Berisha dhe politikanët tropojanë në PD


Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
29/30 prill, 1 maj 2009

    Pluralizmi politik në Shqipëri në dhjetor 1990 ishte rezultat i një marrëveshjeje mes Ramiz Alisë dhe amerikanëve. Kur Ramiz Alia e pa se nuk kishte nga t’ ia mbante dhe ishte i detyruar që të bënte pluralizmin politik, atëherë loja e tij ishte që t’ u thoshte amerikanëve se ai mund të bënte pluralizmin politik, por nuk mund të bënte që shqiptarët të votonin për një parti të madhe opozitare me PPSH. Loja e Ramiz Alisë ishte që PPSH, e cila pritej të shndërrohej, së paku në letër, në një parti të majtë të llojit perëndimor, të dilte nga zgjedhjet pluraliste si e vetmja parti e madhe në vend, duke mbetur politika shqiptare njëpolare. Kështu PPSH, më pas e shndërruar në PS, do të rrinte gjatë në pushtet.
    Amerikanët e dinin se që të kishte kuptim pluralizmi politik në Shqipëri, duhet të kishte një parti tjetër të madhe opozitare me PPSH. Që të kishte një parti të madhe opozitare në Shqipëri, duhej që të dilte një lider i aftë për këtë gjë. Ky lider duhet të ishte verior, jo vetëm se opozita duhet të kompensonte dhe deficitin e veriorëve në lidershipin politik gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist, por edhe që të ishte më atraktiv për shqiptarët e Kosovës, ku ishte përqëndruar interesi amerikan, sa i përkiste hapësirës shqiptare, në dy anët e kufirit.
    Zhvillimet e mëpasme politike në Shqipëri, që nga dhjetori i vitit 1990 e tutje, treguan se Berisha kishte qenë i përzgjedhuri i amerikanëve mes intelektualëve shqiptarë me origjinë veriore, të cilët kishin cilësitë për t’ u bërë lider politikë opozitarë. Në këto cilësi përfshihej karizma, por edhe autoritarizmi, se amerikanët e dinin mirë se një lider politik që të mbajë një parti të madhe, duhet të jetë autoritar. Sigurisht që Berisha ishte komunist, por kjo nuk u prishte punë amerikanëve, madje shikohej si një përparësi, se ata llogarisnin që duke qenë në krye të partisë opozitare një njeri që deri dje do të kishte qenë komunist, kjo do të çante bllokun e elektoratit që pritej të votonte për PPSH, dhe që përbëhej prej 200 mijë anëtarë dhe kandidatë tëe PPSH dhe familjet e tyre, çka do të thoshte rreth 1 milion vota. Tekefundit amerikanët nuk kishin shumë zgjedhje, se nga krahu antikomunist, i shtypur nga regjimi, nuk kishte intelektualë të aftë për të marrë rolin e liderit. Fakti se që atëherë deri më sot nga ish-të persekutuarit nuk ka dalë një person me cilësitë e liderit politik, tregon se përzgjedhja e Berishës ishte pa alternativë.
    Në vjeshtën e vitit 1990, amerikanët, të cilët me mënyrat e tyre kishin përzgjedhur Berishën, ia bënë të qartë Ramiz Alisë se Berisha duhet të ishte njeriu që duhet të lançohej si lider i opozitës. Kjo i prishte planet e Ramiz Alisë i cili synonte që të mos lejonte një parti të madhe opozitare me PPSH, por vetëm parti të vogla. Prandaj Ramiz Alia u përpoq që të lançonte si lider të opozitës një tjetër person nga Tropoja, Azem Hajdarin, të cilin llogariti ta bënte rivalin e Berishës në PD. Në dhjetor 1990 Azem Hajdarit as që i kishte shkuar ndërmend që të vihej në krye të protestave studentore për të përmbysur regjimin komunist, derisa nuk e thirrën që të zbatonte skenarin e Ramiz Alisë. Në fakt Azem Hajdari nuk ishte lider i lëvizjes studentore, se realisht nuk pati një lider të saj.
    Nga protestat studentore doli PD, në të cilën Azem Hajdari u katapultua si kryetar i Komisionit nismëtar, domethënë kryetar i përkohshëm i partisë. Katapultimi i Azem Hajdarit u bë për të evituar Ramiz Alia që të përmbushte premtimin që u kishte dhënë amerikanëve se në krye të PD do të dilte Sali Berisha. Berisha ishte vetëm një nga 16 anëtarët e komisionit nismëtar, që votoi për Azem Hajdarin. Ata që e votuan Azem Hajdarin e shikonin atë si një lider të përkohshëm të partisë, vendin e të cilit siç e tregoi koha ishte planifikuar ta zinte Gramoz Pashko, duke qenë si rezervë Eduard Selami. Gramoz Pashko kishte qartësisht mbështetjen e Ramiz Alisë dhe dukej se Pashko kishte klanin që përbënte shumicën e komisionit nismëtar. Berisha pothuajse nuk kishte fare mbështetje. Azem Hajdari ishte karizmatik dhe impulsiv, por i mungonte energjia dhe kapaciteti i Berishës për të punuar ditë-natë. Nëse Azem Hajdari do të kishte qenë lider i PD në vend të Berishës, kjo parti sigurisht që do të ishte një parti e zhurmshme, por gjithsesi nuk do të ishte veçse një nga partitë e vogla të politikës shqiptare.
    Dëshira e Ramiz Alisë për ta siluruar Sali Berishën u duk qartë kur në fund të janarit 1991, gjatë së vajtje të Berishës në qytetin e Bajram Currit, në cilësinë e anëtarit të Komisionit nismëtar të PD, atje u organizua i pari nga antimitingjet famëkeqe që organizonte PPSH gjatë mitingjeve të PD, ku një grup njerëzish sulmoi tribunën gjatë mitingut në kohën që po fliste Berisha dhe i rrëmbeu këtij mikrofonin e iu drejtua turmës duke e quajtur parafolësin tradhtar dhe armik të Tropojës. Që ky ishte një skenar shtetëror, kjo u kuptua nga fakti se telegrami drejtuar Ramiz Alisë nga pjesëmarrësit në antimiting, u lexua në lajmet e mbrëmjes në televizionin shtetëror, i vetmi në vend. Dukej qartë se qëllimi i regjimit komunist ishte që të jepte të kuptonte se Berishën nuk e donte as vendlindja e vet, Tropoja. Berisha, pas mitingut në Tropojë në janar 1991 dha të kuptojë se kishte një skenar për eliminimin e tij fizik. Në fakt ky skenar do të riaktivizohej më pas në 1997, gjatë një tjetër vajtjeje të Berishës në Tropojë, për të sajuar legjendën e armiqësisë së tij me Tropojën.
    Në këto rrethana, në shkurt 1991, dy muaj pas krijimit të PD, do të mbahej konferenca e kësaj partie për krijimin një forumi më solid drejtues, që do të quhej Komisioni drejtues, dhe që do të ekzistonte deri në në kuvendin e parë kombëtar të kësaj partie. Gjithashtu në konferencë do të zgjidheshin dhe kryetari e sekretari i përgjithshëm i partisë. Sipas statutit të asaj kohe të PD-së, kryetarin e partisë e zgjidhte forumi më i lartë drejtues i partisë që ishte komisioni drejtues prej 19 anëtarësh i zgjedhur nga konferenca e partisë (komisioni drejtues atëhere kishte atributet që më vonë e patën kryesia e partisë dhe këshilli kombëtar). Ramiz Alia, i cili i luante fijet në prapaskenë, u kishte dhënë fjalën amerikanëve se do të bënte gjithçka që Berisha do të dilte kryetar i partisë nga konferenca. Por në anën tjetër Ramiz Alia punonte kundër Berishës, duke dashur t’ i paraqesë gjërat sikur Berisha kishte humbur në një votim demokratik, me vetëm një votë.    
