Në krye të kopertinës së botimit shqip të «Prilli i thyer», të Ismail Kadare, në vitin 2003, nga shtëpia botuese «Onufri» është vënë ky citat, i shkëputur nga një shkrim për këtë libër i kritikut letrar amerikan, Herbert Mitgang, i botuar në gazetën «New York Times»: «Me ‘Prilli i thyer’ Kadare vjen në pararojë si romancieri më i madh ndërkombëtar». E vërteta është që libri i Ismail Kadare «Prilli i thyer» është bërë një manual i perceptimit të mbrapshtë për të gjithë ata të huaj që duan të njohin shqiptarët, në dy anët e kufirit, posaçërisht në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, dhe e njohin me anë të këtij libri. Ajo që i bën të huajt të kenë një perceptim të gabuar të realitetit historik shqiptar, është fakti se Kadare, në këtë libër i krijon përshtypjen lexuesit sikur ai po paraqet fakte historike, kur ato janë trillime të fantazisë së tij. Ne mund të identifikojmë dhe vitin e saktë se kur zhvillohen ngjarjet në librin e Kadare, sipas atyre që thotë autori. Ngjarjet në novelën e Kadare zhvillohen në një periudhë tridhjetë ditore, 17 mars-17 prill, aq sa ç’është jeta e personazhit kryesor Gjorg Berishës, që nga momenti që vrau për gjak, dhe derisa e vranë. Ngjarjet në novelën e Kadaresë zhvillohen në kohën e monarkisë, në vitet tridhjetë. Kjo kuptohet nga fakti se për një nga personazhet, Diana Vorpsin, gruan e shkrimtarit Besian Vorpsi, autori thotë:
«Dhe ja tani ata po rendnin drejt Rrafshit të zymtë verior. Ai Rrafsh, për të cilin ajo kishte lexuar dhe dëgjuar aq shumë kur studionte në Institutin e Vajzave ‘Nëna Mbretneshë’, e sidomos më pas gjatë kohës së fejesës me Besian Vorpsin, edhe e tërhiqte edhe e trembte».[1]
Instituti femëror «Nana Mbretneshë» u hap në 1933 dhe të parat vajza të diplomuara prej tij dolën në 1937, kështu që ngjarjet në librin e Kadare zhvillohen jo më herët se viti 1937, por jo më vonë se viti 1938, se në libër thuhet se Mbreti Zog është në pushtet, dhe siç dihet ai iku në 1939.
Ngjarjet në novelën e Kadaresë zhvillohen në atë që ai e quan «Rrafshi verior», që përbën pothuajse gjysmën e territorit të shteti shqiptar, dhe ku ligji në fuqi është Kanuni, dhe shteti nuk ekziston fare, duke qenë ky territor nën sundimin e Princit të Oroshit, në Mirditë. Shkrimtari Besian Vorpsi, i cili udhëton në këtë zonë bashkë me gruan, për muajin e mjaltit, i shpjegon së shoqes:
«- Po duhet të jemi tamam ashtu, krenarë, - vazhdoi ai. - Rrafshi është i vetmi rajon në Evropë, që, duke qenë pjesë e një shteti modern, e përsëris, pjesë e një shteti modern evropian dhe jo një vendbanim tribush primitivë, i ka flakur ligjet, strukturat juridike, policinë, gjyqet, me një fjalë krejt organizmat shtetërore; i ka flakur, më kupton, i ka pasur dikur dhe i ka flakur për t’i zëvendësuar me ligje të tjera, morale, të cilat janë kaq të plota, saqë i kanë detyruar administratat e huaja të pushtimit dhe më vonë administratën e vetë shtetit të pavarur shqiptar t’i njohë ato dhe ta lënë kështu Rrafshin, domethënë gati gjysmën e mbretërisë jashtë kontrollit të shtetit... Qysh prej kohësh që s’mbaheshin mend, as policia dhe as administrata shtetërore nuk ndërhynin në Rrafsh. Kulla vetë s’kishte as polici, as administratë, megjithatë Rrafshi ishte i gjithi nën kontrollin e saj. Kështu kishte qenë në kohën e Turqisë, madje më përpara, dhe kështu më vonë, gjatë pushtimeve serbe e austriake, dhe pastaj gjatë republikës së parë dhe më pas, në republikën e dytë e gjer tani, nën mbretërinë. Madje disa vjet më parë në parlament ishte bërë një përpjekje e fundit nga një grup deputetësh, për të futur administratën shtetërore në rrafsh, por përpjekja kishte dështuar. Ne duhet të ëndërrojmë që kanuni të shtrijë pushtetin e tij mbi gjithë trojet e vendit, kishin thënë mbrojtësit e Oroshit, dhe jo të përpiqemi ta shkulim nga bjeshkët e tij megjithëse atë nuk ka forcë në botë që ta shkulë».[2] Ky paragraf gjendet i pandryshuar edhe tek «Prilli i thyer» i vitit 2003.[3]
Këtu Kadare i paraqet gjërat sikur në Shqipërinë e Veriut, edhe në kohën e monarkisë, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, nuk ekzistonin fare institucionet shtetërore, as në mënyrë dekorative, dhe se ky territor sundohej nga një prijës feudalo-fisnor. Kjo nuk është e vërtetë. Shteti shqiptar i kohës, edhe pse në zona të caktuara ishte i dobët, e kishte nën kontroll edhe Shqipërinë Veriore, dhe që në vitet njëzet kishte shtypur disa rebelime atje, si në Mirditë, Dukagjin etj. Sigurisht që institucionet e shtetit shqiptar ishin të dobëta në këtë zonë, dhe shpesh autoriteti shtetëror kombinohej me atë të prijësve fisnorë, që ishin bërë pjesë e sistemit të institucioneve shtetërore si oficerë rezervë, siç ishte në atë kohë dhe i pari i derës së Oroshit. Këta njerëz ishin të ngarkuar me detyrën që në rast rebelimi të ngriheshin në mbrojtje të shtetit, por ama shteti ekzistonte dhe e ushtronte autoritetin e vet. E keqja është se të huajt, që e njohin Shqipërinë nëpërmjet librave të Kadare, besojnë se është vërtet ashtu siç thotë ai, dhe se Shqipëria e Veriut në vitet tridhjetë të shekullit XX ishte një territor hobesian ku nuk ekzistonte fare shteti.
