Një replikë me Mustafa Nanon për dosjet e Sigurimit të Shtetit, SHIK-ut të Gazededes, Klosit, Shaqirit, e disa gjëra të tjera


Nga Kastriot Myftaraj

    Ajo që më shty të replikoj këtë herë me Mustafa Nanon ishte para së gjithash një paragraf në shkrimin e tij me titull “Ballinjtë e Shqipërisë dhe Shqipëria e Ballinjve” (gazeta “Shqip”, 17 prill 2009, f.9). Paragrafi është si më poshtë:
    “Doni tjetër? Fahri Balliu ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit (më kujtohet që Dhori Sollaku i përmendte pseudonimin ‘ushtari’ në një debat televiziv, por Fahriu as nuk skuqej e as nuk zverdhej, a thua se po flitej për tjetër njeri), e megjithatë ai e ngre zërin më shumë se të gjithë të tjerët kundër spiunëve të Sigurimit të Shtetit”. (gazeta “Shqip”, 17 prill 2009, f.9)
     Kjo që thotë Mustafa Nano ka ndodhur në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, në Top Channel, në vjeshtën e vitit 2005, pak kohë pas ardhjes së Berishës në pushtet, kur ky i fundit kishte filluar të kritikonte fort Prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe Sollaku. Fahri Balliu ishte në emision si biçim përfaqësuesi i pikëpamjes së medias pranë mazhorancës. Ajo që të bën përshtypje në këtë episod që evokon Mustafa Nano është se Nano si atëherë dhe tash, nuk shqetësohet fare për aspektin tjetër jo më skandaloz, por monstruoz të shpërdorimit të pushtetit dhe dhunimit të institucioneve, që shfaqet në këtë episod. E kam fjalën për atë që Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, ditën për diell, si të thuash, se më saktë duhet thënë natën nën dritën e projektorëve para kamerave, bëri një gjest flagrant abuzimi me pushtetin për t’ i bërë shantazh një njeriu të medias. Sigurisht që Theodhori Sollaku e kishte mësuar pseudonimin e Fahri Balliut në Sigurimin e Shtetit, duke shfrytëzuar detyrën e tij si Prokuror i Përgjithshëm.
    Deri më atëherë pseudonimi i Fahri Balliut nuk kishte dalë në media dhe Theodhori Sollaku nuk kishte nga ta dinte përveçse nëse e kishte mësuar nga burime të tjera, duke shpërdoruar detyrën. Madje dhe sikur të kishte dalë në media pseudonimi, përsëri Prokurori i Përgjithshëm nuk mund ta përdorte, për shkak të detyrës së tij, se imagjinoni se në ç’ pozitë do të gjendej nesër një prokuror- vartës i Sollakut (Prokuroria është organ i centralizuar) në rast se Balliu do të bënte një kallzim në prokurori për median që kishte nxjerrë pseudonimin, kur kjo media do të mbrohej duke paraqitur si provë videoregjistrimin me delkaratën e Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe ç’ është më e keqja, Sollaku, të dhënat që kishte siguruar në mënyrë të kundërligjshme, duke shpërdoruar detyrën, tani po i përdorte për të mbrojtur postin e tij, duke bërë shantazh. Deklaratën e Sollakut në Top Channel mund ta përdorësh siç e përdorin paleontologët atë kockën e putrës së dinozaurit, të cilën pasi e gjejnë e përdorin për të skicuar përmasat e skeletit të kafshës gjigande. Pra, sa gjeste të ngjashme ka bërë Sollaku për të mbrojtur postin e vet, duke përdorur në mënyrë të kundërligjshme të dhënat që siguronte nga posti që mbante? Sollaku në atë emision na u shfaq si ai personazhi i filmit “Oktapodi”, Espinoza, i cili koleksiononte sekretet e pista të njerëzve të tjerë dhe i përdorte ato për të bërë shantazh.
    Mustafa Nano ka pasur të drejtë kur mbronte Sollakun dhe kritikonte Berishën se donte ta shtinte në dorë Prokurorinë e Përgjithshme, por Mustafa Nano ishte i njëanshëm kur nuk kritikonte Sollakun se përdorte postin e tij të lartë si Espinoza. Në atë emision Sollaku shfaqi të gjitha simptomat e narcisizmit për të cilin shkruante Andrea Stefani para pak ditësh, duke bërë “debat” me Mustafa Nanon po në gazetën “Shqip”. Sollaku u shfaq narcisist për shkak të atyre që dinte dhe mund t’ i përdorte për shantazh, për të mbrojtur postin e vet. Ky i Sollakut madje mund të quhet narcisizëm totalitar, siç i pëlqen Stefanit të shprehet, për shkak se atëherë sipas Kushtetutës mandate i Sollakut nuk kishte limit dhe aim und të rrinte në detyrë përjetësisht si Aranit Çela, mandati i të cilit u ndërpre vetëm nga rënia e diktaturës komuniste në vend.     
