Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propagandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një projektim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndimore, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkruante autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkohshme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komuniste i shihte si njëlloj armiq Perëndimin kapitalist dhe Lindjen komuniste (revizioniste), duke pretenduar se qe i vetmi vend që nuk influencohej as nga Lindja dhe as nga Perëndimi, duke ndërtuarkomunizmin e vërtetë, sipas një modeli ekskluziv shqiptar, që bazohej dhe tek tradita historike shqiptare. Kadare në këtë novelë merr përsipër ta ilustrojë këtë tezë me një shembull historik të inventuar dhe të letrarizuar. Ismail Kadare tek «Kush e solli Doruntinën» e ka paraqitur legjendën sikur nëntë vëllezërit e Doruntinës vdiqën pasi luftuan me një ushtri normane që pati sulmuar Arbërinë (Shqipërinë):
«Dhe gjithçka kishte ndodhur pesë javë pas dasmës madhështore të vajzës së vetme të shtëpisë, Doruntinës. Kishte sulmuar papritur një ushtri normande dhe të nëntë vëllezërit qenë nisur për në luftë. Shumë vëllezër nga një familje qenë nisur përherë në luftëra edhe më të mëdha e më të përgjakshme. Por asnjëherë s’kishte ndodhur që të vriteshin qoftë edhe gjysma e tyre. Mirëpo ushtria armike paskësh qenë këtë herë tjetërlloj. Ishte një ushtri e sëmurë nga murtaja, kështu që gjithë ata që morën pjesë në të, fitimtarë e të mundur, vdiqën njëlloj, disa gjatë betejës, disa pas mbarimit të saj. Shumë shtëpi ranë në zi me dy, tri, e disa herë katër vdekje, por me nëntë vdekje ishte vetëm njëra: shtëpia e Vranajve. Varrim më i madh s’mbahej mend ndonjëherë. Erdhën gjithë kontët e baronët e principatës, erdhi vetë princi, madje edhe kontë e dukë nga principatat fqinje».[1]
Kjo ngjarje për të cilën flet Kadare, pra ardhja në Shqipëri e një ushtrie normane së cilës i kishte rënë një epidemi, ka ndodhur vërtet gjatë inkursionit të tretë Norman në Shqipëri në vitet 1107-1108. Në vitin 1107, mbreti norman i Napolit, Bohemundi zbarkoi në Shqipëri me një ushtri të madhe dhe pasi vuri nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, rrethoi Durrësin që mbahej nga bizantinët. Epidemia në ushtrinë normane ra në vitin 1108 dhe këtë na e thotë dhe historiania e famshme bizantine Ana Komnena tek libri i tretë i volumit të dytë të «Aleksiada»: «...dhe meqënëse edhe një fisnik prej kontëve të Boemundit, Gulielm Klareli, shikonte të gjithë ushtrinë e keltëve që po shkatërrohej nga uria dhe epidemia (sepse një epidemi u ra nga lart), duke u përpjekur për shpëtimin e vet, me pesëdhjetë kuaj dezerton tek perandori».[2]
Derisa luftimet me ushtrinë normane të kontaminuar u zhvilluan në pranverën e vitit 1108 (prill-maj), atëhere del se në këtë kohë duhet vënë edhe vdekja e nëntë vëllezërve të Doruntinës në novelën e Kadaresë. Kështu, meqë në novelën e Kadaresë thuhet se ngjarjet zhvillohen tre vjet pas kësaj lufte, del se ato kanë ndodhur në vitin 1111. Kjo gjë ka shumë rëndësi për të treguar pavërtetësinë e disa gjërave që thotë Kadare, kur e letrarizon legjendën në një kontekst antioksidental. Kadare thotë se Shqipërinë (Arbërinë) e sulmoi një ushtri normane. Kjo nuk është e vërtetë. Normanët nuk sulmuan Arbërinë por sunduesit bizantinë në Arbëri. Historikisht dihet se normanët janë pritur me dashamirësi në Arbëri nga vendasit, për shkak të afeksionit properëndimor të arbërve, të cilët qenë shkëputur dhunshëm nga Perëndimi në rrafsh shtetëror dhe fetar nga ana e bizantinëve, të cilët u patën imponuar sundimin bizantin dhe fenë ortodokse. Në atë kohë me fjalën «arbër» (arban, arbën) ose «alban» sikur e prononconin të huajt perëndimorë, quheshin banorët e trojeve të sotme shqiptare që qenë katolikë dhe properëndimorë. Kadare i paraqit gjërat sikur vëllezërit e Doruntinës u vranë në luftë me një ushtri