Ivan (Joan) Vladimiri-“shenjt” i Kishës Ortodokse Shqiptare- sikur të bëhet shenjt Millosheviçi




nga Kastriot Myftaraj

        Në ditoren «SOT», në 30 korrik 2006, një grup klerikësh janullatistë të Kishës Ortodokse nga Elbasani dhe Shijoni kanë botuar artikullin me titull «Myftaraj ka fyer ndjenjat shpirtërore ortodokse», që është një replikë me artikullin tim «Pse një terrorist serb është shenjtor i Kishës Ortodokse Shqiptare», që është botuar po në ditoren «SOT», në 16 korrik 2006. Problemi me polemizuesit e mi është se ata nuk më citojnë, por më perifrazojnë duke shtrebëruar ato që kam shkruar unë dhe duke anashkaluar çështjet kryesore në artikullin tim. Mua nuk më habit kjo mënyrë të polemizuari nga këta janullatistë filogrekë, pasi mendimi aktual grek ka humbur lidhjet me mendimin antik grek që i dha njerëzimit polemikën, duke qenë nënprodukt i mendimit bizantin ikonolatrik, që thjesht gjeneron dogmën, duke iu shmangur polemikës me argumente.  
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Sqarojmë artikullshkruesin dhe gjithë opinionin se Manastiri i Shen Joan Vladimirit në fshatin Shijon pranë Elbasanit, nuk është manastir serb dhe as në juridiksion të Kishës serbe, por manastir shqiptar dhe nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Unë nuk e kam thënë këtë gjë. Ajo që kam thënë unë është se përse Kisha Shqiptare nderon si shenjt këtë ushtarak dhe sundimtar serb.  Në artikullin me të cilin replikojnë klerikët ortodoksë unë i drejtohem opinionit duke i treguar se një okupator serb i trojeve shqiptare, që ka jetuar në shekujt X-XI, Ivan (Joan) Vladimiri, me origjinë nga fisi Nemanja, i dinastisë mbretërore mesjetare serbe, njihet si shenjt nga Kisha Ortodokse Shqiptare, në një kohë që ai nuk njihet si shenjt nga asnjë kishë tjetër ortodokse në botë, veç asaj serbe dhe greke.
        Ivan Vladimiri, arriti të shtrijë sundimin me zjarr e hekur në trojet veriore shqiptare deri në Shkumbin, herë në aleancë me bullgarët dhe herë në aleancë me bizantinët, manovra këto që i kushtuan humbjen e kokës. Pra, ky qe veç një terrorist serb, po të shprehem në gjuhën e sotme, një «Millosheviq» serb i Mesjetës. Për këtë okupator serb, që vrau, preu, dogji, grabiti në trojet shqiptare, Kisha greke dhe ajo serbe sajuan një hagiografi (histori e jetës dhe e mrekullive të shenjtorëve) qesharake, sikur ai bëri disa mrekulli me ndihmën e Zotit, për çka e bënë shenjt. E tepërt të thuhet, Zoti nuk ka pasur arsye pse t’ i japë fuqi divine një sundimtari dhe gjenerali gjakatar serb, që u bë aleat me bizantinët (grekët), përveçse nga pikëpamja serbe dhe greke se Zoti është në anën e serbëve dhe grekëve, për mos të thënë që është fare serb ose grek.
        Krijimi i kultit të Ivan (Joan) Vladimirit u bë pasi kisha serbe dhe greke (bizantine) kanë qenë gjithherë ideuese të nacionalizmit serb dhe grek (bizantin), që është nacionalizëm religjioz dhe një nga mënrat kryesore që kanë përdorur për këtë gjë ka qenë krijimi i kultit të shenjtorëve-simbole ndaj serbizmit, përkatësisht helenizmit. Kulti i të ashtuquajturit Shën Joan Vladimirit është një rast nga manuali se si veprojnë kisha serbe dhe greke për këtë qëllim. Ky «shenjt» me jetën e tij shpreh aleancën serbo-greke.
