«MUZGU I PERËNDIVE TË STEPËS» PËRDHOSJE STALINISTE E NOBELISTIT DISIDENT PASTERNAK






Në qendër të novelës autobiografike të Ismail Kadare, «Muzgu i perëndive të stepës», është një ngjarje e ndodhur në kohën kur ai ishte student në Moskë, në Institutin «Gorki», në kursin e lartë pasuniversitar për shkrimtarë, në vitet 1958-1960, çështja e Çmimit Nobel të Boris Pasternak. Rreth Çmimit Nobel që iu dha Pasternak në 1958, u krijua një suspans i bujshëm me jehonëndërkombëtare, se në Bashkimin Sovjetik filloi një fushatë pro­pagandistike e komanduar nga regjimi, që të detyrohej Paster­nak ta refuzonte çmimin dhe ai u detyrua ta bënte këtë gjë. Sigurisht që Pasternak duhet të jetë ndjerë shumë i fyer nga fushata që u bë ndaj tij, por fyerjen më të madhe atij ia bëri Ismail Kadare, në novelën «Muzgu i perëndive të stepës», botuar së pari në 1977 dhe më pas ribotuar disa herë pas vitit 1990, siç do të tregoj më poshtë. Pasternakut iu dha Çmimi Nobel në tetor 1958 dhe ai u detyrua ta refuzonte atë katër ditë më pas.
Kadare, në novelën «Muzgu i perëndive të stepës» tregon se ai ra në kontakt kështu me librin e Pasternak «Doktor Zhivago», për të cilin ky autor mori Çmimin Nobel:
«Kur hapa dritën e dhomës tjetër, diçka më ndaloi te pragu. Dikush e kishte dhu­nuar tempullin tim. I habitur, shikoja njërën qoshe të dho­mës, ku ishte lënë një shishe bosh, një kuti kon­serve dhe diçka tjetër. Bëra dy hapa dhe pashë se pranë shi­shes ishte lënë një letër e shqyer ambalazhi, që duhej të kishte pasur brenda diçka të lyr­shme. Pak më tutje ishte një grumbull fletësh. U për­kula dhe ngrita ca fletë. Ishin të daktilografuara dendur. Përreth asgjë tjetër. Dukej se i panjohuri kishte ardhur aty sa për të pirë vodkë dhe për të lexuar ato fletë të daktilogra­fuara, që ndoshta nuk i kishin pëlqyer dhe i kishte lënë aty bashkë me mbeturinat e darkës. Një çast m’u duk se ai do të vinte, do të hapte befas derën dhe do të më gjente aty. Por kutia e konservës ishte e tharë prej kohësh. U ula në gjunjë dhe mora në duar grumbullin e fletëve të daktilografuara. Duhej të ishin nja dyqind, ose tre­qind. Që në syrin e parë nga dialogët e kup­tova se ishte një vepër letrare. Mirëpo nuk kishte as titull, as fillim. Bile i mun­gonte ndoshta gjysma. Fillonte me faqen 304 dhe ndërpritej te faqja 514. Një herë desha t’i lëshoja fletët përdhe, por sytë filluan të lexonin padashur fletën e parë, duke filluar pak më lart mesit, aty ku niste kapitulli XXXI. ‘Zhivago, Zhi­vago, vazh­donte të përsëriste Strelnikovi në vagonin ku porsa kishte hyrë. Një emër tregtari ose aristokrati. Profesor, doktor në Moskë...’ Kapërceva nja dyzet a pesëdhjetë faqe dhe diku më zunë sytë frazën ‘ai analizonte dhe komentonte me pasion të barabartë “Djajtë” e Dostojevskit dhe Manifestin Komu­nist dhe...’ Do të vazhdoja të lexoja ndoshta në atë vend, por më rrëshqitën ca fletë dhe, tek u përkulja t’i merrja, humba faqen që po lexoja. E shfletova dorëshkrimin rrufeshëm dhe vetëm te fleta e fundit lexova rreshtat ku ai ndërpritej. ‘Jashtë filloi të binte dëborë. Era e shtynte atë kudo. Ajo binte gjith­monë e më e shpeshtë, më e trashë, sikur të ndiqte pa pushim diçka dhe Juri Andrejeviçi vështronte nga dritarja, sikur ajo të mos ishte borë por...’
