Ambasadori amerikan Withers i pafajshëm sipas jurisprudencës së vlefshme për “republikat e bananeve”


Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
21 mars 2009

    A mund ta gjeni se cilit nga vendet e mëposhtme, Ruanda, Danimarkë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bangladesh, i përkasin personat e ngjarjes së mëposhtme: Një major i ushtrisë me detyrë në ambasadën e shtetit të vet në një vend tjetër,  akuzon para një komisioni të parlamentit të vendit të vet, ambasadorin se ka bashkëpunuar me ministrin e mbrojtjes të vendit ku është akredituar, për të fshehur nga një gazetar i vendit të ambasadorit dhe majorit, një aferë skandaloze që ka të bëjë me tregtinë e armëve, në të cilën aferë është abuzuar me një shumë tepër të madhe parash që ka dhënë qeveria e vendit të majorit dhe ambasadorit? Fjala është që të mbrohet një biznesmen 22 vjeçar i cili vjen nga vendi i ambasadorit e majorit, i cili 22 vjeçar, si shpërblim për problemet me drejtësinë që ka patur në vendin e vet, ka fituar një tender prej 300 milion dollarësh për të blerë municion, të cilin e falsifikon duke i ndërruar etiketat për të fituar sa më shumë. Në fund ambasadori del i pafajshëm, majori thjesht largohet me një detyrë tjetër, biznesmeni 22 vjeçar thirret në gjykatë por nuk paraqitet, dhe as që arrestohet. Kush do të përgjigjet i pari?
    Përgjigje: Bangladeshi.
    -Jo! Përgjigje e gabuar. Tjetri.
    -Ruanda?
    -Jo përgjigjia është përsëri e pasaktë.
    -Mos doni të thoni se është Danimarka, se ky vend nuk mund të jetë SHBA?!
    -Në fakt, nuk është Danimarka!
    -Si, ah antiamerikan maniak, i poshtër, unë po largohem fare nga konkursi, ky është i konceptuar si pjesë e agjendës antiamerikane.
    -Zotëri, përgjigjia është pikërisht SHBA, po nuk besuat lexoni deklaratën zyrtare të Departamentit të Drejtësisë së SHBA. Në SHBA Departamenti i Drejtësisë ka dhe funksionin e Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri, përveç të Ministrisë së Drejtësisë, pra titullari i tij është si Enkeleid Alibeaj dhe Ina Rama të marrë së bashku për nga kompetencat. Kështu janë punët në vendin që na jep leksione për ndarjen e pushteteve. Është njëlloj sikur Enkeleid Alibeaj të kishte edhe postin e Ina Ramës dhe ta nxirrte të pafajshëm Fatmir Mediun.
    “Është vështirë të mos shkruash satirë” tha Juvenali 2000 vjet më parë për Imperinë Romane të fillimit të dekadencës. Është vështirë të mos shkruash satirë kur përshkruan ngjarje si ajo që ka të bëjë me mënyrën se si përfundoi historia e akuzës që majori Larry Harrison, shef i zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjejn (ODC) në ambasadën amerikane në Shqipëri, i bëri para Kongresit amerikan ambasadorit Withers se ky i fundit dhe bashkëpunëtorë të tij patën një takim në nëntor 2007 me ministrin e atëhershëm të mbrojtjes, Fatmir Mediun, për të gjetur mënyra se si të fshihnin nga një gazetar i “Neë York Times” mashtrimin që bënin duke i shitur qeverisë amerikane fishekë kinezë për shqiptarë.
    Nëse ambasadori amerikan është i pafajshëm, atëherë del që majori Harrisonështë skizofren, i cili ka halucinacione! Si është e mundur që një njeri si Harrison, duke e marrë të mirëqenë faktin se ai ka gënjyer, të ketë mbajtur një post kaq të lartë në ambasadën amerikane në Shqipëri? Një komedi e tillë nuk ndodh as në ushtrinë e vendit më qesharak afrikan. E vërteta është se, nga njëra anë majori Harrisonnuk është skizofren, por një njeri krejt normal mendërisht, por në anën tjetër edhe ambasadori Withers është i pafajshëm. Mos u habisni, ambasadori Withers është i pafajshëm sipas jurisprudencës amerikane që vlen për banana-republikat si Shqipëria.
    Sipas traditës më të mirë të diplomacisë amerikane në republikat e bananeve, ambasadori amerikan Withers, jo vetëm që u shpall krejt i pafajshëm nga drejtësia e vendit të tij, por ai praktikisht mori përsipër dhe funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri, sa i përket aferës së municioneve dhe tragjedisë së Gërdecit. Që “pafajësia” e ambasadorit Withers të ishte e plotë, duhet të vdiste Kosta Trebicka, se ai foli shumë në intervistat që dha në televizion dhe në regjistrimet e bisedave të tij me Efraim Diverolin që publikoi.