    Përsëri, rol kyç për dështimin e zgjedhjes së Berishës në votimin e parë, pati Azem Hajdari, i cili vuri kandidaturën për kryetar partie. Azem Hajdari e dinte mirë se Berisha kishte nevojë për votën e tij që të zgjidhej kryetar (Hajdari mori vetëm një votë, e cila qartësisht ishte e tija), dhe se me kandidimin e tij (Hajdarit), shtoheshin mundësitë e kandidatit tjetër, Gramoz Pashko, për të fituar postin e kryetarit. Në përfundim të votimit Berisha mori nëntë vota nga nëntëmbëdhjetë, domethënë një më pak nga sa i duheshin për të fituar. Berisha mori aq vota sa mjaftonin që Ramiz Alia të justifikohej para amerikanëve se ai e kishte mbështetur Berishën (por në fund plani kishte dështuar për një votë), por jo aq vota sa duheshin që të fitonte. Gramoz Pashko mori pesë vota, ndërsa Aleksandër Meksi mori katër vota. Në votimin e dytë pritej që të fitonte Pashko, duke qenë se për të pritej të shkonin të gjitha votat që nuk shkuan për Berishën, duke përfshirë dhe atë të Hajdarit, falë një premtimi që Pashko i kishte bërë Hajdarit se, nëse ky i jepte votën për kryetar, atëherë Pashko, në këmbim, do ta mbështeste për t’ u bërë sekretar i përgjithshëm, posti nr. 2 në parti. 
    Pas këtij suspansi pritej një votim i dytë të nesërmen. Në ndërkohë amerikanët ushtruan presion të fortë tek Ramiz Alia që Berisha të dilte në krye të PD. Atëherë diktatori komunist u tha se derisa ata donin kështu, ai nuk kishte çfarë të bënte dhe ishte i detyruar të influenconte që kryetari i parë i Partisë Demokratike, të zgjidhej në mënyrë aspak demokratike. Neritan Ceka, pas të gjitha gjasave i instruktuar nga Ramiz Alia, tha në mbledhjen tjetër se nuk kishte fare nevojë për votim, se të gjithë në sallë e kishin të qartë që kryetar ishte Sali Berisha. Pas kësaj, me konsensus Berisha u shpall kryetar i partisë. Azem Hajdari nuk u gëzua nga zgjedhja e Berishës për shkak se ai e dinte mirë se nuk kishte vend për dy tropojanë në lidershipin e PD. Dhe vërtet, me zgjedhjen e Berishës në krye të partisë, Azem Hajdari mbeti thjesht anëtar i komisionit drejtues prej 19 vetësh. Postin nr. 2 në parti, atë të sekretarit të përgjithshëm e mori Eduard Selami.
    Pas zgjedhjeve të para pluraliste në vend, ato të marsit 1991, që siç dihet i fitoi PPSH, në PD pati zëra, me burim nga Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, se tashmë Berisha duhet të ndiqte shembullin e liderëve të partive perëndimore, të cilët japin dorëheqjen kur partia humb zgjedhjet. Madje këto zëra thoshin se me Berishën partia nuk mund të vinte në pushtet as në zgjedhjet e parakohshme. Por qenë amerikanët ata që e mbështetën Berishën. Kur Sekretari i Departamentit të Shtetit, James Baker foli në parlamentin shqiptar, gjatë vizitës në Tiranë, ai tha se kishte ardhur në Shqipëri me ftesë të Sali Berishës. Me këtë amerikanët i dhanë publikisht Berishës kredencialet e njeriut të tyre në PD, çka e fuqizoi shumë pozitën e Berishës në parti. Të tjerat ai qe në gjendje t’ i bënte vetë.
    Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, nga 75 deputët që nxorri PD tre deputetë qenë nga Tropoja, por asnjë prej tyre nuk u zgjodh në Tropojë, ku fitoi PPSH. Sali Berisha, u zgjodh në Kavajë, Azem Hajdari në Shkodër, Besnik Mustafaj në Tiranë. Nga këta Besnik Mustafaj nuk e kishte fare teserën e PD, por vetëparaqitej  si një intelektual pranë kësaj partie. Të tre ata qenë muslimanë nga Tropoja. Rrethi i Tropojës në 1990 kishte 42 mijë banorë, nga të cilët 71% muslimanë dhe 29% katolikë, sipas regjistrimeve të para Luftës së Dytë Botërore. Tre deputetë tropojanë në PD, nga një rreth i vogël verior si Tropoja, madje nga një pjesë e këtij rrethi, dukeshin vërtet shumë, aq më tepër që asnjëri prej tyre nuk qe zgjedhur në Tropojë. Berisha e kuptonte se kjo e dëmtonte atë si lider dhe me siguri që ai do të donte që së paku njëri prej dy tropojanëve të tjerë, pas të gjitha gjasave Azem Hajdari, të mos ishte zgjedhur deputet.
    Azem Hajdari i kishte sjellë jo pak probleme PD gjatë fushatës zgjedhore me retorikën e tij plot slogane të bujshme. Problemi i rradhës erdhi në qershor 1991. Deri në këtë kohë, ende çështjet fetare nuk qenë sjellë në debatin politik midis dy palëve dhe liderët e dy partive të mëdha qenë treguar të kujdesshëm që most ë kishte implikime fetare në veprimtarime e tyre politike, së paku jo në dukje. Për herë të parë një gjë e tillë ndodhi në qershor 1991, kur nënkryetari i PD-së, Azem Hajdari, pati bërë një gjest që do të qe rasti i parë i përzierjes të politikës me fenë, në Shqipërinë paskomuniste. Në këtë kohë në Tropojë u mbajt një tubim për promovimin e rindërtimit të të një tempulli musliman shiit, teqes së Dervish Luzhës, që u rindërtua me shpenzimet e vetë Azem Hajdarit, i cili qe oratori kryesor në këtë tubim. Kjo ngjarje shkaktoi debatin e parë për çështje fetare në politikën shqiptare. PS, e cila porsa pati zgjedhur një lidership të dominuar nga ortodoksët, e përdori këtë rast, për ta akuzuar PD-në se po merrte profilin e një partie islamike. Ironikisht, pati qenë qeveria e PPSH (PS) e drejtuar nga kryeministrit ortodoks, Fatos Nano, ajo që një muaj më parë, në maj 1991, e pati futur Shqipërinë në Organizatën e Konferencës Islamike, duke çuar për këtë qëllim në tubimin e rradhës të kësaj konference ministrin e jashtëm, Muhamed Kapllani.
    PD shkoi në Kuvendin e parë të saj në shtator 1991, pasi në qershor kishte arritur t’ i shkëpuste partisë në pushtet, marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare në harkun e një viti, do të thotë brenda pranverës së vitit 1992. Kjo e fuqizonte pozitën e Berishës. Në prag të kuvendit pati dy përpjekje për ta larguar Berishën aforfe nga posti i kryetarit të partisë, kur u propozua që në kryesi të mos ketë ish-komunistë, si dhe kur kryesia ekzistuese votoi që statuti të parashikonte që të ishte kryesia ajo që ta zgjidhte kryetarin e partisë. Por duket se ishte presioni amerikan ai që bëri që ky vendim të anullohet dhe kjo çështje t’ i lihet kuvendit të partisë. Në kuvend Azem Hajdari kandidoi përsëri përballë Berishës për postin e kryetarit të partisë. Ky insistim i Azem Hajdarit për të kërkuar postin e kryetarit sigurisht që nuk i pëlqeu Berishës, së pari po për ato arsye që nuk i pëlqeu dhe anëtarësisë dhe mbështetësve të PD, se kështu e kapërcente masën prezenca e tropojanëve në lidershipin e PD.