normane, pra e keqja që vjen nga Perëndimi. Kështu del se vëllezërit e Doruntinës kanë luftuar në anën e bizantinëve kundër normanëve perëndimorë dhe katolikë. Ja pra sesi shfaqet antioksidentalizmi i Ismail Kadaresë. Duke dashur që t’i vendosë ngjarjet në një kuadër antioksidental, Kadare bën edhe gafa historike, kur thotë se në kohën e ardhjes së normanëve tashmë ekzistonin principata arbërore, kontët, baronët dhe dukët e të cilave paskan marrë pjesë në varrimin e vëllezërve të Doruntinës, duke përfshirë dhe princin e principatës së tyre. Principatat në trojet e sotme shqiptare u krijuan si pasojë e dobësimit që i shkaktuan sundimit bizantin inkursionet e njëpasnjëshme normane nga viti 1081 në vitin 1185. Në situatën e favorshme që krijoi veçanërisht inkursioni i fundit norman lindi Principata e Arbërit, e cila për herë të parë na shfaqet në dokumentet historike në vitin 1192, dhe kjo principatë do të zhdukej në vitin 1216 pasi u aneksua me dhunë nga Despotati i Epirit, që i qëndroi besnik Imperisë Bizantine të shembur pas Kryqatës së Katërt të vitit 1204 dhe të tërhequr nga Konstantinopoli në Nike. Principatat e tjera shqiptare do të krijoheshin në gjysmën e dytë të shekullit XIV në situatën e favorshme që u krijua pas shembjes së Perandorisë Serbe, pas vdekjes së car Dushanit, shembje që erdhi edhe si rezultat i presionit të vazhdueshëm që i bënë fuqitë perëndimore kësaj perandorie.
Lufta normano-bizantine e viteve 1107-1108 që u zhvillua në territorin shqiptar, ashtu si të gjitha inkursionet e tjera normane në Shqipëri, qe një luftë midis Perëndimit katolik dhe Lindjes ortodokse për ato që sot njihen si trojet shqiptare. Lufta normano-bizantine në territorin shqiptar, në të cilën arbërit morën anën e normanëve, qe një paraardhëse e luftrave shqiptaro-turke të shekujve XIV-XV, pasi në anën e bizantinëve luftonin si një forcë e rëndësishme dhe mercenarët turq. Këtë gjë e thotë dhe Ana Komnena, e cila kur përshkruan betejat me ushtrinë normane të kontaminuar, në vitin 1108, thotë kështu për komandantin bizantin, Kantakuzenin: «dhe para se dielli të ngjitej në horizont, ai i mbuluar me mburojë dhe me ushtrinë të armatosur komandonte mesin e falangës, ballë për ballë (me armiqtë), ndërsa turqit ishin nga e majta».[3]Aleanca bizantino-turke kundër normano-arbërve në këtë luftë simbolizonte përmasat dhe natyrën e plotë të rrezikut historik që u vinte arbërve me aspiratë perëndimore nga Lindja ortodokso-islamike. Më pak se tre shekuj më vonë, turqit do ta mësynin Arbërinë jo më si mercenarë në shërbim të një fuqie, por si një perandori agresore. Dhe historia u përmbys, por duke ruajtur thelbin e asaj që po ndodhte: Në luftërat shqiptaro-turke të shekujve XIV-XV arbërit e prirë nga Balshajt dhe më pas Skënderbeu patën në krah si aleatë forca perëndimore napoletane, spanjolle, veneciane etj., ndërsa turqit patën në krah vasalët e tyre ortodoksë serbë, epirotë, si në Luftën e Savrës në 1485 ku turqit që mundën princin arbër, Balshën, patën në krah vasalët serbë dhe epirotë etj. Madje bizantinët i thirrën dhe i patën në krah turqit, që në luftën e parë me normanët në territorin shqiptar, me rastin e inkursionit të Robert Guiskardit në Shqipëri, në vitin 1081. Ana Komnena tek libri i katërt i volumit të parë të «Aleksiada» thotë se i ati i vet, perandori Aleks Komneni, u tremb shumë nga zbarkimi norman në Shqipëri në vitin 1081 sa i kërkoi ndihmë sulltanit turk: «Të gjitha këto e trembën dhe duke marrë parasysh forcat e tij shumë inferiore në krahasim me ato të Robertit e gjykoi të arsyeshme që të thërriste turqit nga Lindja; menjëherë njofton për këtë sulltanin».[4]Kështu del se bizantinët ua mësuan turqve rrugën drejt Arbërisë, të cilën ata do ta ndiqnin më vonë. Madje, ironikisht del se Ismail Kadare na i paska paraqitur vëllezërit e Doruntinës të vdekur në luftë me normanët, jo vetëm si aleatë të bizantinëve, por edhe si aleatë të turqve.
