nga Kastriot Myftaraj
George Orwell, në një ese të shkëlqyer me titull “The Sporting Spirit”, të shkruar në 1945, paraqiti idenë e vet se sporti ndërkombëtar modern qe shndrruar në një “ëar minus shooting”, pra në një luftë pa krisma, ose në një derivate të konflikteve mes kombeve. Orwell u nxit për ta shkruar këtë ese pasi atë vit skuadra sovjetike e futbollit, Dinamo e Moskës bëri në Britaninë e Madhe. Ky turne që duhej të fuqizonte aleancën që qe arritur midis dy vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fakt shërbeu si një skaner për të zbuluar armiqësitë që ekzistonin midis dy vendeve dhe që shpejt do t’ i bënin ato armiq në Luftën e Ftohtë. Në ndeshjet midis skuadrës ruse dhe skuadrave britanike u shfaq armiqësi dhe dhunë midis lojtarëve në fushë dhe nga ana e shikuesve dhe opinionit kundër skuadrës sovjetike, që shihej si simbol i një vendi, që pas vakuumit të krijuar nga shkatërrimi i Gjermanisë naziste, shihej si armiku i madh i rradhës. Orwell në esen e vet shkruan duke tentuar të shpjegojë se përse sporti shndrrohet në një fushë të konflikteve të tilla:
“Pothuajse të gjitha sportet që praktikohen sot janë kompetitive. Ju luani për të fituar. Dhe ndeshje ka pak kuptim në rast se ju nuk bëni gjithçka për të fituar. Në fshatrat e blerta ku ju ndërroni skuadër dhe nuk janë përzier ndjenja të patriotizmit lokal, është e mundur që të luash thjesh për kënaqësi dhe ushtrim, por kur është në pyetje prestigji, kur ju e ndjenji që ju dhe grupe të mëdha do të mërziten nëse ju humbni, atëhere instiktet më të egra luftarake ngrihen. Në nivel ndërkombëtar sporti është thjesht mënyrë e kamufluar luftimi. Por, gjëja më e rëndësishme nuk është sjellja e lojtarëve, por qendrimi i spektatorëve dhe pas spektatorëve i kombeve që e çojnë vetveten në tërbim për këto konteste absurde dhe që seriozisht besojnë-në një shkallë të caktuar për periudha të shkurtra- që vrapimi, kërcimi dhe gjuajtja e topit janë teste të fuqisë nacionale… Sporti serioz nuk ka të bëjë fare me fair play. Ai anon nga urrejtja, xhelozia, mburrja, shpërfillja e rregullave dhe kënaqësia sadiste në kqyrjen e dhunës, me fjalë të tjera luftë minus krisma… Në vend të gjepurave mbi rivalitetin e pastër dhe të shëndetshëm të fushave të futbollit dhe në rolin e madhe që kanë luajtur lojërat olimpike në bashkimin e kombeve, është më e dobishme që të hetohet si dhe përse ky kult modern i sportit u ngrit. Shumësia e lojrave që ne luajmë tash janë me origjinë të lashtë, por megjithatë sporti nuk duket të jetë marrë seriozisht midis periudhës romane dhe shekullit XIX… padyshim që e gjithë kjo gjë erdhi bashkë me rritjen e nacionalizmit që është zakoni modern lunatik i identifikimit të vetvetes me njësi të mëdha fuqie dhe e parjes së gjithçkaje në terma të prestigjit kompetitiv”. (cituar sipas: “Collected Essays, journalism and letters of George Orwell”, volume 4, 1945-1950, Penguin Publishers, pp. 62-63)
Orwell ka të drejtë në ato që thotë për sportin modern. Por, në anën tjetër Orwell, i cili nga pikëpamjet qe një liberal kozmopolit, pas të gjitha gjasave gabon kur e shikon nacionalizmin si një “zakon modern lunatik të identifikimit të vetvetes me njësi të mëdha fuqie të parjes së gjithçkaje në terma të prestigjit kompetitiv”. Njerëzit në të gjitha kohrat e kanë identifikuar vetveten me komunitete të mëdha dhe nga kjo kanë dashur të nxjerrin një krenari të ardhur nga kompetiviteti në të gjitha fushat, në raport me shoqëritë e tjera. Kështu ka qenë që nga kohët e egjiptianëve të vjetër, grekëve të vjetër, romanëve të vjetër, në mesjetë dhe deri në kohët moderne dhe nuk ka sit ë jetë ndryshe as në të ardhmen. Kompetiviteti është pjesë e natyrës njerëzore, e ardhur nga instikti i të mbijetuarit dhe kur individët janë pjesë e një grupi atëhere kompetiviteti bëhet cilësi e grupit.
Që në turneun e parë të Kupës së botës u duk prirja e shndrrimit të sportit modern në derivat të konfliktit politik mes kombeve. Në vitin 1926, kur Presidenti i FIFA, francezi Jules Rime ftoi vendet e botës që të merrnin pjesë në një kupë të botës në futboll, ai u shpreh se me këtë FIFA synonte që t’ i bashkonte kombet përmes një turneu ndërkombëtar futbolli, pasi: “Futbolli do t’ i fuqizonte idealet e paqeje të përhershme dhe reale”. Pra, kupës së botës në futboll po i jepej një funksion politik në botën e porsadalë nga një luftë botërore dhe mbi të cilën po binte hija e një lufte tjetër, fuqizimi i paqes, sipas idealit të vjetër olimpik. Në rast se ky qe synimi, atëhere organizatorët dështuan që në turneun e parë që u bë në Uruguaj, në 1930, që u errësua nga dyshime për instrumentalizim politik dhe për gjenerim të konflikteve politike. FIFA u kritikua shumë nga shtypi konservator europian që ia dha Uruguajit të drejtën e pritjes së turneut të parë të Kupës së botës, që atëhere quhej Kupa “Jules Rime”, sipas emrit të ideuesit të saj.
Kjo kritikë u bë për shkak të rastit me të cilin Uruguaj e fitoi të drejtën e pritjes (100 vjetorit të arritjes pavarësisë së tij nga Spanja), si dhe të mënyrës se si Uruguaj e konceptoi organizimin e këtij turneu, si një celebrim nacional për arritjen e pavarësisë (madje dhe stadiumi i kryeqytetit Montevideo ku u zhvilluan ndeshjet mbante këtë emër “Centenario”) në atmosferën politike të kohës kur kishte filluar lëvizja e popujve të shtypur kundër fuqive koloniale, fitonte një simbolikë politike të madhe. Celebrimi i pavarësisë së një ish-kolonie europiane me një turne botëror futbolli u pa si një gjë e dyshimtë nga vendet europiane, shumësia e të cilave atëhere qenë fuqi koloniale dhe vuanin probleme të mëdha në kolonitë e tyre, me lëvizjet në rritje të popujve të kolonizuar. Kjo bëri që pjesa më e madhe e vendeve europiane ta bojkotonin turneun edhe pse qeveria uruguajane e stimuloi pjesëmarrjen duke u paguar skuadrave pjesëmarrëse udhëtimin dhe qendrimin në vend.
Sigurisht që munguesja e madhe qe Spanja, vendi nga i cili Uruguaj qe shkëputur pas një luftë çlirimtare një shekull më parë. Spanja atëhere kishte probleme koloniale, sidomos në Marok dhe nuk e gjente me vend që të merrte pjesë në celebrimin sportive të shkëputjes së një kolonie të saj. Edhe përfaqësueset e futbollit të shumësisë së fuqive të tjera koloniale e bojkotuan turneun, duke e përdorur pjesëmarrjen e SHBA-ve në turne për t’ u shfajsuar me Doktrinën “Monro”, që i ndalonte vendet europiane të përziheshin në punët e hemisferit perëndimor. Në fakt, shumë vende të kontinentit të vjetër shikonin pas këtij turneu një konspiracion të atyre forcave ndërkombëtare, me në krye SHBA-t që për interesat e tyre, donin të shpërbënin sistemin kolonial. Kjo bëhej edhe më e besueshme nga fakti që SHBA-të, të cilat nuk kishin fare skuadër përfaqësuese të futbollit europian dhe madje as kampionat futbolli të tillë, sajuan me shpejtësi një skuadër të tillë për të marrë pjesë në kampionat. Por, FIFA u përshëndet për vendimin e saj nga qarqet liberale perëndimore.
Skuadrat nga Britania e Madhe, që kishte futbollin më të zhvilluar të kohës, edhe pse u ftuan me insistim nga FIFA, munguan në këtë turne. Anglia qe tërhequr nga FIFA në vitin 1920, me justifikimin se nuk donte të luante me skuadrat e vendeve me të cilat pati qenë në luftë, por shkaku i vërtetë qe se e parashikonte që FIFA do të shkonte në mënyrë të paevitueshme drejt një turneu botëror të futbollit, çka shihej sin ë dëm të interesave britanike, pasi ai do të gjeneronte nacionalizmin, që tashmë Imperia koloniale Britanike, që zinte mbi një të tretën e botës, pati filluar ta perceptonte si rrezik afatgjatë që mund të çonte në shpërbërjen e saj. Anglia, pavarësisht se çfarë u tha, nuk mori pjesë për arsye politike, për shkak se Kupën e botës e shihte si një mënyrë për avancimin e çështjes së shkolonizimit, që dëmtonte Imperinë britanike ku dielli nuk perëndonte kurrë. Që vendimi qe politik u kuptua nga fakti se në turne nuk morën pjesë edhe skuadrat e tjera britanike, ato të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.
Nga Europa morën pjesë përfaqësueset e vetëm katër vendeve Francës, Belgjikës, Rumanisë dhe Jugosllavisë. Franca, edhe pse qe fuqi koloniale, mori pjesë në turne, pasi me bigotizmin e vet të njohur, e konsideronte veten edhe kampione të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë së kombeve, kuptohet jashtë imperisë koloniale franceze. Nuk është ironi e vogël që ishte një francez, Jules Rime, ai që ideoi dhe realizoi një turne botëror sportiv që u shndrrua në një celebrim të luftrave çlirimtare koloniale, në një kohë që vendi i tij Franca, do të qe fuqia koloniale europiane që do të luftonte më gjatë dhe me ashpërsi për të shtypur luftrat çlirimtare në kolonitë e veta. Belgjika, e cila qe gjithashtu një fuqi koloniale, mori pjesë vetëm se atëhere ajo kishte prirjen të ndiqte pas verbërisht Francën.
Ironia tjetër e madhe e këtij botërori të parë që u shndrrua në një celebrim të nacionalizmit irredentist qe pjesëmarrja e Jugosllavisë, shtetit ballkanas që e pati marrë këtë emër vetëm një vit para turneut, në 1929, kur qe shndrruar në një diktaturë monarkiste, pasi Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, e krijuar si “demokraci” me iluzionin e “kombit të përbërë nga tre fise” u coptua në “çekanin dhe kudhrën” e hegjemonisë serbe dhe aspiratave nacionale të kroatëve, sllovenëve dhe popujve të tjerë të këtij vendi. Jugosllavia, e cila tashmë ishte një imperi koloniale e dominuar nga Serbia, ishte vendi i fundit në botë që duhej të merrte pjesë në këtë turne që u shndrrua në një celebrim të nacionalizmit separatist të popujve të kolonizuar. Shteti dhe federata jugosllave e futbollit u përpoqën ta paraqesin pjesëmarrjen e suksesshme të Jugosllavisë në këtë turne, ajo arriti deri në gjysëmfinale, si një provë se shteti i ri funksiononte mirë.
Por, mënyra se si u largua Jugosllavia nga ky turne, sikur paralajmëroi fatin e saj. Jugosllavia u eliminua në gjysëmfinale kur u mund 6-1 nga Uruguaji, vendi organizator që e pati parë turneun si një mënyrë për të celebruar jubileun e triumfit nacional të vet, si një komb irredentist që shkëputet nga imperia koloniale. Jugosllavia, imperia koloniale europiane, do të shpërbëhej nga nacionalizmi i popujve të shtypur. Fakti që Uruguaj e fitoi kupën e turneut sikur i vinte vulën kësaj. Jugosllavia e cila mori pjesë në mënyrë të suksesshme në botërorin e parë, një vit pasi këtë emër, 6 dekada më vonë, në 1991, do të shpërbëhej vetëm një vit pas një pjesëmarrjeje të suksesshme në një botëror futbolli, në atë të Italisë në 1990.
