Novela e Ismail Kadare, siç u quajt kur u botua për herë të parë në 1986, apo romani, siç quhet sot, «Viti i mbrapshtë» tregon për ngjarjet e vitit 1914 në Shqipëri, vit të cilit i referohet autori në titull. Sigurisht që në një vepër letrare autori ka të drejtë të lërë të lirë fantazinë dhe të krijojë ngjarje, por autorët seriozë ruajnë linjën e përgjithshme historike të ngjarjeve, aq më tepër kur personazhe reale historike janë personazhe të veprës letrare. Në letërsinë botërore, ka kryevepra të cilat kanë një temë të ngjashme, siç është «Viti 93» i Victor Hugo, apo «Lufta dhe paqja» e Leon Tolstoj. Të dy këta krijojnë ngjarje dhe personazhe me fantazinë e tyre, por ruajnë me korrektesë linjën e përgjithshme historike të ngjarjeve, aq më tepër që personazhe reale historike janë personazhe të veprës së tyre letrare.
Përkundrazi, Ismail Kadare në novelën, apo romanin e vet «Viti i mbrapshtë», nuk e respekton fare linjën historike të ngjarjeve, por thur një «rrjetë merimange» falsifikimesh historike të çuditshme, duke bërë që shqiptarët të duken si një komb i përfshirë nga një delir kolektiv. Ismail Kadare sikur ka pasur një kënaqësi perverse për t’i bërë dhe më kaotike dhe paranojake ngjarjet historike të asaj kohe. Për të kuptuar kaosin paranojak që bën Kadare me ngjarjet historike po citoj këto fragmente nga novela apo romani i tij «Viti i mbrapshtë», ku autori e përshkruan kështu Shqipërinë e kohës, me fjalët e veta:
«Pa lindur mirë, shteti shqiptar qe bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qyteti i shkrepej sot të shpallej i tillë, e tjetrit i shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin me litar, po njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqte shenjat natën... Por, sado mendime të ndryshme të kishin për të tjerat, për një gjë ishin në një mendje të gjithë: që shteti shqiptar qe kthyer në njëfarë mishmashi që s’ishte parë kurrë në fytyrë të dheut.
Ushtri e banda të ndryshme e përshkonin kryq e tërthor nga njëri cep në tjetrin. Nga veriperëndimi marshonte ushtria austriake me topa fushore, me rregulla e me urdhra të shkurtra, tamam ushtri. Në lindje vërtiteshin trupa franceze... Ushtria lindore malazeze, me këngë me avaz të vjetër, lëvizte ngadalshëm në verilindje. Në pyjet e Mamurrasit zdërhalleshin bandat e Tur Kusarit dhe më tej ushtria veriore me tirq të zinj e Uk Bajraktarit. Ushtria serbe, me qerre me municion lëvizte në drejtim të kundërt, duke lënë pas gropa gëlqereje, me të cilën spërkatnin kufomat e të vdekurve nga murtaja. Bandat muslimane të Esad Pashës, që kërkonin rikthimin te Turqia, vinin vërdallë në Shqipërinë e Mesme nën zhurmën e daulleve, britmave Dum Babën, domethënë Sulltanin turk dhe duke kënduar këngë të zymta molisëse:
Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehnem,
Shqipëri, moj kuçkë, ç’na bëre verem.