    Paragrafi tjetër në shkrimin e Mustafa Nanos që më ka shtyrë të shkruaj është ky:  
Po, ka dhe tjetër. Fahri Balliu ka punuar me SHIK-un e Gazidedes (e përjashtuan nga diplomacia si komunist, dhe Fahriu rihyri si agjent i Gazidedes), dhe është po ky kodosh, që tok me nja dy të tjerë si vetja e vet, kanë tentuar t‘u mbushin mendjen njerëzve (për të më denigruar, kuptohet) se Mustafa Nano ka qenë agjent i Gazidedes - ku? Shih pa shih! - mu atje ku ka shërbyer vetë Fahriu, në diplomaci (Hë, më thoni, nuk kemi të bëjmë me një racë të shpifur njerëzish?)”. (gazeta “Shqip”, 17 prill 2009, f.9)
    Fahri Balliun nuk e kanë përjashtuar nga diplomacia si komunist por për diçka tjetër të cilën Mustafa Nano e di mirë se në atë kohë punonte në Ministrinë e Jashtme. Sa për akuzën që i bëhet Mustafa Nanos se ka punuar për SHIK-un e Gazidedes kur ishte diplomat në Kroaci, më habit dhe më bën kureshtar fakti se indinjohet kaq shumë. A nuk ka qenë vetë Mustafa Nano, i cili që pas zgjedhjeve të vitit 1997 kur filloi të shkruajë tek “Shekulli”, për 12 vjet nuk ka rreshtur së thëni se në shtetin e “mujsharit”(term i Muçit) Berisha të viteve 1992-1995 gjithë pushtetet dhe institucionet qenë bashkuar në një dorë dhe përdoreshin prej mujsharit duke u përzier dhe mbivendosur. Kështu që duket e natyrshme që Muçin kur e çuan diplomat në Kroaci, ta thërriste më parë Gazidede dhe ta ngarkonte me detyra. Kuptohet se atë që nuk bindej Gazidede do ta dëbonte. Tash, ose gjërat kanë funksionuar kështu në regjimin e mujsharit, ose Muçi e ka gëlltitur atë lugën e çorbës së prishur në kuzhinën e Gazidedes. Pra, po të perifrazoj atë shprehjen italiane (O manghi questa minestra, o salti dalla finestra), ose Muçi ta hajë çorbën që ka gatuar vetë në shkrimet e tij 12 vjet, ose t’ i hedhë në koshin e plehrave të publicistikës shqiptare shkrimet e tij.
    Gjëja më ironike është se për Mustafa Nanon është një gjë shumë më e rëndë të vihej në shërbim të SHIK-ut të Gazidedes për misione politike, se ç’ do të ishte për Fahri Balliun. Se derisa Fahrit Gazidede mund t’ i bënte shantazh si Sollaku, Mustafa Nanos nuk mund t’ i bënte se ai nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kështu që ishte në pozitë shumë më të mirë për të refuzuar nëse donte. Se Mustafa Nano nuk ishte një i marrë peng, i lidhur nga dosja, që kalonte dorë më dorë, nga Sigurimi i Shtetit tek SHIK, siç i shesin pengjet ata piratët e Somalisë apo narkoguerrilët e Amerikës Latine, tek banditë të tjerë të specializuar në këtë biznis.
    Pastaj Mustafa Nano është i njëanshëm kur kritika e tij për shërbimin inteligjent ndalet tek SHIK-u i Gazidedes. SHIK-u i Fatos Klosit ka qenë shumë i keq. Kur në krye të SHIK erdhi Fatos Klosi, shërbimi u mbush plot me ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit, madje për rreth një vit nuk bënë as organika, por thjesht u rikthyen në punë të gjithë ata që qenë larguar, shpesh duke dubluar njëri-tjetrin, ndërsa pagesa u bëhej në mënyrë abusive, duke shfrytëzuar konfidencialitetin e veprimeve të shërbimit. A mund të besohet se SHIK-i i mbushur me ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit u bë një shërbim që nuk bënte represion politik, por po afrohej drejt standardeve perëndimore? A e harroi Mustafa Nano Fatos Klosin që para zgjedhjeve vendore të vitit 2000 hyri në selinë e PS me një dosje të kuqe në dorë, gjë që është fiksuar nga kamerat televizive?