Në principatën ku jetojnë Doruntina dhe Kostandini njerëzit nuk janë shumë të përkushtuar ndaj fesë, por principata, në përshkrimin e Kadaresë, është megjithatë ortodokse. Ismail Kadare shkruan kështu: «Ca vite më parë, kur u përcaktuan pak a shumë zonat e ndikimit të katolicizmit dhe të ortodoksizmit dhe kur principata e tyre mbeti nën kishën bizantine, Stresi kishte kujtuar se kësaj grindjeje të gjatë i kishte ardhur më në fund fundi. Mirëpo nuk kishte qenë ashtu. Të dy kishat kishin filluar prapë luftën për t’i rrëmbyer shoqja-shoqes princat dhe kontët shqiptarë. Nga njoftimet e rregullta që Stresi merrte prej bujtinave dhe pikave të kalimit, dilte se kohët e fundit lëvizja e misionarëve katolikë nëpër principatat ishte shtuar prapë».[5]Por në kohën që shkruan Kadare, kishte ndodhur pikërisht e kundërta, pra prej më shumë se tridhjetë vjetësh, për shkak të fushatave normane në këtë anë të Adriatikut, ishte prishur kufiri i vendosur mes dy kishave në shekullin VIII, dhe Kisha Katolike ishte në revansh në trojet që i kishte humbur para rreth tre shekujsh. Edhe këtu Kadare shfaq antioksidentalizmin e vet duke shtrembëruar të vërtetën historike, sepse në kohën kur zhvillohen ngjarjet në novelën e Kadaresë, për shkak të intervenimit të përsëritur norman, trojet shqiptare iu rikthyen Kishës Katolike. Ismail Kadare e përshkruan kështu situatën fetare në trojet shqiptare të kohës kur shkruan: «Lufta që vazhdonte qysh prej kohërave që s’mbaheshin mend midis katolicizmit e ortodoksizmit, e kishte dobësuar shumë fenë në principatat e Arbrit. Ato ndodheshin tamam në vijën e ndarjes së dy feve, kështu që ishte e natyrshme që për arsye të ndryshme, kryesisht politike dhe ekonomike, të kalonin herë në një fe, herë në tjetrën. Tani gjysma e tyre qenë katolikë, gjysma ortodoksë, por kjo nuk ishte një gjendje e kristalizuar, dhe të dyja kishat kishin shpresë t’i shkëputnin njëra tjetrës zona të ndikimit. Stresi ishte i bindur se vetë princi s’çante kokën fort për punët e fesë. Midis aleatëve të tij të ngushtë kishte princa katolikë, ashtu sikurse midis armiqve të tij kishte ortodoksë. Në të vërtetë vetëm para gjysmë shekulli principata ishte kthyer në ortodokse dhe kisha e Romës nuk e kishte humbur shpresën që ta bënte përsëri katolike».[6]
Në novelën e Kadaresë Arbëria paraqitet popull tradicionalisht ateist, siç e kërkonte dogma enveriane, por megjithatë paraqitet si zyrtarisht ortodokse. Fakti që Kadare i jep Arbërisë së kohës një profil fetar ortodoks është një skandal i vërtetë kur dihet se Arbëria qe katolike. Fjala «arbër» është fjala gege «arban», e ndryshuar në dialektin tosk, nën efektin e rotacizmit («n» bëhet «r») si dhe ndryshimit të «a» në «ë». Fjalët «arban» dhe «Arbania» të huajt (europianët) i prononconin «alban» dhe «Albania»; prej këtej emri i sotëm që përdorin të huajt për shqiptarët dhe Shqipërinë. Në Mesjetë «arban» (arbër) dhe «Arbania» (Arbëri) quheshin banorët katolikë të Shqipërisë së sotme, respektivisht vendi ku ata banonin. Kjo ndodhi, me gjasë, duke u marrë emri i një fisi ilir (arbanët), që e kanë pasur vendbanimin diku në Shqipërinë e sotme qendrore në zonën Tiranë-Krujë, fis ky që duhet ta ketë ruajtur ritin kristian roman (katolik) edhe pasi Perandori bizantin Leoni III ia aneksoi trojet shqiptare Kishës Lindore. Prej këtej emri «arban» duhet të jetë bërë emri i të gjithë katolikëve të trojeve ilire dhe më pas krejt vendet ku ata banonin janë quajtur Arbania (Arbëria). Ky ndryshim erdhi duke ndodhur pikërisht në epokën e inkursioneve normane, në mes të së cilës zhvillohen ngjarjet në novelën e Kadaresë, pra kur pushteti politik dhe fetar bizantin sa vinte dhe dobësohej. Kadare duhet ta dijë se vija ndarëse fetare në territorin e sotëm shqiptar lëvizte sipas asaj se cila fuqi e huaj dominonte në betejat në rajonin e Ballkanit, Bizanti ortodoks, apo fuqitë perëndimore, si normanët, kryqtarët, francezët anzhuinë etj. Vetë besa si doke, që është në qendër të novelës së Kadaresë, ekzistonte në Veri, i cili qe katolik. Atëhere ku e gjen Kadare atë që thotë se Arbëria qe ortodokse, aq më tepër në kohën e inkursioneve normane. Shqipëria paraqitet në vijën tektonike mes dy Kishave çka është e vërtetë historike që Kadare nuk mund ta mohojë, por Kadare ka një tendencë të qartë që ta paraqesë Arbërinë e kohës si me një mentalitet të thellë ortodoks, bizantin, antiperëndimor dhe armiqësi për katolicizmin.
