Nga Kastriot Myftaraj
Gazeta “Sot”
17 mars 2009
Albin Kurti, në shkrimin “Kur braktiset e drejta jonë për fuqinë e tjetrit”, të botuar në gazetën “Shqip”, në 14 mars 2009, paraqet versionin e vet të dilemës së marrëdhënieve mes shqiptarëve të Kosovës dhe SHBA. Në një pikëpamje të sigurt, në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ekzistojnë dilema, të cilat vlejnë për të gjithë shqiptarët, në dyja anët e kufirit, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Republikën e Shqipërisë, pjesën shqiptare të Maqedonisë, Malin e Zi, Luginën e Preshevës. Në pikëpamjen e Albin Kurtit, dilema në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane paraqitet kështu:
“Në kohën kur SHBA-të nuk janë më perandori në kulmin e saj, në kohën kur po ringjallen perandori të tjera si Rusia e Kina, por edhe po lindin fuqi si Brazili e India, në kohën kur bota po bëhet ngadalë, por sigurt multipolare, në kohën kur edhe BE-ja po përpiqet që të bashkohet politikisht për ta zënë një vend sa më të mirë në skenën botërore, të jesh ‘sui generis‘, të mbështetesh ekskluzivisht dhe madje edhe për çështje shumë të brendshme në njërën prej perandorive është gabim që do ta paguajnë sidomos gjeneratat që vijnë. SHBA-të nuk mund t‘i prishin gjithnjë marrëdhëniet e tyre me BE-në e perandoritë e tjera për neve. Konsolidimi ynë i brendshëm politik dhe ekonomik, pra integriteti territorial, sovraniteti dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë çështje tonat për neve. Ato jo vetëm që nuk na i realizon dikush tjetër në vend tonin, por kanë rrezik të shndërrohen në monedhë për kusuritje ndërmjet perandorive. Mjafton ta kujtojmë mospërkrahjen fillestare të SHBA-ve ndaj 6 Pikëshit, që më vonë u shndërrua në përkrahje të plotë dhe presion mbi qeverinë e Kosovës, sepse SHBA-të, thjesht, nuk donin konfrontim me perandoritë e tjera (posaçërisht jo në kohën kur i kishin zgjedhjet e tyre)”. (gazeta “Shqip”, 14 mars 2009, f. 8)
Albin Kurti nuk e thotë, por ai në fakt reflekton një postulat strategjik që ka lënë për Serbinë në “Naçertanje”- programin nacional serb- Ilia Garashanin, sipas të cilit postulat, Serbia nuk duhet të mbështetet vetëm tek Rusia, por dhe tek fuqitë perëndimore, Britania e Madhe dhe Franca, në mënyrë që Rusia të mos mundë të luajë me interesat nacionale serbe. Sigurisht që nga armiku mund të mësosh, siç bën Albin Kurti me Ilia Garashaninin, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse zbatojmë postulatin e Garashaninit, të cilin e ka në mendje Albin Kurti pa e thënë, në marrëdhëniet e Kosovës, apo edhe të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, me SHBA, atëherë do të kishim këtë tablo: Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të mbështeten vetëm tek SHBA, si aleat strategjik, se SHBA mund t’ i përdorin si monedhë këmbimi në tregun gjeopolitik, por duhet të mbështeten edhe tek fuqi të tjera të mëdha, në mënyrë që të kundërbalancohet cdo tentim amerikan për të luajtur me Kosovën, si dhe nw mwnyrw qw Kosova tw mund tw sigurojw ndihmw pwr tw prosperuar ekonomikisht. Është e qartë se Kurti shpreh këtu pezmin dhe zhgënjimin e shqiptarëve të Kosovës për atë që SHBA nuk po i ndihmon ekonomikisht, gjë që ata e prisnin madje shumë më tepër se në kohën e Jugosllavisë së Titos.
Fuqitë e mëdha që mbeten për ta luajtur rolin që thotë Kurti janë Bashkimi Europian, domethënë vendet kryesore të tij si Gjermania dhe Franca, si dhe Rusia, Kina, India e Brazili, të cilat i përmend Kurti. Albin Kurti ka detyrimin që të shprehet konkretisht, si Garashanin, dhe të thotë se cilën fuqi tjetër të madhe duhet të ketë si aleat strategjik Kosova, në mënyrë që të krijohet balanca dhe ky raport të pengojë SHBA që ta përdorin Kosovën si monedhë këmbimi në tregjet gjeopolitike, pas të gjitha gjasave në marrëdhëniet me Rusinë. Në fakt nuk ekziston asnjë fuqi e tillë, kundërbalancuese, se Franca dhe Gjermania nuk do t’ i hynë kurrë aventurës së kundërbalancimit të SHBA në Kosovë, në dobi të shqiptarëve, dhe e sponsorimit të prosperimit ekonomik të Kosovës shqiptare, e gjitha kjo në dëm të Rusisë e Serbisë, dhe aq më pak Kina. Unë nuk besoj se Albin Kurti ka ndonjë aluzion se rolin që ai përmend, mund ta bëjnë India ose Brazili. Albin Kurti jep një postulat strategjik, pa përballuar konsekuencat e tij as verbalisht, çka e bën shumë ironike kritikën e Albin Kurtit ndaj politikanëve të Kosovës, të cilët i qorton se nuk bëjnë veprimet që duhet të bëjnë.