     Azem Hajdari kandidoi qartësisht për të çarë bllokun e votave pro Berishës, në mënyrë që të përfitonte kandidati tretë, dhe më seriozi kundër Berishës, Neritan Ceka. Ky i fundit porsa kishte shoqëruar Presidentin Ramiz Alia në një vizitë në Finlandë dhe Francë, pa miratimin e partisë, por thjesht i përzgjedhur nga Alia si përfaqësues i opozitës. Me këtë Ceka sfidonte Berishën, por tregonte dhe se ishte karta që Ramiz Alia po luante kundër Berishës në PD. Synimi i kundërshtarëve të Berishës ishte që ai të mos zgjidhej që në votimin e parë. Pastaj ata shpresonin se në një votim të dytë, Berisha do të hynte i dobësuar dhe do të humbte. Në korridoret flitej për një aleancë Ceka-Hajdari në turine dytë të votimit, të llojit të asaj Pashko-Hajdari në shkurt.
    Në votimin për kryetar, Berisha mori 449 vota, Neritan Ceka 77 dhe Azem Hajdari vetëm 9 vota. Kuvendi i PD konfirmoi mbështetjen për Berishën si lider, dhe shfryu “tollumbacen” Azem Hajdari. Berisha, megjithëse kishte mbështetje absolute brenda partisë, kërkoi kompromis me kundërshtarët e tij në parti. Ai, pranoi që Eduard Selami të bëhej sekretar i përgjithshëm i partisë, si dhe që partia të kishte tre nënkryetarë, të cilët qenë të tre nga kundërshtarët e tij, Neritan Ceka, Arben Imami, Azem Hajdari. Ajo që bëri përshtypje ishte zgjedhja e Azem Hajdarit në postin e nënkryetarit të partisë. Berisha qartësisht nuk e donte zgjedhjen e Azem Hajdarit në postin e nënkryetarit se kjo u jepte dorë atyre që thoshin se PD është parti e tropojanëve. Por çuditërisht, Azem Hajdari u mbështet për të marrë postin e nënkryetarit nga klani i Pashkos, i cili thoshte se PD me në krye Berishën nuk do të thoshte Partia Demokratike, por Partia e Dragobisë. Në kujtesën e anëtarëve dhe mbështetësve të PD ishte sigurisht imazhi i Shpellës së Dragobisë në Tropojë, i ngulitur nga poezia e Nolit që gjendej në tekstet shkollore të kohës së komunizmit, dhe me këtë luante Pashko.
    Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të marsit 1992, ku fitoi PD, nga 92 deputetët që pati PD (nga 140 që kishte parlamenti) katër qenë me origjinë tropojane, dhe nga ata vetëm njëri, Besnik Mustafaj u zgjodh në Tropojë. Sali Berisha u zgjodh deputet në Kavajë, Azem Hajdari në Shijak, Shaban Memia në Tiranë. Një tjetër tropojan, Lisien Bashkurti, u zgjodh deputet nga Partia Socialdemokrate, e cila në ato zgjedhje ishte aleate e PD dhe që mundi të fitonte shtatë deputetë falë mbështetjes që i dha PD deri edhe me zonë të lirë. Kështu koalicioni i kryesuar nga PD çoi në parlament pesë tropojanë, të gjithë të lindur në Tropojë. Pesë deputetë nga një rreth me 42 mijë banorë qenë vërtet shumë, aq më tepër kur të pestë ata qenë muslimanë, pra nga pjesa prej 30 mijë banorësh muslimanë e rrethit të Tropojës. Edhe pse në qeveri nuk do të kishte asnjë ministër tropojan, kjo influencoi disi që të krijohej miti politik i pushtetit të tropojanëve.
    Azem Hajdari qe i pakënaquri i madh nga ndarja e posteve pas ardhjes së PD në pushtet. Azem Hajdari donte të merrte postin e ministrit të Brendshëm, gjë që nuk e arriti. Pas insistimit të Hajdarit, Berisha i tha ftohtë: “Çfarë kërkon ti, që të na thotë opozita se këta dy tropojanët u bënë si dy gjeorgjianët, Stalini e Beria, në Bashkimin Sovjetik!” Atëherë Hajdari kërkoi postin e kryetarit të PD, i cili mbeti vakant se Berisha u zgjodh kryetar i PD. Por Berisha nuk mund të pranonte as që kryetari i partisë në pushtet të ishte një tropojan, në ndërkohë që Presidenti ishte tropojan. Në konferencën e PD që u mbajt në 16 prill 1992, për të zgjedhur kryetarin, Berisha mbështeti Eduard Selamin. Azem Hajdari kandidoi përballë tij, duke dashur që të tregojë se nuk kishte hequr dorë nga ambicja e tij. Gjithashtu kandidoi dhe nënkryetari tjetër i pakënaqur, Arben Imami. Nga 485 vota, Hajdari dhe Imami ndanë 74 votat që nuk i mori Selami, i cili mori 411 vota. Ky ishte dështimi i dytë i madh i Hajdarit. Pas kësaj ai u bë armik i Berishës. 
    Klani antiberishë në PD, ata që pak muaj më pas do të dilnin publikisht me një mocion, e nxitnin Azem Hajdarin që të dilte publikisht kundër Berishës. Por, Azem Hajdari, ndërsa i mbështeste, nuk donte që ta shiste veten lirë, dhe u kërkonte që ta njohnin si liderin e tyre. Por mocionistët, të cilët në shumicën e tyre qenë me origjinë nga Shqipëria e Jugut, dhe që donin ta çanin PD-në me kartën e antiveriorizmit, nuk mund të nxirrnin në krye të lëvizjes së tyre një tjetër tropojan. Prandaj ata e mbanin Hajdarin me premtime. Në fakt, mospërmbushja nga mocionistët e aspiratës së Hajdarit për të qenë lideri i tyre, e shpëtoi Hajdarin nga përjashtimi prej partisë në konferencën e gushtit 1992, e cila mbajti qendrim ndaj mocionistëve. Mocionistët e PD të vitit 1992, qenë ekuivalenti i asaj që do të ishte në 2001 lëvizja për katarsis në PS.
    Synimi i mocionistëve ishte po ai katarsistëve, pra që të prishnin mazhorancën parlamentare. Atëherë Berisha do të vihej para alternativës, ose të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit, për shkak se do të akuzohej për konfliktin në parti, ose vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, në të cilat PD mund të humbte pushtetin. Plani i mocionistëve në fakt ishte vazhdim i planit të vjetër të Ramiz Alisë që me lejimin e pluralizmit në Shqipëri, të mos lejohej që të kishte një parti tjetër të madhe veç PPSH (PS). Pra, synohej që PD të minohej nga brenda për të humbur peshën si parti e madhe. Atëherë plani i mocionistëve dështoi se ata tërhoqën me vete më pak deputetë se ç’ duhej për të prishur mazhorancën. Berisha e kuptoi se nëse mocionistët do të lejoheshin të qëndronin në parti, atëherë do ta gërryenin nga brenda dhe shpejt PD do të humbte mazhorancën parlamentare. Prandaj Berisha vendosi që ta presë “Nyjen gordiane”, duke i përjashtuar ata. Sigurisht që ky nuk ishte një veprim demokratik, por as diversioni i mocionistëve, qartësisht në favor të PS, nuk kishte lidhje me demokracinë, por me puçet e pallatit. Azem Hajdari i cili në konferencë doli hapur në mbështetje të mocionistëve, megjithatë u kursye nga Berisha dhe nuk u përjashtua.
