Enigma e madhe e arrestimit dhe e lirimit të Rezart Taçit, dhe paniku i ambasadorit amerikan e Bamir Topit



Nga Kastriot Myftaraj

      Lirimi i Rezart Taçit pas një letërkëmbimi me ambasadorin amerikan e bën edhe më të madhe enigmën e arrestimit të tij, dhe mënyrën se si u procedua për arrestimin e Rezart Taçit nga prokuroria dhe gjykatat shqiptare të kontrolluara, by proxy, nga ambasadori amerikan, me anë të Bamir Topit, Kreshnik Spahiut dhe Ina Ramës.
      Duhej pritur që për shkak përmasave që iu dha incidentit mes Mero Bazes dhe Rezart Taçit, drejtësia shqiptare të tregohej maksimalisht e kujdesshme në trajtimin e Rezart Taçit pas arrestimit të tij, për të dhënë përshtypjen se vërtet Rezart Taçi ishte ndaluar dhe arrestuar, por procedurat juridike nëpër të cilat do të kalonte ai qenë mëse korrekte. Unë jam mëse i sigurt se kështu do të kishin dashur të bënin ata që qëndrojnë pas arrestimit të Rezart Taçit, ambasadori amerikan Withers dhe Bamir Topi. Por megjithatë nuk vepruan kështu. Si seanca gjyqësore ku u vlerësua masa e sigurimit ndaj Rezart Taçit, që ishte burgim pa afat, ashtu edhe seanca gjyqësore ku u kërkua rishikimi i masës së sigurimit, dhe ku u la në fuqi arresti me burg pa afat, u bënë pa praninë e mediave, për shkak të vendimit të marrë nga gjyqtarja Fahrije Budo.
      Unë jam plotësisht i sigurt se kjo gjyqtarja, Fahrije Budo, nuk do të guxonte kurrë që të ndalonte mediat të merrnin pjesë në seancat gjyqësore të Rezart Taçit. Se ndalimi i mediave do t’ i quhej si dhunë ndaj mediave, e ngjashme me atë që supozohej se kishte ushtruar Rezart Taçi ndaj Mero Bazes. Gjyqtarja Fahrije Budo mund të vendoste për të mos lejuar praninë e mediave në seancat gjyqësore të Rezart Taçit vetëm nëse atë e kishin udhëzuar që të vepronte kështu. Dhe ky udhëzim nuk mund të vinte nga adresë tjetër përveçse nga Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan. Pra kemi të bëjmë me një dhunim të trefishtë, të të drejtave të Rezart Taçit, lirisë së mediave dhe pavarësisë së gjykatave. Përse u bë kjo shkelje? Këtu qëndron enigma e madhe e arrestimit të Rezart Taçit.
      Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan nuk mund të vepronin ndryshe se ata i kishte rrëmbyer paniku nga ajo që mund të ndodhte në seancën gjyqësore ndaj Rezart Taçit, do të thotë nga fjalët që mund të thoshte Rezart Taçi në seancën gjyqësore dhe që mediat do t’ ia përcillnin publikut. Rezart Taçi mund të thoshte diçka që do të shkatërronte karrierën e Bamir Topit dhe të ambasadorit amerikan. Rezart Taçi mund të thoshte diçka për zgjedhjen e Bamir Topit në postin e presidentit. Rezart Taçi mund të thoshte diçka për ambasadorin amerikan, diçka që ky i fundit nuk do të donte që të bëhej publike. Kështu që mënyra se si u zhvilluan seancat gjyqësore në ngarkim të Rezart Taçit tregon se nga njëra anë Rezart Taçi ishte rrëmbyer nga Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan, por në anën tjetër Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan ishin (janë) peng i Rezart Taçit.
      Kjo gjë e bën edhe më të qartë faktin se Mero Baze u përdor për të krijuar situatën për arrestimin e Rezart Taçit. Kjo u kuptua kur ambasadori amerikan në takimin me gazetarët në ambasadën amerikane nuk kishte në krah Meron, i cili ishte shkaku i mbledhjes, por ky i fundit qe ulur shumë larg tij. Kjo ishte një gjë kuptimplotë. Ambasadori amerikan e ka të qartë se Mero Baze nuk duhet të rrijë në krah të tij, pavarësisht se çfarë aureole i vishet Meros. Fakti që ambasadori amerikan nuk e mori Meron në krah me gjithë atë propagandë prej martiri mediatik që u ngrit rreth personit të Meros, është shfajësimi më i mirë moral për Rezart Taçin. Fakti që ambasadori amerikan nuk e mori në krah Mero Bazen në takimin me gazetarët në ambasadë duhet si një gjë më e rëndë e bërë ndaj Meros se shpullat që ky pretendon se i dha Rezart Taçi dhe rojet e tij. Por Mero Baze nuk fyhet dhe as poshtërohet se ai nuk e quante për fyerje dhe poshtërim kur bashkë me Ylli Rakipin shkonin në zyrat e Vehbi Alimuçës dhe Rrapush Xhaferrit për të marrë para për gazetën “Albania” dhe bosët e firmave piramidale i vinin të kërcenin dhe pastaj i shpërndanin tufat e dollarëve në ajër dhe i detyronin që t’ i mblidhnin në dysheme këmbadoras nën tingujt e orkestrës.