    Mustafa Nano kishte të drejtë ta kritikonte Berishën, kur ky u rikthye në pushtet në 2005, se donte të shtinte në dorë SHIK (me ligj duhet thënë SHIK dhe jo SHISH), por Muçi ishte i njëanshëm kur nënkuptonte se SHIK me në krye Bahri Shaqirin që është dhe sot, ishte i pavarur nga politika. Se Bahri Shaqiri, kur erdhi në krye të SHIK, në 2004, ishte shef i kabinetit të kreut paraardhës të SHIK, Kujtim Hysenaj që vdiq ndërsa mbante këtë post. Bahri Shaqirin e solli në SHIK Kujtim Hysenaj. Bahri Shaqiri ishte punonjës në agjencinë ajrore në pronësi të Kujtim Hysenajt dhe ky e mori me vete në SHIK si shef kabineti. Nga ana e tij, Kujtim Hysenaj kur erdhi në krye të SHIK, në 2002, ishte këshilltar diplomatik i kryeministrit Nano. Kujtim Hysenaj kishte qenë oficer i Sigurimit të Shtetit dhe kishte mbajtur detyrën e rezidentit të Sigurimit të Shtetit në Misionin Shqiptar në OKB (Neë York), post që kishte detyra të posaçme ndaj diasporës shqiptare në SHBA, për shkak se Shqipëria nuk kishte ambasadë në Ëashington. Kështu, me Hysenajn SHIK bëri dhe një hap prapa, se tashmë edhe në krye të shërbimit u vu një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit.
    Duke vënë Bahri Shaqirin në vend të Hysenajt, kryeministri Nano, e çoi deri në ekstrem këtë skemë të kamariljes. Nëse është mirë që Berisha nuk e ka në dorë SHIK-un, a është mirë SHIK-u me në krye Bahri Shaqirin? A nuk pamë në zgjedhjet e vitit 2005 një qark të shkurtër mes SHIK dhe politikës kur motra e Bahri Shaqirit u bë kandidate për deputete e PS në pushtet, për asnjë meritë tjetër veç asaj se ishte motra e kryetarit të shërbimit sekret, të emëruar nga kryetari i partisë në fjalë? Pse Mustafa Nano dhe Andrea Stefani ndihen të qetë me këtë njeri në krye të SHIK, ende dhe sot, në 2009.   
    Një gjë tjetër në shkrimin e Mustafa Nanos që më shtyn ta komentoj (unë mendoj se debati publik shqiptar ka nevojë pikërisht për atë që ironizon Edi Rama, komentimin e komenteve, që të lëvizin pak ujrat e ndenjura në këtë “debat”), është ajo kur Mustafa Nano ve kujën se në Shqipëri, një njeri si Fahri Balliu është botues i një gazete. Unë, dhe për këtë mund të më quajnë cinik, por në këtë rast kam prirjen të shikoj gjysmën plot të gotës. Me këtë dua të them se Fahri Balliu është i keq, siç thotë Mustafa Nano, por së paku e keqja që përfaqëson Fahri Balliu është një e keqe e matshme, e kalkulueshme, një e keqe që shfaqet. Dhe në tranzicion ky është një hap para. Ne së paku e dimë se kush është pronari i gazetës “55”. Emri i botuesit dhe pronarit, Fahri Balliu është shkruar në ballinën e kësaj gazetës. Kështu që ne mund të kalkulojmë të keqen që përfaqëson Balliu me implikimin e tij në afera.
    Por ka dhe një të keqe tjetër në botën e medias shqiptare, e cila është e përfaqësuar nga disa sojsëzë (po të përdor një term të Muçit), një të keqe, e cila është edhe më e keqe, për shkak se është e pamatshme, e pakalkulueshme, aferat e së cilës ne nuk mund t’ i përcaktojmë, argumentojmë, siç ndodh në rastin e Balliut, se këta sojsëzë të tjerë nuk dalin publikisht si pronarë të mediave që kanë në pronësi, por veprojnë by proxy. Në rast se shkruan për këta sojsëzë me maskë ashtu shkruan Muçi për Fahri Balliun, atëherë të thonë se po bën teori konspiracioni. Ndërsa në rastin e Fahriut, Mustafa Nano ka luksin të mos ketë nevojë për të bërë teori konspiracioni, se Balliu e ka emrin në ballinën e gazetës “55”.   
