Nga Kastriot Myftaraj
Rihapja e çështjes së afaristit shqiptaro-maqedon, Remzi Hoxha, të zhdukur 11 vjet më parë, për nga mënyra si po bëhet, edhe me një apel që një grup deputetësh të opozitës i drejtojnë Presidentit të Republikës për të influencuar për zblulimin e së vërtetës së kësaj çështjeje, duket qartë se është një aspekt i shkallëzimit të konfliktit politik në Shqipëri midis qeverisë dhe mazhorancës parlamentare nga njëra anë dhe Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe opozitës së majtë nga an tjetër. Për më tepër në emisionin “Shqip“ në Top Channel, të hënën e kaluar, ku qenë ftuar familjarët dhe avokati i Remzi Hoxhës, u zbulua se Prokurori i Përgjithshëm vetëm tash po tregon vullnet të plotë për t’ u angazhuar në këtë çështje, çka u kuptua kur një nga familjarët tha se atyre vetëm tash po u krijohet mundësia të kontaktojnë me Prokurorin e Përgjithshëm, Sollaku. Nuk është e vështirë që të kuptohet se përse ndodh kjo gjë pikërisht tash, kur Prokurori i Përgjithshëm është në një konflikt të hapur me qeverinë dhe mazhorancën parlamentare.
Në rast se e supozojmë si të vërtetë atë që pretendohet, pra se Remzi Hoxha është rrëmbyer nga SHIK, atëhere del se rihapja e çështjes është simptomë e shkallëzimit të konfliktit politik në Shqipëri, që tashmë është duke shkelur në zonën e errët të raison d’ etat. Çdo shtet serioz, madje edhe shtetet demokratike dhe ligjore, kanë një zonë të errët, që mund të quhet si zona “raison d’ etat“ (e arsyes shtetërore), ku ndodhin gjëra anormale nga pikëpamja ligjore, por që justifikohen me raison d’ etat (arsyen shtetërore). Në zonën e “raison d’ etat“, ndodhin zhdukje misterioze njerëzish dhe shumë gjëra të tjera të të gjitha ngjyrave, për të cilat një shtet nuk do që të hyjnë në labirintin e procedurave juridike dhe të bëhen publike, pasi shpesh shkaktojnë veç të tjerash edhe kriza diplomatike. E tillë ishte bie fjala, ajo që ndodhi në Shqipëri në vitin 1998, kur siç e pohoi ish-drejtori i SHIK (SHISH), Fatos Klosi, në një dalje në “Opinion plus“, ditën e hënë, në 16 tetor 2006, me një veprim të kundraligjshëm u rrëmbyen disa shtetas egjiptianë të dyshuar si terroristë islamikë dhe pa u bërë asnjë procedurë ligjore iu dorëzuan autoriteteve egjiptiane që i ekzekutuan. Klosi u shpreh se kjo që bënë autoritetet shqiptare ishte e kundraligjshme, por Fuqitë e Mëdha kur është fjala për luftën kundër terrorizmit i shkelin të drejtat e njeriut.
Në atë kohë opozita, që sot është në pushtet nuk reagoi për këtë çështje, duke treguar përgjegjshmërinë e mos të përdorurit të aferave të zonës së “raison d’ etat“ në ballafaqimin politik, që ishte shumë i ndezur. Në një shoqëri dhe shtet serioz, zona e raison d’ etat mbetet jashtë debatit politik, sipas një pakti të heshtur, që i njeh palës që është në pushtet të drejtën për të vepruar në zonën e “raison d’ etat“, për interesa shtetërore. Pjesë e këtij pakti janë partitë politike dhe institucionet, duke përfshirë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Çështja “Remzi Hoxha“, në rast se supozohet që gjërat kanë shkuar ashtu siç pretendohet, pra se është rrëmbyer dhe zhdukur nga SHIK, është një ndodhi në zonën e hijes së çështjeve shtetërore, në zonën e “raison d’ etat“. Rihapja e kësaj çështjeje, në mënyrën si u bë në vitin 2003 nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me disa arrestime të ish-oficerëve të SHIK, tregoi se në Shqipëri është kishte filluar të prishej pakti për të drejtën e anasjelltë për të vepruar në zonën e “raison d’ etat“ nga palët politike dhe nga titullarët e institucioneve shtetërore. Por, atëhere këta njerëz dolën të pafajshëm dhe çështja u mbyll për një kohë. Rihapja këto ditë e e çështjes nga ana e Prokurorisë me lëshimin e një mandati ndërkombëtar arresti për një ish-funksionar të lartë të SHIK, tregon se pakti është prishur. Ky më duket se është një nga aspektet më të rrezikshme të shkallëzimit të konfliktit politik dhe institucional në Shqipëri. Në situatën kur shteti shqiptar është ndarë praktikisht në dy gjysmështete që janë në gjendje lufte, ku nga njëra anë është qeveria dhe mazhoranca parlamentare dhe në anën tjetër Presidenti i Republikës me institucionet në orbitën e tij, përfshi dhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe me mbështetjen politike të opozitës së majtë, çështja “Remzi Hoxha“ po shihet si një armë në këtë luftë. Prishja e paktit të heshtjes për zonën e “raison d’ etat“ tregon se tha larg ka shkuar konflikti midis palëve.
Në rast se prishet pakti për zonën e “raison d’ etat“ dhe njëra palë kërkon t’ i përdorë çështjet e zonës së errët si expedientë në ballafaqimin politik, atëherë duhet pritur që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Kështu duhet pritur që edhe PD të kërkojë ndodhi nga zona e errët, për t’ i përdorur si ekspedientë në këtë konflikt dhe ndoshta nuk do të ndalet as para përdorimit të çështjeve të tilla si ajo e rrëmbimit dhe e deportimit të paligjshëm të egjiptianëve në 1998, duke ia lënë përgjegjësinë për këtë palës që prishi paktin e heshtur.
Në PS ka njerëz që i dijnë të gjitha këto prandaj nxjerrin në linjën e parë për këtë aferë Erion Braçen, i cili doli para mediave për të bërë shpjeguar kërkesën e që i është bërë Presidentit të Republikës për zbulimin e së vërtetës së zhdukjes të Remzi Hoxhës. Braçe nuk i zhgënjeu ata që e futën në këtë lojë, duke thënë një gjë që nuk mund të dalë nga goja e një politikani profesionist, se arrestimi i avokatit Gashi në Prishtinë e bën edhe më të errët këtë çështje të errët. Nuk pritet nga Braçe që të kuptojë shumë gjëra, por ai duhet ta kuptojë se avokati Gashi ndoshta mori leksionin e e parë të “jurisprudencës“ së zonës së errët të “raison d’ etat“ ku ai hyri me shumë zhurmë dhe pas të gjitha gjasave shumë i karikuar, siç u duk nga dalja e tij në emisionin “Shqip“ të Rudina Xhungës të hënën e kaluar, në Top Channel.
Por, ndoshta aspekti më alarmues i shkallëzimit të konfliktit politik shqiptar, me instrumentalizimin e çështjes “Remzi Hoxha“ është se kur fillojnë përdoren si ekspedientë në konfliktin politik çështje nga zona e “raison d’ etat“, atëhere edhe mjetet që fillojnë të përdorin palët kundër njëra tjetrës bëhen ato të zonës së errët, pasi tashmë në pyetje nuk vihet më ekzistenca politike e palëve, por ekzistenca në përgjithësi.





