nga Kastriot Myftaraj
Nëse dëshiron të kuptosh politikën shqiptare të periudhës paskomuniste duhet që së pari të ndryshosh mënyrën e perceptimit të gjërave, në mënyrë që t’ i shmangesh një mashtrimi si ai në mitin e lashtë grek të buallit të Kakusit. Sipas këtij miti, vjedhësi i famshëm me emrin Kakus, njëherë kur grabiti një buall, për t'u shpëtuar ndjekësve të tij, e tërhoqi kafshën për bishti në mënyrë që gjurmët të tregonin sikur ajo ecte përpara, ndërsa në të vërtetë ishte duke ecur pas. Në të njëtën mënyrë, kursi i politikës shqiptare në periudhën paskomuniste është një ecje pas, një riciklim i një situate historike të shkuar, pikërisht asaj të viteve 1912-1944. Periudha paskomuniste në Shqipëri ngjan shumë me periudhën pas krijimit të shtetit shqiptar deri në 1944. Aristokracia osmane shqiptare, bejlerët dhe pashët i qëndruan deri në fund besnikë Imperisë Osmane, pasi donin që të ruanin privilegjet që u kishte dhënë ajo, që nga postet dhe deri tek çifligjet. Edhe ajo që quhet si lëvizja nacionale shqiptare, deri tek kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, ishin një aspekt i konfliktit politik që zhvillohej në kryeqytetin e osman, mes partive të ndryshme, në fillim pro xhonturqve pastaj kundër tyre.
Sipas Ismail Qemal bej Vlorës, kreut dhe ideologut të lëvizjes, kryengritja nuk qe drejtuar kundër Turqisë, por veç kundër xhonturqve, të cilët atëherë patën edhe shumë kundërshtarë në Turqi: “Kryengritja e përgjithshme dhe hyrja e të gjithë fuqive shqiptare në Shkup, i dha fund fuqisë kriminale të Turqve të Rinj, që shkaktoi shpërndarjen e dhomës (parlamentit- K. M.). Pasi arritëm qëllimet tona patriotike, u kthyem në bindjen tonë ndaj Perandorisë”.(Ismail Qemal Vlora, “Kujtime”, “Toena”, Tirane, 1997. f. 314.)
Me këtë shpjegohet fakti që kryengritja u zhvillua pa flamurin shqiptar dhe me fitoren e saj nuk u shpall pavarësia e Shqipërisë. Në të njëtën mënyrë edhe nomenklatura komuniste shqiptare ishte e fundit në Lindje që u nda nga komunizmi, pasi donte që të ruante privilegjet e veta. Disa muaj pas pajtimit të kryengritsve shqiptarë me Stambollin, gjatë Luftës së Parë Ballkanase, kur u bë e qartë se Turqia qe dëbuar nga Shqipëria dhe Europa, elita osmane shqiptare shpejtoi të marrë në dorë kauzën e nacionalizmit shqiptar, duke shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Me këtë ajo shpejtoi të merrte në dorë kontrollin e shtetit të porsakrijuar shqiptar, në mënyrë që të sigurohej vazhdimësia e privilegjeve, nga postet tek çifligjet.
I njëjti Ismail Qemal bej Vlora, që shkruante kështu për gushtin e vitit 1912, pas tre muajsh, në nëntor, ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Imperia Osmane. Ismail Qemal bej Vlora u bë kreu i parë i qeverisë shqiptare, i ndjekur nga një tufë bejlerësh dhe pashësh që e qeverisën Shqipërinë deri në 1944, që nga Turhan pashë Përmeti, Aqif pashë Biçaku, Ahmet bej Zogolli, e deri tek Shefqet bej Vërlaci dhe Mehdi bej Frashëri e Ibrahim bej Biçaku etj. Por, duke qenë se e dinin se shteti i ri do të qe sipas modelit europian, laik dhe joaristokratik në letër, atëhere sa për dekoracion morën morën në rrethin e tyre të pushtetit edhe kristianë ortodoksë e katolikë si Ndoc Çoba, Pandeli Evangjeli, Koço Kotta etj., si dhe intelektualë muslimanë nga shtresa e mesme. Në fakt, në kuadrin e sistemit të kastave të regjimit osman, një kastë e privilegjuar ekzistonte dhe midis të krishterëve, me sistemin e bajraqeve për katolikët, si dhe me sistemin e miletit dhe në kuadrin e sistemit të korporatave (esnafeve) për ortodoksët.