        Se ç’ bëjnë serbët dhe grekët dhe e gjithë kjo histori do të qe thjesht zbavitëse, sikur mos të kishte ndodhur që Kisha Ortodokse Shqiptare ta njohë edhe sot e kësaj dite për shenjt këtë Ivan (Joan Vladimirin) Çështja është se ç’ punë kanë besimtarët ortodoksë me këtë Ivan Vladimirin që ka qenë një sundimtar i egër serb, që sundoi në trojet shqiptare me zjarr dhe hekur, duke ia nënshtruar me dhunë kishat shqiptare kishës serbe, duke u i grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe duke i shtypur me gjakderdhje të mëdha revoltat e popullsisë shqiptare kundër sundimit të tij, çka për shqiptarët e bënte atë të qe thjesht një terrorist serb? Nderimi i Shën Joan Vladimirit është një gjë e kuptueshme në rastin e serbëve dhe grekëve, ndërsa në rastin e Kishës Ortodokse Shqiptare ajo që kuptohet është se në këtë rast i shërben Serbisë dhe Greqisë.I ashtuquajturi Shën Ivan (Joan) Vladimiri nuk është një simbol fetar, por një simbol politik, nacionalist, serb dhe grek dhe duke e nderuar atë Kisha Ortodokse Shqiptare vihet në linjë me nacionalizmin religjioz serb dhe grek.
        Ajo që kam thënë unë në artikullin me të cilin replikojnë klerikët ortodoksë është se përse Kisha Ortodokse Shqiptare nuk e kthen kishën dhe manastirin e Shijonit, nga tempuj që i dedikohen Ivan Vladimirit, në tempuj që i dedikohen Shën Gjon Pagëzorit, për të cilin u ndërtuan dhe emrin e të cilit mbajtën derisa nuk u uzurpuan nga okupatorët serbë dhe bizantinë. Që okupatori serb qe i papranueshëm për shqiptarët si shenjt në kohën kur vdiq, kjo kuptohet nga fakti që ai për siguri u varros në kishën e Krajës, në territorin e Malit të Zi të tashëm. Edhe kisha e Shën Marisë së Krajës qe një kishë katolike e uzurpuar nga serbët dhe që më pas do të rikthehej në kishë katolike, duke u bërë dhe seli e një arkipeshkvie.
        Polemizuesit shkruajnë: «Sa për emrin e kishës që thuhet se ishte katolike, para se të kishte emrin e Shen Joan Vladimirit, kjo vjen nga padija e artikullshkruesit, pasi deri në vitin 1053 kisha në përgjithësi ishte një dhe nuk ishte ndarë në Ortodokse e Katolike».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Por, ndarja dhe konflikti i kishave romane dhe greke qe bërë fakt disa shekuj para se të formalizohej në 1054. Një provë për këtë gjë është fakti se në vitin 653, Imperatori bizantin, nën  nxitjen e Patriarkanës së Konstantinopolit, çoi një armatë bizantinë kundër Romës, që pasi e okupoi qytetin, duke bërë shkatërrime, grabitje dhe përdhunime massive, e kapi rob Papën Martini I, që nuk i nënshtrohej Bizantit. Papa Martini u çua si i burgosur në  në Konstantinopol, ku u poshtërua publikisht, u gjykua si kriminel dhe u dënua të internohet në Krime, ku u la të vdiste nga uria një vit më pas.
        Kisha dhe manastiri në Shijon janë ndërtuar si të ritit roman, duke iu dedikuar Shën Gjon Pagëzorit dhe më pas janë uzurpuar nga kisha bizantine dhe serbe. Këtë e thotë gojëdhëna e banorëve të zonës që asnjëherë nuk e kanë pranuar përrallën serbo-bizantine të Ivan Vladimirit dhe që sot e kësaj dite njohin shën Gjon Pagëzorin dhe i falen atij, si njeriu që pagëzoi Krishtin. Hagiografia e të ashtuquajturit “Shën” Ivan (Joan) Vladimirit është një mbivënie mbi hagiografinë e Shën Gjon Pagëzorit, duke qenë se ka marrë prej kësaj historinë e prerjes së kokës së shenjtit, si premisë së cilës i janë shtuar bëmat e sundimtarit dhe ushtarakut serb, Ivan Vladimirit. Shenjtërimi i këtij gjeneralit dhe sundimtarit serb, Ivan Vladimirit, u bë pasi një murg serb sajoi rreth vitit 1200 hagiografinë (jetëshkrimin dhe mrekullitë e një shenjti), sipas dokjes serbe, që gjithandej hapësirave ku serbët synonin të shtrinin sundimin e tyre duhej të mbinin vende të shenjta serbe, që duhej të uzurponin tempujt katolikë, me synimin e dyfishtë që kisha ortodokse sllavone të zinte vendin e katolicizmit në këto troje dhe që mbretërit serbë pastaj të justifikonin marshimin në këto toka për t’ i okupuar dhe aneksuar ato.