Postulati strategjik i Garashaninit, edhe pse ky i fundit ishte shumë më serioz se Kurti në përpunimin e tij, u verifikua absurd dhe e çoi Serbinë në krahët e armikut të saj Austro-Hungarisë. Ajo që propozonte Ilia Garashanin në Naçertanien e tij, ishte zbatimi i parimit të ekuilibrit të forcës në marrëdhëniet e fuqive të mëdha me Serbinë, në një raport ku Serbia do të luante rolin e Britanisë së Madhe, krijueses dhe zbatueses së parimit të ekuilibrit të forcës në Europën e pas Paqes së Vestfalisë. Në fakt ky postulat i Garashanin tregon delirin e madhështisë së Serbisë. E vërteta është se sa kohë që Britania e Madhe e shikonte Rusinë si kërcënimin më të madh strategjik ndaj imperisë koloniale britanike, dhe e pa si të tillë deri në fillim të shekullit XX, kur filloi të perceptonte Gjermaninë si kërcënim më të madh, postulati strategjik i Naçertanies për aleancat nuk mund t’ i sillte Serbisë gjë tjetër veç mosbesimit të të tre palëve, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, çka edhe ndodhi. Franca kishte nevojë për aleancën me Rusinë, në mënyrë që të kundërbalanconte armikun e saj, Gjermaninë, dhe Franca nuk mund t’ i lejonte vetes luksin që të prishej me Rusinë për hir të Serbisë, siç postulonte Garashanin.
Kur Serbia i kërkoi Rusisë përfitime territoriale në dëm të Imperisë Osmane, pas Luftës Ruso-Osmane të viteve 1877-1878, nga Rusia erdhi përgjigjia, shumë pezmatuese për serbët, se të parat janë interesat e Rusisë, të dytat të Bullgarisë dhe pastaj vijnë ato të Serbisë. Sigurisht që ky ishte reagimi rus për “Naçertanien”, të cilën rusët sigurisht që kishin arritur ta shtinin në dorë. Në anën tjetër, Britania e Madhe dhe aq më pak Franca , nuk kishin ndërmend të hynin në konflikt me Rusinë për interesat e Serbisë. Atëherë Serbia e fyer u afrua me armikun e Rusisë, Austro-Hungarinë, pra me botën gjermanike, të cilën e shikonte si pengesën më të madhe për realizimin e aspiratave nacionale serbe, për zgjerimin territorial të Serbisë. Ky ishte konfirmimi i absurditetit të Naçertanies.
Albin Kurti nuk e le pa e përmendur Rusinë në fuqitë e mëdha, dhe nuk e përjashton atë shprehimisht si kundërbalancuese të SHBA, sa i përket Kosovës. Kjo është simptomatike për mendimin e Kurtit, i cili nuk është çudi që ta çonte Kosovën në krahët e Rusisë në rast se zbatohej, ashtu siç e çoi Serbinë në krahët e Austro-Hungarisë dikur. E vërteta e pamohueshme është se Kosova, ashtu edhe Republika e Shqipërisë, nuk kanë alternativë në aleancën strategjike me SHBA. Nëse nuk do të ishte për SHBA, jo vetëm Kosova do të spastrohej përsëri nga shqiptarët dhe do të aneksohej nga Serbia , por edhe Republika e Shqipërisë do të ndahej mes Serbisë dhe Greqisë, në lumen Drin ose Mat. Kjo gjë mund të kishte ndodhur në të shkuarën e afërt, në 1997 në Republikën e Shqipërisë, kjo gjë në fakt ndodhi në Kosovë në 1999, dhe mund të ndodhë nesër në çdo moment që të jetë e mundur, të të dy vendet.
Për të vazhduar analogjinë e mendimit të Kurtit me të Garashanin , Serbia pasgarashaniniane, e zhgënjyer nga Rusia mund t’ i lejonte vetes që të afrohej me Austro-Hungarinë, ekuivalentin e Rusisë për Kosovën e sotme. Serbia mund ta bënte këtë lojë pa pasur frikë se pësonte rreziqe në të ardhmen e afërt, se fqinjët e saj të cilët i perceptonte si burim rreziqesh, Imperia Osmane dhe Bullgaria, nuk pritej që të cënonin status quo të vendosur nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit, duke sulmuar Serbinë. Mandej, tekefundit, serbët e kishin të qartë se, nëse Serbia do të rrezikonte të mbytej nga përqafimi i Austro-Hungarisë, Rusia do të ndërhynte për ta shpëtuar. Përndryshe, shqiptarët e Kosovës as që mund t’ i lejojnë vetes luksin e përqafimit jo më me fuqinë e madhe armike, sic bëri Serbia dikur, por as edhe me një fuqi tjetër të madhe, të perceptuar si aleat kundërbalancues i SHBA. Ky do të ishte thjesht një iluzion i marrë dhe i rrezikshëm, madje është i pamundur.
