Jozefina Topalli- ikona apo “Mari Antuaneta” e PD-së




Nga Kastriot Myftaraj

Trajektorja politike e Jozefina Topallit

        Kur përshkruhet karriera e një politikani shpesh përdoret fjala “trajektore”, çka është një metaforë nga fizika, posaçërisht nga kinetika, që tregon lëvizjen e sendeve. Trajektorja e karrierës politike të Jozefina Topallit është krejt impresionuese. Siç, Jozefina Topalli e ka pohuar vetë, në një dalje të saj në “Zonë e lirë” të Arian Çanit para disa muajsh, ajo hyri drejtpërdrejt në politikën e lartë në vitin 1996, duke u bërë deputete, pa qenë e angazhuar në politikë. Atëherë ajo nuk qe madje as anëtare thjeshtë e PD-së në Shkodër. Vetë Jozefina Topalli, në jetëshkrimin e vet të gjatë që ka vënë në faqen e Kuvendit të Shqipërisë në internet (http://www.parlament.al/) thotë për veten në vetën e tretë: “Viti 1996 shënon fillimet e karrierës së saj politike”. Ky katapultim politik atëhere bëri shumë përshtypje në qarqet e demokratëve, pasi në atë kohë nuk pati dalë moda e katapultimit të individëve në politikë nga e ashtuquajtura “shoqëri civile”.
        Në kohën që Jozefina Topalli u ftua të kandidonte për deputete e PD-së, para zgjedhjeve të vitit 1996, në PD-në e Shkodrës ndodhi gati një rebelim kundër qendrës, duke u kundërshtuar kandidimi i saj, së pari për arsyen se ajo nuk qe anëtare e PD-së. Madje u krijuan dhe disa situata komike kur disa individë në PD-në e Shkodrës, me porosi të qendrës deshën të sajojnë për Jozefina Topallin një anëtarësim në PD. Por nga kjo u hoq dorë për shkak se një funksionar i lartë i PD-së lokale që përgjigjej për dokumentacionin deklaroi se në rast se në rast se zonja Topalli zotëronte një teserë të PD-së, atëhere ajo qe falso derisa nuk pati kaluar në duart e tij. Për të kuptuar se kush është në të vërtetë një politikan, duhet parë mënyra se si ka hyrë në politikë. Kur u krijua PD në Shkodër, Jozefina Topallin e ftuan që të bëhet anëtare, por ajo kundërshtoi duke thënë se nuk donte që të angazhohej në politikë pasi familja e saj e pati pësuar nga politika. Këtu ajo e pati fjalën për disa të dënuar politikë në kohën e regjimit komunist, si nga familja e vet, ashtu dhe nga ajo e burrit të vet. Ky hezitim i Jozefina Topallit për të hyrë në politikë, në fillim të pluralizmit politik, mund të shpjegohet me frikën që i qe kultivuar asaj si bijë e një familjeje të persekutuarish politikë. Por, koha tregoi se ky qe vetëm njëri aspekt i çështjes. Në fakt, Jozefina Topalli refuzoi të hynte në politikë kur asaj i propozuan vetëm angazhim politik pa përfitime të mëdha, por pranoi të hynte në politikë pa hezitim kur asaj i propozuan në vitin 1996 që të hynte në politikë duke marrë benefice të mëdha, pra duke u bërë drejtpërdrejt deputete, pasi një kandidim në Shkodër donte të thoshte se qe e sigurt që do të bëhej deputete.
Jozefina Topalli si ikonë politike
        Kjo mënyrë e hyrjes në politikë tregon shumë për karakterin e Jozefina Topallit. Në mitologjinë politike shqiptare ekziston miti sikur forca në origjinë të karrierës politike të Jozefina Topallit është Kolec Topalli, shefi i kabinetit të Presidentit Berisha, i cili qe i afërm i burrit të Jozefina Topallit dhe që e propozoi këtë për deputete tek Berisha. Asgjë të vërtetë nuk ka tek ky mit politik. Kolec Topalli mund të jetë përdorur për ta prezantuar Jozefina Topallin tek Berisha, por asgjë më tepër. Jozefina Topalli hyri në politikë në një mënyrë artificiale, ashtu siç e ka bërë praktikisht çdo gjë në jetën e vet. Duke vazhduar metaforën e fillimit të këtij shkrimi, derisa kinetika tregon vetëm lëvizjen e trupave pa treguar forcat që e shkaktojnë atë, dinamika tregon forcat që bëjnë të mundur këtë lëvizje. Në dinamikë të trajektores politike të Jozefina Topallit qëndron prirja e Sali Berishës për të bërë një përfaqësim dekorativ politik dhe shtresave dhe grupimeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Në këtë sens, Jozefina Topalli hyri në politikën e lartë shqiptare si një ikonë që duhet adhuruar. Ajo duhet të qe ikonë përfaqësuese e katolicizmit shqiptar, e shtresës së ish të persekutuarve politikë, e grave, posaçërisht e gruas intelektuale që vjen nga rrethet akademike e qytetarisë shkodrane, e shtresës së pasur të periudhës para regjimit komunist. Dhe siç do ikonë ajo duhet të qe dhe e bukur. Tash le ta pranojmë, a mund të gjendej një njeri tjetër që t’ i kishte të gjitha këto cilësi në mënyrë decorative, pa sipërfaqësore, pa përfaqësuar thelbin e tyre, me përjashtim të bukurisë? Se, ashtu si çdo ikonë është një simbol i rremë, një rudiment i idolatrisë së vjetër, që nuk e bart frymën e shenjtë përveçse në fantazinë e njerëzve, edhe Jozefina Topalli ajo duhej të qe një simbol i rremë, që nuk e bartte realisht frymën e shtresave që pretendonte se i përfaqësonte. Dhe ç’ është më e keqja, njeriu që do të paraqitej në këtë ikonë politike duhet të kishte dhe një cilësi tjetër, në mënyrë që të kishte garanci se nuk do të devijonte nga performance e pluralizmit katovician. Duhet të qe nga ajo pjesë e shtresës së ish-të persekutuarve politikë dhe ish-pronarëve të mëdhenj që në një mënyrë ose në një tjetër pati bërë paktin mefistofelik me regjimin komunist.