Kadare e paraqet kështu thashethemnajën që u përhap në principatë pas ngjarjes me Doruntinën:
«Sepse, ndryshe nga ç’mendohej gjer tani, puna paskësh shkuar tepër larg. Ka shkuar lajmi gjer në kryeqytetin botëror të fesë ortodokse, në Kostandinopojë, dhe dihet se atje për këto gjëra s’të falin kurrë. Janë shqetësuar zyrtarët e lartë të fesë, madje thonë se edhe vetë perandori e ka marrë vesh dhe ka qëndruar një natë pa gjumë. Sepse puna paskësh qenë shumë më e thellë se ç’qe dukur në fillim. S’ishte puna se u shfaq apo nuk u shfaq një fantazmë, apo një shpifje e këtij lloji, nga ato që feja i ka ndëshkuar e do t’i ndëshkojë përherë në turrën e druve. Jo, këtu bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe, diçka që larg qoftë, trondiste themelet e fesë ortodokse. Ishte fjala për ardhjen e një ‘Krishti të Ri’ pupu ule zërin, më kupton, për një Krisht të Ri, sepse vetëm një njeri gjer më sot është ngritur nga varri, Jezu Krishti, kurse këtu desh u bë një profanim i pafalshëm: u dyshua në gjoja ringjalljen e dikujt tjetër, pra në botën me dy Krishtër, sepse, në qoftë se sot do të pranosh, që dikush tjetër bën atë që mundi të bënte Jezui, nesër do të pranosh që ky dikush të jetë rival i tij, larg qoftë. Jo më kot Roma armike i kishte hapur veshët dhe përgjonte si do t’i vinte filli kësaj historie. Me siguri murgjit katolikë i kanë fryrë më shumë se të gjithë kësaj përralle të ringjalljes së Kostandinit, në mënyrë që të gjenin rastin t’i jepnin një goditje vdekjeprurëse fesë ortodokse duke e akuzuar për dykrishteri, pra për një herezi të mynxyrshme. Kështu që puna paskësh vajtur thellë e më thellë, gjersa bëhej fjalë për një luftë botërore fesh. Madje kishte pëshpërima se mashtruesi që kishte sjellë Doruntinën, nuk ishte veçse një agjent i kishës së Romës, i ngarkuar me këtë mision. Të tjerë shkonin edhe më larg: flitej se edhe Doruntina vetë kishte rënë në grackën e katolikëve, duke pranuar t’u shërbente. Zot i madh,ç’po dëgjojmë ia bënin njerëzit. Ja si paskëshin qenë pleksur punët. Por kisha ortodokse e Bizantit, ajo që për këso shkeljesh nuk kishte kursyer as patriarkë, as perandorë, e kishte kapur më në fund fillin e ngatërresës dhe së shpejti do të sqaronte gjithçka. Armiqtë e saj do të mbeteshin me gisht në gojë».[7]
Të gjitha këto Kadare i thotë për të letrarizuar politikën e re të regjimit komunist shqiptar, i cili pas prishjes me Kinën filloi afrimin me Greqinë dhe tek këto rreshta të Kadaresë, mund të gjendet uvertura që çoi në hapjen e dyerve për kryepeshkopin grek Janullatos, nga ana e Presidentit Ramiz Alia, në vitin 1991. Fakti që Ismail Kadare në këtë novelë e paraqet Arbërinë mesjetare si të fesë ortodokse dhe madje me një mentalitet të thellë ortodoks dhe antikatolik, e shpjegon se përse novela e Kadaresë «Kush e solli Doruntinën» është së bashku me romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» dhe «Eskili ky humbës i madh» një nga tre veprat e Kadaresë që u botuan në Greqi, para vitit 1990. Se përse u botua «Eskili ky humbës i madh» është e qartë, ai tregon afërsinë kulturale shqiptaro-greke, çka grekët e kuptonin se shqiptarëtduhej të helenizoheshin. A nuk e kishte paraqitur Kadare dhe Arbërinë mesjetare si thellësisht ortodokse?
