«EMBLEMA E DIKURSHME» LETRARIZON FORMULAT E TERRORIT TË ENVER HOXHËS PËR SABOTIMIN NË NAFTË DHE NXITJEN E FOBISË NGA PERËNDIMI






Novela e Ismail Kadare «Emblema e dikurshme», që sipas praktikës së tashme që novelat e Kadare quhen romane, ndoshta duhet quajtur kështu, është ilustrim i misionit që kishte Kadare në kohën e diktaturës komuniste për letrarizimin e formulave ideologjike terroriste të Enver Hoxhës, në këtë rast zbulimin e të ashtuquajturit sabotim në industrinë e naftës dhe për nxitjen e fobisë ndaj Perëndimit. Novela është botuar së pari në vitin 1976, në revistën letrare «Nëntori», pra në kulmin e «gjuetisë së shtrigave», që kishte filluar Enver Hoxha për të zbuluar «sabo­tatorët» në industrinë e naftës, të cilët në bashkëpunim me Perë­ndimin kapitalist sabotonin nxjerrjen e naftës. Më pas novela u botua e ripunuar tek përmbledhja me tregime dhe novela me titull «Emblema e dikurshme», në 1977 dhe 1981. Ngjarjet në novelë zhvillohen në një stinë vjeshte të papërcaktuar, diku midis vitit 1975 dhe 1978. Njëherë duket sikur ngjarjet në novelëzhvillohen në vitin 1975, për shkak se personazhet ndjekin në televizion lajmin e vdekjes dhe varrimin e mbretit Faisal të Arabisë Saudite, që u vra nga nipi i vet. Mbreti Faisal (1906-1975) u vra në 25 mars 1975 nga djali i vëllait të vet. Por, pastaj në novelë, për endacakun Veniamin Papa që kapet në territorin e kooperativës, duke vendosur shenja për kufijte e pro­nave të periudhës së para regjimit komunist, thuhet kur tre­gohet procesverbali i pyetjes së tij: «Veniamin Papa, 54 vjeç».[1]
Dhe po të njëjtin vend, kur tregohet fillimi i veprimtarisë së Papës thuhet: «Më 1946, Veniamin Papës që ishte atëherë 22 vjeç».[2]
Nëse Veniamin Papa ishte 22 vjet në 1946, atëherë kur ai ishte 54 vjet, pra pas 32 vjetësh, ishte viti 1978. Pra, Kadare i vendos ngjarjet në novelë diku mes vitit 1975-1978. Por, derisa në novelë për të ashtuquajturin sabotim në naftë bëhet fjalë si për diçka që është zbuluar, dhe kjo ndodhi në 1975-1976, atë­herë del që ngjarjet të zhvillohen së paku në vitin 1976. Nëse i referohemi të dhënës që jep autori për vdekjen e Mbretit Fai­sal, çka do të thotë se ngjarjet zhvillohen në muajt e parë të vitit 1975, atëherë novela ngjan e çuditshme, pasi del sikur në të para­prihet në kohë zbulimit të së ashtuquajturit sabotim në indus­trinë e naftës. Ndërsa, nëse i referohemi kohës së ngjarjeve, sipas të dhënës që jep autori për moshën e Veniamin Papës, sipas së cilës ngjarjet zhvillohen në 1978, atëherë përsëri novela ngjan si fantastike. Duket qartë prirja e autorit për të zbuluar «sabotatorë» në të ardhmen.
Ismail Kadare e shkroi novelën «Emblema e dikurshme» gjatë periudhës që kaloi në fshatin Ndërmenas, në Fier, në vitin 1976, ku ai pretendon se e çuan si ndëshkim për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» («Pashallarët e kuq»), të cilën e kishte çuar për botim në tetor 1975. Në fakt, atëherë ishte një periudhë kur u shpall zyrtarisht nga regjimi një fushatë e qarkullimit të kuadrove «në bazë», siç thuhej atëherë, kur edhe anëtarë të Byrosë Politike shkuan në provinca. Ismail Kadare u privilegjua se shkoi në Fier, në një vend shumë të bukur, në grykë­­derdhjen e lumit Seman, duke qenë Tirana afër dhe ku vinte çdo fundjavë. Ismail Kadare e zgjodhi vetë këtë vend se donte të shkruante diçka për sabotimet në naftë, siç u shpreh në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për qarkulli­min, dhe në fakt e bëri këtë gjë me novelën në fjalë. Në vitin 1976 Ismail Kadare botoi një reportazh, siç thuhet në shqipen standarde nën influencën e frëngjishtes, dhe një novelë. Në repor­tazhin me titullin «Seman»[3]tregohet për fshatin Seman të Fierit, si një fshat i prosperuar socialist. Në reportazh tregohen shumë nga ngjarjet që Kadare i ka përfshirë tek novela «Emblema e dikurshme», sidomos ato të kohës së Luftës së Dytë Botërore, por jo historia e krimit të hershëm tek famullia dhe e dëmtimit të bareliefit nga njerëzit e huaj me kapuçë të zinj.
Në novelë tregohet se si në një fshat të Myzeqesë (sipas të gjitha të dhënave bëhet fjalë për fshatin Seman të Fierit) vjen një grup gjeologësh të naftës, të cilët kërkojnë përsëri në një vend ku të ashtuquajturit sabotatorë, pra të tjerë gjeologë dhe specialistë të dënuar nga Enver Hoxha, nuk kishin mundur të zbulonin dot naftë.
Në 1984 është botuar një libër i Enver Hoxhës me titull «Për naftën» (një libër i vërtetë koleksionisti), ku janë përmbledhur fjalime dhe shënime të Enver Hoxhës për industrinë e naftës, më së shumti zbulim «komplotesh» në këtë sektor. Sipas prakti­kës së kohës, fjalimet e Enver Hoxhës qarkullonin si broshura për përdorim të brendshëm, siç thuhej, brenda një rrethi njerë­zish, anëtarë partie etj., ku sigurisht bënte pjesë dhe Kadare. Sipas këtij libri, në 7 shkurt 1975, Enver Hoxha mbajti një takim me sekretarët e parë të PPSH të rretheve (baronët komu­nistë të rretheve) ku kishte industri nafte: Fier, Vlorë, Berat, Lushnjë. Në këtë takim Enver Hoxha lëshoi direktivën, që është titulli i fjalës së tij: «Intelektualët dhe teknikët tek ne janë ndihmësit e klasës punëtore». Në këtë takim Enver Hoxha pasi përsëriti liturgjinë se nafta është sektori më jetik i ekonomisë së vendit, u shpreh: «Ka kaq vjet që s’kemi zbuluar asnjë vendbu­rim të ri nafte! Atëherë ç’do të bëhet? Cila është pespektiva? Ne, nga njëra anë, duam naftë që të punojë gjithë kjo industri që kemi ndërtuar e do të ndërtojmë, por, nga ana tjetër, duam edhe të shesim, sepse kemi nevojë të blejmë pajisje, makineri e mallra të tjera. Po nuk zbuluam naftë, po nuk e bëtë mirë ju punën tuaj, për të vënë para përgjegjësisë së Partisë njerëzit, kuadrot e specialistët, kjo detyrë nuk mund të kryhet. Mjaft më me justifikime ‘Jo ka penguar kjo, jo ka penguar ajo; jo ishte kështu, jo ishte ashtu’, se këto qëndrime na pengojnë të shikojmë që në industrinë e naftës po na sabotohet».[4]
Por, që të zbulohej naftë duhej teknologji moderne, e cila duhej blerë në Perëndim se Kina nuk jepte më. Enver Hoxha në mble­dhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH në 30 shtator 1975 u shpreh: «Armiku Abdyl Këllezi, kur u kthye nga Kina, informoi Byronë Politike se të gjitha pjesët që nevojiten për naftën i kemi siguruar. Në fakt, deklaron tani armiku Koço Theodhosi, kur erdhën listat nga Kina, pamë se ato nuk ishin siguruar. Atëherë, sipas tij, Koçoja paska shkuar tek Abdyl Këllezi dhe i ka thënë se ato që kishte deklaruar në mbledhjen e Byrosë Politike nuk figurojnë në listë. Abdyl Këllezi e porositi Koçon të mos bëjë zhurmë se ato do të sigurohen me valutë të lirë në Perëndim».[5]
Natyrisht Abdyl Këllezi nuk kishte asnjë faj për atë se Kina nuk donte ta ndihmonte më Shqipërinë, pasi kishte ndryshuar kursin politik, dhe nuk kishte më interes për Shqipërinë si vitrinë e maoizmit në Europë. Kështu që Enver Hoxha u kër­ko­nte specialistëve të naftës që të zbulonin e nxirrnin naftë, në sasinë që donte ai, pa e pasur këtë teknologji, siç duket më poshtë. Në po këtë takim Enver Hoxha tha: «Ne po vërejmë me vëmendje se në sektorin e naftës ka njerëz e kuadro që i tep­rojnë shumë kërkesat për teknikën. Në këto rrethana mendoj se është e domosdoshme të ngrihet më lart vigjilenca dhe të shtro­het pyetja: ‘Cilët janë këta që flasin kështu në institut dhe ç’qëllime kanë kur fetishizojnë teknikën?’ Dëmi mund të vijë drejtpërdrejt nga këto gjykime, por ne duhet të shikojmë me kuj­des, se mos këto mendime hidhen për të fshehur ato veprime që janë kryer dhe për të justifikuar dështimet. Këto koncepte e botëkuptime, që shprehen andej-këtej, Partia, në rreth e në bazë, duhet t’i njohë e t’i luftojë në gjithë punën e saj. Akoma makina e pajisje dashkan drejtuesit e sektorit të naftës kur nuk po shfrytëzojnë mirë dhe kur lëvizin pa asnjë kriter, bile në mënyrë shumë të dyshimtë, nga një vend në tjetrin, me shpejtësi shumë të madhe duke dëmtuar edhe ato që kanë në përdorim? Këto kërkesa nuk janë me baza të shëndosha. Ne e dimë që disa materiale e mjete në sektorin e naftës mungojnë, por nuk janë faktori kryesor, që ka penguar punën. Këtë e dinë shumë mirë edhe vetë ata që i ngrenë këto pretendime».[6]
 
I gjendur në situatën kur donte të rritej nxjerrja e naftës, por pa mundur dot t’u siguronte specialistëve teknologjinë e nevoj­shme moderne, Enver Hoxha vuri në funksionim teknologjinë e luftës së klasave. Enver Hoxha, në mbledhjen e organizatës-bazëtë partisë, në 31 mars 1975, u shpreh: «Lufta e klasave duhet të veprojë kudo. Ajo është ushtarake dhe ne e pamë se ç’na bënë armiqtë në ushtri; ajo është edhe ekonomike dhe ne e pamë ç’na bënë armiqtë në naftë».[7]
 
