Urbanizimi i malësorit shqiptar- shlyerja e borxhit historik nga kombi




nga Kastriot Myftaraj

Procesi i legalizimit të banesave të të ardhurve, në metropolet shqiptare, nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe në një numër të madh nga Veriu, kryesisht në Tiranë dhe në Durrës, ka krijuar një debat të madh, të zjarrtë me pozicionime pro dhe kundra, ku shpesh shfaqet edhe një racizëm ndaj të ardhurve, të cilësuar si “malokë”, “çeçenë”, etj. Kryeministri Berisha para pak kohësh deklaroi se me procesin e legalizimit do të zhduken cilësimet fyese të këtij lloji. Çështja është edhe më e thellë se kaq. Me legalizimin e të ardhurve do të përmbushet një nga proceset e mbetura pezull të konstituimit nacional shqiptar, një proces tejhistorik, që përbën një nga aspektet e restaurimit të Shqipërisë së lirë paraosmane. Okupacionet e gjata krijojnë deformime, mangësi, që duan kohë për t’ u rikuperuar. Një nga këto është edhe riurbanizimi i vendit. Shqipëria paraosmane ka qenë një vend i urbanizuar që kishte hyrë në linjën e Rilindjes, në sajë të influencës veneciane dhe italiane në përgjithësi.
Qytetet shqiptare të periudhës paraosmane qenë më të mëdha se ç’ qenë në fund të periudhës osmane. Rezistenca antiosmane dhe dhuna turke i zbrazi qytetet, duke shkuar popullsia e tyre përtej detit ose në male. Në Shqipërinë e pavarur pasosmane kjo anomali nuk u rikuperua deri në periudhën paskomuniste, kur popullsia zbriti masivisht nga malësitë drejt qyteteve. Këtu pati një tension mes popullsisë së zbritur dhe asaj vendase, tension ky i natyrshëm në çdo vend të botës që ka kaluar procesin e urbanizimit të vrullshëm. Por, ky tension u ushqye nga qarqe antishqiptare të brendshme dhe të jashtme që synonin dhe synojnë ta shndrrojnë në konflikt të hapur, duke potencuar paradigma konfliktuale në të cilat të ardhurit përcaktohen si “malokë”, “çeçenë”.  

       Paradigma historike e okupatorëve
Nocioni “malok” në Shqipëri është krijuar dhe potencuar nga okupatorët e huaj gjatë gjithë historisë dhe është adoptuar nga ajo pjesë e popullsisë, që ka qenë më tepër e lidhur me ta. Okupatorët gjithmonë i kanë urryer njerëzit e malit në vendet e pushtuara dhe Shqipëria nuk ka bërë përjashtim. Njeriu i malit është për okupatorin rebeli për antonomazi. Njeriu i malit përgjithësisht nuk paguan taksa dhe nuk jep rekrutë. Madje,  priret që të bëjë pre, duke grabitur karvanët e okupatorit, që cojnë në qendër taksat e mbledhura nga njerëzit e fushave, si dhe shpesh msyn edhe vetë stacionet ushtarake të okupatorit, për të siguruar armë. Pushtuesi nuk e ndjen veten mirë nën hijen e maleve. Aq më tepër në një vend me fusha të ngushta si Shqipëria. Në male gjenin strehim kryengritësit e fushave, ata që nuk donin t’ i nënshtroheshin okupatorit. Malësitë e varfra kanë qenë trefish problematike për pushtuesit se prej tyre nuk nxirren të ardhura, duan shumë shpenzime për t’ u nënshtruar dhe janë baza të msymjeve në fusha për të nxitur dhe atje kryengritje.
Të gjithë okupatorët e trevave shqiptare, që nga të parët, të cilët kanë qenë maqedonasit, në shekullin IV para Krishtit, duke vazhduar më pas me romakët, bizantinët, sllavët, turqit, deri tek regjimi komunist shqiptar, e kanë pasur këtë ndjenjë. Prandaj okupatorët, që nga maqedonasit, romakët, bizantinët, sllavët, turqit, por edhe regjimi komunist i kanë demonizuar njerëzit e maleve dhe janë përpjekur që të nxitin edhe tek vendasit urrejtjen ndaj tyre.