    Për mua më të këqinj janë atë “Fahri Ballinjtë” me maskë, të cilët fshehin pronësinë mbi mediat. Unë mediat në Shqipëri i ndaj në ato ku emri i pronarit është në ballinën e gazetës, ose kur pronarët e televizioneve dalin publikisht, dhe në ato ku këta njerëz fshihen. Ishte qesharake kur pamë para pak kohësh Mero Bazen kur u tregonte policëve tek dera e ndërtesës që kishte marrë me qera nga shteti për redaksinë e gazetës “Tema” një vendim gjykate ku si qeramarrës nuk figuronte emri i tij por i një të afërmi të tij, të cilin Mero e përdorte për të fshehur veten. Vetë Mustafa Nano shkruan për Fahri Balliun në gazetën “Shqip”, në ballinën e së cilës nuk është i shkruar emri apo emrat e pronarëve. Gjithashtu, Mustafa Nano bën një emision në një televizion për të cilin nuk dihet se kush është pronari, se ai që na u paraqit, me letra kishte vetëm 40% të aksioneve. Edhe gazeta, ose më saktë revista “The Economist”, aq e dashur për Muçin, ka probleme të tilla, se ajo dihet që është pronë e familjes Rothschild, e cila zotëron zyrtarisht një pjesë të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër e zotëron by proxy.
    Në përmbajtjen e shkrimit të Mustafa Nanos, me titullin e gjetur “Ballinjtë e Shqipërisë dhe Shqipëria e Ballinjve”, mungon edhe një tjetër kategori sojsëzësh “Ballinj”. Se në këtë vend, “Ballinj” nuk ka vetëm Sali Berisha. “Ballinj” ka edhe Edi Rama, por ka edhe Bamir Topi, por ka edhe Prokurorja e Përgjithshme, ashtu siç kishte edhe Sollaku “Ballinjtë” e vet, në kohën që vinte në lojë Fahri Balliun. Dhe ç’ është më shqetësuese edhe Ina Rama i ndëshkon ata vartës të saj që donin të prishnin skemat e “Ballinjve” të Sollakut. Do t’ i tregoj Muçit një gjëagjëzë për një “ Fahri Balli” të Sollakut emrin e të cilit ai nuk e ka të vështirë ta gjejë. Parapak vjetësh, kur Sollaku ishte ende kryeprokuror, ai thirri ish-kryeprokurorin e krimeve të rënda dhe i kërkoi që t’ i sillte dëshminë e një të arrestuari pentito që kishte zbuluar një aferë të majme kontrabande. Personi në fjalë e kishte dhënë dëshminë pasi kishte marrë premtimin e hetuesit (po përdor një term që nuk ekziston më procedurialisht) me fjalë burri se emrin e tij do ta mbanin sekret deri në gjykim, dhe pasi t’ i plotësonin disa kërkesa të arsyeshme dhe ligjore për sigurinë e familjes, ai do të dëshmonte në gjyq.
    Por, ndodhi që, ditën e enjte kryeprokurori i krimeve të rënda i kërkon hetuesit letrën me dëshminë, ndërsa ditën e shtunë ajo botohet në gazetën e një mikut të Sollakut, e cila gazetë sot nuk del më. Hetuesi në fjalë protestoi fort para , por çështja u mbyll. Si ndëshkim, Sollaku nuk e mori parasysh kërkesën që kishte bërë hetuesi për t’ u bërë prokuror. Më pas, kur erdhi në vend të Sollakut Ina Rama, i çoi fjalë hetuesit të çështjes se kërkesën e tij nuk kishte ndërmend ta pranonte, duke nxjerrë një pretekst për shkollimin e tij (edhe pse ai ishte diplomuar jurist dhe Ina Rama kishte si numrin dy në Prokurorinë e Përgjithshme Zamir Shtyllën me shkollë të mesme të mbaruar natën dhe me juridik me korrespondencë të bërë pas shkollës së Sigurimit të Shtetit), kështu që ai dha dorëheqjen. Qartësisht qëndrimi i Ina Ramës ishte hakmarrje për llogari të Sollakut. Si t’ ia bëjmë me këta sojsëzë-Ballinj o Muçi që nuk janë të Berishës por të krerëve të pushteteve “të pavarura”?
    Në fund të shkrimit, Mustafa Nano, për të justifikuar përdorimin prej tij të fjalëve të pista ndaj Balliut, sjell një pasazh nga Faik Konica kur ky polemizon me Shahin Kolonjën. Në fakt Mustafa Nano mund të kishte sjellë si shembull ndonjë pasazh nga publicistika e dikurshme e Edi Ramës, i cili u mburr para pak kohësh në “Top Story” se ende është i paarritshëm në publicistikën shqiptare (si i shpëtoi Andrea Stefanit ky rast narcisizmi), se Edi Rama, sa u përket fjalëve të pista është vërtet i paarritshëm në atë që me indulgjencë po e quaj publicistikën e tij.   
kmyftaraj@yahoo.com