Aspekti tjetër i keq i kësaj që thotë Kadare është se ai e paraqet «Rrafshin verior» sikur ai mbulon jo vetëm në gjithë Shqipërinë e Veriut (shtetin shqiptar të 1913), por edhe Kosovën, jashtë kufijve të 1913, në Jugosllavi. Kjo kuptohet «Qehajai i gjakut» mediton, duke thënë: «I qe dukur përherë se e njihte mirë atë Rrafsh, për të cilin thoshin se ishte një nga më të mëdhenjtë e hijerëndët e Evropës e që, pasi shtrihej me mijëra kilometra katrorë brenda Shqipërisë, vazhdonte pastaj përtej kufijve, në viset shqiptare të Kosovës, ose ato që sllavët i quanin ‘Serbia e vjetër’ e që në të vërtetë nuk ishte veçse pjesë e tij».[4]Ky paragraf gjendet i pandryshuar edhe tek «Prilli i thyer» i vitit 2003.[5]Kështu del sikur edhe shqiptarët e Kosovës kanë mendësinë e refuzimit të shtetit, dhe se i binden një prijësi feudal-tribal, kanunor zotit të Oroshit, gjë që nuk ka qenë e vërtetë. Autoriteti i kreut të derës së Oroshit asnjëherë nuk është shtrirë përtej Mirditës, me 12 bajrakët e saj. Këtu Kadare i paraqet shqiptarët e Kosovës para të huajve ashtu siç i kanë paraqitur ata historikisht serbët, pra si njerëz primitivë, që jo vetëm janë të paaftë të ndërtojnë shtet, por edhe e refuzojnë shtetin, duke parapëlqyer qeverisjen tribale. Me këtë serbët justifikonin genocidin e tyre ndaj shqiptarëve, si dhe spastrimin etnik që serbët bënin ndaj shqiptarëve, duke i deportuar ata në Turqi. Pra, serbët thoshin se shqiptarët janë një popullsi primitive, që e refuzojnë qytetërimin, duke filluar që nga shteti modern.
Linja tjetër në librin e Kadaresë, veç asaj të udhëtimit të çiftit Vorpsi në Orosh, është ajo e Gjorg Berishës, i cili vret për gjakmarrje dhe shkon të paguajë taksën e gjakut në Kullën e Oroshit:
«- Gjorg, ja ku i ke pesëqind groshët e gjakut, - tha ai, duke i zgjatur qesen.
Gjorgu e shikoi me sy të çakërritur, duke i fshehur duart pas shpinës, si për t’i pasur sa më larg asaj qeseje të nëmur.
- Çfarë? - ia bëri ai me zë të shuar. - Pse?
I ati e vështroi pak habitshëm.
- Si pse? Harrove se duhet paguar taksa e gjakut?
- Ah, - ia bëri Gjorgu, me një farë lehtësimi. - Ah, po.
Qesja ishte akoma e nderur para tij dhe ai lëvizi duart drejt saj.
- Pasnesër duhet të nisesh për në kullën e Oroshit, - vazhdoi i ati. - Të duhet një ditë rrugë gjersa të arrish atje.
Gjorgu s’kishte asnjë dëshirë të shkonte askund.
- A s’pret kjo punë babë? A duhet paguar menjëherë?
- Po, bir. Kjo punë s’pret. Taksa e gjakut duhet paguar fill pas derdhjes së gjakut.
Qesja ishte tani në dorën e djathtë të Gjorgut. Ajo ishte e rëndë. Kursime stinësh të tëra ishin grumbulluar atje, javë pas jave e muaj pas muajsh, në pritje të gjakmarrjes».[6]
E vërteta është se nuk ka patur kurrë një rregull të tillë që të gjithë ata që vrisnin për gjakmarrje në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, të shkonin të paguanin një taksë të gjakut në Kullën e të parit të Mirditës në Orosh. Madje këtë gjë nuk e kanë bërë kurrë as ata që kanë vrarë për gjakmarrje në Mirditë. NUK KA PASUR KURRË NJË TAKSË TË GJAKUT. Ajo që ka ekzistuar ka qenë një shpërblim që merrte dera e të parit të Mirditës nga ato familje që ishin në gjak dhe që kërkonin pajtim. Dera e të parit të Mirditës ishte instanca e fundit së cilës i drejtoheshin palët që kërkonin pajtim, pas pleqve të katundeve. Shpërblimi që dera e të parit të Mirditës merrte në këtë rast justifikohej me shpenzimet që ajo do të bënte gjatë angazhimit për pajtim, duke marrë kontakte me palën tjetër, dhe për mundin në përgjithësi. Dhe kjo ndodhte vetëm në zonën e Mirditës dhe jo më gjerë. Ajo që thotë Kadare se çdo njeri, që vriste për gjak në Shqipërinë e Veriut (këtej kufirit) dhe në Kosovë, nisej në Orosh të paguante taksën e gjakut, është një trillim i përbindshëm, që i shërben Kadaresë si boshti i disa trillimeve të tjera të përbindshme, të cilat denigrojnë nacionin (kombin) shqiptar në dy anët e kufirit, në një mënyrë që nuk e kanë bërë as ata që kanë thënë gjërat më të këqija për të, si serbët Gjorgjeviç, Cvijiç, Çubrilloviç etj.
Gjorgu niset në Kullën e Oroshit, dhe gjatë rrugës Kadare tregon episode të tilla, meqë ka thënë se në Shqipërinë e Veriut nuk kishte shtet:
«Dhe vërtet, pas një gjysmë ore dalloi që larg çatinë e një hani. E bëri gati me vrap rrugën gjer te porta e tij, qëndroi një grimë te pragu, pastaj hyri brenda. Ky ishte një han i zakonshëm, si gjithë bujtinat e malësisë, me pullaz shumë të pjerrët për të rrëshqitur dëbora, me erë kashte, me kthinë të madhe të përbashkët dhe pa tabelë... Ndërsa po ulej në një nga ndenjëset boshe, Gjorgu ndjeu tytën e pushkës t’i prekte dyshemenë dhe e hoqi armën nga supi. Ai e vuri atë midis gjunjëve, pastaj, me një lëvizje të qafës, rrëzoi mbi shpinë kapuçin e qullur të xhokes».[7]
Por në fund të viteve tridhjetë të shekullit XX, as në Shqipërinë e Veriut, derisa njerëzit mund të mbanin pushkë të fshehura, nuk mund të dilte kush me pushkë në krah publikisht e të hynte në bujtina e kafene. E shumta mund të mbante një revolver të fshehur në brez. Në vend, si në Veri ashtu dhe në Jug ishin bërë disa fushata çarmatimi që në vitet njëzet, dhe tashmë shteti nuk toleronte që të mbante kush armë publikisht, nga civilët, veç parisë e shoqëruesve të tyre, që kishin leje nga shteti, si oficerë rezervë. Nëse Kadare donte patjetër që të vinte në novelë skena të tilla, ai duhej t’i vendoste ngjarjet shekuj më parë, dhe jo në vitet tridhjetë, në shekullin XX, në kohën kur ishte krijuar shteti shqiptar. Pasi Gjorgu arrin në Kullën e Oroshit, Kadare e çon në atë që e quan «kthina e gjakësve», në Kullën e Oroshit, ku strehohen ata që kanë vrarë për gjakmarrje në gjithë Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, dhe që vijnë në Orosh për të paguar taksën e gjakut:
«- Nga je? - e pyeti njeriu që ishte përbri tij.