A është vërtet ish- e persekutuar politike Jozefina Topalli
        Historiani amerikan Pol Johnson thotë se në histori janë sinjifikuese jo vetëm gjërat që ndodhin, por edhe ato që nuk ndodhin. Unë them se kjo vlen dhe për individët. Në rastin e Jozefina Topallit nuk mundet mos të jetë sinjifikues fakti që ajo dhe familja e saj, si nga babai ashtu dhe nga burri nuk u internuan nga regjimi komunist, por jetuan gjatë gjithë kohës në qytetin e Shkodrës, kur familje të tjera, më pak të rëndësishme si të deklasuara për regjimin, qenë internuar. Madje vetë Jozefina Topalli, me gjithë biografinë e vet të keqe për regjimin, ia doli që të siguronte një punë të mirë si laborante në Institutin e Misrit dhe të Orizit në Shkodër, në një kohë që ky vend punë pëlqehej dhe nga shumë njerëz me biografi të mirë për regjimin. Në atë kohë kundër saj janë shkruar shumë letra në Komitetin e Partisë në Shkodër, në Komitetitn Ekzekutiv dhe në Degën e Punës së Brendshme, por megjithatë Jozefina Topalli nuk u largua nga kjo punë. Kur Jozefina Topalli u bë e pushtetshme dhe i kishte në dorë arkivat, ajo mund t’ i ketë parë këto letra, në rast se nuk kapasur privilegjin t’ i shohë që në kohën kur u çuan. Jozefina Topalli, në jetëshkrimin e vet të gjatë prej 503 fjalësh që ka vënë në faqen e Kuvendit të Shqipërisë në internet (http://www.parlament.al/) ajo nuk ka preferuar të paraqitë data të sakta për  vendet se ku ka punuar para vitit 1990, kur dihet se duke qenë e datlindjes 1963, ajo ka punuar 8-9 vite në kohën e regjimit komunist.  Kjo e ka një arsye.
        Në vitin 1989 madje Jozefina Topallit iu dha e drejta për të vazhduar shkollën e lartë për matematikë. Në atë kohë, me fillimin e procesit të ndryshimeve politike në Europën Lindore regjimi komunist shqiptar tregoi disa shenja zbutjeje në luftën e klasave, por kjo u bë vetëm ndaj njerëzve nga të cilët regjimi pati siguruar garanci absolute, në mënyrën që ai regjim dinte ta bënte këtë gjë. Kjo dhe për faktin se pjesa më e madhe e njerëzve nga shtresa e të persekutuarve politikë që morën të drejta studimi në shkollën e lartë në vitet 1989-1990 rezulton që pas instalimit të pluralizmit politik bënë karrierë në politikë dhe në të ashtuquajturën shoqëri civile. Jozefina Topalli është individi më ilustrativ në këtë sens. Derisa Jozefina Topallit, me biografinë që kishte, iu dha e drejta e studimit në shkollën e lartë në atë, mund të deduktohet se ajo qe në këtë skemë të ish-regjimit komunist.
        Dikush nga ata që do ta lexojnë këtë shkrim, do të thotë se unë këtu po spekuloj. Por, ka dhe një argument tjetër të tërthortë që provon se unë kam të drejtë dhe ky është fakti se Jozefina Topalli, në jetëshkrimin e vet të gjatë që ka vënë në faqen e Kuvendit të Shqipërisë në internet (http://www.parlament.al/) ajo nuk ka preferuar të paraqitë data të sakta as për shkollimin e vet para dhe pas viteve ’90. Pse?!

