Një “Kardinal Richelieu” me çallmë për shqiptarët: përgjigje frankofonit islamik nga Tetovë/Kumanova, Ardian Ramadani


Nga Kastriot Myftaraj

11/12 gusht 2010

        Polemika që bën me mua sa i përket tezave të mia për fenë islame ndër shqiptarët, Ardian Ramadani, profesor i frëngjishtes në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, dhe njeri i elitës frankofone ndër shqiptarët e Maqedonisë, është interesante se ilustron ato qendra të huaja që përzihen në punët e shqiptarëve, në dy anët e kufirit. Në 25 qershor 2010, Ardian Ramadani ka botuar në gazetën “Lajm” që del në Maqedoni shkrimin “Shqiptarët nuk e kanë ende të zgjidhur problemin kombëtar-por ti mos vetëkrijo problem fetar”, në të cilin më drejtohet mua kështu:
        “Kohëve të fundit kemi shumë paraqitje të analistëve dhe pseudoanalistëve, të publicistëve dhe të pseudopublicistëve të ndryshëm, që mëtojnë mes rreshtash të thuan se shqiptarët si komb, nuk kanë problem, po atyre u pengon ajo që i takojnë shumica e atij kombi, përkatësisë fetare Islame. Kësisoj na paraqiten individë sikurse Kastriot Myftaraj, të cilin me të drejtë Abdi Baleta e quan, Kastriot M..., i cili me thirrjet dhe kushtrimin që bën, kërkon që shqiptarët me çdo kusht t`i shpallin luftë Islamit si fe, apo religjion dhe të djegin minaret. E si mos të reagosh ndaj këtyre thirrjeve, për një Shën Bartolome mes shqiptarëve. Si mos ti quash këta njerëz të pavyeshëm për kombin shqiptar. Ata në vend se të ofrojnë alternativa se si të zgjidhet çështja kombëtare shqiptare në Ballkan, duke mos cenuar aspak diversitetin fetar mes shqiptarëve, ftojnë në konflikte të panevojshme ndërvëllazërore, duke pasur për bazë çdoherë pretekstin fetar, si dhe atë, që nëse shqiptarët e flakin tutje Islamin, atëherë atyre do t`u zgjidhet atyre problemi kombëtar sa çil e mshil sytë”.
        Përgjigjen Ardian Ramadanit do t’ ia jap duke iu referuar koncepteve të temës së tij të masterit, të cilën më pas e ka botuar si libër. Këtë po ia bëj të ditur lexuesit sipas jetëshkrimit të Ardian Ramadanit në facebook: «Në mars të 2007 kam regjistruar studimet postdiplomike në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, drejtimi i studimeve të diplomacisë, ku më 2 korrik 2009 kam magjistruar me temën ‘Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat’, me ç`rast kam marrur titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike… Kam botuar deri më tani një libër që titullohet: ‘Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb’–Tetovë, 2009».