Gjorgu i tha emrin e katundit...
- Ti s’paske qenë dhe aq larg, - i tha njeriu përbri. - Mua m’u desh të bëja dy ditë e gjysmë rrugë pa pushim».[8]
Atëherë del, sipas atyre që thotë Kadare, se edhe besa tridhjetëditëshe që përcaktohet në Kanun, për atë që vret për gjak, është vënë në funksion të taksës së gjakut, që vrasësit nga zonat më të largta, të kenë mundësi të vijnë në Orosh për të paguar taksën e gjakut, dhe pastaj të mund të kthehen në katundet e tyre dhe të ngujohen. Pasi Kadare ka trilluar taksën e gjakut, që paguan në Kullën e Oroshit çdo njeri që ka vrarë për gjakmarrje në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ai trillon një gjë tjetër të përbindshme, atë që e quan «Qehajai i gjakut», Mark Ukaçjerra, i cili merret me mbledhjen e taksës të gjakut dhe nxitjen e gjakmarrjes: «Ai ishte një nga kushërinjtë e afërt të princit dhe, ngaqë në ndarjen e punëve të kullës merrej me pjesën e gjakmarrjes, quhej ‘Qehajai i gjakut’».[9]
Në të vërtetë nuk ka pasur një «Qehaja të gjakut», ashtu siç nuk ka pasur asnjë taksë të gjakut. Ismail Kadare e përshkruan Mark Ukaçjerrën si një përbindësh në llojin e vet, si një lloj administratori i «Drakulës» që është Princi i Oroshit. I ashtuquajturi Princi i Oroshit, në librin e Kadaresë, i ka siguruar brez pas brezi të ardhurat kryesore të tij nga mbledhja e taksës së gjakut, në gjithë Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ku shtrihej juridiksioni i tij si mbikëqyrës i zbatimit të Kanunit, dhe tashmë është i shqetësuar se këto të ardhura kanë rënë dhe për këtë e qorton «Qehajain e gjakut». Kadare e bën «Qehajain e gjakut» të meditojë kështu:
«Diçka po zvetënohej me shpejtësi përreth, diçka po bjerrte. Kurse ata i kërkonin llogari atij përse po pakësohej gjakmarrja. Edhe natën e mbrëmshme kryezoti i kishte thënë, midis të tjerash, gjithë vrer: ‘Disa njerëz kërkojnë zbutjen e kanunit të të parëve’ dhe e kishte vështruar vëngër Markun. Ç’do të thoshte zoti i Orokut me atë vështrim? Mos vallë ai, Mark Ukaçjerra, ishte fajtor që kanuni, e sidomos gjakmarrja, kohët e fundit po jepte shenja zbutjeje? A nuk e ndjente ai duhmën që frynte nga qytete deledashe? Ishte e vërtetë që të ardhurat prej taksës së gjakut këtë vit ishin pakësuar, por nuk ishte vetëm ai fajtor për këtë, ashtu siç nuk ishte vetëm meritë e qehajait të tokave prodhimi i mbarë i misrit. Le të bënte kohë e keqe, pa do të shihte ai se ç’misër do të korrte. Mirëpo viti bëri i mbarë dhe qehajai i tokave u lavdërua prej princit. Kurse gjaku nuk ishte shi që derdhej prej qiejve. Shkaqet e pakësimit të tij ishin tepër të mjegullta. Ai natyrisht kishte pjesën e tij të fajit në tërë këtë gjë. Mirëpo kjo nuk varej vetëm prej tij. Ah, po t’i jepnin atij të drejta më të mëdha dhe po t’i linin në dorë disa gjëra, le t’i kërkonin pastaj llogari gjer në një për të ardhurat e gjakut. Atëherë po, ai do të dinte ç’të bënte. Mirëpo, megjithëse njerëzit dridheshin nga nofka e tij e tmerrshme, caku i fuqisë së tij s’qe aq i largët. Ndaj dhe punët e gjakut po merrnin tatëpjetën në Rrafsh. Kishte rënë numri i vrasjeve nga viti në vit, por stina e parë e këtij viti kishte qenë sidomos katastrofike. Ai e kishte ndjerë këtë dhe me gjak të ngrirë priste mbarimin e llogarive që ndihmësit e tij po i bënte qysh prej disa ditësh. Përfundimi qe më i keq se ç’e kishte pritur; as shtatëdhjetë për qind e shumës së të njëjtës stinë të vitit të shkuar nuk ishte derdhur në arkë. Dhe kjo ndodhte në kohën që jo vetëm qehajai i tokave, por gjithë ndihmësit e tjerë të princit, qehajai i bagëtive e i kullotave, qehajai i fajdeve dhe sidomos qehajai i mullinjve e i minierave, që kishte nën urdhër gjithçka që bëhej me vegël, duke nisur që nga avlëmendet gjer te kovaçhanat, kishin derdhur shuma të mëdha në arkën e përbashkët. Kurse ai, qehajai kryesor (të ardhurat e të tjerëve mblidheshin vetëm nga pronat e kullës, kurse të tijat nga gjithë Rrafshi), pra ai, qehajai më i rëndësishëm, shumat e të cilit dikur barazoheshin me shumën e përbashkët të gjithë të tjerëve, tani mezi dha gjysmën e tyre.