Kur botërorët e futbollit u bënë fushbetejë mes fashizmit dhe antifashizmit
Si për balancim politik FIFA ia dha Italisë, që atëhere qe nën një regjim fashist, të drejtën e pritjes së turneut të dytë të Kupës së botës, që do të zhvillohej në 1934. Vendimi u mor në tubimin e FIFA që u mbajt në Stokholm në tetor 1932, ku Italia fitoi përkundër kandidaturës së Suedisë. FIFA u kritikua shumë nga qarqet liberale dhe antifashiste ndërkombëtare që zgjodhi Italinë fashiste dhe jo Suedinë si vend pritës të turneut, pasi u tha se kështu i jepej rast regjimit fashist ta shfrytëzonte turneun për të propaganduar fashizmin. Madje u shkua deri atje sa të thuhet se drejtuesit e FIFA qenë blerë nga diktatori fashist italian, Mussolini, një teori konspiracioni kjo që do të stërhollohej gjatë zhvillimit të turneut duke përfshirë dhe arbitrat që do të gjykonin ndeshjet e Italisë.
Italia fashiste qe një vend që aspironte të krijonte një imperi koloniale në dëm të fuqive të vjetra koloniale europiane, pra simbolika e vendit pritës këtë herë qe e kundërta e rastit të Uruguajit. Kampionati botëror i futbollit, i zhvilluar në Itali në 1934, e shndrroi në traditë precedentin e instrumentalizimit politik të krijuar në Uruguaj në 1930. Italia fashiste musoliniane e vitit 1934 e shikonte organizimin e Kupës së botës si një rast për të promovuar para botës superioritetin e Italisë fashiste. Kampionati i vitit 1934, i shndrruar në një spektakël fashist, mbahet si turneu më i politizuar i sportit ndërkombëtar pas Olimpiadës së Berlinit të vitit 1936, që u shndrrua në një spektakël nazist. Kështu FIFA e pagoi shumë shpejt shtrenjtë çmimin për atë që pati bërë në vitin 1930 kur praktikisht qe bërë instrument i një shteti që donte të promovonte nacionalizmin e vet para botës.
Si për të përgënjeshtruar synimin e shpallur nga Jules Rime të Kupës së botës, Franca dhe Gjermania, të cilat gjendeshin në grupin e tetë eliminator europian për në finalet e kampionatit, nuk u takuan midis tyre, duke u mjaftuar vetëm me ndeshjet që secila prej tyre bëri kundër Luksemburgut. Të dy vendet veç para pak vitesh qenë ndeshur në luftën më të përgjakshme në histori dhe resentimentet e ndërsjellta qenë shumë të forta, pavarësisht retorikës për pajtim që kishin derdhur pa kursim politikanët e të dy vendeve, nga të cilët ministrat e jashtëm të dy vendeve së bashkua me atë të Britanisë së Madhe patën marrë Çmimin Nobël për Paqe disa vite para këtij incidenti. Një ndeshje futbolli e përfaqësueses gjermane në Francë, ose e asaj franceze në Gjermani, qe e pakonceptueshme, madje edhe një takim i tyre në fushë asnjëanëse mund të shërbente si një katalizator i shpërthimit të urrejtjeve kolektive në të dy vendet. Nuk është ironi e vogël që pikërisht Franca, atdheu i ideuesit të Kupës së botës Jules Rime, u bë vendi që së bashku me Gjermaninë. e shkeli më brutalisht imperativin e shpallur të Kupës së botës për paqësimin e kombeve. Kështu, anipse Franca dhe Gjermania nuk luajtën me njëra tjetrën, FIFA i quajti të mjaftueshme fitoret e tyre ndaj Luksemburgut, për t’ i shpallur të dy skuadrat të kualifikuara në finalet e Kupës së botës, kur qe dashur që gjermania dhe Franca të skualifikoheshin dhe në turneun final të shkonte Luksemburgu. Kjo “Marrëveshje e Mynihut” e futbollit në dëm të Luksemburgut, që derivonte nga komplikacionet politike, sikur paralajmëronte marrëveshjet gjeopolitike të mëvonshme në të cilat do të coptoheshin shtete.
Një debat të madh shkaktoi pjesmarrja në turne e përfaqësueses së SHBA. Qarqet liberale antifashiste në SHBA kërkuan që SHBA, e cila u kualifikua në turneun final Itali 1934, mos të merrte pjesë atje, pasi kështu, dashur pa dashur, do të bëhej instrument i propagandës së regjimit fashist italian. Qarqet liberale amerikane nuk e kuptonin se përse duhej që SHBA-t, të cilat nuk kishin asnjë traditë të futbollit europian, të çonin një skuadër në këtë turne, ku ajo sigurisht do të humbte thellë, cla nuk qe në të mëirë të dinjitetit amerikan në botë. E megjithatë skuadra amerikane shkoi në Itali, pasi atëhere qeveria amerikane ndiqte politikën e neutralitetit në Europë. Si për të ashpërsuar debatin amerikan për këtë çështje shorti, që përcaktonte çiftet në kuadrin e një sistemi me eliminim të drejtpërdrejtë me një takim, e bëri ekipin amerikan të ndeshet me Italinë, një ndeshje që SHBA-t e humbën me rezultatin e thellë 1-7, që do të qe rezultati më i thellë në historinë e Kupës së botës deri në vitin 1954. Qarqet liberale në SHBA e quajtën këtë si një provë të poshtërimit që SHBA-t i bënin vetes duke u treguar të plogët në marrëdhëniet me vendet fashiste.
Rreth kampionatit të vitit 1934 u ngrit një teori e tërë konspiracioni antifashist, sikur diktatori italian Benito Mussolini takohej para ndeshjeve me gjyqtarët që do të gjykonin ndeshjet e Italisë për t’ i blerë ata që të gjykonin në favor të Italisë. Për arbitrin suedez që drejtoi finalen u pretendua se u takua me Mussolinin para ndeshjes. Këtë teori konspiracioni e ushqeu fakti që arbitrat që gjykuan ndeshjet e Italisë dhanë shumë vendime në favor të Italisë. Veçanërisht ndeshja Itali-Spanjë u shndrrua në një maskaradë të vërtetë, kur italianët mundën të fitojnë vetëm ndeshjen e përsëritur dhe atë në mënyrë të dyshimtë. Në 31 maj 1934, kur në Firence u takuan Spanja dhe Italia, para syve të diktatorit fashist italian Mussolini që priste nga të vetët vetëm fitore, Spanja kaloi në avantazh në minutën e tridhjetë të pjesës së parë me anë të Regueira. Stadiumi që brohoriste slogane fashiste duke përshëndetur ala romana ra në heshtje. Goli i Ferrari në minutën e dyzetekatërt për Italinë mbeti i vetmi për këtë skuadër dhe ndeshja përfundoi në barazim. Sikur mos të qe për disa vendime të dyshimta të gjyqtarit të ndeshjes, belgut Baert, Spanja me siguri që do ta kishte fituar këtë ndeshje. Sipas rregullit të kohës u luajt një ndeshje tjetër të nesërmen, këtë herë e gjykuar nga zvicerani Mercet, i cili u përfol sikur u takua me Mussolinin para ndeshjes për t’ u paguar nga ky i fundit që të arbitronte në favor të Italisë. Se si është e vërteta nuk dihet, por arbitrimi i zviceranit qe dukshëm në favor të Italisë, posaçërisht kur Meazza bëri golin e vetëm të ndeshjes në minutën 44, ndërsa një lojtar italian pengonte portierin e famshëm spanjoll Zamora.
Gjyqtari suedezi Eklind i ndeshjes Gjysëmfinale Itali-Austri që përfundoi 1-0 për italianët u quajt një beniamin i Musolinit, për shkak se u përfol që ishte takuar fshehtas me këtë të fundit për të vendosur termat e një marrëveshjeje të ndyrë për të arbitruar në favor të Italisë. Në të njëtën mënyrë u përfol dhe ndeshja finale, që u drejtua çuditërisht nga i njëti gjyqtar që arbitroi ndeshjen gjysëmfinale nga e cila u kualifikua Italia, suedezi Eklind. Në finale Italia u ndesh me Çekosllovakinë, e cila qe skuadra më e mirë e këtij turneu dhe që me siguri që do të qe bërë kampione, në rast se kampionati nuk do të luhej në Itali. Në fakt çekosllovakët shënuan të parët në minutën e shtatëdhjetëenjëtë me anë të Puc dhe u duk sikur ata do të qenë kampionët e botës. Por italianët e ndihmuar nga gjyqtari Eklind që frenonte çekët, barazuan në minutën e tetëdhjetëenjëtë dhe kaluan në avantazh në minutën e nëntëdhjetëepestë, një gjë e jashtëzakonshme kjo për atë kohë kur ndeshjet nuk shtoheshin kaq shumë.
Italianët nuk donin që ndeshja të përfundonte në barazim se kështu do të përsëritej dhe evidencialisht gjyqtari Eklind i ndihmoi për këtë gjë. Italia u bë kampione e botës, gjë që regjimi fashist e pa si një paralajmërim të vendit që Italia përgatitej të zinte në botë, nën drejtim e tij, si një fuqi dominuese. Qarqet ndërkombëtare liberale e quajtën njëzëri si një turp për FIFA-n kampionatin e vitit 1934. Madje shtypi ndërkombëtar bëri humor domethënës me faktin që në këtë kampionat nuk pati një golshënues të vetëm, port re të tillë që shënuan nga katër gola, duke sugjeruar që golshënuesi më i mirë të shpallej diktatori fashist italian, Mussolini, i cili kishte meritën më të madhe për 12 golat që Italia pati bërë në këtë turne. Kështu, edhe futbolli në vitet ’30, edhe për shkak se u dominua nga Italia, u bë fushë e konfliktit politik të kohës mes fashizmit dhe antifashizmit.
Kampionati i vitit 1938, që u zhvillua në Francë, pasqyroi konfliktin politik të kohës midis fashizmit dhe antifashizmit. I zhvilluar në kulmin e Luftës së Spanjës, e cila pati katalizuar një rreshtim dhe konflikt global midis përkrahësve të fashizmit dhe antifashistëve, ky turne, edhe për faktin se zhvillohej në një vend të lirë, ku lejoheshin manifestimet politike pluraliste, u shndrrua në një arenë ballafaqimi politik. Përfaqësuesja e Italisë që vinte në turne me dekorin fashist dhe gjatë ekzekutimit të hymnit para ndeshjes nderonte ala romana, u fërshëllye nga antifashistët dhe ndeshjet e saj u shndrruan në manifestime të vërteta antifashiste me slogane tallëse për fashizmin dhe Mussolinin, që pati çuar trupat italiane në Spanjë të luftonin kundër republikanëve. Edhe më keq e pësoi Gjermania, e cila Skuadra që luante për flamurin nazist me swastikë pati ardhur me pretendime të mëdha në këtë kampionat, aq më tepër që kishte dhe lojtarët më të mirë të ish-përfaqësueses të Austrisë, që u quajt “skuadra-çudi“ në kampionatin e 1934-ës dhe që tashmë nuk ekzistonte më pasi Austria u aneksua nga Gjermania pak javë para fillimit të kampionatit. Hitleri e donte fitoren e Gjermanisë në këtë turne për të promovuar Gjermaninë naziste në botë. Skuadra gjermane që nderonte me krahun shtrirë lart, sipas mënyrës naziste, në kohën që ekzekutohej hymni gjerman para fillimit të ndeshjeve, u fërshëllye sistematikisht nga shikuesit francezë dhe antifashistë nga gjithë bota. Si për inat të Hitlerit që pati krijuar Rajhun e Tretë të supermilitarizuar, përfaqësuesja gjermane u eliminua në këtë turne nga Zvicra neutrale dhe paqësore, pasi u mund 4-2 prej saj, në një ndeshje kur për Zvicrën bënin tifo të gjithë francezët dhe të huajt antifashistë që gjendeshin në stadium.