        Henry Kissinger, në librin e vet shumë të njohur “Diplomacy” shkruan: “Richelieu (Rishelje) erdhi në pushtet në 1624, kur imperatori i Imperisë së Shenjtë Romane (Austrisë-K.M.), Ferdinand II po orvatej të rigjallëronte universalizmin katolik duke shtypur Protestantizmin dhe vendoste nën kontrollin imperial princat e Europës Qendrore. Ky process, Kundër-Reforma, çoi në atë që u quajt më pas Lufta Tridhjetëvjeçare, e cila shpërtheu në Europën Qendrore në 1618 e rezultoi të jetë një nga luftrat më brutale dhe shkatërrimtare në historinë e njerëzimit. Në vitin 1618 territori gjermanishtfolës i Europës Qendrore, pjesa më e madhe e të cilit qe pjesë e Imperisë së Shenjtë Romane, u nda në dy kampe të armatosura, Protestantët dhe Katolikët…Në momentin më delikat të këtij konflikti, Kardinali Richelieu, instaloi parimin e raison d’ etat në politikën e jashtme franceze, një parim ky që shtetet e tjera europiane do ta përvetësonin në shekullin pasardhës. Si princ i Kishës, Richelieu duhet ta kishte mirëpritur përpjekjen e Ferdinandit për ta restauruar Katolicizmin. Por Richeliu vinte interesin nacional francez mbi çdo synim religjioz. Vokacioni i tij si kardinal nuk e ndaloi atë që ta shihte përpjekjen e Habsburgut për të restauruar fenë katolike si një kërcënim gjeopolitik për sigurinë e Francës… duke ndjekur atë çka sot quhet interesi nacional dhe që atëherë u quajt për herë të parë raison d’ etat, Richelieu ishte i përgatitur të bënte aleancë me princat protestantë dhe të përdorte çarjen brenda Kishës Universale”. (Henry Kissinger: “Diplomacy”, Neë York 1994, “Simon and Schuster”, f. 59-60)               
        Nga pikëpamja e doktrinës së Kardinalit Richelieu, të raison d’ etat, do të thotë të kqyrjes së fesë si variabël e interesit nacional, a nuk kam të drejtë që t’ i them më tepër se kujtdo autorit të shkrimit “Shqiptarët nuk e kanë ende të zgjidhur problemin kombëtar-por ti mos vetëkrijo problem fetar”, i cili njëkohësisht është dhe autor i librit “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb”, se ne shqiptarët duhet të bëjmë të njëjtën gjë, në emër të asaj që mund të quhet raison d’ nation. Këtë gjë unë e kam thënë së pari në një shkrim të botuar në gazetën “Bota Sot” në vitin 2000, e cila në atë kohë ishte gazeta më e madhe në Kosovë. Nëse edhe për Ardian Ramadanin, imperativ është zgjidhja e problemit kombëtar, siç thotë ai që në titullin e shkrimit, atëherë feja duhet t’ i nënshtrohet këtij imperative. Pra, duhet të jenë vetë krerët e bashkësive islame në Shqipëri, Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë, të cilët duhet të mendojnë dhe veprojnë si kardinali Richelieu.
        Unë nuk kam bërë thirrje për një “Natë të Shën Bartolemeu”-t midis shqiptarëve, sikur ma atribuon Ardian Ramadani. Ajo çka kam thënë unë, e shkruar e zeza mbi të bardhë është se muslimanët praktikantë, dhe këta janë një minorancë në krejt kombin shqiptar, i kanë dhënë vetes profil arab dhe ata jo vetëm që janë vetëpërjashtuar nga nacioni (kombi) shqiptar, por e ekspozojnë atë para një rreziku ekzistencial, derisa ata duke keqpërdorur statusin e tyre legal, i kanë dhënë profil arab krejt trojeve shqiptare në dy anët e kufirit, me xhamitë e shumta të ndërtuara në shpërpjestim me numrin e besimtarëve dhe me ezanin që thirret në arabisht nga megafonët e vendosur në minaret. Unë e kam bërë të qartë se zgjidhjen e problemit religjioz, që paraqet Islami për shqiptarët e shikoj si parakushtin e zgjidhjes së problemit nacional, zgjidhja e të cilit për mua është krijimi i shtetit të bashkuar nacional shqiptar, i cili të përfshijë të gjitha trojet shqiptare. Disa kohë pas Natës së Shën Bartolemeut, mbreti i Francës, tha fjalët e famshme: “Parisi ia vlen një meshë!” Unë që në vitin 2000 kam shkruar: “Nëse Parisi ia vlente një meshë, shteti i bashkuar nacional shqiptar, ia vlen jo më pak”.