E gjithë kjo qe pjesë e marrëveshjes së kompromisit midis Fuqive të Mëdha-kujdestare të Shqipërisë dhe aristokracisë së vjetër osmane shqiptare. Fuqitë e Mëdha vazhduan si «ancient regime» (osman) që ta qeverisin Shqipërinë me anë të aristokracisë osmane (pashët dhe bejlerët). Këta të fundit qenë gati të bënin kompromis me Fuqitë e Mëdha që, nëse këto u jepnin licencën e sundimit të Shqipërisë, e u ligjëronin pronësinë e tokave të uzurpuara, ata do të pranonin të qeverisnin Shqipërinë si një miniaturë të Imperisë Osmane, në interes të këtyre Fuqive. I dëmtuari nga kjo marrëveshje dilte populli shqiptar që shihte se në thelb gjërat mbeteshin siç kishin qenë.
Familjet e mëdha feudale osmane patën uzurpuar toka të gjera bujqësore, duke i kthyer në çifligje, në shumë raste patën uzurpuar sistemin e ujitjes, duke i detyruar fshatarët të paguanin për të, në shumë raste patën uzurpuar kullotat etj. Në qytete feudalët patën uzurpuar territorin ku qenë ndërtuar tregjet, duke i detyruar tregëtarët të paguanin qira për dyqynet që përdornin dhe duke i ndaluar me forcë ta zhvendosnin tregun në vend tjetër. Për të gjitha këto grabitje kishte ankesa të mëdha nga bujqit dhe tregëtarët e vegjël të qyteteve, të cilët prisnin që në shtetin e ri të euopianizuar t’ u jepej fund këtyre padrejtësive. Por ankesat e tyre nuk i dëgjoi kush.
Pas Luftës së Parë Botërore, Europa i kërkoi elitës osmane të cilën e kishte si interlokutore në Shqipëri, që të instauronte pluralizmin politik. Atëhere, kjo elitë bëri një farsë duke u ndarë në dy partitë e mëdha politike që u krijuan në atë kohë, në Partinë Popullore dhe në Partinë Përparimtare. Partia Përparimtare, e cila njihej si konservatore ishte e mbushur me bejlerë. Por, edhe në Partinë Popullore që shihej si e majtë, veç politikanëve të njohur si liberalë ose me bindje të majta, si Fan Nolit, Avni Rustemi etj., qenë disa nga bejlerët e mëdhenj shqiptarë si Ahmet bej Zogolli(Zogu), Ali bej Këlcyra, Sami bej Vrioni etj. Në Partinë Popullore, u lejohej të dilnin në rradhën e parë personave me reputacion liberal, por megjithatë si figura kryesore ishte duke dalë një bej, Ahmet bej Zogolli. Këto parti do të bënin grindje të mëdha mes tyre, edhe për faktin se donin kush e kush t’ i rrëmbente tjetrit postet dhe privilegjet e tjera që vinin nga pushteti, edhe sepse ishin bërë klientë të fuqive të huaja dhe zbatonin skemat e tyre, por edhe për t’ i dhënë të kuptonte popullit se ishin palë të kudnërta që po luftonin për interesat e grupimeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare që pretendonin se i përfaqësonin. Kështu, në vitin 1924, ku u tha se u dëbua me Revolucionin e Qershorit regjimi i bejlerëve, në regjimin revolucionar kishte megjithatë shumë bejlerë dhe madje pashë, si Aqif Pashë Biçaku, Sami Bej Vrioni, Ali bej Këlcyra, Sulejman bej Delvina etj.
Të njëjtën gjë bëri dhe nomenklatura komuniste nga viti 1990 e deri më sot. Kur e pa se komunizmi në Lindje po shembej, ajo vendosi ta bëjë vetë procesin e ndryshimit të sistemit politik, pasi siguroi pëlqimin e kancelarive ndërkombëtare për të qenë ajo interlokutore politike e tyre në Shqipëri dhe duke u shërbyer atyre, me kusht që ato t’ i njihnin të drejtën të mbante pushtetin dhe të siguronte pasuri dhe privilegje të tjera. Pastaj luajti po atë farsë të vitit 1912 dhe 1920 duke lejuar pluralizmin politik dhe duke transformuar PPSH-në në PS, si dhe duke i vënë funksionarët e PPSH dhe pinjojtë e nomenklaturës edhe në partitë e opozitës dhe sidomos në partinë kryesore të opozitës, PD. Këta do të mbanin fort nën kontroll të gjitha partitë, që pushteti t’ i mbetej ish-nomenklaturës komuniste dhe pinjojve të saj. Por, sa për dekoracion do të hynin në partitë e opozitës dhe posaçërisht në PD dhe do të merrnin edhe pushtet ish të persekutuar politikë, por njerëz me garanca absolute në lidhje me regjimin e vjetër.