    Ndërsa mocionistët krijuan një parti të vetën, Aleancën Demokratike, Azem Hajdari mbeti në PD si njeriu i tyre. Tashmë Azem Hajdari kishte veç mbështetjes së miqve të vet mocionistë, edhe mbështetjen e qartë të PS. PS e shënjestronte Berishën si fundamentalist islamik, por kursente Azem Hajdarin, i cili shfaqej publikisht në ceremonitë islamike, si në faljen e Bajramit, në Sheshin Skënderbej, duke kryer ritet islamike, me gjasë duke synuar që të siguronte mbështetjen e besimtarëve muslimanë. Ky kursim i Azem Hajdarit sigurisht ndodhte për shkak se ai në atë kohë ishte në konflikt me Berishën, por ky standard i dyfishtë e bënte të dukej joserioz alarmin e PS-së për rrezikun islamik në vend.
    Azem Hajdari bëri gjithçka për të provokuar partinë e vet. Në vitin 1993 ai u bë kryetar i Këshillit botues të gazetës “Koha Jonë”, e cila ishte artileria e rëndë e PS kundër Berishës dhe partisë në pushtet. Në Kuvendin II të PD që u mbajt në dhjetor 1993, Azem Hajdari nuk u rizgjodh as në postin e nënkryetarit dhe as në kryesinë e partisë. Azem Hajdari e shkallëzoi sfidën e tij dhe nuk hezitoi as që të hynte në grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë, në vitin 1994, kundër qeverisë, e  cila grevë u organizua nga njerëz qartësisht të frymëzuar nga ambasada greke në Tiranë, në kohën kur konflikti mes Shqipërisë dhe Greqisë qe në kulmin e vet për shkak se paramilitarë grekë të mbështetur nga shteti grek kishin vrarë tre ushtarakë shqiptarë në kufi, dhe si kundërpërgjigje shteti shqiptar arrestoi pesë veprimtarë të Omonia-s të cilët qenë duke organizuar struktura paramilitare të armatosura në minoritetin grek në Shqipëri. Është interesante se ata që organizuan grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë kundër PD në 1994, në një kohë që PD u dha një shpërblim ish-të përndjekurve,  më pas, në 1997, do të bëheshin aleatë të PS, dhe pas zgjedhjeve nuk bënë asnjë grevë urie kundër qeverisë së majtë, e cila nuk u dha asgjë. Kuptohet përveç organizatorëve të grevës të cilët ndërtuan vila luksoze dhe u bënë biznesmenë.  
    Për shkak të këtyre veprimeve Azem Hajdari u përjashtua nga Këshilli Drejtues i PD, siç quhej atëherë Këshilli Kombëtar. Kur Azem Hajdari kërkoi të hynte forcërisht në një mbledhje në selinë e PD, ai u ndalua nga një nëpunës i administratës së PD, ndaj të cilit ushtroi dhunë fizike. Pasi i dhunuari bëri kallzim penal ndaj Azem Hajdarit, këtij të fundit parlamenti i hoqi imunitetin mbi bazën e kërkesës së prokurorisë. Azem Hajdari u bë tashmë heroi i shtypit të majtë. Por me afrimin e zgjedhjeve parlamentare Azem Hajdari filloi të tërhiqet, për shkak se kishte frikë mos mbetej jashtë parlamentit. Në fakt qenë diplomatët amerikanë në Tiranë ata që kërkuan që Azem Hajdari të zgjidhej anëtar i Këshillit Drejtues të PD në Kuvendin III të kësaj partie në prill 1996, dhe që të bëhej kandidat për deputet. Në atë kohë Berisha kishte marrëdhënie të këqija me Ëashingtonin, por nuk donte që të prishej deri në këto detaje. Berisha e dinte mirë se Ëashingtoni, politika e të cilit për Shqipërinë në atë kohë ishte totalisht e influencuar nga Greqia, e donte Azem Hajdarin në PD si lider të “kolonës së pestë” për ta përçarë partinë, në mënyrë që ajo të shpërbëhej dhe të mos ishte më një nga dy partitë e mëdha në vend. 
    Berisha u shtir sikur e plotësoi kërkesën e amerikanëve për Hajdarin, por në prapaskenë bëri gjithçka që ai të humbte. Hajdarit iu dha një zonë zgjedhore e krijuar enkas për të e cila bashkonte një pjesë të rrethit të Bulqizës, me një pjesë të Librazhdit. Strukturat vendore të PD morën urdhër të mos e mbështesin Hajdarin. Por ai pati mbështetjen e të majtëve, dhe u bë deputet, edhe për shkak të mënyrës se si shkuan zgjedhjet e majit 1996. 
    Në prill të vitit 1996, para zgjedhjeve parlamentare PD mbajti Kuvendin III, ku vendin e sekretarit të përgjithshëm të lënë bosh nga Tritan Shehu, i cili u bë kryetar, e zuri Besnik Dervish Gjongecaj, me origjinë tropojane, musliman. Ky veprim shkonte në kundërshtim me linjën e deriatëhershme të Berishës për t’ i mbajtur tropojanët larg lidershipit të partisë. Me sa duket ky veprim shprehte mosbesimin e Berishës tek njerëzit e lidershpit të PD, të cilët duke menduar se amerikanët do ta largonin Berishën nga politika pas zgjedhjeve, e quanin të leverdisshme që të punonin kundër tij. Zgjedhja e Gjongecajt gjithsesi tregoi se sa i thellë ishte mosbesimi i Berishës ndaj Azem Hajdarit, derisa nuk ia dha këtij këtë rol. Gjongecaj pas zgjedhjeve do të bëhej ministër i Arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe zëvendëskryeministër. Me këtë Berisha llogariste që ta kishte njeriun e tij në qeveri. Nëse kjo ishte llogaria e Berishës, ai gaboi rëndë, si me të gjithë tropojanët të cilëve u dha poste të larta. Besnik Gjongecaj pas zgjedhjeve të vitit 1997, kur PD doli në opozitë, dhe ai nuk u bë deputet, u largua nga PD dhe sot shkruan kundër Berishës në gazetën e Mero Bazes. 
    Në Kuvendin III të PD Berisha do të lançonte në forumet e larta të partisë edhe një tjetër tropojan, këtë herë katolik Afrim Krasniqin (Paci). Tashmë në kryesinë e PD për herë të parë që nga krijimi i kësaj partie kishte tre tropojanë. Sali Berisha, Besnik Gjongecaj, Afrim Krasniqi. Në zgjedhjet parlamentare të majit 1996, nga 122 deputetë që mori PD (nga 140) katër qenë tropojanë dhe nga këta vetëm një u zgjodh në Tropojë, Besnik Gjongecaj. Tre të tjerët qenë Azem Hajdari (Bulqizë), Shaban Memia (Tiranë), Afrim Krasniqi, i dalë nga lista shumëemërore. Qartësisht, numri i deputetëve tropojanë të PD, ishte në shpërpjestim me numrin e banorëve të kësaj krahine, qoftë dhe duke përfshirë ata që kishin lëvizur në zona të tjera të vendit.
    Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996, Azem Hajdari u sintonizua krejt me opozitën në kundërshtimin ndaj partisë në pushtet. Azem Hajdari ia doli që të bëhet kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, pasi vendi i kryetarit mbeti vacant, dhe filloi të organizojë mitingje proteste kundër qeverisë. Me këtë e mbushi kupën. BSPSH kishte qenë organizatore e grevës së përgjithshme e cila kishte përmbysur qeverinë e majtë të dalë nga zgjedhjet e kontestuara të vitit 1991. Dukej se skenari po përsëritej. Këtu Berisha u detyrua që të vepronte hapur. Si fillim, Azem Hajdari u përjashtua nga Këshilli Drejtues i PD. Më pas bodyguardi i Berishës, Izet Haxhia, tropojan dhe mik i Azem Hajdarit, shkoi personalisht dhe e mori atë në makinën e tij, në kohën që Azem Hajdari gjendej në krye të një mitingu para stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, ku sheshi qe mbushur me militantë të majtë. Duket se Haxhia e çoi Hajdarin tek Berisha, i cili zhvilloi me të një bisedë, e cila nuk u bë kurrë e ditur. Gjithsesi pas kësaj vrulli i Hajdarit ra shumë.