Në novelë, autori, Ismail Kadare, e paraqit Kostandinin, sikur donte që ta përdorte besën, si institucion dokësor, si boshtin e ndërtimit të një modeli të ri politik dhe social për shoqërinë dhe popullin arbër, të ndryshëm nga modelet që ofronte Lindja dhe Perëndimi, të cilat Kostandini i gjen si të papranueshme dhe të rrezikshme: «Ata nuk e vunë re ose bënë sikur nuk e vunë re atë buzëqeshje dhe vazhduan t’i flitnin atij për mendimet e tjera të Kostandinit, për arsyet e tjera përse duhej bërë ky rindërtim në strukturën e jetës së Arbrit, arsye që lidheshin me stuhitë vigane që shihte ai në horizont, me pozitën e vetë Arbrit shtrënguar si në darë midis dy feve, të Romës e të Bizantit, dhe midis dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes. Prej përplasjes së tyre s’priteshin veçse tallaze të lemerishme për përballimin e të cilave Arbri duhej të krijonte mënyra mbrojtjeje. Ai duhej të krijonte struktura më të qëndrueshme se ligjet dhe institucionet ‘e jashtme’, struktura të përjetshme e universale brenda për brenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra të pashkatërrueshme. Me një fjalë, Arbri duhej të ndryshonte ligjet e veta, zyrat, burgjet, gjyqet e gjithçka tjetër, t’i bënte të tilla në mënyrë që t’i merrte ato nga bota e jashtme e t’i strehonte brenda njerëzve kur të afrohej stuhia. Ai duhej ta bënte këtë ndryshe do të fshihej nga faqja e dheut. Kështu fliste Kostandini. Dhe ai mendonte se kjo strukturë e re do të fillonte nga besa».[8]
Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me një projektim në kohë të paradigmës politiko-kulturale zyrtare të Shqipërisë së kohës kur shkruante Ismail Kadare, paradigmës së armiqësisë ndaj Lindjes dhe Perëndimit, refuzimit të modeleve të tyre dhe të përpunimit të modelit politik, social e kultural ekskluziv shqiptar, krejt të painfluencuar nga modelet lindore dhe perëndimore. Kadare këtu e ka projektuar paradigmën ideologjike enveriane në një situatë mesjetare, më të hershme se shekulli XV kur zhvillohen ngjarjet e romanit «Kështjella». Ajo që synon të thotë Kadare është se, ashtu sikur Arbëria e kohës së Kostandinit nuk zgjodhi as modelin perëndimor, as atë lindor, por përpunoi një model shoqëror shpirtëror të vetin me kodin e vet dokësor, ashtu dhe Shqipëria e kohës së komunizmit, kur shkruante Kadare, duke ndjekur traditën e mësipërme arbëre, nuk po zgjedh as modelin kapitalist perëndimor, as atë revizionist sovjetik, por po e modelon shoqërinë dhe krejt jetën e vendit sipas një modeli ekskluziv shqiptar të përpunuar nga Enver Hoxha. Tendenca për analogji duket që nga termat dhe deri tek konceptet. Shokët e Kostandinit dhe kapiteni Stres, njerëz të Mesjetës, përdorin terma të një propagandisti komunist të viteve ‘80. Përplasja mes feve, asaj perëndimore dhe asaj lindore, bën analogji me përplasjen mes ideologjive, asaj perëndimore amerikane dhe asaj lindore sovjektike. Arbëria në atë kohë nuk kishte shtet, prandaj nuk mund t’i transferonte institucionet në mënyrën që thotë Kadare. Shteti i Arbërisë u krijua me ndihmën e Perëndimit dhe si rezultat i avancimit të tij në territorin bizantin. Me sa duket Kadare pretendon se arbërit e kohës do ta zëvendësonin shtetin që ende nuk e patën ndërtuar me një kod zakonor me bazë besën. Pra Kadare e kthen përmbys kursin e gjërave. Ndërsa në realitet korpusi i normave dokësore me bazë besën është krijuar në periudhën parashtetërore, prehistorike të organizimit shoqëror fisnor, Kadare i paraqet gjërat sikur normat dokësore do të krijoheshin pas shtetit, në kushtet kur ka parandjenjë të rrezikut të shembjes së shtetit. Cilido student i historisë ose juridikut që do ta kishte thënë këtë gjë në provim, do të kishte marrë me siguri notën katër. Pse futet Kadare në xhunglën e këtyre marrëzive të habitshme? Kadare gjithë hallin e ka tek bërja e analogjive me kohën kur ai shkruante. Kështu legjitimohet modeli izolacionist enverian si i derivuar natyrshëm nga historia dhe shpirti tradicional shqiptar dhe për ta bërë këtë Kadare i paraqet shqiptarët sikur tradicionalisht kanë qenë një popull idhujtar, pra barbar, që historikisht kanë qenë refuzues ndaj qytetërimit, si atij lindor, ashtu dhe atij perëndimor, gjë që vazhdojnë ta bëjnë ende.