Në aleancën e shqiptarëve në dy anët e kufirit me SHBA nuk ka dilema fundamentale. Dilema e vetme është nëse SHBA, nën influencën e lobeve armiqësore ndaj shqiptarëve të cilët veprojnë në këtë vend të madh, e shikojnë aleancën me Kosovën dhe Shqipërinë si taktike dhe jo si strategjike. Pra, dilema është nëse SHBA i shohin shqiptarët në dy anët e kufirit si pjesë të një bastioni të ardhshëm proamerikan në rajon, në formën e një shteti të bashkuar nacional shqiptar, apo vetëm si partnerë që mbahen në në nivelin e shteteve të dështuara, në mënyrë që, së bashku me vende të tjera të Ballkanit, të përbëjnë probleme për rivalin global të SHBA, Bashkimin Europian. Në një situatë të tillë, Kosova, por edhe Shqipëria, do të jenë në perspektivë një pre e lehtë për Serbinë dhe Greqinë, dhe si pasojw do të zhduken krejt nga harta.
Çështja është se a kemi fuqi ne shqiptarët që ta bëjmë SHBA të reflektojë mbi partneritetin me Kosovën dhe Shqipërinë, duke e sjellë atë në favorin tonë? Unë mendoj se ne kemi mundësi ta bëjmë këtë, duke zbatuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane një doktrinë gjeopolitike që unë e quaj “Doktrina e Iriqit”. Iriqi është një kafshë e vogël, por kur përballet me kafshë të mëdha, mblidhet kruspull dhe tregon gjembat. Të njëtën gjë duhet të bëjmë dhe ne ndaj SHBA. Sigurisht që këtë nuk pritet ta bëjnë qeveritarët në tiranë e Prishtinë, por duhet ta bëjmë ne të tjerët, me një fushatë të atij që unë e quaj antiamerikanizëm konstruktiv taktik. A është në gjendje Kurti që ta bëjë këtë gjë?
Për të vazhduar analizën e analogjisë së mendimit të Kurtit me Naçertanien, rikthimi i Serbisë në aleancën me Rusinë, si dhe ndërtimi i aleancës garashaniniane me Britaninë e Madhe dhe Francën, i është atribuar gjenialitetit të Pashiçit, i riardhur në pushtet në krye të radikalëve në fund të shekullit XIX. Në fakt kjo gjë u bë e mundur vetëm kur Rusia, Britania e Madhe dhe Franca u bënë aleatë në fillim të shekullit XX. Madje edhe atëherë nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se Britania e Madhe dhe Franca donin të bënin diversion në marrëdhëniet ruso-serbe, qoftë edhe për ta përdorur Serbinë në ndonjë lloj mënyre si quid pro quo (kundërshpërblim) në marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Sot dhe në të ardhmen nuk pritet që të ketë një situatë në të cilën do të funksionojë për Kosovën formula e Garashanin, ashtu si është përshtatur nga Kurti, pra që të ketë një aleancë të ngjashme, të SHBA dhe të fuqive të tjera të mëdha europiane, Gjermanisë dhe Francës, kundër Rusisë, dhe ku Gjermania e Franca do të kenë interes që ta përdorin Kosovën edhe si peshë kundërbalancuese në marrëdhëniet e tyre me SHBA.
Gjermania dhe Franca , thjesht nuk e perceptojnë sot, dhe nuk ka gjasa që ta perceptojnë në të ardhmen e imagjinueshme, Rusinë si një kërcënim për to, sic ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë. Madje e kundërta ka gjasa, që Gjermania dhe Franca që gjithsesi e ndjejnë veten të afta për të përballuar rrezikun e Rusisë, i cili nuk ka gjasa të vijë, të bashkëpunojnë me Rusinë për t’ u liruar nga përqafimi i SHBA, që pas Luftës së Ftohtë perceptohet si përqafim prej boa konstriktor. Në kohën e sotme pra, propozimi i Albin Kurtit është nonsens.
Kur lexon shkrimin e Albin Kurtit, nuk mund të mos kesh një shije të hidhur kur shikon se edhe një intelektual shqiptar i Kosovës, që e qorton të gjithë në klasën politike dhe intelektuale të Kosovës se nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë, por veprojnë sit ë hipnotizuar nga ndërkombëtarët, megjithatë edhe vetë ka kufizime, të cila nëse janë pasojë e kapacitetit të tij intelektual, do të ishte shfajsim për të, edhe pse do të ishte gjithsesi një simptomë e intelektualit shqiptar të Kosovës.