Ç’të jetë ky dorëshkrim? thashë me vete. Njëherë mendova se ndoshta mund të ishte ndonjë vepër e harruar nga dikush në pije e sipër, por m’u kujtua fraza për Dostojevskin dhe Mani­festin Komunist dhe më shkoi ndërmend se mos ishte ndonjë dorëshkrim i ndaluar, që qarkullonte dorë më dorë. Kohët e fundit kjo ishte bërë një gjë e zakonshme. Para tre muajsh, vonë, pas mesnate, ndoshta para se të gdhinte, Mac­kjavicusi, i dehur tapë, kishte trokitur, ose më mirë ishte rrëxosur te dera ime dhe, kur unë e hapa atë, ai më zgjaste ca fletë të daktilo­grafuara, duke belbëzuar: merri t’i lexosh çfarë ka shkruar ai, ai, ai pra, Dante Tvardovski, apo, si i thonë, Margarita, jo, Alek­sandër Alighieri. Vetëm pas një çerek ore munda të merrja vesh se në ato fletë ishte shtypur me makinë shkrimi një poemë e ndaluar e Aleksandër Tvardovskit me titull ‘Vasil Tjorkini në botën tjetër...’ E lashë grumbullin e fletëve aty ku e gjeta, pranë shishes së vodkës, kutisë së konservës dhe letrës së ambalazhit dhe, pasi e vështrova dhe një herë nga pragu i derës atë naturë morte të trishtëm, mbylla njëra pas tjetrës dritat dhe dola. S’kisha ku të shkoja më veçse në dhomën time».[1]
Ky fragment jepet i pandryshuar dhe në ribotimin e kësaj novele të Kadare, si libër më vete, me titullin «Muzgu i perë­ndive të stepës».[2]
Pra, Kadare këtu na thotë se ai hyri në dhomën e një shoku në konvikt dhe atje gjeti një samizdat, siç quheshin në rusisht kopjet e librave të ndaluar, një pjesë të një libri, të cilit nuk ia mori dot vesh titullin, edhe pasi lexoi emrin e njërit prej personazheve, Doktor Zhivago. Sikur kjo gjë të kishte ndodhur në vitin 1958, pra në vitin e parë të studimeve të Kadaresë në Moskë, dhe saktësisht para asaj dite në tetor 1958, kur romani «Doktor Zhivago» u bë i njohur për shkak se për të Pasternaku u shpall fitues i Çmimit Nobel, kjo do të dukej e besueshmë. Por ngjarjet e novelës së Kadare zhvillohen në vitin 1960, kur çështjen e romanit të Pasternak, «Doktor Zhivago», e dinin, që nga viti 1958, dhe fëmijët e shkollave fillore në Rusi dhe jo më Kadare, që studionte në Institutin «Gorki» të shkrimtarëve. Autori nuk jep vitin kur zhvillohen ngjarjet në novelë, por kjo kuptohet tërthorazi, se episodi ku tregohet gjetja e kopjes së romanit të ndaluar të Pasternak ndodh pak ditë para se personazhi kryesor që është vetë autori (Kadare) të tregojë një bisedë me kolegun e vet, shkrimtarin komunist grek Anteos, ku ne zbulojmë vitin dhe periudhën e vitit kur ndodhin ngjarjet:
«- S’ka pak kohë, ka filluar një mbledhje në Bukuresht, - tha ai - Një shoku im, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë sonë, diçka më tha. Ti di gjë?
Unë ngrita supet.
- S’di asgjë, - i thashë...
- Edhe këtu, në Moskë, thonë se po përgatitet një mbledhje në kuadrin e festës së 7 Nëntorit, - vazhdoi ai me po atë ton të ulët.
- Ashtu?»[3]
Ky fragment jepet i pandryshuar dhe në ribotimin e kësaj novele të Kadare, si libër më vete, me titullin «Muzgu i perë­ndive të stepës».[4]
Mbledhja e Bukureshtit e partive komuniste, siç dihet është mbajtur në qershor të vitit 1960. Ndërsa mbledhja me rastin e 7 nëntorit e vitit 1960, është Mbledhja e 81 partive komuniste të botës. Kështu që kuptohet se ngjarjet në novelë ndodhin pas qershorit 1960, por para nëntorit. Librin e ndaluar personazhi kryesor e gjen kur kthehet nga pushimet në konvikt, në Moskë, në prag të fillimit të vitit shkollor, pra në shtator, siç fillonte shkolla në kohën e komunizmit. Nëse Kadare do të kishte gjetur në 1960 në konvikt, në Moskë, një dorëshkrim ku emri i një personazhi të ishte Doktor Zhivago, Kadare do ta kuptonte në moment se ishte fjala për romanin e ndaluar të Pasternak. Atëherë pse e bën Kadare këtë përmbysje të ngjarjeve? Siç do ta shohim, ai e bën se i duhet për të shkruar një libër stalinist, pra çka bën Kadare mund të quhet surealizëm stalinist. Dhe për ta bërë këtë gjë Kadare nuk heziton as të përdhosë nobelistin disident, Pasternak, siç do të tregoj më poshtë.
Mënyra se si e tregon Kadare gjetjen e romanit të ndaluar «Doktor Zhivago» tregon qartë se ai hynte në dhomat e shokëve në konvikt, në Moskë, si spiun, për të zbuluar librat e ndaluar. Kjo kuptohet dhe nga fakti se ai pohon se kishte ndjenjën e shqetësimit të spiunit që ka frikë se mos hyn i zoti i dhomës dhe e kap. Atëherë KGB, për të zbuluar studentët sovjetikë me prirje disidente, përdorte si spiunë studentë të huaj, nga vendet e kampit socialist, si Shqipëria, me rekomandimin e shërbimeve sekrete të këtyre vendeve, si Sigurimi i Shtetit në Shqipëri. Epi­sodi ku Kadare përshkruan se si e gjeti librin e ndaluar, është për­shkrimi klasik i spiunit në veprim.
Nga procesverbali i publikuar i mbledhjes së Byrosë Poli­tike të KQ të PPSH të tetorit 1982, ku Enver Hoxha i bëri «gjyqin» ish-Ministrit të Brendshëm në vitet 1954-1979, Kadri Hazbiut, doli se shumë nga studentët shqiptarë që shkuan në Bashkimin Sovjetik, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit, u vunë në dispozicion të KGB-së, që kjo t’i përdorte si informatorë dhe agjentë në drejtimet që e quante të nevojshme. Sigurisht që pati edhe nga shkrimtarët dhe poetë shqiptarë, që studionin në Institutin «Gorki» në Moskë, i cili përgatiste shkrimtarë dhe poetë, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit u vunë në shërbim të KGB-së për të spiunuar bashkëstudentët e tyre. Siç dihet KGB i ka pasur gjithherë në fokus shkrimtarët. Natyrisht që Ismail Kadare, poeti i qenit të kufirit, duhet të qe i pari në këtë listë, si më i përshtatshmi.