     Kur u shkallëzuan trazirat e vitit 1997, Berisha u gjend shumë ngushtë posaçërisht në ditët e mesit të marsit, por edhe në vazhdim, kur jeta e tij ishte në rrezik. Strukturat shtetërore që duhej të mbronin atë si President të Republikës praktikisht u shpërbënë dhe Berisha u detyrua që të mbështetet për mbrojtjen e selisë së Presidencës, por edhe të selive të institucioneve kryesore në ditët e mesit të marsit 1997, në një forcë të përbërë kryesisht nga burra tropojanë besnikë ndaj tij. Është paradoksale se këta djem tropojanë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kishin përfituar asgjë nga pushteti i Berishës, u sollën krejt ndryshe nga ata intelektualë tropojanë të cilëve Berisha u bëri gjithë ato favore duke u dhënë poste. Ndërsa ata tropojanë që Berisha u dha poste dhe i bëri deputetë, ministra, ambasadorë, në pjesën më të madhe të tyre e kanë tradhtuar atë, këta djem i qëndruan besnikë në momentet më të vështira, kur besnikëria do të thoshte të jepje jetën për ta mbrojtur atë. 
    Para zgjedhjeve të vitit 1997, Azem Hajdari, duke dashur që të bëhet përsëri deputet, filloi të afrohet me PD, dhe filloi ta mbrojë Berishën në parlament. Si shpërblim Këshilli drejtues i PD e ripranoi Hajdarin dhe ai u caktua kandidat për deputet i PD në Tropojë. Gjatë fushatës elektorale, në Tropojë, Berishës i ndodhi një incident, që ngjan si riaktivizim i skenarit të janarit 1991, për të cilin kam folur më lart. Berisha shkoi në Tropojë në qershor 1997, për të marrë pjesë në një miting zgjedhor, në mbështetje të kandidaturës së Azem Hajdarit. Atje kundër Berishës ishte përgatitur një antimiting i ngjashëm me atë të janarit 1991. Më pas PS e mohoi autorësinë për atë që ndodhi atë ditë në Bajram Curri, por fakti është se njerëzit që e bënë incidentin pas zgjedhjeve, kur PS erdhi në pushtet, morën postet më të larta në policinë e Tropojës. Në këtë miting zuri fill dhe gjakderdhja politike e cila vazhdon edhe sot në Tropojë, dhe që do të çonte dhe në vrasjen e Azem Hajdarit, më tepër se një vit më pas. 
    Në zgjedhjet e vitit 1997, nga 23 deputetë që mori PD në 155 (PD u fali dhe tre deputetë partive aleate), katër deputetë qenë tropojanë. Nga këta dy qenë zgjedhur në Tropojë (Azem Hajdari Xhevdet Mehmeti), ndërsa dy të tjerët kishin dalë nga lista shumëemërore (Sali Berisha dhe Shaban Memia). Pas zgjedhjeve do të mbahej Kuvendi i jashtëzakonshëm i PD, i cili do të zgjidhte forumet e reja të partisë dhe kryetarin, pas dorëheqjes së Tritan Shehut. Azem Hajdari synonte postin e nënkryetarit të partisë, ose më mirë akoma atë të skretarit të përgjithshëm, i cili me statut qe posti nr. 2 në parti. Por Azem Hajdari ende vuante reputacionin e njeriut të “kolonës së pestë” në PD, që e shumta mund të shihej si i penduar. Prej këtej ekstremizmi i Azem Hajdarit, kur PD doli në opozitë, pas zgjedhjeve të vitit 1997.
    Kështu u shkaktua dhe një incident që çoi në një atentat ndaj Azem Hajdarit në parlament. Në një senacë parlamentare, Azem Hajdari kërkoi fjalën dhe meqë nuk po i jepej, doli në podium dhe nuk lejoi të fliste deputetin socialist Fehmi Abdiu, i cili kishte marrë të drejtën e fjalës. Në këtë rrethanë, u çua deputeti socialist nga Hasi, Gafur Mazreku dhe shkoi në podium e shtyu Azem Hajdarin. Azem Hajdari u kap me Mazrekun, dhe në sherr hynë dhe deputetë të tjerë të dy palëve. Në një moment, Mazreku, i cili dukej se donte të bënte shoë u pa në tokë, duke ecur këmbadorazi. Në televizion u pa qartë se ishte deputeti i PD Mark Kroqi ai që i dha një shkelm në prapanicë, çka duhet ta kishte fyer më tepër Mazrekun si malësor. Por Mazreku u ndje i poshtëruar nga Hajdari dhe më pas e qëlloi me armë në parlament, duke e plagosur. PD e quajti këtë një atentat politik por në fakt nuk ishte kështu. Të majtët nuk kishin asnjë interes që ta vrisnin Azem Hajdarin, se ai kishte dhënë prova se i hapte probleme Berishës në parti. Sigurisht që këto hollësi të strategjisë për diversion politik në PD, liderët socialistë, nuk do t’ ia tregonin Mazrekut, një fshatari nga Hasi. Mjaftuan disa shaka që bënë kolegët e tij deputetë socialistë se Hajdari i mori fytyrën, që Mazreku të qëllonte me armë kundër Hajdarit në 18 shtator 1997. 
    Në rast se nuk do të kishte ndodhur atentati, Azem Hajdari sigurisht që nuk do të ishte bërë as anëtar i kryesisë së PD, në kuvendin e partisë që u mbajt një muaj më pas. Plumbat e Mazrekut qenë vota vendimtare në favor të Azem Hajdarit për t’ u bërë anëtar i kryesisë së partisë. Por as plumbat e Mazrekut nuk e ndihmuan Hajdarin që të zinte një nga postet e lidershipit të PD. Në kuvend kryetar i PD u zgjodh Berisha dhe ky sigurisht që nuk donte një tropojan në lidership, aq më pak Hajdarin e provuar si problematik. 
    Fitoren e madhe në zgjedhjet e vitit 1997 socialistët e shikonin si hapin e parë për arritjen e atij objektivi që do t’ u siguronte mbajtjen e pushtetit në shumë mandate rradhazi, pra reduktimin e PD në një parti të vogël. PD ishte reduktuar mjaft në zgjedhje, por sa kohë që në krye të saj ishte Berisha, ishte e sigurt se PD do ta rimerrte veten. Prandaj duhej larguar Berisha nga drejtimi i PD. Eliminimin fizik të Berishës nuk e pëlqente kryetari i PS dhe kryeministri Nano, se kjo do të sillte dhe largimin e tij (Nanos) nga politika. Mënyra më e mirë do të ishte që Berisha të futej në burg për një kohë të gjatë si fajtor për ngjarjet e vitit 1997. Për këtë qëllim u krijua një komision parlamentar për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. 
    Azem Hajdari e kuptoi se nëse arrestohej Berisha, vendi i kreut të partisë do t’ i mbetej personit me profil më të lartë në PD. Sigurisht që ky vend nuk do t’ i takonte as nënkryetarit Pollo, as sekretarit të përgjithshëm Bode, as nënkryetares së Kuvendit Topalli, e cila porsa kishte hyrë në politikë. Në karrigen e Berishës do të ulej Hajdari, nëse bënte për vete masën e militantëve të partisë me ekstremizmin e vet. Dhe Hajdari i vu punës. Në shkurt ai shkaktoi një incident me Shkodër me drejtorin e policisë, Mithat Havari. 