        Ardian Ramadani, kur flet për problemin nacional që ka mbetur i pazgjidhur, bën një listë të gjatë të problemeve që kanë shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, problemin e Çamërisë dhe të çamëve të dëbuar, dhe më sugjeron të merrem me to dhe jo me Islamin. Por unë jam marrë me këto probleme për një kohë të gjatë dhe intensivisht dhe kam arritur në përfundimin se Islami është në origjinë të të gjitha të këqijave që përmend Ardian Ramadani. Se maqedonët nuk do të guxonin të silleshin ashtu sot me shqiptarët e Maqedonisë, sikur këta të mos qenë muslimanë. Se ndërkombëtarët nuk do t’ i kishin ndryrë shqiptarët e Kosovës në atë labirint ku i kanë ndryrë sot sikur këta të mos qenë muslimanë. Është e vërtetë, sikur thotë Ardian Ramadani, se: “I (ç)nderuar, po të ishte pengesë Islami për shqiptarët, Shqipëria (me rreth 75 % mysliman) nuk do të pavarësohej më 1912 (nuk do të pranohej nga Amerika), si dhe Kosova nuk do të ndihmohej nga Amerika dhe NATO-ja (Mos harro, bile NATO-ja, intervenoi për të parën herë duke e shkelur parimin e mosintervenimit jashtë vendeve anëtare, në një vend ku shkelej çdo e drejtë dhe ku kishte gjenocid dhe etnocid, duke i ndihmuar popullatës e cila përbën rreth 95% myslimanë). I nderuar, në vend se të merreni me ‘fatkeqësitë e Islamit’ për kombin shqiptar, merruni me martesat e motrave tona shqiptare nga Shqipëria ‘jote’ dhe e imja, me serbët, me sllavomaqedonasit dhe me shkijet e Shumadisë”.
        Unë po i them Të Nderuarit (më tutje do të vërtetoj me fjalët e tija se ai është I Çnderuar) se Shqipëria u coptua në 1912 pikërisht se kombi shqiptarë shihej si me shumësi muslimane. Është e vërtetë ajo që thotë Ramadani për intervenimin e NATO kundër Serbisë në 1999, por tash pas 11 vitesh nuk mund të mos pyesim se a do të kishin kapitalizuar shqiptarët e Kosovës dhe nacioni shqiptar në përgjithësi, më shumë më tepër prej aksionit të NATO, nëse shqiptarët e Kosovës nuk do të shiheshin sikur më së shumti i përkisnin religjionit islam, edhe pse kjo nuk është e vërtetë se ushtruesit e këtij religjioni nuk përbëjnë veçse një minorancë edhe në Kosovë? Sa për martesat e shqiptareve nga Shqipëria me serbët e maqedonët, unë mendoj se problemi është i ekzagjeruar se bëhet fjalë kryesisht për vajza rome dhe magjype, nga të cilat shkijetë mund të marrin sa të duan, madje unë për të dëshmuar mungesën e plotë të çdo ndjenje raciste, do t’ i paguaja me kënaqësi shpenzimet e dasmës ndonjërës që martohet në Kumanovë, ku jeton Ramadani, i cili duhet të jetë në dijeni të ndonjë rasti të tillë, derisa ka shumë marrëdhënie me maqedonët, si përkthyes gjykate që është.
        Por unë meqënëse erdhi rasti do t’ i tërhiqja vëmendjen Ardian Ramadanit për atë që tha një vajzë shqiptare nga Maqedonia para disa muajsh në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në “Vizion Plus”. Kjo vajzë, këngëtarja A.T., kur u pyet nga Çani nëse do të pranonte të martohej me një shqiptar të krishterë, hezitoi gjatë, pastaj tha “Nuk di ç’ të them”  dhe shtoi se për të një djalë musliman do të ishte perfekt  për t’ u martuar. Merret vesh, zonjusha e ndjen veten më së pari muslimane pastaj shqiptare.  A keni gjë ju për t’ i thënë kësaj vashe, zotëri Ramadani, kësaj vashe bionde, ekzemplar i përkryer i gjenit ilir, të cilën e ndan nga pjesa tjetër e bashkëkombasve të saj feja islame? E duket se juve ju shqetësojnë më tepër vashat rome dhe magjupe të Shqipërisë që martohen me sllavë, se kjo vashë shqiptare që flet si arabe! E pra, sikur të gjitha romet dhe magjupet e Shqipërisë të martohen me sllavë, për mua kjo nuk është asgjë para fjalëve të kësaj vashe shqiptare nga Shkupi.