Së fundi ushtria e shtetit të porsaformuar shqiptar, më e brishta e të gjithave, me oficerë hollandezë, që s’kuptonin asnjë fjalë shqip dhe që pinin mbrëmjeve nga dëshpërimi».[1]
Më tutje Kadare shkruan, duke treguar meditimin e komandantit të çetës patriotike shqiptare të mokrarëve, Shestan Verdhës: «E kuptonte që ushtria serbe ishte kundër ushtrisë kombëtare shqiptare të Princ Vidit, ose hallandezkës, por nuk ia nxinte mendja se përse serbët, duke qenë armiq me turqit, ishin aleatë me esadistët, që s’donin veç rikthimin e Turqisë në Shqipëri. Ashtu siç nuk e kuptonte dot qëndrimin e francezëve, që duke qenë një ndër fuqitë e mëdha, nuk përkrahnin princin e vendosur prej tyre bashkërisht, siç bënin austriakët, por armiqtë e tij. Dhe aq më pak merreshin vesh qëndrimet e grekëve, të italianëve dhe bajraktarëve të Veriut, po mbi të gjitha, më i pakuptueshëm se çdo gjë ishte qendrimi i njëfarë Haxhi Qamili, fshatar musliman, rebelët e të cilit luftonin me të njëjtin tërbim si kundër ushtrisë kombëtare të princit, si kundër esadistëve».[2]
Më tutje Kadare shkruan: «Në javën e parafundit të nëntorit trupat franceze bënë një manovër nga më të pakuptueshmet në veri të ‘Republikës Autonome të Korçës’».[3]
Më tutje Kadare shkruan: «Dihej se trupat austriake, franceze, italiane dhe ushtria kombëtare shqiptare, sado që nuk shiheshin dot me sy, nuk ndesheshin me njëra-tjetrën. Disi më e paqartë ishte gjendja e ushtrive të fqinjëve, me të cilat ushtria kombëtare shqiptare qëllonte të ndeshej, por jo me atë kokëfortësi si me bandat esadiste. Ajo ishte përpjekur më kot që të bënte për vete aradhet e Haxhi Qamilit që ishin armiqtë e armiqve të saj, esadistëve, por s’ishte e mundur. Thuhej se princ Vidi kishte qendruar një natë pa gjumë, pa e kuptuar dot se përse Haxhi Qamili, që i urrente për vdekje si Esad Pashën, si serbët, nuk bashkohej me të».[4]
Më tutje Kadare shkruan: «Përveç qeverisë mbretërore të njohur prej Fuqive të Mëdha, qeveri e administrata të tjera bënin ligjin atje ku mundnin. Republika Katolike e Lezhës, me varrin e Skënderbeut, me emblemë dhe me prijës monsinjor Prenushin. Republika Autonome e Korçës, protektorat francez, ende pa flamur. Qeveria ndërkombëtare e Shkodrës (emërtimi i saj ishte i pashpjegueshëm), me njësi monetare frangun zviceran. Principata ose Pashallëku Islamik i esadistëve në Shqipërinë e Mesme, me dy kryeqytete: Elbasanin dhe Shijakun. Deklarata e Sektit Bektashi, i cili duke përfituar nga rezidenca e kryegjyshit botëror në Shqipëri, kishte shpallur Emiratin e sulltanin e vet, me kryeqytet Malin e Tomorrit. Principata Ortodokse Separatiste e Vorio-Epirit, me kryeqytet Janinën, që ndodhej jashtë kufijve shtetërorë. Principata kanunore e Oroshit, e mbiquajtur e amshueme, me flamur mesjetar të Lek Dukagjinit, me shqiponjë të bardhë. Krahina serbe, ose siç u quajt në shtyp shteti në formë korridori, për shkak të formës e të qëllimit (hapja e një korridori drejt detit), pa kryeqytet. Së fundi Republika Shqiptare, që njihej vetëm nëpërmjet gazetës së vet ‘Shqipëri e pafat’, por që s’dihej ku gjendej».[5]
Për të kuptuar falsifikimet historike që bën Kadare, po i jap lexuesit kronologjinë e rregullt të ngjarjeve që ai përzien në novelën apo romanin e tij:
- Administrata ndërkombëtare e Shkodrës, e cila mbështetej dhe nga një forcë paqeruajtëse e përbërë nga forca të gjashtë Fuqive të Mëdha, dhe që u krijua pasi Shkodra u lëshua nga Mali i Zi, në maj 1913, u shkri me fillimin e Luftës së Parë Botërore, në korrik 1914, pasi Fuqitë e Mëdha që përbënin administratën dhe trupën ushtarake ndërkombëtare të Shkodrës, ishin palë ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore. Është me të vërtetë absurde sesi Kadare imagjinon që francezët, italianët dhe austro-hungarezët, që në librin e tij luftojnë kundër njëri-tjetrit, të bashkëpunonin në ndërkohë në administratën dhe forcën ndërkombëtare të Shkodrës.
- Një farë kantoni autonom i Epirit të Veriut u shpall në Gjirokastër në 2 mars 1914, nën influencën e Greqisë dhe mbulonte territoret e zënë nga ushtria greke, në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Kolonjë, Korçë, Sarandë, Delvinë dhe Himarë.
- Princi von Wied erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe qëndroi deri në 3 shtator 1914, në kryeqytetin e shtetit shqiptar që ishte Durrësi. Pas kësaj date nuk ekzistonte më ushtria e shtetit shqiptar, e instruktuar nga holandezët.