    Inicdenti ishte në stilin e Hajdarit. Ky i fundit shkoi në tribunën e stadiumit të Shkodrës të ndiqte një ndeshje futbolli të “Vllaznisë” (Azem Hajdari ishte president i “Vllaznisë”) dhe atje një nga rojet e Hajdarit i kërkoi drejtorit të policisë që të çohej se kishte zënë vendin e Hajdarit. Mund të ishte dhe kështu, por Azem Hajdari ishte politikan dhe e dinte se politika e PD në atë kohë ishte që të ruhej nga provokimet dhe të kërkonte qetësi, në mënyrë që të bënte riorganizimin e saj. Ndërsa pushteti i majtë kërkonte të kundërtën. Prandaj ishte Hajdari ai që duhej të vetëpërmbahej dhe të ishte ulur në një vend tjetër. Incidenti i filluar në stadium u shkallëzua deri në një përplasje me armë me policinë në Milot, dhe si pasojë Azem Hajdarit iu hoq imuniteti parlamentar me kërkesën e prokurorisë. 
    Për Berishën këto qenë probleme që i sillte Hajdari për shkak të ambicjeve të veta të hershme. Berisha e dinte se nga këto ngjarje Hajdari vetëm fitonte kapital politik dhe nuk humbte gjë. Por Berisha ishte i detyruar që ta merrte në mbrojtje Hajdarin dhe me këtë edhe ta tensiononte klimën politike, çka pengonte punën e tij për riorganizimin e partisë. Para pak javësh, një tjetër problem edhe më serioz ishte hapur në Tropojë, ku ishte vrarë Shkëlqim Haklaj, njeriu që shkaktoi incidentin në mitingun elektoral në Bajram Curri, në qershor 1997, ku merrte pjesë Berisha. Shkëlqim Haklaj ishte vëllai i shefit të policisë së Tropojës të vënë nga socialistët, Fatmir Haklaj, mbështetja kryesore e PS në Tropojë. Shkëlqim Haklaj ishte polic kufitar dhe kishte hyrë në konflikt me njerëzit e Azem Hajdarit për çështjen e kalimit të armëve në Kosovë, ku ishte duke filluar lufta. Haklajt, me mbështetjen e qeverisë dhe SHIK donin të mbanin monopolin e tregtisë së armëve për UÇK, për llogari të tyre dhe mbrojtësve të tyre në Tiranë. Azem Hajdari nga ana e tij kishte marrë përsipër të kalonte armë në Kosovë. Kjo dëmtonte lojën e Haklajve. Këta të fundit i kërkuan Azem Hajdarit që të sqaronte pozitën e tij, duke i dhënë të kuptonte se kishin dyshime për të.  Këtu zuri fill zinxhiri i gjakderdhjes pasi Haklajt vranë disa njerëz për hakmarrje. Në qershor 1998, kur Azem Hajdari shkoi në Tropojë për të vizituar të dëbuarit nga Kosova, ai u ndalua nga policia e kontrolluar nga Haklajt, madje dhe u qëllua me armë.
 
Tropojanizimi i ri i Antiberishizmit
    Në ndërkohë doli raporti i komisionit parlamentar për ngjarjet e vitit 1997, i cili e bënte përgjegjës Berishën, dhe i rekomandonte Prokurorisë ndjekjen penale të tij për krime kundër njerëzimit, akuzë me të cilën më pas Millosheviçi do të shkonte në Gjyqin e Hagës. Të majtët në pushtet mendonin se SHBA do t’ u jepnin leje që të arrestohej Berisha, në mënyrë që të sigurohej stabiliteti në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës, gjë për të cilën amerikanët qenë shumë të interesuar. 
    Të gjitha këto ndodhnin në vitin 1998, në kohën kur shërbimi sekret amerikan CIA ndërmori një fushatë të ashpër kundër grupimeve terroriste islamike, që kishin gjetur strehë edhe në Shqipëri, PS në pushtet, vendosi të përfitonte nga kjo klimë e favorshme politike për ta atakuar Berishën dhe PD-në si ushtruese të terrorizmit islamik. Në këtë kohë konflikti politik midis PS-së në pushtet dhe PD-së u shkallëzua në aspektin religjioz, kur mediat pranë PS-së filluan ta akuzojnë lidershipin e PD-së se donte të organizonte një kryengritje me ngjyrim islamik në Shqipëri. Në vitin 2002, komisioni parlamentar që hetoi veprimtarinë e SHIK zbuloi se në verën e vitit 1998 SHIK i pati çuar qeverisë «Nano» një raport sipas të cilit PD po përgatiste një rebelim të armatosur të llojit islamik për përmbysjen e qeverisë që do të fillonte në Shkodër, dhe në krye të të cilit qe Sali Berisha. 
    Në rast se të majtët nuk do të merrnin leje ta eliminonin Berishën politikisht duke e arrestuar, atëherë kishin llogaritur që ta eliminonin me anë të një skenari të llojit të atij që rusët e zbatojnë në Çeçeni dhe e quajnë Çeçenizim. "Çeçenizimi" konsistonte në atë që konflikti të projektohet tek pala tjetër. Kështu rusët synonin, dhe në një masë të madhe ia arritën, që konfliktin ruso-çeçen ta projektonin tek vetë çeçenët, si konflikt mes tyre. Kështu duhej projektuar një konflikt mes Berishës dhe Tropojës, çka do të thoshte tropojanizim i konfliktit politik në Shqipëri, duke shërbyer Azem Hajdari si njeriu që do ta tërhiqte Berishën në këtë konflikt, derisa Berisha qe i detyruar që ta mbronte Hajdarin politikisht, kur ky hynte në aventura. 
    Ngjarjet e shtatorit 1998 në Tiranë kanë qenë të lidhura me këtë skenar të çeçenizimit. Por nuk duket e besueshme që vrasja e Azem Hajdarit të ketë qenë pjesë e këtij skenari. Pushteti i majtë e dinte se nëse vritej Azem Hajdari ndërkombëtarët do të alarmoheshin shumë dhe do të ndërhynin në vend për të qetësuar situatën, dhe me këtë rast jo vetëm që Berisha do të shpëtonte pa u vrarë, por as do të mund ta arrestonin. Plani i tyre ishte arrestimi i Berishës, që u paralamërua me arrestimin e gjashtë ish-funksionarëve të lartë të kohës kur PD qe në pushtet, me ato akuza për të cilat kërkohej dhe arrestimi i Berishës për ngjarjet e vitit 1997. Fatmir Haklaj dhe Jaho Sali në 12 shtator nuk shkuan para PD për ta vrarë Azem Hajdarin, por pas të gjitha gjasave për ta rrëmbyer, dhe për të bërë kushedi ç’ punë të errëta me të. Port ë dy palët nuk ia kishin besën njëri tjetrit dhe në një moment gjërat precipituan deri në një shkëmbim zjarri, ku u vra Azem Hajdari dhe një njeriu i vet, por edhe një nga pala tjetër. Këtu zunë fill incidentet e 13-14 shtatorit që e majta në pushtet i quajti grusht shteti. 