Dhe Enver Hoxha e ushtroi luftën e klasave në industrinë e naftës, duke dashur të gjejë një alibi për mosrealizimin e prem­timeve që kishte bërë publikisht për rritjen e prodhimit të naftës, dhe për gjenerimin e kolapsit ekonomik që sillte mungesa e naftës. Ismail Kadare mori përsipër t’i letrarizojë këto fantazi të Enver Hoxhës, duke zbatuar teknologjinë e luftës së klasave në industrinë e naftës, si dhe duke treguar se si naftë nxirret edhe pa teknologji moderne, e cila mund të zëvendësohet, sipas mis­tikës ateiste, edhe nga gojëdhënat popullore. Pikërisht këtë gjë bën në novelën e Kadaresë gjeologu Bardhyl Krasta, personazhi kryesor. Gjeologu Bardhyl Krasta, në një dasmë bisedon me Anën, që është mësuese në fshat. Gjeologu i thotë mësueses: «Pikërisht në zonën ku ndodheshin ata kishte pasur mjaft debate: ka apo s’ka naftë. Sidomos debatet kishin qenë të ashpra me grupin e sabotatorëve, përpara se ata të demaskoheshin. Sabotatorët mbronin mendimin e vjetër të specialistëve të huaj që naftë s’ka. Tani duhej vërtetuar e kundërta».[8]
Në novelë, gjeologu Bardhyl Krasta do të zbulojë naftë, duke kompensuar mungesën e teknologjisë moderne, me «tekno­logjinë» e traditës orale popullore, ku gjenden gjurmët e naftës. Dhe Bardhyl Krasta kthehet në një gjeolog-folklorist, duke mbledhur të dhëna të këtij lloji, pa harruar dhe ato për luftën e klasave, në Luftën e Dytë Botërore. Takimi i gjeologut me mësue­sen bëhet sipas klisheve më të këqija lejfeniane të letërsisë së realizmit socialist: «Ana po kthehej nga stallat e kooperativës ku kishte shkuar të ndihmonte mjelëset që të zbukuronin këndin e kuq».[9]
Gjeologu dhe mësuesja, të cilët duket qartë se kanë rënë në dashuri me shikimin e parë me njëri-tjetrin, nuk shpejtohen të hyjnë në biseda sentimentale dhe të shfaqin ndjenjat e tyre, po bisedojnë fillimisht për nxjerrjen e naftës dhe luftën e klasave:
«- Këtu kam ca shënime, - tha, duke i tundur. - Ju kujtohet që ju kam thënë se dua të bisedoj me pleqtë e fshatit».[10]
Në shënimet e gjeologut gjenden dhe episode nga lufta klasore në Luftën e Dytë Botërore, të cilët nuk kanë asnjë lidhje tjetër me nxjerrjen e naftës, veç faktit që Enver Hoxha kishte thënë se lufta e klasave zhvillohet edhe në sektorin e naftës. Në shënimet e gjeologut janë edhe këto tregime të fshatarëve pleq, ish-partizanë:
«Muarrëm vendim të vrasim Xheladin beun. E zumë bashkë me rojet. E çuam në bunacë, te zhukat. E njeh këtë vend, - i thamë. Ishte dyllë i verdhë. Dhe koha ishte po ajo: pus. I hodhëm trupat në një gropë me llucë. Gjithë bejlerët u tërbuan. Kërkonin çpa­gim. Gjaku i beut lahet nga shtatë vjeç e lart, tha bejleresha e ve. Filluan vrasjet e djegiet e fshatrave. Dhjetë vjet më parë gjaku i beut lahej më shtrenjtë: tre vjeç e lart, meshkujt. Pesë­dhjetë vjet më parë akoma më shtrenjtë: një vjeç më lart, mesh­kuj e femra bashkë. Kurse më dyzetetrenë çmimi ra: një me një».[11]
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e këtyre tregimeve, që Kadare i përfshin në novelë për të krijuar atmosferën e luftës historike të klasave, ku kërkon të kontekstualizojë edhe çësh­tjen e kërkimit të naftës. Pasi Ana lexon shënimet e gjeologut ata shkëmbejnë këto fjalë:
«- Siç e shikoni, kërkoja të dhëna për naftën dhe ndesha në luftën e klasave, - tha ai.
Ajo tundi kokën në shenjë pohimi.
- Ajo është kudo, - tha ai, - dhe asgjë s’mund të jetë jashtë saj. As nafta».[12]
Pra, edhe nafta është pjesë e luftës së klasave. Por në rast se gjërat gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri do të ishin ashtu siç tregohet më lart, atëherë me siguri që komunistët nuk do të kishin ardhur në pushtet në 1944.
Bardhyli dhe Ana, gjatë shëtitjes së tyre në kodrat rreth fsha­tit bisedojnë për sabotimet në industrinë e naftës?!:
«Më 1961, në fillimin e bllokadës, isha student në vitin e fundit dhe bëja stazhin si gjeolog pranë specialistëve çekë dhe sovjetikë.
Ndërsa fliste, ai vështronte drejt përpara dhe ajo ndjeu një dëshirë të vetvetishme të mbështetej pas krahut të tij.
- S’më harrohet ajo ditë e parë pas ikjes së tyre, kur morën në dorëzim dokumentacionin që ata ishin të detyruar të linin këtu. Në të gjitha dosjet dhe hartat kishte fletë të shqyera.
- Ç’gjë barbare! - tha Ana.
- Për ta ishte një gjë e zakonshme, - tha ai. - Ishte në logjikën e gjithçkaje që ata ndërmorën kundër nesh».[13]
E vërteta është, siç kam treguar në shkrime të tjera, se në 1961 nuk ka filluar realisht asnjë bllokadë ndaj Shqipërisë komu­niste dhe se Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut sov­jetik thjesht e braktisën Shqipërinë në fatin e vet. Ndërsa specia­listët e tyre që ishin në Shqipëri morën nga dosjet të gjitha të dhënat që zbulonin teknologjinë dhe metodat që për­dornin ata, dhe që nga këto vende konsideroheshin sekret. Sipas stilit të Lej Fenit, në këtë bisedë, e cila vetëm me një bisedë mes dy njerë­zish që duket se u ka lindur dashuria për njëri-tjetrin nuk ngjan, Ana i tregon Bardhylit për një krim të vjetër të pazbuluar që do të bëhet çështja kryesore e novelës:
«- Këtu pranë, jo shumë larg prej këndej, është një famulli e vjetër, - tha ajo akoma e pasigurt se po tregonte diçka për të qenë. Ai vështroi në drejtimin që tregoi ajo, në pjesën perëndi­more të fushës, atje ku niste papritur një zonë gjysmëmalore. - Para tridhjetë e ca vjetësh në atë famulli ka ndodhur një krim i tmerrshëm.
- Ashtu? - ia bëri ai.
Të gjithë të ardhurve ua tregonin atë krim. Ishte kureshtia kryesore e zonës».[14]
Ç’mënyrë e çuditshme për të përmbyllur një shëtitje të të dy të dashuruarve! Bardhyli dhe Ana shkojnë tek vendi i krimit:
«Mbeturinat e famullisë ngriheshin në një pllajë të mbuluar me kaçuba dhe guralecë të rrallë. Famullia ishte e shekullit XIII. Forma primitive në trajtë romboide e pjesës së ruajtur të saj, me atë ndriçimin paksa të kuqërremtë përsipër, krijonte idenë e diçkaje të stërlashtë, shumë më tepër se ç’mund të krijonte këtë ide një rrënojë gri... Në krahun e djathtë të portës ishte ngjitur një tabelë metalike, ku ishte shkruar me gërma kapitale: MONU­MENT KULTURE, MBROHET NGA SHTETI. Ja, këtu, i kishte thënë Ana duke i treguar pragun prej guri, është gjetur i vrarë rojtari i famullisë».[15]
Që Kadare kërkon ta bëjë gjeologun të luajë dedektivin që zbulon krimin e hershëm kjo është një gjë që kuptohet, por ajo që nuk kuptohet është se përse e bën të dashurën e tij që në shë­titjen e tyre të parë t’i përshkruajë krimin e hershëm deri në detaje?! Dhe, veç kësaj, famulli nuk quhet një ndërtesë, por një njësi kishtare territoriale, saktësisht njësia më e vogël territo­riale kishtare. Kadare bën këtu një gabim të madh, kur thotë famulli në vend të kishë apo manastir. Krimi i hershëm, i pazbuluar do të bëhet obsesion i gjeologut, që do të vihet në rolin e dedektivit, për ta zbuluar atë: «Katër ditë më vonë Bar­dhyl Krasta u nis vetëm për në famullinë e vjetër».[16]
Nuk merret vesh se përse gjeologu vepron kështu. Me sa duket është një lloj mistike lejfeniste që e tërheq atë drejt kësaj historie të vjetër. Gjeologu fillon dhe e shqyrton vendin me syrin e kriminalistit:
«Bareliefi nuk ishte i madh. Rreth nëntëdhjetë centimetra me tetëdhjetë. Pjesa e dëmtuar ishte në krahun e majtë. Ai e afroi kokën për të parë më mirë. Në mburojën e një­rit prej të dy luftëtarëve që skulptori kishte gdhendur përbri njëri-tjetrit, ishte thërrmuar ose shkulur një copë pak më e madhe se grushti. Goditja duhej të ishte bërë me qysqi të mpre­htë dhe prej një dore mjeshtri, sepse prerja ishte pak a shumë e rregullt. Ndoshta ishte bërë me po atë qysqi me të cilën ishte kryer edhe vrasja, mendoi ai. Dhe po në atë çast, për të qindtën herë, përsëriti pye­tjen: po pse?... Sipas tregimit të Anës dhe të fshatarëve, bareliefi ishte dëmtuar po atë natë që ishte vrarë rojtari i famullisë. Pra, krimi ishte bërë për shkak të bareliefit. Mirëpo përse? Bareliefi nuk ishte vjedhur, as ishte shkatërruar krejt. Madje nuk dihej asgjë edhe për pjesën e dëmtuar: ishte shkulur dhe marrë me vete, apo thjesht ishte thërrmuar. Në qoftë se ishte shkulur për t’u marrë me vete, përse mund të bëhej një gjë e tillë? Vërtet bareliefi ishte i vjetër, mirëpo ç’vlerë mund të kishte vetëm një pjesë e tij sa një grusht? Kurse, po të pranohej hamendja e dytë, prishja për efekt thjesht dëmtimi, atëherë kjo ishte akoma më e pashpjegueshme».[17]
Bardhyli dhe Ana vazhdojnë ta hetojnë ngjarjen, duke shkuar në muzeumin e fshatit, ku lexojnë copëra nga gazetat e kohës që flasin për ngjarjen: «Ata i lexuan copat e prera të gazetave të vjetra që flisnin për krimin, por njoftimet e tyre ishin të pakta dhe të turbullta. Krimi kishte ndodhur duke u gdhirë 29 tetori 1943, në një natë me vetëtima. Rojtari i famullisë ishte gjetur i vrarë në shkallët e saj, goditur në kokë me një hekur të rëndë. Gjithashtu qe dëmtuar bareliefi i shekullit XIV, për shkak të të cilit famullia e braktisur prej kohësh qe shpallur monument kul­ture. U dyshua se vrasja kishte lidhje me dëmtimin e bare­liefit, por nuk u gjet dot arsyeja. Dyshimet ranë në fillim për një ekspeditë kërkimore të huaj, kombësia e së cilës nuk saktësohej, që po kalonte ditët e fundit në Shqipëri. Edhe për llojin e ekspe­di­tës njoftimet e gazetave ishin të paqarta. Disa e quanin ekspe­ditë për kërkime sizmike, disa folkloristike. Në një lajm të mëvon­shëmthuhej se dyshimet për ekspeditën u hodhën poshtë krej­tësisht, sepse u vërtetua alibia e të katër anëtarëve të saj. Në të vërtetë asnjë gjë, sipas gazetave, nuk përligjte dyshimet për nje­rëzit e ekspeditës, përveç fakti, që disa kohë më parë ata kishin fotografuar me shumë kujdes bareliefin, që u dëmtua ose u shkul natën e vrasjes.
 