Në kuadrin e kësaj skeme hynë në politikën e lartë, nga ana e PD-së, Pjetër Arbnori, Dylber Vrioni, Jozefina Topalli, Aldo Bumçi. Kështu, ashtu siç ish-aristokracia osmane shqiptare, në vitet 1912-1944 kontrollonte me përfaqësuesit e vet linjat e kundërta kryesore të politikës shqiptare, veç komunizmit, ashtu edhe ish-nomenklatura komuniste pas vitit 1990, pinjojtë e së cilës sot gjenden kryesisht në PS, e kontrollonte edhe “të kundërtën” e vet PD-n. Në këtë skemë politike Berisha, ish-sekretar i PPSH dhe komunist nga viti 1968, qe në rolin e atyre bejlerëve që në vitet ’20 qenë bashkuar me Partinë Popullore dhe opozitën noliste kundër Ahmet Zogollit.
Ashtu si aristokracia osmane që në shtetin e ri legalizoi tokat e uzurpuara me të cilat kishte krijuar çifligje të mëdha, edhe elita me origjinë tek nomenklatura komuniste e Shqipërisë paskomuniste, uzurpoi pasurinë kombëtare, me anë të privatizimit fillimisht të dyqaneve, magazinave, kafeneve dhe restoranteve dhe pastaj edhe të komplekseve të mëdha të ndërmarrjeve të kohës së komunizmit.
Të dy palët e politikës shqiptare, në vitet 1913-1944, ndërsa ishin të dominuara nga njerëz të aristokracisë osmane, shanin me të madhe Imperinë Osmane për të këqijat që i kishte bërë Shqipërisë dhe akuzonin njëri tjetrin se i kishte shërbyer Sulltanit dhe se kishte ende frymën osmane. Por, të dy palët binin dakord për një gjë, që duheshin ruajtur për llojin e tyre privilegjet, duke filluar që nga pushteti dhe deri tek çifligjet. E njëjta gjë bëhet dhe në Shqipërinë e pas vitit 1990 kur të dy krahët e politikës, edhe pse të dominuara nga ish-njerëzit e nomenklaturës komuniste dhe pinjojtë e tyre, akuzojnë njëri tjetrin për lidhjet me regjimin komunist dhe se ky apo ai ruan ende frymën e kohës së komunizmit. Kështu ish-sekretari i organizatës së PPSH, Sali Berisha, gjëmon kundër komunizmit dhe akuzon krerët e PS-së si enveristë dhe stalinistë. Ata i përgjigjen me të njëtën mënyrë. Nipi i dy njerëzve të nomenklaturës komunsite, Sokol Olldashi, grindet me pinjollin e nomenklaturës komuniste Edi Ramën, duke u hequr se do t’ i bëjë të pabërën me një komision hetimor, siç ndodhi para tre vitesh, e kështu me rradhë.
Elita osmane që mori nën kontroll shtetin shqiptar pas vitit 1912 dhe e mbajti deri në 1944, ndërtoi një shtet me institucione dekorative, sa për t’ i thënë botës se Shqipëria kishte një shtet si të gjithë vendet e qytetëruara. Por pas këtij dekori vazhdonte të dominonte sistemi i vjetër klientelist osman i tarafeve, sipas të cilit posti politik shihej si një burim fitimesh të kundraligjshme dhe në shkëmbim të besnikërisë ndaj tarafit (klanit) politik në shërbim të të cilit duhet ta vije postin, duke i dhënë kreut të tij një pjesë të fitimeve të nxjerra në mënyrë kundraligjshme dhe mbështetje në kohën e zgjedhjeve. Forca lëvizëse e këtij sistemi qe korrupsioni.
Të njëjtën gjë bëri dhe elita me origjinë nga nomenklatura komuniste që mori nën kontroll Shqipërinë pas vitit 1990. Edhe kjo ndërtoi institucione dekorative sipas modelit perëndimor, me ndarje pushtetesh, por pas këtij dekori vepronte po i njëjti sistem korruptiv. Në këtë sistem lulëzoi korrupsioni, krimi, trafiqet si kuintesenca e tij dhe të tjera gjëra të këqija.