- Misioni ushtarak holandez prej 17 oficerësh, erdhi në Shqipëri në 1914 dhe ndërpreu detyrën e vet pranë qeverisë shqiptare, në prag të fillimit të Luftës Botërore, që tashmë pritej, pasi në ndërkohë Austro-Hungaria i kishte dhënë ultimatum Serbisë që e kishte refuzuar, dhe në fakt lufta filloi të nesërmen e ndërprerjes së misionit holandez. Oficerët holandezë u larguan nga Shqipëria në 3 gusht 1914.
- Rebelët islamikë e pushtuan Durrësin në 5 shtator 1914 dhe vendosën atje pushtetin e tyre të llojit të një pashallëku islamik.
- Esad Pashë Toptani hyri në Durrës në 2 tetor 1914, duke i dëbuar prej andej rebelët.
- Në 27 tetor 1914 Greqia shpalli aneksimin e Vorio-Epirit dhe qeveria e vetëshpallur e këtij të fundit pushoi së funksionuari.
- Kryengritja e Haxhi Qamilit filloi në 30 nëntor 1914 kundër qeverisë së Esad Pashës.
- Ushtria malazeze, pasi u tërhoq nga territori i shtetit shqiptar në maj 1913, e detyruar nga Fuqitë e Mëdha, e invadoi përsëri Shqipërinë Veriore në 1915, duke okupuar Shkodrën, dhe duke hyrë në Dukagjin, e në Tropojën e sotme.
- Forcat ushtarake serbe erdhën në Shqipëri në qershor 1915, për të siguruar rrugëkalimin për tërheqjen e ushtrisë serbe nëpërmjet detit nga portet shqiptare, pasi ushtria serbe po e përballonte me vështirësi luftën me Austro-Hungarinë dhe pritej që kundër saj të vepronin dhe forcat gjermane dhe ato bullgare. Më pas ushtria serbe erdhi së dyti në Shqipëri, në fillim të vitit 1916, kur u tërhoq e shpartalluar, e ndjekur nga ushtritë austro-hungarezo-gjermane, që pushtuan Serbinë, por këtë herë ushtria serbe nuk qe faktor në luftime, dhe thjesht ngutej të largohej nëpërmjet detit.
- Haxhi Qamili u arrestua në Shijak në 8 qershor 1915 dhe u var në 16 gusht 1915.
- Ushtria austro-hungareze hyri në Shqipëri në janar 1916 dhe duke ndjekur ushtrinë serbe pushtoi Shqipërinë deri në Vjosë.
- Forcat ushtarake franceze hynë në Korçë në tetor 1916.
- Krahina Autonome e Korçës u shpall nën influencën franceze në dhjetor 1916.
- Manovrat e ushtrisë franceze, në veri të Korçës, në nëntor, pas shpalljes së Republikës Autonome të Korçës, mund të jenë zhvilluar veç në nëntor 1917, në frontin me austro-hungarezët.
Duke i parë ngjarjet e novelës apo romanit të Kadaresë nën dritën e kësaj kronologjie të saktë historike, mund të zbulosh se çfarë shtrembërimesh ka bërë Kadare, duke marrë ngjarje të viteve 1915, 1916, 1917, dhe duke i ngjeshur në vitin 1914. Duketsikur Kadare ka pasur dëshirë që ta bëjë sa më të mbrapshtë dhe më të keq vitin 1914 për Shqipërinë. Kadare krijon një kaos diabolik ku në Shqipëri luftonin në të njëjtën kohë ushtria e shtetit shqiptar, ajo esadiste, ajo e rebelëve të Haxhi Qamilit, ushtria serbe, austro-hungareze, franceze, malazeze, ku qeverisnin në të njëjtën kohë Princi Wied, Republika e Korçës, regjimi i Haxhi Qamilit, qeveria e Esad Toptanit, dhe disa qeveri të tjera, religjioze katolike, sunite, bektashiane, gjë që nuk ka qenë e vërtetë. Kadare e ka shtuar rrëmujën duke i bërë të veprojnë në të njëjtën kohë forcat e Princit Wied, ato të Haxhi Qamilit dhe ato esadiste. Kur filloi rebelimi i drejtuar nga Haxhi Qamili Princi Wied kishte ikur prej tre muajsh, ndërsa kur erdhën serbët kishte ikur prej dhjetë muajsh. Pra, Kadare kot na e paraqet Princin Wied duke qëndruar pa gjumë për të zbuluar përsenë e sjelljes së Haxhi Qamilit. Në fakt duket se ai që ka qëndruar pa gjumë është Kadare, për të ngatërruar historinë.