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Mëndja e tij nuk mund të arrijë dot e t`a kuptojë se me hirin e Perëndisë bëhen “mrekulli të gjalla”, që i bën Perëndia vetëm me të përzgjedhurit e Tij. Vetëm ata, që besojnë në një Zot të gjallë dhe në hirin dhe mrekullitë e Tij, mund t`a besojnë ardhjen me kokë të prerë të shenjtit, në kishen e tij dhe në mrekullitë e lipsanit të tij». (Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
        Mendja ime dhe e çdo njeriu normal, që nuk ia kanë mbushur trurin me gjepura serbo-bizantine, nuk mund ta besojë që Zoti të futë në më të përzgjedhurit e vet një general dhe sundimtar gjakatar serb, që i ka okupuar me dhunë trojet shqiptare dhe që i ka grabitur e ka bërë genocid në trojet shqiptare. Zoti këto gjëra i bën vetëm në fantazinë e Kishës Serbe dhe aasaj greke, që i quanin dhe i quajnë edhe Millosheviqin, Arkanin, Mlladiqin dhe Karaxhiqin si njerëz të përzgjedhur të Zotit, edhe pse ata bënë genocid kundër popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, duke përfshirë dhe shqiptarët. Ivan Vladimiri është vetëm një nga paraardhësit dhe frymëzuesit e tyre. Ikonat e Ivan Vladimirit i kanë mbajtur ushtarakët serbët kur bënin genocid në Kosovë. Ikonat e Ivan Vladimirit ua jepnin t’ i puthnin popët serbë ushtarëve serbë që në 1912 marshonin për të dalë në Adriatik, duke i ftuar të dilnin te varri i Ivan Vladimirit, pranë Shkumbinit, ku qenë kufijtë e tokës së shenjtë serbe. Kur ushtria serbe arriti në Shijon, në fillim të dhjetorit 1912, pasi i theu ushtritë turke, pranë varrit të «Ivan Vladimirit» u bë një meshë e madhe nga popët e ushtrisë serbe, ku asistuan mijëra ushtarë dhe oficerë të lartë, të cilët falenderuan «shenjtin» serb që i ndihmoi të çlironin «tokën e shenjtë serbe», të cilën ai dikur e pati sunduar.
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Nëse lexojmë jetën e shenjtit do të gjejmë edhe porosinë që vetë shenjti duke vdekur u thotë ndihmësve të tij: “Mos derdhni gjak vëllazëror për vrasjen time,mos luftoni për mua, ruani paqen dhe lavdinë e besimit më Krishtin, Zotit të vërtetë.Të sundohet me drejtësi dhe dashuri populli im”. Vetëm duke lexuar këto pak rreshta bindesh se një mbret i shenjtë nuk mund të jetë kurrë terrorist pasi në gojën e tij dalin aq ëmbël fjalët : paqe, lavdi, drejtësi, dashuri. Në gojën e cilit terrorist mund të ekzistojnë vallë të tilla fjalë?» (Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Por, Ivan Vladimiri këto fjalë i tha për konfliktin mes sllavëve e grekëve, të cilët i quante vëllezër ortodoksë, duke mos dashur që të derdhet gjak mes tyre. Sa për gjakun e shqiptarëve atij nuk i bëhej vonë, madje e pati derdhur vetë masivisht. Ndryshe sit a shpjegojmë që erdhi si okupator në trojet shqiptare ky njeri? Apo mos duan të thonë klerikët ortodoksë-polemizues, se Shqipëria e veriut deri në Elbasdan, në kohën e Ivan Vladimirit qe tokë serbe dhe këtu flitej gjuha serbe, çka e justifikon ardhjen me ushtri të Ivan Vladimirit në këto territore dhe sundimin e tij këtu?