Kjo histori ze fill që me pushtimin e Ilirisë, duke përfshirë dhe Dardaninë, nga Filipi II i Maqedonisë në vitin 344 para Krishtit. Filipi II, për të mposhtur ilirët, që banonin në trojet e sotme shqiptare në veri të  atyre që në antikitet quheshin Malet Akrokeraune (Himarë) dhe për t’ i vënë nën sundim këto troje, bëri një aleancë me Epirin, që gjendej në jug të kësaj pike, duke u martuar me vajzën e mbretit të Epirit (Mollosisë), Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Kjo qe aleanca fatale, që bëri të krijohen mendësi dhe paradigma kulturale dhe politike që përcaktuan zhvillimet shqiptare gjatë gjithë historisë deri në ditët e sotme. Maqedonasit patën adoptuar paradigmën greke “qytetërim-barbari”, të përpunuar në kohën e luftrave greko-perse, sipas së cilës grekët qenë të qytetëruar nga natyra, ndërsa popujt e tjerë, barbarët, qenë të prapambetur dhe skllevër nga natyra. Me këtë paradigmë maqedonasit nën Aleksandrin e Madh bënë fushatën për nënshtrimin e botës që i çoi ata deri në Indi.
Okupatorët maqedonas, u ballafaquan me rezistencën e ilirëve të cilët për të mos iu nënshtruar maqedonasve bënë atë që bëjnë gjithë popujt e okupuar që nuk duan të nënshtrohen, u tërhoqën në male. «Mali-strehim u bë një hapësirë e qenësishme e historisë mesdhetare». (George Castellan: «Histori e Ballkanit», «Çabej», Tiranë 1996, f. 123.)
Në Shqipëri, në shekuj, edhe qytetari dhe njeriu i fushës, kanë qenë me një këmbë në mal. Një invazion i kthente ata në malësorë.  Maqedonasit krijuan në Iliri mitin e njeriut të keq të malit dhe këtë mit e përvetësuan edhe epirotët, si aleatë të maqedonasve dhe bashkësundues së bashku me këta të fundit mbi ilirët. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh ilirët u çliruan nga sundimin maqedonas dhe krijuan mbretëritë e veta. Por, epirotët e ruajtën urrejtjen dhe duke e gjeneruar e shndrruan atë resentiment. Kështu lindi në hapësirën e sotme shqiptare urrejtja ndaj njeriut të malit, të cilën e nxitën të gjithë okupatorët që ardhën në këto troje pas maqedonëve, deri në shekullin XX.

Demonizimi i malësorëve nga pushtuesit
Pushtuesit i urrejnë njerëzit e malit sepse mali simbolizon mosnënshtrimin, individualitetin. Victor Hugo shkruan:
«Edukimi nuk është i njëllojtë, kur atë e kalitin majat e larta, ose kur e pjellin fundërritë. Mali është një kështjellë, pylli është një pusi; njëra të frymëzon guximin tjetra kurthin. Lashtësia i vendos perënditë nëpër male dhe satirët nëpër prozhme. Satiri është qenie e egër, gjysëm njeri e gjysëm kafshë. Vendet e lira kanë Apenine, Alpe, Pirenej, një Olimp. Parnasi është një mal. Mali i Bardhë është ndihmësi vigan i Vilhelm Telit; në sfond dhe sipër luftrave të mëdha të shpirtrave kundër errësirës që mbushin poemat e Indisë, njeriu dallon Himalajan». (Victor Hugo: «Viti 93», «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 236.)
Siç ka thënë Johan Gotfried Herder, historia është gjeografi që vazhdon. Të njëjtin mendim me Victor Hugo ndan edhe kronikani osman i shekujve XV-XVI, Idris Bitlisi, i cili kështu shkruan për shqiptarët gjatë rezistencës së tyre antiturke në shekullin XV:
«Pra, pa dyshim që karakteri i popujve të çdo vendi i përshtatet vendit të tyre të lindjes, i përshtatet ujit, klimës dhe natyrës së viseve të tyre, u përputhet karakteristikave të ambientit me të cilin është rrethuar. Prandaj, shqiptarët meqënëse në pjesën më të madhe banojnë në vise malore, janë mbrujtur me një karakter të ashpër dhe të fortë, kështu që nuk i përkulen kurrkujt në çfarëdo rrethane qofshin». «Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV-burime osmane», Instituti i Historisë, tiranë 1968, f. 150.)