Kostandini është paraardhësi mesjetar i Enver Hoxhës, që ashtu si Enver Hoxha kërkonte të përpunonte një model shqiptar politik, social, kulturor, krejt ekskluziv. «Njeriu me besë» i Kostandinit, që e absorbon shtetin, nuk është tjetër veç «njeriu i ri» i propaganduar në kohën e komunizmit, njeriu që pasi të kultivonte një ndërgjegje optimale do të bënte realitet ëndrrën e Marksit dhe të Leninit për shuarjen e shtetit në komunizëm. Këtë utopi marksiste-leniniste Kadare e projekton në Mesjetën shqiptare. Ajo që kërkon Kostandini, pra transferimi brenda njeriut i të gjitha institucioneve të jashtme të shoqërisë dhe shtetit, a nuk është tekefundit ajo që kërkon të arrijë komunizmi me «njeriun e ri», që ka ndërgjegje komuniste të kultivuar, çka mundëson zhdukjen e shtetit me ndërtimin e shoqërisë komuniste. Një paranojë e Marksit dhe Leninit e katapultuar në trurin e një shqiptari mesjetar. Sa gjë absurde dhe qesharake. Kapiteni Stres, në mbledhjen e madhe, paraqet ideologjinë e re, në një fjalim, që ngjan shumë me fjalimet e Enver Hoxhës, kur kërkonte të shpjegonte se përse Shqipëria qëndronte e veçuar nga Lindja dhe Perëndimi, duke e kombinuar zbatimin e modelit të vërtetë marksist-leninist, çka e bënte unike në botë, me modelin tradicional kultural dhe social shqiptar, të ndryshëm dhe refuzues në raport me Lindjen dhe Perëndimin.
Ja se si e përshkruan Kadare fjalimin e kapitenit Stres në atë që e quan mbledhja e madhe:
«Dhe tani do të përpiqem të shpjegoj se ç’shkaqe e lindën dhe po e përhapin midis nesh këtë ligj të ri shpirtëror, - vazhdoi Stresi. Ai foli shkurt për gjendjen e rëndë në botë, për të ardhmen e turbullt plot re të zeza, shkaktuar nga fërkimet midis perandorive të mëdha e midis feve, për komplotet, kurthet që gëlonin anembanë, për pozitën e Arbrit midis këtij oqeani plot rrebeshe e dallgë të mëdha.
- Çdo popull, përballë rrezikut, mpreh mjetet mbrojtëse dhe kryesorja, krijon mjete të reja. Duhet të jesh dritëshkurtër që të mos kuptosh se Arbri ndodhet përballë dramave të mëdha. Herët a vonë ato do të mbërrijnë në kufijtë e tij, në mos kanë mbërritur. Atëhere del pyetja: në këto kushte të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë, në këtë kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme ç’fytyrë do të ketë njeriu i Arbrit? Do të njëjësohet ai me të keqen apo do t’i vihet përballë asaj? Me një fjalë, do të shfytyrohet, për t’iu përshtatur maskave të kohës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet apo do ta ruajë fytyrën të pandryshueshme, duke rrezikuar të tërheqë mbi vete zemërimin e kohës? Për Arbrin po afrohet çasti i provës, i zgjedhjes midis dy fytyrave. Dhe, në qoftë se populli i Arbrit ka filluar të përpunojë në thellësitë e tij struktura të tilla sublime, siç është besa, kjo tregon se Arbri është duke e bërë zgjedhjen e vet. Këtë mesazh u ngrit për t’i sjellë Arbrit dhe gjithë botës, nga fundi i gropës ku qe shtrirë, Kostandini... Por ky mesazh nuk është i lehtë për t’u pranuar, - vazhdoi ai - Ai do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi. Më i rëndë se kryqi i Krishtit do të jetë ai».[9]
Shikoni termat që Kadare vë në gojën e kapitenit Stres. «Gjendje e rëndë në botë», «fërkimi mes perandorive e feve perëndimoree lindore». Analogjia është e qartë: perandoritë dhe fetë, në kohën kur shkruante Kadare qenë blloqet dhe ideologjitë perëndimore dhe lindore, të cilët Shqipëria i refuzonte të dy. Epigramin do ta shprehte Ramiz Alia në vitin 1990 me fjalët «Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim!» Kadare na thotë se shqiptarët, kur historikisht janë ndodhur në situatën, që të zgjedhin midis Lindjes dhe Perëndimit, midis modeleve të tyre, që Kadare i quan «maska», nuk kanë zgjedhur asnjërën. Për Kadarenë këtë veprim të supozuar prej tij e kanë bërë pasi cilado prej këtyre dy alternativave është njëlloj e keqe dhe zgjedhjen