Një palë çorape mëndafshi nga Amsterdami, si dhuratë për Ardian Klosin, prej Aurel Plasarit




Nga Kastriot MYFTARAJ

        Aurel Plasari, në përgjigjen e pardjeshme ndaj replikës së mikut të tij, Ardian Klosit, më tepër se këtij të fundit iu përgjigj Edi Ramës, duke ia kthyer pas mikut të vet Klosit metaforën e çorapes së mëndafshtë, me aluzionin se ai ishte bërë çorapja e Edi Ramës. Bashkë me shkrimin Plasari botoi një letër të cilën ia kishte çuar atij Edi Rama, në 1998, në kohën kur Rama ishte ministër i Kulturës dhe e ftoi Plasarin të marrë detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.  Me botimin e letrës Plasari i çoi një mesazh Edi Ramës, duke i thënë se nëse vazhdonin sulmet kundër tij, do ta devijonte debatin duke e personalizuar me të. Plasari deshi t’ i japë të kuptojë Edi Ramës se ai nuk ishte në pozitë të favorshme në këtë debat, pasi e kishte glorifikuar Plasarin si njeri të madh të letrave shqipe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.
        Plasari i bëri Edi Ramës edhe një shantazh të tërthortë me publikimin e letrës, se në të Edi Rama i shkruante Plasarit se po i adresohej megjithëse marrëdhëniet e tyre qenë të ngrira prej shumë kohësh. Për çfarë qenë të ngrira marrëdhëniet mes Ramës dhe Plasarit? Sigurisht jo për çështje bindjesh politike, se të dy palët i kanë ndryshuar ato duke kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin. Marrëdhëniet e tyre qenë të ngrira se Plasari e akuzonte Ramën se ky i fundit e kishte bllokuar tek Fondacioni “Soros”, ku Rama kishte shumë pushtet se nuk ishte thjesht anëtar i bordit drejtues, por i privilegjuari i Soros. Në atë kohë (flas për vitet 1992-1997) Aurel Plasari ishte miku i ngushtë i zëvendësit të Bashkim Gazidedes, Xhahit Xhaferi, dhe hynte e dilte në SHIK siç hyn e del sot në Bibliotekën Kombëtare. Natyrisht që Plasari do ta përdorte këtë mundësi për të pasur akces në arkivat sekrete të regjimit komunist, ku ai mori shumë të dhëna të cilat do t’ i përdorte në interes të karrierës së vet.
        Kur Edi Rama u bë ministër në prill 1998, ai si shqetësimin e parë kishte që të neutralizonte njerëzit të cilët mund ta dëmtonin karrierën e tij politike. Prandaj ai kërkoi të pajtohej me njerëz me të cilët ishte grindur dikur dhe që tani i shikonte si të rrezikshëm. Një nga këta ishte Aurel Plasari. Edi Rama e shikonte Aurel Plasarin si një njeri të paparashikueshëm, i cili nga inati mund t’ i bënte të papritura shumë të pakëndshme, deri edhe duke shkruar me shpejtësi një libër për të, ku do ta publikoheshin gjëra që Edi Rama nuk donte kurrsesi që të publikoheshin. Përveç kësaj, Edi Rama donte ta ofronte Aurel Plasarin për ta pasur edhe si një ndërmjetës personal në raport me atë pjesë të shtypit pranë PD, nga i cili priste sulmet më të ashpra, siç qe gazeta “55” e Fahri Balliut, me të cilin Plasari kishte miqësi të madhe.
        Kështu shpjegohet letra e çuditshme ku ministri Rama i drejtohet Plasarit, duke iu lutur që të marrë postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, me privilegje të padëgjuara dhe që Rama si ministër nuk kishte atribute ligjore që t’ i bënte. Kështu Rama i thotë Plasarit në letër se ai mund të vazhdonte të bënte punët e tjera, që bënte deri atëherë, të bënte punën e pedagogut universitar dhe të drejtonte revistën, ku ishte kryeredaktor. Edi Rama nuk mund të mos e kishte të qartë se nëse Plasari do të vazhdonte të bënte punën e pedagogut (ai jepte lëndën e estetikës në Fakultetin e Filologjisë) dhe të kryeredaktorit, ai nuk mund ta bënte punën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, aq më tepër duke konsideruar gjendjen e keqe në të cilën gjendej kjo e fundit, dhe që e pohonte vetë Edi Rama në letër. Biblioteka Kombëtare kishte nevojë për një drejtor që të punonte 24 orë në 24, dhe jo për një drejtor që të bënte edhe dy punë të tjera dhe në kohën që i mbetej të merrej me Bibliotekën Kombëtare.