Kadare gjithashtu mashtron kur thotë se Imzot Prenushi kishte krijuar një principatë katolike separatiste në Lezhë. Imzot Prenushi është një person real, një shkrimtar i madh shqiptar, që vdiq në burgjet e regjimit komunist, dhe duket se Kadare duke i atribuar këtë bëmë të paqenë kërkon ta denigrojë pas vdekjes edhe politikisht, pasi e ka denigruar si shkrimtar në libra të tjerë. Një tjetër gafë e Kadaresë është që shtetin e Mirditës, të kriujuar në 1921 nga disa aventurierë, e bën sikur ka ndodhur në vitin 1914, gjë që nuk ishte e vërtetë se atëherë mirditorët, me në krye Prengë Bibë Dodën, mbështetën Princin Wied dhe shtetin shqiptar. Një gafë tjetër historike është kur Kadare shpik nga fantazia një shtet bektashi me kryeqytet Malin e Tomorrit, për sajimin e të cilit ai zhvendos një ngjarje reale, ardhjen në Shqipëri të selisë botërore të bektashinjve, kryegjyshatës botërore, nga vitet njëzet kur ka ndodhur, në periudhën para vitit 1914.
Për atë që e njeh kronologjinë e saktë të historisë së Shqipërisë të viteve 1913-1917, nuk ka fare enigmë se përse ushtria franceze në Shqipëri nuk mbështeste Princin von Wied, siç bënin austro-hungarezët, edhe pse Franca ishte një nga Fuqitë e Mëdha që e kishte sjellë atë në fronin e Shqipërisë. Kur ushtria franceze erdhi në Shqipëri, në 1916, Princi von Wied kishte ikur prej dy vjetësh nga Shqipëria dhe ishte oficer në ushtrinë gjermane, e cila ishte e angazhuar në Luftën e Parë Botërore, ku Franca ishte kundërshtare e Austro-Hungarisë, që ishte aleate e Gjermanisë. Këtë e dinte kushdo në Shqipëri në atë kohë.
Me falsifikimet historike që ka bërë Kadare, krijon përshtypjen tek të huajt që lexojnë librin, se shqiptarët e copëtuan shtetin e tyre në shumë principata fetare, që ishin mes tyre në një konflikt paranojak, gjë që nuk ka qenë e vërtetë. Esad Pasha ka fajet e veta, por në 1914 ai nuk krijoi një principatë islamike, të cilën donte ta bashkonte me Turqinë, por luftoi kundër rebelëve islamikë, dhe krijoi një qeveri laike. Esad Pasha nuk krijoi një pashallëk islamik me qendër Elbasanin dhe Shijakun, siç thotë Kadare, por ai e quajti pushtetin e vet vazhdues të qeverisjes së Princit Wied, dhe kryengritësit islamikë kur i kapi, i dënoi për rebelim ndaj Princit Wied. Esad Pasha ruajti laicitetin e shtetit dhe qeveria e tij u njoh nga fuqitë e Antantës. Ajo që thotë Kadare se Esad Pasha në atë kohë ishte filoturk dhe donte ta bashkonte Shqipërinë me Turqinë, është marrëzi që nuk i përgjigjet historisë. Esad Pasha në atë kohë u dënua me vdekje në Turqi për shkak se ishte aleat i Antantës, me shtetet e së cilës Turqia hyri në luftë në nëntor 1914.
Qeveria e Esad Pashës u njoh nga fuqitë e Antantës si fuqi shoqe, dhe Esad Pasha u prit në Romë, Paris dhe Londër si kryetar i një qeverie aleate. Kjo është e vërteta historike dhe i duhet njohur si meritë Esad Toptanit. Për të këqijat që ka bërë le të marrë vlerësimin që meriton. Është interesante se kështu siç po e paraqes unë këtu tregohet historia e asaj kohe edhe në tekstet e historisë zyrtare të kohës së komunizmit, kur Kadare botoi «Viti i mbrapshtë» (1986). Kadare pra nuk kishte pse ta denigronte Esad Pashën më tepër se ç’e ka denigruar historiografia e kohës së komunizmit. E keqja më e madhe është se falsifikimet historike të Kadaresë qarkullojnë sot në botë të legjitimuara me emrin e tij, dhe tash do të përhapen dhe me anë të filmit. Ata që kanë shkruar skenarin e filmit kanë përgjegjësi nëse i ruajnë shtrembërimet historike që ka bërë Kadare dhe që krijojnë një imazh të keq për shqiptarët në botë.
