Ambasada amerikane, “Bastija” e Tiranës


Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
21 shkurt 2009

    Është një reagim që e kanë të gjithë të huajt me të cilët kam udhëtuar me makinë në Rrugën e Elbasanit, kur kalojmë para selisë së ambasadës amerikane. Duke parë muret massive prej betoni të ambasadës, të rrethuara me karakolle rojesh, vizitorët e huaj të gjithë pa përjashtim kanë pyetur: “Çfarë është kjo?” Disa kanë bërë një hipotezë, duke thënë: “Çfarë është kjo, një burg?”. Kur kanë dëgjuar përgjigjen time “Ambasada amerikane”, të gjithë pa përjashtim kanë reaguar: “Ah, ambasada amerikane!” Tek toni i këtyre fjalëve “Ah, ambasada amerikane!” ka diçka sikur përgjigjia për pyetjen e tyre të ketë qenë: “Një burg”.
    Që ambasada amerikane ka pamjen e një burgu të sigurisë së lartë, kjo mund të justifikohet me rrezikun e terrorizmit që i kërcënon selitë diplomatike amerikane në botë. Por, në rastin e ambasadës amerikane në Tiranë, nuk duhet që të jesh ekspert i sigurisë, të të mos habitesh nga diskrepanca mes masave të sigurisë dhe vendndodhjes së ambasadës, në një gropë të rrethuar nga pallate të larta, ku mund të banojë çdokush. Terroristëve do t’ u mjaftonte që të merrnin një apartament me qera në një nga pallatet e lartë përreth ambasadës, që të urinonin drejt e në oborrin e ambasadës. Kur shikon vendndodhjen e ambasadës amerikane në Tiranë, nuk mund të mos krijohet bindja se dikush në Ëashington e ka dashur shumë që të bëhet një atentat ndaj ambasadës amerikane në Tiranë. Në rast se kërcënimi terrorist ka ndenjur mbi ambasadën amerikane në Tiranë si “Shpata e Damoklesit”, atëherë kjo “shpatë” rri varur mbi një “qyp”, brenda të cilit gjenden të rrezikuarit.
    Është për t’ u habitur që SHBA, kur u rihap ambasada pas rënies së komunizmit, nuk ngritën një ndërtesë të re për ambasadën e tyre, aq më tepër kur e dinin që marrëdhëniet me Shqipërinë do të qenë kaq intensive. Edhe në Maqedoni amerikanët ndërtuan një ambasadë të re, të madhe dhe të sigurt, në një vend të përshtatshëm, në një kodër. Ndërtesa ku është sot ambasada amerikane në Tiranë është ndërtuar në fillim të viteve njëzet të shekullit të kaluar, dhe vendi ku është ndërtuar, si dhe natyra e vetë ndërtesës, reflektojnë natyrën dhe shkallën e angazhimit të SHBA në atë kohë në Shqipëri dhe Ballkan, që ishin mjaft modeste, si dhe në Europë në përgjithësi. Ndërtesa dhe vendndodhja e saj reflektojnë modestinë dhe shpengimin e diplomacisë amerikane të kohës së izolacionizmit të pas Luftës së Parë Botërore. Asnjë rrezik serioz nuk priste Ëashingtoni për ambasadën e vet në kohën kur u ndërtua. Por, në vitet nëntëdhjetë, kur ambasada u rihap, gjërat kishin ndryshuar shumë.