A është intelektuale Jozefina Topalli
        Në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli shkollimin e vet e paraqit kështu: “E lindur në Shkodër në nëntor 1963, Jozefina Çoba Topalli kreu studimet e larta në dy fakultete; në atë të Matematikës dhe të Drejtësisë në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’, Shkodër. Studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës, në Itali dhe u diplomua për master “Administrim publik” në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është master-kandidate në “Studime europiane”.
        Siç shihet data precize për kohën kur e filloi dhe e mbaroi shkollën nuk jep. Veçanërisht me interes do të qe shkollimi i saj në kohën e regjimit komunist dhe para se të hynte në politikën e lartë, se pasi hyri në politikën e lartë kuptohet se mund të koleksiononte diploma dhe mastera sipas dëshirës.
        Edhe për vendet se ku ka punuar pas vitit 1990 Jozefina Topalli jep të dhëna jo të plota dhe kontradiktore në jetëshkrimin e vet në faqen e Kuvendit në Internet. Atje shkruhet:  “Në vitet 1992-1995 ajo punoi në Dhomën  e Tregtisë në qytetin e Shkodrës dhe në vitet 1995-1996 ishte kancelare dhe pedagoge në Universitetin ‘ Luigj Gurakuqi”.
        Jozefina Topalli ka qenë vërtet pedagoge në fakultetin juridik të Universitetit të Shkodrës, që nga viti 1995. Në kohën që ajo studionte në vitin e tretë të fakultetit juridik në Shkodër, ajo jepte mësim në vit të parë të këtij fakulteti!? Kjo studente-pedagoge përbën me siguri një rast unik në botë. Rasti i saj u diskutua deri edhe në takimet e autoriteteve shqiptare me të dërguarit e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian, të cilët u angazhuan për këtë çështje pas protestës së një grupi juristësh nga Shkodra, nëpërmjet strukturave të shoqërisë civile. Reporterët e Këshillit të Europës nuk donin ta besonin se një gjë e tillë qe e vërtetë dhe bashkëbiseduesit e tyre zyrtarë shqiptarë e patën shumë të vështirë të gjenin argumente për të mbrojtur çështjen “Topalli”.
        Kështu që edhe miti i krijuar nga vetë Jozefina Topalli se ajo hyri në politikë nga qarqet akademike, si një intelektuale e kultivuar është i rremë. Karriera akademike e Jozefina Topallit është një farsë, ashtu si karriera e vet politike. Jozefina Topalli nuk hyri në politikë si intelektuale thjesht për faktin se ajo nuk qe e tillë. Ajo nuk është ende një intelektuale, edhe pse përpiqet shumë të krijojë për veten këtë imazh, duke u paraqitur si një njeri me tre diploma të shkollës së lartë, me më tepër se një master, si dhe me disa gjuhë të huaja. Në jetëshkrimin që ajo ka vënë në faqen e Kuvendit në Internet thuhet: “Jozefina Çoba Topalli është njohëse mjaft e mirë e gjuhëve angleze, italiane, frënge dhe ruse”.
        Nga të gjitha këto gjuhë Jozefina Topalli njeh relativisht mirë vetëm italishten, që ka qenë gjuha tradicionale e katolikëve të Shkodrës. Idioma e anglishtes së saj është e cekët dhe e mbushur me latinizma. Rusishten ajo e njeh më mirë se anglishten, pasi në vitin 1995 ka bërë edhe një specializim në Minsk të Bjellorusië, të cilin sot nuk preferon ta shënojë në jetëshkrim. Sa për frëngjishten, atë e njeh në masën që e flet një italishtfolës mesatar.

Jozefina Çoba Topalli, në traditën e Ndoc Çobës
        Siç kam thënë më lart, Jozefina Topalli u zgjodh për të përfaqësuar në politikë në mënyrë fiktive kryesisht ato shtresa dhe grupe sociale që qenë persekutuar nga regjimi komunist, katolikët, ish të persekutuarit politikë dhe posaçërisht shtresën e pasur të para vitit 1944. Në ketë sens, karriera e saj i ngjan të afërmit të saj Ndoc Çoba në vitet pas krijimit të shtetit shqiptar dhe deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Periudha paskomuniste në Shqipëri ngjan shumë me periudhën pas krijimit të shtetit shqiptar deri në 1944. Kur u pa se Perandoria Osmane po dëbohej nga Europa, aristokracia osmane shqiptare, bejlerët dhe pashët shpejtuan të marrin në dorë kauzën e nacionalizmit shqiptar për të marrë ata nën kontroll shtetin shqiptar që do të krijohej.