e çdonjërës prej tyre ai e quan njëjësim me të keqen. Dhe Kadare na thotë se shqiptarët historikisht nuk i kanë pranuar modelet globale, që ai i quan «maska të kohës», por kanë kultivuar modelin e tyre që nuk ka lidhje me asnjë prej tyre. Pra, identiteti shqiptar historikisht nuk është kultivuar në kontekst të një qytetërimi, perëndimor ose lindor, me fenë si bosht i këtij identiteti, por është formuar në një lloj idhujtarie ekskluzive shqiptare, me bosht doket e trashëguara. Dhe rruga në të cilën kishte hyrë Shqipëria komuniste në kohën kur shkruante Kadare, modeli izolacionist enverian, në optikën kadareane dukej si vazhdim i natyrshëm i kësaj tradite. Kadare vë në gojën e kapitenit Stres, që bëhet përcjellës i mendimeve të Kostandinit, fjalët se Arbëria nuk duhet të konformohet me Perëndimin ose Lindjen për mbijetesë. Po Arbëria pjesë e kujt pati qenë para se të lindte Kostandini i novelës së Kadaresë dhe në kohën kur jetonte ai, pra në fund të shekullit XI dhe në fillim të shekullit XII? Arbëria në atë kohë pati qenë kulturalisht pjesë e Perëndimit, për shkak të fesë dhe edhe më vonë bëri përpjekje që të mbetej pjesë e Perëndimit. Identiteti i Arbërisë qe perëndimor. Kadare thotë se arbërit e kohës, midis mbijetesës (pra interesit nacional, po të shprehem në termat e sotme) dhe një ideologjie abstrakte, duhet të zgjidhnin të dytën. Analogjia është e qartë: Shqiptarët e kohës kur shkruante Kadare duhet të hanë edhe bar për hir të ruajtjes së ideologjisë marksiste-leniniste, sikur pati thënë Enver Hoxha. Kadare vë në gojën e Kapitenit Stres fjalët «fytyrë e pandryshuar», që duhet të ruajë Shqipëria në kohëra, një fytyrë kjo as perëndimore dhe as lindore. E kështu del se Shqipëria komuniste ka trashëguar këtë fytyrë, që duhet ta ruajë. Shqipëria, që nuk është as perëndimore, as lindore. Kjo bëhet me koston e izolacionizmit, sepse në këto rrethana mund të ndalen më mirë influencat e jashtme për ta krijuar më mirë këtë fytyrë të veçantë. Kur kapiteni Stres flet për «flijime që vazhdojnë edhe sot» në emër të kësaj zgjedhjeje, analogjia është se jeta e popullit shqiptar si një bashkësi revolucionare në rrethimin imperialisto-revizionist është një flijim në vazhdën e këtij flijimi shumëshekullor.
Por, edhe pse Kadare thotë se Arbëri i kohës së Kostandinit synonte një fytyrë as perëndimore dhe as lindore, Kadare megjithatë i jep Arbërisë të kohës një fytyrë lindore, ortodokse nga pikëpamja fetare.
Duke qenë se Kadare e ka trajtuar legjendën si një lëndë e parë për të ndërtuar në të shkuarën e largët paradigmën izolacioniste enveriane, ai i ka bërë legjendës tjetërsime paranojake. Kështu, derisa në të gjitha versionet e legjendës, Doruntina dhe nëna e saj vdesin në prag të derës kur takohen, në novelën e Kadaresë, ato jetojnë edhe disa ditë të traumatizuara, se autorit i duhet që ato të shkojë dhe t’i takojë dy herë kapiteni i policisë Stresi, dhe madje të marrë dëshminë e Doruntinës. Në novelën e Kadaresë Kapiteni Stres, personazhi kryesor, që është një njeri i fillimit të shekullit XII, paraqitet me mentalitetin e një ateisti të shekullit XX, i cili nuk e beson aspak ringjalljen e Kostandinit. E pra, për një shqiptar të shekullit XII, aq më tepër një njeri provincial pa shkollim laik, nuk do të ishte kaq e pabesueshme ringjallja e të vdekurit. Nëse Kadare do të kishte lexuar diçka më shumë para se të shkruante, do të shikonte se, në Mesjetë në Europë, besimi tek ringjallja e të vdekurve si mrekulli ishte një gjë shumë e përhapur. Prandaj duket krejt i pabesueshëm dialogu i mëposhtëm mes Kapitenit Stres dhe ndihmësit të tij:
«- Të shkojmë te kisha, - i tha ndihmësit, kur ndjeu hapat dhe frymëmarrjen e tij të shpeshuar pas shpinës së vet. - Të inspektojmë varrin e Kostandinit.
- Ju ka shkuar mirë ndër mend, - tha ndihmësi. - Në fund të fundit e gjithë historia mbështetet në ngritjen e dikujt nga varri.