Ndaj dhe vështrimi i princit në darkën e mbrëmshme ishte më i hidhur se fjalët e tij. Ai vështrim dukej sikur thoshte: ti je qehajai i gjakut, pra ti duhet të jesh egërsuesi kryesor i gjakmarrjes, ti je ai që duhet ta ngucësh atë, t’i futësh zekthin, ta zgjosh, ta tërbosh kur ajo fashitet apo përgjumet. Kurse ti po na bën të kundërtën. Të rruat ajo nofkë që mban. Ja kështu thoshte ai vështrim».[10]
Kështu, Kadare e paraqet derën e kapidanit të Oroshit sikur ishte qendra e një pushteti okult vampirologjik në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, që drejtonte një industri të gjakderdhjes, nga e cila nxirrte të ardhura të mëdha. Kjo nuk është e vërtetë. Është mashtrim i përbindshëm, një denigrim i gjithë Shqipërisë së Veriut dhe i Kosovës. Këtë e them se Kadare e bën Qehajain e gjakut të thotë se «të ardhurat e të tjerëve mblidheshin vetëm nga pronat e kullës, kurse të tijat nga gjithë Rrafshi», dhe Kadare me fjalën ‘Rrafsh’, shenjon gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën. Kjo kuptohet kur Kadare shkruan për Qehajain e gjakut:
«Tek rrinte i palëvizshëm pranë xhamave, ashtu si herë të tjera, ai u përpoq të kapte më kot me mendim gjithë shtrirjen e pafundme të Rrafshit, që niste prej qendrës së Shqipërisë e vazhdonte përtej kufijve shtetërorë. E gjithë kjo rrafshnaltë kishte lidhje me Markun, përderisa taksat e gjakut mbërrinin nga të katër anët e saj, e megjithatë ajo kishte mbetur për të një enigmë».[11]
Kjo që trillon Kadare, me princin e Oroshit që mbledh taksën e gjakut në gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë, është edhe denigrim i shqiptarëve katolikë, se dera e Oroshit ishte katolike, dhe vetë «Qehajai i gjakut» mban emrin katolik «Mark». Të huajt që e njohin Shqipërinë nga veprat e Kadaresë, e marrin për të vërtetë, dhe besojnë se në Shqipërinë e Veriut ishte kështjella e Drakulës, në shekullin XX (Kulla e Oroshit), ku të gjithë vrasësit për gjakmarrje paguanin një taksë të gjakut. Pse duhet Kadare të shpikte një gjë kaq të përbindshme për nacionin (kombin) e vet, praktikisht për dy të tretat e kombit të vet, Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën? Duket se Kadare e bën këtë gjë, se kërkon të bëjë apologjinë e industrisë së gjakderdhjes që kishte krijuar Enver Hoxha me luftën e klasave. Kështu Kadare thotë se ka pasur dhe diçka më të keqe se ajo. Ajo çka e përgënjeshtron Kadarenë, kur thotë se në Shqipërinë e Veriut në vitet tridhjetë mungonte krejt shteti, është fakti se ai jep të dhënën historike, të pakësimit të gjakmarrjes në atë kohë. Pakësimi i gjakmarrjes në vite, siç e përshkruan Mark Ukaçjerra, ndodh paralelisht me fuqizimin e shtetit shqiptar në atë kohë.
Një tjetër trillim i përbindshëm i Kadare është i ashtuquajturi Libri i gjaqeve që gjendet në Kullën e Oroshit, ku mbahet nga Qehajai i gjakut. Kadare e përshkruan kështu Mark Ukaçjerrën, duke medituar me Librin e gjaqeve në dorë:
«Ai u përpoq ta hiqte mendjen andej; u përkul te kati i poshtëm i bibliotekës dhe pasi hapi një nga kapakët e rëndë, nxori që brenda një radhor jashtëzakonisht të trashë, të lidhur me lëkurë. Ai ishte ‘Libri i gjaqeve’. Një copë herë gishtërinjtë e tij shfletuan fletët e trasha, të mbushura me një shkrim të dendur, ndarë në dy kolona të ngushta. Sytë e tij nuk lexonin asgjë, vetëm kalonin ftohtazi mbi ato mijëra emra, rrokjet e të cilëve dukeshin të ngjashme me njëra-tjetrën si guriçkat e një zalli të pamatë. Atje ishin shënuar me rrënjë e me themel gjaqet e gjithë Rrafshit, borxhet e vdekjes, që familjet apo fiset i kishin njëri-tjetrit, shlyerjet nga të dyja palët, gjaqet e pashlyera, që përtërinin gjakmarrjen pas dhjetë, njëzet, disa herë njëqind e njëzet vjetësh, llogaritë e pafundme prapë me borxh e me shlyerje, breza të tërë njerëzorë të zhdukur, lisi i gjakut, siç thirrej gjaku nga babai, dhe lisi i tëmblit, siç thirrej gjaku nga nëna, vrasja e larë me vrasje, filani për filanin, një për një, kokë për kokë, hatër çifte të vrarësh, katërmbëdhjetë, njëzet e katër dhe përherë një gjak i tepërt në krye, një gjak tek, që, si dashi përçor që i prin tufës, u prin turmave të reja të të vdekurve.
Libri ishte i vjetër, ndoshta po aq sa kulla. Atje nuk mungonte asgjë dhe fletët e tij hapeshin kur vinin për të bërë hulumtime të dërguar të familjeve apo fiseve që prej kohësh jetonin pa gjak, por që befas për shkak të një dyshimi, të një hamendjeje, të një pëshpërime apo të një ëndrre gjysmë të marrë, u turbullohej qetësia. Atëherë, ‘Qehajai i gjakut’, Mark Ukaçjerra, ashtu siç kishin bërë më parë dhjetëra paraardhësit e tij, hapte fletët e trasha të librit, kërkonte fletë pas flete e kolonë pas kolone rrjedhën e lisit të gjakut dhe ndalej më në fund diku. ‘Po, keni gjak për të shlyer. Në vitin kaq e aq, në muajin kaq e aq, një borxh ju ka mbetur pa e larë’. Në këtë rast sytë e ‘Qehajait të gjakut’ kishin një si qortim të rëndë për harresën e gjatë. Vështrimi i tij dukej sikur thoshte: paqja juaj ka qenë e gënjeshtër, mjerë ju!»[12]
Por një libër i tillë i përbindshëm nuk ka ekzistuar kurrë! As autorët që kanë shkruar romane për Drakulën nuk kanë imagjinuar një libër të tillë, ndërsa Kadare e sajon këtë libër metadrakulian, duke ia atribuar një personazhi historik shqiptar, siç është zoti i Oroshit, në vitet tridhjetë të shekullit XX. Të thuash se gjithë shqiptarët e pjesës veriore të shtetit shqiptar dhe ata të Kosovës, tej kufirit, në vitet tridhjetë të shekullit XX, ishin nën pushtetin e një feudali që mbante një libër të tillë, kjo është një trillim i tmerrshëm kundër kombit shqiptar. Se të huajt që lexojnë librin e Kadaresë e marrin si të mirëqenë ekzistencën e librit të gjaqeve, pasi nuk mund të mendojnë se një shkrimtar mund ta shpikte një gjë të tillë për ‘vendin e vet’. Dhe shikoni se si Kadare e bën shumëshekullor atë libër: «‘Qehajai i gjakut’, Mark Ukaçjerra, ashtu siç kishin bërë më parë dhjetëra paraardhësit e tij, hapte fletët e trasha të librit». Libri i gjaqeve, del kështu i vjetër, që në kohën paraosmane, në kohën e Principatës së Dukagjinëve. Një libër i përafërt me atë që fantazon Kadare mund të kenë qenë dosjet e Sigurimit të Shtetit ku projektohej urrejtja dhe konflikti mes shqiptarëve. Pra, Kadare kërkon të thotë se ka pasur dhe diçka më të keqe, duke i bërë apologjinë regjimit të Enver Hoxhës.