        Dhe kështu bënë. Ismail Qemal bej Vlora u bë prijësi i tyre dhe kreu i parë i qeverisë shqiptare, i ndjekur nga një tufë bejlerësh dhe pashësh që e qeverisën Shqipërinë deri në 1944, që nga Turhan pashë Përmeti, Aqif pashë Biçaku, Ahmet bej Zogolli,  e deri tek Shefqet bej Vërlaci dhe Mehdi bej Frashëri e Ibrahim bej Biçaku. Por, duke qenë se e dinin se shteti i ri do të qe në Europën kristiane, atëhere sa për dekoracion morën morën në rrethin e tyre të pushtetit disa kristianë ortodoksë e katolikë si Ndoc Çoba, Pandeli Evangjeli, Koço Kotta etj. Të njëjtën gjë bëri dhe nomenklatura komuniste nga viti 1990 e deri më sot. Kur e pa se komunizmi në Lindje po shembej, ajo vendosi ta bëjë vetë procesin e ndryshimit të sistemit, duke i vënë funksionarët e PPSH dhe pinjojtë e nomenklaturës edhe në partitë e opozitës dhe sidomos në partinë kryesore të opozitës, PD.
        Por, sa për dekoracion do të hynin në partitë e opozitës dhe posaçërisht në PD dhe do të merrnin edhe pushtet ish të persekutuar politikë, por njerëz me garanca absolute në lidhje me regjimin e vjetër. Në kuadrin e kësaj skeme hyri në politikën e lartë Jozefina Topalli. Kështu, ashtu siç ish-aristokracia osmane shqiptare, në vitet 1912-1944 kontrollonte me përfaqësuesit e vet linjat e kundërta kryesore të politikës shqiptare, veç komunizmit, ashtu edhe ish-nomenklatura komuniste pas vitit 1990, pinjojtë e së cilës sot gjenden kryesisht në PS, e kontrollonte edhe “të kundërtën” e vet PD-n. Në këtë skemë politike Berisha, ish-sekretar i PPSH dhe komunist nga viti 1968, qe në rolin e atyre bejlerëve që në vitet ’20 qenë bashkuar me Partinë Popullore dhe opozitën noliste kundër Ahmet Zogollit, si Ali Këlcyra dhe Sami Vrioni.     
        Që në takimin e parë, midis Berishës dhe Jozefina Topallit pati një “colpo di fulmine”, çka i bëri ata një çift të pandarë politik. Gjatë tetë viteve që PD-ja që në opozitë, në pjesën më të madhe të udhëtimeve jashtë shtetit, Berisha dhe Topalli kanë qenë së bashku. Në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e majit 1996, Jozefina Topalli u bë kryetare e komisionit të ligjeve, për shkak se në vitet ’90 ajo pati kryer dhe fakultetin juridik në Shkodër.

Jozefina Topalli e sakrifikoi Pjetër Arbnorin si Salomeja Shën Gjon Pagëzorin
        1997, viti i zi për Shqipërinë, qe për Jozefina Topallin annus mirabilis (viti i mrekullisë). Trajektorja politike e Topallit u ngjit drejt qiellit në këtë vit bashkë me plumbat e kallashnikovëve. Jozefina Topalli u zgjodh përsëri deputete në Shkodër, në zgjedhjet e vitit 1997. Në Kuvendin e dalë nga këto zgjedhje, PD e propozoi Jozefina Topallin si kandidaturë të dytë për postin e nënkryetares së Kuvendit që i takonte opozitës. Në fillim PD paraqiti vetëm kandidaturën e Pjetër Arbnorit, ish-kryetari i Kuvendit në kohën që PD qe në pushtet, por PS insistoi që PD të paraqiste edhe kandidatin tjetër siç e kërkonte rregullorja. Atëhere PD propozoi dhe Jozefina Topallin. PS ia dha votat pikërisht Topallit se siç tha Dokle: Pozitën e duam të fortë kurse opozitën e duam të bukur.
        Në fakt këtu kishte një marrëveshje të fshehtë midis Berishës dhe Nanos për të lançuar Jozefina Topallin në politikën e lartë, çka u bë duke sakrifikuar Pjetër Arbnorin, njeriun që pati bërë 28 vite burg në kohën e regjimit komunist, kur “e persekutuara politike” Jozefina Topalli nuk pati bërë as një ditë internim dhe pati shëtitur në pjacën e Shkodrës. Berisha i lau duart si Ponc Pilati për sakrifikimin e Arbnorit, duke thënë se i tradhëtoi PS. Por, që Arbnorin e sakrifikoi Berisha u duk qartë në Kuvendin e PD-s në tetor, kur Arbnori, edhe pse u paraqit si kandidaturë alternative me Berishën për kryetar partie, sa për të respektuar statutin, megjithatë nuk u zgjodh nënkryetar i PD-së, siç edhe pritej. Nënkryetare e PD-së u zgjodh Jozefina Topalli. Duke vazhduar me këtë metaforë biblike, derisa valltarja Salome i kërkoi Herodit kokën e shën Gjon Pagëzuesit që të kërcente për mbretin, Jozefina Topalli i kërkoi Berishës “kokën” e Arbnorit, shenjtit të persekutuar të PD-së. Kështu, Jozefina Topalli u bë edhe zyrtarisht pjesë e lidershipit të PD-s.