        Replikuesit e mij shkruajnë: «Prej 200 vjetësh, lipsanet e shenjt Joan Vladimirit, ruhen e vazhdojnë të ruhen akoma, në një arkë prej druri e jo në ”arkë speciale, që nuk shkatërrohej nga zjarri”,siç shpif me dashje artikullshkruesi».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Këta njerëz gënjejnë pa pikën e turpit, se që eshtrat e «shenjtit» u futën në 1935  një arkë speciale, dhuratë e Kishës Serbe, kjo është e shkruar në gazetën e që botonte atëhere Kisha Ortodokse Shqiptare. Kur erdhi dhurata e Kishës Serbe, në 1935, u bë një ceremoni ku foli dhe kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare për kohën, Visarion Xhuvani. Për këtë gjendet dhe një dokument në Arkivin e Shtetit në Tiranë (AQSH: dosja 719, f. 152, viti 1935)
Në librin-monografi të Nos Xhuvanit (ortodoks, nipi i Visarion Xhuvanit), «Visarion Xhuvani» thuhet: «Kjo arkë e shpëtoi trupin e shenjtë kur u dogj kisha nga ushtria gjermane në 1944». (Nos Xhuvani: «Visarion Xhuvani», Tiranë 2003, f. 191)
Pse nuk kanë replikuar janullatistët filoserbë me librin e Nos Xhuvanit, «Visarion Xhuvani», të botuar që para tre vitesh? Si duket këtyre naivëve nuk ua ka thënë Janullatosi këtë historinë e arkës speciale metalike, prandaj ata shkruajnë rrena të trasha se: «Janë akoma gjallë edhe sot, dëshmitarë nga fshati Shijon që e kanë nxjerrë me duart e tyre prej zjarrit, të pacënuar, arkën e shenjtë e të drunjtë, kur manastiri u dogj nga gjermanët në ikje në vitin 1944. Ata tregojnë e krenohen me mrekullinë e bërë në kishë e cila u dogj, u bë e tëra shkrumb e hi dhe vetëm arka e shenjtit qëndroi në mes hirit e pa djegur fare».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Po, arka prej çeliku special qëndroi krejt e padjegur në mes të hirit. Me të vërtetë një «mrekulli e madhe»! Këta dëshmitarë le ta mësojnë sot dhe bashkë me ta dhe banorët e zonës se kjo «mrekulli» qe një mashtrim dhe ndodhi për shkak të arkës speciale që çoi Kisha Serbe, jo për shkak të fuqive hyjnore të «shenjtit». Kjo gënjeshtër është epitomë e mënyrave që janë përdorur për të sajuar hagiografinë e këtij «shenjti», që gjoja pasi i prenë kokën qenka ngritur(trupi pa kokë), ka marrë kokën në dorë dhe ka hipur në kalë për të shkuar nga Prespa në Kërrabë.

Tempulli i Ivan Vladimirit në Shqipëri-edhe tempull i terrorizmit islamik

        Polemizuesit e mij shkruajnë më tutje se: «Është fakt i gjallë është edhe rasti kur në mars 1997 ushtarët dhe dashakeqësit, i vunë zjarrin objekteve dhe kishës së manastirit, por, përsëri në mënyrë mrekullibërëse, ndërsa qielli ishte i pastër, vjen një re nga maja e Kërrabës e vetme fare derdh shi e shuan zjarrin dhe shpëton kishën e manastirin. Edhe për këtë përsëri jemi dëshmitarë vetë dhe nuk duam kënd të na japë mënd dhe as të thotë se shohim ëndrra apo dëgjojmë ‘përralla’ me sy e veshë hapur».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
        Shiko, shiko, ç’ fantazi paganësh! Ushtarët shqiptarë në 1997 i paskan vënë zjarrin tempullit të gjeneralit serb, por një re-engjëll serb apo grek, e ardhur nga maja e Kërrabës, pra veriu (me gjasë selia e Kishës Serbe në Beograd), qëndroi mbi manastir, i bëri nderime të mëdha «shenjtit» serb dhe pastaj- si duhet thënë këtu meqë nuk kemi të bëjmë me një re të zakonshme- i lëshoi përsipër… për të shuar zjarrin. Përtej humorit, këtu klerikët ortodoksë polemizues bëjnë një provokim shumë të rëndë politik, për të cilin duhet të reagojë shteti shqiptar, komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Presidenti Moisiu, ministria e Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi, duke qenë se akuzohet ushtria shqiptare sikur ka djegur një tempull fetar ortodoks, gjatë ngjarjeve të vitit 1997.
