Nga Kastriot Myftaraj
7 maj 2010
Edi Rama mbajti pardje një fjalim të fortë para kryeministrisë, ku deklaroi se ditën e dielë në 9 maj, për të cilën tha se është Dita e Europës dhe Dita e Fitores mbi fashizmin, do të mbahet një miting i madh i opozitës. Edi Rama, si opozitar, ka gjithë të drejtën që të mbajë mitingje për të kërkuar hapjen e kutive, në 9 maj apo në çdo ditë që të dojë. Por kur Edi Rama e quan 9 majin si dita e fitores mbi fashizmin, ai duhet pyetur nëse e njeh debatin mbi 8 dhe 9 majin, si ditë të fitores mbi fashizmin? Që nga viti 1945 e në vazhdim, gjatë «Luftës së Ftohtë», si dhe pas saj deri më sot, dita e fitores mbi fashizmin ka qenë e ndryshme në Perëndim dhe në Lindje. Në SHBA dhe në pjesën tjetër të Perëndimit, në Europën Perëndimore, si ditë e fitores mbi fashizmin do të njihej 8 maji, ndërsa në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në pjesën tjetër të vendeve që ishin në orbitën sovjetike, pra në vendet brenda «perdes së hekurt», si ditë e tillë do të njihej 9 maji.
Historia është kështu: ceremonia me formalitetet e kapitullimit u përfunduan më 7 maj 1945, në Reims të Francës, në orën 02: 41 minuta,kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjerman, Gjeneral-koloneli Alfred Jodl, nënshkroi aktin e dorëzimit të forcave të armatosura gjermane, në prani të përfaqësuesve ushtarakë amerikanë, britanikë, sovjetikë dhe francezë. Bashkimi Sovjetik në këtë ceremoni përfaqësohej nga gjenerali Ivan Susloparov, shefi i Misionit Ndërlidhës Ushtarak Sovjetik pranë komandës aleate. Sipas marrëveshjes të gjitha veprimet luftarake do të ndërpriteshin në orën 23: 01 minuta të ditës së nesërme, pra të datës 8 maj 1945. Kështu që 8 maji duhej quajtur si dita e përfundimit të luftës në Europë, dhe si dita e fitores mbi fashizmin. Por, ndërsa sipas kohës së gjithë vendeve të Europës (duke përfshirë edhe Shqipërinë) ishte ende data 8 maj në kohën që lufta përfundoi sipas marrëveshjes së Reims, sipas kohës së Moskës, atje kishte filluar dita e re dhe ishte 9 maj. Kjo është arsyeja që dita e fitores mbi fashizmin festohej në dy ditë të ndryshme në Perëndim dhe në Bashkimin Sovjetik. Përveç kësaj, sovjetikët mbajtën dhe një ceremoni tjetër për kapitullimin e Gjermanisë në Berlin, në 8 maj, por kjo nuk solli ndryshimin e datës, pasi koha e përfundimit përkonte me atë të Reims.
Për shkak të ndryshimit të zonës kohore, që prej vitit 1945, në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet satelite të tij, si dhe në Rusinë pas-sovjetike sot, si dita e fitores mbi fashizmin njihej dhe njihet zyrtarisht 9 maji. Ndërsa në vendet perëndimore aleate të koalicionit të madh antifashist të Luftës së Dytë Botërore, si ditë e tillë njihej dhe njihet zyrtarisht 8 maji. Në vendet e NATO, njihej dhe njihet 8 maji si V-day, ndërsa në vendet e Traktatit të Varshavës njihej 9 maji. Në mënyrë mjaft domethënëse, vendet ish-komuniste ose të dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, që tashmë kanë hyrë në NATO dhe në Bashkimin Europian, si Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Rumania, Sllovakia, nuk e njohin më 9 majin si ditën ndërkombëtare të fashizmit, por njohin si të tillë 8 majin. Me këtë ndryshim, këto vende kanë bërë jo thjesht një korrigjim historik, por edhe një gjest simbolik për të treguar se ato janë shkëputur përfundimisht nga Rusia dhe nga era ruse, duke u shkëputur nga ora historike e Moskës. Shqipëria komuniste njihte si ditë të fitores mbi fashizmin 9 majin, si kur ishte e lidhur me Moskën, ashtu edhe kur u shkëput prej saj. Pas viteve 1961 dhe 1968, kur Shqipëria nuk kishte më marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe kur doli nga Traktati i Varshavës, duhej të ishte rregulluar anomalia e ditës që njihej si dita e fitores mbi fashizmin. Kjo për faktin se Shqipëria ishte në një zonë kohore të ndryshme nga ajo e Moskës, dhe se, kur në 8 maj 1945 në Berlin u nënshkrua së dyti akti i dorëzimit të Gjermanisë naziste, në Shqipëri dhe Tiranë kishte qenë po 8 maj, dhe jo 9 maj si në Moskë! E megjithatë Shqipëria vazhdonte të mbetej me orën e Kremlinit, si pas vitit 1945, ashtu dhe pas vitit 1961 dhe vitit 1968! Ky ishte një kumt i qartë që Enver Hoxha i jepte Moskës, se sido që të vinte puna Shqipëria do të ishte me të.
9 maji nuk është festuar në Shqipëri që nga dita e rënies së regjimit komunist. Tashmë këtë gjë do ta bëjë Edi Rama në vitin 2010! Sot, në vitin 2010, 9 maji është dita zyrtare e fitores mbi fashizmin në Rusi, Bjellorusi, Ukrainë, Serbi, Malin e Zi, Maqedoni. Për herë të parë që nga viti 1990, 9 maji do të festohet njëkohësisht në Moskë dhe në Tiranë. Kur PS erdhi në pushtet në 1997, ajo nuk guxoi që ta bënte drejtpërdrejt ditë përkujtimore 9 majin, por e bëri tërthorazi me anë të ligjit ligjit 8607, dt. 27. 4. 2000, «Për statusin e dëshmorit të atdheut», ku u njoh ligjërisht 9 maji si ditën ndërkombëtare të fitores mbi fashizmin. Pika ç e nenit 2 thotë se statusi i dëshmorit të atdheut u njihet: «shtetasve shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të ftohtit ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake deri më 9 maj 1945».
Atë që nuk e bëri PS gjatë tetë viteve që ishte në pushtet, pra që ta celebronte 9 majin, si ditë të fitores mbi fashizmin, tashmë po e bën Edi Rama. Politika e re e Edi Ramës del kështu të jetë e sinkronizuar me orët e Kremlinit. Nëse Edi Rama nuk e dinte debatin për 8-9 majin, ai bën mirë që ta korrigjojë gabimin që ka bërë dhe të mos e përmendë në mitingun e së dielës 9 majin si ditë të fitores mbi fashizmin. Në rast se Edi Rama megjithatë e bën këtë gjë, atëherë del se Edi Rama e ka bërë gjithçka me vetëdije, dhe se ai kërkon që ta sinkronizojë Shqipërinë me orët e Kremlinit. Të gjithë ata që nuk e besojnë këtë dhe u duket qesharake, kanë detyrimin që të na shpjegojnë se përse megjithatë kryetari i PS, në vitin 2010, është i sinkronizuar me orët e Moskës.
Nëse Edi Rama, duke kërkuar hapjen e kutive, ushtron të drejtën e tij për të bërë opozitë politike, duke njohur 9 majin si ditë të fitores mbi fashizmin ai bën opozitë gjeopolitike ndaj Perëndimit, dhe tregon se në të vërtetë nuk e do integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian.