Urrejtja e pushtuesve për njerëzit e malit dhe njëherësh frika prej tyre, si dhe vetë tmerri që u shkaktonte hija e maleve, shprehet në mënyrë shumë të qartë në këtë përshkrim të kronikanit turk Kemal Pashazade për Shqipërinë gjatë luftrave shqiptaro-turke në shekullin XV:
«Të pafetë e atij vendi janë të famshëm në të gjithë botën për guximin e trimërinë e tyre. Në çdo kohë ata janë përmendur nga njerëzit dhe nga xhindet për rebelimet dhe kryengritjet e tyre. Vendqendrimet e tyre gjatë kohës së verimit janë kurrizet e maleve që arrijnë deri në pikën më të lartë të kupës së qiellit mbi të cilët nuk shkel këmba e kuajve të reve. Banesat e tyre për dimërim janë shtratet e luginave që hyjnë thellë në tokë. Në fundin e tyre nuk arrin dot litari i dritës së yjeve dhe tërkuzave e rrezeve të diellit. Shtigjet e kalimit për në vendin e tyre janë rrugë malore aq të ngushta dhe të vështira sa që, po të kalonte këtej djalli, edhe ai do të shkonte duke rënë e duke u ngritur». (po atje: f. 237.)
Kronikani osman Kemal Pashazade kështu shkruan:
«Këta krokodilë të lumit të luftës (turqit-K.M.) megjithëse bënë shumë përpjekje, nuk mundën të arrijnë fitoren mbi tigrat e luftës malore(shqiptarët-K.M.)». (po atje: f. 217.)
 Duke i urryer dhe pasur frikë njerëzit e malit, okupatorët i demonizuan ata, duke i quajtur si të egër dhe të paqytetëruar, si dhe u përpoqën që t’ u kultivojnë dhe vendasve urrejtjen për ta. Kështu, po ky kronikan osman thotë:
«Dihet si një e një që bëjnë dy se midis popujve të pafe e mëkatarë të viseve të Rumelisë, asnjëri nuk është aq kokëfortë dhe i lig sa ç’ është ky popull rebel». (po atje: f. 155.)
Më tutje, Idris Bitlisi shprehet për malësorët shqiptarë:
«Çdonjërit sish i pëlqen çipi i jetës së vetmuar dhe asnjërin nga të tyret nuk mund ta njohin për të parë t’ i qeverisë. Prandaj në vendin e tyre kurrë nuk është formuar një bashkësi e qytetëruar, atje kurrë s’ ka parë njeri dhjetë shtëpi në një vend, aq sat ë përbënin një njësi shoqërore». (po atje: f. 156.)
Pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së kështjellave shqiptare, shqiptarët që nuk deshën t’ i nënshtrohen sundimit turk, një pjesë kapërcyen detin dhe u vendosën në Itali, ndërsa pjesa tjetër u tërhoqën në male. Ja sesi shkruan kronikani turk Oruçi për fushatën e Sulltan Bajazitit II në Shqipëri, në vitet 1492-93:
«Por të pafetë e dinin se do të vinte padishahu, prandaj ata kishin rregulluar fëmijët e tyre ndër kullat që kishin në vende të padepërtueshme dhe në majat e maleve dhe po e prisnin. Ato janë maja e male aq të larta sa edhe sorrat nuk fluturojnë mbi to…Ata besonin në një dogmë dhe flisnin një gjuhë. Ata nuk i jepnin haraç kurrkujt. Ata ngritën kulla në majat e maleve dhe vendosën aty gratë dhe fëmijët, ndërsa vetë qendruan në grykat dhe luftuan». (po atje: f. 49.)
Shqipëria e Veriut, duke përfshirë edhe Kosovën vazhdoi të mbetej qendra kryesore e rezistencës kundër pushtuesve turq gjatë shekujve të okupimit. Për këtë dëshmon edhe raporti që Dervish Pasha, komandanti i ekspeditës turke, që  shtypi Lidhjen e Prizrenit, i bëri Sulltanit, mbi gjendjen në Shqipëri, pas eliminimit të Lidhjes së Prizrenit, në  maj 1881:
«Të gjitha këto bënë që Lidhja Shqiptare të përhapej e të shtrihej në gjithë Gegërinë dhe që Komitetet e Lidhjes të kryenin gjithandej veprime kryengritëse që ishin në kundërshtim me dëshirat e qeverisë». (“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane- 1878-1881), Instituti i Historisë, Tiranë 1978, f. 145).