    Biseda e nëntorit 2007 mes ambasadorit Withers dhe Mediut, të cilën e denoncoi majori Harrison, u bë pikërisht për të mbrojtur biznesin e Diverolit, pra falsifikimin e etiketave të municionit, nga kinez në shqiptar. Withers e dinte mirë se çfarë po bëhej, se ai e dinte që Shqipëria në 2007 nuk zotëronte municion në sasi të madhe të prodhuar në vend, jo më herët se 20 vjet, pra që nga viti 1987, se industria e armatimit e Shqipërisë në atë periudhë kishte rënë në kolaps për shkak të mungesës së lëndëve të para.
    Në të gjithë botën, pa dallim, municionet paketohen ne leter pastaj ne kuti teneqeje hermetike te quajtura TIN (si konservat e peshkut te dikurshme) dhe pastaj 2 TIN futen ne nje arke druri te quajtur crate. Kështu ka ndodhur dhe në Shqipëri. Kaq gjë duhet ta dinte ambasadori amerikan, i cili kishte shkuar në takimin me Mediun së bashku me specialistë ushtarakë të ambasadës. Për të ulur peshën thjesht mund të hiqeshin arkat e drurit. Ndërsa çpaketimi i fishekëve nga kutitë TIN dhe ripaketimi bëhej për të mashtruar në lidhje me datën e prodhimit të municionit. Edhe këtë gjë nuk mund të mos e kuptonte ambasadori amerikan.Firma AEY e 22 vjeçarit Efraim Diveroli e cila bënte këtë falsifikim në Shqipëri ishte marrë si nënkontraktuese nga firma e madhe amerikaneve e armatimeve “BETA”, e cila në fakt ishte fituesja e tenderit të Pentagonit, për të mos i ndyrë duart kjo e fundit. Diveroli nga ana e tij nënkontraktoi Kosta Trebickën për të bërë punën në Shqipëri në Rinas, në mënyrë që as Diveroli të mos i ndynte duart drejtpërdrejt. Kështu Diveroli u nënkontraktua nga firma “BETA”, erdhi në Tiranë me duar në xhepa dhe gjeti Kosta Trebickën, i cili bënte gjithë punën e pistë. Diveroli pra merrte thjesht përqindjen për të shërbyer si dorezë e kompanisë “BETA” në këtë punë të pistë.
    Kosta Trebicka u rebelua kur atë e nxorrën nga kjo aferë fitimprurëse, për ta zëvendësuar me një tjetër njeri të llojit të tij. Atëherë Kosta Trebicka tha në media se ai punonte për CIA-n dhe se do të bënte publike gjithçka. Kjo marrëzi i mori kokën. Që të vdiste Kosta Trebicka duhej që të mbetej i lirë, dhe të shkonte “për gjueti” i thirrur nga miqtë e tij në CIA. Vdekja e Kosta Trebickës është përgjegjësi direkte e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe e Drejtorit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në atë kohë, Zamir Shtyllës. Në rast se Kosta Trebicka do të ishte arrestuar, siç e meritonte ai do të ishte gjallë sot. Dhe Kosta Trebicka duhet të ishte arrestuar se ai kishte konsumuar disa vepra penale. Në rast se Kosta Trebicka do të ishte gjallë në burg, ambasadori amerikan do të ishte kolegu i Kosta Trebickës në një burg federal amerikan. Së bashku dhe me zëvendësin e tij, Steven Kristina, një personazh ky si i dalë nga romani “Nostromo” i Joseph Conrad. Natyrisht Kosta Trebicka nuk u arrestua sepse Ina Rama nuk është realisht Prokurore e Përgjithshme por vetëm sekretare e Prokurorit të Përgjithshëm real, ambasadorit Withers.
    Ina Rama është përgjegjëse edhe për atë që nuk ka filluar një çështje penale ndaj Efraim Diveroli, duke e marrë atë të pandehur, dhe duke kërkuar ekstradimin e tij në Shqipëri. Natyrisht Ina Rama edhe këtu e ka shpërdoruar detyrën se Withers i ka thënë se Diveroli nuk duhet marrë i pandehur. Ina Rama e ka shpërdoruar detyrën edhe kur ka zbatuar urdhrin e ambasadorit Withers që të mos merrte të pandehur ortakun amerikan të Delijorgjit në kompaninë “Albademil”, Patrick Henry, i cili ironikisht mban emrin e një personaliteti të shquar të Revolucionit Amerikan. Patrick Henry, duke pasur 33% të aksioneve në kompaninë “Albademil” ka përgjegjësi penale për atë që ndodhi në Gërdec.