    Kur u ndërtua ambasada e re amerikane në Bagdad, para pak kohësh, u tha se ndërtimi i saj është shprehje e angazhimit serioz amerikan në këtë vend. Në rast se është kështu, atëherë fakti që amerikanët nuk kanë ndërtuar një seli të re për ambasadën e tyre në Tiranë, është shenjë e joseriozitetit të angazhimit të tyre në Shqipëri. Në Shqipëri është bërë zakon të thuhet nga media dhe politika se SHBA janë aleati jonë strategjik. Por nuk është analizuar kurrë ky term. Është mjaftuar duke u përmendur angazhimi amerikan për çlirimin e Kosovës. Termi “aleat strategjik” është një term gjeopolitik, saktësisht i politikës së forcës. Aleatë strategjikë të deklaruar SHBA kanë Izraelin, Korenë e Jugut, Taiëanin, të cilët i mbështesin për të influencuar në raportet e forcës në Lindjen e Mesme dhe në Lindjen e Largme. Aleatët strategjikë SHBA i kanë mbështetur me të gjitha mënyrat, deri edhe duke i asistuar me ndihmë ekonomike, në mënyrë që të arrijnë një nivel të prosperimit ekonomik. Në rastin e Shqipërisë, ndihma financiare që SHBA i kanë dhënë vendit tonë në këto 19 vjet, është më tepër se tre herë më e vogël se ndihma që i kanë dhënë Armenisë, e cila ka më pak banorë sa Shqipëria, dhe që për më tepër është aleat strategjik i Rusisë. Në rast se do të shikoni faqen on-line të Departamentit të Shtetit për Armeninë, do të vëreni se atje thuhet me mburrje se SHBA, që nga viti 1992 i kanë dhënë Armenisë ndihma financiare që kapin shumën mbi 2 miliard USD. Në rast se do të hapni faqen për Shqipërinë, do të shikoni se shuma e ndihmës amerikane as që përmendet. Kjo për arsyen se kjo ndihmë është tre herë më e vogël, dhe për më tepër gjurmët e saj janë të padukshme. Në rast se SHBA do ta shihnin Shqipërinë si aleat strategjik, atëherë shifrat duhet të qenë të përmbysura dhe ndihma e SHBA për Shqipërinë të ishte tre herë më e madhe se për Armeninë, pra 6 miliard USD.
    Dikush mund të thotë se këtu është influenca e lobit armeno-amerikan, por kjo i bën SHBA një aleat joserioz. Me lobe funksiononte dhe Perandoria Osmane në kohën e dekadencës së saj, kur qeverisja funksiononte si një dyqan që ishte hapur në oborrin e Sulltanit, ku lobistët grekë, armenë, çifutë, arabë etj., blinin influencën në favor të komuniteteve të tyre. Le të mos na e shesin lobingun që bëhet në Ëashington për politikën e jashtme si një aspekt të demokracisë amerikane, se atë e njohim nga historia në Perandorinë Osmane, si një dukuri të dekadencës së saj.
    A mos ndoshta, pavarësisht pretendimit tonë se SHBA janë aleati jonë strategjik, SHBA e shohin SHBA, dhe shqiptarët në përgjithësi, në Kosovë, Maqedoni etj., thjesht si një aleat taktik. Aleati taktik është në traditën e gjeopolitikës anglo-saksone. “Aleat taktik” do të thotë se SHBA e shohin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, me popullsi konsistente shqiptare, Malin e Zi, me popullsi shqiptare, si protektorate amerikane, të cilat duhet mbajtur një gjendje destruktiviteti të kontrolluar, në mënyrë që të përbëjnë probleme potenciale për Europën, si “mina” në oborrin europian, butonin për shpërthimin e të cilave e kanë amerikanët. Në të njëjtën gjendje ndodhet dhe Bosnjë-Herzegovina, dhe amerikanët do të donin që në të njëtën gjendje të shihnin dhe Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë, deri edhe Greqinë.
    Në rast se amerikanët do ta shihnin Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon në përgjithësi si aleat strategjik, atëherë do të duhej që të punonin për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, të cilin pastaj do ta asistonin ekonomikisht që të prosperonte. E vërteta është që amerikanët, ndërsa e lenë të hapur këtë perspektivë, duke ia mbajtur Europës si një kërcënim ndryshimin e kufijve, në fakt punojnë fort kundërkësaj linje. Ambasada e SHBA në Shqipëri financon dhe kultivon një elitë thellësisht antinacionaliste në Shqipëri. Natyrisht që kjo është linja e përgjithshme politike amerikane në rajon, por nuk mund të zbatohet e njëjta politikë në Serbi, Bullgari, Kroaci, ku ka një nacionalizëm shumë të fuqishëm, dhe në Shqipëri, ku elita nacionaliste është shumë e dobët, edhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Politika amerikane në Shqipëri arrin efekte të shpërpjestuara me vendet fqinje, në dobi të nacionalizmave fqinj.
    Tashmë kemi hyrë në vitin e tetëmbëdhjetë të partneritetit me SHBA pas Luftës së Ftohtë. 18 vjet, dreqi i marrtë proamerikanët hipokritë, janë vërtet shumë. 18 vjet janë thuajse një brez njerëzor. 18 vjet vazhdoi partneriteti i Shqipërisë me Italinë e Musolinit, nga viti 1925 në vitin 1943. Por shenjat e këtij partneriteti janë shumë të prekshme në Shqipëri. Italia e Musolinit financoi ndërtimin e infrastrukturës në Shqipëri. Ende dhe sot në Tiranë rrugët më të mira dhe ndërtesat kryesore shtetërore janë ato të ndërtuara në atë kohë nga italianët dhe me financim Italian, duke përfshirë këtu Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e Elbasanit. E njëta gjë ka ndodhur dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Imagjinoni për një moment sikur në vitin 2009 i ashtuquajturi partneritet strategjik Shqipëri-SHBA të marrë fund dhe amerikanët të largohen nga Shqipëria, si dikur italianët. Çfarë gjurme do të kenë lënë amerikanët? Asgjë! Thjesht asgjë! Ne e dimë shumë mirë se SHBA kanë bërë mrekullira në vende që i kanë konsideruar aleat strategjik, dhe për këtë dëshmitar është fqinji jonë, edhe pse mosmirënjohës, Greqia.