Edhe këtë herë, ashtu si gjatë gjithë historisë së Shqipërisë, pjesa më e madhe e atyre që luftuan kundër ushtrisë turke që erdhi të shtypë Lidhjen e Prizrenit, u tërhoqën në male, për t’ i shpëtuar represionit turk, pra u bënë “malokë”. Por, këtyre “malokëve” ne u detyrojmë njohjen që opinioni ndërkombëtar i bëri kombit shqiptar dhe luftës së tij pas kësaj lëvizjeje, duke u thyer paragjykimi dashakeq i artikuluar nga Princi Bismarck se Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike dhe se nuk ka komb shqiptar. Dhe ishte e natyrshme që këta njerëz e saj do të denigroheshin e demonizoheshin më tepër nga turqit.
Në librin e lartcituar Hugo shton:
«Ka një ndryshim midis kryengritësit të malit, si zvicerani dhe kryengritësit të pyllit, si vandeasi; dhe ky ndryshim është pothuajse gjithnjë ndikimi fatal i ambientit; se njëri lufton për idealin, tjetri për paragjykimet. Njëri fluturon krahëhapët, tjetri hiqet zvarrë. Njëri fluturon për njerëzimin, tjetri për vetminë, njëri do lirinë, tjetri do izolimin… Njëri ka të bëjë me kulmet e honet tjetri me batakovinat; njëri është njeriu i pellgurinave ujëfjetura prej nga shpifen ethet; njëri ka mbi krye të vet qiellin e kaltër, tjetri një drizë, njëri është mbi një majë mali, tjetri është një hije». (Victor Hugo: «Viti 93», «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 236.)
Kjo është e vërtetë dhe për Shqipërinë. Mali verior krijoi Eposin e Kreshnikëve. Një nga rapsodët prej të cilëve u mblodh Eposi i Kreshnikëve jep këtë dëshmi:
«Populli i katundeve që nuk i këndojnë thirren katundarë, kurse ata që i këndojnë janë malësorë». («Epika legjendare», Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore., Vol. II., Tiranë 1983, f. 366.)
Është interesante se në në po të njëjtin raport Dervish Pasha shprehet për gjendjen në  Shqipërinë e Jugut:  «Në anët e Toskërisë çështja që ka marrë karakter më shqetësues është ajo e veprimtarisë së banditëve, që është thjesht një veprimtari kusarie».(“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane- 1878-1881), Instituti i Historisë, Tiranë 1978, f. 149).
Kështu, propaganda turke punonte në dy kahje. Derisa toskëve u thoshte se gegët janë “malokë”, të egër, në anën tjetër, gegëve u thoshte se toskët janë kusarë të rëndomtë. Kur okupatorët osmanë u larguan dhe u krijua shteti shqiptar, paradigma që ata e patën trashëguar nga të tjerët, i kaloi si trashëgimi asaj pjese të popullsisë që pati bërë të vetën paradigmën raciste historike të okupatorëve. Doktrina e urrejtjes, që i ka premisat brenda Shqipërisë, është e përpunuar me shumë kujdes në qendra të specializuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Athinë dhe në Beograd, Moskë. Kjo kuptohet në rastin e përdorimit të termit “çeçen”, në sens përkeqësues, për të përcaktuar të ardhurit nga Veriu. “Mirë se ju i urreni shqiptarët e Veriut se sipas jush qenkan njerëz të këqinj, por çeçenët çfarë ju kanë bërë? Ata, edhe nëse u kanë bërë të këqija ua kanë bërë rusëve”. Kështu i thashë një ditë njërin prej tyre, një intelektual, që po shprehej me përbuzje për shqiptarët e Veriut, duke i quajtur “çeçenë”. Isha i sigurt se ky njeri nuk kishte parë kurrë në jetën e vet një çeçen. Ai nuk diti ç’ të më thoshte tjetër veç të ngërdheshej.
Meqënëse bashkëbiseduesi im pati ndodhur të qe intelektual, vazhdova t’ i them, duke përdorur një koncept të Jungut se ai kishte arhetipin sllav, ose më saktë filosllav për paradigmën mik-armik. Derisa për të sllavët, posaçërisht rusët qenë të mirët, armiqtë e tyre, çeçenët qenë të këqinjtë. Prej këtej, çdo njeri i keq qe “çeçen”. Është e qartë se ai shprehte mendësië e të huajve-armiq të Shqipërisë.