- Kurse për pjesën e shkulur nuk thuhet asgjë, - tha ai, duke i zgjatur asaj copën e fundit të gazetës».[18]
 
Gjeologu tashmë fillon e sillet si një hetues që është ngar­kuar të merret me krimin e hershëm të pazbuluar: «Po atë mbas­dite Bardhyl Krasta, pasi punoi një orë për sistemimin e disa të dhënave të mbledhura ditët e fundit, shkoi në klub për të pyetur se si mund të gjente kooperativistin plak Hill Mingën. I kishin thënë se ai ishte i pari që i kishte njohur të katër njerëzit e eks­peditës enigmatike, sepse i kishte mbartur mbi shpinë qysh ditën e parë të mbërritjes së tyre në Shqipëri. Gjeologu ishte habitur pak, por ata i kishin shpjeguar se për Hill Mingën kjo ishte një gjë e zakonshme; madje ajo ishte gjëja më e zakonshme për të, sepse me atë punë ai nxirrte në atë kohë bukën e gojës. Kështu gjeologu mësoi se për vite me radhë Hill Minga kishte punuar në skelën primitive të kënetës së kripur si hamall për zbarkimin e njerëzve».[19]
 
Zelli i Kadaresë për të letrarizuar formulat ideologjike të Enver Hoxhës, e çon atë në krijimin e një personazhi, i cili kapër­cen Lej Fenin dhe të situatave që kapërcejnë bëmat e Lej Fenit. Gjeologu e pyet fshatarin plak si një hetues që pyet një dësh­mi­tar që ka njohur njerëz që dyshohen se janë autorët e një krimi:
 
«Bardhyl Krasta e pyeti më në fund për ekspeditën. Plaku picë­rroi sytë. Ca të huaj me kapuçone të zeza mbi kokë? I mbante mend posi. Nga pamja dukeshin si prej qelqi, por ishin më të rëndë se ç’dukeshin. Po, po, i mbante mend mirë. Ishte një ditë e mërzitshme, me një shi të imtë kudo. Dhe ata ishin mbësh­tjellë me mushama të gjata dhe me ato kapuçonet e zeza, që të ngjallnin angushti në shpirt. Dhe ishin të ftohtë, sikur mbaje mbi qafë gjarpërinj.
Bardhyl Krasta po e përpinte me sy plakun.
- Kur u bë ajo vrasje dhe u dyshua se mos ata kishin gisht, unë, sapo i dëgjova, thashë me vete: ata e kanë bërë.
Hill Minga nxori kutinë e duhanit.
- Po pse, - pyeti gjeologu me zë të ulët, gati me ankim, - pse mendove ashtu?
- Nuk e di, - tha plaku. - Ashtu mendoi kjo dhe jo unë, - dhe prapë i ra qafës.
- Një copë herë ai u mor me dredhjen e cigares dhe tjetri nuk ia hiqte sytë.
- Ja kështu, - tha ai pas pak, - e besova menjëherë, po pastaj u vërtetua ajo... si i thonë asaj... alibeu...
- Alibia».[20]
Fshatari plak fajëson të huajt sipas perceptimit të «shqisës së gjashtë» të mistikës ateiste komuniste që është perceptimi nga ana e popullit, njerëzve të tij:
«- Thonë se njerëzit njihen nga sytë apo nga fjalët që flasin apo ku di unë. Jo, or bir, jo. Dëgjomë mua ti, më mirë se libri, apo syri, apo veshi, njerëzit i njeh kjo këtu, - dhe plaku i ra me dorë qafës së tij. - S’ka si qafa, o bir.
Bardhyl Krasta rrinte në një gjendje të vazhdueshme buzë­qeshjeje.
- S’ka si qafa, - përsëriti tjetri. - Ajo s’gabon kurrë, kur e peshon njeriun mbi vete».[21]
Tashmë, gjeologut që luan hetuesin, sipas mistikës ateiste komuniste, nuk i mbetet tjetër veçse të provojë se fshatari plak kishte të drejtë. Por përse duhet që gjeologu ta bëjë këtë gjë? Kadare thotë se e gjithë kjo ka një lidhje okulte me naftën, kur e bën gjeologun të meditojë kështu:
«Ai e ndjente përherë e më tepër se po dashurohej pas kësaj zone. Në diskutimet në mund të kishte apo mund të mos kishte naftë këtu, ai qe treguar aq i zjarrtë, saqë një nga inxhinierët i kishte thënë njëherë: edhe sikur të kishe lindur në atë vend, s’do të flisje me aq zjarr për të. Në të vërtetë ai qe i bindur se këtu kishte naftë. S’ishte vetëm pasioni për të hedhur poshtë me çdo kusht tezën e vjetër të spe­cialistëve çekë dhe sovjetikë, si dhe të grupit të sabotatorëve më vonë, të cilët kishin ngulur këmbë që në këtë zonë ishte më e besueshme të gjeje elefantë, sesa naftë. Është një bindje më e thellë që rivalizonte, madje kapërcente edhe mbi të dhënat shken­core të cilat, ç’është e vërteta, nuk kundërshtonin mundësinë e gjetjes së naftës në këtë vend.
 
Ai ishte i bindur se, që të kërkoje naftë ose diçka tjetër në një tokë, në radhë të parë duhej ta njihje atë mirë, të njihje gjithçka që kishte ajo mbi vete e nën vete, të merreshe vesh me të si me një qenie të gjallë. Nganjëherë, tek ecte fushës, atij i pëlqente të përsëriste dy vargje të një poeti të ri, që i kishte lexuar dikur:

Ja sonda e naftës si Dantja
Në thellësira zbret

Në të vërtetë nëntoka dhe mbitoka ishin të populluara me gjithfarë ngjarjesh e historish. Fantazma bejlerësh vërtiteshin heshturazi mbi kuaj gërdallë, njëlloj si ata. Murgesha, kryqe, klithma tashmë pa zë, eshtra ngjarjesh të tretura qyshkur, kapuçionë të zinj, nën të cilët fytyrat nuk dalloheshin.
 
Të gjitha këto duhet të njiheshin, edhe pse mund të mos kishin lidhje me naftën, siç ishte rasti i krimit të famullisë. Ja pikërisht ai krim atij s’i hiqej nga mendja. S’ishte kureshtja që e shtynte drejt tij, ishte diçka tjetër. Ai e ndjente se s’duhej të kishte boshllëqe në marrëveshjen e tij me këtë truall. Kurse ai krim ishte një pengesë. Dhe ai ishte i vendosur ta zhdukte pen­gesën».[22]
 