        Kur Ardian Ramadani më kritikon mua se krijoj një problem religjioz, në kohën kur ende nuk është zgjidhur problemi kombëtar shqiptar, ai nuk e saktëson se çka është për të zgjidhja e problemit kombëtar shqiptar. Por këtë gjë e ka bërë në një shkrim të mëparshëm, me titull “Nacionalizmi shqiptar, a është rruga e vetme e realizimit të aspiratave shqiptare”, i botuar në 9 qershor 2009, në gazetën “Lajm”, ku thotë: “Nacionalizmi shqiptar nuk duhet të eksponohet në drejtim të bërjes një shtet i vetëm, sepse një shtet i vetëm jemi, por formalisht i kemi kufijtë, por ky nacionalizëm duhet të bazohet në intensifikim të kontakteve ndërshqiptare dhe ndërkombëtare, ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, mos sajimi i identiteteve apo gjuhëve rajonale, unifikimi kulturor, gjuhësor dhe politik”.
        Këtu njeriu që e mban veten për shkencëtar në shkencat politike, bën një marrëzi të madhe duke zhvilluar këtë koncept të nacionalizmit shqiptar. Nacionalizmi është pikërisht koncepti sipas të cilit kufijtë shtetërorë duhet të përputhen me kufijtë e hapësirës nacionale të një nacioni (kombi). Edhe dallimi që bëhet mes të ashtuquajturve nacionalizëm etnik dhe nacionalizëm civik, gjegjësisht nacion kulturor dhe naciona civik është një nonsens. Franca e cila mbahet si krijuese e modelit të nacionalizmit civik, me Revolucionin e fundshekullit XVIII, në fakt nuk e kishte realisht problemin e përputhjes së kufijve shtetërorë me ata etnikë, pas nacioni francez ka pasur kufij natyrorë. Nga perëndimi Oqeanin Atlantik, nga jugperëndimi Malet e Pirenejve, nga juglindja Detin Mesdhe dhe Alpet Europiane, nga verilindja Lumin Rin. Prandaj De Gaulle (De Gol) mund të shprehej ashtu si e citon Ramadani në të njëjtin artikull: “Sharl de Gol kishte thënë me një rast se ‘Nacionalizmi do të thotë luftë, ndërsa patriotizmi nder’. Nëse nisemi nga ky gjykim do të shihet se ai bënte një ndarje mes këtyre dy koncepteve. Por De Gol kishte dëshmuar se ai ishte nacionalist i bazuar tek patriotizmi Risheljan dhe tek interesat kombëtare franceze”.
        Patriotizmi është një shpikje ekskluzivisht franceze, e një nacioni me kufij natyrorë, prej ku edhe një shtet me kufij natyrorë. Njëherë kur ndodhi që një fuqi e huaj i kapërceu këto kufij natyrorë, duke aneksuar një pjesë të territorit të Francës, siç ndodhi me Gjermaninë në 1871, e cila aneksoi Alzasë-Lorenen, bota u bë dëshmitare e lindjes së një nacionalizmi të papërmbajtur francez, i cili gjakoi derisa nuk pati satisfaksion me Konferencën e Versaille pas Luftës së Parë Botërore, kur Gjermania e mundur i dorëzoi dy provincat e aneksuara franceze. Ardian Ramadani, i cili e mban veten për ekspert të Francës së kohës së Richelieu (Rishelje) bën një marrëzi të çuditshme kur në paragrafin e mësipërm flet për “patriotizmin risheljean”. Termi “patriotizëm” as që kishte dalë në kohën e Richelieu, ai i përket shekullit XVIII.
        Nga sa thotë Ardian Ramadani më lart, kuptohet se ai nuk është për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Ardian Ramadani është kundër bashkimit nacional, por ai është pro Islamit!!! Për të Islami vlen më tepër se aspirata historike shqiptare. Derisa Ardian Ramadani nuk e pranon bashkimin nacional shqiptar, ngjan mjaft hipokrite ajo çka ai më thotë mua: “shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë me miliona probleme të pazgjidhura kombëtare, përballë pushtetit represiv serb, të cilat po të numërohen nuk do të dilnin faqet e një libri të tërë, ku veç për shembull në Cepotin, Serbia për shqiptarët ndërton bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, e dihet kjo se përse. E kjo z. Kastriot M... nuk ju shqetëson fare ju, që të merreni me këtë problematikë, apo jo?”