Është për t’u habitur se si një libër me falsifikime kaq paranojake të historisë si «Viti i mbrapshtë» të quhet kryevepër! Ata që e thonë këtë gjë janë ose injorantë, që nuk e njohin historinë, ose paranojakë! A mund të quhej kryevepër «Viti 93» nëse Victor Hugo do të përziente atje edhe perandorin Napoleon, edhe futjen e ushtrive ruse në Paris, pas rënies së Napoleonit, edhe betejën e Vaterlosë, e ku ta dish se çfarë tjetër, apo sikur Leon Tolstoj të kishte futur tek «Lufta dhe Paqja» edhe Luftën e Krimesë, Luftën Ruso-Japoneze apo edhe Revolucionin e 1905-tës? Sigurisht që jo! Ismail Kadare nuk mund të heshtë për këto gjëra, duke mbajtur një heshtje shpërfillëse olimpike, se dëmi që ai bën me to është real.
Pse e ka bërë Kadare të gjithë këtë kaos me kronologjinë historike? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është se kjo novelë e Kadare është një kumt i regjimit komunist për Perëndimin. Novela u botua në 1986, një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur në Bashkimin Sovjetik kishte ardhur në pushtet Gorbaçovi. Në atë kohë regjimi komunist shqiptar i kapte mirë sinjalet e shpërbërjes së bllokut komunist. Polonia disa vjet më parë kishte ardhur deri në prag të shpërbërjes së regjimit komunist dhe ky i fundit atje mezi po mbahej. Në Jugosllavinë fqinje, pas vdekjes së Titos, kishte filluar procesi i shpërbërjes së federatës komuniste, që ishte një shpërbërje e dyfishtë. Bashkimi Sovjetik kishte vështirësi të mëdha në Afganistan dhe në republikat sovjetike të Kaukazit, Azisë Qendrore dhe Balltikut, kështu që nuk dukej se ishte në gjendje të mbante nën kontroll perandorinë e kuqe. Dukej se uji ishte duke e kapërcyer digën. Atëherë Perëndimi dhe në radhë të parë SHBA favorizonin forcat që ishin për përmbysjen e komunizmit. Elita e regjimit komunist në Tiranë e kuptonte se nëse shpërbëhej blloku komunist, duke përfshirë dhe regjimin komunist në Jugosllavi, që do të thoshte shpërbërje e federatës, as regjimi komunist në Shqipëri nuk do të mund të mbijetonte.
Prandaj, regjimi komunist, e përdorte Kadarenë, si një nga kumtarët me të cilët i thoshte Perëndimit dhe posaçërisht SHBA-ve se nuk duhej që të kërkonte të përmbyste regjimin diktatorial komunist në Shqipëri, se alternativa e tij nuk ishte një Shqipëri demokratike, por shpërbërja e shtetit shqiptar nga forcat centrifuge fetare dhe krahinore, si në vitin 1914, kur në Shqipëri u shpërbë shteti nën influencën e fuqive të huaja, që nxitën e sponsoruan konflikte fetare e krahinore në vend. Prandaj, në vizionin e regjimit komunist shqiptar, Perëndimi duhej të pajtohej në Shqipëri me një regjim diktatorial që do të evoluonte nga stalinizmi në një lloj peronizmi, ku sistemi shoqëror do të transformohej politikisht vetëm duke hequr dorë nga dekori komunist, ndërsa në aspektin ekonomik sistemi shoqëror do të evoluonte plotësisht drejt kapitalizmit. Ramiz Alia dhe entourage e tij mendonin se Perëndimi dhe në radhë të parë SHBA-të do të detyroheshin ta pranonin këtë si alternativën më pragmatike. Kështu që novela e Kadare «Viti i mbrapshtë» ishte në fakt një shantazh që regjimi komunist shqiptar i bënte Perëndimit.