Ismail Kadare, në novelën «Muzgu i perëndive të stepës» përmend disa herë një student rus që ai e quan «donosçik» (denoncues-spiun), por nuk përmend se kush qe donosçik nga studentët e huaj. Mos është kjo përmendje, një metodë e llojit të atyre të «baba Stalinit», që siç thotë Avtorkhanovi, e kishte zakon që t’u atribuonte të tjerëve qëllimet e veta kriminale? Në mbledhjen e Byrosë Politike në 8 tetor 1982, u tha se këto dosje janë zhdukur. Por me sa duket ato nuk janë zhdukur të gjitha dhe disa u futen në Arkivin Sekret, tek «Kthina e Lakuriqit» (se ç’është kjo do të tregoj më poshtë).
Ismail Kadare u kthye nga Moska në 1960, pasi mbaroi kursin e lartë dyvjeçar. Pasi u kthye, duke parë talentin e tij, ai nuk mund të qe më bashkëpunëtor i rëndomtë i Sigurimit të Shtetit, por tashmë ai do të përdorej vetëm për misione speciale. Që nga kjo kohë Ismail Kadare, ka qenë në juridiksionin e sektorit supersekret të Sigurimit të Shtetit, të cilin unë në një shkrim e kam quajtur Hiper-Sigurimi. Veç policisë sekrete, që njihej zyrtarisht, qe edhe një tjetër polici tjetër speciale, hiper­sekrete, që mund të definohet si Sigurimi i Sigurimit të Shtetit dhe që qe atashuar pranë Komitetit Qendror të PPSH dhe vep­ronte me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës e më pas të Ramiz Alisë, pa dijeninë e ministrit të brendshëm dhe të krye­ministrit, nga të cilët varej Sigurimi i Shtetit zyrtar. Kjo hiper­polici sekrete, e cila mund të quhet edhe si policia sekrete krejt private e diktatorit, qe krijuar nga Enver Hoxha, duke imituar Stalinin, cili pati krijuar një strukturë të tillë pranë Komitetit Qendror.
Në debatin publik shqiptar në periudhën pas rënies së komu­nizmit ka zënë jo pak vend dhe çështja nëse Ismail Kadare ka qenë ose jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vetë Ismail Kadare, duke e parandjerë këtë debat, në librin «Nga njëri dhjetor në tjetrin» të botuar shqip dhe frëngjisht në Paris në vitin 1991, libër që u shpërnda edhe në Shqipëri, pretendon se ai ka qenë survejuar dhe përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, për një kohë të gjatë, deri në vitin 1990, kur u largua nga Shqipëria.
Cila është e vërteta? A ka qenë Ismail Kadare një bashkë­punëtor i Sigurimit të Shtetit, apo një i survejuar dhe i përndje­kur prej tij? Ndoshta shumëkush pati pritur që të vertetën ta zbulonte në librat e Shaban Sinanit, ish-Drejtor i Arkivit të Shtetit, «Një dosje për Kadarenë»,[5]si dhe «Një dosje për Kada­­renë 2»,[6]ku paraqiten dokumente të arkivave, që për­mbajnë kritika për Kada­renë, në kohën e regjimit komunist. Në këto dy libra të Shaban Sinanit nuk pamë «Dosjen K» në Sigurimin e Shtetit, por «Dos­jen K» me letra nga populli. Shaban Sinani mund të justifikohet me atë se publikimi i dokumenteve të Sigurimit të Shtetit nda­lohet me ligj, por edhe në dy librat e Shaban Sinanit janë publi­kuar edhe dokumente të një periudhe që nuk e kanë për­mbushur afatin e maturimit, çka përbën shke­lje të ligjit. Pastaj, me gjithë ato dokumente që kanë të bëjnë me ish-sigurimin e Shtetit që janë publikuar në shtypin shqiptar, nuk do të kishte problem se do të botoheshin disa më tepër. Aq më tepër që vetë Kadare është shprehur publikisht për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Çështja është: A ka ekzistuar një dosje e Ismail Kadaresë në Sigurimin e Shtetit? Këtu së pari duhet saktësuar se për çfarë dosjeje bëhet fjalë. Një gjë është dosja, tëcilën mund të ketë hapur Sigurimi i Shtetit, me kallzimet që i vinin për Kadarenë nga njerëz të ndryshëm, dhe që policia sekrete komuniste qe e detyruar t’i regjistronte dhe, një gjë krejt tjetër është një dosje e hapur qëllimisht për ta survejuar Ismail Kadarenë, duke aktivizuar për këtë qëllim agjentë dhe informatorë, të cilëve u ngarkohej misioni që të merrnin kontakt me Kadarenë dhe të zbatonin një vijë sjelljeje të caktuar. Dhe një gjë tjetër është dosja e hapur nga Sigurimi i Shtetit për Ismail Kadarenë në rast se ky qe rekrutuar prej Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor, sipas njërës prej kategorive të bashkëpunëtorëve të policisë sekrete.