        Unë jam i shqetësuar për shqiptarët e Preshevës dhe në të gjithë shkrimet e mia me problematikë nacionale i kam përmendur ata. Unë kam shkruar e zeza mbi të bardhë se alternativa e vetme që të mbijetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës është që territori i tyre t’ i bashkëngjitet shtetit të bashkuar nacional shqiptar. Ata më së pari duhet ta kuptojnë rrezikun që përbën identiteti islam për ta. Ardian Ramadani thotë se Serbia po ndërton në Luginën e Preshevës bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, shton se dihet se përse bëhet kjo gjë. Por nuk më duket se Ramadani e di, apo ndoshta bën sikur nuk e di. Serbia e ndërton këtë bazë ushtarake që nesër, kur të krijohen situatat e përshtatshmë ndërkombëtare të invadojë ushtarakisht Kosovën me pretekstin e luftës kundër terrorizmit islamik, që e rrezikon Serbinë prej andej. Merret vesh, gjëja e parë që do të bëjë Serbia në këtë rast është se do të dëbojë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me po këtë pretekst.
        Ardian Ramadani, në polemikën me mua, thotë për shqiptarët e Maqedonisë: “Kjo pjesë e shqiptarëve ka probleme me moszgjidhjen e çështjes së flamurit, gjuhës... e shumë e shumë gjërave tjera, po assesi nuk i pengon prezenca e xhamive, teqesë, apo ndonjë tempulli tjetër fetar. Kësaj pjese të kombit i pengon, ajo që qeveritë maqedonase me paratë dhe tatimet e po këtyre shqiptarëve, e promovojnë Maqedoninë, si shtetin e Krishtit, shtetin më ortodoks në botë si dhe në shpëtimtar të krishterizimit nga shqiptarët mysliman”.
        Por sllavo-maqedonët nuk e bëjnë kot këtë gjë, ata i njohin ndjeshmëritë latente të Perëndimit, idiosinkrasinë e tij islamofobike, dhe reagojnë në pajtim me të. Kjo duhet t’ i bëjë shqiptarët e Maqedonisë që të reflektojnë thellë, nëse nuk duan që të thyejnë kryet tek Guri i Zi i Mekës. Ardian Ramadani bëhet me të vërtetë zbavitës, kur thotë: “E ju z. Kastriot, që emrin e keni shumë të mirë, po që përpos emrit asgjë tjetër pozitive nuk mundet njeriu të ju gjej, në vend se të merreni me problematikat e lartpërmendura e të papërmendura, juve ju shqetëson Islami ndër shqiptarët dhe lëshoni kushtrimin për kthim në fenë e të parëve, duke e ditur se po të kthehemi në fenë e të parëve tanë Pellazgo- Ilirë, duhet të besojmë në religjionin druid apo pagan, gjë që mua personalisht nuk më pengon (lexo: që të parët tanë kanë qenë të tillë). Çfarë turpi!”
        Çfarë turpi, them unë, që një intelektual shqiptar, kërkon të duket veçanërisht i zgjuar duke e quajtur kthimin në fenë e të parëve, kthim në paganizëm. Por a nuk e bart Islami paganizmin, çka është Guri i Zi në Mekë rreth të cilit tubohen në haxh besimtarët islamikë nga e gjithë bota? Po gjysmëhëna çka është? A nuk qe këto idhujtari pagane arabe, paraislamike? Ardian Ramadani e mbyll kështu polemikën e vet me mua: “Ëinston Çurçill në një rast pat cekur se nëse ndokush donë që një problem të mos e zgjedh asnjëherë, ai atij problemi le t`i vesh çështjen fetare, e ai problem kurrë nuk do të zgjidhet. E unë e dijë, po edhe shumica e shqiptarëve e dinë, që ti dhe soji i yt, nuk lëshoni kushtrim të tillë për zgjidhje të çështjes kombëtare shqiptare, sepse jeni larg patriotizmit, nuk e keni dëshmuar dhe nuk po dëshmoni që e doni kombin tuaj (lexo: po e dëmtoni), po ju këtë komb doni ta përçani (lexo: duke i servuar Shën Bartolomeun), ngase jeni pjellë e agjenturave greko-sllave”.