    E vërteta e këtyre ngjarjeve të 12-14 shtatorit nuk është as ajo që thotë PD, as ajo që thotë, PS, por është pak nga të dy versionet, por duke shtuar dhe disa gjëra të tjera, të cilat në Shqipëri nuk janë analizuar kurrë si duhet. Ajo që ndodhi në 14 shtator 1998, kur turma e tubuar për funeralin e Azem Hajdarit msyu selinë e qeverisë dhe rrëmbeu tanket që dolën në rrugë kundër saj, nga pikëpamja klasike mund të përcaktohet si sulm me dhunë kundër institucioneve, por jo si grusht shteti, se që të ketë grusht shteti duhet që të dalë një grupim që të marrë pushtetin. Së pari, kur oficerë të policisë së shtetit vijnë nga province në kryeqytet të armatosur deri në dhëmbë dhe vrasin një figurë të rëndësishme të opozitës para selisë së partisë së tij, pastaj largohen të qetë, nëpër një rrugë të gjatë të mbushur me post-blloqe policore, ndërsa qeveria i mbron, duke thënë se e verifikoi se nuk qenë atë ditë në Tiranë, atëherë vrasja i mbetet në derë qeverisë. Edhe nëse ndodh sot e njëta gjë, me një figurë të opozitës së sotme, vrasja i mbetet në derë kryeministrit Berisha. Reagimi që vjen pas kësaj nuk mund të quhet sulm kundër institucioneve, se institucionet kanë humbur të drejtën të quhen të tilla, pasi e kanë lejuar këtë gjë, ose nuk kanë vepruar kundër vrasësve. 
    Së dyti në 14 shtator 1998 nuk doli një grupim që të hynte në kryeministri dhe të shpallej si qeveria e re e Shqipërisë, në vend të asaj të mëparshmes. Sigurisht që turma ishte e frymëzuar nga liderët e opozitës së atëhershme por qëllimi nuk ka qenë që të merrte pushtetin se ai e dinte që kjo ishte e pamundur, por vetëm që të tregonte forcë, për t’ u faktorizuar para ndërkombëtarëve, të cilët dukej se i kishin dhënë pushtetit licencën të mbante nën kontroll me represion opozitën. Berisha sigurisht që e dinte shumë mirë, se në rast se do të kishte ardhur në pushtet në shtator 1998, ai do të ndodhej në situatën që u ndodh në mars 1997, çka ai sigurisht që nuk e donte më. 
        Prokuroria dhe gjykata, që ka dhënë një vendim të formës së prerë për vrasjen e Azem Hajdarit, e kanë quajtur vrasjen si të kryer për gjakmarrje. Pushtetarët e kohës kanë larë duart, duke thënë se ky ishte një sherr mes tropojanësh dhe jo një konflikt politik ku ishte i implikuar shteti. Drejtori i atëhershëm i SHIK, Fatos Klosi, mëse një herë ka thënë se ai dhe ministri i rendit publik i kohës, Perikli Teta, e kanë paralajmëruar Azem Hajdarin për atentatin që po përgatitej kundër tij, duke përmendur dhe autorët e mundshëm, që rezultuan të ishin ata që e bënë vërtet atentatin. Por problemi është se Fatmir Haklaj, shefi i grupit që bëri vrasjen, kishte qenë shef i komisaratit të policisë së Tropojës me gradën major, deri në janar 1998, kur vrau në mjediset e komisariatit një oficer police vartës së tij, me ç’ rast u shpall në kërkim. 
    Pse u emërua Fatmir Haklajn, familja e të cilit ishte e implikuar në hasmëri dhe vrasje dhe dy vëllezër të të cilit ishin në kërkim për vrasje, madje edhe për vrasjen e një polici, shef komisariati, kur ishte praktika që këta njerëz duhen shmangur nga policia. Si erdhi Fatmir Haklaj në Tiranë, në 14 shtator, dhe lëvizi lirisht, kur ai ishte në kërkim? Si ndodhi që Fatmir Haklaj pas kësaj vrasjeje kur u kthye në Tropojë, u fut përsëri në polici me gradën major? Si ndodhi që shefi i policisë së rendit publik të Tropojës, kapiten Jaho Salihi, që ishte në Tiranë atë ditë bashkë me Haklajn, në atentat, së bashku me disa funksionarë policie, dhe me automjetet e policisë, kur u denoncua nga opozita si vrasë, u mbrojt personalisht nga ministri i rendit, duke u thënë se u verifikua se ai nuk gjendej në Tiranë, por në Tropojë? Si nuk e njoftuan ministrin e rendit ato postoblloqe të panumërta, nga Tirana deri pranë Tropojës, për praninë e gjysmës së policisë së Tropojës në Tiranë, në 14 shtator, deri edhe 100 metra larg ndërtesës së ministrisë, ku ndodhi atentati? Si ndodhi që kur Fatmir Haklaj u soll i plagosur në spitalin ushtarak në Tiranë, pasi u plagos në vitin 1999, ai u lirua me ndërhyrjen e vetë drejtorit të SHIK, Fatos Klosi, gjë të cilën ky e ka pohuar vetë, gjoja për t’ u kururar jashtë vendit, kur asnjë spital në botë, nuk pranon pa ndërhyrjen e autoriteteve, një kriminel të plagosur? 
    Të gjitha këto gjëra janë justifikuar nën zë, nga pushtetarët e kohës, me atë se për shkak të Luftës së Kosovës, duheshin toleruar njerëz si Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi në policinë e Tropojës, se duheshin çuar armë në Kosovë. Por e vërteta është se për t’ u ndihmuar lufta e shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet Tropojës, nuk kishte nevojë që në policinë e Tropojës të kishte njerëz si Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi, se në Tropojë, çdo njeri, i majtë apo i djathtë qoftë, ishte pro luftës së shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë fshatarët e fshatrave kufitare, që kishin pjestarë të fiseve të tyre në Kosovë, ishin gati të ndihmonin për të çuar armë në Kosovë dhe ndihmuan, madje pa interes. Ndërsa Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi u duheshin atyre pushtetarëve të Tiranës, që donin t’ u shisnin armë luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, nëpërmjet njerëzve të tillë. 
    Gjithashtu këta njerëz duheshin dhe që në Kosovë të pengohej hyrja masive e armëve vërtet moderne, të blera në perëndim, por atje të hynin kallashnikovët dhe minahedhësit e prodhimit rus dhe kinez të viteve gjashtëdhjetë, që nuk i bënin ndonjë dëm të madh ushtrisë serbe. Ata që ishin implikuar në këtë tregëti të ndyrë, si dhe në këtë skenar të çeçenizimit, e zbuluan veten duke liruar Fatmir Haklajn, kur u erdhi në dorë, se ai për të shpëtuar veten do të zbulonte shumë të vërteta që atyre nuk u interesonin. Atyre u bënte komoditet skenari i "çeçenizimit" dhe versioni i tij i tropojanizimit, se me këtë do të eliminonin opozitën reale, dhe do të mund të realizonin planin e krijimit të një opozite fiktive.
    Në atentatin e Azem Hajdarit është implikuar dhe Izet Haxhia, me ç’ rast është aluduar përgjegjësia e Berishës. E vërteta është se Izet Haxhia, kur u bë vrasje prej një viti nuk ishte bodyguard i Berishës, pasi ishte larguar nga ky i fundit, dhe kjo është e dokumentuar, se bodyguardët e Berishës, që kishte statusin e ish-presidentit, ishin oficerë të gardës. Ajo që duhet sqaruar në këtë rast, është se kush tentoi të rrisë reputacionin e Izet Haxhisë në PD, duke inskenuar në tetor 1997 arrestimin e tij, çka më pas u ndryshua në arrest shtëpiak, që ishte në fuqi edhe në shtator 1998? Këtë e bëri policia dhe prokuroria e kohës. Rekrutimi i ish-bodyguardit të Berishës, nga grupi i vrasësve, si bashkëpunëtor, është një gjë që doli shumë më vonë, dhe kur doli, PD, ende në opozitë, e denoncoi, nuk e mbrojti. Pra, është fakt nuk veproi si ata pushtetarë që morën në mbrojtje Fatmir Haklajn dhe Jaho Salihin pasi krimit, për një kohë të gjatë.