Finalja e turneut e luajtur midis Italisë dhe Hungarisë u bë simbol i politizimit të sportit. Para ndeshjes skuadra italiane pati marrë një telegram sa lakonik aq edhe të frikshëm nga Mussolini “Vincere o morire” (Fitore ose vdekje). Me këtë Mussolini donte t’ i tregonte italianëve dhe botës seriozitetin me të cilin i bënte gjërat regjimi fashist, përkundër joseriozitetit proverbial italian. Për këtë më vonë është thënë se qe një mënyrë figurative të foluri, por gojën e Mussolinit fjala “vdekje” nuk ka qenë kurrherë një eufemizëm. Ky telegram bëri shumë bujë në shtypin francez dhe atë ndërkombëtar, duke u quajtur si provë e barbarisë së fashizmit, që i vinte lojtarët para alternativës së gladiatorëve-skllevër të Romës së vjetër, të cilët në rast se nuk fitonin vdisnin. Mussolini u paraqit në karikatura, para zhvillimit të ndeshjes, si një imperator roman, që ul gishtin për të urdhëruar vrasjen e futbollistëve italianë që qëndrojnë para tij kokëulur pasi kanë humbur ndeshjen finale.
Pas ndeshjes pati zëra sikur lojtarët hungarezë ua lanë vetë fitoren italianëve, që e fituan ndeshjen finale 4-2, pasi u tronditën shumë kur mësuan se Mussolini u pati dhënë lojtarëve italianë vdekjen si alternativë të fitores. Në fakt Hungaria në 1938, ashtu si Çekosllovakia në 1934 qe skuadra më e mirë e turneut. Portieri hungarez Antal Szabo pas ndeshjes u shpreh: “Unë mund të kem lejuar të hyjnë katër gola, por së paku unë shpëtova jetët e tyre”. Në fakt, zhurma që bëri shtypi ndërkombëtar antifashist për telegramin e Mussolinit u shndrrua praktikisht në një shantazh për futbollistët hungarezë për të humbur ndeshjen.
Një vit pas këtij turneu filloi Lufta e Dytë Botërore, çka zhgënjeu shpresat e ideuesit të turneut, Jules Rime, që e pati menduar kupën e botës në futboll si një mënyrë për të promovuar idealin e paqes botërore. Në fakt tre turnetë e parë të kësaj kupe patën shërbyer në të kundërt të këtij qëllimi dhe një pjesë e madhe e fajit për këtë i takonte FIFA-s, e cila bëri të mundur që i pari turne i Kupës së botës të instrumentalizohej nga politika. Sporti, jo vetëm që nuk pati zbutur konfliktet politike dhe ndihmuar për shmangjen e luftrave dhe ruajtjen e paqes, por qe bërë vazhdim i konflikteve politike dhe luftës, por me mjete të tjera, po të perifrazoj shprehjen e famshme të Klauzevicit për luftën.
Botërorët e futbollit gjatë Luftës së Ftohtë, “luftë pa krisma”
Kampionati botëror i futbollit i zhvilluar në 1950 në Brazil, qe një ilustrim i shkëlqyer i esesë së Orwell. Tashmë pati filluar Lufta e Ftohtë dhe sporti qe-sipas shprehjes së Orwell-“luftë pa krisma”. Pavarësisht se Kupa e botës qe ideuar “t’ i fuqizonte idealet e paqeje të përhershme dhe reale” midis kombeve, vendet humbëse të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Japonia nuk u lejuan të pjesëmarrin në turne, duke dëshmuar se sporti nuk është veçse vazhdim i luftës me mjete të tjera. Por u bë një përjashtim për Italinë, e cila pati qenë aleate e fuqive të Boshtit në luftë, por që u gjykua se duhej të merrte pjesë për shkak se qe fituesja e kampionatit të kaluar. Më shumë protesta shkaktoi prania në turne e Spanjës frankiste, e cila konsiderohej nga vendet e bllokut komunist dhe qarqet liberale perëndimore si një vend fashist.
FIFA, duke dashur që të siguronte pjesmarrjen e vendeve edhe nga ana tjetër e “perdes së hekurt”, nuk ia dha të drejtën e pritjes një vendi europian të angazhuar në konfliktin mes dy blloqeve, por një vendi latino-amerikan, që nuk qe i rreshtuar në konfliktin e Luftës së Ftohtë, Brazilit. Por, megjithatë FIFA nuk mundi që të siguronte pjesëmarrjen në turne të vendeve të bllokut komunist. Për këtë shkak vendet e bllokut komunist e bojkotuan turneun dhe e quajtën pjesëmarrjen e Jugosllavisë së Titos në turne si provë shtesë se titoja e pati shitur Jugosllavinë tek “imperializmi ndërkombëtar” dhe “fashizmi i ringjallur”. Kur disa ditë pas fillimit të turneut shpërtheu Lufta e Koresë, vendet e bllokut komunist i kërkuan me të madhe Jugosllavisë që të largohet nga turneu që ato e gjykonin si “imperialist” për shkak se atje merrnin pjesë SHBA-t që bota komuniste e quanin si vendi agresor në Kore.
Si për të konfirmuar rregullin që sporti ilustron marrëdhëniet mes kombeve, ndeshja SHBA-Angli e luajtur në Belo Horizonte, në 29 qershor 1950 përfundoi 1-0 për SHBA-t, rezultat ky që për disnivelin që kishte atëhere futbolli i të dy vendeve, mund të quhet si rezultati më i paritur në historinë e Kupës së botës-mjaft të konsiderohet se golin që i shkaktoi humbjen skuadrës angleze e shënoi një futbollist amator amerikan me profesion kamerier. Këtë humbje bizarre shtypi ndërkombëtar e komentoi me një lloj cinizmi si të ardhur nga prirja fatale në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, ku Britania e Madhe, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, tashmë ia pati lëshuar lidershipin e botës SHBA-ve.
Për turneun e vitit 1954, FIFA, duke dashur të siguronte pjesëmarrjen e vendeve nga ana tjetër e “perdes së hekurt”, caktoi si vend pritës, Zvicrën, një vend perëndimor që nuk qe anëtar i NATO-s, me të cilën vendet e bllokut komunist identifikonin imperializmin. Kështu u bë e mundur pjesëmarrja e vendeve të bllokut sovjetik. Por, me pjesmarrjen në botërorët e futbollit të vendeve të bllokut komunist, nuk u arrit që turneu botëror i futbollit “t’ i fuqizonte idealet e paqeje të përhershme dhe reale”, por thjesht turneu botëror i futbollit filloi të reflektojë konfliktin midis dy blloqeve të Luftës së Ftohtë.
Kjo u duk që në ndeshjet eliminatore që u desh të bëhen para turneut, për shkak të rritjes së numrit të pjesëmarrësve. Grupet kualifikuese europiane u ndanë sipas linjës ideologjike, botë kapitaliste-botë komuniste, se vendet komuniste nuk donin të prisnin në fushën e tyre skuadrat e vendeve kapitaliste. Në grupin e parë eliminator merrnin pjesë Gjermania Perëndimore, Saar dhe Norvegjia. Ky grup reflektonte realitetin politik konfliktual të prodhuar nga Lufta e Dytë Botërore. Saar qe një krahinë e Gjermanisë që i qe shkëputur kësaj pas luftës me insistimin e Francës, për t’ u bërë një protektorat i OKB, me synimin që më pas të bëhej një shtet i ri, për të shërbyer si një tampon midis Francës dhe Gjermanisë, në mënyrë që të ulej kërcënimi gjerman për Francën, që në fantazinë e shtetarëve të kësaj të fundit vazhdonte të ekzistonte si në vitet pas Luftës së Parë Botërore. Tek fakti që Saar doli në një grup eliminator me Gjermaninë Perëndimore, gjermanët panë një provokim që u bëhej atyre, që nuk e pranonin shkëputjen e Saar. Tepër e vështirë të pranohej se fataliteti i shortit kishte një sens ironik gjeopolitik. Më tepër duhej besuar që dikush në FIFA pati manipuluar shortin. Tash Gjermanisë Perëndimore i duhej të priste Saar në fushën e saj si një vend të pavarur me flamur dhe hymn të ri, çka cënonte ndjenjat e gjermanëve dhe afirmonte shkëputjen e Saar. Në 11 tetor 1953, në Shtutgart, Gjermani Perëndimore luajti kundër Saar në një ndeshje të cilën Gjermania Perëndimore e fitoi 3-0. Në 1957 Saar iu bashkua Gjermanisë Perëndimore.
Grupi i dytë përbëhej po ashtu vetëm nga shtete perëndimore: Belgjikë, Suedi, Finlandë. I tillë që dhe grupi i tretë, i cili qe kampionati britanik i vitit 1952-53(Angli, Skoci, Uells, Irlandë e Veriut. Edhe grupi i katërt, i pestë, i gjashtë dhe i nëntë përbëheshin vetëm nga vende kapitaliste: grupi i katërt (Francë, Republikë e Irlandës, Luksemburg), grupi i pestë (Austri, Portugali), grupi i gjashtë (Turqi. Spanjë) dhe grupi i nëntë (Itali, Egjipt). Dy grupe, i shtati dhe i teti përbëheshin nga vendet komuniste: grupi i shtatë (Poloni, Hungari), ndërsa grupi i tetë (Cekosllovaki, Rumani, Bullgari). Vetëm grupi i dhjetë qe mikst, kapitalisto-komunist (Jugosllavi, Greqi, Izrael), por atje merrte pjesë një shtet komunist-renegat, që u qortua shumë nga propaganda e vendeve të bllokut komunist për këtë pjesëmarrje, që u quajt si provë e shitjes së Jugosllavisë tek Perëndimi kapitalist.
Në finalet e kampionatit botëror të vitit 1954 pjesëmorën dy vende nga blloku komunist, Hungaria dhe Çekosllovakia, si dhe një vend komunist “renegat”, Jugosllavia. Hungaria qe favoritja kryesore e turneut dhe bëri një nga prezantimet më spektakolare në historinë e Kupës së botës. Propaganda e bllokut komunist e glorifikoi skuadrën hungareze të futbollit si një provë të suksesit të komunizmit edhe në sport dhe priste me padurim që hungarezët të fitonin Kupën e botës për ta konfirmuar këtë. Por, Hungaria humbi në finale 3-2 përballë Gjermanisë Perëndimore, të cilën e pati mundur thellë në takimin kualifikues. Propagandistët komunistë, më të aftët dhe më me fantazi në botë, sajuan mbi këtë ndodhi një teori konspiracioni të ngjashme me atë që u përpunua për turneun e vitit 1934 që u luajt në Itali. Humbja e Hungarisë u quajt rezultat i një “konspiracioni imperialist” për të poshtëruar një vend komunist dhe për të ndaluar që arritjet e komunizmit të afirmohen edhe në sport. Si figura qendrore e këtij konspiracioni në fushë pati qenë gjyqtari i ndeshjes, anglezi Ling, i cili u akuzua se pati mbajtur anën e Gjermanisë Perëndimore. Në fakt ai pati gjykuar dhe ndeshjen në grup eliminator mes këtyre skuadrave që u fitua nga Hungaria 8-3, por që nuk kishte rëndësi për gjermanët, që dolën atje me skuadrën e dytë. Gjithsesi teoria e konspiracionit ka një farë premise të vërtetë, pasi Hungaria, e cila qe padyshim skuadra më e mirë e turneut, udhëhiqte 2-0, pas minutës së tetë të ndeshjes dhe dukej se do të arrinte një rezultat të thellë. Por, gjyqtari anglez toleroi lojën e ashpër të gjermanëve kundrejt hungarezëve virtuozë, duke ia prishur bukurinë ndeshjes, çka u mundësoi gjermanëve ta përmbysnin rezultatin dhe të paktën një prej golave që shënuan gjermanët qe i parregullt për shkak të një falli ndaj një lojtari hungarez. Ndeshja Gjermani Perëndimore-Jugosllavi 2-0, qe një ilustrim i esesë së Orwell, pasi u përjetua në Jugosllavi, nga serbët dhe malazezët gjermanofobë, si një betejë e Luftës së Dytë Botërore.