Kapërcimi i paradigmës raciste të okupatorëve në Shqipëri
        Në Republikën e Shqipërisë fjala “malok” përdoret në sens përkeqësues, për të etiketuar një grup të caktuar të popullsisë, ata që banojnë në veri të Tiranës dhe të Durrësit, si dhe të zbriturit nga kjo zonë në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera. Termi “malok” ka si kuptim një individ i paqytetëruar, i egër, kriminal, i trashë, i paaftë për të jetuar në një shoqëri moderne, madje një armik i saj, shkurt barbari, siç është perceptuar ai që nga grekët e romanët antikë dhe më tutje. Ashtu si “barbari”, në nocionin antik grek, roman dhe të kolonizatorëve europianë, “maloku” është bartës genetik i së keqes, ai nuk është i aftë të qytetërohet dhe e vetmja mënyrë për të përfituar nga qytetërimi është duke u sunduar nga një popull i qytetëruar. Nocioni ka ardhur nga një diferencializëm racist, që në thelbin e vet është irracional. Një grup i tërë diferencohet nga bashkësia, duke u etiketuar si bartës i së keqes. Një mendësi që praktikisht përbën një ideologji fashiste, pasi fashizmi nuk qe gjë tjetër veçse racizmi i elaboruar në nivel politik. Fashizmi kishte konceptin e “racës së ulët”, bartëse genetike e së keqes, e cila qe e destinuar të qe e sunduar.
Grupi që në Republikën e Shqipërisë përdor termin “malokë” trashëgoi paradigmën e pushtuesve të urrejtjes për njeriun e malit. Urrejtja ndaj grupit të njerëzve që definohen si “malokë” i ka të gjitha të dhënat për t’ u kualifikuar si racizëm. Në teoritë raciste ka një diferencim njerëzor në “racë të lartë”, që është raca sunduese (herrenrase, ose racë zotërinjsh, siç e quanin nazistët, duke huazuar një term nga Nietszche), dhe në “racë të ulët”, që është raca e nënshtruar (raca e skllevërve, siç e quanin nazistët). Ashtu si në teoritë raciste, ata që përdorin me përçmim termin “malok”, e shohin veten si “racë e lartë”, ose raca sunduese, ndërsa “malokët” i shohin si “racë e ulët”, apo raca e skllevërve. Në teoritë autentike raciste, përdoret fajsimi kolektiv, pra një individ quhet i keq jo se ka bërë të këqija, por se i përket një grupi që përcaktohet kolektivisht si bartës genetik i së keqes, pra që është i keq nga natyra. Për nazistët, hebrejtë qenë të këqinj, jo për shkak të veprimeve konkrete të tyre, por si bartës kolektivë genetikë të së keqes. Veprimet e këqija të hebrejve të caktuar përdoreshin për ta ilustruar tezën e së keqes që ata bartnin në gen.
Ajo çka është më paradoksale dhe ironike në këtë racizëm ndaj “malokut” është se ai është e anasjellta e racizmit historik europian. Racizimi historik europian është i ndërtuar sipas paradigmës:
-Ariani, domethënë njeriu i bardhë dolikocefal (kafkëgjatë), biond, sykaltër dhe shtatlartë, si “raca superiore”.
-Hebrejtë dhe popujt me ngjyrë, kryesisht brakicefalë (kafkëgjerë), shtatshkurtër dhe rondokop, si “racë e ulët”.
Ndërsa në Shqipëri kjo paradigmë është përmbysur. Në Shqipëri, nga një pjesë e caktuar e popullsisë jugore, urrehet e përçmohet si “njeri inferior”, malësori i Veriut, i cili ka ruajtur më së shumti tiparet e racës nordike, ariane, pra dolikocefal, shtatlartë, biond, sy bojëqielli.
Është e habitshme se në çdo vend malësori respektohet, nderohet se ai ka bërë historinë, ndërsa në Shqipëri ai përçmohet dhe fyhet nga një pjesë e caktuar e popullsisë, që për më tepër edhe vetë është me origjinë nga vise malore. Toskëria është një zonë po aq malore sa edhe Gegëria. Në një këngë popullore përmetare për Revolucionin e Qershorit 1924, thuhet kështu:
              Ç’ u ngrinë-o malet, ç’ u ngrinë,
              ky popull pa opingë,
              mori poshtë Gegërinë;
              Ahmet Zogollin e zbrinë.