        Osmanët ushtruan presion për fekthim mbi shqiptarët pikërisht se donin të siguroheshin që shqiptarët të kishin një pengesë për t’ u shkëputur nga imperia. Pra, osmanët i shtuan një dimension religjioz problemit të çlirimit të shqiptarëve nga pushtimi aziatik, dhe ky problem mbetet edhe sot në rrethana të tjera. Pra këtë ndërlikim religjioz nuk ia kam shtuar unë problematikës nacionale. Unë vërtet që jam larg patriotizmit, se unë jam nacionalist. Dallimi është se se derisa patriotizmi ia fal përkushtimin shtetit, çka do të thotë se Ramadani është patriot maqedon, unë ia fal përkushtimin nacionit (kombit) dhe shteti i tashëm shqiptar për mua është thjesht instrumenti bazik për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm nacional. Unë dua të nxit vetëm një përçarje, atë mes shqiptarëve dhe arabo-shqiptarëve. Unë nuk mund të jem pjellë e agjenturave greko-sllave se Greqia dhe Serbia, përfshi dhe sllavo-maqedonët duan që shqiptarët të kenë profil arabo-islamik, ashtu që në situata të përshtatshme ndërkombëtare të përmbushin aspiratën e kahershme për të kryer zgjidhjen finale ndaj shqiptarëve, asgjësimin e tyre dhe aneksimin e trojeve shqiptare.
        Por Ardian Ramadani ka hapur një temë interesante, atë të pjellave të agjentura të huaja dhe unë tash do t’ i vërtetoj lexuesit se çfarë pjelle agjenturore është ai. Me këtë rast po shuaj kureshtjen edhe të disa studentëve të tij në UEJL, të cilët më kanë kërkuar që të shkruaj për karrierën e çuditshme të këtij njeriu dhe të shpjegoj enigmën e saj. Ky njeri ma dha vetë rastin. Kur njeriu kqyr karrierën e çuditshme të Ardian Ramadanit i bën përshtypje fakti se në 2009 ai ka magjistruar në UEJL me temën  “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat”, me të cilën është titulluar magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike, me ç’ rast ka botuar librin “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb”.
        Njeriu i arsyeshëm nuk mund të mos pyesë se përse Ardian Ramadani zgjodhi një temë të tillë kaq shumë të trajtuar në universitetet franceze, madje edhe në universitetet më të mëdha botërore, ku ai nuk mund të sillte kurrgjë të re. Në rast se Ramadani donte që patjetër të zgjidhte një temë që kishte të bënte me Francën, ai mund të kishte zgjedhur një temë për marrëdhëniet franko-shqiptare, çka është një fushë studimore ende shumë pak e eksploruar, se marrëdhëniet franko-shqiptare fillojnë së paku që në shekullin XIII. Është qesharake që një shqiptar, aq më tepër i cili nuk ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare, por për gjuhë frënge, magjistron me një temë të tillë! Për të ironizuar njerëz dhe bëma të tilla e ka shkruar Faik Konica satirën e famshme “Një ambasadë e zulluve në Paris”. Kjo që ka bërë zotëri Ramadani është një teatralitet akademik, i llojit të farsave franceze të shekullit XVIII. Por Ardian Ramadanit nuk i vjen turp se ai se ai e shikon angazhimin e vet akademik si një tjetër rol që ia kanë dhënë ta luajë. Se z. Ramadani ka hyrë në botën akademike, atë mediale, dhe eventualisht edhe në politikë, nga skena e teatrit. Ai shkruan për veten: «Nga Shtatori 2000 e deri në qershor 2002 kam qenë aktor në trupën teatrale frankofone ‘Vaiaje’ (shq. VAJAZH) e udhëhequr dhe e survejuar nga lektor francez dhe e mbështetur nga Ambasada e Francës».