Në kampionatin botëror të vitit 1958 u duk sikur për herë të parë ky kompeticion po luante rolin që i pati atribuar Jules Rime, atë të bashkuesit dhe paqësuesit të kombeve. Grupet kualifikuese mikste kapitalisto-komuniste dhe për herë të parë mori pjesë Bashkimi Sovjetik. Nga 9 grupe kualifikuese të zonës europiane, tre qenë mikste: Grupi i katërt (Çekosllavaki, Uells, Gjermani Lindore), grupi i gjashtë (Poloni, Finlandë, BS) dhe Grupi i shtatë (Jugosllavi, Greqi, Rumani). Por, megjithatë turneu nuk u shpëtoi dyshimeve për manipulime politike të ndeshjeve. Mbi ndeshjen e grupit të gjashtë kualifikues, shtypi perëndimor ngriti një teori të tërë konspiracioni. Në 27 korrik 1957, në Moskë BS mundi Finlandën 2-1, në një ndeshje ku rezultati më i drejtë do të kishte qenë barazimi. E gjithë bota po priste me kureshtje ndeshjen në fushën finlandeze që do të luhej pas 19 ditësh.
Në Finlandë, e cila edhe pse një vend kapitalist, atëhere i qe imponuar të qe në fakt një gjysmë sateliti sovjetik, prej nga ku në fjalorin gjeopolitik ndërkombëtar ka hyrë termi “finlandizim”, ndeshja u bë çështje e prestigjit kombëtar. Për finlandezët Rusia qe armiku i urryer që i pati aneksuar në fillim të shekullit XIX dhe që më pas i pati sulmuar pabesisht në fillim të Luftës së Dytë Botërore, pas Paktit Molotov-Ribentrop, për çka Bashkimi Sovjetik qe përjashtuar nga Lidhja e Kombeve. Ndeshja me BS, si një ilustrim i tezës së Orwell, u shndrrua në një çështje prestigji nacional. Por dyshimet e mëdha erdhën kur vetëm pas 19 ditësh, në Helsinki Finlanda humbi në fushën e vet përballë Bashkimit Sovjetik 0-10.
Në shtypin perëndimor u tha se BS i pati bërë presion diplomatik Finlandës që ta humbte ndeshjen thellë, u bënë krahasime me ultimatumin që Bashkimi Sovjetik i adresoi Finlandës në vjeshtën e vitit 1939, si dhe u tha se KGB u pati bërë presion familjeve të lojtarëve finlandezë. Në shtypin perëndimor u shfaqën tituj si “Finlanda 0- KGB 10”. Propaganda sovjetike e quajti gjithë këtë zhurmë si pjesë të konspiracionit imperialist kundër Bashkimit Sovjetik, duke harruar se tashmë po merrte shpërblimin për titujt që qenë shfaqur në shtypin sovjetik pas ndeshjes Angli-SHBA 0-1 në botërorin e Brazilit, në 1950 “Angli 0-CIA 1”.
Në grupin e katërt të finaleve të botërorit që u luajtën në Suedi, në 1958, gjërat shkuan sipas konceptit të Orwell. Në këtë grup bënin pjesë Brazili, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Austria. Për regjimin sovjetik u bë një obsesion që përfaqësuesja sovjetike të fitonte kundër Anglisë, që për propagandën sovjetike kishte rëndësi jo vetëm për faktin se Anglia qe vendi ku qe shpikur futbolli, por dhe se Anglia shihej si nëna e “imperializmit ndërkombëtar“ dhe krahu i djathtë i “imperializmit amerikan”. Ndeshja Bashkim Sovjetik-Angli përfundoi 2-2 dhe u desh që dy skuadrat të luanin një ndeshje play-off për vendin e dytë në grup. Në këtë ndeshje të dytë Bashkimi Sovjetik fitoi 1-0, duke e eliminuar Anglinë dhe duke u kualifikuar për në çerekfinale, një kënaqësi e dyfishtë kjo për propagandën sovjetike. Në çerekfinale Bashkimi Sovjetik u mund nga Suedia 2-0, çka qe një gjë e suportueshme për propagandën sovjetike, pasi Suedia asnjëanëse, edhe pse një vend kapitalist, nuk qe një vend “imperialist”. Por, shtypi perëndimor gjeti rastin të bëjë humor në dëm të Bashkimit Sovjetik, duke thënë se Suedia mori hakun për poshtërimin e fqinjës së vet, Finlandës, e cila para se të aneksohej nga Rusia pati qenë pjesë e Suedisë. Ndeshja për vendin e tretë, Francë-Gjermani Perëndimore, që përfundoi 6-3 për Francën, ishte një tjetër derivat i luftës, por këtë herë jo i “Luftës së Ftohtë”, por i Luftës së Dytë Botërore, ose më saktë i luftrave shekullore-gjermano-franceze. Mënyra se si e përcolli publiku francez këtë ndeshje, si një poshtërim të armiqve historikë, “boshëve” të urryer, e vinte shumë në dyshim konsistencën e pajtimit franko-gjerman që do të fillonin atë vit Presidenti de Gaulle dhe kancelari Adenauer.
Në kampionatin botëror të vitit 1962, që u zhvillua në Kili vazhdoi “lufta pa krisma”, po të përdor shprehjen e Orwell. Brenda turneut kishte një garë jozyrtare midis vendeve pjesmarrëse që i përkisnin NATO dhe atyre që i përkisnin Traktatit të Varshavës, garë kjo që ekzistonte falë rëndësisë që u kushtonte propaganda komuniste ndeshjeve mes vendeve të blloqeve të ndryshme. Ndeshjet Çekosllovaki-Spanjë dhe Hungari-Angli u bënë çështje të rëndësishme për lidershipin politik të bllokut komunist, dhe Hungarisë. Në grupin e katërt Hungaria mundi Anglinë 2-1 dhe doli e para në grup, ndërsa Çekosllovakia mundi Spanjën 1-0 për kënaqësinë e madhe të propagandistëve komunistë.
Një nga ndeshjet çerekfinale, Jugosllavi-Gjermani Perëndimore u përsoll nga ana e jugosllavëve (serbëve dhe malazezëve) me ngarkesë të madhe politike të ardhur nga kujtesa historike konfliktuale midis dy vendeve në dy luftra botërore, si një “luftë pa krisma”. Fitorja 1-0 e Jugosllavisë në këtë ndeshje u përjetua në Serbi si një triumf në një betejë të luftës botërore. Bashkimi Sovjetik vinte me shumë pretendime, si kampion në fuqi i Europës, u glorifikua nga propaganda komuniste si kampioni i ardhshëm i botës, nisur edhe nga forma jo mirë e kampionit në fuqi, Brazilit. Por, Bashkimi Sovjetik u mund 2-1 në çerekfinale nga Kili, vendi pritës. Kur Çekosllovakia, një vend komunist doli në finale përballë Brazilit, futbollistit çekë u vunë para një presioni të madh politik nga shtetarët e Pragës dhe Moskës “për ta sjellë kupën e botës në kampin socialist”. Dhe u duk se kjo ëndërr do të bëhej realitet kur Çekosllovakia udhëhiqte 1-0 në minutën 17’ të pjesës së parë, aq më tepër që Brazili i vitit 1962 nuk qe ai i vitit 1958 dhe Pele mungonte në ndeshjen finale. Por, për fatin e keq të propagandës komuniste Brazili kishte dhe të tjerë futbollistë veç Peles, të cilët ia arritën që ta përmbysnin rezultatin dhe Brazili fitoi 3-1.
Prapaskenat politike të botërorëve të futbollit 1966-1974
Kampionati botëror i vitit 1966 qe një “luftë pa krisma” edhe më tepër se ai i vitit 1962. Hija e konfliktit politik të kohës ra mbi këtë kampionat që shumë kohë para se të fillonte. FIFA hyri në një konflikt me vendet afrikane për shkak se këto kërkonin që Afrika të kishte të drejtën për të paktën një vend në finale, ndërsa FIFA u dha vetëm të drejtën që të ndeshen në një turne eliminator me skuadrat aziatike, nga ku do të dilte vetëm një skuadër që do të kishte të drejtë që të shkonte në finalet e kampionatit botëror Angli 1966. Vendet afrikane ish-koloni, që porsa kishin fituar pavarësinë e perceptuan këtë si një poshtërim që u bënin ish-metropolet europiane, si vegël të të cilëve ato e shihnin FIFA-n. Vendet afrikane u ndien të fyera dhe e bojkotuan kampionatin.
Për vendet komuniste të Traktatit të Varshavës pjesëmarrëse në turne, kampionati botëtor Angli 1966 qe vecanërisht delikat, pasi për herë të parë vendi pritës qe një vend i bllokut kundërshtar të NATO-s Anglia, që për propagandën komuniste qe qendra historike e “imperializmit ndërkombëtar” dhe krahu i djathtë i SHBA-ve. “Kali propagandistik i betejës” i bllokut komunist në këtë turne qe Korea e Veriut (RPDK), e cila u bë surpriza e madhe e turneut. Korea e Veriut bëri një prezantim të mahnitshëm, duke duke mundur në grup 1-0 Italinë “kapitaliste dhe neofashiste” me shumë tradita futbolli, që për më tepër qe anëtare e NATO. Një rreshter i ushtrisë koreanoveriore, Pak Doo-Ik bëri golin për koreanoveriorët duke i lënë të habitur futbollistët profesionistë italianë dhe gjithë botën. E kualifikuar në çerekfinale, Korea e Veriut për pak e përsëriti surprizën ktë herë kundër skuadrës më spektakolare të turneut, Portugalisë së Eusebios, kur në minutën e 24 të pjesës së parë udhëhiqte me rezultatin 3-0. Por, Portugalia, e cila do të zinte vendin e tretë në turne, ia arriti që ta përmbysë rezultatin dhe të fitojë 5-3. Edhe sot e kësaj dite ka mbetur enigmë se si u bë e mundur që Korea e Veriut, e cila kishte vetëm 13 vjet që pati dalë dalë nga një luftë shkatërrimtare dhe që nuk kishte asnjë traditë në futboll, ia arriti të ndërtojë një skuadër aq të fortë, aq më tepër kur që atëhere nuk ia ka arritur që të kualifikohet më në finalet e botërorëve.
Skuadra koreanoveriore megjithatë fitoi “kupën” e propagandës së komunizmit ndërkombëtar, duke u paraqitur si provë e mrekullisë që është në gjendje të bëjë sistemi komunist, do të thotë që ia doli që në një vend të shkatërruar nga “agresioni imperialist amerikan”, siç qe Korea e Veriut të zhvillonte sportin deri në atë pikë, sa të ndërtonte një skuadër kombëtare futbolli të shkëlqyer. Eliminimi i Koresë së Veriut iu atribua edhe “konspiracionit imperialist” të bërë pikant dhe me pak antisemitizëm, sipas modës sovjetike antiizraelite të kohës, për shkak se gjyqtari i ndeshjes Portugali-Kore e Veriut qe Ashkenazi nga Israeli. Natyrisht që propaganda komuniste nuk e gjeti me vend që të shpjegonte se si shpjegohej sipas kësaj logjike humbja 2-1 e Bashkimit Sovjetik në ndeshjen për vendin e tretë me Portugalinë. Një ndeshje tjetër e llojit “luftë pa krisma” qe ajo në gjysëmfinale midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Perëndimore, që takoheshin për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Vëzhguesit thonë se publiku gjerman e shijoi fitoren 2-1 të Gjermanisë Perëndimore si një revansh të Luftës së Dytë Botërore.