        Kur PD mbeti pa Azem Hajdarin në 1998, në rrethin e ngushtë të lidershipit të PD-s fill pas Berishës, u krijua një vacuum për mbushjen e të cilit do të rivalizonin nënkryetari i PD Genc Pollo dhe Jozefina Topalli. Largimi i Genc Pollos nga PD në 1999 e rriti vakuumin në lidershipin e kësaj partie, vacuum që e mbushi   Jozefina Topalli, duke u bërë praktikisht numri 2 në PD, para sekretarit të përgjithshëm apatik Ridvan Bode, që sipas statutit duhet të vinte i dyti pas kryetarit. Kur Jozefina Topalli u ngjit në lidershipin e PD-s, në ato kohë të konfliktit të ashpër politik, ajo megjithatë krijoi për veten një imazh të ndryshëm nga ai prej “skifteri” politik i Berishës. Jozefian Topalli krijoi për vete imazhin e “pëllumbeshës” politike, e lideres të moderuar të llojit demokristian, që kërkon të induktojë vlerat kristiane në politikë. Në vjeshtën e vitit 2000, kur konflikti mes PD-së në opozitë dhe PS-së në pushtet qe mjaft i ashpër, duke arritur deri në koktej “Molotov” nga protestuesit dhe krisma armësh nga policia, Jozefina Topalli në një takim në qytetin Studenti, disa ditë pasi një militant i PD-s qe vrarë nga policia në Laç, tha se qeveria e shikon opozitën shikon si armike, ndërsa ne e shikojmë pozitën si rival politik.
        Është e qartë se Jozefina Topalli kërkonte që të merrte nga militantët e PD-s të torturuar dhe vrarë prej qeverisë së majtë, dividentët politikë tek qarqet ndërkombëtare, duke u paraqitur si një faktor moderimi në PD, përballë të ashprit Berisha. Për të krijuar për veten imazhin e “pëllumbeshës” kristiane në politikë, që bën një tjetër lloj opozitë, ndryshe nga ajo e ashpër, Topalli nuk ka hezituar të përdorë edhe viktimat e 9 janarit 2004 në Vlorë, që qenë thuajse të gjithë katolikë nga Shkodra. Me këtë rast ajo ndezi në parlament, në tribunën ku rrinte qeveria dhe në foltore qirinjtë për të mbyturit e 9 janarit në Vlorë.

Pse u shndrrua Topalli nga “pëllumbeshë” në “skiftere” para zgjedhjeve të vitit 2005
        Është interesante se por shpërtheu befasisht në vitin 2005, disa ditë para zgjedhjeve, duke dalë si një “skiftere” e linjës së ashpër dhe duke i kapërcyer në retorikë ekstreme të gjithë “skifterët” e PD-s gjatë tetë viteve që PD pati qenë në opozitë. Këtu e kam fjalën për deklaratën që ajo bëri në Tv Klan, tre ditë para zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, kur, ndërsa po debatonte për ngjarjet e 1997 me një ton të egër përfaqësues të PS i tha: “Berisha duhet t’ u kishte dhënë ju plumbin ballit në 1997-n!”
        Propaganda e majtë e përdori shumë këtë deklaratë ato ditë. Nuk do të merret vesh kurrë se ç’ kosto elektorale pati për PD-n kjo deklaratë e Topallit, por që pati një kosto në humbje votash prej atij elektorati të lëkundur që në 1997 pati votuar për të majtën, e cila tash donte t’ ia merrte përsëri votën duke e trembur me gogolin  “1997”kjo është një gjë e sigurt. Personalisht besoj se kjo deklaratë e Jozefina Topallit i ka shkaktuar PD-s humbjen në së paku pesë zona në Jug ku PD humbi me rezultat të ngushtë dhe në së paku dy zona në Tiranë. Këtu duhen shtuar edhe së paku tre vende në parlament të humbura nga votat që nuk u morën në proporcional si pasojë e kësaj deklarate. Pra, Topalli i ka shkaktuar PD-s dhe koalicionit opozitar humbjen e së pakut 10 vendeve në parlament. Deputetëve me vetëm dhjetë fjalë të shqiptuara! Kështu, praktikisht “plumbin ballit” ia dha Jozefina Topalli PD-s në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Pse e bëri Jozefina Topalli këtë gjë? Nuk mund të thuash se e bëri nga pakujdesia, pasi ajo nuk qe shquar kurrë për deklarata të pamatura gjatë nëntë viteve që pati qenë në politikë, deri në atë kohë.