        Franca dhe vende të tjera i përdorin këto lloj veprimtarish, jo thjesht për të promovuar kulturën franceze por edhe si forefront të shërbimeve inteligjente, për të zbuluar njerëz të cilët gjykohen të përshtatshëm për t’ u përdorur si pionë të politikës franceze. Ardian Ramadani pati një karrierë impresionuese si aktor teatri, të cilën e përshkruan kështu: “Kam një eksperiencë të bujshme në fusha të ndryshme. Kësisoj në Prill 2001 kam qenë pjesmarrës në garën teatrale frankofone në Shkup dhe jam shpërblyer fitues i çmimit të parë. Në muajin Maj 2001 kam qenë pjesmarrës në festivalin e teatrit ballkanik frankofon në Burgas, Bullgari dhe jam shpallur fitues i çmimit të parë. Ndërsa në Mars 2002 kam qenë pjesmarrës në festivalin e teatrit ndërkombëtar frankofon në Rennes, Francë dhe jam shpallur fitues i çmimit të dytë».
        Pas kësaj duhej pritur që ky aktor, i dytë më i talentuar në krejt botën frankofone, t’ i përkushtohej karrierës teatrore e ndoshta edhe kinematografike, por jo. Puppet-master i tij kishte planifikuar për të një rol në jetën reale si studiues të marrëdhënive ndërkombëtare, profesor, kolumnist dhe eventualisht politikan. Në kulmin e karrierës së vet teatrore frankofone, në 2002 Ramadani shkoi në UEJL për të studiuar për frëngjisht. Me të marrë diplomën, megjithëse pa asnjë kualifikim shkencor, Ardian Ramadani, siç shkruan vetë: “Nga Shtatori 2007- e gjer më sot jam profesor i gjuhës frenge në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Departamenti i gjuhës frenge”.
        Tashmë duhej pritur së paku që ai të fillonte të kryente një kualifikim shkencor për lëndën që do të ligjëronte. Por jo. Ramadani ndoqi një tradite të keqe të krijuar tashmë tek intelektualët shqiptarë, atë që të bëjë një kualifikim postdiplomik në një fushë jashtë asaj për të cilën ka diplomuar. Ai shkruan për veten se «Në mars të 2007 kam regjistruar studimet postdiplomike në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, drejtimi i studimeve të diplomacisë, ku më 2 korrik 2009 kam magjistruar me temën ‘Franca dhe diplomacia franceze në periushën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat’, me ç`rast kam marrur titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike».
        Pas të gjitha gjasave Ramadani e quajti veten të aftë të ligjëronte për gjuhë e letërsi frënge veç me diplomën e gradës së parë, dhe tashmë mendoi se mund t’ i hynte edhe marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë. Në të njëjtën kohë, ky njeri me talent të shumëllojshëm, bën edhe një punë tjetër mjaft të çuditshme për një studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesor:  “Prej muajit Tetor 2006- e gjer më sot jam përkthyes gjyqësor legjitim pranë Gjykatës Themelore të Kumanovës në gjuhët shqip-maqedonisht dhe anasjelltas, shqip-frengjisht dhe anasjelltas si dhe maqedonisht-frengjisht dhe anasjelltas”. Mos ndoshta e bën këtë gjë nga pasioni për teatrin se dihet që aulat gjyqësore janë një skenë e lakmuar për njerëzit me aftësi teatrale? Gjithashtu, Ramadani thotë për veten: «Jam autor i rregullt i shkrimeve të ndryshme nëpër Ëeb portale të ndryshme dhe gazetat e përditshme shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë si Lajmi, Koha, Epoka e re, etj, nga fusha e diplomacisë, marëdhënieve ndërkombetare, historisë, gjuhësisë, kulturës».
       Në kolumnet e veta Ramadani promovon pikëpamjet e shërbimeve inteligjente franceze për shqiptarët e Maqedonisë dhe për krejt shqiptarët në përgjithësi. Prej këtej edhe mbrojtja e posaçme që ai i bën Islamit, një gjë krejt e panatyrshme kjo për një intelektual frankofon, tek të cilët është shumë e fortë vetëdija laike. Ardian Ramadani nuk bën gjë tjetër veçse potencon idetë e ideologes zyrtare franceze për çështjet shqiptare, Nathalie Clayer, drejtuese kërkimesh në Laboratorin e Studimeve Turke dhe Osmane në CNRS (Qendra Nacionale e Kërkimeve Shkencore) në Paris, një qendër studimore shtetërore franceze kjo. Nathalie Clayer në 2007 ka botuar në frëngjisht dhe anglisht librin «Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë».