Një “luftë pa krisma” qe dhe ndeshja finale Angli-Gjermani Perëndimore, e cila u ndoq nga publiku britanik duke u përsjellë me sloganet e Luftës së Dytë Botërore si slogani luftarak britanik i kohës së luftës “Let's Blitz the Fritz”, që ironizonte “Bitzkrieg” gjerman, si dhe me me shprehjen e përzier gjermanisht-anglisht “Achtung Surrender!”, që e thoshin ushtarët gjermanë kur u dorëzoheshin britanikëve. Ndërsa tifozët gjermanë në stadium u jepnin zemër të vetëve me britmën luftarake teutone. Për të rritur tensionin influencoi dhe mënyra se si u zhvillua ndeshja, posaçërisht goli i famshëm i diskutueshëm i anglezit Hurst, që e çoi para Anglinë në kohën shtesë dhe çbalancoi lojën e gjermanëve, duke bërë që anglezët të vulosnin fitoren dhe me një gol tjetër. Gjermanët u ndienë të fyerë sa nga mënyra se si e përjetuan ndeshjen anglezët, aq edhe nga mënyra se si u mundën, duke e konsideruar humbjen si një poshtërim shtesë që i bëhej një vendi të madh të poshtëruar historikisht nga Britania e Madhe.
Kampionati botëror i vitit 1970 që u luajt në Meksikë, sa i përket “luftës pa krisma” do të mbahet mend më shumë për revanshin e Gjermanisë ndaj Anglisë, të cilën e mundi në çerekfinale 3-2. Përsëri ndeshja pati një atmosferë si të luftrave botërore, veçse këtë herë sloganet luftarake qenë të dyanshme.
Kampionati botëror i vitit 1974, i zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore, ka qenë më i ngarkuari nga pikëpamja e sportit si “luftë pa krisma”. Nga 16 skuadra, gati gjysma (7) u përkisnin dy blloqeve kundërshtare ideologjiko-militariste, NATO (gjermani Perëndimore, Itali, Skoci, Holandë) dhe Traktati i Varshavës (Poloni, Gjermani Lindore, Bullgari). Në fillim të turneut vëmendja qe përqëndruar në grupin e parë ku bënin pjesë dy shtetet-avanguardë të konfliktit të Luftës së Ftohtë, Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore, konflikt që kishte si symbol pikërisht “murin e Berlinit”. Derisa media perëndimore e mori këtë ndeshje vetëm si një kuriozitet të kombinimit të sportit me politikën në kohën e Luftës së Ftohtë, propaganda e vendeve komuniste e mori shumë seriozisht dhe skuadrës gjermanolindore iu ngarkua nga regjimi komunist gjermanolindor dhe Moska misioni i pamundur që ta fitonte me çdo kusht këtë ndeshje, pasi në atë kohë dy Gjermanitë qenë bërë terren i garës së gjithanshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Skuadra gjermanolindore iu nënshtrua për muaj me rradhë para turneut një regjimi mbinjerëzër stërvitor dhe një propaganda që synonte t’ i kthente lojtarët në robotë atletikë dhe taktikë, si dhe në qënie të obseduara për fitore. Inxhinieringu njerëzor komunist ia arriti qëllimit dhe Gjermania Lindore fitoi 1-0 në ndeshjen kundër Gjermanisë Perëndimore, çka qe një surprizë po aq e madhe sa fitorja e Koresë së Veriut kundër Italisë tetë vite më parë, pasi edhe pse Gjermania Lindore qe një skuadër më e madhe se Korea e Veriut, Gjermania Perëndimore e vitit 1974 qe një skuadër më e madhe se Italia e vitit 1966.
Fitorja e skuadrës gjermanolindore, qe një dhuratë e papritur dhe e shkëlqyer për propagandën komuniste, e cila nuk kishte se me cfarë të krenohej në garën mes dy sistemeve që zhvilloihej në terrenin e ndarë gjerman dhe madje vuante akuzat e Perëndimit për ndërtimin e Murit të Berlinit si provë e dështimit komunist. Regjimi komunist i Berlinit Lindor e përdori shumë fitoren për t’ i thënë botës se Gjermania Lindore nuk qe ajo që e paraqiste propaganda perëndimore “neofashiste”, por qe një vend që qe i aftë të tregonte superioritet ndaj homologes perëndimore edhe në sport. Humbja e Gjermanisë Perëndimore në ndeshjen me Gjermaninë Lindore bëri që të lindë një teori konspiracioni në median perëndimore sikur ndeshjen nuk e pati fituar Gjermania Lindore, por shërbimi sekret famëkeq gjermanolindor, STASI, që pati arritur të manipulonte disa lojtarë gjermanoperëndimorë. Por, Gjermania Perëndimore fitoi kupën e botës pas disa ditësh dhe të gjitha këto dyshime u zhdukën. Ndeshje të tjera të llojit “luftë pa krisma” në këtë kampionat qenë ajo Gjermani Perëndimore-Jugosllavi që u fitua nga gjermanoperëndimorët 2-0, si dhe veçanërisht ndeshja Gjermani Perëndimore-Poloni. Të dy skuadrat, si Gjermani Perëndimore ashtu dhe Polonia shkonin drejtpërdrejt në ndeshjen finale përballë Holandës në rast se e fitonin ndeshjen. Vëzhguesit vunë re tek publiku i të dy vendeve që ndoqi ndeshjen shfaqjen e resentimenteve historike që ekzistonin tek dy kombet ndaj njëri tjetrit, për shkak të ngarkesave historike armiqësore që zinin fill me pjesëmarrjen e Prusisë në ndarjet e Polonisë, me agresionin gjerman kundër Polonisë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe me aneksimet e tokave gjermane nga Polonia pas secilës prej dy luftrave botërore. Gjermania Perëndimore e mundi Poloninë 1-0, çka nga publiku gjerman u përjetua si një revansh ndaj “padrejtësive” që Polonia i pati bërë Gjermanisë historikisht, si një fitore në një “luftë pa krisma”.
Konspiracioni politik i Argjentinës në botërorin e 1978 dhe kundër Argjentinës në 1982
Kampionati botëror i vitit 1978, që u zhvillua në Argjentinë, u bë terreni i të tjerave “luftra pa krisma”. Madje këtë herë gjithçka filloi që para se të fillonte turneu. Në vitin 1976, dy vjet para fillimit të turneut, në Argjentinë u bë një grusht shteti, si rezultat i të cilit në pushtet erdhi një juntë ushtarake tipike latino-amerikane. Për standardet e qarqeve liberale të majta dhe komuniste ndërkombëtare kjo do të thoshte se në Argjentinë qe vendosur një regjim fashist. Për këtë arsye, këto qarqe i kërkuan FIFA-s që t’ ia hiqte Argjentinës të drejtën e pritjes së turneut. Madje ato shkuan deri atje sa t’ i kujtonin FIFA-s gabimin e bërë duke i dhënë Italisë fashiste të drejtën e pritjes së turneut të vitit 1934 dhe e quajtën FIFA-n bashkëfajtore në krimet e juntës argjentinase, pasi kjo e fundit do ta përdorte turneun për të rregulluar imazhin e vet para botës, imazh që qe bërë gjakësor pas eliminimit të shumë kundërshtarëve politikë dhe të zhdukjes së mijëra njerëzëve të quajtur “desaparacidos”. Në fakt junta në pushtet në Argjentinë kishte filluar ta përdorte zhvillimin e kampionatit botëror në Argjentinë pikërisht në atë sens që paralajmëruan qarqet liberale dhe komuniste, pra për të legjitimuar vetveten para kombit dhe botës.
Por, FIFA nuk ia hoqi Argjentinës të drejtën e pritjes së turneut, gjë që në fakt i qe akorduar që në vitin 1970. Në këto rrethana, kampionati botëror për pak dështoi pasi shumë vende, midis të cilave dhe nënkampionia e botës, Holanda, deklaruan se po konsideronin që ta bojkotonin kampionatin. Por, megjithatë u bë e mundur që kampionati të zhvillohet pa u bojkotuar nga asnjë prej vendeve të kualifikuara në turne. Pas kësaj mediat liberale dhe komuniste, duke përfshirë dhe atë të Bashkimit Sovjetik që nuk pati arritur të kualifikohej dhe ngushëllohej në këtë mënyrë, bënë profecinë cinike se ky kampionat do të shkonte si ai i zhvilluar në Italinë e sunduar nga fashizmi në vitin 1934 dhe se Argjentina do të fitonte me ndeshje të trukuara të paguara nga junta. Skuadra argjentinase sigurisht që nuk e meritonte një cinizëm të tillë, pasi ajo qe një skuadër e mirë, ndonëse jo më e mira e turneut.
Në 2 qershor 1978, në Estadio Monumental të Buenos Aires, në prani të krerëve të juntës argjentinase u takuan Argjentina dhe Hungaria, në një ndeshje që shkaktoi mjaft polemika. Argjentinasit qëë në këtë ndeshje treguan prirjen e tyre në këtë kampionat për të bërë lojë të ashpër. Si duket kjo vinte nga presioni i juntës për të fituar me cdo kusht. Hungarezët u përgjigjën në të njëjtën mënyrë. Por gjyqtari spanjoll Garrido penalizoi vetëm hungarezët duke nxjerrë me karton të kuq dy prej tyre, Toroshik dhe Nillashi. Gjithsesi, hungarezët kaluan të parët në avantazh me anë të Csapo që në minutën e dhjetë të ndeshjes dhe argjentinasit, megjithëse mundën ta barazojnë rezultatin me anë të Luque në minutën e pesëmbëdhjetë të ndeshjes, nuk arritën ta zhbllokojnë rezultatin deri në fund të ndeshjes, madje qenë hungarezët ata që mund të kishin kaluar në avantazh, sikur mos të qenë frenuar në lojnë e tyre sistematikisht nga gjyqtari spanjoll Garrido. Argjentinasit e fituan ndeshjen me një gol të të Bertonit në minutën e tetëdhjetëetretë, pas një episodi shumë të dyshimtë.
Kjo ndeshje bëri që të gjenerojë debati politik rreth këtij turneu për të vazhduar me ndeshjen e 6 qershorit Argjentinë-Francë. Franca e Platinisë, që nisi rrugën e saj të lavdisë së madhe në këtë turne, e vuri në vështirësi Argjentinën gjatë gjithë pjesës së parë. Argjentinën e nxorri nga vështirësia gjyqtari zviceran Dubach, që dha një njëmbëdhjetëmetërsh krejt inekzistent në favor të saj, në minutën e dyzetepestë të pjesës së parë. Ky gjyqtar vetë u detyrua që ta pranonte pas disa ditësh se ky qe një gabim dhe u dënua nga FIFA që mos të gjykojë në botërorin pasardhës. Gjithsesi, Pasarella e coi Argjentinën në 1-0, por në pjesën e dytë qe Franca që dominoi dhe Platini barazoi në minutën e gjashtëdhjetë. Argjentina e ndihmuar nga gjyqtari që frenonte Francën arriti të kalojë në avantazh me anë të Luque në minutën e shtatëdhjetëetretë, gjithsesi me një gol shumë të bukur. Sa i madh qe entusiazmi që shpërtheu në Argjentinë, aq i madh qe zemërimi që shpërtheu në Francë, ku kjo ndeshje u krahasua me atë Itali-Spanjë të vitit 1934. Shtypi francez kërkoi që skuadra të tërhiqej nga turneu dhe që FIFA të ndërpriste turneun që po shndrrohej në një instrument të propagandës fashiste të juntës argjentinase dhe’ i kërkonte zyrtarisht falje Francës. Por, FIFA e bëri veshin e shurdhër dhe u mjaftua me dënimin e gjyqtarit më vonë.