      Letërkëmbimi, i bërë publik, mes Rezart Taçit dhe ambasadorit amerikan, ishte ekuivalenti i bisedës mes ambasadorit amerikan dhe Fatmir Mediut ditën kur Kuvendi i hoqi imunitetin Fatmir Mediut, me kërkesën e Ina Ramës. Atë ditë, Mediu shkoi afër mesnatës në rezidencën e ambasadorit amerikan, pasi ky nuk ia kishte hapur telefonin gjatë gjithë ditës. Mediu i kërkoi një takim urgjent ambasadorit amerikan. Ambasadori amerikan i ktheu Mediut me anë të rojes, përgjigjen, në thelb të ngjashme me atë në letrën për Rezart Taçin, se nuk mund ta priste në atë orë, dhe se Mediu duhej t’ u drejtohej autoriteteve kompetente shqiptare për ato që kishin të bënin me cështjern e tij. Atëherë Mediu i dorëzoi rojes një zarf të mbyllur për ambasadorin, të cilin ai duhet ta hapte në moment. Zarfi përmbante një videoregjistrim të një bisede mes Mediut dhe ambasadorit, që e bëri këtë të fundit  të dilte me vrap tek dera në brekë, i rrëmbyer nga paniku, dhe ta siguronte Mediun se sa të ishte ai në Tiranë nuk do të arrestohej.
      Ironia më e madhe e procesit ndaj Rezart Taçit, që supozohej të ndëshkohej për dhunimin e gazetarëve, ishte se gazetarët qenë të dhunuarit më të mëdhenj në këtë process nga prokuroria dhe gjykata, deri edhe nga ambasada amerikane. Nëse Andi Bushati, Mustafa Nano, Andrea Stefani dhe gazetarët e tjerë të cilët shkuan në ambasadën amerikane së bashku me ta, për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit diplomatik të Meros, nuk do të qenë ata që janë, ishte dashur të qenë ndjerë të fyer nga mënyra si i trajtuan, kur hynë në ambasadën amerikane. Marinsat i kontrolluan tre herë derisa hynë tek salla ku do të mbahej takimi me ambasadorin. Biks Aliu u justifikua me masat e posaçme që janë marrë për t’ u mbrojtur nga terrorizmi. Gazetarët e ftuar u detyruan që të heqin këpucët dhe të qëndrojnë për disa momente në çorape, një simbolikë kuptimplotë kjo, po të kihet parasysh se së bashku me ta ishte edhe Mero Baze, ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Çorapja”. Mustafa Nano pati probleme shtesë për shkak se dedektori jepte sinjal për një send metalik që e kishte ai me vete dhe që nuk dinte ta shpjegonte se ç’ ishte. Më në fund u kujtua se kur kishte qenë në Amerikë kishte blerë një medaljon me fytyrën e Noam Chomsky-t të cilin e mbante me vete për t’ i sjellë fat.
      Kur gazetarët e ftuar u ulën përballë ambasadorit amerikan, ata tashmë qenë kontrolluar njëlloj sikur të kishin qenë të arrestuar që po hynin në burgun e Guantanamos. Dhe të mendosh që kishin shkuar të dëgjonin një leksion për lirinë e medias nga ambasadori amerikan. Në fund të sallës rrinin marinsat me krahët e kryqëzuar në gjoks, të cilët nuk ia ndanin sytë Andrea Stefanit, se kompjuteri i ambasadës, kushedi për ç’ anomali, kishte vënë një pikëpyetje para fotografisë së tij të marrë nga skaneri i kontrollit, duke nxjerrë fotografinë e Bin Ladenit. Në kohën që marinsat do ta shtrinin në tokë Andrea Stefanin, ndërhyu Biks Aliu dhe kërkoi që kontrolli të përsëritej edhe një herë. Këtë herë gjithçka rezultoi në rregull. Sikur të mos ishte treguar aq i shpejtë Biks Aliu, takimi në ambasadën amerikane, i thirrur për tre shpullat e supozuara që mori Mero Baze, do të përfundonte me reduktimin e Andrea Stefanit në një masë amorfe. Tashmë të gjithë mund të dëgjonin “të qetë” ambasadorin amerikan të fliste për lirinë e medias.
      Ambasadori amerikan, i cili në takim u shtir i skandalizuar nga ajo që tha Aleksandër Frangaj se Mero Baze duhet rrahur tre herë ditën, nuk e gjeti me vend t’ u shpjegonte gazetarëve të ftuar se përse që të hyrja e ambasadës dhe deri tek salla u kontrolluan tre herë, sikur të qenë kriminelë të Guantanamos, një ngjashmëri kjo që bëhej edhe më e madhe po të mendosh se hynë në një ndërtesë të rrethuar me dy palë mure betoni si të një burgu të sigurisë së lartë. Ky ishte dhunimi më i madh që iu bë gazetarëve të ftuar, i cili nuk mund të krahasohet me fjalët që tha Aleksandër Frangaj. E gjithë kjo nuk mund të justifikohet me masat e mbrojtjes nga terrorizmi, se përrallën e përhapur në 1998 se Bin Laden donte të hidhte në erë ambasadën amerikane në Tiranë tashmë nuk e beson më as vajza e vogël e Biks Aliut. Tashmë u bënë tetë vjet që amerikanët janë në Afganistan dhe Bin Laden nuk po kapet në shpellat ku fshihet. Sikur të kishin çuar Mark Dodanin, i cili ka përvojë sigurimse me forcat e ndjekjes, me siguri që do ta kishte kapur. Për ndihmë mund t’ i kishin dhënë edhe Mehdi Bushatin dhe të atin e Arban Hasanit, i cili ka qenë oficer i Sigurimit të Shtetit në Vlorë.

2009
kmyftaraj@yahoo.com