        Unë jam në dijeni se atëhere një akuzë e tillë, pra se ushtria shqiptare gjatë operacioneve që kreu në konfliktin e vitit 1997 dogji dhe tempullin e «Shën» Ivan (Joan) Vladimirit në Shijon të Elbasanit, u bë nga shtypi i Beogradit dhe i Athinës, si dhe nga ndonjë gazetë në Shqipëri, që synonin të «provonin» akuzat se Presidenti Berisha dhe pushteti i PD-së në përgjithësi qenë një regjim islamik që persekutonte të krishterët. Por, Kisha Ortodokse Shqiptare atëhere nuk bëri përgjegjëse ushtrinë shqiptare për këtë gjë, së paku jo publikisht. Sot, përfaqësues të nivelit të lartë të kësaj kishe, të cilët paraqiten në shtyp sit ë autorizuar nga zëvendës-mitropolia e Elbasanit, e bëjnë këtë akuzë. Pra, këta njerëz e akuzojnë ushtrinë shqiptare për dhunë ndaj të krishterëve ortodoksë, se na paska djegur, sipas tyre, tempullin e një ushtaraku okupator serb të trojeve shqiptare, që për ta është «shenjt»?! Ky duhet të jetë sensi i nderit dhe i dinjitetit të ortodoksëve shqiptarë?
        Pastaj, kur Kisha Ortodokse sajon përralla të llojit ushtarët shqiptarë dogjën tempullin e Ivan Vladimirit, për t’ i provuar botës persekutimin e ortodoksëve nga muslimanët në Shqipëri, duhet ta dijë se në këtë rast mund t’ i krijohet një «boomerang», sipas asaj shprehjes «Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari», duke u zbuluar një profanim i tmerrshëm, se në këtë manastir është varrosur edhe një terrorist islamik, që nderohet nga në shekuj nga Kisha Ortodokse, si mirëbërës i saj. Se manastiri i Ivan Vladimirit në Shijon është dhe vendvarrimi i Karl Topisë, që e rindërtoi atë, për këtë qëllim dhe që nderohet shumë nga Kisha Ortodokse greke dhe serbe për këtë. Në vitet 1381-83, Karl Topia, familja e të cilit kishte ardhur thellë nga Jugu i Shqipërisë, për të hyrë në shërbim të mbretërve anzhuinë, që sundonin Shqipërinë, e rindërtoi manastirin e Ivan Vladimirit, duke dashur ta bënte vendvarrimin e vet. Në 1215, sundimtari i Epirit Mihal Komneni, i cili qe aleat i Serbisë, pasi okupoi Arbërinë në aleancë me Serbinë, për të kënaqur Kishën Serbe, e pati marrë trupin e Ivan Vladimirit dhe e pati sjellë në Shijon në rrëzë të Kërrabës, ku e pati varrosur në manastir. Karl Topia e quante veten si pasardhës të Mihal Komnenit II, duke dashur me këtë të tregojë se atij i takonte trashëgimia e sundimit të Epirit, deri atje ku arrit Mihali II Komneni, prandaj ndoqi shembullin e këtij të fundit, duke nderuar «shenjtin» serb.