Pra, gjeologu nuk e thoshte dot se krimi i hershëm kishte lidhje me kërkimin e naftës, por meqënëse sipas mistikës enve­riane, të zbulohej naftë duhej të njihej thellësisht historia e zonës ku bëheshin kërkimet, deri tek mitet e saj, atëherë gjeo­logu duhet që ta zbërthente edhe këtë histori enigmatike krimi. Prandaj, gjeologu shkon përsëri tek vendngjarja me... Anën dhe në kthim i thotë kësaj:
«- Kam një parandjenjë se gjithë enigma qëndron pikërisht te pjesa e shkulur, - tha ai».[23]
Ç’marrëzi më të çuditshme tejlejfeniste mund të bëjë një shkrimtar kur si bisedën kryesore në fillimet e dashurisë së një gjeologu dhe një mësueseje bën çështjen e një krimi të hershëm që nuk ka asnjë lidhje me ta?! Në këto marrëzi e çon Kadarenë zelli i tepërt për të letrarizuar formulat ideologjike të Enver Hoxhës.
Gjeologu, duke vazhduar të hetojë për krimin e hershëm, shkon në muzeumin e qytetit, për të parë se si ishte emblema e dëmtuar:
«- Më falni, desha të di, ju me siguri keni dëgjuar për bare­liefin e famullisë së vjetër, të dëmtuar në vjeshtën e vitit 1943 në rrethana krejtësisht misterioze.
Drejtori mbajti hapat.
- E di, - tha - sigurisht që e di.
Bardhyl Krasta mori frymë i lehtësuar.
- Atje u bë edhe një vrasje.
- Po, po, - ia bëri gjeologu, - por unë desha të di, në radhë të parë, se ç’përfaqësonte pjesa e shkatërruar, apo e shkulur e bareliefit.
- A, po ajo dihet, - tha drejtori i muzeut, - ajo ishte emblema e vjetër e Muzakajve.
- Ashtu?
- Po, pikërisht në mburojën e njërit prej luftëtarëve të gdhen­dur në barelief ishte emblema. Muzakajt qysh prej sheku­llit XIII ishin kryezotët e gjithë kësaj zone».[24]
Derisa gjeologu shkoi deri në muzeumin e qytetit-qendër e provincës ai duhet të kishte kërkuar të shikonte bareliefin, ashtu siç kishte qenë pamja e tij para shkatërrimit. Një fotografi e bareliefit, ashtu siç ishte para shkatërrimit, duhej të gjendej në muzeum, derisa vendi ku ishte ai, kishte qenë monument kul­ture që para Luftës së Dytë Botërore. Por, çuditërisht, gjeologu mjaftohet me përgjigjen se në pjesën e shkatërruar të bareliefit ishte emblema e Muzakajve. Kadare na del këtu si shkrimtar i keq letërsie policore. Gjithsesi, në këtë pikë, çdo amator që me­rrej me zbulimin e krimit të hershëm, do të kishte hequr dorë, aq më tepër kur ai që bënte hetuesin amator ishte një gjeolog që kërkonte naftë dhe që ishte shumë i zënë me punë, duke qenë veç të tjerash në fillim të një historie dashurie. Por nuk ndodh kështu me heroin tonë, Bardhyl Krastën. Tashmë jo vetëm ai, por edhe e dashura e tij, Ana, është e fiksuar pas histo­risë së krimit të hershëm:
«Porsa u takuan, ajo e pyeti se a kishte qenë në muze. Ai i tregoi atëherë për emblemën.
- Çudi, - ia bëri ajo - E përse duhej zhdukur ose vjedhur me çdo kusht ajo emblemë?
- Këtu është edhe enigma, - tha ai. - Unë kujtoja se gjetja e pjesës së shkulur do të hidhte dritë mbi çështjen, por ajo, me sa duket, s’jep asgjë. Kështu që kryesorja mbetet prapë gjetja e autorëve të krimit».[25]
Por si e e paska zbuluar gjeologu se ç’ishte pjesa e shkulur, kur nuk e ka parë pamjen e bareliefit të plotë? Gjithsesi, tashmë insis­timi i gjeologut për të zbuluar enigmën e krimit të hershëm duket një gjë absurde, deri edhe patologjike. Në rast se nuk do të kishim të bënim me personazhe lejfeniste, këtë gjë do t’ia thoshte e da­shura e tij e re. Kështu që ata të dy vazhdojnë kërki­met për zbu­­limin e së vërtetës së krimit të hershëm. Mësuesja i thotë gjeo­logut:
«- Këto ditë që ju keni munguar, këtu kanë vluar bisedat për kërkimet tuaja të naftës, si dhe për ngjarjen e famu­llisë.
- Ashtu?
- Sidomos mbrëmjeve, - tha Ana.
- Kjo është një gjë e mirë, - tha ai. - Të nxitësh mendimin popullor përpara fillimit të kërkimeve shkencore të kësaj natyre, ky është një parim.
- O, ata bisedojnë shumë, - tha ajo, - dhe me pasion.
- Është e kuptueshme, Ana. Nafta te ne është më tepër se çështje ekonomike».[26]
Nëse edhe fshatarët po merren me kërkimin e naftës, gjeo­logu që ka detyrë këtë gjë, duket se merret më tepër me krimin e hershëm. Gjeologu bisedon me fshatarët pleq për kohën kur ndodhi krimi:
«Atij i dukej se për vjeshtën e paharruar të vitit 1943 nuk mund të bisedohej veçse pranë zjarrit. Shumica e ngjarjeve ishin me djegie kasollesh e shtëpish me tym, me hi që lag shiu në mëngjes, ndërsa njerëzit kërkojnë diçka midis gërmadhave. Bandat e Isa Toskës e të Xheladin beut bënin kërdinë kudo. Terrorit të tyre të bardhë njësitet guerrile i përgjigjeshin me terror të kuq... Ndeshja ishte e pamëshirshme. Qerret e ngar­kuara me të vdekur, përshkonin kryq e tërthor rrafshirën e shkre­tuar. Një pjesë e të vrarëve nuk njiheshin nga njollat prej balte. Përpara vdekjes njerëzit kishin dëshirë të flisnin, sidomos kur ndodheshin përballë palës kundërshtare. Midis ngulçeve të gja­kut, që mbytnin gërmazet, bëheshin dialogje të ashpra, që nuk ishin bërë asgjëkund.
Kjo vazhdoi rreth pesëdhjetë ditë. Pastaj një pjesë e bandave të bejlerëve u shpartalluan, kurse pjesa tjetër, bashkë me bata­lionet balliste, e braktisën zonën, për të marrë pjesë së bashku me gjermanët në Operacionin e Dimrit, në male. Rrafshira e gjerë, nga këneta e gjerë në kodrinat shkëmbore, mbeti për ca kohë si e shurdhër. Komanda gjermane vendosi postat e xhan­darmërisë së saj në disa pika, filluan të vijnë gazetat e kryeqy­tetit, u kthye dhespoti i manastirit, si dhe një pjesë e kryepleqve të fshatrave, që ishin bërë fir, të trembur nga përleshjet.
Pikë­risht në këtë kohë të shkurtër qetësie u rishfaqën njerëzit me kapuçonë të zinj. Ata kishin qenë këtu para disa muajsh, ishin vërtitur fshat më fshat, kishin bërë ca kërkime të çuditshme mbi dhe e nën dhe, kurse mbeturinat e famullisë së moçme i kishin fotografuar për ditë me radhë, me kujdesin më të madh. Pastaj, porsa qe afruar furtuna e përleshjeve qenë zhdukur si hije.
Ardhja e tyre e dytë nuk zgjoi kureshtjen e fshatarëve. Gjith­se­cili kishte hallet e veta dhe s’ua kishin ngenë të huajve. Atyre vetë, dukej sikur u pëlqente kjo mospërfillje. Zaten, kështu kishin qenë dhe herën tjetër, të drojtur, të paafrueshëm».[27]
Në vjeshtën e vitit 1943, duke konsideruar situatën në vend, të cilën e përshkruan edhe Kadare, nuk mund të kishte asnjë ekspeditë të huaj të këtij lloji që të bënte kërkime në Shqipëri. Në këto rrethana ndodh krimi të cilin gjeologu do të mundohet ta zbulojë më tepër se tre dekada më pas:
«Mirëpo, ndërsa ata vetë kishin qenë jashtë vëmendjes së fshatarëve, krimi që u bë pikërisht në prag të largimit të tyre, tronditi tërë fshatrat rreth e rrotull. Ishte disi e pakuptueshme, që në atë kohë të ashpër, kur njerëzit rreth e përqark ishin të gjakosur, kjo vrasje të bënte aq bujë në popull. Ishte, ndoshta, enigma që e rrethonte krimin, vetë ajo natë e paharrueshme me vetëtima si asnjëherë tjetër, ose ndoshta pozicioni në të cilin qe rrëzuar viktima, përmbys, me dy duart e hapura sipër pragut të gurtë. U lajmërua menjë­herë policia, erdhën gjykatës-hetues që nga Tirana, kriminalistë, gazetarë. Vetëm atëherë u vu re se ishte dëmtuar bareliefi she­kullor. Kjo shkaktoi një hutim të përgjithshëm. Gjëja e parë që bënë hetuesit ishte kërkimi i sqa­rimeve për rojtarin e famullisë: mos kishte ndonjë armik perso­nal, ndonjë gjakmarrje të vjetër. Por të gjithë dëshmuan të kun­dërtën: ai ishte një njeri pa njeri, një kosovar i ardhur në kohën e Luftës së Parë Botërore, që jetonte i vetëm në një kënd të famullisë, me një rrogë të vogël që merrte nga shteti, si rojtar i saj».[28]
E përse duhej të bënte kaq bujë kjo vrasje në atë kohë vrasjesh, kur rojtari i rrënojave mund të ishte vrarë për shumë arsye, nga palët në luftë, partizanët, ballistët (edhe pse pjesa më e madhe e forcave të tyre ishin larguar, megjithatë duhet të kishin mbetur mjaft në zonë), gjermanët, xhandarët, si infor­mator apo edhe ndihmës i njërës apo tjetrës palë, duke qenë se «famullia» e hershme, e veçuar ishte një pikë shumë e përshtat­shme kon­takti për spiunët, apo edhe për furnizime me armë, municion, ushqim etj. Në atë kohë, asnjeri nuk do të guxonte që të rrinte i vetëm në rrënojën e veçuar në rast se nuk do të ishte i lidhur në një mënyrë ose në një tjetër, me një mision që ia kishte ngar­kuar njëra nga palët ndërluftuese. Prandaj, gjëja e fundit që do t’i habiste njerëzit në atë kohë ishte vrasja e rojtarit plak të rrënojës së veçuar. Duket qartë se autori i novelës bën gjithçka që ta bëjë krimin sa më intrigues në atë kohë krimesh masive, çka e bën pretendimin jobindës.
Aq sa ç’mundohet Kadare pa sukses, që ta paraqesë krimin si të bujshëm, aq edhe mundohet, gjithashtu pa sukses, për të na treguar se njerëzit me kapuçë të zinj kishin një alibi:
«Që ditën e parë të hetimeve vetvetiu u lidh vrasja e rojtarit me prishjen ose vjedhjen e një pjese të barelievit. Dyshimet s’kishte mbi kë të binin tjetër veçse mbi ekspeditën e huaj, e cila qe interesuar aq shumë për monumentin mesjetar. Aq më tepër që kohët e fundit shtypi kishte bërë zhurmë për vjedhjen e Butrintit dhe të Apo­llonisë së lashtë nga italianët. Menjëherë iu dha urdhër xhandar­mërisë të ndalonte daljen nga Shqipëria të pjesëtarëve të ekspe­ditës. Mirëpo përgjegjësi i ekspeditës bëri menjë­­herë një dek­laratë të shkurtër, fare gjakftohtë, ku sigu­ro­nte organet gjyqë­sore, se ai dhe kolegët e tij ishin gati të vër­tetonin katërcipërisht alibinë e tyre. Dhe me të vërtetë alibia u vër­tetua. Pikërisht atë natë, të katër pjesëtarët e ekspeditës kishin trokitur në mbrëmje vonë në mullirin e usta Janinës. Ata kishin kërkuar një fener dhe nuk kishin pranuar të futeshin brenda për t’u tharë. Usta Janina i kishte parë me sy që të katër, po ashtu dhe gruaja dhe fëmijët. Morën fenerin dhe ikën, siç thanë vetë, në drejtim të Hanit të Haureve.