Qehajai i gjakut, Mark Ukaçjerra mediton mbi librin e gjaqeve: «Për të i gjithë Rrafshi i madh nuk ishte i ndarë veçse në dy pjesë: në pjesën që pillte vdekje dhe në tjetrën që s’pillte».[13]Kështu, për Qehajain e gjakut, nuk kishte rëndësi që trojet shqiptare që ishin të ndara në dy shtete, për të mjaftonte që ishin të bashkuara nën juridiksionin e tij, dhe ai i ndante në atë pjesë ku industria e gjakut jepte të ardhura, dhe në atë pjesë ku nuk jepte.
Pse i duhet Kadaresë që të sajojë një personazh shqiptar kaq sadist dhe cinik, si Mark Ukaçjerra që mediton kështu:
«E dinte se mekanizmi i vdekjes ishte atje, i ngritur që nga kohërat që s’mbaheshin mend, mulli i stërlashtë që bluante ditë e natë dhe të fshehtat e të cilit ai, si qehaja i gjakut, i njihte më mirë se kushdo. Megjithatë kjo nuk e ndihmonte të zhdukte atë ndjenjë tëhuajzimi. Atëherë, si për të bindur veten për të kundërtën, si në ethe, ai niste të përshkonte në mendje gjerë e gjatë atë hapësirë të ftohtë që shpalosej në trurin e tij në një formë disi të çuditshme, diçka midis një harte dhe një mësalle të një dreke morti.
Atë hartë të përzishme po e sillte tani ndërmend aty pranë xhamave të bibliotekës. Në një rend të ngrirë shpaloseshin në mendjen e tij gjithë tokat e bukës të Rrafshit. Ato ndaheshin në dy grupe të mëdha: në tokat e punuara dhe në tokat e lëna djerr për shkak të gjakmarrjes. E gjithë kjo kishte një rregullshmëri të thjeshtë: njerëzit që kishin gjak për të marrë, i punonin tokat, sepse radhën e vrasjes e kishin ata, ndaj s’i kërcënonte askush të dilnin të lirë në arë. Përkundrazi, njerëzit që kishin gjak për të dhënë, i linin tokat djerr, sepse duhej të mbylleshin në kullën e ngujimit për t’u mbrojtur. Por kjo gjendje ndryshonte menjëherë, porsa njerëzit që kishin gjak për të marrë e kryenin vrasjen. Atëherë ata, nga një fis që kishte për të marrë një gjak, ktheheshin në fis që kishte për të dhënë një gjak, pra ktheheshin në gjakës dhe rrjedhimisht mbylleshin në kullën e ngujimit, duke i lënë tokat e tyre djerr. Kurse armiqtë e tyre, përkundrazi, pushonin së qeni gjakës, dilnin nga kulla e ngujimit dhe, ngaqë kishin ata radhën për të vrarë, s’kishin frikë t’i punonin tokat lirisht. Dhe kjo vazhdonte gjer në vrasjen e ardhshme. Atëherë gjithçka përsëritej.
Sa herë që Mark Ukaçjerrës i kishte qëlluar të udhëtonte për punët e kullës nëpër bjeshkë, syrit të tij nuk i shpëtonte kurrë sasia e tokave të punuara në krahasim me djerrinat. Zakonisht tokat e punuara ishin më shumë. Ato përbënin gati tri të katërtat e gjithë tokës së bukës. Mirëpo kishte vite që raporti ndryshonte në dobi të tokave djerr. Ato rriteshin në tridhjetë për qind, dyzet e disa herë i afroheshin barazimit me tokat e punuara. Madje mbaheshin mend dy vite, kur sipërfaqja e tokave djerr e kishte kaluar sipërfaqen e çeltinave. Mirëpo kjo ndodhte dikur. Dalëngadalë me rënien e gjakmarrjes, djerrinat sa vente e zvogëloheshin. Ato djerrina ishin gëzimi i syrit të Mark Ukaçjerrës. Ato tregonin se kanuni ishte ende i fuqishëm kudo».[14]
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Kadare e bën Mark Ukaçjerrën të meditojë mbi Librin e gjaqeve, se Kulla e Oroshit ka qenë gjithmonë e pakënaqur me kryengritjet shqiptare, se ato dëmtonin funksionimin e industrisë së gjakmarrjes, nga e cila ajo nxirrte të ardhura:
«Mark Ukaçjerra vazhdonte të shfletonte librin. Sytë e tij ndaleshin herë pas here në vitet e hovzimit të gjakmarrjes, ose, përkundrazi, në vitet e rënies së saj. Megjithësei kishte parë dhe kishte bërë krahasimin midis tyre me dhjetëra herë, tani që i shfletonte sërish, tundte kokën në një mënyrë të pakuptueshme. Kishte në atë lëvizje të kokës një ankim të përzier me kërcënim, thuase i gërgahej shurdhtazi kohës së shkuar. Ja vitet 1611-1628, me numrin më të lartë të gjaqeve brenda krejt shekullit të shtatëmbëdhjetë. Ja dhe viti 1639, me numrin më të ulët: gjithsej 722 vrasje në gjithë Rrafshin. Ai ishte viti i tmerrshëm i dy kryengritjeve, ku gjaku u derdh lumë, por ai ishte gjak tjetër, jo kanunor. Pastaj me radhë vitet 1640 gjer më 1690, një gjysmë shekull rresht, kur nga viti në vit, përherë e më pak, gjaku që dikur rridhte krua, mezi curiste pikë-pikë. Dukej sikur gjakmarrjes po i vinte fundi. Por tamam në kohën që dukej se po vdiste, ajo shpërtheu me një vrull të ri. Viti 1691: dyfishimi i gjaqeve. Viti 1693: trefishimi, 1694: katërfishimi. Kishte ndodhur një ndryshim themelor në kanun. Marrja e gjakut, që gjer atëherë bëhej vetëm mbi dorërasin, pra mbi njeriun që kishte shtirë me pushkë, tani u shtri mbi krejt fisin. Vitet e fundit të shekullit që po ikte dhe vitet e para të shekullit të ri u përgjakën fund e majë. Gjendja vazhdoi kështu gjer pranë mesit të shekullit, kur u dukën shenjat e një thatësire të re. Ja viti i thatë 1754. Më vonë 1799. Një shekull më vonë, tri vite rresht, 1878, 1879, 1880, por të gjitha këto ishin vite kryengritjesh apo luftërash me të huajt, kur zakonisht gjakmarrja binte. Gjaku i tyre ishte i jashtëm për kullën e Oroshit e për kanunin, pra ato ishin vite gjakhupëse».[15]
E vërteta historike është se Kulla e Oroshit ka qenë në kohëra prijëse e kryengritjeve të ndryshme shqiptare, duke marrë pjesë dhe në Lidhjen e Prizrenit, deri në kryengritjet antikomuniste të pas vitit 1944, dhe asnjëherë nuk i ka quajtur «gjakhupës» ata që janë vrarë në këto kryengritje. Duke trilluar Kadare një kryezot të dy të tretave të hapësirës shqiptare, në dy anët e kufirit të sotëm, një kryezot, me qendër në Orosh të Mirditës, i cili kryezot në shekuj ka qenë kundër luftërave nacionale, se i cënonin të ardhurat e tij nga gjakmarrja, i fyen në mënyrë të përbindshme edhe të gjithë shqiptarët që në shekuj kanë dhënë jetën në kryengritjet nacionale. Se, kur këta shqiptarë pranojnë sundimin e një «Drakule», dhe i paguajnë atij tributin e gjakut, ç’kuptim ka që ata të ngrihen në luftë kundër okupatorëve të huaj, që në çdo rast nuk mund të jenë kaq të përbindshëm sa ky sundimtar që shqiptarët e pranojnë pa i shtrënguar kush. Fantazia e Kadaresë është përbindshmërisht antishqiptare.