        Merret vesh, Edi Rama po i ofronte Plasarit privilegjet që vinin prej postit të drejtorit, por jo që të merrte përgjegjësitë që vinin prej këtij posti. Edi Rama ishte i vetëdijshëm për këtë gjë, derisa në letër i thotë Plasarit se ky i fundit mund ta gëzonte këtë komoditet sa kohë që ai Edi Rama do të ishte ministër. Plasari e kuptoi se për çfarë po i bëhej oferta dhe u tregua cinik duke i vënë si kusht Edi Ramës që të kishte mundësi të emëronte një nëndrejtor të Bibliotekës Kombëtare. Posti i nëndrejtorit as që ekzistonte deri më atëherë dhe nuk kishte kuptim që të ekzistonte se Biblioteka Kombëtare nuk ishte aq e madhe sa të mos mjaftonte drejtori për të ndjekur punën e shefave të sektorëve. Por Plasari e donte nëndrejtorin për të bërë punën e tij, të drejtorit, ndërsa ai vetë do të merrej me punë të tjera. Edhe kjo kërkesë e padëgjuar iu pranua nga Edi Rama dhe Aurel
Plasari u bë drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Madje Edi Rama i bëri edhe një nder të posaçëm, duke emëruar këshilltar të tij.
        Aurel Plasari, duke e nxjerrë letrën e Edi Ramës pas 12 vjetësh, kërkon që t’ i thotë këtij të fundit se për sulmet ndaj tij bën përgjegjës atë, Edi Ramën. Letra që publikoi Plasari është kompromentuese për Edi Ramën si qeveritar. Edi Rama edhe mund ta mohojë letrën por fakt është se të gjitha ato gjëra që thuhen atje kanë ndodhur. Kështu, del se Edi Rama ka sabotuar (kjo fjalë përshtatet në këtë rast) Bibliotekën Kombëtare.
Debati Plasari-Klosi (Rama), u shndërrua në debatin e çorapeve të mëndafshta, kur pasi Klosi gjeti për Aurel Plasarin metaforën e Napoleonit për Talleirand, si çorape e mëndafshtë e mbushur me mut, Plasari bëri një aluzion për çorapet ekstravagante që vishte Edi Rama kur ishte ministër. Tjetër kuptimin nuk ka fakti që Aurel Plasari ka thënë në artikullin e botuar pardje se gjendet në Amsterdam të Hollandës, prej nga ku po e çon artikullin, kur në të vërtetë Plasari është parë në Tiranë, si ditën para se të botohej shkrimi, ashtu edhe ditën që u botua shkrimi. Por vendosja e Amsterdamit si adresë prej nga ku u nis shkrimi, është një sinjal për Ramën, dorën e të cilit Plasari e sheh pas shkrimit të Klosit, se nuk i konvenon që të përdorë metaforën e Napoleonit për Talleyrand, kur çorapet i blinte në Amsterdam të Hollandës. Aurel Plasarit nuk i intereson debati, apo më saktë beteja, duke hedhur e pritur çorape dhe se ai është gati që ta mbyllë atë, duke i sjellë si dhuratë Klosit një palë çorape të mëndafshta nga Hollanda.
        Edhe Ardian Klosit nuk i intereson beteja me çorape të cilën ai e hapi, dhe kjo kuptohet nga fakti se Klosi, i cili shquhet për sensin e tij të ironisë, kur pyeste në gjuhë therëse se ç’ i lidh Aurel Plasarin dhe Fahri Balliun, të cilët kanë një miqësi kaq të madhe, nuk shkonte larg, duke thënë se Fahri Balliu ka një shpjegim pervers për këto miqësi meshkujsh, që kanë një aspekt romantik me shëtitje nokturne. Por Klosi nuk e përdori armën që i ofronte Fahriu, se në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari, si i thonë fjalës. Se kur Ardian Klosi e quan gazetën e Fahri Balliut si më shpifësen në Shqipëri, ai sikur harron se për të gazeta më shpifëse në Shqipëri duhet të jetë ajo e Carlo Bollinos, e cila dikur shkruajti se Klosi ishte homoseksual, madje ky i fundit e paditi edhe në gjykatë këtë gazetë. Nga kjo pikëpamje duket sikur Klosi është xheloz për shëtitjet nokturne të Aurel Plasarit me Fahri Balliun, aq më tepër që shkruan me syrin e përgjuesit mbrëmësor të tyre, duke i përshkruar fizikisht.
        Debati i çorapeve të mëndafshta është versioni shqiptar i “La guerre en dantelles” të shekujve XVII-XVIII, të kohës kur oficerët shkonin në fushëbeteja të ngarkuar me dantella në mëngë e jaka, si zonjat e salloneve. Aurel Plasari, me nxjerrjen e letrës së Edi Ramës, bëri një qitje paralajmëruese me top, duke ia lënë palës tjetër vendimin nëse do ta vazhdojë betejën ose jo. Nëse vazhdon beteja duke hedhur e pritur çorape, do të dëmtohemi të dy palët, thotë Plasari. Rama këtë e kupton por nuk është e lehtë që të frenohet Klosi, për të cilin shkrimi i Plasarit për grevën duket se është vetëm një pretekst për të hapur “kuti” të vjetra.