Në vitin 1996, ish-Drejtori i Sigurimit të Shtetit në vitet ’80, Zylyftar Ramizi, në një shkrim të botuar në ditoren «Koha Jonë» tha se Ismail Kadare ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin «Gjenerali». Atëhere kjo u komentua sikur Ismail Kadare u dogj për shkak se nuk po zbatonte urdh­rat e ish-Sigurimit të Shtetit, tashmë i shndërruar në një lloj maso­nerie që synonte të dominonte zhvillimet shqiptare. Shumë­kush atëhere besoi se Kadaresë i pati ardhur një rast i artë për të zhdukur përfundimisht hijet që e rrethonin figurën e tij dhe fja­lët që qarkullonin se ai pati bashkëpunuar me Sigurimin e Shte­tit. Tashmë Kadare kishte të drejtë ta padiste në gjykatë Zylyftar Ramizin për shpifje, duke i kërkuar që gjykata ta detyronte atë të përgënjeshtronte deklaratën e tij. Kështu është e natyrshme që të vepronte çdo njeri i cili qe i pastër, ndonëse kështu ka vep­ruar edhe ndonjë që ka besuar se pala tjetër nuk i ka provat për atë që pretendon. Gjyqi midis Kadaresë dhe Drejtorit të Sigu­rimit të Shtetit do të kishte sigurisht një publicitet të madh brenda dhe jashtë vendit dhe do t’i shërbente shumë Kadaresë në rast se ai qe i pastër.
Reagimi i Ismail Kadaresë ndaj kësaj akuze qe mjaft sinji­fikativ. Ismail Kadare nuk veproi ashtu siç mund të pritej, pasi Kadare e dinte se Zylyftar Ramizi dinte shumë, prandaj ndoqi një rrugë tjetër. Fill pas deklaratës në media të Zylyftar Ramizit në Tiranë u krijua me ngut një shoqatë e quajtur «Miqtë e Kadaresë», e cila në një mbledhje të zhvilluar tek «Piramida» në Tiranë protestoi kundër denigrimit që i bëhet «shkrimtarit tonë të madh me famë botërore nga strukturat e ish-regjimit komu­nist». Me këtë, u bë e qartë se Kadare i trembej ballafaqimit me Zylyf­tar Ramizin, pasi ky mund të nxirrte në gjyq doku­mente shumë komprometuese për Kadarenë me firmën e këtij të fundit. Mënyra se si reagoi Kadare ndaj akuzës së Zylyftar Ramizit, nuk la dyshime se Kadare pati qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Dosja e Ismail Kadaresë është një nga dosjet që ruhen në mënyrë të posaçme. Ajo nuk është asgjësuar siç bëri p.sh. KGB me dosjen e survejimit të Sollzhenicinit. Vadim Bakatin, në librin e vet «Çlirimi nga KGB» thotë se nga dosja e Sollzhe­nicinit ka mbetur vetëm procesverbali i asgjësimit të saj në 3 qershor 1990, me arsyetimin se «nuk ka më vlerë operative dhe historike».[7]Dosja e Sollzhenicinit kishte 105 volume. Dhe dosja e Sollzhenicinit u asgjësua pasi shkrimtari i madh rus nuk bëri kompromis me regjimin komunist dhe ekzistenca e dosjes së tij komprometonte vetëm regjimin. Ndërsa Kadare u bë pjesë e regjimit dhe dosja e tij duhej ruajtur pasi aty kishte prova që shfajësonin regjimin, duke qenë se Kadare qe treguar shumë i zellshëm në bashkëpunimin me të. Pavarësisht se kjo dosje ruhet në mënyrë të posaçme, gjurmët e saj i gjejmë në karrierën e Kadaresë.
Të kthehemi tek novela «Muzgu i perëndive të stepës». Në këtë novelë shpallja e Pasternak si fitues i Çmimit Nobel, vjen pas Mbledhjes së Bukureshtit dhe para Mbledhjes së 81 partive komuniste, më saktë në tetor, se siç dihet Çmimi Nobel shpallet në tetor. Pra, sipas kronologjisë së ngjarjeve në novelë i bie që Pasternak ta ketë fituar Çmimin Nobel në tetor të vitit 1960. Në novelë, personazhi kryesor, që është vetë Kadare, merr vesh për ekzistencën e romanit «Doktor Zhivago» të Pasternak, ditën që Radio Moska njofton lajmin për dhënien e Çmimit Nobel Pasternakut, duke e quajtur këtë provokacion të Perëndimit. Ismail Kadare në novelën e vet përshkruan stuhinë që ngriti propa­ganda sovjetike, pasi juria e Nobelit për letërsi shpalli fitues shkrimtarin sovjetik Boris Pasternak, kryesisht për romanin «Doktor Zhivago», të ndaluar në Rusi dhe të botuar në Perë­ndim: «Zëri ishte paksa i çuditshëm. Pastaj pas dy-tri sekondash ai u duk sikur erdhi në fokus, shkundi mjegullnajën e tingujve, që e kishte shoqëruar pak më parë gjer në ndërgjegjen time gjysmë të fjetur dhe u dëgjua ndryshe, i zhveshur, i rreptë, jonjerëzor: ‘borgjezia, për qëllimet e saj, këtë vepër të poshtër antisovjetike. Romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut është shprehje e...’
Shkunda edhe një herë kokën dhe vetëm tani e kuptova se qysh mbrëmë e kisha harruar radion hapur. Lëviza qafën për të dëgjuar më mirë, por akoma e ndjeja kokën të turbullt. Spikeri fliste me zemërim për një farë doktori, për një farë romani rreth një doktori. Doktor Zhivago, doktor Zhivago. Se ku e kisha parë këtë emër. Ah, prit, tek apartamenti i braktisur, nature morte, me një kuti konserve dhe me një dorëshkrim. Ndoshta për të, me siguri për atë dorëshkrim spikeri po lëshonte tani mallkime të njëpasnjëshme. Një herë më erdhi për të qeshur: ca fletë të daktilografuara, pranë një shisheje të zbrazur vodke... Ia vlente vallë barra qiranë që Radio Moska të merrej që pa gdhirë me to?