        Por, Karl Topia qe ai që i ftoi islamikët në trojet shqiptare.Karl Topia atëhere qe në konflikt me familjen katolike të Balshajve, e cila në aleancë me Romën dhe fuqitë perëndimore ishte duke i bashkuar gjithë trojet shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën e sotme, në një shtet të vetëm. Për të siguruar aleancën e serbëve kundër Balshajve, Karl Topia nderoi kultin e Ivan Vladimirit. Princat serbë e shikonin me preokupim rritjen e fuqisë së Balshajve që po krijonin një shtet shqiptar që do të dominonte në rajon, prandaj e pritën me kënaqësi kërkesën e Topiajt për të bashkëvepruar kundër Balshajve. Me anë të serbëve, të cilët prej vitit 1371 qenë vasalë të turqve, Karl Topia arriti deri atje sa të thërriste turqit në luftë kundër Balshajve. Në vitin 1385, një ushtri turke e fuqizuar me kontigjente serbe dhe të Karl Topiajt msyu principatën e Balshajve dhe e mundi ushtrinë e tyre në Savër të Lushnjës. Kështu, Karl Topaj, dishepulli i Ivan Vladimirit, në aleancë me turqit dhe serbët, shkatërroi atë që do të qe shteti i fuqishëm shqiptar që bashkonte gjithë trojet shqiptare, duke u bërë terroristi i parë islamik në trojet shqiptare.
        Për të sigurtuar ndihmën ushtarkae të turqve, me ç’ rast u bë dhe vasali i tyre, Karl Topiaj sigurisht që do të ketë përmbushur kërkesën e parë të turqve për t’ u kthyer nga feja kristiane në fenë islamike. Dhe të gjithë ata që ktheheshin në fenë islamike, merrnin emrin «Abdullah», që në shqip do të thotë «rob i Allahut». Pra, ky Abdullah Topia, tre vite pas kësaj tradhëtie nacionale, në 1388 vdiq dhe u varros siç e pati kërkuar në manastirin e Ivan Vladimirit, një vend gjithsesi i denjë për të, nën mbishkrime sllavisht dhe greqisht. Nuk kemi ndonjë dokument që të vërtetojë që Abdullah (Karl) Topia të jetë rikthyer në fenë kristiane para vdekjes, çka do të bënte bujë dhe do t’ i fuste Topiajt përsëri në konflikt me turqit. Nuk kemi asnjë dokument që rikthimi në fenë e vjetër të jetë bërë fshehtas. Por, Kisha ortodokse e anashkaloi këtë fakt.     
        Polemizuesit me mij shkruajnë: «Sa për kujdesin që tregoi sistemi komunist për “eshtrat e terroristit serb” kjo është e lehtë për t`u kuptuar. Kur u prishen tempujt e Perëndisë, ç`kujdes i veçantë do të tregohej për të shenjtët e tij? Ishte hiri i Perëndisë, ai që i ruajti eshtrat e Shën Joan Vladimirit e Shën Kozmait të pa dëmtuara, sepse Perëndia ishte me ne, besimtarët, që u rritëm nën hirin e manastirit, ndonëse edhe pse të dhunuar nuk e braktisëm kurrë atë, por iu lutëm vazhdimisht shenjtit e Perëndia dëgjoi lutjet tona, nuk e shkatërroi manastirin dhe nuk na braktisi as neve. Lipsanet e Shën Joan Vladimirit u ruajtën në kishën muze “Shën Maria” në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit e jo në Serbi. Edhe për këtë dëshmitarët janë ende gjallë, me trup e me mëndje të shëndoshë».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
        Por, pse regjimi komunist u soll me eshtrat, apo me trupin e këtij okupatorit serb, Ivan Vladimirit, ndryshe nga ç’ u soll me eshtrat e At Gjergj Fishtës dhe shumë klerikëve katolikë, që i hodhi në lumenj e në përrenj, për çka pjesa më e madhe e tyre nuk gjet kurrë? Pse regjimi komunist i kurseu eshtrat e okupatorit serb, Ivan Vladimirit, duke i vënë ato në një kishë-muze? Argumenti se ky diferencim ndodhi për shkak se besimtarët ortodoksë iu lutën Zotit është absurd. Lutjet e besimtarëve katolikë nuk e penguan regjimin komunist të zhdukte eshtrat e At Gjergj Fishtës dhe të vriste e të linte pa varr shumë klerikë të tjerë katolikë. Në rastin e Ivan Vladimirit, regjimi i Enver Hoxhës u tregua «i mëshirshëm» për shkak të fijeve të fshehta që e lidhnin me Serbinë.