Itinerari i udhëtimit të shkrimtarit Besian Vorpsi me të shoqen në «Rrafshin verior» është një dhunim i gjeografisë, i bërë qëllimisht, për të denigruar Shqipërinë e Veriut. Ata nisen nga Tirana dhe, që ditën e parë të udhëtimit, gjenden në Bjeshkët e Nëmura. Kjo kuptohet se në një bujtinë, ku ndalojnë ditën e parë të udhëtimit, kur porsa janë nisur nga Tirana, zhvillohet ky dialog me bujtinarin:
«Ju vini nga Shkodra? Jo? Nga Tirana. Ah, sigurisht me këtë karrocë. Do të flini sonte këtu?
- Jo ne udhëtojmë për në kullën e Oroshit».[16]
Po ditën e parë të udhëtimit është ky episod:
«Pa ia lëshuar dorën së shoqes, Besian Vorpsi afroi fytyrën te xhami i dritares, si për t’u bindur se qyteti i vogël prej të cilit ata ishin nisur para gjysmë ore, i fundit qytet në këmbët e Rrafshnaltës së Madhe të Veriut, ishte zhdukur më në fund nga pamja.Tani përpara dhe anash tyre ishte një ultësirë e pjerrët, një truall disi i çuditshëm, as fushë, as mal, as pllajë. Malet s’kishin filluar akoma, por hija e tyre ndihej qyshkur dhe dukej se ishte pikërisht ajo hije që, duke mos e pranuar në botën e maleve, e pengonte megjithatë këtë truall të quhej ultësirë. Kështu që i midistë, ai truall ishte djerr dhe pothuajse i pabanuar. Herë pas here pikëzat e vogla të shiut të imët bulëzonin mbi xhamat e karrocës.
- Bjeshkët e Nëmura, - tha ai me zë të ulët, pak të dridhshëm, siç mund të thuhet emri i diçkaje, shfaqjen e së cilës e pret për një kohë tepër të gjatë. Ai e ndjeu se ky emër shkaktoi tek e shoqja një ngjethje solemne dhe iu bë qejfi».[17]
Por Bjeshkët e Nëmura janë në Alpet e Shqipërisë, në kufirin mes Shqipërisë së 1913 dhe Malit të Zi, në skajin verilindor të Qarkut të sotëm të Shkodrës. Sipas përshkrimit të Kadare i bie që çifti Vorpsi të gjendet në Alpet e Shqipërisë, në kufirin e sotëm shqiptaro-malazes, ku ka shkuar brenda ditës me karrocë. Nga ku? Nga Tirana. Dhe destinacioni i udhëtimit është Oroshi që gjendet në Mirditë, mjaft më në jug të Bjeshkëve të Nëmura. Bjeshkët e Nëmura i ndan nga Oroshi Shkodër, Puka dhe gjysma e Mirditës. Dhe për të shkuar nga Bjeshkët e Nëmura në Orosh me karrocë, atëherë nuk ka pasur rrugë tjetër veç të kthehesh mbrapsht në Milot, prej ku të hysh në Mirditë, për të shkuar në Orosh. Merret vesh, Kadare e bën këtë anomali gjeografike, për ta projektuar të keqen e vendit dhe tek natyra, me emërtimin «Bjeshkët e Nëmura». Kadare thotë për çiftin Vorpsi: «Dhe ja tani ata po rendnin drejt Rrafshit të zymtë verior».[18]
Synimi i Kadare është që të projektojë të keqen tek natyra. Në fund të librit, kur Vorpsët largohen nga Rrafshi verior, Kadare e bën Besian Vorpsin të meditojë: «Ku vete ti? i tha pas pak vetes. I vetëm në këtë Rrafsh të huaj, në muzgun plot fantazma, ku?»[19]Ndërsa më tutje Besian Vorpsi e quan Rrafshin të mallkuar: «Ç’m’u desh ta sillja në këtë Rrafsh të mallkuar, tha ai me vete për të njëqindtën herë. Vetëm një përkitje pati me Rrafshin dhe ai ia mori. Një grimë e preku mekanizmi i përbindshëm, dhe ajo grimë mjaftoi që ai t’ia merrte gruan, për t’ia bërë robinë, në rastin më të mirë, zanë mali».[20]Për cilin Rrafsh të Veriut flet Kadare? Shqipëria e Veriut këtej kufirit nuk është rrafshinë, me përjashtim të pjesës bregdetare. Në pjesën më të madhe të saj gjenden Alpet e Shqipërisë, dhe në jug të tyre, Masivi malor qendror, që mbulon dhe Mirditën. Nëse bëhet fjalë për një rrafsh verior, ky është Rrafshi i Dukagjinit, që është përtej kufirit të Shqipërisë së 1913, në Kosovë.