‘...këtë provokacion të ndyrë të borgjezisë ndërkombëtare. Dhënia e Çmimit Nobel këtij romani reaksionar...’
Fiu, vërshëlleva me vete. Qenka serioze puna. Dhe shkunda prapë kokën. Vura veshin dhe dëgjova me vëmendje. Ishte vër­tet ashtu. Një roman me titull ‘Doktor Zhivago’ paskësh marrë Çmimin Nobel. Ishte një roman i keq, shumë i keq, jashtëzako­nisht i keq».[8]
Ky fragment jepet i pandryshuar dhe në ribotimin e kësaj novele të Kadare, si libër më vete, me titullin «Muzgu i perë­ndive të stepës».[9]
Pra, Kadare këtu na thotë se juria e Çmimit Nobel e ka shpa­llur shkrimtarin sovjetik Boris Pasternak si fitues të Çmimit Nobel në tetor 1960. Kur është një fakt historik i njohur botërisht që kjo gjë ka ndodhur në tetor 1958. Në novelën e Kadare ruhet korrektësisht kohëndodhja e ngjarjeve, me përja­shtim të rastit të Pasternak. Kështu, pas Mbledhjes së Buku­reshtit të qershorit 1960, bëhet fjalë për përgatitjet e Mbledhjes së Moskës të 81 partive komuniste, që siç dihet u mbajt disa muaj pas asaj të Bukureshtit, në nëntor 1960. Gjithashtu bëhet fjalë për ardhjen e Enver Hoxhës për të marrë pjesë në këtë mbledhje të Moskës. Personazhi kryesor, që është vetë Kadare, bën këtë bisedë me bashkëstudentin, Anteos, komunistin stali­nist grek, disa ditë pasi Pasternak u shpall fitues i Çmimit Nobel. Anteos i thotë:
«- Enver Hoxha do të vijë në Moskë, e ke dëgjuar?
- Nuk i di gjë, - i thashë.
- As unë s’di gjë më tepër, - tha».[10]
Pra, koha kur ndodhin ngjarjet në novelë është e qartë. Derisa autori ka folur për një mbledhje ndërkombëtare komu­niste pas asaj të Bukureshtit, ku shkoi Enver Hoxha, atëherë është fjala për vajtjen e Enver Hoxhës në Moskë në nëntor 1960, që është dhe vajtja e tij e fundit në Moskë. Unë e imagjinoj lehtësisht se si kërcejnë ithtarët e Ismail Kadare, për të thënë se kjo s’ka rëndësi, pasi në një vepër letrare bëhen zhvendosje të ngjarjeve, pasi ajo nuk është vepër historike. Por problemi i parë është se këtu kemi të bëjmë jo me personazhe letrare, krijim i fantazisë së autorit, por me personazhe reale, pra që janë persona që kanë ekzistuar vërtet, siç është rasti i Pasternak.
Kadare e tjetërson kronologjinë e ngjarjeve se do që histo­rinë e Çmimit Nobel të Pasternak ta vendosë në kohën mes Mbledhjes së Bukureshtit dhe asaj të Moskës të vitit 1960, kur Enver Hoxha pritej të vinte në Moskë, për të folur si kampion i mbrojtjes së Stalinit dhe Stalinizmit, të abandonuar dhe dënuar prej Hrushovit antistalinist. Ismail Kadaresë i duhet historia e Çmimit Nobel të Pasternak, e ndërkallur mes Mbledhjes së Bukureshtit dhe asaj të Moskës, për të provuar tezën e Enver Hoxhës se fushata kundër Stalinit e Hrushovit i shërbente në fakt Perëndimit kapitalist dhe kjo provohet nga fakti se Perë­ndimi shpërbleu njerëzit si Pasternak që Hrushovi i përdori në fushatën për denigrimin e Stalinit. Tashmë ishte vetë Hrushovi që detyrohej t’i frenonte, se ata kishin shkuar shumë larg, dhe me këtë Hrushovi provonte tradhtinë e tij ndaj komunizmit. Kadare, në novelë shprehet në vetën e parë, në një bisedë me një militant komunist grek, që gjithashtu studionte në Moskë:
«- Siç duket fushata po bëhet në gjithë Bashkimin Sovjetik, - i thashë Anteosit.
- Ngjan pak si komedi, - tha ai.
- E pse?
Ai vështroi sa majtas djathtas, pastaj, duke e ulur zërin, më pëshpëriti.
- Të kujtohet ajo balada e Gëtes, kur dikush thërret xhindet për ta ndihmuar të mbushë ujë, por pastaj nuk di si t’i dëbojë?
- Ti do të thuash se Pasternaku është një xhind i thirrur në shërbim?
- Jo vetem ai, - tha Anteosi, - Para ca vitesh u thirrën shumë të tillë, mjaftonte që të ndihmonin në fushatën kundër Stalinit.
Unë e dëgjoja me vëmendje.
- Dhe ata ndihmuan jo keq, - thashë.
- Është e vërtetë. Ata punuan mirë, mirëpo xhindet sidoqoftë janë xhinde dhe s’mbahen gjatë në shtëpi. Apo jo?
Unë bëra ‘po’ me kokë.