Kur tregimi vinte në këtë pikë, të gjithë bënin pyetjen: po ndoshta ndërkaq ata e kishin bërë krimin. Dhe fshatarët qeshnin: po a e di ti ku bie mulliri i usta Janinës? Ai është së paku gjashtë orë larg nga famullia dhe, sikur ata ta kishin bërë vërtet vrasjen, duhej ta kishin bërë atë në kohën e mbasdites, rreth orës tre ose katër, për të qenë në mbrëmje vonë te mulliri. Kurse rojtari atë mbrëmje ishte akoma i gjallë, sepse ndodhej në fshatin tonë, ku e kishin parë të gjithë dhe ku kishte zbritur si zakonisht për të blerë pak miell. Po mbase ti do të thuash se nga mulliri i usta Janinës, në vend që të shkonin drejt hanit të Haureve, siç thanë, ata mund të jenë kthyer mbrapsht me shpejtësi andej nga erdhën, për të bërë hatanë që kishin ndër mend? Ke të drejtë të mendosh kështu, po puna ishte se ata u panë vërtet në Hanin e Haureve aty pas mesnatës, tamam në kohën që ishte duke u bërë vrasja... Binte shi. Kish kaluar mesnata kur dëgjuam ca zëra që i thërrisnin që jashtë hanxhiut. Zërat ishin tjetërlloj, gjysma shqip, gjysma fjalë të huaja. U ngritëm dhe dolëm në hajatin e jash­tëm. I zoti i hanit po zbriste me fener në dorë. Nën dritën e vetë­timës i pamë që të katër. Kishin në kokë ata kapuçonët e zinj që njiheshin një orë larg. Ishin të qullur, por në han nuk u futën, kërkuan vetëm një fener, se feneri i tyre qe thyer. Drita e fenerit u binte copa-copa e i bënte të frikshëm, si lugetër. Kuajt hingë­llinin të trembur nga vetëtimat... Ja, kështu. Kiji inat, po folju hakun: nuk e bënë ata vrasjen. Nga Hani i Haureve e gjer në famulli ishte një ditë udhë, kurse rojtari u gjet i vrarë qysh në mëngjes herët. Veç të kishin krahë të fluturonin».[29]
Por dyshimi nga njerëzit e ekspeditës nuk duhej të largohej për shkak të alibisë, por për shkak se nuk kishte asnjë sens që këtë gjë ta bënin ata. Çfarë do të fitonin ata nga shkatërrimi i bareliefit? Derisa vendi ishte monument kulture, atëherë pamja e bareliefit ishte e fiksuar në fotografi dhe zhdukja e një pjese të tij, do të bënte efektin e kundërt duke potencuar sinjifikimin e pjesës së zhdukur. Dhe veç kësaj, edhe alibia nuk ngjan asfare katërcipërisht bindëse. Natyrshëm do të dyshohej në sajimin e alibisë, meqenëse njerëzit me kapuçë të zinj ishin parë në errësirë, pa iu shquar fytyrat, dhe kishin refuzuar të hynin në vendet ku u shfaqën. Këtë do ta mendonte jo çdo hetues, por çdo njeri që njihej me krimin. Pra, se mund të ishte vetëm njëri prejt tyre, ose dy, që kishin marrë njerëz të tjerë me vete, të mbuluar me pelerinat me kapuçë të zinj. Ose se mund të kishin paguar njerëz për të bërë krimin dhe prishjen e bareliefit. Pastaj si u zbulua, që në mëngjes herët, rojtari i vrarë gjatë natës? Kush mori mundimin që të shkonte që në mëngjes herët tek rrënojat e veçuara në atë kohë të trazuar, në çdo pikëpamje?
Gjithsesi, gjeologu vazhdon të insistojë në zbulimin e krimit të hershëm, duke shqyrtuar të gjitha pistat e mundshme, si një kriminalist:
«Nga rikujtimet e pleqve, Bardhyl Krasta bëri një rikujtim të rëndësishëm: vrasësit nuk e kishin shkulur copën e bareliefit, por thjesht e kishin shkatërruar. Kjo vërtetohej nga një copë fitili gjysmë të djegur që hetuesit kishin gjetur në mën­gjes. Siç duket, ata kishin dashur ta hidhnin në erë krejt famu­llinë, bashkë me bareliefin, por diçka i kishte penguar, ndoshta lagia e dinamitit, ndoshta një gjë tjetër. Ata kishin vënë në përdorim qysqinë, vetëm pasi u kishte dështuar hedhja në erë e famullisë. Pra, qëllimi i tyre s’kishte qenë kurrsesi vjedhja, po shkatërrimi i bareliefit. Në të vërtetë ata do të kishin dashur ta thyenin krejt, por kjo do të kërkonte një kohë të gjatë, kështu që ata u mjaf­tuan vetëm me prishjen e një cope të tij, pikërisht të copës që për ta duhej të zhdukej nga faqja e dheut. Natyrisht, të hutuar nga krimi, ata nuk e vranë fort mendjen se, me prishjen vetëm të emblemës, hidhnin një farë drite mbi saktësinë e shka­kut të krimit. Mirëpo kjo dritë ishte tepër e zbehtë dhe rruga gjer tek e vërteta duhej të ishte kaq e largët, saqë ata nuk u shqe­tësuan fort për pengesat:
E megjithatë, edhe të ngutur e me duar me gjak, siç ishin, ata e bënë një maskim të fundit. U përpoqën ta prisnin copën e bareliefit në mënyrë të rregullt, që të jepnin idenë e një shku­ljeje, pra të një vjedhjeje të zakonshme të një monumenti kultural dhe jo të një shkatërrimi. Kur në të vërtetë, ata do ta kenë thyer atë barbarisht dhe copërat do t’i kenë hedhur rrugës, duke ikur, nëpër baltërat e kënetës».[30]
Por, nëse donin ta hidhnin në erë ngrehinën e vjetër gjysmë të rrënuar, keqbërësit do të kishin ardhur në një natë pa shi. Ndërsa duke e thyer pjesën e bareliefit ku gjendej emblema keqbërësit nuk arrinin qëllimin e tyre për të zhdukur çdo gjurmë të emblemës se, derisa objekti ishte monument kulture dhe për ta ruajtur atë paguhej një roje, atëherë kuptohej që ai ishte i fotografuar dhe riprodhuar dhe për të kishte dosje në Ministrinë e Kulturës në prefekturë, komunë etj. Kështu, gazetat do të riprodhonin pamjen e bareliefit siç ishte para shkatërrimit të pjesshëm të tij. Nëse vendi ku gjendej emblema e dytë e Muza­kajve ishte monument kulture në Shqipëri, atëherë emblema ishte e njohur dhe prishja e një pjese të saj, vetëm sa do të tër­hiqte vëmendjen tek ajo që sinjifikonte dhe jo e kundërta. Kadare na del këtu si shkrimtar i dështuar policor. Sa për prerje të rregullt, siç paraqitet një hipotezë, ajo nuk mund t’i bëhej bareliefit për të marrë një pjesë të tij, se ajo do të copëtohej. Në këtë rast do të tentohej që të shkulej i gjithë bareliefi.
Enigma e krimit të hershëm këtu bëhet aq e ngatërruar sa do të kishte shkurajuar edhe një kriminalist me përvojë që do të përpiqej ta zbërthente atë krim, për pasion profesional, pasi ishte njohur me të. Por nuk ndodh kështu me gjeologun. Gjeo­logu i thotë së dashurës së tij, që tashmë është shndëruar në një lloj asistenteje e tij në zbulimin e krimit të hershëm:
«- Kam një parandjenjë se gjithë enigma qëndron pikërisht te pjesa e shku­lur, - tha ai».[31]
Këtu Kadare nuk bën gjë tjetër veçse na zbulohet si një shkrimtar i keq romanesh policore se aty më lart na ka thënë se ka qenë në muzeumin e qytetit - qendër e provincës, për të parë emblemën. Në rast se «famullia» kishte qenë monument kulture që para Luftës së Dytë Botërore, edhe për shkak të bareliefit, atëherë me siguri që duhet të ekzistonin fotografi të saj në gjen­djen që ishte para dëmtimit, të cilat duhet të ishin çuar edhe në muzeumin e qytetit - qendër e provincës. Atje duhej të paraqitej dhe emblema në gjendjen para dëmtimit. Dhe Kadare e ka çuar një herë gjeologun në muzeumin e qytetit - qendër e provincës, siç kam treguar më lart. Por megjithatë tash del se gjeologu nuk e di se si ka qenë emblema para dëmtimit?!
Hetimi i krimit të hershëm vazhdon të mbizotërojë bisedat e dy të dashuruarve, gjeologut dhe mësueses:
«- Po kush ‘ata’? Ti flet sikur i di vrasësit.
Ai bënte një gjest padurimi.
- Ta zëmë se janë ata, dreqi e mori, kapuçonët e zinj. Në fund të fundit, për të vërtetuar diçka, mund të nisesh nga një hipotezë, ndryshe mendimi ngecet në vend. Pra, ta zemë se janë ata, ashtu siç thotë Hill Minga, që i beson qafës së vet.
- Po alibia?
- Uf, alibia. Unë nuk i di mirë këto gjëra, po ma merr mendja që edhe alibitë duhet të kenë kundëralibitë e veta. Kam për të pyetur ndonjë hetues. Kam një shok në Tiranë».[32]
Gjeologut i duhet të fajësojë ekspeditën e huaj për të ndër­tuar një teori konspiracioni shumë të çuditshme, që ka në qen­dër njerëzit me kapuçonë të zinj, si fajtorë për krimin:
«- Në qoftë se bëjmë hamendjen se krimin e kryen pjesëtarët e ekspeditës, i pashpjegueshëm është sidomos serioziteti me të cilin ata organizuan alibinë. Ti i dëgjove vetë tregimet e fshata­rëve për atë vjeshtë të përgjakshme. Krimet ishin sheshit. Atë­herë përse donin me çdo kusht që krimi i tyre të mbulohej? Aq më tepër që do të iknin përmes Evropës së shkrumbuar nga lufta dhe, veç kësaj, as emrat s’u diheshin, bile as kombësia.
- Po ndoshta kishin frikë se mund t’i arrestonin, - tha Ana. - Të kujtohet ç’thanë pleqtë për urdhrin e ndalimit të tyre?
Ai qeshi.
- Ti beson vërtet se qeveria kukull e asaj kohe do të guxonte të arrestonte një grup ekspedite që bënte kërkime me lejen e gjermanëve? Sepse nuk mund të merret me mend që ata nuk e kishin lejen, bile mbrojtjen e tyre.
- Ke të drejtë, - tha Ana.
- Nga kjo del një problem tjetër, akoma më i errët: ç’raport kishte midis ekspeditës dhe gjermanëve?
Bardhyl Krasta fërkoi ballin me dorë sikur përgjigjen ta nxirrte që andej.
- Që ajo vepronte me lejen dhe nën mbrojtjen e tyre, kjo s’ka nevojë për vërtetim, por diçka tjetër është e paqartë: a ishte ekspedita në lidhje të drejtpërdrejtë me gjermanët?
- Sigurisht, - tha Ana. - Kjo as që mund të vihet në dyshim.
- Kurse unë pikërisht për këtë dyshoj.
- Po si është e mundur që dikush të guxonte të vepronte jashtë vullnetit të plotë të gjermanëve në truallin ku ata sundo­nin?
Ai e vështroi ngultazi, po rrezja e shikimit nuk binte në sytë e saj, po diku më tutje.
- Në qoftë se ata do të vareshin prej autoriteteve gjermane, ose do të kishin lidhje të drejtpërdrejtë me to, atëherë nuk do të mundoheshin e nuk do të vinin kaq shumë vërdallë për të zhdu­kur një barelief. Gjermanët shkatërronin, plaçkitnin, digjnin e hidhnin në erë qytete të tëra shekullore pa u bërë fare merak ç’thoshte bota për ta dhe s’do të ngurronin asnjë grimë për të zhdukur jo një famulli të humbur të Shqipërisë, por tërë zonën përqark. Mjaftonte që ekspedita t’u bënte një kërkesë të tillë. Mirëpo ajo deshi të bënte gjithçka me duart e veta. Pra, ajo e fshehu krimin, ose më mirë qëllimin e krimit edhe prej vetë gjermanëve.