    Madje Patrick Henry ka përgjegjësi penale edhe si drejtues i kompanisë “SAC”, se pretendimi që kjo kompani kishte ndërprerë veprimtarinë në Shqipëri në dhjetor 2007, ra kur në emisionin “Faktori plus” të Mero Bazes u shfaq një videoregjistrim ku Rod Taylor, tekniku amerikan i kompanisë SAC që bashkëpunonte me “Albademil”, disa momente para shpërthimit ishte larguar me vrap nga fabrika e Gërdecit në anën tjetër të autostradës dhe kërkonte të njoftohej Delijorgji se po ndodhte shpërthimi. Kontrata e kompanisë “SAC” nuk përfundonte në dhjetor 2007 siç pretenduan drejtuesit e saj, për të mos mbajtur përgjegjësi kompania për Gërdecin, edhe pse titullari i saj ka përgjegjësi edhe si ortak i Delijorgjit. Edhe ky teknik amerikan duhet të merrej i pandehur, por kjo nuk ndodhi. Sigurisht kjo gjë nuk ndodhi se Prokurori i Përgjithshëm real i Shqipërisë, ambasadori amerikan Withers, nuk deshi të ndodhte.
    Kështu, jurisprudenca e standardit të republikave të bananeve ka bërë që sot në Shqipëri Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe gjithë grupi i prokurorëve që u mor me çështjen e Gërdecit dhe të aferës së shitjes së municioneve, të kenë konsumuar aq vepra penale sa të mjaftojnë për të marrë së bashku disa shekuj burg. Por kjo gjë nuk do të ndodhë se ata janë të mbrojtur nga ambasadori amerikan. Krimineli mbron kriminelin. Tragjedia e Gërdecit është “Borova” amerikane në Shqipëri. Por, derisa gjermanët e bënë masakrën e Borovës se u goditën pranë saj, banorët e Gërdecit nuk u kishin bërë gjë amerikanëve. Gjermanët nuk bënë më një masakër si e Borovës në Shqipëri (për masakrën e 4 shkurtit 1944 ku u pretendua se u vranë 84 vetë, nuk u dhanë kurrë emrat). Thuhet se gjermanët e bënë masakrën e Borovës se ky fshat ishte i banuar nga çifutë të konvertuar. Me këtë gjermanët treguan se e kishin me çifutët dhe jo me shqiptarët. Ndërsa amerikanët në Gërdec vranë shqiptarë.
    Për tragjedinë e Gërdeci dhe aferën e shitjes së municioneve përveç gjyqit që po bëhet në Tiranë duhet të ishte bërë dhe një gjyq në SHBA, ku të kishte dalë si i pandehur edhe ambasadori Withers. Ndërsa në gjyqin e Tiranës duhet të kishte pasur edhe disa amerikanë si Patrick Henry, Rod Taylor, Efraim Diveroli, i cili nuk po arrestohet as në SHBA etj. Duhet të kishte qenë edhe Kosta Trebicka. Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ditën e enjte aludoi shumë rëndë ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, duke thënë se nuk e njeh atë as nga përpara as nga prapa. Kur Mentor Nazarko protestoi Blendi Fevziu tha se këto janë keqkuptimet e gjuhës shqipe. Fatmir Mediu aludoi se të tjerë njerëz që japin urdhra se si duhet të bëhet kjo çështje penale e njohin Ina Ramën nga përpara dhe nga prapa. Kjo është një gjë shumë kurioze, aq më tepër kur Erion Veliaj para disa kohësh ka thënë se diplomatë të huaj marrin pjesë në festa me adoleshentë të veshur si femra.
    Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama i bëri nderin e veçantë gazetës së Carlo Bollinos, që të kishte eksluzivitetin dje të publikimit të akt-akuzës për ngjarjen e Gërdecit dhe aferën e shitjes së municioneve. Carlo Bollino është njeriu i cili shpërndau i pari lajmin e fabrikuar për vjedhjen e orës së Bush në Fushë-Krujë. Nuk është pa kuptim që pak kohë pas kësaj ngjarjeje ambasadori Withers mori pjesë në një gjoja seminar që mbajti “Gazeta Shqiptare”, ku u habitëm dhe u zbavitën duke parë drejtuesen e kësaj gazete që doli në krah të ambasadorit amerikan, e veshur me një lloj këmishe nate. Nga këto kuptohet se diplomatët amerikanë që komandojnë si kukull të drejtuar me fije ProkurorINËN, janë njerëz që zbatojnë një agjendë që synon të minojë marrëdhëniet shqiptaro-amerikanë dhe të kultivojë antiamerikanizmin e shkallëzuar në Shqipëri, për interesa të lobeve antishqiptare në SHBA.