    E sa kohë duhet të presim që të shohim të mirat e aleancës strategjike me SHBA? Edhe 18 vjet të tjera? Nuk ka shenja se do të ndryshojë ndonjë gjë për mirë, madje mund të ndryshojë për keq. Në Ëashington veprojnë lobe të fuqishme antishqiptare që kërkojnë të determinojnë politikën amerikane ndaj Republikës së Shqipërisë, Kosovës, dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi në rajon. Unë do të isha dakord me ftesat për durim, sikur të mos shikoja ambasadorin amerikan në Tiranë, që teston fort durimin e një pjese të madhe të popullsisë së Shqipërisë, siç ndodhi me qëndrimin ndaj ish-zyrtarëve të organeve të dhunës së diktaturës komuniste, që sot janë në poste-kyçe në drejtësi dhe shërbimin secret, në Shqipëri dhe që humbnin postet me ligjin e lustracionit.
    Mbrojtja që ambasadori amerikan u bëri këtyre njerëzve është një stimulus për antiamerikanizëm tek ajo pjesë e popullsisë që e shikon praninë e këtyre personave në këto poste këtë si një fyerje të drejtpërdrejtë që i bëhet asaj. Por jo vetëm tek kjo pjesë e popullsisë, por edhe tek njerëz si unë, që nuk janë persekutuar drejtpërdrejt, por që e shohin fyese dhe dhunuese në kulm këtë aleancë të diplomacisë amerikane në Tiranë me oligarkinë e drejtësisë të ardhur nga ish-nomenklatura e dhunës e regjimit komunist. Ky qëndrim i ambasadorit amerikan, që është tekefundit edhe qëndrimi zyrtar amerikan, tregon për një mungesë kujdesi të SHBA, për reputacionin e SHBA tek shqiptarët. Se tekefundit del që një grusht oligarkësh të drejtësisë me prejardhje nga organet e dhunës të diktaturës komuniste, paskan për SHBA më shumë vlerë se qindra mijë shqiptarë që u persekutuan nga diktatura komuniste, por edhe se shumë të tjerë, të cilët nuk janë persekutuar, por që ndihen të fyer kur shikojnë se nuk gjejnë akces në drejtësi, e cila duhet të mbetet ekskluzivitet i nomenklaturës së dhunës komuniste.
    Tash që ligji i lustracionit u pezullua me votat e mazhorancës së vrasësve politikë të Gjykatës Kushtetuese, gjeti qetësi ambasadori amerikan. Duket se për SHBA nuk përbën shqetësim fakti që çelësat e drejtësisë shqiptare i kanë vrasësit politikë, të kamufluar si juristë. Kjo të shtyn të pyesësh nëse SHBA janë të shqetësuara vetëm për formën e ligjeve kushtetuese, apo dhe për përmbajtjen e tyre? Se forma supozohet të jetë në funksion të përmbajtjes dhe jo e kundërta. Qëndrimi i SHBA për ligjin e lustracionit është një argument se SHBA na shohin si aleat taktik dhe jo strategjik. Tash mbetet të shihet nëse kjo gjë ndodh për shkak të influencës së lobeve diabolike antishqiptare në Ëashington, apo është një politikë e përpunuar amerikane. E vetmja mënyrë për ta verifikuar këtë gjë është ai që unë e quaj: antiamerikanizëm taktik. Antiamerikanizmi taktik është një lloj antiamerikanizmi që nuk synon t’ i dëbojë amerikanët nga Shqipëria, por t’ i bëjë ata të sillen si aleat strategjik, nëse janë të tillë. Antiamerikanizmi është një zhvillim që duket i paevitueshëm në të ardhmen, nisur nga sjellja e amerikanëve në Shqipëri, por çështja është që ai të shihet si antiamerikanizëm taktik dhe të mos precipitojë në antiamerikanizëm me pasoja më të rënda, aq më tepër kur ka shumë forca ndërkombëtare që do ta ushqejnë atë. Amerikanët e kanë deligjitimuar veten me qëndrimin për ligjin e lustracionit dhe në këto rrethana bëhet legjitime dhe një guerrilje, në kuptimin e plotë të fjalës, antiamerikane