        Në parlamentin e trazuar të viteve 1996-1997 unë e mbaj mend Jozefina Topallin të ulur pranë Bashkim Koplikut, i cili kur parlamenti diskutoi mbi raportin e kryetarit të SHIK, Bashkim Gazidede për krizën e 1997-ës, akuzën që i bëhej në raport lidershipit ushtarak për puç promajtist, pra se hapi depot e armëve, e konsideroi si një skenar të ngjashëm me atë që bëri Stalini në çështjen “Tuhaçevski”, kur spastroi lidershipin ushtarak sovjetik. Pasi Kopliku përfundoi diskutimin dhe u ul mes britmave dizaprovuesve të deputetëve të tjerë të PD-s, Jozefina Topalli po diskutonte me të duke buzëqeshur gjithë dashamirësi. Ajo vetë nuk u shqua për asnjë diskutim të spikatur dhe aq më pak radikal në këtë parlament dhe as në parlamentet pasardhëse. Atëhere nga doli befas ky radikalizëm i Topallit tre ditë para zgjedhjeve të vitit 2005? Sigurisht nga fijet që e komandojnë atë si një kukull politike, fije me të cilat ajo është lidhur që në kohën e ish-regjimit komunist dhe që sot u bindet ende si një puppet strings.
        Në pikëpamjen e deklaratës së saj paraelektorale që i shërbeu aq shumë PS-s ngjan si ironikisht e vërtetë ajo që ka shkruar Topalli për veten e vet në vetën e tretë, në jetëshkrimin e vet në faqet e Kuvendit të Shqipërisë në Internet: “Në shtator të vitit 2005, në betimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Çoba Topalli,  ndër të tjera, theksoi vullnetin e saj të palëkundur për të qenë edhe avokate e opozitës”. Topalli u bë avokate e opozitës së pas 3 korrikut 2005, që kur ajo qe në pushtet, në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut dhe një avokate mjaft e vlefshme madje. Pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, kur PD doli me një mazhorancë të gjymtuar, Jozefina Topalli akuzohej gjerësisht nga militantët se u pati zvogëluar fitoren e zgjedhjeve me deklaratën e saj. Pas zgjedhjeve Jozefina Topalli mori postin e kryetares së Kuvendit, që e bën atë numrin tre në hierarkinë shtetërore, por pozita e saj në PD qe më e dobët se kurrherë për shkak të deklaratës së saj parazgjedhore.

E vërteta e mocionit socialist për shkarkimin e Topallit
        Në këtë kohë Topallit i erdhi në ndihmë PS, duke inskenuar betejën për shkarkimin e saj nga posti i kryetares së Kuvendit, betejë të cilën PS e ndërpreu në një mënyrë po aq të papritur sa ç’ e filloi me rezultatin e vetëm që u rrit rating-u i Topallit në PD si njeriu të cilin e ka vënë në shënjestër PS. Kështu PS ia shpërbleu Topallit deklaratën e saj parazgjedhore që i shërbeu aq shumë PS-së. Kështu bëhen disa punë në politikën shqiptare o militantë të PD-së.
        Topalli si pushtetare nuk i shërben asnjërës nga shtresat që supozohet se i përfaqëson. Veriu i Shqipërisë dhe posaçërisht zonat katolike dhe qyteti i Shkodrës të cilat Topalli supozohet se i përfaqëson në lidershipin e PD-s dhe të shtetit,  gjenden në mjerim dhe gjakmarrje. Ato praktikisht janë kthyer në Mesjetë. Ndërsa Jozefina Topalli, e cila e koncepton politikën si një spektakël bën spektakël në këtë skenë natyralengjethëse, ashtu si Mari Antuaneta që përlotej për të varfrit në mesha dhe shpërndante lëmosha. Jozefina Topalli bëri spektakël kur shpaloi në foltoren e Kuvendit hartën e zmadhuar të Shqipërisë, të nxjerrë nga një studim i PNUD, ku tregohej Veriu i varfër dhe i pazhvilluar i Shqipërisë. Jozefina Topalli bën spektakël kur takohet me femrat dhe fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes. Dikush mund të thotë: E ç’ mund të bëjë Jozefina Topalli më tepër?
        Po, ajo mund të bëjë më tepër. Të dorëzojë postet që mban dhe të vihet në krye të njerëzve dhe shtresave që përfaqëson dhe të shkojë në dyert e zyrave ndërkombëtare në Tiranë dhe t’ u kërkojë që t’ i japin fund eksperimentit makabër social politik që po bëhet në Shqipëri. Por, Jozefina Topallit nuk i bëhet fare vonë për varfërinë e Veriut, të katolikëve dhe Shkodrës sepse ajo ka shprehur haptas për të varfrit përbuzjen e kultivuar të shtresës nga e cila e ka origjinën.

A i përçmon Topalli dhe “çorapegrisurit” veriorë dhe katolikë
        Para zgjedhjeve të kaluara ajo tha në parlament pa iu dridhur zëri: “Unë i përkas një prej familjeve më të pasura në Shqipëri, nuk kam qenë si çorapegrisurit e Gjirokastrës”.