- Kështu që tani ata duan t’i heqin qafe, - vazhdoi greku. - Më kupton?
- Të kuptoj, - i thashë. - Më jep një cigare. Domethënë xhin­det janë tradhtuar.
- Pikërisht, - ia bëri ai, duke më zgjatur cigaren. - ‘Doktor Zhivago’ ka tre vjet që është botuar në Perëndim dhe këta as e kanë zënë ngoje një fakt të tillë. Tani që mori çmimin Nobel, janë të detyruar të mbajnë qëndrim».[11]
Këtu Kadare dhe komunisti grek flasin nga pikëpamja e stalinistëve, duke e quajtur Pasternakun xhind antistalinist të nxjerrë nga shishja dhe të dy pajtohen se fushata e tashme kun­dër Pasternakut bëhet për të frenuar pak djajtë që u nxorën nga shishja në kohën e Hrushovit për fushatën kundër Stalinit. Këtu Kadare bën një tjetër përmbysje të kronologjisë, se në 1960 kishte tre vjet që romani i Pasternak ishte botuar në Perëndim (Itali), por kur ai mori Çmimin Nobel, romani kishte vetëm një vit që ishte botuar në Perëndim. Tash lexoni me vëmendje ndryshimet që Kadare i ka bërë këtij fragmenti të cituar më lart, në botimet e pas vitit 1990:
«- Siç duket fushata po bëhet në gjithë Bashkimin Sovjetik, - i thashë Anteosit.
- Ngjan pak si komedi, - tha ai.
- E pse?
Ai vështroi sa majtas djathtas, pastaj, duke e ulur zërin, më pëshpëriti.
- Të kujtohet ajo balada e Gëtes, kur dikush thërret xhindet për ta ndihmuar të mbushë ujë, por pastaj nuk di si t’i dëbojë?
E kishim bërë edhe një herë tjetër këtë bisedë. Kishte ca kohë që as mbrojtësit e as sulmuesit e Stalinit nuk ndiheshin mirë. Herë njëra palë, herë tjetra, përkëdheleshin prej shtetit. Pastaj goditeshin befasisht. Me sa dukej, tani e kishin radhën për fshikull liberalët.
- ‘Doktor Zhivago’ ka tre vjet që është botuar në Perëndim dhe këta as e kanë zënë ngoje, - vazhdoi greku. - Tani që mori çmimin Nobel, janë të detyruar të mbajnë qëndrim».[12]
Pra, siç shihet, Kadare këtu ka hequr etiketimin si demon i nxjerrë nga shishja që ata të dy i bëjnë Pasternakut. Madje, këtu Kadare shton dhe një fjali sikur ai konstaton që tash regjimi sovjetik po godet liberalët antistalinistë. Ironikisht, novela e Kadare, si në botimin e vitit 1977, ashtu dhe në botimet e pas vitit 1990, është një goditje e liberalit antistalinist Pasternak, nga stalinisti Kadare. Madje, novela e Kadare është më tepër një përdhosje e Pasternak. Ismail Kadare në novelën e vet shkruan kështu për momentin kur dëgjoi për herë të parë në radion sovjetike për romanin e Pasternak:
«E kujt ishte vepra? M’u duk se kisha dëgjuar emrin e Boris Pasternakut. Vura veshin prapë dhe dëgjova me vëmendje. Ishte vërtet ai, Boris Pasternaku. Emri i tij përmendej dy-tri herë në çdo dhjetë sekonda. Çudi, thashë prapë me vete. S’kishte dy muaj që unë e kisha parë Pasternakun gjatë shëtitjes sonë të parafundit në Peredjellkino. Ishim duke ecur tutje fshatit kur Mackjavicusi tha: kjo është daça e Pasternakut. Ishte një vilë e madhe dykatëshe me xhamllëk të gjerë, sidomos në katin e dytë. Ja dhe ai vetë, tha Mackjavicusi pas pak, duke treguar djerrinën përpara vilës. Gjithë kureshtje u ndala tek gardhi për të parë më mirë. E kisha dëgjuar shpesh emrin e tij në ‘orët e hapjes së zemrave’, nga disa me admirim, nga të tjerë me urrejtje, dhe tani më vinte çudi tek e shikoja disa hapa larg, duke gërmuar apo shkrifëruar me një lopatë truallin përpara daçës së tij. Me kasketë të thjeshtë në kokë, me çizme dhe me ato nofulla të mëdha, më shumë se me çdo gjë ai ngjante me një nënkryetar kolkozi».[13]
Ky fragment është i pandryshuar edhe te botimet e pas vitit 1990.[14]
Këtu Kadare na thotë se ai e ka parë Pasternakun dy muaj para se ai ta merrte Çmimin Nobel. Në rast se është kështu, Kadare e ka parë Pasternakun në oborrin e vilës së tij, në gusht 1958. Kadare nuk mund ta ketë parë Pasternakun në oborrin e vilës së tij në gusht 1960, siç del nga kronologjia në novelën e Kadare, kjo për faktin e thjeshtë dhe të pakundërshtueshëm se Pasternak kishte vdekur në 30 maj 1960. Boris Pasternakun e vdekur në 30 maj 1960, Ismail Kadare, në novelën e vet, e ngjall në tetor të vitit 1960 dhe e bën të shpallet fitues i Çmimit Nobel në këtë vit, si dhe e bën të përballojë një fushatë denigruese kundër tij, dhe t’i rezistojë presionit që i bëhet për të refuzuar Çmimin Nobel. Kështu, Kadare e përdhos nobelistin disident Pasternak, dhe këtë e bën nga pozita e stalinistit. «Përdhos» është fjala më e saktë shqip që më bie ndërmend me kuptimin e fjalës anglisht «desecrate», që shenjon edhe cënimin që i bëhet një të vdekuri dhe gjërat që lidhen me të.