                                  Leskaj-Përmet, 1957
 (“Epika historike”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, “8 nëntori”, Tiranë, 1990, vol. III, f. 578.)
        Kjo mendësi artikulohet në koncepte të thjeshtëzuara që mund të rroken lehtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe që bartin ngarkesë të madhe urrejtjeje, të llojit: “Është mbushur Tirana dhe Durrësi me malokë!”, “Na mbytën veriorët!”
Por, çdo të qenë sot qytetet e mëdha shqiptare pa malësorët? E vërteta historike është se malësorët, në situata të përshtatshme, kur dobësohej regjimi i okupatorit, rëndom zbrisnin në numër të pakët në në fusha e qytete dhe bëheshin rezidentë atje, duke rritur e rigjeneruar popullsinë e rralluar të fushave e qyteteve, për shkak të epidemive dhe emigrimeve. Kështu ndodhi dhe pas rënies së komunizmit, kur ardhja e banorëve të rinj nga malësitë e Veriut, por edhe të Jugut, në Tiranë dhe Durrës, bëri që të zëvendësohet dhe madje të rritet, ulja e ndjeshme e popullsisë për shkak të emigracionit masiv.
Dhe të gjitha këto thuhen në një kohë që dihet se gjatë regjimit komunist, veriorët, madje dhe fshatarët e rretheve të Tiranës, Durrësit e Elbasanit, e kishin të ndaluar të zbrisinin në qytet, ndërsa stimulohej ardhja në Tiranë, Durrës, Elbasan etj. e banorëve nga Jugu. Në këto rrethana, zbritja në kryeqytet apo në Durrës e banorëve nga Veriu do të qe më masive me heqjen e këtij ndalimi, do të qe spontane dhe do të binte më tepër në sy. Gjithsesi edhe pas rënies së komunizmit ardhja e banorëve nga Jugu në Tiranë, Durrës etj. vazhdoi, me të njëjtin ritëm, por në mënyrë domethënëse, ajo nuk komentohej me dashakeqësi.
        Pas rënies së komunizmit, popullsia e malësive që pati mbetur e ngujuar në trojet ku të parët e tyre u tërhoqën për mos t’ ia nënshtruar okupatorit, filloi të zbriste masivisht në qytetet kryesore dhe posaçërisht në Tiranë dhe në Durrës. Ky ishte finalizimi i një procesi historik, një gjë që e meritonin ata që në shekujt e okupimit ruajtën njësinë nacionale dhe cilësitë më të mira të racës. Por, fatkeqësisht ata u bënë subjekt i një racizmi paranoiak të nxitur edhe nga qarqe të vendeve fqinje.

Paradigma e okupatorëve në politikën bashkëkohore shqiptare
Aspekti më preokupues i konfliktit politik në Shqipëri është adoptimi hapur nga ana e së majtës i paradigmës së okupatorëve për nxitjen e racizmit brendashqiptar. Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës në vitin 1997, Gëzim Zilja, në librin e vet “Unë e pashë kush e dogji Vlorën”,shkruan se në Sheshin e Flamurit, rapsodët këndonin kënge të tilla para turmes së protestuesve, për t’ i nxitur ata per luftë:
«O moj Vlorë e zeza Vlorë,
 Të mbeti pushka në dorë.
 Ja të vdesim ja të rrojmë,
 Saliun ta rrëzojmë.

O djem të zes’ ç’ u gjet
I hidhi malokët në det,
E bëni si në njëzet».
(Gëzim Zilja: “Unë e pashë kush e dogji Vlorën”, “Pelion”, Tiranë 2000, f. 69.)
Ibrahim Kelmendi, një veprimtar enverist i emigracionit shqiptar nga Kosova në Perëndim, i cili vizitoi Jugun e Shqipërisë në kohën e rebelimit në 1997, për t’ u paraqitur shqiptarëve të Kosovës një tablo të ndryshme nga ajo që kishin perceptuar ata duke parë turmat që ngrinin simbolin serb të tre gishtave. Por, Ibrahim Kelmendi nuk e fshehu dot racizmin që konstatoi. Në Jug, Kelmendit i shprehen në ton kërcënues  për forcat shtetërore: «Në qoftë se “malokët” shkelin prapë këndej». (Ibrahim Kelmendi, “Shqipëria-jashtë veriut dhe jugut», “Zëri i Kosovës”, Aarau, 1997, f. 125.)