Me këtë Jozefina Topalli shprehu gjithë përçmimin dhe arrgancën e kultivuar nga shtresa që i përket dhe që duket nuk është zhdukur nga persekutimi i gjatë komunist. “Çorapegrisur”-po ta përdorim këtë fjalë si simbol për të varfrit- praktikisht sot janë pjesa më e madhe e elektoratit të Jozefina Topallit dhe krejt Veriu, edhe katolikët. Shtresa e pasur e para vitit 1944, përçmimin e së cilës ka trashëguar Topalli, nuk e përçmonte më pak “çorapegrisurin” shkodran nga ai gjirokastrit. Pikërisht ky mentalitet i shtresës së pasur, i kombinuar me polarizimin e madh social dhe varfërinë e pjesës më të madhe të popullsisë bënë që në Shqipëri të rritej lëvizja komuniste dhe që kurrkujt që nuk qe i pasur mos t’ i vinte keq, as në Shkodër, kur komunistët persekutuan dhe shpronësuan shtresën e pasur arrogante të vendit. Edhe sot Topalli sigurisht i sheh me përçmim “çorapegrisurit” e Shkodrës që i dhanë votën, si dhe ata të Veriut në përgjithësi, ashtu siç i kanë parë paraardhësit e saj, pavarësisht se me hipokrizi hiqet sikur i qan zemra për ta.
        Dhe duke bërë këtë gjë, Jozefina Topalli është më fajtore se Mari Antuaneta që kur mori vesh se të varfrit në Francë nuk kishin bukë tha: “Pse nuk hanë biskota?” Mari Antuaneta nuk e njihte gjendjen e Francës jashtë Versajës dhe koka e saj unda nga trupi në gijotinë me mendimin e fundit se revolucioni i përgjakshëm ndodhi për çështje shijeje, ashtu që të varfërit në mungesë të bukës nuk donin të hanin biskota, të cilat në fantazinë e saj ata duhet t’ i kishin me bollëk. Ndërsa Jozefina Topalli është më fajtore se ish-mbretëresha e Francës pasi ajo e di të vërtetën. –Po Topallit aq i bën derisa ajo u ribë e pasur pasi hyri në politikë. Ajo mori një pjesë të pronave të familjes së vet dhe të burrit, çka pjesa më e madhe e ish-pronarëve nuk e kanë arritur, si dhe krijoi shumë biznese në saje të tyre. Pas deklaratës së saj për “çorapegrisurit” duket shumë hipokrite ajo që ka shënuar Topalli për vetveten në vetën e tretë, në  jetëshkrimin e vet në faqet e Kuvendit në Internet: “Si anëtare e Komitetit të Punëve Sociale, Shëndetit dhe Familjes dhe si Zëvendëspresidente e Komitetit të Fëmijëve, ajo vazhdon të japë një kontribut të vyer në çështjen e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve, në reduktimin e varfërisë, në luftën kundër punës së të miturve, si dhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.
Sa e përkushtuar kjo zonja Topalli për të përmirësuar jetën e “çorapegrisurve”!
        Pasi mori postin e kryetares së Kuvendit preokupimi i Topallit është si të konsolidojë pozitën e vet në PD, me synimin që të marrë në të ardhmen poste më të larta shtetërore. Veçanërisht ajo kujdeset që në PD mos të ketë politikanë katolikë me profil të lartë dhe intelektualë të spikatur që mund ta konkurrojnë. Që në vitin 1997 kur ajo është bërë nënkryetare e PD-së, ajo ka influencuar përfaqësimi i katolikëve në PD të bëhet nga njerëz mediokër.

Topalli dhe Opus Dei    
        Në marrëdhëniet ndërkombëtare Topalli do që të jetë interlokutore e PD-s me Vatikanin, Italinë (posaçërisht të djathtën italiane) dhe qarqet katolike në Perëndim, ku asaj i pëlqen të hiqet si një zonjë aristokrate që nuk ua zgjat dorën burrave të huaj të shtetit që thjesht t’ ia shtrëngojnë, por ua jep t’ ia puthin. Motoja e saj është praktikisht: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Jo vetëm në sensin fetar të fjalës, por edhe atë politik. Kultura e saj dhe milieu (mjedisi) ku është rritur është italofil. Katolikët shkodranë e kanë pasur zakon që kur duan të tregojnë kulturë të thonë fjalë dhe shprehje italiane. Në thelb është antiamerikane. Për anglosaksët ka resentimentin e latinëve katolikë, posaçërisht të italianëve, një resentiment ky që ze fill që nga Henry VIII i Anglisë që e ndau kishën e Anglisë nga Roma. Miqtë e saj më të mirë në Romë dhe në Opus Dei, organizatën e fuqishme ndërkombëtare katolike me të cilën ajo është kujdesur të ketë lidhje sa më të afërta, janë njerëz që potencojnë teorinë e konspiracionit të SHBA-ve kundër Vatikanit. Sipas kësaj teorie, pasi SHBA shkatërruan perandorinë sovjetike,m tash duan të shkatërrojnë “perandorinë papale”, pra strukturën botërore të Kishës Katolike të kontrolluar nga Roma, duke krijuar kishat nacionale katolike.

