherë. Përpiqem të jem gjithmonë korrekte.
Nëse do të duhej, cila është gënjeshtra e bardhë që do përdorje?
Nuk e di, nuk e kam përdorur ndonjëherë deri tani.
A je dembele?
Jo.
Ku të zë dreka zakonisht?
Në të shumtën e rasteve, në shtëpinë time.
Cilat janë restorantet e tua të preferuara?
Restorantet italiane dhe ato tradicionale shqiptare.
Fton apo të ftojnë më shpesh për drekë?
Të dyja bashkë.
A je kursimtare?
Fatkeqësisht, jo.
A ke në rit gjumin apo pushimin e drekës?
Jo, pasi nuk kam asnjëherë kohë të mjaftueshme për të pushuar në drekë.
Kur ke qenë e vogël, a ta kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bëje rrenga për t’i shpëtuar?
Jo, asnjëherë.
Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?
Qetësinë.
Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?
Adoleshenca.
Po kujtimet e hidhura?
Nuk do ta përcaktoja në një moshë të caktuar, pasi çdonjëri nga ne ka momente të hidhura.
Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? Ke mbajtur ditar?
Nuk kam mbajtur asnjëherë ditar. Më shumë më pëlqen të flas me njerëzit e mi të afërt.
Çfarë ka në portofolin tënd?
Përveç lekëve ka dhe disa foto nga fëmijëria ime dhe e të fejuarit tim.
Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?
Jo gjithmonë.
Cilat ngjyra dominojnë në shtëpinë tënde?
E zeza dhe e bardha.
Ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?
Po, kanella.
Çfarë CD ke në makinë?
Nuk mbaj CD, më pëlqen më shumë radio në makinë.
Çfarë zile telefoni ke?
Zilen standarde të IPhone-it.
A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?
Kam shumë miq të vjetër që i takoj çdo ditë.
A je e hapur për miqësi të reja, apo duhet shumë kohë për t’u bërë mik i yti?
Që ta quaj dikë mik duhet me të vërtetë shumë kohë.
Ku rri zakonisht me miqtë?
Në lokalin e një mikut tonë të përbashkët, ku ndjehemi vërtet si në shtëpinë tonë.
Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi, kur mbaron zakonisht dita jote?
Rreth mesnatës.
Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?
Më pëlqen shumë seriali ‘Friends’ dhe e shoh gjithmonë para gjumit.
Po idealja cila do të ishte?
Buzë detit.
Kur shkon zakonisht për të fjetur?
Mbas mesnate.
Cila është uniforma jote e gjumit?
Me këmishë nate.
Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?
I fejuari.