- Sipas teje, as vetë autoritetet gjermane të pushtimit në Shqipëri nuk e dinin misionin e vërtetë të kapuçionëve të zinj?
- Unë dyshoj se nuk e dinin.
- Po atëherë, kush e dinte? Ndoshta qendra, Berlini.
- Ndoshta. Por as kjo nuk është e sigurt. Ka mundësi që as qendra të mos e ketë ditur.
- O, - ia bëri Ana. - Sikur e teprove.
Ai qeshi:
- Aspak. Dhe ja pse: ky është një krim, apo një aksion, quaje si të duash, që dilte jashtë stilit të kohës. Më kupton ç’dua të them? Nuk di si ta shpjegoj, por unë e ndjej se pikërisht kjo gjë tregon se krimi kapërcente mbi kohërat, mbi gjendjen politike të çastit, administratën, qeveritë. Më kupton?
Ana bëri ‘jo’ me kokë. Ai lëvizi duart me nervozizëm.
- Si ta shpjegoj... dhe vetë e kam vështirë ta formuloj me fjalë mendimin... Ky krim, që ndodhte midis kaosit dhe gjakut të përgjithshëm, ndahej nga koha e vet... më kupton... kishte një lidhje me të ardhmen dhe kjo vërtetohet nga vetë fakti... nga vetë fakti... që ata nuk donin kurrsesi të linin kujtesë për të. Donin që gjithçka të harrohej, të harrohej...
Anës iu kujtua varri anonim i mbretit të Arabisë Saudite në shkretëtirë, siç e kishte parë në lajmet televizive.
- Po përse? - pyeti ajo.
Ai hapi krahët.
- Përse?! Po pikërisht këtu qëndron një nga çelësat e enigmës».[33]
Në të vërtetë, në rast se njerëzit me kapuçë të zinj kishin si qëllim të shkatërronin emblemën, si dhe t’i sillnin gjërat në atë mënyrë që ata të mos fajësoheshin për këtë veprim, atëherë ata kanë vepruar në mënyrë shumë naive, madje idiote, gjë e pabe­sueshme kjo për njerëz inteligjentë dhe dinakë, siç jepet të kup­tohet nga autori se ishin ata. Pikësëpari ata nuk do të kishin bërë krimin në atë mënyrë duke e goditur rojtarin në kokë me qysqi dhe duke e lënë tek pragu. Derisa ata kishin shkuar dhe shumë herë të tjera atje, me siguri që e njihnin mirë rojtarin dhe me shumë gjasë edhe e kishin paguar, siç ndodh rëndom në raste të tilla. Prandaj ata sigurisht që mund të shkonin përsëri tek rrënojat ku ishte bareliefi, dhe të hynin me lejen e rojtarit, për një arsye, ose një tjetër. Dinakë siç ishin, ata mund të inske­nonin vetëvrasjen e rojtarit, madje në gjendje të dehur, duke lënë të kuptohej se ishte ai që e kishte dëmtuar bareliefin. Ose mund të vendosnin në rrënojat armë, municion dhe lëndë pla­sëse, duke e hedhur në erë murin ku ishte bareliefi, dhe duke e paraqitur si një incident që kishte ndodhur kur kishin shpër­thyer armët që rojtari mbante për njërën nga palët ndërluftuese, ose që i mblidhte për t’i shitur.
Në atë kohë të trazuar, kur vriteshin shumë njerëz dhe dëgjo­heshin rëndom shpërthime mund të shkonin javë derisa të me­rrej vesh vrasja e rojtarit të rrënojave të gjendura larg një fshati të humbur në anë të kënetës. Mungesa e rojtarit nuk do të binte në sy veç pas disa ditësh, dhe edhe kur të binte në sy, kurrkush nuk do të guxonte të shkonte tek rrënojat për të parë se ç’bëhej me rojtarin, aq më tepër kur ai nuk kishte as të afërm. Ose nje­rëzit me kapuçë të zinj mund ta hidhnin në erë bareliefin së bashku me një pjesë të ngrehinës së vjetër dhe rojtarin, duke ua atribuar fajin në një mënyrë ose në një tjetër njërës prej palëve ndërluftuese. Ismail Kadare vazhdon të paraqitet si shkrimtar i dështuar romanesh policore.
Por përse duhej që njerëzit me kapuçë të zinj të zhduknin një emblemë të gdhendur në një barelief? Çfarë përfitimi do të kishin ata nga kjo? Derisa bareliefi ishte monument kulture, pamja e pjesës së padëmtuar (emblemës) gjendej e fiksuar në shumë fotografi dhe shkatërrimi i pjesës së bareliefit ku gjendej emblema, përveçse nuk do të vlente, nuk mund të mos i adre­sonte dyshimet tek njerëzit e ekspeditës që kishin treguar interes për të dhe madje të ngjallte kureshtjen për kuptimin e saj. Autori përpiqet shumë për ta stërholluar historinë dhe gjeologu dhe mësuesja bisedojnë edhe për këtë, gjithherë në terma të per­sonazheve të romaneve policore. Gjeologu insiston gjith­monë tek obsesioni i tij se krimi ka një sinjifikim të veçantë në sensin e një lloj mistike ateiste, që në përgjithësi përbën çelësin për të zbërthyer shumë gjëra, edhe enigmën e naftës:
«- Ai ishte një krim me rëndësi kombëtare, - tha Bardhyl Krasta, - ndryshe populli nuk do të tronditej aq prej tij. Më kup­ton ç’dua të them? Populli, pavarësisht se nuk diti ta shpjegonte, e ndjeu me intuitë se krimi kishte lidhje me gjithë vendin.
- Po në ç’kuptim? - pyeti Ana.
- Pikërisht për këtë kam vrarë mendjen këto ditë - tha ai duke i rënë me këmbë një guraleci. Dhe i shpjegoi se, në qoftë se do të bëhej fjalë për një vjedhje si ato të Butrintit apo të Apollonisë, çështja do të ishte më e thjeshtë. Por këtu ishte fjala për një zhdukje. Dilte pyetja: përse do t’u interesonte vrasësve zhdukja e emblemës së Muzakajve në një barelief? Shkaqet mund të ishin të shumta dhe mund të kishin të bënin me shumë gjëra, me historinë, me origjinën e vetë Muzakajve, me analet diplomatike, me kufijtë e domenit të Muzakajve, me kufijtë etnikë të vetë Shqipërisë. Një emblemë, vetvetiu ka lidhje me të gjitha këto. Me asgjësimin e saj ata donin të zhduknin një dëshmi. Një dëshmi tepër të rëndësishme. Pra ata donin të bënin një përçudnim në histori. Me se mund të kishte lidhje ky përçudnim? Me origjinën e Muzakajve? Me sa dihej, kjo ishte një gjë e padiskutueshme për historianët. Asnjë hamendje për origjinë greke, sërbe apo latine të tyre nuk kishte. Aq më tepër që ekzistonte dhe një gjenealogji e famshme e familjes së tyre, e shkruar nga një pinjoll i fisit fill pas pushtimit turk. Veç kësaj, vështirë se mund të derdhej gjak për origjinën e Muzakajve, pesë shekuj pas zhdukjes së familjes së tyre. Të ishte për ori­gjinën e Kastriotëve, pra të Skënderbeut, mund edhe të beso­hej...
- Mbetet çështja e kufijve etnikë, - vazhdoi të fliste ai.- Emblemat kanë shpeshherë lidhje me to. - Mirëpo, edhe për këtë, atij nuk i besohej fort. Kishte disa arsye. E para, domeni i gjerë i Muzakajve gjendej në mes të Shqipërisë dhe nuk takonte me asnjë kufi të shteteve fqinjë, kështu që përjashtoheshin pretendimet truallsore të tyre. Veç kësaj, në kohën që ndodhi krimi, nuk ishte më viti 1913, kur kufijtë e Shqipërisë diskuto­heshin midis diplomatëve të fuqive të mëdha, në Londër, dhe nga komisioni ndërkombëtar kërkoheshin vërtetime dhe dëshmi për të përcaktuar vijën e tyre. Aq më tepër që më 1943 gjithë Ballkani ndodhej nën sundimin e Rajhut gjerman dhe kufijtë e shte­teve ballkanike qepeshin e shqepeshin sipas tekave dhe inte­resave gjermane, që nuk pyesnin për asgjë. Madje jo vetëm Ball­kani, por krejt Evropa ishte në gjendjen e një njeriu të lidhur në tryezën e operacionit, të cilit kirurgë të egër i hiqnin apo i shto­nin gjymtyrë, sipas qejfit të tyre.
- Jo vazhdoi ai, - s’është çështje kufijsh. Duhet të jetë diçka tjetër».[34]
Nëse është diçka tjetër, e cila ka bërë që krimi të lërë gjurmë në kujtesën kolektive popullore, atëherë mbetet që të jetë nafta. Këtë e kupton kushdo dhe duket qartë se të gjitha këto janë para­përgatitje për këtë. Në këtë moment bllokimi të hetimeve është mësuesja ajo që ka një shkëndijë «gjeniale» prej krimina­listeje:
«- Po ndoshta duhet parë njëherë vetë emblema, domethënë ndonjë fotografi apo vizatim i saj, - tha Ana.
- Sigurisht. E kam menduar dhe atë. Të shtunën, porsa të mbë­rrij në Tiranë, gjëja e parë që do të bëj, do të jetë kërkimi i saj».[35]
Por, a nuk duhej të kishte fotografi apo vizatime të emble­mës në muzeumin e qytetit - qendër e provincës ku shkoi gjeo­logu? Normalisht kështu duhet të ishte por nuk është kështu se autorit i prishet skema e tij naive e romanit policor!
Në kohën që gjeologu është në kulmin e kërkimeve për të zbuluar krimin e hershëm, ndodh një ngjarje tjetër, në fshat kapet një endacak, për të cilin zbulohet se ishte një njeri që ishte paguar nga ish-pronarët e para vitit 1944, për të vënë shenjat e kufijve të pronave të vjetra, me shpresën se do t’i merrnin një ditë, kur të përmbysej regjimi. Me rastin e kapjes së endacakut vjen një hetues profesionist, me të cilin gjeologu bisedon për krimin e hershëm. Hetuesi profesionist e shkurajon hetuesin amator, gjeologun:
«- Nga ato çaste që treguat, mua më duket se alibia e atyre kapuçonëve është vështirë të kundërshtohet, - tha ai, kur gjeo­logu mbaroi së foluri. - Për të vënë në dyshim alibinë e tyre, është e domosdoshme që, së paku, të dalë një dëshmitar që të thotë se i ka parë ata pranë vendit të krimit. Përndryshe... E shoh që jeni i pakënaqur.
Gjeologu hapi krahët, si për të thënë: ‘ç’të bësh’».[36]
Por çdo hetues, sado i paaftë, duhet të dyshojë tek kjo alibi. Ai që duhet të dyshonte ishte hetuesi profesionist dhe jo ai amator, gjeologu. Njerëzit me kapuçë të zinj duhet të ishin jashtë dyshimit për shkak të absurdit që përbënte atribuimi i krimit ndaj tyre, dhe jo për shkak se kishin alibi.
Kur hetuesi e pyet gjeologun se përse ua atribuon krimin njerëzve me kapuçë të zinj, ai nuk di ç’përgjigje t’i japë veç asaj mistike:
«- Po ç’ju shtyn të besoni se krimin e kanë bërë ata?
Bardhyl Krasta deshi të thoshte: qafa e Hill Mingës, por nuk ishte i sigurt se hetuesi do ta kuptonte humorin e tij. Veç kësaj, duhej shpjeguar më parë historia e Hill Mingës».[37]
Në po këtë sens të mistikës në llojin e vet (ateiste komu­niste), gjeologu Bardhyl Krasta, duke biseduar me hetuesin gjen një lidhje mes dy ngjarjeve, asaj të shkatërrimit të emblemës dhe vendosjes së shenjave të kufijve të hershëm nga endacaku, lidhje që nuk i shkon ndërmend as hetuesit profesionist:
«- Kurse mua m’u duk e çuditshme pikërisht një farë lidhjeje midis veprimeve të tyre, - tha gjeologu. - Ndërsa ata u përpoqën të zhduknin një shenjë ky bënte të kundërtën, përpiqej të riven­doste shenjat e zhdukura».[38]
Gjeologu, pa u shkurajuar nga biseda me hetuesin profesio­nist, vazhdon hetimet e veta për krimin e hershëm, duke shkuar në arkivin qendror, në Tiranë për të parë emblemën e zhdukur tek bareliefi. Si gjithmonë gjetjet e tij i ndan me mikeshën e vet, mësuesen:
«- Ishe në arkiv? - pyeti ajo.
Ai pohoi me kokë, por kuptohej menjëherë që ishte pak i zhgënjyer.
- Nuk gjete gjë?
- Jo... përkundrazi emblemat ishin aty të gjitha, veçse, ashtu si më parë, çdo gjë mbetet e pashpjegueshme...
- Sa çudi, - tha Ana. - Po ajo, emblema e Muzakajve?
- Një emblemë tipike, e ngjashme me disa të tjera, - i shpjegoi ai. - Shqiponja e vjetër, me një yll në mes.
- Me një yll në mes? - ia bëri Ana, - Po nuk të duket pikërisht kjo gjë, një arsye... për ta zhdukur?...
- E kuptoj ç’do të thuash, - tha ai, - por, po ta mendosh thellë, s’ka ndonjë logjikë...
- Po ja... ylli...
- E çfarë? - ia bëri ai. - Çfarë ndodh, në qoftë se ylli u zhduk nga një barelief?
- Ke të drejtë, - tha Ana. - Në të vërtetë s’do të kishte asnjë kuptim».[39]
Por në rast se gjeologu shkoi në arkivin qendror, ai duhet të shikonte atje jo thjesht emblemën, por bareliefin ashtu siç kishte qenë para shkatërrimit, ku tregohej se për çfarë embleme bëhej fjalë. Kadare e eviton këtë gjë, pasi i duhet të vazhdojë romanin e vet policor, në një mënyrë asfare bindëse. Këtu gjeologu prak­tikisht heq dorë nga zbulimi i enigmës. Është absurde se ai që kishte ngulmuar aq shumë heq dorë pa bërë asnjë përpjekje për të parë një fotografi të bareliefit, siç kishte qenë para shkatërri­mit. Por, në momentin që gjeologu, i cili u bë shkak që të bisedohet edhe një herë për krimin e hershëm, ngeci në një pikë të vdekur në kërkimet e veta për zbulimin e enigmës, psikoza e kërkimeve rrëmbeu fshatarët. Sipas këshillës së plakës 120 vjeçe, Patra Baltaj ata prenë një dru arre që ishte tek hyrja e «famullisë», pasi sipas saj druri i arrës kishte veçori që të «foto­grafonte» pamjet e sendeve ose njerëzve që gjendeshin para tij, vecanërisht në ditë apo net me vetëtima, për të cilat ata që e stërholluan idenë e plakës së moçme, thanë se luanin rolin e blicit të aparatit fotografik. Por, edhe në rast se do të ishte kështu, dhe në drurin e arrës do të ishte fiksuar ndonjë shenjë që mund të interpretohej si pamja e njerëzve me kapuçë të zinj, kjo nuk do të thoshte se ishin ata njerëzit që kishin kryer krimin, pasi ata kishin qenë shumë herë atje, dhe fare mirë mund të ishin fiksuar në një ditë tjetër. Ose mund të kishin qenë ushtarë gjermanë apo italianë që mbanin pelerina me kapuç në kohë me shi, apo edhe ushtarakë të pasluftës që mbanin pelerina me kapuç në kohë me shi. Pra, nuk kishte marrëzi më të madhe se të pritej druri i arrës për këtë qëllim. Dhe megjithatë druri i arrës u pre për t’u çuar në një fabrikë mobiljesh ku do të prihej në fletë, për t’u parë se ç’kishte fiksuar, me ç’rast u tha se u panë të fiksuar njërëzit me kapuçë të zinj.
Autori dëshiron që patjetër të vërtetojë katërcipërisht se krimin e bënë njerëzit me kapuçë të zinj, prandaj bën që të rrëfehet një bashkëpunëtor në krim, fshatari plak Stefan Haurja. Autori shkruan për Stefan Haurjen:
«Filloi të dilte me një thes të zi në kokë. Lojti nga mendja, thanë të gjithë, zaten ai gjysmë i lojtur qe. Mirëpo pikërisht atë­herë ai zbuloi të fshehtën e krimit. Alibia e kapuçonëve të zinj ishte e sajuar. Nuk kishin qenë të katër kapuçonët e zinj atë natë me vetëtima te mulliri i usta Janinës as tek Hani i Haureve. Kishin qenë vetëm dy prej tyre, kurse dy të tjerët, pikërisht në atë kohë, po bënin siç duket vrasjen, te famullia e vjetër.
- Po ata ishin katër, - kundërshtoi për herë të fundit Miço Stroni. - Ne i pamë me sy, unë, Miti Shqepa dhe Tod Kërri. Ja, me këta sy i pamë. Fol, more Miti, fol, more Todi.
- I pamë, për nder, që i pamë, - përsërisnin dy të tjerët.
- Një m... i keni parë, - klithi Stefan Haurja. - Keni parë vetëm dy prej tyre, se dy të tjerët ishim unë me Lolo Shtëm­barin, të veshur të dy tëpkë si ata, me pelerina, me kapuçonë në kokë.
Dhe midis habisë së përgjithshme ai tregoi se si të huajt i kishin pajtuar ata të dy, duke u dhënë një shpërblim të vogël, si i kishin kërcënuar që të mos nxirrnin sekretin se do t’i pinte e zeza nga të gjitha anët, nga qeveria shqiptare, nga gjermanët, nga fshati i tyre, dhe më në fund nga vetë ata, kapuçonët e zinj, dora e të cilëve të gjente kudo që të fshiheshe. Dhe pastaj ishin takuar me ta atë natë të paharrueshme te bregu i kënetës. Atje u kishin dhënë të vishnin pelerina si ato të tyre, me kapuçonë, për të mbuluar kokën. Pastaj ishin nisur dhe kishin udhëtuar gjithë natën, gjer ndaj të gdhirë nëpër shi e vetëtima. Atë natë Stefan Haurja dhe Lolo Shtëmbari s’kuptonin asgjë se ç’bëhej. U dukeshin të huajt si të çmendur dhe dy-tri herë deshën t’ia mbathnin por i mbajti frika nga kërcënimet e tyre. Vetëm më vonë, kur u dëgjua vrasja, ata sikur nuhatën diçka, por prapë gjithçka mbeti e turbullt dhe e pashpjegueshme edhe për ata vetë. Tridhjetë e ca vjet Stefan Haurja e mbajti të fshehtën të kyçur në zemër. Lolo Shtëmbari vdiq në 1971, dhe Stefan Haurjes iu duk se pas vdekjes së tij e fshehta iu rëndua edhe më shumë në gjoks. I dukej se kishte gisht në vrasjen dhe, sa më shumë shkonin vitet, aq më tepër vetëtimat e asaj nate i llaps­nin, me një dritë të bardhë, të panatyrshme, mes për mes trurit. Nganjëherë shkonte në famulli, vështronte bareliefin e shkulur, pragun ku ishte gjetur rojtari i vrarë dhe ikte si i dalldisur.
Kur njerëzit rifilluan prapë hetimin e krimit, ai e kuptoi se do ta kishte vështirë ta mbante akoma të fshehtën. Dhe kështu filloi ta nxirrte dalëngadalë...».[40]
Me këtë rrëfim të Stefan Haurjes autori nuk bën gjë tjetër veçse e zbulon edhe më tepër veten si një shkrimtar i paaftë i romaneve policore. Të huajt duhet t’i kishin vrarë dy fshatarët vendas që praktikisht ishin bashkëpunëtorët e tyre në krim dhe që pas largimit të të huajve do të mbeteshin dëshmitarët e vetëm që rrëzonin alibinë e tyre. Njerëzit me kapuçonë të zinj nuk mund të largoheshin me bindjen se kishin fshehur çdo gjurmë të krimit të tyre, kur kishin lënë pas dy fshatarë që pasi mësuan për krimin e kuptuan se pa dashje ishin bërë bashkëpunëtorë në një krim, dhe tashmë ishin dëshmitarë që rrëzonin alibinë e të huajve. Kadare vazhdon të na shfaqet këtu si shkrimtar i dësh­tuar romanesh policore.
Gjeologu, pasi u vërtetua që vrasësit kishin qenë njerëzit me kapuçë të zinj, vazhdon të mbetet i fiksuar pas kësaj çështjeje, sa i përket shkakut të vrasjes. Midis tij dhe së dashurës së vet, mësueses, zhvillohet ky bashkëbisedim:
«- Vetëm një gjë s’u zbulua që s’u zbulua, - tha ai. - Përse e bënë atë krim.
Në zërin e tij kishte keqardhje.
- Kjo, me sa duket, s’ka për t’u marrë vesh kurrë, - tha Ana».[41]
Por, shkaku i krimit u zbulua shpejt, me një «deus ex machina», për shkak se Kadare donte të letrarizonte teorinë e Enver Hoxhës për sabotimet në naftë. Autori shkruan:
«Shkaku i krimit doli në dritë në një mënyrë të thjeshtë, jo shumë kohë më pas. Dhe ja se si:
Midis një grupi ekskursionistësh që erdhën si zakonisht nga N. me një autobus të ‘Albturizmit’, për të parë bareliefin e moçëm, ndodhej një djalë i hollë, i gjatë, punonjës i Institutit të Histo­risë, që porsa ishte kthyer nga jashtë shtetit, ku kishte bërë hulumtime arkivale për mesjetën e hershme. Kur gidi shpjegoi me dy fjalë moshën e bareliefit si dhe dëmtimin e tij, që ishte shoqëruar me një krim, hollësirat e të cilit qenë zbuluar kohët e fundit, punonjësi i Institutit të Historisë bëri disa pyetje. Gidi u përgjigj, pa e shuar dot plotësisht kureshtjen e tjetrit.
- Po ju a e dini se Muzakajt kanë pasur dy emblema? - tha ai.
Gidi ngriti supet.
- S’keni faj, vazhdoi punonjësi i Institutit të Historisë. - Mos ma merrni për mendjemadhësi, por këtë nuk e di asnjeri. - Ai u skuq pak.
- E ju nga e dini? - pyeti një burrë i shëndoshë, që po për­typte gështenja të ziera.
Punonjësi i Institutit të Historisë u skuq edhe më.
- Porsa jam kthyer nga Venediku, ku isha për kërkime në arkivat e mesjetës. Atje e ndesha për herë të parë këtë gjë...
- Pa shih, pa shih..
Disa nga ekskursionistët që dëgjonin për herë të parë për krimin, deshën të dinin sa më shumë për emblemën e shkatë­rruar dhe e rrethuan punonjësin e Institutit të Historisë.
- Ka mundësi që kjo të jetë pikërisht emblema e dytë, ose e fshehta, siç quhej, - tha ai. - Unë tani jam duke shkruar një stu­dim, po s’jam i sigurt akoma nëse ka qenë pikërisht kjo këtu emblema e dytë.
- E si ishte ajo emblemë? - pyeti dikush.
- Një kronist italian, Giovani, e jep përshkrimin e saj në një traktat të botuar në vitin 1510, - tha punonjësi i Institutit të Historisë. - Ai përmend atje disa emblema të kryezotëve të Shqi­përisë, kurse për emblemën e dytë thotë se ajo, ndryshe nga emblema e parë, përmbi shqiponjën e vjetër dykrenare të Muza­kajve ka dy rrëkeza, që, siç thonë, tregojnë burime nafte. Duo rivuli qui naphtae fontibus indicio sunt.
- Ah, pa shih, pa shih, - ia bëri prapë burri i shëndoshë.
- Në të vërtetë, unë erdha në këtë ekskursion vetëm për këtë gjë, - tha punonjësi i Institutit të Historisë».[42]
Por fotografia e emblemës së vjetër të Muzakajve duhet të ishte në Shqipëri dhe ishte për dy arsye:
 