Në fazën e dytë të turneut, debatet politike u bënë edhe më të ashpra, veçanërisht pas fitores së dyshimtë të Argjentinës ndaj Perusë, që çoi në eliminimin e Brazilit. Brazili që kishte luajtur ndeshjen në grup me Perunë para Argjentinës dhe kishte fituar 3-0 kishte arritur me këtë golavarezhin 6-1, pasi pati barazuar 0-0 me Argjentinën, çka do të thoshte se Argjentinës që pati fituar 2-0 me Poloninë i duhej fitorja 4-0 me Perunë për t’ u kualifikuar në ndeshjen finale. Argjentina fitoi me Perunë 6-0, çka bëri që të shpërthejë një skandal i vërtetë, pasi Peruja qe shfaqur si një skuadër e fortë në turne dhe humbja 3-0 me Brazilin, që ishte një skuadër më e mirë se Argjentina, qe më e rënda për të. Argjentina shënoi në ndeshjen me Perunë aq gola sa ç’ pati shënuar në katër ndeshjet e para të turneut, gjashtë. Portieri peruan Kiroga, i cili luante për një skuadër në kampionatin argjentinas, u fajësua në mënyrë të veçantë për shitje të ndeshjes tek krerët e juntës argjentinase. Ndeshja finale e luajtur në 25 qershor 1978 midis Argjentinës dhe Holandës, para gjithë juntës argjentinase që qe e pranishme në tribunë, u krahasua nga shtypi perëndimor me ndeshjen finale të vitit 1934 Itali-Çekosllovaki. Holandezët virtuozë edhe pse jo në kondicionin optimal fizik u bënë viktima të një loje të ashpër të argjentinasve, të cilën gjyqtari italian Gonella nuk e penalizoi. Argjentina fitoi 3-1 me dy gola në minutat e fundit një ndeshje që po shkonte drejt kohës shtesë në barazim. Junta argjentinase e përdori triumfin në Kupën e botës ashtu si regjimi fashist italian në vitin 1934. Por triumfin ia hidhëroi shtypi liberal ndërkombëtar që me ironi e shpalli kreun e juntës si futbollistin më të mirë të turneut dhe golashënuesin më të mirë para argjentinasit Mario Kempes. FIFA, e drejtuar nga braziliani Havelanzh, u kritikua shumë për këtë kampionat, si për asnjë tjetër deri në atë kohë, madje edhe më tepër se për atë të vitit 1934.
Por, edhe pse çështja më e nxehtë e këtij kampionati u bë konflikti politik në Amerikën Latine, përsëri e para ndeshje “luftë pa krisma” në kampionat qe një ndeshje ku u takuan dy skuadra europiane, ndeshja e hapjes së turneut midis Gjermanisë Perëndimore dhe Polonisë, e cila u rrethua me po ato ngarkesa historike si ndeshja e vitit 1974, por që në fushë munguan pasi ndeshja përfundoi 0-0.
Kampionati i vitit 1982 i zhvilluar në Spanjë nuk qe më pak i tensionuar politikisht se ai i vitit 1978, madje në një pikëpamje qe edhe më tepër. Në prag të kampionatit filloi lufta (me krisma) midis Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për Ishujt Falkland (Malvine) hija e së cilës ra mbi Kupën e botës pasi përfaqësuesja argjentinase e mbështeti me forcë okupimin e Ishujve Falkland nga ana ushtrisë argjentinase të kontrolluar nga junta. Shumësia e futbollistëve të kombëtares argjentinase qenë miq të gjeneralëve të juntës, duke filluar nga supertalenti Maradona që debutante në këtë botëror, të cilët e përdornin futbollin për të rritur prestigjin e regjimit të tyre dhe për të bërë për vete popullin. Në rrethanat kur Këshilli i Sigurimit i OKB pati dalë me një rezolutë të arritur me votim 10-1 që i kërkonte Argjentinës tërheqjen nga ishujt e okupuar, si dhe kur junta argjentinase shihej si përgjegjëse për zhdukjen e deri 30 000 kundërshtarëve të saj, u kërkua me të madhe që FIFA ta përjashtojë skuadrën argjentinase nga turneu, që u quajt si skuadër e përbërë prej fashistësh.
Por FIFA nuk e bëri këtë, siç u duk se pati menduar që ta bënte më të sofistikuar ndëshkimin e Argjentinës. Që në ndeshjen e parë të turneut u duk se FIFA pati vendosur të shpaguante fajin e saj të vitit 1978, duke ndëshkuar skuadrën argjentinase që vinte për të mbrojtur titullin botëror. Në 13 qershor 1982 Argjentina u ndesh me Belgjikën në ndeshjen e hapjes së turneut. Ndeshja filloi e tensionuar pasi kreut të juntës argjentinase i qe mohuar prej disa muajsh nga qeveria socialiste spanjolle kërkesa për të asistuar në ndeshjen e hapjes së turneut. Gjyqtari Christov, nga një vend komunist si Çekosllovakia, dukej se qe një zgjedhje e qëllimshme e FIFA-s për të ndëshkuar një skuadër “fashiste”. Gjyqtari Christov i toleroi belgët që ta “masakronin” Maradonën gjatë kësaj ndeshjeje, ku Maradona me siguri që do ta kishte çuar Argjentinën në fitore sikur mos gjyqtari të arbitronte ndershmërisht. Lojtarët e tjerë virtuozë argjentinas si Ardiles dhe Diaz u bënë gjithashtu viktima të arbitrit Christov. Në fund Belgjika fitoi 1-0 me një gol në limitet e pozicionit jashtë loje.
Argjentina e 1982-shit në fakt qe një skuadër më e mirë se ajo e 1978-ës dhe e meritonte më shumë Kupën e botës. Belgjika, e cila i humbi të gjitha ndeshjet e mëpasme që luajti me përjashtim të asaj me Salvadorin shumë të dobët të cilën e fitoi 1-0, të cilin Hungaria e mundi 10-1, si dhe atë me Hungarinë të cilën e barazoi me vështirësi, nuk do të arrinte kurrë ta mundte Argjentinën e Maradonës pa ndihmën e arbitrit. Argjentina e Maradonës e tregoi forcën e vet në ndeshjen tjetër në grup grup me Hungarinë të cilën Argjentina e mundi 4-1 falë një Maradone të shkëlqyer që shënoi dy gola.
Kurthin për Argjentinën e Maradonës FIFA e pati ngritur në fazën e dytë të turneut.Në mes të turneut, 18 qershor, u përmbys junta ushtarake në Argjentinë, pas kapitullimit të forcave ushtarake argjentinase në Ishujt Falkland dhe tashmë duhej eliminuar dhe skalioni i fundit i juntës, përfaqësuesja argjentinase e futbollit. Në 29 qershor, në Barcelonë Argjentina u ndesh me Italinë. Ashtu si në ndeshjen e hapjes qe zgjedhur një gjyqtar nga një vend komunist, Rainea nga Rumania, i cili kishte kompleksin e duhur për të ndëshkuar skuadrën “fashiste”. Kjo ndeshje do të mbahet mend si më e turpshmja dhe më e ndyra e kampionateve botërore për shkak të duelit Gentile-Maradona. Gjyqtari rumun Rainea e lejoi mbrojtësin italian Gentile që ta “masakrojë” Maradonën, duke e nxjerrë komplet jashtë loje. Maradona mund të qe një mik i gjeneralëve fashistë të juntës, çka përbënte një turp për të, por ai qe një futbollist gjenial dhe ajo që i ndodhi atij në 1982 përbën turpin e FIFA-s. Në histori nuk do të përmendet miqësia e Maradonës me gjeneralët e juntës, por “masakrimi” i tij me bashkëfajësinë e gjyqtarëve në kampionatin e vitit 1982. Italia pas neutralizimit të Maradonës, rreth të cilit qe fokusuar loja e Argjentinës, fitoi 2-1.
Ndëshkimi politik i Argjentinës do të përmbushej plotësisht në ndeshjen me Brazilin që u luajt në 2 korrik 1982, në Barcelonë. Brazili qe skuadra më e mirë e këtij turneu, por në këtë ndeshje Argjentina u përpoq më shumë, ndonëse qe Brazili ai që bëri më shumë gola. Përsëri fatin e ndeshjes e vendosi neutralizimi i parregullt i Maradonës nga brazilianët, që u tolerua nga gjyqtari meksikan Rubio Vasquez, një zgjedhje shumë e dyshimtë ky i FIFA-s për të arbituruar një ndeshje të këtyre skuadrave të mëdha, pasi Meksika e asaj kohe qe një vend që nuk njihej jo më për futboll të nivelit të lartë, por as të nivelit mesatar. Në këtë ndeshje, Maradonën ndaj të cilit tashmë qe bërë një numër i pabesueshëm goditjesh të paakorduara nga gjyqtarët, nuk e mbajtën nervat dhe goditi me shkelm një lojtar brazilian që e pengoi në mënyrë të parregullt për të kushedisatën herë në atë ndeshje. Gjyqtari e ndëshkoi fill me karton të kuq Maradonën, ndërsa Argjentina tashmë qe ndëshkuar me gola 3-1 dhe qe skualifikuar nga një turne ku ajo qe bërë viktimë e një “lufte pa krisma”.
“Lufta pa krisma” u shtri dhe në ndeshje të tjera të këtij botërori. Nw grupin e dytw, nw 25 qershor 1982, Algjeria mundi Gjermaninë Perëndimore 2-1, duke shënuar fitoren e parë në botëror të një skuadre afrikane dhe të vendeve muslimane, ndaj një vendi europian. Kjo fitore bëhej edhe më sensacionale për faktin se Gjermania qe dy herë kampione e botës dhe kampione në fuqi e Europës dhe pretendente për fitoren e kampionatit Spanjë 1982. Fitorja u festua shumë në gjithë botën muslimane dhe u pa si një shenjë revanshi ndaj Perëndimit. Në grupin e parë të fazës së dytë të turneut ndeshja Poloni-Bashkim Sovjetik qe një ndeshje e ngarkuar politikisht, një “luftë pa krisma”, pasi vetëm para disa muajsh në Poloni qe shtypur me dhunë revolta popullore e udhëhequr nga Solidarnosti, nën presionin e Bashkimit Sovjetik dhe nën kërcënimin e një invazioni ushtarak sovjetik. Polonisë i mjaftonte barazimi për t’ u kualifikuar në katërshe, ndërsa Bashkimit Sovjetik i duhej fitorja. U fol për presione që KGB u pati bërë lojtarëve polonezë, por ndeshja përfundoi në barazim, duke kualifikuar Poloninë, çka në këtë vend u përjetua si një revansh kundër rusëve të urryer.
Por qe ndeshja gjysëmfinale Francë-Gjermani Perëndimore ajo që për nga mënyra se si u zhvillua bëri që të zgjohen demonët historikë të konflikteve midis dy vendeve, që tashmë supozohej ta kishin kapërcyer të shkuarën e tyre të përgjakshme. Episodi që u bë pikënisje e gjithçkaje ndodhi në gjysmën e pjesës së dytë, kur futbollisti francez Patrick Battiston doli i vetëm përballë portierit gjermanoperëndimor Harald Schumacher, në një situatë të pastër goli, të cilin portiere gjermanoperëndimor e evitoi, duke vepruar në një mënyrë të paprecedent në historinë e Kupës së botës. Schumacher vrapoi dhe u hodh mbi futbollistin francez me këmbët e ngritura lart, duke e goditur atë në kokë me gjithë peshën e trupit të vet gjigant të shtuar nga vrapimi. Battiston përfundoi në koma të menjëhershme me dëmin më evident dy dhëmbë të thyera. Ndeshja u ndërpre për shumë minuta dhe Battiston u nxorr jashtë fushës në barrelë, për t’ u çuar direct në spital. Por, për habinë e lojtarëve francezë në fushë dhe të gjithë botës që ndiqte ndeshjen nga ekrani dhe që prisnin që minimalisht Schumacher të largohej nga loja me karton të kuq, gjyqtari holandez Charles Corver i dha portierit gjermanoperëndimor të drejtën e rivënies në lojë të topit që pati dalë jashtë vijës fundore, në fakt paprekur nga Schumacher, i cili dukej të qe i interesuar vetëm për kokën e francezit dhe jo për topin. Zemërimi i francezëve u shtua pasi Franca, e cila në këtë rast zhvilloi një nga ndeshjet më spektakolare në historinë e futbollit, u eliminua pas gjuajtjes së njëmbëdhjetëmetërshave. Në Francë e gjithë kjo u krahasua me agresionin gjermna nazist kundër Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjyqtari holandez u krahasua me kolaboracionistët holandezë të Gjermanisë naziste. Shtypi francez bëri një anketë për të përcaktuar se cili qe njeriu më i urrye në Francë dhe portiere gjermanoperëndimor Schumacher doli i pari duke lënë në vend të dytë Adolf Hitlerin.