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Mos kërkon të thotë Myftaraj se gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë janë serbë e grekë? Mos kërkon të thotë prapë se shqiptarët që në kohën e Skënderbeut që ishin të gjithë të krishterë, nuk ishin shqiptarë por grekë e serbë?» (Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
        Unë ato që kërkoj të them i them hapur pa aluzione dhe polemizuesit nuk kanë pse të kërkojnë aluzione. Ndërsa silogjizmi i tyre nuk qëndron. Shqiptarët (arbërit) në kohën e Skënderbeut qenë kryesisht katolikë (serbët e quanin katolicizmin «arbanska vera» (feja e shqiptarëve), pra i takonin një feje të ndryshme nga ortodoksia e serbëve dhe grekëve. Unë nuk kërkoj të them se shqiptarët ortodoksë janë serbë dhe grekë, por ajo që e them është se një ortodoks që i thotë vetes shqiptar nuk ka pse i e njeh për shenjt një okupator serb të trojeve shqiptare, siç është Ivan Vladimiri.
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Çfarë adhurojnë e kujt i falemi ne ortodoksët, nuk është aspak punë e të tjerëve. Ajo është çështje besimi dhe e drejtë e jona, që nuk na e tjetërson askush».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Kjo është e vërtetë, me përjashtim të rastit të Ivan Vladimirit dhe të ndonjë rasti tjetër, pasi kur Kisha Ortodokse Shqiptare mban si shenjt, në një tempull në tokë shqiptare, një okupator terrorist të trojeve shqiptare, si Ivan Vladimiri, kjo nuk mundet mos të jetë problem edhe i shqiptarëve joortodoksë. Kjo është njëlloj sikur në Izrael të ketë një tempull ku të nderohet si shenjt Adolf Ajhmani, një prej kriminelëve nazistë që bënë Holokaustin. Kjo është një gjë e patolerueshme.
        Polemizuesit e mij shkruajnë më tutje: «Duam të bëhemi qytetarë të Evropës dhe si të tillë duhet të respektojmë ndjenjat e gjithsecilit qytetar, të secilit komb e secilit besim. Ndërhyrja, fyerja dhe lëndimi i ndjenjave të të tjerëve, nuk është punë qytetërimi por e huaj për të. Në deklaratën e nënshkruar në Samitin Botëror të Liderëve Fetarë mbajtur në Moskë nga 3-5 korrik 2006 theksohet: ‘Ne bëjmë thirrje t`i jepet fund çdo fyerje ndaj ndjenjave fetare dhe përdhosje të teksteve, simboleve, emrave apo vendeve që janë të shenjta për besimtarët. Ata që abuzojnë me gjërat e shenjta duhet të dinë që plagosin zemrat dhe nxisin konflikte mes njerëzve’. Pra ky artikull, ka përdhosur e fyer ndjenjat fetare dhe ka plagosur rëndë zemrat e shpirtet tona».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
        Por, ç’ lidhje ka me integrimin europian një okupator serb i trojeve shqiptare në shekujt X-XI? Pse duhet ta mbajnë si simbol? Tekefundit çfarë simbolizon një okupator serb për ortodoksët shqiptarë? Kjo është pyetja që unë bëj dhe që ata i shmangen. Duke mbajtur si shenjt një okupator serb të trojeve shqiptare, Kisha Ortodokse Shqiuptare ka fyer ndjenjat e të gjithë nacionit (kombit) shqiptar, që është bërë viktimë e agresionit dhe genocidit serb shumë herë gjatë historisë, duke qenë serbët autorë të holokaustit ndaj nacionit (kombit) shqiptar.
        Polemizuesit e mij shkruajnë: «Jemi në vendin e tonë, në shtëpinë tonë, besimin dhe të drejtën tonë, nuk cënojmë askënd dhe nuk lejomë askënd t`na ofendojë e t`na fyejë pa të drejtë, sot e përgjithmonë».(Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Qofshi mirë atje ku jeni, por eshtrat e Ivan Vladimirit, okupatorit terrorist serb, nuk janë  në vendin ku duhet të jenë, atje ku janë sot, prandaj i duhen dhënë Kishës Serbe, në rastin më të mirë. Ata shtetas shqiptarë ortodoksë që nderojnë Ivan Vladimirin si «shenjt» nuk e kanë vendin në trojet shqiptare.