1) Sipas atyre që thuhen në novelë, derisa vendi ku gjendej emblema në Shqipëri ishte monument kulture dhe ruhej me një roje të paguar nga shteti. Shteti shqiptar që shpenzonte paratë për pagën e rojes, sigurisht që kishte shpenzuar shumë më pak para për ta fotografuar bareliefin.
 
2) Emblema e vjetër e Muzakajve përmendet dhe përshkru­het në Memorandumin e Gjon Muzakës, ku thuhet:
 
«Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës sonë ka qenë një krua i gjallë, i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë dhe ky ishte kroi i Epirit për të cilin kanë shkruar shumë autorë, që njëri shuan një pishtar dhe tjetri të shuarin e ndez. Pastaj kanë patur shqiponjën me dy krerë, të kurorëzuar me një yll në mes, ashtu siç e dini qysh atëherë e kemi mbajtur në luftëra e cere­moni».[43]
 
Këtu kuptohet se është fjala se kjo tokë ka dy lloj burimesh, uji dhe nafte. Uji e shuan pishtarin, ndërsa nafta e ndez. Memo­ran­dumi i Gjon Muzakës u zbulua në 1863 nga Karl Hopf, i cili e publikoi në 1873. Që atëherë ka qenë shumë e njohur për stu­diuesit, duke përfshirë dhe ata shqiptarë. Pra, për studiuesit shqip­tarë, nuk mbeti të zbulohej enigma e emblemës së hershme të Muzakajve në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX. Merret vesh, Kadare ka bërë këtu një spekulim të trashë. Se përse i është dashur ky spekulim, kjo kuptohet nga fragmenti i mëposhtëm i novelës:
 
«Ana, me të marrë vesh ç’u bisedua midis ekskursionistëve, i shkroi Bardhylit. Ai ishte shumë i zënë dhe mundi të vinte vetëm pas dhjetë ditësh.
- Sikur ta dija, - tha ai porsa u takuan. - Kisha një parandje­një se do të merrja një letër të tillë prej teje.
- Kurse unë kujtoja se shkaku nuk do të zbulohej kurrë, - tha ajo. - Pra shkaku paska qenë nafta, apo jo?
- Pa dyshim, - ia bëri ai, - pa asnjë dyshim. Rrugës, kam menduar vazhdimisht për të. Kapuçonët e zinj s’kanë qenë as arkeologë, as folkloristë, por gjeologë nafte.
- Gjeologë nafte!
- Pikërisht. Mos të të vijë aspak çudi. Ata zbuluan që këtu kishte naftë, por, ndryshe nga gjeologët normalë, ata ishin jo nxjerrës, por varrëmihës të naftës. Gjithë kujdesi i tyre ishte që të zhduknin çdo dëshmi të naftës. Ashtu si specialistët e huaj më pas, si grupi i sabotatorëve tanë vonë.
- Ç’kriminelë të neveritshëm!
- Emblema e Muzakajve ishte një nga dëshmitë e rralla në mos e vetmja, që vërtetonte burimet e naftës në këtë zonë. Duke e zhdukur atë, ata kujtuan se i fshihnin gjurmët e naftës përjetë. - Ai tregoi me dorë fushën përreth. - Ashtu siç bëjnë pasanikët në prag të revolucionit, që groposin pasuritë nën tokë, duke pritur që të kthehet koha e tyre. Ishte viti 1943, një vit prag apo jo?»[44]
Është e qartë, historia e njerëzve me kapuçë të zinj u shpik nga Kadare për të letrarizuar teorinë e Enver Hoxhës se të ashtu­quajturit sabotatorë të naftës, të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, janë pjesë e një konspiracioni të tejkohshëm kundër Shqipërisë, si të armiqve të brendshëm (sabotatorëve shqiptarë), ashtu dhe të të huajve, në radhë të parë të perëndimorëve, që paraqiten si armiqtë më të këqij. Ismail Kadare më tutje i para­qet gjërat sikur ky konspiracion i tejkohshëm është një konspi­racion i kapitalizmit ndërkombëtar (lexo: Perëndimit) kundër Shqipërisë, kur i bën gjeologun dhe mësuesen të flasin kështu:
«- Ç’kombësi kishin vallë? - pyeti ajo.
Ai ngriti supet.
- Unë mbetem në mendimin e parë. Ata janë më të përgjith­shëm se shtetet dhe administratat. Teknokratë, kozmopo­litë, agjentë të shoqërive anonime ndërkontinentale. Kështu besoj.
- Anonime, - përsëriti Ana. - Të kujtohet varri i atij mbretit në rërën e Arabisë Saudite?...
- Me një fjalë kapitali botëror, - tha ai».[45]
Nëse bëhet fjalë për një qendër të «kapitalit botëror», atëherë një vend me shumë peshë tek ajo kanë sigurisht SHBA. Kështu, në novelën e Kadaresë del sikur edhe në mes të Luftës së Dytë Botërore, kur vendet kryesore kapitaliste, SHBA dhe Gjermania,luftonin për vdekje me njëra-tjetrën, një qendër e plotfuqishme misterioze e kapitalizmit ndërkombëtar koordinonte veprime mes tyre për të zhdukur shenja që tregonin burimet e naftës në Shqipëri, pasi nuk donin që këto t’i shfrytëzonte Shqipëria që pritej të bëhej komuniste. Pra, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Perë­ndimi kapitalist ishte një armik po aq i keq sa pushtuesit fashistë, pasi kishte bashkëpunuar me ta për ta privuar popullin shqiptar nga shfrytëzimi i pasurive të tij nëntokësore. Kështu Kadare letrarizonte teoritë e Enver Hoxhës dhe u kultivonte shqiptarëve fobinë ndaj Perëndimit. Dhe shikoni se cili është njeriu që vrasin të dërguarit misteriozë të kapitalit ndërkombë­tar, pra të Perëndimit konspiracionist: një kosovar. Kadare më lart ka thënë se rojtari i rrënojave të famullisë ishte një kosovar. Me këtë Kadare duket se ka dashur të nxitë dhe fobinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj Perëndimit.
Ismail Kadare, në fund të novelës, e artikulon edhe një herë qartë idenë e tij, sipas kanoneve të letërsisë së realizmit socia­list:
«Ata hynë brenda dhe qëndruan disa sekonda përballë bare­liefit. Vendi i shkulur në barelief i kujtonte atij fletët e shku­lura në dosjet e specialistëve çekë dhe sovjetikë më 1961. Më vonë hartat e prishura të sabotatorëve. Ishte e njëjta gjë».[46]
Kadare, duke dashur që të artikulojë edhe një herë mistikën komuniste ateiste për popullin, bën një gafë të madhe duke shkruar:
«Jashtë arra plakë qindravjeçare dukej sikur merrte frymë ngadalë. Ata qëndruan për një kohë të gjatë përpara saj, dhe secili më vete mendonte pak a shumë të njëjtën gjë. Ata men­donin se edhe pasqyrimi i tyre, sado i zbehtë, ishte atje, dhe po atje ishte gjithçka tjetër që lëvizte përreth dhe që ekzistonte. Sepse, dëshmi shekullore, siç ishte ajo, të kujtonte popullin që e kishte të shkruar gjithçka në trupin e vet».[47]
Por, a nuk ka thënë autori se druri i arrës u pre sipas këshi­llës së plakës Patra Baltaj, për të zbuluar gjurmët e krimit?
Në 5 mars 1975, Enver Hoxha tha në Byronë Politike:
«Ç’na ngjet tash në naftë? Atje lulëzojnë gjithashtu burokra­tizmi, intelektualizmi dhe teknokratizmi. Partisë dhe klasës në naftë i kanë zënë frymën, atë e kanë neutralizuar».[48]
Ismail Kadare me novelën e tij sillte «frymën e partisë» në sektorin e naftës.


[1] Ismail Kadare: «Emblema e dikurshme», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 196.
[2] Po aty, f. 197.

[3] Ismail Kadare: VEPRA, vol 12, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, fq. 208-219.

[4] Enver Hoxha: «Për naftën», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH ,  «8 nëntori», Tiranë, 1984, f. 205.
[5] Po aty, f. 259.

[6] Po aty, f. 198.
[7] Po aty, f. 254.
[8] Ismail Kadare: «Emblema e dikurshme», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 145.

[9] Po aty, f. 145.
[10] Po aty, f. 147.
[11] Po aty, f. 149.

[12] Po aty.
[13] Po aty, f. 150.

[14] Po aty, fq. 150-151
[15] Po aty, f. 156.
[16] Po aty, f. 155.

[17] Po aty, fq. 157-158.

[18] Po aty, fq. 159-160.
[19] Po aty, fq. 160-161.

[20] Po aty, f. 163.
[21] Po aty, f. 162.

[22] Po aty, fq. 165-166.

[23] Po aty, f. 169.
[24] Po aty, f. 175.

[25] Po aty, f. 177.
[26] Po aty, fq. 177-178.

[27] Po aty, fq. 178-179.

[28] Po aty, fq. 179-180.

[29] Po aty, f. 180-181.

[30] Po aty, f. 182.

[31] Po aty, f. 182.
[32] Po aty, fq. 182-183.

[33] Po aty, fq. 184-186.

[34] Po aty, fq. 188-190.
[35] Po aty, f. 190.

[36] Po aty, f. 203.
[37] Po aty, f. 204.
[38] Po aty, f. 203.

[39] Po aty, fq. 205-206.

[40] Po aty, fq. 216-217.
[41] Po aty, f. 218.

[42] Po aty, fq. 218-219.
[43] Gjon Muzaka: «Memorje», «Toena», Tiranë, 1996, f. 24.

[44] Ismail Kadare: «Emblema e dikurshme», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, fq. 219-220.

[45] Po aty, fq. 220-221.
[46] Po aty, fq. 221.

[47] Po aty, fq. 221.
[48] Enver Hoxha: «Për naftën», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH , «8 nëntori», Tiranë, 1984, f. 216.