në Shqipëri. Amerikanët kanë manuale për raste të tilla, por e dijnë shumë mirë se ka dhe kundërmanuale. Nëse amerikanët mendojnë se do të mund ta kontrollojnë situatën me forcat e sigurisë shqiptare që janë nomenklaturë e tyre dhe kolaboracionistët e tyre, gabojnë shumë rëndë. Forcat e sigurisë shqiptare që do të mund të angazhohen në rast se shpërthen një konflikt i tillë, gjithsej nuk janë më tepër se 12-13 mijë vetë, dhe bërthama që mund të angazhohet seriozisht në konflikt nuk përbëhet nga më tepër se dy-tre mijë vetë. Në konflikte të tilla, shkallëzimi i dhunës i paralizon forcat e sigurisë, gjë që e dijmë nga ajo që ndodhi në vitin 1997. Meqënëse goditja kryesore do të jetë e përqëndruar ndaj amerikanëve, çka i zhvlerëson akuzat bajate për sulm ndaj institucioneve, që do të shihen si kolaboracioniste të amerikanëve, reagimi i shtetit nuk do të ketë sukses. Guerrilja antiamerikane në Shqipëri do të sigurojë menjëherë një mbulim të jashtëzakonshëm mediatik ndërkombëtar, dhe akuzat për grusht shteti thjesht do të shihen si qesharake. Ky është skenari i rastit më të keq, por është pikërisht skenari të cilin e stimulon qëndrimi i diplomacisë amerikane në Tiranë.
    Në një guerrilje antiamerikane në Tiranë skenari do të ishte ai i sulmit ndaj “Bastijës”, me të cilën të ngjean ambasada amerikane në Tiranë, e cila të kriojon asosacionin e një burgu. Bastija në Francë ishte simbol i një shoqërie aristokratike me kasta. “Bastija” amerikane në Tiranë është bërë simbol i një politike amerikane me kasta në Shqipëri. Amerikanët në Shqipëri mbështesin një kastë me origjinë nga nomenklatura e ish-regjimit komunist. Çdo 4 korrik, kasta aristokratike mblidhet në oborrin e “Bastijës” amerikane, me rastin e festës së SHBA. Në rastine amerikanëve, në Shqipëri, “Bastija” e tyre është njëkohësisht edhe Versajë. A mos ndoshta hezitimi i amerikanëve për të ndërtuar një seli të re diplomatike në Tiranë, ka të bëjë me një skenar të tillë, duke u lidhur me një bestytni të hershme të të huajve në Tiranë. Në 1961, rusët ikën nga Shqipëria fill pas përfundimit të ndërtimit të ambasadës së re (ku sot është selia e Presidentit të Republikës), ku ambasadori sovjetik nuk arriti të hyjë dot. E njëta gjë ndodhi dhe me kinezët në 1978. Marrëdhëniet mes dy vendeve u prishën në 1978, pikërisht në kohën që po përfundonte së ndërtuari ndërtesa e re e ambasadës kineze, ku sot është Ministria e Jashtme. Kjo bestytni është edhe më e hershme. Italianët u larguan nga Shqipëria në 1943, pikërisht në kohën që përfundoi së ndërtuari pallati i ri i mëkëmbësit (sot Pallati i Brigadave), i cili mëkëmbës ishte ekuivalenti i ambasadorit sovjetik, kinez, por dhe amerikan në Tiranë. Edhe turqit u larguan nga Tirana dhe Shqipëria në 1912-13, (nga Tirana në 1912) pikërisht në kohën kur përfundoi së ndërtuari selia e re e qeveritarit osman të qytetit, ndërtesa pranë Urës së Tabakëve ku ka qenë biblioteka e vjetër.
    Në rast se amerikanët e kanë këtë bestytni, atëherë ata e shohin ambasadën e tyre si një talisman, një hajmali. Por edhe Bastija ishte një talisman i shoqërisë me kasta. Ashtu si ç’ ndodhte në tragjeditë e vjetra greke, ku gabimi shihej si faj tragjik, që çonte drejt fundit tragjik, marrdhëniet shqiptaro-amerikane kanë hyrë në një kurs tragjik. Siç e do tradita e tragjedive antike, komunikimi mes palëve është ndërprerë totalisht, paraprakisht.
kmyftaraj@yahoo.com