Në raportin e komisionit parlamentar për ngjarjet e vitit 1997, të hartuar dhe miratuar nga mazhoranca e majtë parlamentare në 1998 thuhet:
«Katërshja B. Gazidede, Xh. Xhaferri, Agim Shehu dhe Sokol Mulosmani duke qenë nga e njëjta krahinë, shërbyen si drejtues të operacioneve dhe si drejtues të shtetit. Përse u emërua kjo katërshe nga Veriu për të sulmuar e drejtuar operacionet kundër Jugut? A nuk kemi të bëjmë këtu me një tendencë të kundërvenies së Veriut kundra Jugut?» (“Zëri i Popullit”,12 qershor 1998, f. 5.)
Bukur, po sikur edhe e djathta e dalë në opozitë pas zgjedhjeve të vitit 1997 të përdorte këtë logjikë, duke i përcaktuar operacionet që kryenin në Veri forcat policore dhe SHIK (SHISH), që pas ardhjes në pushtet të socialistëve tashmë drejtoheshin nga njerëz me origjinë nga Jugu, atëhere çka do të ndodhte në Shqipëri?
Në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit” të datës 25 nëntor 2003 ndodhej një fotografi e tubimit të një dite më parë të opozitës në Sheshin “Skënderbej” dhe kësaj fotografie i referohet titulli kryesor i asaj dite: “Llumi Berisha kërcënon”. Në faqen 10, ku është artikulli që i referohet ky titull, është ky nëntitull: “Mitingu i Berishës për mbrojtjen e votes së lire përfundon përpara kryeministrisë. Qytetaria, sipas Berishës, që duhej të protestonte për votën kanë ardhur nga qytete veriore për të hedhur parulla banale”. (“Zëri i Popullit”, 25 nentor 2003, f. 10.)
Pra, të gjithë njerëzit që kanë marrë pjesë në tubimin e opozitës definohen si “llum”dhe thuhet se ky “llum” ka ardhur nga “Veriu”. Sipas logjikes së gazetës së partisë në pushtet, në Tirane kanë të drejtë të vijnë veç njerëz prej qyteteve të Jugut, që janë “race e lartë”, kurse veriorët që janë “racë e ulët” duhet të rrijnë të mbyllur si në geto në vendet e veta.
Ja disa shembuj të tjerë nga kjo gazetë:
  -«Në mitingun e PD ndalohen qytetarë nga Laçi, Shkodra, Mirdita, Mati, Dibra». (“ZP”, 3 nëntor 2000, f. 1.)
Me sa duket, për “ZP”, shtetasit shqiptarë nga këto zona duhet të marrin leje në polici për të ardhur në Tiranë! Ose duhet të bëhet siç thuhet në atë humorin në “Portokalli”, në “Top Channel”, ku aktori që imiton Edi Ramën i drejtohet “Gjinit”, që është nga Kruja, duke i thënë: «O malok, pështyva këtu dhe nuk erdhe pa u tharë pështyma ime, ta bëra hyrjen në Tiranë me vizë Shengen!»
E që edhe Edi Rama i vërtetë flet kështu kjo kuptohet nga ato që ka thënë për tiranasit dhe që i kam cituar më lart.
-«Sa kohë do të qendrojnë banorët e Tiranës nën terrorin e të ardhurve mitingashë të periferisë-Injorantët në shesh». (“Zëri i Popullit”, 21 mars 2004, f. 1.)
«Sheshi “Skënderbej” ka qenë i pushtuar ashtu si gjithë Tirana nga njerëz me uniforma tutash, që me erën e keqe kanë mbytur bulevardin. Edhe pse kanë zbritur që herët nga Kamza, Lapraka e Bathorja me autobusët e linjës, janë përqëndruar në shesh atëhere kur kanë parë të mbërrijë lideri demokrat Berisha. Kishte dhe nga ata që kishin ardhur me biçikletë, me të cilat kanë protestuar përgjatë bulevardit, duke të kujtuar një film shqiptar ku përmenden ata që kishin blerë biçikleta pasi kishin shitur më parë gomerët». (po atje, f. 2.)
Gjëja më ironike është se këto fjalë thuhen në gazetën e një partie që pretendon se shpreh dhe mbron interesat e shtresave të paprivilegjuara!