    Pas ngjarjeve të 14 shtatorit parlamenti i hoqi imunitetin Berishës me kërkesën e prokurorisë, duke e akuzuar këtë herë për ngjarjet e 14 shtatorit. Por tashmë kancelaritë e huaja ishin zgjuar dhe e kishin kuptuar plotësisht se ç’ po ndodhte dhe nuk mund të lejonin arrestimin e Berishës, pavarësisht se vazhdoi dhe disa kohë loja ku prokuroria kërkonte të arrestonte Berishën dhe qeveria “Majko” bënte sikur ishte e pafuqishme ta ndalonte, ndërsa shefi i Zyrës së OSBE, Dan Everts, shkonte në prokurori të shikonte se mos ishte prerë fletë-arresti për Berishën.
    Atë që e majta nuk e arriti dot me Azem Hajdarin, pra eliminimin politik të Berishës, vendosi ta bëjë vitin e ardhshëm, në 1999, me Genc Pollon, i cili krijoi një fraksion në PD, të quajtur nga mediat e majta si moderatorë dhe reformatorë. Synimi ishte që të ndalohej rizgjedhja e Berishës në krye të PD, në Kuvendin V, në shtator 1999. Këtu Berisha u tradhtua dhe nga një tjetër tropojan, Afrim Krasniqi, i cili u bashkua me Genc Pollon. Në kuvendin e PD të shtatorit 1999 Berisha lançoi në parti një tjetër tropojan, Besnik Mustafajn, të cilit iu dha posti i sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në PD, edhe pse nuk ishte fare anëtar i PD. Besnik Mustafaj thoshte se ai ishte pranë PD, por jo brenda në PD. Pra donte të merrte privilegjet e politikës, duke mos marrë imazhin e militantit, pra të njeriut me teser.
    Besnik Mustafaj do të ishte kandidatura e favorizuar e Berishës për kandidat i PD për kryetar bashkie i Tiranës, në zgjedhjet e vitit 2000, përballë Edi Ramës. Për shkak të Besnik Mustafajt Berisha pati dhe një përplasje me Bamir Topin, i cili gjithashtu kishte shpallur kandidaturën e vet brenda PD, për të qenë kandidat i kësaj partie për kryetar bashkie në Tiranë. Për të nxjerrë kandidatin që do të paraqiste partia u bë një votim në konferencën e PD të Tiranës, që u mbajt në pallatin e sportit. Votimi përfundoi me një balotazh mes Mustafajt dhe Topit. Ky i fundit u tërhoq nga gara, pasi u vendos që votimi i dytë të bëhet në sallën e madhe të selisë së PD. Topi u largua në krye të mbështetësve të vet, duke e quajtur votimin të manipuluar nga Shaban Memia, sekretar i degës së PD të Tiranës. Mustafaj pasi humbi në zgjedhjet vendore përballë Ramës, u largua për në Francë, ku tha se kishte një ftesë si shkrimtar, duke mos marrë pjesë në mitingjet që bënte PD me pretendimin se zgjedhjet qenë manipuluar. Mitingjet e protestës u shkallëzuan derisa në Tropojë pati përplasje mes protesstuesve dhe policisë ku u vra dhe një protestues, gjë për të cilën PD akuzoi qeverinë.
    Sido që të kishin shkuar gjërat në Tropojë, veprimet që bëri qeveria në Tiranë qenë absolutisht të shpërpjestuara. Selia e PD u rrethua me autoblinda, snajpera dhe forca policore me maska, në një operacion që u kulmua me ndalimin dhe shoqërimin nga policia të Berishës, kur ai doli në mbrëmje vonë nga selia. Duket se vazhdonte skenari i hershëm për eliminimin e PD si partia e dytë e madhe në vend, çka praktikisht realizohej duke eliminuar politikisht Berishën. Kjo ishte arsyeja që ndërkombëtarët as këtë herë nuk dhanë lejë për arrestimin e Berishës.
    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, nga 31 deputetë nga 140 që mori PD (13 ua fali aleatëve), katër qenë me origjinë nga Tropoja. Nga ata vetëm njëri u zgjodh në Tropojë, Azgan Haklaj (u zgjodh ndërsa ishte i arrestuar për ngjarjet e nëntorit të kaluar në Tropojë). Tre të tjerët u zgjodhën në Tiranë (Shaban Memia dhe Besnik Mustafaj) dhe në Kavajë (Sali Berisha). Në Kuvendin VII të PD, në dhjetor 2001, ku Berisha u rizgjodh kryetar, në kryesinë e PD nuk u zgjodh asnjë tropojan.
    Tashmë Berisha nuk po kishte më probleme me politikanët tropojanë. Në Kuvendin VIII të PD, mbajtur në prill 2005, dy muaj para zgjedhjeve, ku Sali Berisha u rizgjodh kryetar, në kryesinë e PD prej 25 vetësh u zgjodh dhe një tjetër tropojan veç tij, Aleksandër Biberaj, i cili pavarësisht emrit, është musliman. Besnik Mustafaj u zgjodh ex officio anëtar i Këshillit Kombëtar (për shkak se ishte deputet), gjë e çuditshme kjo, se ai nuk e kishte teserën e PD dhe nuk e ka ende. Në zgjedhjet e qershorit 2005, nga 56 deputetë që fitoi PD (në fakt 18 deputetë ua bëri dhuratë partive aleate), vetëm tre qenë tropojanë. Nga këta një u zgjodh në Tropojë (Aleksandër Biberaj). Dy të tjerët u zgjodhën në Kavajë (Berisha) dhe në Tiranë (Besnik Mustafaj). Në qeverinë e paszgjedhjeve, të kryesuar nga Berisha, nga 14 ministra, njëri ishte tropojan, Besnik Mustafaj, i cili mori postin e ministrit të Punëve të Jashtme.
    Përdorimi i tropojanëve për diversion kundër Berishës filloi përsëri pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 dhe sidomos pasi Bamir Topi u bë president në korrik të atij viti. Besnik Mustafaj e humbi portofolin e tij ministror para vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, me sa duket për shkak se në postin e tij duhej të vinte Basha që të rriste profilin e tij politik në arenën ndërkombëtare, për të qenë trashëgimtar i Berishës. Pasi u detyrua të japë dorëheqjen Mustafaj deklaroi se miqësia e tij me Berishën ka marrë fund. Pas kësaj Mustafaj filloi të bëhet një kritik i ashpër publik i Berishës. Kështu Berisha u keqshpërblye dhe nga tropojani i cili kishte marrë më shumë poste prej tij, pa marrë as teserën e PD. Ironikisht Mustafaj guxon të shpallë kandidaturën për kryetar i PD të Tiranës, kur nuk thotë dot se kur e ka marrë teserën e PD.
    Tjetri në rradhë ishte Aleksandër Biberaj i cili u josh nga presidenti Topi i cili synonte të krijonte një pakicë bllokuese në PD. Biberaj, bashkë me Mustafajn janë bërë të yjet e mediave të majta, si Azem Hajdari dikur, kur sulmonte Berishën. Në ndihmë të tyre është shfaqur dhe Besnik Gjongecaj, pasi u zhduk për shumë vite nga skena.
    Epigrami për marrëdhëniet e Berishës me tropojanët do të ishte: Ai i ka zgjedhur shumë keq bashkëpunëtorët e tij të afërt mes tyre, ndërsa armiqtë e tij i kanë zgjedhur shumë mirë bashkëpunëtorët që kanë përdorur kundër tij.