Kampionati botëror i vitit 1986 para se të fillonte reflektoi konfliktin politik që pati filluar të lindte midis SHBA-ve dhe Meksikës, për shkak se Meksika aspironte të afirmohej si një fuqi e rëndësishme në rajon, duke dalë madje edhe si vendi kah i cili orientoheshin hispanikët me banim në SHBA, një pjesë e madhe e të cilëve janë me origjinë meksikane. Pasi Kolumbia hoqi dorë nga e drejta e pritjes së turneut të vitit 1986, si kandidatët më seriozë mbetën Meksika dhe SHBA-të. SHBA-të deshën të marrin të drejtën e pritjes së turneut, me arsyetimin se Meksika e pati pritur turneun jo shumë kohë më parë në 1970. Por megjithatë FIFA ia dha të drejtën e pritjes Meksikës. Debati u rihap pas tërmetit që ran ë Meksikë në 1985, një vit para zhvillimit të turneut, tërmet që shkaktoi dëme të mëdha dhe që bëri që FIFA ta rishikonte të drejtën që i pati dhënë Meksikës, duke vënë në dyshim gjendjen e impianteve pritëse të saj për ndeshjet dhe turistët që do të vinin me këtë rast. Kështu ridoli kandidatura e SHBA-së, çka bëri që në Meksikë të shpërthente zemërimi kundër “los gringos” që donin t’ ua vidhnin meksikanëve atë që u takonte, siç kishin bërë gjithherë. Gjithsesi Meksika ruajti të drejtën për të qenë vendi pritës.
1986 qe shpallur nga OKB viti ndërkombëtar i paqes, gjë për të cilën në të gjitha stadiumet ku zhvilloheshin ndeshjet u vunë pankarta me emblemat e OKB dhe FIFA me shënimin “Futbolli për paqen-viti ndërkombëtar i paqes”. Në letër Kupa e botës po i shërbente qëllimit me të cilin e pati ideuar Jules Rime. Në realitet, edhe në këtë turne, shumë ndeshje u zhvilluan si “luftë pa krisma”. Në 22 qershor 1986, në cerekfinale u takuan Argjentina dhe Anglia në një ndeshje të llojit “luftë pa krisma”, të ngarkuar për shkak të luftës së armatosur që patën bërë të dy vendet para vetëm katër vitesh. Gjatë ndeshjes kori i tifozëve anglezë këndonte duke iu drejtuar argjentinasve: “Where is your navy? At the bottom of the sea”. Anglezët i referoheshin një episodi nga lufta e para katër vitesh në Ishujt Falkland ku luftanija argjentinase “Belgrano”, krenaria e flotës ushtarake argjentinase, u mbyt e siluruar nga një nëndetëse britanike. Dhe ironikisht e gjithë kjo bëhej në sfondin e pankartave të OKB dhe FIFA që e proklamonin futbollin si stimulues të paqes. Këtë herë FIFA pati vendosur të shpaguante padrejtësinë që i pati bërë Maradonës në 1982 dhe të ndëshkonte Anglinë, e cila qe bëri e padëshirueshme pasi tifozët anglezë shkaktuan tragjedinë e Brukselit, një vit para turneut të Meksikës. Dhe gjithçka u bë mënyrë skandaloze duke iu njohur Maradonës një gol me dorë, që e çbalancoi lojën e anglezëve dhe i dha argjentinasit mundësinë të shënonte golin e dytë, më të bukurin në historinë e botërorëve.
Ndeshjet “luftë pa krisma” të konflikteve etnike dhe fetare në botërorët e futbollit
Kampionati botëror i vitit 1990 u shndrrua paraprakisht në të fundmen “luftë pa krisma” të sportit të kohës së Luftës së Ftohtë, për faktin se Bashkimi Sovjetik u përpoq shumë për të fituar të drejtën e pritjes së turneut, por që FIFA ia dha Italisë. Bashkimi Sovjetik u penalizua kryesisht për arsye politike për shkak se pati okupuar Afganistanin, gjë për të cilën vendet perëndimore patën bojkotuar Olimpiadën e Moskës të vitit 1980. Për këtë arsye, botërori Itali 1990, që kur u fiksua u parashikua të qe një nga betejat më të ashpra sportive të Luftës së Ftohtë. Por, kur u zhvillua botërori i Italisë në 1990, Lufta e Ftohtë tashmë pati përfunduar prej një viti dhe skuadra e Bashkimit Sovjetik erdhi në këtë turne për herë të fundit si e tillë, pasi një vit më vonë Bashkimi Sovjetik do të shpërbëhej. Botërori i Italisë 1990 paralajmëroi “luftën pa krisma” të periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Në 21 qershor 1990, në stadiumin San Elia të Cagliari, u ndesh Anglia me Egjiptin në një ndeshje të ngarkuar me kujtimet historike të konflikteve mes dy vendeve si metropol dhe koloni dhe me konfliktin e ringjallur pas Luftës së Ftohtë mes Islamit dhe Krishterimit. Anglia fitoi me vështirësi 1-0 u një ndeshje që në botën islame u përjetua fuqishëm, duke filluar që nga emri religjioz kristian i stadiumit ku u luajt ndeshja, që u quajt si fyerje e ndjenjave të muslimanëve. Me shumë ngarkesa historike konfliktuale u zhvillua dhe ndeshja Angli-Republikë e Irlandës, për grupin E, në 11 qershor 1990, në Cagliari. Gjatë ndeshjes të dy tifozeritë bënë një evokim mahnitës të sloganeve dhe këngëve luftarake të konfliktit shekullor etno-fetar anglo-irlandez (protestanto-katolik). Edhe në fushë të dy palët u ndanë 1-1.
Ky kampionat botëror do të shihte prezencën e fundit të Jugosllavisë si e tërë në turnetë ndërkombëtare. Paraqitja e suksesshme e Jugosllavisë në këtë turne, në një kohë që mbi këtë vend pati rënë hija e luftës etnike dhe fetare, që do të fillonte vetëm pas një viti, sikur ndodhi që të përgënjeshtronte qëllimin me të cilin qe krijuar ky turne, pra që të promovonte paqen mes kombeve. Në botërorin e 1990-s qenë të bashkuar në një skuadër dhe gëzonin fitoret serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, maqedonë, malazezë. Në këtë skuadër bënin pjesë pesë muslimanë bosnjakë (Faruk Hadzibegic, Safet Susic, Fahrudin Omerovic, Refik Sabanhadzovic, Mirsad Baljic), nga të cilët tre Hadzibegic, Susic dhe Baljic i takonin formacionit të parë, tetë kroatë (Zoran Vulic, Tomislav Ivkovic, Alen Boksic, Robert Prosinecki, Robert Jarni, Davor Suker, Andrej Panadic, Davor Jozic), katër serbë (Dragan Stojkovic, Predrag Spasic, Dragoje Lekovic, Zlatko Vujovic), një slloven (Srecko Katanec), dy malazezë (Dejan Savicevic, Dragoljub Brnovic). Por, vetëm pas një viti kombet e Jugosllavisë që përfaqësonte skuadra shumëkombëshe jugosllave do të hynin në një luftë shkatërrimtare shumë të përgjakshme. Në 30 qershor 1990 Jugosllavia luajti kundër Argjentinës, kampiones në fuqi, në një ndeshje të vlefshme për çerekfinalet, ku Jugosllavia humbi pas gjuajtjes së njëmbëdhjetëmetërshave. Qendërmbrojtësi jugosllav me origjinë musliman bosnjak, Faruk Hadzibegic, shtylla e mbrojtjes jugosllave gjatë turneut, humbi njëmbëdhjetëmetërshin e fundit deciziv për jugosllavët që i eliminoi ata nga turneu. Në këtë çast tifozët serbë, kroatë, malazezë, maqedonë dhe sllovenë që e ndiqnin ndeshjen në të katër anët e Jugosllavisë shpërthyen në britma “Turk i ndyrë!”. Meritat e Hadzibegic u harruan, tashmë përmendej vetëm përkatësia e tij fetare si musliman, çka për sllavët kristianë do të thoshte se ai qe “turk”, edhe pse qe sllav si ata. Pas dy vjetësh serbët, por edhe kroatët do të fillonin genocidin nga i cili do të asgjesoheshin fizikisht mbi 150 mijë bosnjakë, bashkëfetarë të Hadzibegic.
Në katërshe u takuan Gjermania Perëndimore dhe Anglia, ndeshjet e të cilave gjithherë kanë qenë “luftë pa krisma”. Pasi Anglia u eliminua pas gjuajtjes së njëmbëdhjetëmetërshave, kryeministria britanike Thatcher u shpreh në një bisedë private ku dikush i tha se Gjermania po e mundte vazhdimisht Anglinë në sportin nacional të kësaj të fundit, pra futbollin “Ata mund të na kenë mundur ne në sportin tonë nacional, por ne i kemi mundur ata dy herë në sportin e tyre nacional në shekullin XX!” Aluzioni i zonjës Thatcher qe për dy luftrat botërore në të cilat Britania e Madhe e pati mundur Gjermaninë. Thuhet se ata që e dëgjuan qeshën, por ky mund të merret si epigram i sportit, posaçërisht futbollit si “luftë pa krisma”.
Kampionati botëror i vitit 1994 i zhvilluar në SHBA, nuk i shpëtoi traditës së ndeshje si “luftë pa krisma”. Meksika, e cila vinte në këtë turne duke pasur mbështetjen e shumë milionë meksikanëve dhe hispanikëve në përgjithësi që banonin në SHBA-të u ankua se asaj i qe bërë një padrejtësi e madhe nga ana e organizatorëve, me ndërhyrjen e amerikanëve, duke u caktuar për ndeshjen e parë të Meksikës stadiumi më i vogël midis atyre ku do të luheshin ndeshjet, RFK Stadium në Ëashington, me kapacitet 56000 vende (atje Meksika do të luante dy nga tre ndeshjet në grup), një padrejtësi e dyfishtë kjo në sytë e meksikanëve, pasi Meksika qëllimisht qe mbajtur larg qyteteve të pjesës jugore të SHBA-ve, ku kishte komunitete të gjëra meksikanësh dhe hispanikësh në përgjithësi. Në fakt autoritetet amerikane i druheshin nacionalizmit në rritje hispanik brenda vendit të tyre, që kishte Meksikën si shtet bërthamë, po të përdor një term të Samuel Huntington. Ndeshjet e Meksikës në SHBA-të do të shndrroheshin në manifestime të nacionalizmit hispanik me turmat që valvitnin flamujt meksikanë.