Më tutje thuhet se të ardhurit kanë «demonstruar në të njëjtën kohë formimin e tyre sfidues ndaj qytetarisë». (“po atje, f. 2.)
Instruktive do të qe sikur sjellja e këtyre protestuesve të djathtë të kohës kur PS është në pushtet, të krahasohet me atë të deputetëve të majtë në sallën e parlamentit, në 28 korrik 2006, të cilët bënë gjëra që me siguri mund t’ i kishin bërë vetëm njerëzit kohës së gurit, sikur t’ i sillje në këtë sallë.
Në “Zëri i Popullit” të datës 16 mars 2004 botohet shkrimi “Antishtet dhe mosqytetari”, ku tregohet  një incident që ka pasur dikush në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me një njeri që në shkrim paraqitet si malësor. Por, shkruesi jep të kuptohet se ky malësor është nga Veriu, duke paraqitur të folmen e tij në dialekt, kur i thotë: “s’ pyes për shtetin tuj”. (“Zëri i Popullit”, 16 mars 2004, f. 9.)
Në shkrim krijohet stereotipi i horrit të rrugës në kryeqytet dhe opozitarit, ai është  malësor i ardhur nga Veriu: “Dhe bashkë me të sharat, me nënë e babë, motër e vëlla, rrodhën dhe një lumë të sharash për qeveri, ministri, për Nano etj”. (po atje: f. 9.)
Dhe autori konkludon: «Por para së gjithash le ta pastrojmë shoqërinë nga atavizmat se që andej vjen dhe politika e ditëve tona. Se vërtet mund të themi “Qeveri ik”, por a do të guxojmë të themi “Antishtet eja”». (po atje: f. 9.)
Pra, kërkohet që të pastrohet Tirana nga të ardhurit nga Veriu dhe (si vallë, me pastrim etnik?) dhe politika prej tyre, nënkupto prej Berishës. Të ardhurit nga Veriu në Tiranë dhe veriorët në përgjithësi, identifikohen me “Antishtetin” dhe përcillet idea se pushteti i PS duhet pranuar si e keqja më e vogël, pasi alternative janë ata, “malokët”, “Antishteti”. Është ironike se modelin më paranoiak të antishtetit në historinë e Shqipërisë, shtetin komunist antinjerëzor, nuk e kanë ndërtuar shqiptarët e Veriut, por ata që përgjithësisht i akuzojnë veriorët si njerëz me mendësi antishtet.

Shqiptarizmi jopërjashtues.
Shqiptarët, derisa janë një popull i vjetër, janë një nacion (komb) i ri dhe një shtet edhe më i ri. Sot, pas rreth një shekulli, mund të thuhet me keqardhje se ende ka resentimente mes pjesëve të kombit dhe ç’ është më e keqja një pjesë e madhe e politikanëve dhe shtetarëve, gjatë kësaj periudhe, ka punuar për t’ i gjeneruar këto resentimente dhe për t’ i përdorur ato politikisht. Kjo bën që, në një mënyrë ose në një tjetër, të vijë në pyetje vetë ekzistenca e mëtejshme e kombit dhe e shtetit shqiptar në atë çka është sot. Gjërat nuk mund të shkojnë gjatë të qeta në rast se vazhdon të akumulohet urrejtje. Është e domosdoshme që të kuptohet se duhet të ndryshojë mentaliteti i sotëm i një pjese të popullsisë së Republikës së Shqipërisë dhe i elitës së saj politike dhe intelektuale, ndryshe këto të këqija do të shkatërrojnë dhe Shqiptarizmin në formën që është sot, për t’ i lënë vendin një tjetër Shqiptarizmi që i përjashton ata që çojnë tek ai konfliktin, resentimentet, politikën fashiste. Pra, alternativa më e mirë është që të gjithë të fillojnë të mësohen ta pranojnë tjetrin, ta shohin si të barabartë shqiptarin e ardhur nga malësitë në qytete, njëlloj si atë që ka ardhur atje, përgjithësisht vetëm disa dekada para tij. Në këtë sens, procesi i legalizimit të banesave, është më tepër një process i legalizimit të atij njeriu shqiptar që ndoshta më tepër se të gjithë i meriton qytetet e mëdha shqiptare, pasi këtij njeriu i detyrohemi për ruajtjen e nacionit (kombit).

2006