- As që më shkon mendja për një marrëzi të tillë, - tha Stresi. E kam për tjetër gjë».[10]
Por misteri më i madh i kësaj novele të Kadare është se përse ai ka futur atje historinë e incestit të Kostandinit me motrën e vet Doruntinën. Sipas atyre që thotë Kadare, incesti del një gjë e provuar dhe e kryer, me ato që zbulon ndihmësi i Stresit në arkivin e familjes së Kostandinit dhe Doruntinës. Në një dialog të gjatë, ndihmësi i thotë kapiten Stresit se duke shqyrtuar në arkivin e familjes letrat e nënës së Kostandinit dhe Doruntinës, për mikun e saj të vjetër Kontin Topia, ka zbuluar se Zonja Mëmë, siç e quanin, e ve në dijeni kontin për incestin, duke e quajtur «ndjenjë jo të natyrshme të djalit të saj Kostandinit ndaj së motrës Doruntinës».[11]Është shumë interesante se incesti është e vetmja gjë në novelë që autori ka dashur ta provojë se ka ndodhur vërtet, gjë që nuk e bën qartësisht me atë se kush e solli Doruntinën. Kështu, më tutje, në të njëjtën bisedë, ndihmësi i thotë kapitenit: «Hollësira në letër nuk ka, por, po ta lidhim këtë me të tjera fakte nga letrat e mëvonshme, e sidomos me përgjigjen e kontit Topia, del e qartë se kemi të bëjmë me një prirje incesti të vëllait ndaj motrës».[12]Dhe si për të dashur ta provojë përfundimisht se incesti ka ndodhur, Kadare tregon dhe për një incident që kishte ndodhur në dasmën e Doruntinës, dhe që ndihmësi ia sjell si provë shefit të vet, Stresit: «Që incidenti nuk u vu re nga të tjerët, ose, edhe në u vu re u quajt si një gjë e zakonshme në këso rastesh, kjo ndodhi se njerëzit nuk i dinin rrethanat për të cilat ju fola më lart. Kurse Zonja Mëmë që dinte gjithçka, e shpjegon atë drejt. Pasi i shkruan kontit se si Kostandini, pas ceremonisë së kurorëzimit në kishë, kishte qenë si i marrë, se si në kohën e përcjelljes së krushqve ai e kishte shtyrë dhëndrin që i qe afruar nuses, duke i thënë ‘ajo është akoma imja, kupton, imja’ zonja plakë i shkruan mikut të vjetër, se, lavdi zotit, ky ishte telashi i fundit që ajo pati, lidhur me çështjen për të cilën ai ishte në dijeni».[13]Me këtë kuptohet se Ismail Kadare do patjetër që ta nxjerrë Kostandinin sikur ka pasur një incest me të motrën, pra që ka pasur marrëdhënie seksuale me të. Pavarësisht se Kadare ve në gojën e kapitenit Stres një kundërshtim të ashpër të kësaj ideje të ndihmësit të tij, megjithatë faktet që sjell ndihmësi janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Nuk mundet të mos bëhet pyetje se përse Kadare, që e paraqit Kostandinin si ideologun e përpunimit të dokeve shqiptare, dhe posaçërisht të besës, për t’u kultivuar shqiptarëve virtute, na del si një njeri që ka më të ndyrin e veseve, incestin. Kështu del se sipas Kadaresë shqiptarët nuk duhej ta quanin incestin ves, por virtut familjar?! Kështu do të priren ta shikojnë këtë gjë të huajt që e njohin njeriun shqiptar me anë të librave të Kadaresë. Pse ka hyrë Kadare në këtë linjë paranojake? Një shpjegim për këtë mund të jetë se Kadare vjen nga Sokaku i të Marrëve, rruga ku është shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër, dhe që e ka marrë këtë emër për shkak se aty kanë lindur defiçentë, për shkak të martesave incestuoze mes kushërinjve të afërt, që bëheshin për të ruajtur pronat brenda fisit. Duket se Kadare këtë ves të mëhallës ku ka lindur kërkon ta projektojë mbi gjithë kombin shqiptar. Kjo është me të vërtetë një situatë frojdiane! Ndihmësi i thotë Stresit se në momentin që nëna hapi derën ajo pësoi traumë ngaqë zbuloi kryerjen e incestit: «Është pikërisht kjo hata që zbuloi nëna plakë para se të hapte portën».[14]Ç’traumë e ardhur nga një situatë perverse dhe e mbetur në subkoshiencë ka sjellë këto rreshta? Në fakt, e gjithë novela do të kishte vlerë më tepër si një rrëfim i autorit tek një psikoanalist, se si një vepër letrare. E jo më pastaj të quhet kryevepër!
[1] Ismail Kadare: «Kush e solli Doruntinën», në «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 56-57.
[2] «Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë», Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1975, f. 126.
[5] Ismail Kadare: «Kush e solli Doruntinën», në «Gjakftohtësia», «Naim Frashëri», Tiranë, 1980, f. 96.
[12] Po aty.