Në librin e Kadare duket qartë tendenca për denigrimin e katolikëve, që shprehet jo vetëm tek paraqitja e Kullës së Oroshit, i zoti i së cilës është katolik, si shtëpia e Drakulës, por edhe tek fakti se në këtë Horror katolikët janë gjithandej, që nga Qehajai i gjakut, Mark Ukaçjerra, pa përjashtuar as priftërinjtë. Ismail Kadare nuk mjaftohet me atë që gjakmarrja qendrore në libër është mes dy katolikëve: «Gjorgu i Berishajve shtiu mbi Zef Kryeqyqen!»[21]Të dy palët janë katolikë. Emri «Gjorg» është version i emrit «Gjergj», i ardhur nga trajta «Georg». Emri «Georg» në Shqipëri duhet të ketë hyrë pas kryqatave, kur në vendin tonë filluan të vijnë klerikë të huaj katolikë. Ismail Kadare e projekton të keqen e mjedisit dhe njerëzve edhe tek kishat katolike:
«- Dianë, shiko një kishë.
Ajo u afrua te xhami dhe sytë e saj kapën kryqin mbi këmbanoren e gurtë të kishës. Kisha ishte mbi një lartësi shkëmbore dhe, ngaqë rruga kalonte tepër poshtë në krahasim me të, apo ndoshta për shkak të grisë së qiellit, kryqi i zi dukej sikur lëvizte kërcënueshëm midis reve. Kisha ishte akoma larg, por, kur u afruan dhe pak, ata dalluan këmbanën, përndritja e zbehtë, verdhacuke e bronzit të së cilës shpërndahej si një nënqeshje nën atë kërcënim të zi kryqor».[22]
Në librin e Kadaresë, priftërinjtë katolikë paraqiten si njerëz që nuk janë shumë të interesuar për pajtimin e gjaqeve, por për nxitjen e gjakmarrjes. Kadare e përshkruan kështu një tentativë për pajtim mes fisit të Berishajve dhe Kryeqyqëve:
«Kërkesa për pajtimin e gjakut, aq e rrallë në malësi, bëri bujë në katund, madje edhe në flamur. U morën të gjitha masat që gjithçka të bëhej sipas rregullave të përpikta të kanunit. Ndërmjetësit e pajtimit, bashkë me ca shokë e dashamirës të Berishajve, që në këtë rast quheshin ‘të zotët e gjakut’, i shkuan gjakësit, pra Kryeqyqëve, për të ngrënë bukën e gjakut të pajtuar. Sipas zakonit ata hëngrën drekë së bashku me vrasësin dhe caktuan çmimin e gjakut që duhej të paguanin Kryeqyqët. Pas kësaj mbetej vetëm që i ati i Gjorgut, pra i zoti i gjakut, me sqepar e daltë, të skaliste një kryq te dera e vrasësit, të pinin një pikë gjak të shoshoqit dhe të quheshin të pajtuar përjetë. Mirëpo ai çast nuk erdhi kurrë, sepse një xhaxha plak u bë shkak që të prishej gjithçka. Dhe kjo ndodhi kur pas drekës, ndërsa, njerëzit, sipas zakonit, hynin në çdo dhomë të kullës dhe përplasnin këmbët për të treguar se hija e gjakut do të dëbohej nga çdo kënd i shtëpisë, xhaxhai plak i Gjorgut thirri befas: jo. Ishte një plak i qetë, që s’ishte ndier kurrë në fisin e tyre dhe prej tij më pak se prej kujtdo pritej një gjë e tillë. Të gjithë ngrinë në vend dhe sytë, dhe qafat, dhe këmbët që qenë ngritur për t’u përplasur me forcë në dysheme u ulën shurdhtazi si në pambuk. Jo, tha prapë xhaxhai plak. Atëherë prifti që ndodhej atje, si ndërmjetësi kryesor i pajtimit, bëri një shenjë me dorë. ‘Atëherë gjaku vazhdon’ tha ai».[23]
Këtu prifti katolik del praktikisht si nxitës i gjakmarrjes, derisa nuk bën asnjë përpjekje për të folur veçmas me plakun që kundërshtoi pajtimin dhe për ta bindur atë. Ndërsa tek botimet e «Prilli i thyer» pas vitit 1990, si libër më vete, me emërtimin «roman», Kadare tek ky paragraf ka bërë vetëm ndryshimin që priftit i ka vënë një emër. Fjalia e botimit të vitit 1980: «Ndërmjetësit e pajtimit, bashkë me ca shokë e dashamirës të Berishajve, që në këtë rast quheshin ‘të zotët e gjakut’, i shkuan gjakësit, pra Kryeqyqëve, për të ngrënë bukën e gjakut të pajtuar» është bërë në botimin e vitit 2003: «Ndërmjetësit e pajtimit, të prirë nga frati Nik Prela, bashkë me ca shokë e dashamirës të Berishajve, që në këtë rast quheshin ‘të zotët e gjakut’, i shkuan gjakësit, pra Kryeqyqëve, për të ngrënë bukën e gjakut të pajtuar».[24]Pra, Kadare edhe në vititn 2003 e nxjerr Kishën Katolike praktikisht si nxitëse të gjakmarrjes. Madje Kadare, në libër i paraqet priftërinjtë katolikë si këshilltarët e Kullës së Oroshit për të mbrojtur industrinë e gjakmarrjes:
«Mark Ukaçjerra bëri edhe një hap drejt bibliotekës dhe dora e tij, me një lëvizje gjysmë përkëdhelëse, gjysmë të egër preku radhën e librave dhe të revistave bashkëkohore. Ai dinte shkrim e këndim, megjithatë jo aq sa të ishte në gjendje të lexonte se çfarë shkruhej në to për Orokun. Një nga priftërinjtë e kuvendit të murgeshave, që ishte jo larg që këndej, vinte një herë në muaj, për të sistemuar sipas përmbajtjes librat dhe revistat e mbërritura në kullë. Ai i ndante ato në të mira dhe të këqija, me një fjalë në ato që shkruanin mirë për Orokun dhe Kanunin dhe në ato që shkruanin keq për të. Sasia e të mirave në krahasim me të këqijat ndryshonte vazhdimisht. Zakonisht të mirat ishin më tepër, por edhe të këqijat s’ishin pak. Kishte stinë që të këqijat shtoheshin me vrull, saqë ishte rrezik që të barazoheshin me të mirat».[25]
«Prilli i thyer», si të gjithë librat e Kadaresë për Shqipërinë e Veriut vuan nga artificialiteti. Ai që ka lexuar librat e tjerë të Kadaresë e kupton se autori është jashtë botës së vet jetësore. Nuk është e rastit që tek «Prilli i thyer» apo «Dosja H» Kadare i përshkruan ngjarjet që vendosen në Shqipërinë e Veriut, nga pikëpamja e një udhëtari që vjen nga jashtë kësaj bote, një shkrimtari që vjen nga kryeqyteti në rastin e parë dhe dy udhëtarëve perëndimorë në të dytin. Derisa «Kronikë në gur» dhe «Breznia e Hankonatëve» mund t’i shkruajë vetëm një njeri, që ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër, librat me temë nga Shqipëria e Veriut, «Ura me tri harqe», «Kush e solli Doruntinën», «Prilli i thyer», «Dosja H», «Lulet e ftohta të marsit» mund t’i shkruante, në një mënyrë ose tjetër, edhe një shkrimtar i huaj që ka lexuar për Shqipërinë.