Një tjetër ndeshje e llojit “luftë pa krisma” qe ajo Bullgari-Greqi. Dy vendet ballkanike kishin konflikte historike që u evokuan me rastin e kësaj ndeshjeje. Ndeshja u zhvillua në Chicago, në stadiumin me emrin shumë të gjetur për kontekstin e saj konfliktual politiko-historik “Soldier Field”, në 26 qershor 1994. Dhe në fakt 63160 tifozët në stadium, kryesosht nga komunitetet bullgare dhe greke në SHBA, si dhe tifozët në të dy vendet, i shikonin futbollistët si ushtarë të luftrave të hershme midis dy vendeve, të cilat të dy palët mendonin se duheshin ribërë, që Bullgaria të merrte Trakën Perëndimore që ia kishte marrë Greqia padrejtësisht dhe që Greqia të merrte dreqi e din se çfarë “vendesh të shenjta” të helenizmit. Bullgaria fitoi 4-0, për pezmin e madh të grekëve, që u ngushëlluan duke fajësuar gjyqtarin nga Emiratet e Bashkuara Arabe Ali Bujsaim, sikur ai pati favorizuar bullgarët, për të cilët grekët duket se patën harruar se nuk qenë islamikë, por kristianë ortodoksë si ata.
Në kampionatin botëror të vitit 1998 të zhvilluar në Francë, nuk munguan ndeshjet e llojit “luftë pa krisma”, madje të bujshme, Gjermani-Jugosllavi, SHBA-Iran dhe SHBA-Jugosllavi. Ndeshjet midis Jugosllavisë (Serbi-Mali i Zi) dhe Gjermanisë gjithherë patën qenë të ngarkuara politikisht dhe këtë herë qenë më të ngarkuara, pasi serbëve u qe ringjallur armiqësia për Gjermaninë, pasi kjo e fundit pati ndihmuar sllovenët dhe kroatët në luftrat etnikë në –ish-Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX. Ekzaltimi i jugosllavëve arriti kulmin kur ata kryesuan në minutën e pesëdhjetëekatërt 2-0 dhe po e prisnin fitoren si revansh kundër armiqve historikë, por gjermanët barazuan ironikisht me ndihmën e mikut të Arkanit, Mihajllovic që bëri një autogol. Ndeshja SHBA-Iran që u luajt në Lyon në 21 qershor, mund të quhet si ndeshja klasike- “luftë pa krisma” e botërorëve të futbollit. Irani e quante SHBA-në si “Satani i Madh”, si armikun e madh të botës islame, me të cilën nuk mban as marrëdhënie diplomatike, që prej triumfit të Revolucionit Islamik. Tifozëve amerikanë iu këshillua që të evitonin praninë masive në stadiumin “Gerland” ku pjesa më e madhe e 39100 spektatorëve qenë islamikë që i luteshin Allahut t’ i ndihmonte 11 moxhahidinët iranianë në Xhihadin kundër 11 përfaqësuesve të “Satanit të Madh”. Fitorja e Iranit 2-0 bëri që të kalojë në delir jo vetëm republika islamike, por edhe turma të mëdha në gjithë botën islame, që e perceptuan ndeshjen si një shenjë që u jepte Allahu se muslimanët do të fitonin në Xhihadin kundër “Satanit të Madh”, SHBA-ve dhe Izraelit.
Një “luftë pa krisma” qe dhe ndeshja tjetër e këtij grupi SHBA-Jugosllavi (Serbi-Mali i Zi), për shkak se serbët i shikonin SHBA-t si armikun e tyre nacional që shpërbëu Jugosllavinë dhe që tash kërcënonte t’ i ndëshkonte për pastrimin etnik që serbët patën filluar që prej tre muajsh në Kosovë. Jugosllavia fitoi 1-0, duke e përjetuar këtë si një fitore ushtarake kundër SHBA-ve, me të cilat pas disa muajsh do të gjendej në një luftë reale. Në 30 qershor në Sent Etien u zhvillua një tjetër “luftë pa krisma” me ndeshjen Argjentinë-Angli. Ndeshja u përcoll me sloganet e zakonshme luftarake, sidomos nga anglezët, të cilët u egërsuan edhe më tepër nga përjashtimi prej ndeshjes i Becham pas një incidenti me argjentinasin Simeone. Argjentina triumfoi, ashtu si në 1986, por këtë herë pas gjuajtjes së njëmbëdhjetëmetërshave dhe e përjetoi suksesin si një kompensim nacional të humbjes së luftës së vitit 1982.
Kampionati botëror i vitit 2002 i zhvilluar në Korenë e Jugut dhe Japoni nuk doli nga tradita e ndeshjeve “luftë pa krisma”. Në takimet eleminatore para turneut, si epitomë e kësaj qenë dy ndeshjet midis Shqipërisë dhe Greqisë, që reflektuan shumë ngarkesat historike konfliktuale midis dy kombeve. Fitorja e Shqipërisë 2-0 në ndeshjen e parë në Tiranë, në 11 tetor 2000 u përjetua gjerësisht në Shqipërinë shtetërore dhe në gjithë hapësirën shqiptare si një revansh nacional ndaj Greqisë. Një “luftë pa krisma” qe ndeshja e hapjes Francë-Senegal, për shkak të ngarkesave historike konfliktuale, do të thotë Senegali, një vend i Afrikës së Zezë, pati qenë koloni e Francës, që edhe pas Luftës së Dytë Botërore pati zhvilluar një fushatë të armatosur për të shtypur lëvizjen e armatosur për pavarësi në këtë vend. Fitrja e Senegalit 1-0 u përjetua në këtë vend, për më tepër musliman, si një revansh ndaj ish-kolonizatorëve kristianë. Shumë e ashpër, për shkak të ngarkesave historike, qe edhe ndeshja Gjermani-Kamerun për grupin E, për shkak se Kameruni pati qenë koloni e Gjermanisë. Këtë herë fituan ish-kolonizatorët 2-0, fitore që gjermanëve u shijoi edhe më tepër ngase Franca humbi përballë ish-kolonisë së vet. Por, në këtë ndeshje u dhanë 16 kartona të verdha, një rekord ky në botërorët, që e barazoi gjyqtari rus Ivanov, në ndeshjen Portugali-Holandë, në Gjermani 2006. Gjatë finaleve, ndër ndeshjet “luftë pa krisma” qe ajo Meksikë-SHBA për një të gjashtëmbëdhjetat. Në këtë ndeshje u vu re se miliona hispanikët e SHBA bënë gjerësisht tifo për Meksikën, duke konfirmuar teorinë e Samuel Huntington për “vendin bërthamë”. Fitorja e SHBA-ve 2-0 qe për këtë vend një konveniencë e madhe politike pasi u evituan manifestimet e mëdha promeksikane që me siguri do të bënin meksikanët dhe në përgjithësi hispanikët e SHBA, në rast se do të fitonte Meksika.
Një tjetër ndeshje e llojit “luftë pa krisma” në këtë botëror qe ajo midis Japonisë dhe Rusisë, të cilën Japonia e fitoi 1-0. Publiku japonez e përjetoi ndeshjen si revansh ndaj rusëve me të cilët ka armiqësi historike dhe të cilëve Japonia u rivendikon Ishujt Kurile të aneksuar pas Luftës së Dytë Botërore. Si një ritual u përsërit në këtë botëror ndeshja Argjentinë-Angli, me gjithë ngarkesën e saj historike konfliktuale, por që këtë herë u fitua nga anglezët, të cilët këtë herë i privuan argjentinasit nga pretendimi i anasjelltë i zonjës Thetcher, pra se vërtet Anglia i mundi në luftë, por ata e mundin vazhdimisht në sportin e saj nacional. Ironikisht, e vetmja ndeshje që përfundoi me një shfaqje të nxehtë vëllazërimi në këtë turne qe ajo Kore e Jugut-Turqi për vend të tretë, vëllazërim që erdhi se dy vendet patën qenë bashkëluftëtarë të Luftës së Ftohtë, me 6000 turq të vrarë në Luftën e Koresë në vitet 1950-1953. Futbolli konfirmonte miqësitë e luftës dhe nuk paqësonte ish-ndërluftuesit apo ndërluftuesit potencialë.
Kupa e botës e zhvilluar në Gjermani 2006 duket të jetë e mbushur me ndeshje “luftë pa krisma”. Ndeshjet e Shqipërisë me Greqinë, në 2004-2005 në eliminatoret qenë ndeshje “luftë pa krisma” klasike. Po kështu qenë dhe ndeshjet midis Greqisë dhe Turqisë. Edhe në finalet ndeshje të tilla nuk kanë munguar dhe me gjsë pritet të ketë të tjera në vazhdim. Takimet ish-metropol-ish-koloni Portugali-Angolë dhe Angli-Trinidad tobago qenë ndër këto raste. Takimi Japoni-Australi nuk u shpëtoi ngarkesave historike konfliktuale të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Fitorja e 3-1 e Australisë u përjetua në këtë vend si një konfirmim i triumfit ushtarak mbi Japoninë në Luftën e Dytë Botërore, kundër së cilës Australia luftonte si pjesë e Imperisë Britanike. Takimi Gjermani-Poloni gjithashtu bëri që të evokohen tek publiku kujtesa historike konfliktuale të të dy vendeve, qa më tepër që sot polonezët e shohin me dyshim afrimin ruso-gjerman, që ka sjellë katër ndarje të Polonisë.
Edhe takimi Itali-SHBA qe i ngarkuar politikisht, gati si ai i vitit 1934, por këtë herë në sens të kundërt, duke qenë se si të këqinj paraqiteshin amerikanët. Një lojtarët kryesorë italianë, Gilardino deklaroi se këtë ndeshje ua dedikonin ushtarëve italianë që qenë në Irak. Kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse se italianët do të luanin për të mundur SHBA-t që qenë përgjegjëse që djemtë italianë gjendeshin në mes të rrezikut në Irak. Në anën tjetër, futbollisti amerikan Johnson pati bërë që para fillimit të turneut një deklaratë sa të sinqertë aq edhe sinjifikuese duke thënë se kampionati botëror është një luftë dhe lojtarët amerikanë janë të vetëdijshëm se po shkojnë në një luftë. Johnson nuk duket të jetë një lexues i Orwell, por ai thotë atë që ndjen dhe ilustron mendimet e Orwell. Ndeshja Spanjë-Tunizi qe e ngarkuar për publikun e të dy vendeve me kujtesën historike konfliktuale, aq më tepër në situatën e sotme të luftës kundër terrorizmit islamik. Për spanjollët, të cilët u gjendën në disavantazh 0-1, ky ballafaqim qe një ripërjetim të invazionit arab që erdhi pikërisht nga Afrika e Veriut, ndërsa për tunizianët dhe muslimanët e krejt botës, në momentin kur Tunizia kaloi në avantazh ndaj Spanjës, kjo u pa si revansh ndaj Perëndimit kristian që e ka poshtëruar botën islamike. Fitorja e Spanjës 3-1 u përjetua në këtë vend si një nderim ndaj Rikonkuistës, fushatës luftarake mesjetare me të cilën Spanja u clirua nga okupimi arab. Me shumë zemërim u përjetua në botën islamike ndeshja Ukrainë-Tunizi, ku gjyqtari nuk dha një njëmbëdhjetëmetërsh të qartë për Tunizinë dhe dha një njëmbëdhjetëmetërsh inekzistent për Ukrainën që i mundësoi kësaj kualifikimin në gjashtëmbëdhjetëshe. Kjo u interpretua në vendet muslimane si shenjë e poshtërimit që u bën Perëndimi.
Përfytyroni sikur në 9 korrik, në finalen e botërorit të Gjermanisë që do të luhet në stadiumin e ndërtuar nga Hitleri, me rastin e Lojërave Olimpike të vitit 1936, të takohen Gjermania dhe Anglia, se c’ ngarkesë historike do të ketë kjo ndeshje, aq më tepër në kushtet e sotme kur Gjermania është shprehur kundër luftës në Irak, ku Anglia është aleat i SHBA-ve dhe kur Gjermania po tenton të krijojë një “bosht” të ri me Francën dhe Rusinë për të balancuar SHBA-t dhe Britaninë e Madhe. Tifozët e të dy palëve kanë nisur të përleshen në Gjermani, edhe pse të dy skuadrat nuk janë ndeshur deri më tash, një shenjë kuptimplote kjo e armiqësisë historike.