Zhvendosja në kohë e ngjarjes me Nobelin e Pasternak bëhet për të pasur mundësi autori të atakojë Rusinë e Hrushovit, nga pozita e stalinistit. Më tutje, Kadare vazhdon të tregojë sikur Pasternak është gjallë në tetor 1960, dhe se vazhdon fushata që ai të detyrohet të refuzojë Çmimin Nobel:
«Kishin kaluar plot njëzet e katër orë dhe fushata kundër Boris Pasternakut vazhdonte në tërë BRSS-në. Radioja duke filluar nga ora pesë e mëngjesit, e deri në mesnatë, emisionet televizive, të gjitha gazetat dhe revistat, duke përfshirë dhe ato të fëmijëve, ishin të mbushura me artikuj dhe sulme kundër shkrimtarit rene­gat... Shumica e kursit tonë kishin dërguar gjithashtu dek­larata dhe prisnin ra­dhën e botimit».[15]
«- Sonte pritet që ai ta refuzojë çmimin Nobel, - tha Mac­kjavicusi. - Në qoftë se gjer në orën tetë të mbrëmjes nuk pra­non të bëjë refuzimin, nesër fushata do të jetë më e fortë».[16]
Ky fragment është i pandryshuar edhe te botimet e pas vitit 1990.[17]
Por Pasternaku kishte vdekur. Ismail Kadare, duke e ngjallur së vdekuri nobelistin Pasternak dhe duke e bërë të veprojë sipas formulave staliniste antihrushoviane të llojit Enver Hoxha -Ismail Kadare, tregohet edhe më cinik se vetë Stalini, i cili në kohën e spastrimeve të përgjakshme të viteve tridhjetë në Bash­kimin Sovjetik, i hoqi vizë emrit të Boris Pasternak në një listë e zezë me emra intelektualësh që do të arrestoheshin dhe push­katoheshin, duke thënë: «Mos e prekni këtë banor të mje­gu­llave!» Me sa duket shpirti i komplikuar i diktatorit-demon kishte përftuar një trill të favorshëm për poetin-autor të vëllimit me poezi «Jeta e motrës sime», i botuar në vitin fatidik 1917 dhe që mbahet nga kritika si libri më i mirë me poezi ruse i shekullit XX. Stalini hezitoi ta prekte «banorin e mjegullave», për ta çuar në varr, ndërsa Ismail Kadare nuk heziton ta prekë «banorin e mjegullave», duke e ngritur nga varri dhe duke e bërë të luajë një rol në tragjikomedinë kadareane të letrarizimit të propagandës staliniste enveriane antihrushoviane.
Dhe më tutje Kadare shkruan:
«Fushata u ndërpre po aq befasisht, sikurse dhe filloi...
- Ç’është kjo? - e pyeta Anteosin. - Mos vallë kjo është faza e katërt që thoshte Mackjavicusi?»[18]
Ky fragment është i pandryshuar edhe te botimet e pas vitit 1990.[19]
Pra, në novelën e Kadare gjërat paraqiten sikur regjimi hru­shovian bëri një zhurmë sa për sy e faqe kundër Pasternakut dhe një presion të rremë për ta detyruar që ta refuzonte Çmimin Nobel, dhe se pas disa ditësh fushata zyrtare u ndërpre befa­sisht. Për lexuesin krijohet përshtypja sikur Pasternaku nuk u detyrua që ta refuzojë Çmimin Nobel. Ndërsa në realitet ka ndodhur ndryshe. Gjashtë ditë pasi u shpall fitues i Çmimit Nobel, Pasternak, i gjendur në shënjestrën e një fushate shtetë­rore që shpallte Çmimin Nobel të dhënë atij si një konspiracion imperialist kundër popujve dhe letërsisë sovjetike, dhe që i kërkonte Pasternak të distancohej nga ky konspiracion, u thye dhe i çoi Akademisë Mbretërore Suedeze këtë telegram: «Duke konsideruar kuptimin që këtij çmimi i është dhënë në shoqërinë së cilës unë i përkas, mua më duhet ta kundërshtoj këtë çmim të pamerituar që më është ofruar mua. Ju lutem, mos e merrni me pakënaqësi kundërshtimin tim të vullnetshëm». Siç shihet, ky është një tekst i shkruar me shumë fisnikëri dhe që ka një nënkuptim, të cilin Pasternak nuk ka bërë shumë përpjekje që ta fshehë, dhe që kumton se shkrimtari e bën refuzimin e tij nën presion. Akademia Mbretërore Suedeze reagoi kështu: «Ky refuzim, sigurisht që në asnjë mënyrë nuk e tjetërson vlefshmë­rinë e akordimit të çmimit. Gjithsesi, akademisë i mbetet të njoftojë me keqardhje që dorëzimi i çmimit nuk mund të bëhet». Pasternak njihet si fitues i Çmimit Nobel, edhe pse ai vdiq, 17 muaj pasi u shpall fitues, pa e marrë në dorëzim Çmimin Nobel. Pra, Kadare në novelën e vet bën dhe një falsifikim tjetër duke i paraqitur gjërat sikur Pasternak e mori në dorëzim çmimin. Gjëja më indinjuese është se Kadare këtë version të tjetërsuar të ngjarjeve e ruan dhe në botimet që i janë bërë novelës së tij pas rënies së komunizmit, kur ai ka bërë ndryshime në librat e veta.