«Prilli i thyer» i përket asaj serie librash të Kadare që ai i shkroi nën efektin «Ivo Andriç». Ivo Andriç, që fitoi Çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1961, ushtroi një ndikim të madh mbi Ismail Kadare. Ivo Andriç e fitoi Çmimin Nobel për shkak të paraqitjes shumë të ndjerë dhe mjeshtërore që i bën në librat e vet dhe posaçërisht në «Ura mbi Drinë» realitetit ekzotik të Bosnjës me legjendat, doket, konflikteve që vijnë nga përplasja e tyre etj., të gjitha këto gjëra shumë ekzotike për perëndimorët. Ismail Kadare, gjithashtu e ëndërronte suksesin në Perëndim dhe Çmimin Nobel. Këto ëndrra iu shtuan edhe më tepër kur Enver Hoxha, në një takim me shkrimtarët, në vitin 1961, për t’iu kompensuar mungesën që iu solli atyre prishja me Bashkimin Sovjetik, dhe vendet e tjera të kampit socialist, ku ata kishin mundësi të botonin librat e tyre, i joshi me perspektivën e botimit të veprave të tyre në Perëndim, kuptohet kryesisht nga shtëpitë botuese të kontrolluara nga lëvizjet komuniste pro Pekinit dhe Tiranës. Kadare, pasi Andriç mori Çmimin Nobel, e kuptoi me intuitë se çfarë pëlqente Perëndimi nga letërsia ballkanike. Perëndimi nga letërsia ballkanase pëlqente atë që përshkruante ekzotikën ballkanase dhe më tepër se të tashmen donte të shkuarën osmane, kur historia përzihej me legjendat.
Ismail Kadare e kuptoi se sensi ekzotik i të huajve, posaçërisht perëndimorëve, kur ishte fjala për Shqipërinë, përmbushej nga realiteti i Shqipërisë së Veriut me Kanunin, legjendat, shoqërinë fisnore të ruajtur si në lashtësi, eposin, veshjet ekzotike, mentalitetin e trashëguar të vendasve ku perëndimorët gjenin vetveten siç kishin qenë në kohët e vjetra. Kështu Kadare shkroi «Kronikë në gur», që ngjan shumë me romanin e Andriç për përshkrimin që i bën ngjarjeve ekzotike të një qyteti, sipas përjetimit të ngjarjeve nga një banor i tij. Më pas Kadare vijoi me «Ura me tri harqe», «Kush e solli Doruntinën», «Prilli i thyer», «Breznia e Hankonatëve», «Viti i mbrapshtë», «Pashallëqet e mëdha», «Pallati i ëndrrave», «Dosja H», «Lulet e ftohta të marsit», ku në të gjitha këto Kadare imiton Ivo Andriçin. Dhe përgjithësisht ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e Veriut. Gjërat ekzotike nga bota e Shqipërisë së Veriut dalin shumë dhe në romanet e tjera të Kadare si «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «Dimri i madh», «Koncert në fund të dimrit» etj. Por Andriç pati sukses se ai në librat dhe, posaçërisht, në kryeveprën e vet «Ura mbi Drinë», përshkruan realitetin e përjetuar prej tij në fëmijërinë dhe rininë e vet. Ivo Andriç lindi në Bosnje dhe u rrit në qytetin Vishegrad, ku zhvillohen ngjarjet e romanit «Ura mbi Drinë» dhe ku autori jetoi që nga mosha dy vjeç. Bota e romaneve të Andriç, «Ura mbi Drinë», «Kronikë bosnjake», «Elefanti i Vezirit», «Zonja nga Sarajeva», «Ditët e konsullit» është bota bosnjake ku Andriç lindi dhe u rrit. Ismail Kadare ngrihet në nivelin e Andriç tek «Kronikë në gur» apo «Breznia e Hankonatëve», ku Kadare përshkruan botën e qytetit ku lindi dhe u rrit, Gjirokastrës. Edhe lexuesi që lexon librat e Kadaresë për Gjirokastrën dhe ato për Shqipërinë e Veriut, e ndjen se tek të dytat ka diçka që nuk shkon. Kjo ka ardhur prej faktit se Kadare nuk bëri përpjekje për ta njohur mirë Shqipërinë e Veriut, edhe pse kishte vendosur të shkruante shumë për të. Dy herë që Kadare shkoi jashtë Tiranës, në kohën e regjimit komunist, për një kohë relativisht të gjatë, ai zgjodhi të shkonte në Shqipërinë e Jugut, në Berat në 1967 dhe në Lushnje në 1975. Në Shqipërinë e Veriut ai nuk kishte kaluar veçse pak ditë, dhe sigurisht që e njihte atë më pak se udhëtarë të huaj si Edith Durham, apo baroni Franz Nopcsa. Në të vërtetë, Kadare, në kohën që shkruante librat e tij për Shqipërinë e Veriut, duke përfshirë dhe «Prilli i thyer» njihte shumë më mirë Rusinë, ku kishte jetuar dy vjet (1958-1960), se Shqipërinë e Veriut. Kjo është një gjë shumë e çuditshme dhe qesharake. Shkrimtarët e mëdhenj na kanë dhënë kryevepra për një botë ku ata nuk kanë lindur dhe janë rritur, por ama kanë jetuar gjatë atje, siç bëri Heminguej që na dha kryeveprën «Për kë bien këmbanat» për Spanjën, ku jetoi gjatë.
[1] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 231. Gjithashtu edhe tek: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 61.
[5] Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 135-136.
[6] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 194. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 22-23.
[7] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 207. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 35-36.
[8]Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 224. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 53.
[9] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 287. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 121.
[10] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 291-292. Gjithashtu edhe te Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 126-127.
[11] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 297. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 133.
[12] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 292-293. Gjithashtu edhe te Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 127-129.
[13] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 297-298. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 133.
[14] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 300-301. Gjithashtu edhe te Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 137.
[15] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 294. Gjithashtu edhe te Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 129-130.
[16] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 257. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 89.
[17] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 230. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 59-60.
[18] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 231. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 61.
[19] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 346. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 185.
[20] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 352. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 190-191.
[21] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 185. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 13.
[22] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, fq. 234-235. Gjithashtu edhe te Ismail Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, fq. 64-65.
[25] Ismail Kadare: «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 288. Gjithashtu edhe te I. Kadare: «Prilli i thyer», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 123.