Topalli si vanitoze
        Karakteri i Topallit dominohet nga vaniteti. Duke lexuar jetshkrimin e saj në faqen e Kuvendit në internet konstatohet lehtë ambicja e saj vanitoze, deri në snobizëm intelektual, për t’ u dukur politikane intelektuale. Në jetëshkrimin që ajo e ka shkruar në vetën e tretë thuhet: “Jozefina Çoba Topalli shquhet për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin aktiv me shoqërinë civile e veçanërisht me median, ku çmohet për kontributin e saj opinionist jo vetëm për çështjet politike”.
Pra, Topalli (sipas Topallit) në daljet e veta në media, paska një profil më të lartë se të politikanes, atë të opinionistes profesioniste në media!?
        Duke qenë e torturuar nga vetëdija se është një “kukull” dekorative në politikë, ajo përpiqet të krijojë mbresën se ka vlera autentike dhe kjo e bën që të ngjajë edhe më vanitoze dhe artificiale. Mangësinë e vet intelektuale kërkon ta kompensojë me ide të mëdha të huazuara dhe të përdorura në mënyrë shabllone, mangësinë në artikulimin e mendimit kërkon ta kompensojë me retorikë të fryrë, mungesën e devocionit real kërkon ta kompensojë me patetikë. Përtej fasadës së sjelljes të moderimit kristian qytetar shkodran janë në fakt shekuj të vetëdijes së nënshtrimit para turqve të qytetarit katolik në dallim nga malsori i panënshtruar katolik. Në pretendimin për të induktuar oksidentalizmin në politikën dhe shoqërinë shqiptare, për shkak të identitetit katolik, qëndron komedia donkishoteske e ardhur nga fakti se katolicizmi shqiptar, duke qenë një katolicizëm i një mjedisi osman, ruajti ritualin kristian, por jo vlerat dhe mënyrën e jetesës të Shqipërisë perëndimore paraturke. Katoliku shqiptar qe identik me bashkëkombasin musliman në çdo gjë veç ritualit. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë ai ka prirje të potencojë aspektin ritualistik, sipërfaqësor të gjërave dhe Jozefina Topalli është shembulli më i mirë për këtë. Kjo vetëdije e bën atë shumë të përshtatshme për rolin e “ikonës” që i ka dhënë Berisha.
        Personaliteti i Jozefina Topallit do të jetë shumë interesant për t’ u studiuar nga politologët dhe psikologët që në të ardhmen do të merren me politikanët shqiptarë. Një fakt kurioz. Në jetëshkrimin e vet të shkruar në vetën e tretë dhe të paraqitur në faqet e Kuvendit në Internet të bën përshtypje se Topalli është e vetmja nga të 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që nuk ka vënë emrin e babës. Një harresë, apo një veprim që kërkon një shpjegim frojdian?
        Jetëshkrimin e vet të shkruar në vetën e tretë, Topalli e mbyll me fjalët: “Me gjithë axhendën ambicioze dhe të ngarkuar të jetës parlamentare dhe politike, Jozefina Çoba Topalli gjen kohë edhe për t’iu përkushtuar familjes, bashkëshortit dhe dy fëmijëve të tyre”.
E shkreta zonjë! Hallet e “çorapegrisurve” i marrin gjithë kohën dhe ajo mezi gjen pak kohë për t’ u marrë me burrin dhe kalamajtë. E megjithatë deri më tash çuditërisht ia ka dalë të rregullojë vetëm punët e veta dhe të familjes së vet, duke filluar që nga pronat dhe bizniset dhe jo hallet e “çorapegrisurve”. 
        Për t’ i dhënë përgjigje pyetjes në titullin e këtij artikulli, çfarë është Topalli, ikonë apo “Mari Antuanetë” e PD-së? Ajo është një ikonë politike që nuk paraqet atë që supozohet të paraqesë, por paraqet “Mari Antuanetën” e PD-s. Të shpresojmë se ajo do të përfundojë në “gijotinën” e politikës shqiptare së bashku me “Louis të XVI” të vet, Sali Berishën dhe me gjithë këtë klasë politike të tranzicionit shqiptar, që është homologia ish-komuniste e aristokracisë osmane shqiptare që sundoi vendin para Luftës së Dytë Botërore dhe që e përdor Topallin si figurinë dekorative politike. Gjithsesi, sido që të shkojnë punët në Shqipëri, ajo i ka marrë masat për vete dhe familjen e saj, duke blerë një vilë luksoze jashtë vendit. Ku? E ku tjetër veç në Romën e dashur. “O sole mio!” Sot për sot “il sole” është Berisha. Nesër…