        Polemizuesit e mij shprehen nw lidhje me artikullin tim: «Thënia se eshtrat e ‘shenjtit’ u nxorën nga ‘stomaku i qenve të sundimtarit Bullgar’ është fyerja më e rëndë që i bëhet jo vetëm shenjtorit por edhe neve që u falemi këtyre eshtrave dhe që i shohim të plota e jo të copëzuara prej bishash». (Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Por, hedhja qenve e kufomave të armiqve të rëndësishëm dhe posaçërisht e tradhëtarëve, pasi u qenë ekspozuar turmave, qe një praktikë e rëndomtë në mesjetë dhe sigurisht që kështu ka bërë me trupin e Ivan Vladimirit sundimtari bullgar, Ivan Vladislavi, për shkak se Ivan Vladimiri tradhëtoi babain e tij, carin bullgar Samuel. Hagiografët serbë nuk japin dot prova në këtë rast është vepruar ndryshe. Prandaj, itinerari i Ivan Vladimirit  nga Prespa në Kërrabë, me apo pa «mrekulli» ka me doemos si stacion stomakun e qenve të oborrit bullgar.
        Polemizuesit kërkojnë nga unë: «Ngremë zërin tonë të fuqishëm dhe kërkojmë : -Të na japë falje publike artikullshkruesi Kastriot Myftaraj, pasi ai, me dashje ka provokuar dhe është tallur me ndjenjat shpirtërore të gjithë besimtarëve ortodoksëve në Shen Joan, Elbasan, Shqipëri, Ballkan e më gjerë». (Gazeta «SOT», 30 korrik 2006, f. 12)
Po unë do të kërkoj falje publikisht. Kastriot Myftaraj u kërkon falje paraardhësve të tij që dikur kanë luftuar kundër ushtrisë së okupatorit ser btë trojeve shqiptare Ivan Vladimirit, që deri më sot nuk e ka thënë publikisht të vërtetën për okupatorin serb të shënjtëruar, Ivan Vladimirin. Kastriot Myftaraj u kërkon falje publikisht gjithë viktimave shqiptare të genocidit serb në shekuj, viktimave të Holokaustit që kanë bërë serbët në trojet shqiptare, në dy anët e kufirit të tashëm shtetëror, që deri më sot nuk e ka denoncuar nderimin si shenjt në trojet shqiptare të okupatorit terrorist serb, Ivan Vladimirit. Kastriot Myftaraj u kërkon falje atyre besimtarëve kristianë, që u është uzurpuar tempulli i Shën Gjon Pagëzorit në Shijon, duke iu mbivendosur një okupator terrorist serb si «shenjt», që nuk ka bërë aq sa duhet për të marrë fund ky dhunim dhe turp për nacionin shqiptar.
        Është për të ardhur keq që Ivan Vladimiri, ky okupator terrorist serb i trojeve shqiptare u lavdërua edhe nga Presidenti Alfred Moisiu në fjalën që mbajti në forumin e Oxford-it, në 9 nëntor 2005. Derisa, Alfred Moisiu mburret që babai i vet Spiro Moisiu, kur qe oficer i milicisë fashiste dezertoi nga fronti i luftës italo-greke, duke mos pranuar të merrte pjesë në invazionin kundër Greqisë, në anën tjetër nderon një princ dhe gjeneral serb, okupator të trojeve shqiptare?! Ç’ kuptim ka që ne shqiptarët të vazhdojmë të përkujtojmë çdo vit në 29 nëntor çlirimin nga italo-gjermanët, si festë zyrtare kur po çdo vit përkujtohet me nderime nga Kisha Ortodokse dita e «Shën» Ivan Vladimirit, okupatorit serb të trojeve shqiptare? Apo vetëm okupatorët që kanë ardhur nga Perëndimi, ata italianë dhe gjermanë janë të këqinj, ndërsa ata serbë dhe grekë janë të mirë?