        Që nga titulli i librit të Nathalie Clayer, «Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë», lexuesi e ka të qartë konkluzionin kryesor në të cilin arrin autorja në librin me rreth 700 faqe: Nacionalizmi shqiptar ka lindur para kombit shqiptar, duke u përpjekur ta krijojë më pas këtë komb, si një komb muslimann. Në shekullin XIX nuk bëhet fjalë për një Rilindje Nacionale shqiptare (term ky që nuk ekziston në fjalorin e autores), por si të thuash për një Lindje Nacionale, term të cilin megjithatë ajo nuk e përdor vetëm për faktin se përpjekjen për krijimin e kombit shqiptar e lidh kryesisht me krijimin e shtetit shqiptar, për të cilin thotë se u përpoq seriozisht ta krijonte kombin. Ajo paralajmëron se do ta shqyrtojë këtë proces në librin e ardhshëm të saj. Merret vesh, interesi i Francës për t’ i paraqitur shqiptarët si komb musliman vjen nga mbështetja tradicionale që Franca i ka dhënë Serbisë dhe Greqisë për t’ i asgjësuar shqiptarët si komb. Është e vërtetë se Franca mori pjesë në fushatën e NATO kundër Serbisë në 1999, por dihet se ajo u kaloi serbëve të dhëna sekrete ushtarake të NATO dhe vetë komandanti i NATO në atë kohë gjenerali Wesley Clark shkruan në kujtimet e veta se një gjeneral francez i tha atij se nuk duhej të luftonin kudnër serbëve se ata qenë barrierë mbrojtëse e Perëndimit të krishterë nga muslimanët. Franca e njohu pavarësinë e Kosovës, për shkak se nuk donte të izolohej nga SHBA në një moment delikat të politikës së brendshme, pas trazirave të mëdha që e ndezën flakë Francën. Por Franca në një situatë tjetër nuk do të mungojë të kthehet në politikën e Miterrand të viteve 1992-1994, i cili ishte për t’ i dhënë dorë të lirë Serbisë që të kryente spastrim etnik ndaj muslimanëve. Potencimi nga ana e studiuesve francezë i profilit të paqenë islamik të nacionit shqiptar bëhet pikërisht në funksion të strategjisë greke dhe serbe për agjësimin e nacionit shqiptar në situatat e favorshme që do të krijohen në të ardhmen. Në këtë linjë punon edhe frankofoni Ramadani, i cili ka marrë urdhër që të mbrojë Islamin që kështu të vërtetohet teza e zonjës Clayer, e cila në fakt është zonja Popoviç, se është martuar me një studies serb, Alexander Popoviç, edhe ky specialist i Islamit ballkanas.   
        Në filmin “The Devils” (1971) në gojën e Kardinalit Richelieu, për bëmat e të cilit ka magjistruar Ramadani, janë vënë do fjalë të cilat ai ia thotë mbretit të Francës dhe që Richelieu real do t’ i kishte pëlqyer, me të vërtetë shumë. Në film, kur mbreti e pyet kardinalin-kryeministër për politikën e tij të reason d’ etat, ky ia shpjegon duke ia ilustruar me mitin e lindjes së perëndeshës Venus, nga shkuma e detit, për çka është bërë dhe një tablo e famshme e Botticelli: “Një koncept shume origjinal, Madhëria Juaj, Lindja e Venusit, unë lutem që të mund të asistoj në lindjen e një France të re, ku Kisha dhe Shteti do të jenë një”.
        Me këtë, autori i reason d’ etat (arsyes shtetërore) kuptonte që Kisha, feja të jetë në funksion të shtetit, pra nacionit, dhe jo e kundërta. A nuk duhet të lindë si Venusi edhe një Shqipëri e re, shteti i bashkuar nacional shqiptar, për cka feja të ndihmojë ashtu si shkuma e detit në lindjen e perëndeshës?