Elita politike dhe ekonomike me origjinë nga aristokracia osmane që qeverisi vendin në vitet 1913-1944, u deligjitimua së pari moralisht dhe deligjitimoi dhe sistemin politik që ndërtoi, duke përfunduar në një diktaturë në 1924 dhe duke u bërë kliente e fashizmit pas vitit 1939. Nga qeverisja e saj rezultoi një shoqëri e polarizuar ku nga njëra anë qe një pakësi e pasur dhe nga ana tjetër një shumësi e varfër. Lufta e Dytë Botërore qe për shoqërinë shqiptare si një tërmet për një ndërtesë të ndërtuar keq dhe që mbahej vetëm se nuk ishte vënë në provë qendrueshmëria e saj. Është sinjifikative që një lëvizje minore e shoqërisë shqiptare, siç qe ajo komuniste që në 1941 numëronte jo më shumë se 200 vetë, brenda tre vitesh arriti të mobilizojë një forcë të aftë për të marrë pushtetin. Ballafaqimi nuk qe aq midis lëvizjes komuniste partizane dhe okupatorit të huaj, se midis lëvizjes komuniste partizane dhe establishmentit shqiptar të delegjitimuar në sytë e popullit që e kontrollonte Shqipërinë. Gjyqet speciale komunsite të viteve 1945-1946, pavarësisht konotacionit që iu dhanë komunistët, ishin gjyqe që njëfarlloj kishin legjitimetin e historisë, ashtu që në to doli establishmenti (kryeministra, ministra, gjykatës, prokurorë, oficerë të lartë, diplomatë etj.), që e patën sunduar Shqipërinë në vitet 1912-1944 dhe që ishin përgjegjës për të këqijat e përmendura më lart që ndodhën në këtë periudhë. Në fakt, nuk qenë delegjitimuar thjesht individët, por sistemi që ata ndërtuan. Kjo mundësoi fitoren e komunizmit.
Edhe elita politike dhe shtetërore që dominon Shqipërinë pas vitit 1990 ka arritur në një pikë si ajo e viteve 1912-1944, kur nuk janë delegjitimuar individët, por edhe sistemi që ata kanë ngritur. Expedienti elektoral i Mega-dushkut dhe futja për diversion elektoral e kandidatëve të pavarur në zgjedhje delegjitimoi demokracinë si një vlerë e pamundur për t’ u zbatuar në shoqërinë shqiptare. Korrupsioni i gjykatave dhe prokurorive, si dhe rritja e krimeve dhe trafiqeve dhe e padrejtësive në çështjet civile, në përpjestim të zhdrejtë me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, delegjitimoi ndarjen e pushteteve si një parim i pamundur për t’ u zbatuar në realitetin shqiptar. Shoqëria shqiptare sot është ekonomikisht jo më pak e polarizuar se ajo e para vitit 1944, midis një elite ekonomike shumë të pasur dhe shumësisë së popullsisë.
Në dinamikë të kësaj krize të shoqërisë shqiptare, që ka delegjitimuar jo thjesht elita politike dhe klasa administrative shqiptare është se shoqërisë shqiptare i mungojnë vlerat e nevojshme për këtë sistem politik dhe shtetëror, që janë ndjenja e përgjegjësisë qytetare dhe nacionale, që sjell vetëpërmbajtjen, si dhe disiplina. Në këto rrethana, në rast se një mrekulli nuk do ta ndryshojë gjendjen, duhet pritur në mënyrë të paevitueshme që herët a vonë, ashtu siç ndodh me shtresat e qymyrit që kur shtypen fort prodhojnë diamante, që të dalë në shoqërinë shqiptare një minorancë e cila do ta merrte kontrollin e vendit nga elita politike e tashme, në emër të një regjimi më se autoritarist, por puritan, që do të vinte vërtet rendin dhe drejtësinë në vend dhe do të korrigjonte polarizimin ekonomik të ardhur nga uzurpimi i pasurisë kombëtare nga një pakësi, të gjente në mos mbështetje aktive masive, së pakut me siguri mbështetje pasive, morale.
Për këtë do të mjaftonte një situatë-ekuivalent i Luftës së Dytë Botërore(në sensin një krizë ndërkombëtare e madhe jo domosdoshmërisht një luftë), që i shërbeu lëvizjes komuniste. Në rast se ato qendra të huaja që duket se kanë interes që në Shqipëri të ndërtohet një shtet solid, do të kërkojnë një ditë që ta bëjnë seriozisht këtë gjë, kjo është e vetmja mënyrë. Për shoqëri ku mungon një sens disipline, tek elitat dhe tek popullsia, siç është ajo shqiptare, i vetmi model që mund të funksionojë për të ndërtuar një shtet solid dhe një shoqëri të prosperuar është ai që u zbatua në shoqëri të ngjashme me atë shqiptare si Korea e Jugut, Taiwan, Singapoor etj. SHBA-të, të cilat ishin vendi që bëri kujdestarin e këtyre vendeve gjatë kohës që ato i hynë kësaj sfide dhe e fituan atë, e dijnë shumë mirë këtë gjë.
2006