Ismail Kadare, në botimet e «Muzgut të perëndive të stepës» pas vitit 1990, ka bërë ndryshime. Kështu tek botimi i vitit 2006, i Shtëpisë botuese «Onufri» mungon paragrafi i mëposh­tëm i vitit 1977, ku flet për Stalinin kur përshkruan Kremlinin:
«Ky babaxhanllëk muresh lidhej njëfarësoj me atë bezdi që më shkaktonte, kur isha nxënës në gjimnaz, epiteti ‘xhaxha’ përpara emrit të Stalinit. Nuk ia kisha thënë asnjeriu, jo për ndonjë arsye, por ngaqë nuk e formuloja dot me fjalë atë boshllëk që më krijonin përherë në shpirt fjalët xha Stalin. Gjithsesi më dukej se thjesht Stalini ishte më i fortë për të komanduar komunizmin kundër kapitalizmit, sesa me atë ‘xha’ përpara, me atë lloj xhufke mirësie, ndryshku të butë, të kuqë­rremtë.
Ndjesia që kisha provuar përpara pamjes së Kremlinit, ishte e përafërt me atë të epitetit përpara emrit të Stalinit. Kjo paqe qerpiçi s’kishte asgjë të përbashkët me shqotën, grinë, serio­zitetin dhe dinamizmin e revolucionit. Ajo ishte krijuar ndoshta si një lëshim që i bëhej orientalizmit».[20]
Edhe pse, në botimet e pas vitit 1990, ky fragment është hequr krejt, në novelën e Kadare ka mbetur boshti stalinist i saj, që është përdhosja e Pasternak.
Kadare është pikërisht antipodi i Pasternak. Pasternak, kur në Bashkimin Sovjetik filloi të dominojë stalinizmi brutal, në vitet tridhjetë, hoqi dorë nga letërsia dhe filloi të botojë vetëm përkthime, pasi nuk donte t’i shërbente regjimit gjakatar. Kadare, në 1975 shkroi dhe çoi për botim poezinë e vet «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» (e emërtuar si «Pashallarët e kuq»), ku ai i bëri jehonë letrare sloganit zyrtar të luftës kundër buro­kra­tizmit, duke shkuar deri atje sa t’i barazonte burokratët me komplotistët, çka në atë kohë do të thoshte terror masiv. E, pra nga një njeri që ka të tilla vizione makabre, nuk duhet pritur me habi, që ta ngjallë Pasternakun, për ta bërë të fitojë Çmimin Nobel atëherë kur i duhet propagandës enveriane të letrarizuar nga Kadare.
Kryevepra disidente e Pasternak «Doktor Zhivago», libër për të cilin Kadare thotë në novelën e vet se ka pasur rastin ta shfletojë në Moskë ku qarkullonte në mënyrë klandestine, nuk ushtroi asnjë ndikim mbi Kadarenë. Kadare mbeti stalinist dhe antipasternakian, si në 1958, 1960, 1977, ashtu dhe në 2006.
Në parathënien e botimit të «Muzgu i perëndive të stepës», pas rënies së komunizmit, në frëngjisht dhe shqip, Eric Faye shkruan:
«Në një atmosferë të denjë për ‘Vdekje në Venetik’, ndër­kohë që një epidemi përhapet nëpër rrugë, një furtunë e egër shpifjesh shpërthen kundër Boris Pasternakut, i cili në faqet e ‘Muzgut’ shfaqet si një hero pozitiv, sa kohë që vepra e poetit rus denonconte stalinizmin. Pasternaku është i vetëm përballë makinës sovjetike. Kadare, duke pasur kartë të bardhë për të kritikuar BRSS-në, me të cilën Tirana ka prerë çdo lidhje, mund të denoncojë cenet e sistemit, pa ngjallur zemërimin e hapur të kritikës shqiptare. Ja gjithë paradoksi i këtij romani, me të cilin shkrimtari i lejon vetes që me një ton satirik, madje fort të hidhur, të kritikojë indirekt mekanizmin e qeverisjes së Shqipë­risë, duke folur për Moskën».[21]
Nëse ka ndonjë paradoks këtu është ai se sot konsiderohet si antistaliniste kjo novelë e Kadare, që tashmë quhet roman, dhe që është kuintesenca e stalinizmit. Në novelën e Kadare Paster­nak nuk del pozitivisht, por denigrohet, përdhoset, në atë mënyrë që nuk e bëri as Stalini.


[1] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, fq. 406-408.
[2] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, fq. 70-72.

[3] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, f. 427.
[4] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, f. 95.

[5] Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005.
[6] Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë 2», «Albas», Tetovë, 2005.

[7] Vadim Bakatin: «Çlirimi nga KGB», Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë, 1994, f. 144.

[8] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, f. 447.
[9] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, fq. 119-120.

[10] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, f. 499 - Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, f. 181.

[11] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, fq. 453-454.

[12] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, fq. 126-127.

[13] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, f. 448.
[14] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, fq. 120-121.

[15] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, fq. 454-455.
[16] Po aty, f. 467.
[17]Shih: Ismail Kadare, «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, f. 128.

[18] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, fq. 474-475.
[19] Shih: Ismail Kadare, «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, fq. 152-153.

[20]Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», triptik, «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, fq. 402-403.

[21] Ismail Kadare: «Muzgu i perëndive të stepës», «Onufri», Tiranë, 2006, f. 9.